ATV

Author: ATVLive

  • PE-ja miratoi “liberalizimin e vizave” për pasaportat koordinuese serbe

    PE-ja miratoi “liberalizimin e vizave” për pasaportat koordinuese serbe

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian bëri hapin e parafundit drejt liberalizimit të vizave për Zonën Schengen për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese Serbe.

    Parlamenti Evropian miratoi raportin e euro-deputetit slloven, Matjaz Nemec, i cili rekomandimin e tij e paraqiti të zhveshur nga konteksti politik.

    “Ky është një votim i rëndësishëm. Kjo nuk është çështje politike, por teknike. Është vazhdim i vendimit për liberalizimin e vizave për Serbinë, i miratuar më 2009, dhe për Kosovën që nga fillimi i këtij viti. Ky vendim është për t’ua bërë njerëzve jetën më të mirë dhe afekton rreth 18 mijë serbë rezidentë të Kosovës, të cilët kanë pasaporta speciale. Dhe, që nga fillimi i këtij viti ata mbesin kategoria e vetme e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor, të cilët nuk gëzojnë liberalizimin e vizave me BE-në”, tha Nemec.

    Përkundër se Kosova konsideron se vendimi shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, hartuesi i raportit iu referua vetëm aspektit të lëvizjes së lirë.

    “Besoj se nuk ka justifikim për këtë, politik apo ndonjë tjetër. Kjo është një çështje të cilën e krijoi BE-ja më 2009 dhe na takon neve ta ndreqim atë. Në thelb, kjo është çështje e trajtimit të barabartë ose diskriminimit, dhe ne duhet të jemi kundër çfarëdo forme të diskriminimit. Nuk duhet të lejojmë që këta qytetarë të paguajnë çmimin për dështimin e politikanëve të tyre”, tha Nemec.

    Duke e vlerësuar të papranueshëm, Qeveria e Kosovës theksoi se vendimi nuk reflekton realitetin e së drejtës për udhëtim pa viza.

    “Ky qëndrim rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, kur vetëm para më shumë se një viti, një tentativë e njëjtë për njohjen e dokumenteve ruse të udhëtimit, të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji, u dënua dhe nuk u pranua nga vetë institucionet e BE-së. Shtyrja para e këtij propozimi, ka ndikim negativ në integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Që prej momentit kur është iniciuar ky propozim nga Komisioni Evropian, i kemi informuar vazhdimisht të gjitha institucionet e BE-së për pasojat dhe efektet negative të një vendimi të tillë”, thuhet në reagimin nga Qeveria e Kosovës.

    Me kërkesë të BE-së, pas liberalizimit të vizave, më 2009, Serbia hapi Drejtorinë Koordinuese, e cila lëshon pasaporta për shtetasit serbë që jetojnë në Kosovë.

    Për qytetarët e pajisur me dokumente të tilla serbe, nuk vlen liberalizimi i vizave.

    Mbajtësit e atyre që njihen si “pasaporta koordinuese”, të cilat i paraqesin qytetet e Kosovës si pjesë të Serbisë, nuk mund të udhëtojnë nëpërmjet aeroportit të Prishtinës.

  • Punëtorët e Telekomit, ende nuk i kanë marrë pagat e marsit

    Punëtorët e Telekomit, ende nuk i kanë marrë pagat e marsit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Punëtorët e “Telekomit” të Kosovës, ende nuk i kanë marrë pagat e marsit.

    “Ma e keqja është, sepse në kohën e fundit kanë filluar bankat pasi nuk kemi mundur t’i paguajmë kreditë, t’i thërrasin dhe t’ua ndalin kreditë bashkëhuamarrësve”, tha kryetari i sindikatës së punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.

    1800 punëtorë mbetën pa rroga për shkak se përmbaruesi privat tashmë i suspenduar, bllokoi llogaritë e kompanisë ku ata punojnë.

    Përmbaruesi, Irfan Kërçagu, filloi zbatimin e përmbarimit, pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, që detyron ndërmarrjen t’ia paguante “Dardafonit”, 5,7 milionë euro.

    Tash “Telekomi” nuk po arrin t’i shlyejë detyrimet ndaj kontraktorëve.

