ATV

Author: ATVLive

  • PE-ja miraton heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë

    PE-ja miraton heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë

    Parlamenti Evropian të martën ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë, të cilët pajisen me dokumente nga Drejtoria koordinuese në Beograd.

    Bartësit e këtyre pasaportave nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave në kohën kur Bashkimi Evropian i hoqi vizat për shtetasit e Serbisë.

    Nga Aeroporti i Prishtinës nuk është e mundur të udhëtohet me pasaportë të lëshuar nga Drejtoria Koordinuese e MPB-së së Serbisë në Beograd për qytetarët e Kosovës, sepse autoritetet e Kosovës e konsiderojnë të paligjshme. Megjithatë, poseduesit e këtyre pasaportave mund të udhëtojnë nga çdo vend i rajonit.

    Komisioni Evropian në muajin nëntor të vitit të kaluar kur rekomandoi heqjen e vizave edhe për bartësit e këtyre pasaportave, si arsyetim dha qëllimin që të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor të gëzojnë liberalizimin e vizave, pa marrë parasysh se çfarë pasaporte posedojnë. Ky propozim i Komisionit Evropian erdhi pasi ishte e qartë se nga 1 janari shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Schengenit.

    Vendimi i së martës u miratua në seancën plenare të Parlamentit Evropian me 406 vota për, 97 kundër dhe 94 abstenime.

    Ky votim në Parlamentin Evropian është hapi i fundit në këtë institucion të BE-së drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e këtyre pasaportave. Raportin, i cili u votua të martën në seancë plenare, e ka përpiluar deputeti nga Sllovenia Matjazh Nemec.

    Ai ka thënë se me raportin e tij nuk ka për qëllim të zgjidhë ndonjë çështje politike apo mospajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por, siç u shpreh ai, një problem praktik dhe teknik për të siguruar lëvizjen e lirë dhe për të siguruar trajtimin e barabartë.

    Ai, madje, tha se ky problem ishte krijuar nga vetë BE-ja në vitin 2009, kur u hoqën vizat për Serbinë por jo edhe për bartësit e këtyre pasaportave, dhe tash BE-ja duhet ta përmirësojë këtë gabim. Nemec theksoi në fjalimin e tij se ky vendim, i propozuar nga Komisioni Evropian, është mbështetur edhe nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së dhe ka pajtimin e Këshillit.

    Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”. Për më tepër, Qeveria e Kosovës kishte argumentuar se me një vendim të tillë BE-ja do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.

    Sipas Qeverisë së Kosovës, argumenti se serbët e Kosovës nuk janë përfshirë në liberalizim nuk qëndron pasi ata, sikur të gjithë shtetasit tjerë të Kosovës mund të pajisen me pasaporta biometrike të Kosovës me procedurë të shpejtuar dhe me ato pasaporta mund të udhëtojnë pa viza në vendet evropiane.

    Për Qeverinë e Kosovës problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria koordinuese e Serbisë në Beograd shkruhen vendbanimet në territorin e Kosovës sikur të jenë në Serbi, që është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në dialog për shuarjen e strukturave paralele të Serbisë.

    Por, argumentet e Kosovës nuk ishin marrë parasysh nga institucionet e Bashkimit Evropian, as nga Komisioni Evropian, nga Parlamenti Evropian e as nga Këshilli.

    Pas votimit të sotëm në seancën plenare të Parlamentit Evropian, ka mbetur vetëm që Këshilli i BE-së ta formalizojë vendimin dhe ai të hyjë në fuqi.

    Pikërisht për shkak se seancat plenare të kësaj jave janë të fundit në këtë përbërje të Parlamentit Evropian, edhe kishte presion kohor që votimi të përmbyllet në këtë seancë, sepse pas kësaj jave do të shpërbëhet Parlamenti Evropian ndërsa seanca themeluese e përbërjes së re do të jetë në korrik, pas zgjedhjeve evropiane.

