ATV

Author: ATVLive

  • Disa politikanëve iu shtua pasuria në tri vjetët e fundit

    Disa politikanëve iu shtua pasuria në tri vjetët e fundit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Një shtëpi gjysmë-milionëshe dhe një banesë 190 mijë euro iu shtuan pasurisë së presidentes Vjosa Osmani këtë vit, në krahasim me 2021.

    Shtëpinë e bleu vitin e kaluar, ndërsa banesën 244 metra katrorë e kishte blerë më 2019, por nuk e kishte deklaruar atë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, më 2021.

    Familja Osmani në 2022 u bë edhe me veturë në vlerë 10 mijë euro, që u deklarua në pronësi të bashkëshortit Prindon Sadriu.

    Ndërsa, asetet e paluajtshme iu trefishuan kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. Krahasuar me vitin 2021, kur Konjufca deklaroi vetëm një banesë në vlerë 67 mijë euro, më 2023 atij iu shtuan edhe një parking në vlerë 6 mijë euro dhe një depo 500 euro.

    Ndryshe nga këta dy liderë shtetërorë, pasuria nuk i ndryshoi kryeministrit Albin Kurti. Atij vetëm iu rrit vlera e të hyrave mujore.

    Ndryshime për tri vjet vërehen te ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla. Atij i janë zvogëluar pasuritë e paluajtshme që kishte trashëgimi nga prindi.

    Mirëpo, iu shtuan dy biznese të reja, të cilat u deklaruan në pronësi të bashkëshortes së tij.

    Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i është rritur shuma e parave të gatshme, krahasuar me vitin 2021, kur kishte deklaruar mbi 200 mijë euro, ndërsa tash iu shtuan mbi 25 mijë euro, të hyra këto edhe nga Anglia.

    Edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka më shumë para të gatshme, nga 6, në 20 mijë euro.

    Kurse ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kredi më të madhe, sesa para tri vjetëve.

    Pasuria e paluajtshme nuk i ndryshoi ministrit të Financave, Hekuran Murati, por atij i vlejnë diçka më pak, letrat me vlerë që i posedon.

  • Hovenier e cilëson produktiv takimin e Kurtit me O’Brien ku u fol për themelimin e Asociacionit

    Hovenier e cilëson produktiv takimin e Kurtit me O’Brien ku u fol për themelimin e Asociacionit

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka cilësuar si produktiv takimin e kryeministrit Albin Kurti me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien.

    Hovenier tha se ShBA-të presin nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin të gjitha obligimet e marra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Në takimin që pati me Kurtin, O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

    “Për të ecur përpara, nevojitet zbatimi i marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Diskutova hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”, shkroi O’Brien.

  • Raporti i “Freedom House”, Kosova vend pjesërisht i lirë

    Raporti i “Freedom House”, Kosova vend pjesërisht i lirë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Stabiliteti në Qeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje që gëzon shumicën në Kuvend, nuk ka ndikuar që të ketë përmirësime të dukshme në funksionimin e brendshëm të shtetit, sipas Freedom House.

    Kështu në fakt nis raporti i organizatës, i cili bazuar në ngjarjet vitit 2023, shtetin e konsideron pjesërisht të lirë me poentim 3.29 nga 7 sa është maksimumi.

    Ky vlerësim sipas shpjegimit në raport, nënkupton që institucionet demokratike janë të brishta dhe ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.

    Duke e konsideruar vit të vështirë, në mënyrë kronologjike janë përmendur zhvillimet kryesore, nisur nga takimet në dialogun Kosovë – Serbi, sulmi në Banjskë dhe bojkoti i zgjedhjeve në veri.

    Te paragrafët për korrupsionin, ndër të tjera, Freedom House ka përmendur shkarkimin e një zyrtari të policisë për shkak të hetimeve ndaj Martin Berishajt e Nagip Krasniqit.