    “Telekomi i ka diku 540 antena në prona private, që i ka me qira. Tash që nuk kemi mundur t’ua paguajmë qiranë shumica prej pronarëve kanë filluar të thërrasin dhe të interesohen pse s’ka dhe bëjnë kërcënime të ndryshme që mund t’i dëmtojnë edhe antenat”, tha drejtori financiar në “Telekom”, Feim Kelmendi.

    “Telekomi” insiston në shkarkimin e përmbaruesit, suspendimin e të cilit e bëri Ministria e Drejtësisë, në mars, ndonëse vetë ia kishte deleguar këtë kontest.
    Për këtë, menaxhmenti i ndërmarrjes inicioi edhe një komision disiplinor të përbërë nga ekspertë juridikë e përmbarues.

    Ky komision, mblodhi të hënën për herë të parë në Ministrinë e Drejtësisë, përfaqësuesit e “Telekomit” dhe përmbaruesin privat Irfan Kërçagu me avokatin e tij mbrojtës.

    Kërkesën për shkarkim, menaxhmenti i ndërmarrjes e bazon në disa pika. Pretendimet e “Telekomit” u mohuan në plotësisht, nga pala tjetër.

    Përfaqësuesit e ndërmarrjes publike i bënë kërkesë komisionit disiplinor, që mjetet e bllokuara mbi shumën prej 5,7 milionë të lirohen.

    “Sepse mjetet që janë nëpër banka tejkalojnë shumën të cilat pretendon të inkasohen nga përmbaruesi, ndërsa për çështje procedurale, llogaritë bankare të “Telekomit” kanë mbetur të bllokuara edhe pse ka mjete më tepër sesa edhe vetë vendimi që është në fuqi”, tha Kelmendi.

    Shkalla e dytë e Komerciales, tashmë ka caktuar tre ekspertë, të cilët do të bëjnë ekspertizën financiare, për pagesat që ndërmarrja ka kryer në emër të vendimit të arbitrazhit të vitit 2016.

    Zyrtarë të “Telekomit” thanë se në këtë ekspertizë, nuk do të llogariten mbi 10 milionë euro, që “Dardafoni” mori nga ndërmarrja përmes mundësimit të shfrytëzimit të numrave dhe shërbimeve 3 dhe 4G, në formë kompensimi.

    Nga “Telekomi” pretendojnë se vendimi i Arbitrazhit detyronte ndërmarrjen publike t’i paguante “Dardafon-it” 27 milionë euro, kurse ndërmarrja kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit, në shumën prej rreth 40 milionë eurosh.

    Përmbaruesi privat deri më tani ka arritur të tërheqë 2.1 milionë euro nga xhirollogaritë e ndërmarrjes.

  • Reshjet e shiut vështirësojnë qarkullimin në Fushë Kosovë

    Reshjet e shiut vështirësojnë qarkullimin në Fushë Kosovë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Qarkullimi në rrugën “Dardania” të martën ishte mjaft i vështirë.

    Madje, qytetarët ankohen se me këtë problem po përballen qe disa vite.

    Zyrtarët komunalë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në këtë komunë kanë bërë të ditur për ATV-në se tashmë kanë nënshkruar kontratë me një kompani private e cila do të bëjë riparimin e rrugës, që pritet të kushtojë 25 mijë euro.

    Megjithatë, sipas tyre, punimet do të nisin pas përmirësimit të kushteve atmosferike.

    Reshjet e shiut shkaktuan telashe edhe në Prishtinë, pasi një pjesë e fasadës së një ndërtese në rrugën “UÇK”, ra në tokë.

    “Është një incident që ka ndodhur sot në mëngjes. Me marrjen e informatës ekipet emergjente të kryeqytetit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Inspektorët dhe shërbimi i zjarrfikësve e kemi eliminu rrezikun. Një pjesë e fasadës, si pasojë e shirave ka ra. Është eliminu rreziku dhe do ta pastrojmë ta kthejmë në gjendjen e mëparshme. Do të monitorojmë më tutje këtë pjesë të qytetit, mirëpo edhe pjesë të tjera të qytetit për ndonjë eventualitet”, ka thënë drejtori për siguri dhe emergjenca në komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.

    Si zakonisht, reshjet e shiut shkaktuan edhe tollovi në komunikacion.