    Sikur të mos ishte votuar këtë javë, gjithçka do të shtyhej për fundin e këtij viti. Tash mbetet të përmbyllen formalitetet në Këshill në mënyrë që vendimi të hyjë në fuqi. /REL

  • Kosova dhe Çekia thellojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë

    Kosova dhe Çekia thellojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë

    Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka zhvilluar takim me Komisionin e Senatit për Punë të Jashtme dhe Sigurisë nga Republika e Çekisë, raporton Ekonomia Online.

    Pas takimit në konferencën për media kryetari i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha tha se kanë biseduar për zhvillimin e mëtutjeshëm të të dy shteteve në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë. Berisha ka shtuar se Republika Çeke e ka ndihmuar Kosovën në shumë aspekte.

    “Këtë delegacion e kemi prit me kënaqësi të madhe. Kemi bisedu për shumë gjëra. E kam falënderu kryetarin për ndihmën që na ka bërë Republika Çeke e cila është shumë dimensionale si në aspektin diplomatik, në përkrahjen e Republikës se Kosovës, po ashtu në prezencën e ushtarëve të Republikës Çeke në Kosovë. Ne kemi biseduar edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të të dy shteteve në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Berisha gjatë konferencës për media.

    Kryetari Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme dhe Sigurisë nga Republika e Çekisë, Tomas Czernin ka thënë se marrëdhëniet mes dy shteteve janë tepër të ngushta dhe tepër të gjera që nga vitet e kaluara. Czernin ka theksuar se miqësia mes dy presidentëve tanë i ka sjellë qetësi rajonit.

    “Qëllimi i takimit ishte për adresimin e sfidave aktuale në vend dhe rajon, mundësitë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Marrëdhëniet tona janë tepër të ngushta dhe tepër të gjera që nga vitet e kaluara. Miqësia mes dy presidentëve tanë i ka sjellë qetësi rajonit. Komisioni ynë merret me çështjen e jashtme me mbrojtjen dhe sigurinë. Me zotin kryetar kemi parë mundësi të flasim për qështje të ndryshme në fushën e sigurisë dhe fushën e mbrojtjes. Ne shikojmë që ka shumë projekte të cilat edhe mund të ndihmojmë për t’ ju dhënë atyre jetë për të ardhmen, jo vetëm në fushën e sigurisë”, ka thënë Czernin.

  • Liburn Aliu mohon akuzat për faljen e dhjetëra miliona eurove borxhe për ambalazhuesit e ujit

    Liburn Aliu mohon akuzat për faljen e dhjetëra miliona eurove borxhe për ambalazhuesit e ujit

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një intervistë për Ekonomia Online, i ka quajtur shpifje raportimet e mediave për shlyerjen e borxheve në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

    Aliu ka thënë se të gjitha këto akuza janë politike dhe se raportimet nuk qartësojnë nëse është i përfshirë në këto akuza.

    Ai fillimisht ka kërkuar sqarime se nga kanë ardhur falja e këtyre miliona eurove, ku përfshihet edhe Naser Hafizi, zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore.

    “E para kjo nuk është akuzë, është shpifje. Sikur të akuzon duhet të ketë një bazë, një farë lloj lidhje logjike. Kur flasim për borxh ata do të duhej të flasin një herë sasinë. Pra thonë 90 milionë euro borxh apo si është ajo, si kanë ardhur tek ai 90 milionë euro. E dyta ku lidhet kjo me ministrin Liburn Aliu që ata dëshirojnë me thanë, në çka lidhet, si e paskam falur unë, kam pasur ndonjë vendim siç ka qenë përpara, vendim për falje apo diçka tjetër. A ka pasur ndonjë vendim të tillë ndonjëherë nga ana ime. A ka ndonjë marrëveshje me dikë, ku me kënd ajo marrëveshje, vetëm le të dalin ta thonë, krejt në rregull. Por të gjitha janë shpifje dhe nuk kuptoj cili është motivi mbrapa, mbase mund të jetë vetëm thjesht politikë, po mund të jetë edhe çka tjetër”.

