ATV

Author: ATVLive

  • Kusari-Lila: Dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese s’është kusht para votimit në KiE

    Kusari-Lila: Dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese s’është kusht para votimit në KiE

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk është e përcaktuar që Kosova duhet që draft-statutin e Asociacionit ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, para votimit në Këshill të Ministrave për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Ajo ka thënë se Kosova ka gatishmëri për zbatimin e të gjithave marrëveshjeve të arritura deri më tani, por sipas saj, ato marrëveshje duhet që të jenë të zbatueshme dhe të obligueshme për të dyja vendet pa dallime.

    Kusari-Lila ka theksuar se nuk mund të konsiderohet që vetëm formimi i Asociacionit mund të jetë mekanizëm për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është garancia e vetme dhe kryesore për zbatimin e të drejtave të të gjithëve pa dallime.

    “Republika e Kosovës ka treguar gatishmëri për zbatimin e të gjithave marrëveshjeve të arritura deri më tani, përkundrejt faktit që në disa prej tyre ka pasur jo konsistencë të vazhdueshme por që e kemi konsideruar që marrëveshja e Brukselit dhe plani i zbatimit i Ohrit duhet të jenë të zbatueshme dhe të obligueshme për të gjithë pa dallim. Elementin e thirrjes e cila bëhet që vetëm formimi i Asociacionit është mekanizëm për integrimin e komunitetit serb janë rastet dhe është vetë integrimi i komunitetit serb në pjesët tjera të Republikës së Kosovës që e dëshmon të kundërtën. Më e rëndësishme për Republikën e Kosovës në këtë proces por edhe për të gjithë komunitetit përfshirë ato pakicë është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, garancia e vetme dhe kryesore për zbatimin e të drejtave të gjithëve pa dallim në veçanti grupeve të margjinalizuara është anëtarësimi në Këshillin e Evropës apo mekanizmi mbikëqyrës që vjen bashkë me anëtarësimin e Këshillit të Evropës. Asnjë mekanizëm tjetër në veçanti jo ata të kërkuara nga Serbia për arsye se Serbia vet si shtet ka qenë shklesja dhe mbetet kryesore e të drejtave serbe, shteti i cili me mekanizmat e vet indimidon, dhunon dhe dëmton pronën e qytetarëve të vet, luan me procesin e vendimmarrjes për fatin e tyre”, ka thënë ajo për KP.

    Kusari Lila ka thënë se dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese dhe themelimi i saj nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE, por që kjo do të bëhet pas anëtarësimit.

    Ajo ka thënë se nuk do të ishte mirë që kjo çështje të bëhej kushtëzim i mëtutjeshëm për Kosovën.

    “Si procedurë nuk është kërkuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, sic e dini edhe vetë vetë raportuesja Dora Bakojanis, ka treguar që kjo si procedurë nga institucionet e vendit do të bëhet pas anëtarësimit, siç është konfirmuar dhe në letrën e tre krerëve të shtetit si proces i cili ndërlidh zbatimin e tërë marrëveshjeve të arritura apo dy marrëveshjeve të fundit këtë rast Brukseli dhe Ohrit. Prandaj si i tillë nuk do duhej të ishte para kusht ose kushtëzim i mëtutjeshëm, Kosova deri më tani ka treguar vullnet seriozitet dhe përpikmëri, në zbatim të marrëveshjeve por gjithashtu edhe në ruajte të vlerave demokratike dhe ruajte të paqes dhe sigurisë. Ata të cilët e shkaktojnë këtë janë në anën tjetër të kufirit tonë verior dhe kjo është Serbia, domethënë konfliktet problemet, cenimin e të drejtave të pakicave e bën shteti serb në krye me Aleksandër Vuqic”, ka thënë ajo.

    Shefja e deputeteve të VV-së ka thënë se do të ishte mirë që ndërkombëtaret të cilët theksojnë që dërgimi i draftit në Kushtetuese do duhej të bëhej para votimit në Këshillit të Ministrave, të njëjtit do të duhej që të insistonin që votimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE të ndodhte sa më parë.

  • Familjarët e të zhdukurve përgatiten ta padisin Serbinë në Strasburg

    Familjarët e të zhdukurve përgatiten ta padisin Serbinë në Strasburg

    Familjarët të cilëve u janë zhdukur më të dashurit e tyre, po përgatiten ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në momentin që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Presidentja Osmani, Zyra qeveritare për të pagjeturit dhe Instituti për Krime të Luftës, inkurajojnë qytetarët që të bëjnë gati paditë. E familjarët shpresojnë që kjo do të jetë mundësi e mirë që të triumfojë drejtësia.