  • Shtëpia botuese e AAB-së, në panairin e botimeve shkencore në Tiranë

    Shtëpia botuese e AAB-së, në panairin e botimeve shkencore në Tiranë

    Përgatiti: Haris Ademi

    Botime shkencore e akademike nga të gjitha trojet shqiptare, u sollën në oborrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

    Në panairin që u hap të martën, e që shënon edicionin e tretë me radhë, vend iu sigurua edhe shtëpisë botuese të Kolegjit AAB, që solli 70 tituj të sferave të ndryshme.

    Organizatorët thonë se me këtë panair duan ta promovojnë punën e gjithë akademikëve shqiptarë.

    Në Tiranë, të martën erdhën edhe akademikë nga Prishtina. Për Isa Mustafën, ngjarje të tilla kanë rëndësi për të dyja shtetet.

    Ndërsa, në një nga ngjarjet e panairit, iu nda çmimi “Vepra më e mirë studimore”, e akademik Anastas Angjelit.

    Panairi i Botimeve Shkencore e Akademike do të jetë i hapur deri të enjten e 25 prillit.

  • Çekia i premton Kosovës bashkëpunim në aspektin e sigurisë

    Çekia i premton Kosovës bashkëpunim në aspektin e sigurisë

    Anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes kanë pritur në takim delegacionin e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme dhe Sigurisë nga Republika e Çekisë.

    Pas përfundimit të takimit, kryetari i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha së bashku me kryetarin e Komisionit për punë të Jashtme dhe Mbrojtje, Pavel Fischer janë deklaruar për media.

    Kryetari i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha tha se është diskutuar për zhvillimin e mëtutjeshëm për të dy shtetet në aspektin e sigurisë.

    Ndërkaq, Kryetari i Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje të Çekisë, Pavel Fischer tha se përpos sigurisë në vend, Kosova ka shumë projekte në të cilat do ta ndihmojë Republika e Çekisë.

    Ai theksoi se Kosova dhe Çekia të dy shtetet i japin njëra-tjetrës mbështetje të vazhdueshme.
    Takimi është zhvilluar i mbyllur për media, kurse delegacioni nga Çekia gjatë ditës do të takohen edhe me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporës.

  • Von der Leyen mban fjalimin e fundit në Komisionin Evropian para zgjedhjeve të qershorit

    Von der Leyen mban fjalimin e fundit në Komisionin Evropian para zgjedhjeve të qershorit

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot e ka mbajtur fjalimin e saj të fundit para se të mbahen zgjedhjet e reja në këtë institucion të Bashkimit Evropian që janë nga 6 deri më 9 qershor.

    Shefja e Komisionit në seancën e fundit para zgjedhjeve prezantoi rezultatin e diskutimeve në Këshillin e Jashtëzakonshëm Evropian të 17-18 Prillit, veçanërisht për çështjen e konkurrencës, linjën Letta-Draghi dhe Unionin e Tregjeve të Kapitalit.

    “Ne kemi dëgjuar disa ide shumë të mira nga Letta për tregun tonë të vetëm. Çështja më e ngutshme është faktorët kyç që përcaktojnë kostot, çmimet dhe produktivitetin në Evropë”, tha Von der Leyen duke shtuar se kjo ishte nga samiti i liderëve të BE-së që Komisioni mori një mandat “të qartë” për të ecur përpara në tre “çështje jetike”, shkruan Eunews.

    Presidentja ua bëri të qartë eurodeputetëve. Së pari dhe më kryesorja është harmonizimi i rregullave kombëtare “për çështje të tilla si paaftësia paguese” për t’u siguruar investitorëve “parashikueshmërinë që u nevojitet”, dizajni i “produkteve të kursimeve ndërkufitare për investitorët me pakicë” dhe forcimi i mbikëqyrjes në mbarë BE-në” nga pjesëmarrësit më të rëndësishëm të tregut.

  • Profesori amerikan: Vuçiqi bombastik u mund nga Osmani

    Profesori amerikan: Vuçiqi bombastik u mund nga Osmani

    Profesori amerikan i Universitetit Johns Hopkins, ka komentuar seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në veçanti përplasjen mes Presidentes Osmani dhe Presidentit serb Vuçiq.

    Profesori Joseph tha se Osmani e ka mundur Vuçiq-in në debat me të.