    “Por kur thuhet 90 milionë euro i kanë ambalazhuesit, fillimisht e kanë thënë 90, mandej e kanë thënë, mirë 11 milion euro borxh, që 10 milionë euro borxh. Kur thua janë 11 milion euro borxh, sipas udhëzimit administrativ të 2006-ës është 0.09 cent për litër të shitur. Pastaj kjo ka ndërruar në 0.001 cent, 0, 009 dhe pastaj është zvogëluar në 00. 001 cent për litër. Kur të thuash 10 milionë euro borxh, ose 11 milionë euro borxh, kjo i bije që qenkan shitur 1 miliardë, ose një miliard e 200 milionë, nëse thua 11 milionë, diku 200 milionë litra ujë nga të cilat taksa duhet me u llogarit kaq. Ose kur ta zbret në 0.001, i bie nëntëfishi i kësaj. Pra prej nga kanë ardhur këto shifra le të dalin le të thonë ata, shumë thjeshtë kështu edhe krejt në rregull”, ka thënë Aliu për EO.

    I pyetur për publikimin e disa dokumente që e ndërlidhin me këto pretendime, Aliu tha se nuk vërtetojnë një gjë të tillë. Vendim të gabuar e ka quajtur edhe atë të ish-kryeministrit Haradinaj për një faljen e borxheve ambalazhuesve të ujit.

    “Ato nuk janë vërtetime të asaj, ato shumë thjesht nëse paska pasur hetim për këto, ku është hetimi, ku ka mbërri jemi në rregull. Unë mendoj që ai vendim i asokohshëm ku është thënë falet borxhi nuk ka një bazë të caktuar ligjore, se nuk është i definuar borxhi, pra është dashtë të definohet cilin borxh. Mbi të cilin udhëzim administrativ, mbi të cilin ligj, si është kalkuluar ai borxh. Unë mendoj që këtu ka qenë një gabim asaj kohe me ra në një farë lloj si të themi gafe ku falet një borxh i cili nuk është as i rregulluar e as i kalkuluar. Nuk mund të ketë vendime politike të cilat mbulojnë këtë fushë është tejet enjë gafe e madhe. Unë e quajta se është një daktilografim i dobët i pretendimeve të padijshme”, deklaroi Aliu.

    Aliu ka thënë se ekziston mundësia që zyrtarët të cilët janë akuzuar mund të dorëzojnë padi për shpifje, por që ai vetë si ministër nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë, pasi sipas tij, ai është një pretendim qesharak që do ja ulë “seriozitetin punës së tij”.

    “Me sa di unë zyrtarët përkatës që janë akuzuar mbase që është përfolur për ta mbase edhe padisin. Vet prej pozitës së ministrit me u marr me ra në këtë nivelin qesharak të kësaj padie me thanë të drejtën me duket që pak edhe ja uli edhe seriozitetin edhe vetës me u marr me një pretendim tejet jo serioz dhe qesharak. Shume thjeshte si e llogarite, si po e lidh Liburn Aliun me këtë çështje”, ka thënë Aliu.

  • ​Skuadra gjermane vë në shënjestër Albion Rrahmanin

    ​Skuadra gjermane vë në shënjestër Albion Rrahmanin

    Sipas portalit gjerman “Liga Insider”, Werder Bremen ka vënë syrin te sulmuesi i Rapid Bukureshtit, Albion Rrahmani .Rrahmani po kalon një sezon historik te “Giulesti”, pasi ka luajtur 20 ndeshje, ka shënuar 18 gola dhe katër asistime vendimtare.

    Çmimi i reprezentuesi kosovar është afërsisht 2 deri në 3 milionë euro, sipas faqeve të specializuara të internetit.

    SV Werder Bremen duket se e ka gjetur atë që kërkon në Rumani. Në kërkim të një sulmuesi të ri, Albion Rrahmani nga FC Rapid Bukuresht konsiderohet kandidat për ekipin gjerman”, shkruan mediumi gjerman, përcjellë KosovaPress.

    Skautët e Bremenit thuhet se monitoruan lojtarin në ndeshjen e tij të fundit në stadium për të marrë një pamje më të qartë të tij. Megjithatë, sipas raportit, bisedimet mes klubeve ende nuk kanë filluar.