    “Në korrik, shefi i Njësisë së Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës, Shemsi Haziri, ishte shkarkuar nga pozita e tij, përmes një njoftimi verbal pa arsyetim të detajuar për vendimin. Haziri ishte i njohur për udhëheqjen e hetimeve kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dhe kundër ish-shefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, të dy të lidhur me Vetëvendosjen. Ky vendim për shkarkimin e kreut të hetimeve të rëndësishme të korrupsionit u konsiderua si shkak për shqetësim, duke dërguar një sinjal negativ në opinion për angazhimin e Kosovës në luftimin e korrupsionit”, thuhet në raport.

    Më së shumti është vlerësuar zhvillimi në shoqërinë civile, me gjithsej 4.75, duke përmendur protestat dhe reagimet posaçërisht pas dënimit ndaj të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Me 3.75 është poentuar qeverisja demokratike vendore, duke u përmendur qëndrimi i Lulzim Hetemit brenda komunës për muaj të tërë, ndryshimi i ligjit për tatimin në pronë dhe fillimi i faturimit të energjisë elektrike në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

    Duke i përmendur 64 sulmet fizike ndaj gazetarëve, gjysma prej të cilave të ndodhura gjatë raportimit në veri, pavarësia e mediave është vlerësuar me 3.25.

    Në fakt, i gjithë poentimi i vitit 2023 përfshirë edhe ata në paragrafët specifikë, është komplet i ngjashëm me atë të vitit 2022.

  • “Skadon regjistrimi”, shoferëve iu konfiskohen veturat

    “Skadon regjistrimi”, shoferëve iu konfiskohen veturat

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Regjistrimi i veturës i kishte kaluar tash e disa ditë, por kjo nuk e ndaloi shoferin ta ngasë atë.

    Mirëpo, rrugën nuk e bëri deri ku kishte plan, pasi që policia nëpërmjet pajisjeve inteligjente e shënjestroi veturën me regjistrim të skaduar.

    Për këtë shkelje, shoferi u dënua me 200 euro dhe vetura iu konfiskua.

    Sipas njohësit të komunikacionit, Nol Deda, dënimet me ligjin e ri janë ashpërsuar, përfshirë këtu edhe për veturat që iu ka kaluar afati i regjistrimit.
    “Janë trefishuar gjobat prej tre prillit, ka qenë 60-80 euro, tash është trefishu, për fat të keq, në qoftë se një automjet jo i regjistruar ka mundur me ia marrë tabelat, me konfiskua dhe me ia dhanë afatin për ta regjistruar. Regjistrimi është shërbim juridik”, tha Deda.

    Sipas Dedës, shumë qytetarë nuk janë informuar aq sa duhet për ndryshimet e Ligjit për Komunikacion.

    “Vetëdijesimi është i nivelit të ulët sa i përket ligjit. Kam pasë rast me e pa vetë asnjë drejtues i automjetit nuk ka qenë i informuar për dënimet”, tha Deda.

    Mirëpo, pavarësisht që nuk i dinë të gjitha ndryshimet, qytetarët vlerësojnë se është zgjidhje e mirë shtrenjtimi i gjobave.

    “Kjo është e qëlluar unë tash po e di që jonë rritë gjobat, shpresoj që ka me u pa suksesi në të ardhmen”, tha Nezir Lekaj, qytetar.

    “Duhet me u zbatu patjetër, është me vonesë i aprovuar ky farë ligji”, tha Ramadan Ibrahimi, qytetar.

    Ligji i ri i komunikacionit rrugor hyri në fuqi nga 3 prilli i këtij viti.

    Ndërkaq, Policia e Kosovës kishte vënë në funksion pajisje teknologjike përmes të cilave do të identifikohen shkelësit në komunikacion më 2 gusht të 2022-ës.

  • Vendimi i PE-së “atak jashtëzakonisht i rëndë ndaj Kosovës”

    Vendimi i PE-së “atak jashtëzakonisht i rëndë ndaj Kosovës”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Qeveria vijon të kundërshtojë vendimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese Serbe, në të cilat komunat e Kosovës paraqiten si pjesë e Serbisë.

    Akti i cili do të dërgohet për miratim përfundimtar në Këshillin e BE-së, sipas Qeverisë, shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

    Duke e quajtur precedent të rrezikshëm, zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, theksoi se vendimi dëmton procesin e integrimit të komunitetit serb.