    Vëllai i Lutfijes, doktor Adem Ademi vazhdon të jetë në mesin e të zhdukurve me dhunë tash e 25 vjet. Familjarët gjatë gjithë kohës kanë kërkuar të dinë për fatin e tij, por as nuk ia gjejnë eshtrat e as nuk ia dinë varrin.
    “Që 25 vite jetojmë me shpresë se do t’i gjejmë familjarët tonë”, tha Lutfije Ademi Vokshi.

    Familjes së Lutfijes u ka mbetur një shpresë që ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg në momentin që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

    “Ne familjarët e presim me padurim rezultatin pozitiv që Kosova të pranohet në KiE dhe besoj që çdo familjar sikur unë, do të bëjnë padinë edhe individualisht, por kisha pas dëshirë që edhe institucionet e Kosovës të bëjnë padi, që të jemi sa më të fuqishëm, të ngrisim zërin sa më lartë që Serbia të marrë dënimin e merituar për krimet që i ka bërë në Kosovë”, shtoi ajo.

    Në këtë çështje familjarët kanë përkrahje edhe nga presidentja Vjosa Osmani. “Nga anëtarësimi në KiE përfitojnë të gjithë qytetarët tanë, por më së shumti përfitojnë familjet të cilave u është mohuar drejtësia tash e 25 vjet”, tha presidentja.

    Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, thotë se si shtet janë edhe disa procedura të tjera që duhet t’i ndjekin deri te padia ndaj Serbisë për gjenocid.

    “I bëj thirrje të gjithë atyre që janë të prekur direkt apo indirekt nga lufta 98-99 në çfarëdo lloj mënyre që të përgatiten dhe të fillojnë të gjejnë mundësinë për paditë e tyre ndaj shtetit serb sepse mendoj që jemi vonë dhe është koha ta bëjmë përgjegjës atë që i ka bërë këto krime, ku dikush patjetër duhet të përballet me drejtësinë. Ata që kanë kryer këto krime patjetër që duhet të jenë në burgje”, tha Hoti.

    Instituti për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë po bëhet gati të mbledhë sa më shumë dëshmi. “Të gjithë ata akterë, individ, institucione që deri më tash kanë arritur të grumbullojnë materialet që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës, duhet të dorëzojnë nga një kopje edhe në institut, të cilat pastaj do të plotësohen nga ana e institutit”, tha Atdhe Hetemi.

    Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, deri tani vetëm 45 persona janë dënuar për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovës. /rtklive

  • Temperatura deri në 25 gradë sot në Kosovë

    Temperatura deri në 25 gradë sot në Kosovë

    ër të dielën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 9-25 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 5 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 23 deri në 25°C.

  • Raporti i DASh-it shihet me shqetësim nga njohësit e çështjeve juridike – Kambanë e alarm për institucionet

    Raporti i DASh-it shihet me shqetësim nga njohësit e çështjeve juridike – Kambanë e alarm për institucionet

    Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) për Kosovën po shihet shqetësues nga njohësit e çështjeve juridike. Sipas tyre, në të njëjtin shpërfaqen ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë, nivelin e korrupsionit, pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të qeverisë, dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, raporton Ekonomia Online.

    Ata thonë se krahas problemeve në sistemin e drejtësisë, politika është ajo e cila po ndikon që organet e drejtësisë të mos jenë të pavarura.

    Avokati Ardian Bajraktari, thotë për Ekonomia Online se niveli i ndërhyrjeve të politikës në gjyqësor është shqetësuese. Sipas tij, raporti duhet të jetë alarm për institucionet kosovare në mënyrë që të mos përsëriten gjetje të njëjta.