    Bremeni do të përballet me konkurrencën nga Republika Çeke: SK Slavia Prague gjithashtu duket se është e interesuar për nënshkrimin e tij dhe madje ka dorëzuar një ofertë zyrtare, e cila u refuzua.

  • Ka 400 punëtorë në Gjermani, ky është rrëfimi i ndërmarrësit të suksesshëm shqiptar

    Ka 400 punëtorë në Gjermani, ky është rrëfimi i ndërmarrësit të suksesshëm shqiptar

    Isak Neziri një ndër ndërmarrësit shqiptar më të suksesshëm në Gjermani, ishte i ftuar ne emisionin LIBERO në ATV, ku ka bërë një rrëfim emocionues për rrugëtimin e tij drejt suksesit.

    Ai ka treguar për punën e tij të cilën e ka bërë qysh në moshë të re më saktësisht në vitin e dytë të shkollës së mesme.

    “Periudha kur unë kam dal dhe kam shitur rroba në vitin e dytë të shkollës ka qenë një sfidë në vete pasi që në atë kohë prindërit tanë ishin larguar nga puna dhe ishte e vetmja zgjidhje për të mbijetuar, aty jam në tregun e Skenderajt, ndërsa gjatë javës katër herë kemi qenë në tregje të ndryshme të Kosovës, më saktësisht në tregjet që i kemi pasur më afër sepse unë jetoj në Drenas dhe kam dal për të bërë një tregëti të vogël ta quajmë në tregun e Drenasit, Skenderajt, Komoranit dhe Malishevës”, tha Neziri.

    Më vonë pas vështirësive gjatë jetës dhe dhunës së vazhdueshme ai vendosi të largohej nga Kosovë për një mundësi më të mirë.

    “Në vitin 1997 ne e kemi lëshu Kosovën si shumica e kosovarëve përshkak të dhunës, kemi pasë fatin të vendosemi në Munichen, përkundër të gjitha sfidave që i kemi pasë me leje qëndrim dhe me leje për punë fal Zotit ja kemi arritur gjermanët që të na ndihmojnë në këtë rast, puna ime e parë ka qenë më mirëmabjtë hapsirën brenda dhe jashtë, kam qenë pastrues i objekteve kam punuar nga 2 orë për 160 marka në muaj vetëm si punë sociale vetëm që mos të rri dhe këtë punë e kam bërë për 8 muaj për socialin”, tha Neziri.

    Rrëfimin e tij të plotë në LIBERO e gjeni në videon më poshtë:

  • Amerikanët dhe rusët konfrontohen të ashpër për Kosovën në OKB: “Mos e ndryshoni historinë, gjenocidi u parandalua”

    Amerikanët dhe rusët konfrontohen të ashpër për Kosovën në OKB: “Mos e ndryshoni historinë, gjenocidi u parandalua”

    Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork të mbajtur të hënën, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Wood, i kërkoi homologut të tij rus Vitaly Nebenzija të mos përpiqet të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve historike.

    Diskutimi u zhvillua në seancën ku u shqyrtua raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

    Wood e lidhi përpjekjen e Rusisë për të ndryshuar historinë rreth veprimeve të NATO-s në vitin 1999 me faktin se kërkesa e Rusisë për një seancë speciale mbi veprimet e NATO-s kundër Serbisë u refuzua dy herë.

    Gjatë seancës, përfaqësuesi rus Nebenzia hodhi akuza kundër NATO-s, një lëvizje që e shtyu Wood-in të merrte fjalën.

    “Operacioni i ‘Forcave Aleate’ në 1999 ishte jetik dhe legjitim për të nxitur tërheqjen e forcave serbe të Millosheviçit nga Kosova dhe për të ndaluar spastrimin etnik”, tha Wood.

    Ai shtoi se operacioni parandaloi gjenocidin.

    “Ky operacion ishte ndërhyrja e fundit e mundshme për të parandaluar gjenocidin dhe ishte një përgjigje e nevojshme urgjente për të mbrojtur popullsinë civile”, shtoi Wood.

    Pas kësaj, ai iu drejtua drejtpërdrejt rusëve.