    “Ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm të komunitetit serb që të pajisen me dokumente personale të shtetit të tyre, të shtetin tonë, Republikës së Kosovës. Prandaj, vendimi për të cilin po flasim, nga BE-ja për mundësim të lëvizjes së lirë, pa regjim vizash, edhe për pasaportat e Serbisë të lëshuara për qytetarët serbë në emër të komunave të Kosovës shënon një prapakthim në këtë proces”, tha Vokrri.

    Pasi e vlerësoi të palogjikshëm dhe të dëmshëm për shtetësinë, profesori Dritëro Arifi theksoi se vendimi vjen edhe në kohë të gabuar, kur komuniteti serb nisi që më masivisht të pajisej me pasaporta të Kosovës.

    “Në mënyrë të drejtpërdrejtë po e dëmtojnë shtetin e Kosovës dhe në fund vetë pasaportën e Kosovës, pra vlerën që i jep institucioni. Në këtë fakt, serbët më nuk kanë nevojë të nxjerrin pasaporta të Kosovës, sepse në njëfarë mënyre BE-ja ua ka bërë të qartë se e pranojnë edhe si Kosovë dhe Metohi. Pra, është një atak jashtëzakonisht i rëndë për Republikën e Kosovës, për formën që është bërë, sepse ato janë institucione ilegale të cilat nuk e kontrollojnë këtë territor”, tha Arifi.

    Proces të mirë e vlerësoi vendimmarrjen e së martës aktivisti i shoqërisë civile, Dusan Radakovic, i cili si problem përmendi vetëm faktin se me të ashtuquajturën pasaportë koordinuese nuk mund të udhëtohet nga Prishtina.

    “Po, mendoj se ka prej atyre që nuk pajtohen me këtë. Unë personalisht kam dy pasaporta, kam edhe pasaportën e Kosovës. Është mirë që Kosova mori liberalizimin e vizave për Evropë, por ka shumë njerëz që nuk kanë mundësi të marrin pasaportë të Kosovës për shkaqe të ndryshme dhe në mes të kësaj është shumë keq që, për probleme administrative, dikujt t’i mohohet mundësia e udhëtimit… Mendoj se hapi i radhës duhet të jetë të udhëtohet nga Beogradi me pasaportë të Kosovës, dhe nga Prishtina me pasaportë të Serbisë, dhe përfundimisht të krijohet një linjë fluturimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha Radakovic.

    Sipas Bashkimit Evropian, rreth 18 mijë qytetarë të komunitetit serb në Kosovë posedojnë pasaporta të lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori koordinuese serbe.

    Poseduesit e pasaportave të tilla nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen, përkundër se BE-ja ia liberalizoi vizat Serbisë më 2009.

    Ditë më parë, BE-ja vlerësoi se integrimi i komunitetit serb në Kosovë është thelbësor në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

  • Biden nënshkruan paketën e ndihmës për Ukrainën dhe Izraelin

    Biden nënshkruan paketën e ndihmës për Ukrainën dhe Izraelin

    Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka nënshkruar paketën e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, duke e shndërruar në ligj.

    Në paketë përfshihen edhe nene që do të detyrojnë median sociale, TikTok, të shitet apo ndalohet në SHBA.

    Njoftimi shënon një betejë të gjatë me republikanët në Kongres sa i përket ndihmës ushtarake për Ukrainën.

    “Ne u bëmë bashkë dhe e arritëm këtë”, tha Biden nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se brenda orësh do të nisin dërgesat me ndihma ushtarake për në Ukrainë.

    Sipas zyrtarëve amerikanë, pjesa e parë e ndihmës për Ukrainën – që ka vlerë të përgjithshme prej 61 miliardë dollarësh – do të nisë së ekzekutuari brenda orësh. Aty përfshihen aftësi të mbrojtjes ajrore, municione për artileri, autoblinda dhe armë të tjera që do t’iu dërgohen forcave ukrainase të cilat po përballen me pushtimin që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.

    Në paketën e ndihmës po ashtu përfshihet ndihmë humanitare për palestinezët në Gazë, teksa lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – po vazhdon.