    “Raporti i DASh-it është një nga raportet jashtëzakonisht kredibile dhe në bindjen time pasqyron gjendjen reale sa i përket çështjen të cilat trajtohen, me theks të veçantë aspektet të cilat edhe ne vendore në jo pak raste i kemi trajtuar dhe kemi dhënë pikëpamjet tona, me theks të veçantë është le të themi për shqetësim niveli i ndërhyrjeve politike, përmes sulmeve, përmes atakimeve të drejtpërdrejta të eksponentëve politikë duke përmend qoftë edhe emra gjyqtarësh, emra prokurorësh e të cilat natyrisht që duhet sa më parë të ndalen. Vlerësoj që raporti pra është real dhe si i tillë do duhej të merrej me shqetësim dhe në bindjen time është një kambanë është një alarm për të gjithë atyre që iu dedikohet”, thotë Bajraktari.

    Bajraktari ka kërkuar nga eksponentët politikë që sa më parë t’i ndalin sulmet ndaj gjyqësorit. Ndërsa nga këta të fundit, kërkon më shumë efikasitet në punën e tyre.

    “E para institucionet politike, eksponentët politikë, Qeveria dhe të tjerët, duhet sa më parë t’i ndalin këto etiketime, këto sulme në adresë të institucioneve të gjyqësorit, mirëpo edhe këta të fundit natyrisht që duhet ta rrisin efikasitetin me theks të veçantë, Këshilli Gjyqësor dhe KPK-ja duhet të angazhohet jashtëzakonisht shumë në drejtim të forcimit të integritetit të njerëzve brenda për brenda në gjyqësor në drejtim të adresimit të llogaridhënies mirëpo natyrisht edhe në drejtim të rishikimit të politikës ndëshkimore për kategoritë e caktuara të veprave penale të dhunshme përfshirë veprat penale ku viktimat po janë gratë, prandaj ndërmarrja e këtyre veprimeve është imediate është nevojë urgjente me çka natyrisht që do të përmirësohet edhe imazhi i institucioneve të drejtësisë edhe imazhi i vendit tonë në instancë të fundit”, u shpreh Bajraktari.

    Ndërsa avokati tjetër, Yll Zekaj, thotë se raporti i këtij viti është i njëjtë me atë të vitit të kaluar, ku theksohen ndërhyrjet në pavarësinë e sistemit gjyqësor. Këto gjetje, Zekaj i sheh me shqetësim të madh për faktin se nuk ka ndryshuar gjendja nga viti i kaluar.

    Zekaj përmend disa nga gjetjet të cilat i konsideron si më shqetësuese.

    “Edhe raporti i këtij viti të Departamentit Amerikan të Shtetit nuk është që ka ndryshuar shumë nga raporti i vitit të kaluar. Identifikon shumë probleme serioze, sidomos në shkeljen e të drejtave të njeriut, në punën e gjyqësorit, në interferimin e Qeverisë në paanshmërinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, ndaj korrupsionit, dhunën në familje, dhunën në baza gjinore. Këto pak a shumë janë pikat të cilat në aspektin e shkeljes së ligjit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut i identifikon raportet e Departamentit të Shtetit i cili nuk konstaton që ka pasur progres nga ajo e vitit të kaluar”, thotë Zekaj.

    Ndërhyrjet që më së shumti përmenden në raport sipas Zekës janë në momentin kur zyrtarët qeveritar ndiqen nga sistemi i drejtësisë.

    “Prapë ky raport e qet në pah atë që e kemi parë edhe vitin e kaluar edhe në sistemin gjyqësor edhe në aspektin me qeverinë që kemi pasur vazhdimisht interferencë të Qeverisë në sistemin gjyqësor përmes kritikave sidomos në rastet kur sistemi gjyqësor ka pas të bëjë me zyrtarë politik apo me zyrtarë qeveritar, qoftë në fazën e hetimeve apo në fazën e gjykimit të tyre gjithmonë kemi pasur polemika nga ana e gjyqësorit nga ana e qeverisë në drejtim të gjyqësorit dhe kjo kemi thënë dhe atëherë është konfirmuar edhe nga ky raport që është drejtpërdrejt shkelje e pavarësisë së sistemit gjyqësor”, u shpreh Zeka.
    Këto gjetje, Zeka kërkon nga institucionet që ta marrin me seriozitet dhe të reflektojnë. Ai thotë se këto raporte pasqyrojnë realitetin në të cilën gjendet shteti ynë.