    “Duket se Federata Ruse është e pakënaqur me faktin që Këshilli nuk i jep hapësirën që dëshiron për të promovuar një realitet alternativ. Do të ishte më mirë të lihej mënjanë revizionizmi dhe të punohej për zgjidhjen e sfidave përpara”, tha Wood.

    Kjo përleshje verbale në skenën ndërkombëtare vjen në një kohë kur tensionet politike janë në kulmin e tyre dhe mbi të gjitha tregon sesi ngjarjet nga e kaluara vazhdojnë të ndikojnë në politikën dhe diplomacinë e sotme.

  • Gërvalla: Ndalohet punësimi i familjarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

    Gërvalla: Ndalohet punësimi i familjarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se ka nënshkruar vendimin i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    “Nepotizmi, familjarizmi, mungesa e theksuar e profesionalizmit dhe llogaridhënies si pasojë e këtyre dukurive, trajtimi i pabarabartë i zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Diasporës kanë qenë ndër arsyet kryesore të gjendjes së mjeruar në të cilën e kam gjetur këtë institucion. Është i gjatë rrjeshti i familjarëve të figurave politike dhe publike të punësuara në këtë ministri. I motrave dhe vëllezërve, i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, kunatava, kunetërve dhe baxhanakëve të ministrave, deputetëve, pronarëve të mediumeve, gjyqtarëve e prokurorëve. Nuk është i vogël as numri i anëtarëve të ngushtë të familjes të zyrtarëve të MPJD/së. Deri në katër anëtarë nga e njëjta familje kanë qenë të punësuar në këtë institucion. Familjarë të ngushtë janë dërguar të shërbejnë në të njëjtin mision diplomatik”, ka shkruar Gërvalla.

    “Për t’iu dhënë fund këtyre dukurive kam nënshkruar vendimin me numër 113/2024, i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Vendimin e kam marrë me shumë përgjegjësi, e ndërgjegjshme që do të hasë në kundërshtime të forta nga ana e qarqeve politike dhe mediale, të mësuara me ndërhyrje të tilla, të cilat e dobësojnë shumë strukturën e ministrisë dhe vullnetin e zyrtarëve për të punuar me përkushtim. Por ndaj këtij vendimi nuk ka alternativë. Punësimi në MPJD, rekrutimi i diplomatëve të rinj mund dhe do të bëhet vetëm duke u bazuar në meritokraci, në konkurse të hapura për të gjithë dhe të bazuara në kritere profesionale”, ka shkruar ajo në Facebook.

  • Krasniqi publikon pamje nga përgatitjet për meqin e 4 majit: Mezi pres të ju shoh sërish

    Krasniqi publikon pamje nga përgatitjet për meqin e 4 majit: Mezi pres të ju shoh sërish

    Boksieri kosovar, Haxhi (Robin) Krasniqi, do ta zhvilloj meqin e radhës më 4 maj.

    Ish-kampioni ka publikuar pamje nga përgatitjet për këtë meq.

    Kundërshtari i tij do të jetë, Jorge Silva. Ata do të përballën në Augsburg të Gjermanisë.

  • Nga 2004-ta afër 80% e komunave përballen me mungesë të ujitjes, shkak ndryshimet klimatike

    Nga 2004-ta afër 80% e komunave përballen me mungesë të ujitjes, shkak ndryshimet klimatike

    Që nga viti 2004, afër 80 për qind të komunave në Kosovë, përballen me mungesë të ujitjes si shkak i ndryshimeve klimatike. Kështu u tha se lansimin e kampanjës “Ndrysho për Klimën”, organizuar nga USAID dhe programit për grante, që ka për qëllim të forcimit të përpjekjeve për përshtatje dhe veprim ndaj ndikimeve që po sjellin ndryshimet klimatike, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë tryezë u tha se si shkak i ndryshimeve klimatike, deri në vitin 2050, 4. 2 për qind do të jetë rënia e GDP-së në Kosovë nëse nuk ndërmerren veprime.

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se Kosova ndër sfidta kryesore që ka është përmbytjet dhe thatësirat.

    Sipas tij, si shkak i thatësirave në Kosovë, ujiten vetëm 7 mijë hektar tokë.