    Biden tha se Izraeli duhet të sigurojë që ndihma humanitare për palestinezët, që parashihet në ligj, të arrijë në Gazë “pa vonesa”.

    Paketa e ndihmës për Izraelin, Ukrainën dhe aleatët e tjerë të SHBA-së ishte bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të kundërshtimit të republikanëve të ekstremit të djathtë.

    Megjithatë, më 18 prill Dhoma e Përfaqësuesve arriti të kalojë projektligjin, i cili më pas u dërgua në Senat për miratim. Senati e miratoi atë të martën, më 23 prill.

  • KFOR-i inspekton zonën e materialeve toksike në Pejë

    KFOR-i inspekton zonën e materialeve toksike në Pejë

    Pjesëtarë italianë të KFOR-it kanë inspektuar zonën e materialeve industriale toksike, të njohur si “Eurosteel”, në Pejë.

    Inspektimi u krye nga KFOR-i në bashkëpunim edhe me institucione të Kosovës, përfshirë strukturën civile për mbrojtjen e ambientit dhe planifikimit urban, Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe FSK-në.

    Inspektimi u zhvillua në kuadër të programit për monitorim dhe kontroll të KFOR-it në zonat ku është raportuar për substanca potencialisht të dëmshme për shëndetin.

    “Specialistët italianë verifikuan mbylljen korrekte të fuçive në zonë dhe vazhduan me analizimin e të dhënave. Matjet më pas u krahasuan me të dhënat e marra më herët për të vlerësuar trendin dhe për të identifikuar ndonjë dëmtim potencial të ambientit. Rezultati konfirmoi se nuk u zbulua asnjë rrezik për shëndetin”, thuhet në një komunikatë të KFOR-it.

  • Ligji për personat e zhdukur së shpejti do të kalojë në konsultime publike

    Ligji për personat e zhdukur së shpejti do të kalojë në konsultime publike

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Ligji për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë, sipas kryesuesit të Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, së shpejti do të kalojë në konsultime publike.

    Mes tjerash, Andin Hoti njoftoi gjatë një takimi të Komisionit për të drejtat e njeriut, se gjatë vitit 2023 janë gërmuar 15 lokacione në Kosovë, kurse në Serbi, vetëm në Shtavall.

    “Janë dorëzuar nëntë mbetje mortore te familjarët gjatë vitit 2023. Fatkeqësisht gjatë vitit 2023 janë bërë gërmime vetëm në një lokacion në Serbi, në Shtavall. Shumica prej informacioneve që kemi, nuk janë vetëm brenda territorit të Kosovës, por edhe të dëshmitarëve atje në Shtavall”, tha Hoti.

    Për gërmime të mëtutjeshme atje, sipas Hotit, sfidë mbetet mungesa e informacioneve dhe moszbatimi i deklaratës së 2 majit të nënshkruar në Bruksel, për personat e zhdukur.

    I zhgënjyer për fatin e të pagjeturve është shprehur edhe kryetari i Këshillit të Familjarëve, Ahmet Grajqevci. Sipas tij, të zhdukurit do duhej të ishin kryefjala e të gjitha institucioneve.

    “Çështja e personave të zhdukur është e mundimshme dhe e dhimbshme, asnjë institucion nuk ka bërë mjaftueshëm. Çështja e dinarit për 24 orë diskutohet, por jo edhe e personave të zhdukur që për fatin e tyre e di më së miri Serbia”, tha Grajqevci.

    Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ftoi qytetarët të dorëzojnë dëshmitë që kanë nga lufta.

    “Ta ngrisim zërin, sepse nuk është e drejtë që për një serb të mblidhet Këshilli i Sigurimit, ndërsa për sulm ndaj vendit tonë të mos kërkohet mbledhja e Këshillit. Ne si popull jemi krenarë, faji nuk është te ne, kërkojmë ndihmë”, tha Mulhaxha-Kollçaku.

    Mungesa e diskutimeve me prokurorët, për çështjen e të pagjeturve nga Komisioni për Personat e Zhdukur, u konsiderua neglizhencë. Ndërsa, kërkesë e pjesëmarrësve në këtë komision ishte një takim me Këshillin Prokurorial.