    “Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit sikurse edhe raporti i progresit apo raporti për Kosovën i BE-së janë skanim i gjendjes në të cilën gjendet shteti ynë në të gjitha sferat, qoftë në cenim të drejtave të njeriut, cenimin e të drejtave individuale. Qeveria e Republikës së Kosovës po edhe të gjitha institucionet tjera në të cilat ka gjete që nuk ka përparim apo nuk ka progres duhet ta marrin si raport real dhe të reflektojnë mbi bazën e këtyre gjetjeve duhet të japin impute më shumë duhet të tentojnë që ta rrisin efikasitetin në drejtim të përmirësimit të gjetjeve për vitin e ardhshëm dhe jo të marrin vetëm pjesët pozitive si të shkëputura nga raporti për interesa personale apo interesa të një institucioni të caktuar duke mos e parë raportin si tërësi”, u shpreh Zekaj.

  • Osmani uron Sierra Leonen në Ditën e Pavarësisë

    Osmani uron Sierra Leonen në Ditën e Pavarësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Pavarësisë ka uruar shtetin e Sierra Leones.

    Përmes një postimi në rrjetin social, X, Osmani shprehu urimet për shtetin e Sierra Leones si dhe për presidentin Julius Maada Bio.

    “Në Ditën e Pavarësisë së Sierra Leones, ne i shprehim urimet tona më të mira Presidentit Julius Maada Bio dhe popullit të Sierra Leones. E ardhmja të mbajë prosperitet, paqe dhe sukses të vazhdueshëm për kombin tuaj të gjallë”, ka shkruar Osmani në “X”.

  • I dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile që u arrestua sot është nga komuniteti boshnjak

    I dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile që u arrestua sot është nga komuniteti boshnjak

    Prokuroria Speciale, dhe Policia e Kosovës, njoftojnë opinionin publik se, sot, në pikën kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë, konkretisht në Bërnjak, është ndaluar një person me inicialet J.Š., i dyshuar se gjatë viteve 1998 – 1999, në Komunën e Gjakovës, ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

    Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i njëjti është ndaluar për 48 orë, dhe brenda afateve kohore ligjore ndaj të njëjtit kjo prokurori do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

    ATV mëson se i arrestuari është Jusuf Šujak, i nacionalitetit boshnjak.

  • Të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë në Prishtinë ende në arrati

    Të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë në Prishtinë ende në arrati

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Plumbat që u shkrepën mbrëmjen e 26 marsit, kishin qëlluar 48 vjeçaren e cila po qëndronte brenda veturës në këtë rrugicë të lagjes Kolovicë.

    Si pasojë e plagëve, viktima vdiq një ditë më vonë në Qendrën Klinike Universitare, derisa të dyshuarit edhe për vrasjen e një 30 vjeçari tjetër po atë ditë, vazhdojnë të jenë në arrati, edhe 1 muaj pas ngjarjes.

    “Po punohet intensivisht për kapjen e tyre, dhe sigurimin e ekzistencës së tyre në seancat gjyqësore”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

    Për kapjen e tyre, sipas institutit të Kosovës për drejtësi, institucionet e drejtësisë duhet të bashkëpunojnë me organizata ndërkombëtare.

    “Institucionet duhej të ishin më efikase në zbardhjen e rasteve. Por, duhet marrë parasyshë që të dyshuarit kur janë në arrati kanë mundësi të largohen larg shtetit. Kështu duhet më shumë kohë për shkak të procedurave sic është kërkimi përmes interpolt”, tha Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Sidoqoftë, pasojat e moskapjes së të dyshuarve, sipas njohësve të drejtësisë, janë disa.

    Pikërisht në mesditën e 26 marsit, kishte ndodhur një tentim vrasje në qendër të Prishtinës. Njëri nga dy të dyshuarit u dorëzua në polici tek të mërkurën e 24 prillit. Viktimë e këtij rasti, ishte njëri nga personat e dyshuar për vrasjen e dyfishtë.

  • QKUK-ja siguron skanerin për kancere, mirëpo s’do të përdoret menjëherë

    QKUK-ja siguron skanerin për kancere, mirëpo s’do të përdoret menjëherë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Për herë të parë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka siguruar pajisjen për diagnostikim dhe menaxhim të llojeve të ndryshme të kancerit, por edhe të disa sëmundjeve të tjera, të njohur si PET/CT.

    Në ceremoninë e pranimit të kësaj pajisje e cila është donacion nga Arabia Saudite, Presidentja Vjosa Osmani, tha se Kosovë bëhet një nga shtetet e vetme në rajon, që posedon këtë pajisje në sektorin publik.