    “Ndryshimet klimatike ka një kohë që janë prezente përmes ndikimeve në produktivitetin bujqësor, zjarret, ndryshime në furnizim me ujë, thatësira, vërshimet, emigracion. Përmbytjet dhe thatësirat janë shfaqur si sfida kompleksë për Kosovën. Këto fatkeqësi natyrore kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Kosova ka përjetuar thatësira të shumta në dekadat e fundit. Që nga viti 2004 afërsisht 80 për qind e komunave të Kosovës janë përballur mungesë të ujitjes për shkak të thatësirave. Sipas masterplanit të Kosovës për ujitje, aktualisht ujiten vetëm 7 mijë hektar tokë”.

    “Këshilli për Sekretariatin për ndryshime klimatike vetëm se është aktiv dhe ka aprovuar dokumente të rëndësishme sikur se është plani për energji. Mirëpo tani jemi në proces të funksionalizmit të bordit zhvillimor shkencor se bashku me USAD që prioritet kemi ofrimin e të dhënave të sakta shkencore që do të informoj politikëbërjen e Këshillit për ndryshimeve klimatike”, ka thënë ai.

    Alex Albertine, ushtrues detyre i zëvendës drejtorit të Misionit të USAID-it në Kosovë, ka thënë se ndryshimet klimatike kanë ndikim në të gjithë kontinetin e po ashtu edhe në Kosovë.

    “Siç e dimë këto ndikojnë në secilin kontinent të planetit, pasojat janë të mëdha dhe e dimë që rreziqet janë të mëdha për të adresuar këtë, dhe duhet bashkëpunim për të zbutur efekte e ndryshimeve klimatike. Duhet të shtrojmë rrugën jo vetëm për të adresuar sfidat por edhe për të marr masat për ndryshimet. Ky regjion është i cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike jo vetëm për të ndikuar në mjedis, por edhe në shëndet e ekonomi. Së bashku mund të bëjmë një Kosovë më të qëndrueshme”, ka thënë ai.

    Petrit Gashi nga “USAID Kosovo Adapt Activity”, ka thënë se këto ndryshime klimatike kanë ndikim të madh edhe në ekonomi.

    Ai tha se sipas raportit të Bankës Botërore, 4. 2 për qind do të jetë rënia vjetore e GDP-së së Kosovës deri në vitin 2050 nëse nuk ndërmerren veprime klimatike.

    “Ajo çfarë do të shohim sot ka të bëjë më sfidat kryesore me të cila ballafaqohet Kosova. Ne në raportin tonë, fokusin e kemi pasur në identifikim e kufizimeve. Ne kemi një numër sfidash qysh sot edhe për të ardhmen temperatura ekstreme, kërcënime të mëdha nga vërshimet, era të forta në qytete që nuk i kemi hasur më herët, kemi edhe një degradim të dheut. Këto janë pjesërisht nga ndryshimet klimatike por kemi identifikuar edhe një dorë të njeriut me sfidat që ballafaqohemi në kontekst të ndotjes së ajrit e shpyllëzimit”, u shpreh ai.

    “Këto çfarë parashohim në skenarë e që ne i kemi analizuar është e frikshme, disa prej indekseve që ne i kem deri në fund të këtij shekulli cilido skenar, problemet do të jenë të theksuara si ndryshimet e temperaturave mesatare, nivelit të indeksit të zjarrit, të indeksit të vërshimeve që e kemi analizuar gjitha tregojnë një të ardhmen brengosëse, nevoja për me ndërmarr diçka që është e madhe. Nëse nuk lëvizet tregojnë që efektet ekonomike do të jenë të thella. Raporti i Bankës Botërore flet për një rënie prej 4.2 për qind të GDP-së vjetore deri në vitin 2050. Kjo përkthehet në rënie të GDP edhe për kokë banori”, ka thënë ai.

  • Ramiz Qeriqi deklarohet në Hagë, pohon se kishte polici ushtarake në batalionin e tij

    Ramiz Qeriqi deklarohet në Hagë, pohon se kishte polici ushtarake në batalionin e tij

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) po vazhdon dëshminë dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Qeriqi pohoi se në batalionin e dytë të Brigadës 121 ku bënte pjesë ai, kishte polici ushtarake.