    “Surpriza më e madhe nga përballja e sotme e KS të OKB-së mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq: Vuçiqi bombastik u mund nga Osmani e cila ishte e përgatitur tërësisht? Jo, kjo ishte e pritshme. Osmani: “Ndërhyrja e NATO-s … shënoi një … moment historik vendimtar në historinë e njerëzimit.” Përfaqësuesi rus: “Agresioni i NATO-s kundër ish-Jugosllavisë u bë një pikë uji në historinë globale””, ka shkruar profesori Joseph në platformën “X”.

  • 25-vjeçari nga Kosova vdes në aksident trafiku në Itali, punonte si shofer kamioni

    25-vjeçari nga Kosova vdes në aksident trafiku në Itali, punonte si shofer kamioni

    25-vjeçari, Haris Shala nga Kosova ka gjetur vdekjen në një aksident në Itali.

    Mediat italiane raportojnë se ngjarja ka ndodhur në Piza në autostradën e Brenerit, ditën e djeshme.

    Shala punonte si shofer kamioni dhe momentin tragjik ai u godit nga një kamion tjetër nga prapa.

    25-vjeçari Haris Shala jetonte në Caprona dhe ishte baba i një vajze gati 2-vjeçare.

  • ​Kosova shënon sukses të madh edhe në sportin e duatlonit

    ​Kosova shënon sukses të madh edhe në sportin e duatlonit

    Kosova po shënon suksese të njëpasnjëshme në sport, madje edhe ne disiplina që janë më pak të njohura deri më tani.

    Së fundi Albion Ymeri ka shënuar ngritje të lartë në renditjen botërore të Federatës Ndërkombëtare të Triatlonit, disiplina e duatlonit.

    Triatlonisti kosovar, me medaljen e bronztë të fituar në garën ndërkombëtare “Africa Triathlon Sprint Duathlon Championships”, të mbajtur gjatë fundjavës në Hurghada të Egjiptit, ka përfunduar në vendin e gjashtë në botë. Ai ka grumbulluar 661.15 pikë në total.

    Duatloni është disiplinë që përbëhet nga vrapimi dhe çiklizmi, përcjellë KosovaPress.

    Ymeri është bursist olimpik i KOK-ut, ndërsa vlerësohet garuesi më i mirë i Federatës së Triatlonit të Kosovës, të cilët po e mbështesin për të rritur nivelin e tij në garat ndërkombëtare.

  • Raporti i DASH-it, reagon LDK: Vulë ndaj korrupsionit serioz të Qeverisë – Prokuroria të zbatojë ligjin

    Raporti i DASH-it, reagon LDK: Vulë ndaj korrupsionit serioz të Qeverisë – Prokuroria të zbatojë ligjin

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar me shqetësim raportin e fundit të Departamentit amerikan të shtetit, për Kosovën për vitin 2023. Ky raport është konfirmim i të gjitha shqetësimeve tona të cilat janë ngritur në vazhdimësi. Raporti në fjalë i dha vulë paaftësisë së Qeverisë dhe korrupsionit, siç është cekur edhe në raport “korrupsionit serioz të Qeverisë”.

    Në njoftim thuhet se LDK në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen dhe ka denoncuar publikisht dyshimet për korrupsion nga Qeveria, duke përfshirë edhe qindra tenderë sekretë që kjo qeveri ka nënshkruar, në vlerë prej mbi 240 milionë euro. Pra ka propagandë dhe nuk ka luftë kundër korrupsionit siç pretendon Qeveria e Kosovës, gjë të cilën e vërtetoi dhe raporti DASH-it.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës, fton Prokurorinë e Kosovës që të trajtojë të gjitha shqetësimet e ngritura deri më sot. Kërkojmë që prokuroria të zbatojë ligjin pa asnjë pengesë dhe të hetojë me seriozitet të gjitha dyshimet për korrupsion dhe papërgjegjshmëri qeveritare”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se: LDK është e përkushtuar të vazhdojë të ngris zë në mbrojtje të institucioneve tona, nga korrupsioni që ka instaluar kjo Qeveri. LDK po ashtu do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat institucional që përgjegjësit për veprat e tyre të jenë para ligjit. Kosova meriton një qeverisje të pastër dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e saj, dhe ne jemi të vendosur të punojmë drejt këtij qëllimi.