  • 62 vjet burgim për gjashtë të akuzuarit për dhunimin e 11 vjeçares

    62 vjet burgim për gjashtë të akuzuarit për dhunimin e 11 vjeçares

    Përgatiti: Nora Luta

    Pesë nga tetë të akuzuarit në grupin e dytë, për dhunim të 11-vjeçares nga Prishtina janë shpallur fajtorë e janë dënuar me burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

    Behlul Rrahmani është dënuar me 12 vjet burgim, ndërsa Driton Rrahmani, Blendin Sadiku, Muhamet Sadiku, Muhamet Restelica e Flamur Sadiku janë dënuar me nga dhjetë vjet burgim.

    Gjashtë të dënuarit nga gjykata janë dërguar për të mbajtur masën e paraburgimit, sipas vendimit të Gjykatës deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

    Ndërsa, janë liruar Gëzim Sadiku dhe Egzon Sadiku, ky i fundit akuzohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit.

    Avokatja e viktimës vendimin e ka quajtur meritor, teksa ka folur për procesin e gjykimit, i cili ishte i mbyllur për media.

    Viktima, sipas saj, vazhdon të qëndrojë në strehimore.

    Megjithatë, me vendimin nuk është pajtuar mbrojtja, e cila ka paralajmëruar ankesën në shkallën e dytë.

    Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave në dhjetor të vitit 2022, pas aktakuzës së parë ndaj Ekrem Rexhepit dhe tre të miturve.

    Shkalla e parë i kishte dënuar me 40 vjet burgim gjithsej, por rasti u kthye në rigjykim në Apel, dhe procesi është duke u zhvilluar në Departamentin për të Mitur.

    Gjykata kishte njoftuar se nuk ka gjetur që e dëmtuara të ketë qenë e trafikuar apo viktimë e veprës penale të trafikimit me njerëz.

    Sipas aktakuzës, më 27 gusht 2022, prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria”, e mitura ishte ngacmuar fillimisht me fjalë e pastaj dhunuar.

    Ndërkohë, sipas aktakuzës së dytë ndaj personave që u dënuan këtë të martë, rasti i dhunimit të 11 vjeçares kishte ndodhur në qershor të po të njëjtit vit.

  • OVL-UÇK e quan veteran të rrejshëm të arrestuarin për krime lufte nga Serbia

    OVL-UÇK e quan veteran të rrejshëm të arrestuarin për krime lufte nga Serbia

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në këtë zyrë, Sadik Duraku vite më parë kishte marrë kartelën që ia njeh statusin e veteranit të luftës së UÇK-së.

    Pikërisht ky dokument që iu gjet në xhep gjatë kontrollit në hyrje të Serbisë, u bë shkak që Duraku të arrestohet e të dërgohet në paraburgim për 30 ditë, nën dyshimet për krime lufte.

    Tani, një javë pas arrestimit, Organizata e Veteranëve Dega në Has po pretendon se Duraku nuk është veteran i vërtetë.

    “Është vërtetu që Sadik Duraku është veteran i UÇK-së, por është veteran i rrejshëm. Do të thotë formën derisa ka ardhë te statusi është përmes të hollave”, tha kryetari i OVL-UÇK-së në Has, Xhevdet Thaçi.

    Në këtë drejtim, kryetari i degës së Veteranëve të UÇK-së në Has, paralajmëron se do ta padisin Durakun kurdo që ai të hyjë në Kosovë.

    “U bëjmë apel organeve serbe që ta deportojnë sa më shpejt Durakun në Kosovë, dhe vërtet ta padisim Durakun për manipulim dhe mashtrim se si ka ardhë deri te statusi”, tha Thaçi.

    Gjatë ditës, familja e Durakut nuk pranoi të deklarohej rreth qëndrimit të OVL-UÇK-së në Has, e cila mes viteve 2021-2022 i kishte larguar nga Lista më shumë se 1300 persona, të cilët merrnin pensionin e veteranit.

    Ndërkohë, 54-vjeçari me vendbanim në Angli, që u arrestua më 16 prill, gjatë kësaj të marte priste vizitën e parë nga familja.