    Ish-pjesëtari i UÇK-së shtoi se në batalione të UÇK-së ka pasur polici ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një rregullore e UÇK-së në të cilën sipas prokurores Silvia D’Ascoli thuhej se dëshmitari ia kishte dhënë edhe ushtarëve të tij.

    Sipas këtij dokumenti, thuhej se flitej edhe për policinë ushtarake dhe rolin e saj e po ashtu edhe sjelljet e tyre sa i takon popullatës civile, e të tjera.

    Dëshmitari konfirmoi se sipas rregullores, policia ushtarak kontrollonte lejet e udhëtimit, lejet e njerëzve, arrestimet dhe i dërgonin ushtarët në drejtim të brigadës.

    Ramiz Qeriqi pohoi se në batalionin e tij kishte deri në shtatë anëtarë në policinë ushtarake dhe komandant i saj ishte Ajet Hasani, ndërsa zëvendës i tij, Ajvaz Koripuzi.

    Dëshmitari tha se policia ushtarake ka filluar të funksionojë nga fundi i majit dhe fillimi i qershorit 1998. Po ashtu, pohoi se komandan i policisë ushtarake në nivel të brigadës ishte Haxhi Shala i njohur me nofkën “Topi”.

    Ai pohoi po ashtu që policia ushtarake kishte të drejtën që të arrestojë edhe komandantë të batalioneve në rast të shkeljes së rregullave.

    “Ashtu kanë thanë atëherë në atë kohë”, tha Qeriqi, duke pohuar se ushtarët pa leje qarkullimi edhe çarmatoseshin.

    Ai gjithashtu pohoi se për arrestimin e civilëve duhej leje nga policia ushtarake.

    “Ka qenë detyrë e tyre, jo e jona”, tha dëshmitari Qeriqi.

    Sipas tij, këto rregulla pasqyrojnë detyrat e policisë ushtarake gjatë kohës që ka shërbyer si komandant.

    Më pas, atij iu paraqit një raport ku thuhej se dikush ishte në terren dhe i prezantuan rregulloren e policisë ushtarake për batalionin së bashku me sqarime. Dëshmitari tha se kjo ishte bërë pa prezencën e tij nga Haxhi Shala.

    “Pa prezencën time. (Takimin e ka mbajtur) Ky që e ka mbajtur këtu, Haxhi Shala”, tha ai.

    Edhe në fillim të seancës, dëshmitari u mor në pyetje nga prokurorja Silvia D’Ascoli, e cila u fokusua tek deklarata që kishte dhënë dëshmitari gjatë gjykimit të Fatmir Limajt më 2005.

    Prokurorja tha se në një deklaratë dëshmitari kishte thënë se për të lëvizur nga njëri batalion në tjetrin duhej kërkuar leje, gjë të cilën e pohoi ai.

    Për Isak Musliun ai tha se ka qenë pjesë e njësive në komandën e Fatmir Limajt dhe nofka e tij ka qenë Çerçizi. Po ashtu, edhe në deklaratat e mëhershme ai kishte thënë se Musliu kishte mjekër dhe e mori emrin nga luftëtarit shqiptar Çerçiz Topulli.

    Qeriqi tha se propozimin që Isak Musliu ta ketë këtë nofkë, ia ka dhënë Ismet Jashari.

    Prokurorja kërkoi që në prova materiale të pranohet një ditar me disa shkrime me aën të secilave u mor në pyetje dëshmitari, ndërsa kjo u kundërshtua nga të gjithë palët mbrojtëse të të akuzuarve.

    Para kësaj, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III shfuqizoi vendimin e 4 prillit lidhur me kërkesat për mospjesëmarrjen fizike të të akuzuarve në sallën e gjyqit.

    Trupi gjykues mori vendim që kërkesat e tilla duhet të bëhen 48 orë para seancës për të cilën është duke u kërkuar leja me përjashtim të rasteve të veçanta.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.