    “Sot vërtet është një dite veçantë dhe ditë e suksesshme dhe e jashtëzakonshme për sektorin e shëndetësisë në vendin tonë. Kjo ditë dhe kjo ngjarje në zemër të Prishtinës jo vetëm që shënon një moment kulminant për shërbimin mjekësor që do t’i ofrohet qytetarëve tanë por është edhe një mundësi e rëndësishme që të festojmë partneritet tona që kapërcejnë kufijtë dhe që dëshmojnë ndikimin jashtëzakonisht të rëndësishëm të solidaritetit ndërnjerëzor. Deri më tani qytetarët tanë u është dashur të udhëtojnë në rajon e përtej duke i nënshtruar sfidave të shumta edhe shëndetësore edhe financiare, andaj kjo pajisje e re simbolizon një pik kthesë ku njerëzit tanë mund të marrin kujdesin që nevojitet pikërisht këtu në shtëpi të rrethuar nga familja dhe më të dashurit e tyre”, tha Osmani.

    Me pranimin e kësaj pajisje, sipas Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, tani qytetarët nuk do të kenë brengë që të udhëtojnë jashtë Kosove, për të marrë shërbime, të cilat i ofron aparati i njohur si PET/CT.

    “Si ministër i Shëndetësisë nuk ka asgjë me të rëndësishme për mua se sa të sigurojmë gjithë bashkë shërbime të reja cilësore dhe të barabarta për qytetarët e Kosovës, duke ju falënderuar ndihmës së Mbretërisë së Arabisë Saudite. ky donacion do te jetë mundësi dhe shpresë për qytetarët tanë. Janë mbi 300 qytetarë të Republikës Kosovës që brenda vitit kanë shkuar duke kërkuar jashtë vendit për këtë lloj diagnostikimi”, tha Vitia.

    Mirëpo, pavarësisht asaj çka tha ministri Vitia, kjo aparaturë nuk mund të përdoret edhe për një kohë, pasi objekti ku është vendosur aparatura, duhet të marrë leje të veçantë, stafi duhet të trajnohet dhe materiali shpenzues duhet të sigurohet.

    Ndërkaq, kjo pajisje, në vlerë prej 1.5 milion eurosh, është siguruar si donacion, përmes angazhimit të Fondacionit Jahjaga.

    “Ofrimi i këtij shërbimi do të reduktojë edhe ngarkesën financiare të sistemit tonë të shëndetësisë, duke mundësuar që fondet e kursyera të ndahen në fushat e tjera të shëndetit”, tha ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

    “Së bashku me miken time ish presidenten Jahjaga dhe qeverinë e Kosovës që tregon dedikim dhe përkushtim për të qëndruar së bashku për të qëndruar dhe shërbyer njerëzve të Kosovës”, tha mia Bint Majed Saud Alsaud, sekretare e përgjithshme e Alwaleed Philanthropies.

    Aparatura ka arritur në QKUK qysh më 14 shkurt, por nuk është funksionalizuar ende.

    Në anën tjetër, Drejtori i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, ka thënë se numri i të prekurve nga kanceri është në rritje.

    “Për tre muajt e parë që ne flasim kemi identifiku ose regjistru në klinikën e Onkologjisë rreth 515 vetë me kancer ose tumore te të rriturit që në krahasim me vitin e kaluar është diku 10 përqind më shumë do të thotë nëse ky trend vazhdon ne do të kalojmë edhe vitin 2023 i cili ka qenë viti me më së shumti raste të regjistruara të tumoreve, ka kapur shifrën e 2 100 pacientëve dhe këtë vit ky numër mund të kemi ndoshta numër edhe më të lartë”, tha Kurtishi.

    Në fund të vitit të shkuar, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë rreth 600 mijë euro për rinovimin e objektit të Onkologjisë në të cilin marrin trajtim pacientët me kancer.

  • Plani i rritjes, qeveria dorëzoi agjendën e reformave, por hesht për projektet

    Plani i rritjes, qeveria dorëzoi agjendën e reformave, por hesht për projektet

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Qeveria vijon të mos jap detaje për listën dhe numrin e projekteve për të cilat synon të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian në vlerë të përgjithshme 6 miliardë euro, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Gjashtë muaj prej kur presidentja e Komisionit Evropian, prezantoi, në Prishtinë, planin që ka qëllim përshpejtimin e zhvillimit e rajonit dhe përafrimin me tregun e BE-së, Qeveria ka dërguar në Bruksel vetëm draft-agjendën finale të reformave.

    “Projektet investive janë ende duke u diskutuar në nivel ndërinstitucional dhe në fazën e dytë është ajo çfarë do të prezantohet tek BE-ja, pra lista indikative e projekteve të cilat do të jenë të lidhura me pesë fushat prioritare të Planit të Rritjes”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zv-kryeministrit Besnik Bislimi.

    Ndryshe nga Kosova, në takimin ministror në Podgoricë, që përkoi me afatin e fundit dorëzimin e agjendës së reformave, qeveria malazeze njoftoi se ka një listë prej 44 projektesh infrastrukturore, për të cilat do të kërkojë mjete financiare.

    Për dallim nga instrumentet tjera të BE-së, Plani i Rritjes nuk parasheh ndarje të barabartë të mjeteve financiare, por bazohet në shpejtësi dhe reforma.

    Referuar shpejtësisë së veprimit të shteteve fqinj, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu tha se Kosova është në situatë më të pavolitshme, si pasojë e neglizhencës, masave ndëshkuese, jo-stabilitetit politik dhe dialogut me Serbinë.

    “Në qoftë se vërtetë nuk do të jemi të gatshëm për normalizim të raporteve me Serbinë, edhe Serbia dhe Kosova në njëfarë forme do të jenë të penalizuara. Por, humbjen më të madhe do të përjetojë Kosova, qoftë në sapektin ekonomik, qoftë në atë politik apo social, mbi të gjitha në atë integrues. Prandaj, besoj që është koha kur duhet të depolitizohet realiteti kosovar, duhet të jetë ekonomia prioritet, sepse me këtë mbështetje eventuale hapet një perspektivë e re”, tha Gërxhaliu.

    Ditë më parë Parlamenti Evropian miratoi këtë plan, ndërsa javë më parë BE-ja i konfirmoi ATV-së se pagesat e para pritet të bëhen në verë.

    Draft-agjenda ka pesë shtylla kryesore ku përfshihen më shumë se 100 aktivitete të cilat duhet të përmbushen ose zbatohen, në më shumë se 30 fusha të ndryshme, deri në vitin 2027.

  • Familjarët e të pagjeturëve, kërkojnë më shumë punë nga institucionet

    Familjarët e të pagjeturëve, kërkojnë më shumë punë nga institucionet

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Janë bërë 25 vjet, prej se Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, jeton me shpresën se një ditë do t’i gjinden eshtrat e djalit të tij dhe mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës.

    Dhimbja u bë edhe më thellë, kur Çerkini, kujtoi se pas marrëveshjes së 2 Majit në Bruksel, ende nuk është bërë asnjë hap për gërmime në Serbi.

    Sipas tij, të zhdukurit do duhej të ishin kryefjala e të gjitha institucioneve.

    ”Pas 25 viteve nuk po gjendet gjuhë e përbashkët edhe pse është nënshkruar marrëveshje të na zbutet pak dhimbja…”, tha Çerkini.

    Në ditën kombëtare për të zhdukurit gjatë luftës, edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit, u rikujtuan detyrimet që ka shteti për ta.

    “Prandaj avokati i popullit i bën thirrje institucioneve vendore dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar, pa kompromis të ushtroj presion për të detyruar autoritet përgjegjëse të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe të dhënat që qojnë tek zbardhja e fatit të personave të zhdukur”, tha Naim Qelaj, avokat i Popullit.

    “13 535 persona të vrarë apo zhdukur, mbi 10 000 prej tyre civilë, 1133 prej tyre fëmijë të vrarë apo të zhdukur. Mbi 1600 persona të zhdukur. Deri në vitin 2021, në varrezat masive në Serbi, janë gjithsej 950 trupa të personave që janë zhdukur në Kosovë”, tha Labinot Sheremeti, këshilltar juridik.

    Ndërsa, Andin Hoti kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur ka treguar për punën dhe angazhimin që janë duke bërë.

    “Mendoj që Kosovës jo vetëm tash por edhe në të kaluarën i nevojitet një dokumentim, një hartim i asaj çka ka ndodh…”, tha Hoti.

    Gjatë vitit 2023 janë gërmuar 15 lokacione në Kosovë, kurse në Serbi, vetëm në Shtavall.