ATV

Author: ATVLive

  • ​Nadal dëshiron që ai të mund të luajë aq gjatë sa djali i tij ta kujtojë atë në fushë

    ​Nadal dëshiron që ai të mund të luajë aq gjatë sa djali i tij ta kujtojë atë në fushë

    Rafael Nadal (37 vjeçar) tha se do të dëshironte të vazhdonte të luante aq gjatë sa që djali i tij ta kujtonte atë në fushë, megjithëse 22 herë kampioni i Grand Slam pranon se koha nuk është në anën e tij.

    Spanjolli, i cili ka thënë se pret të pensionohet pas sezonit 2024, u rikthye në garë në Brisbane në janar pas pothuajse një viti jashtë fushave për shkak të një lëndimi, raporton KosovaPress.

    Ai më pas mungoi sërish për një kohë për shkak të një problemi në kofshë dhe ndërsa u kthye në Barcelonë javën e kaluar, ai thotë se është larg të qenit në formë të lartë dhe nuk e di nëse do të luajë në French Open të muajit të ardhshëm.

    Nadal mundi Darwin Blanch 6-1 6-0 në raundin e parë të Madrid Open të enjten, me gruan dhe djalin e tij njëvjeçar Rafael Jr. që ishin të pranishëm duke e shikuar atë.

    “Epo, do të doja të luaja pak më gjatë dhe t’i kujtoja atij veten duke luajtur tenis,” tha Nadal për faktin që djali i tij ta shikojë atë duke luajtur.

    “Kjo do të jetë gjëja ideale për mua dhe për gruan dhe familjen time. Ndoshta nuk do të mund ta bëj këtë. Por të paktën jam i lumtur që kam një ekip të shkëlqyer, familje dhe miq rreth meje gjatë gjithë jetës sime që më ndihmuan në çdo mënyrë për të qenë i lumtur”, tha më tej Nadal.

    Nadal, një kampion i pesëfishtë në Madrid, do të përballet të shtunën me tenistin australian Alex de Minaur.

  • ​Kurti kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    ​Kurti kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Në ditën e dytë të qëndrimit në kryeqytetin e Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdoi takimet me përfaqësues politikë dhe deputetë të Bundestagut nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SPD), Bashkimit Demokristian (CDU), Partisë së Gjelbër dhe Partisë së Lirë Demokratike (FDP).

    Takimet i filloi me Rolf Mützenich, deputetin dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të SPD-së, të cilin kryeministri e falënderoi për ftesën që të merr pjesë në ngjarjen e organizuar mbrëmë nga SPD në shënim të 75-vjetorit të Këshillit të Evropës.

    Ndërkaq në një drekë pune takoi deputetët Michael Roth (SPD), Andreas Schwarz (SPD), Knut Abraham, (CDU), Michael Brand (CDU), Jürgen Hardt (CDU), Volkmar Klein (CDU), Volker Ulrich (CDU), Philip Krämer (Grüne), Max Lucks (Grüne), Boris Mijatovic (Grüne), Ulrich Lechte (FDP) dhe Thomas Hacker (FDP).

    Tema kryesore e bashkëbisedimeve ishte aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rruga drejt anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.

    Kryeministri Kurti u bëri thirrje deputetëve gjermanë dhe qeverisë gjermane që të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën për anëtarësim në votimin final më 16 maj dhe regjistrit të kornizës ligjore, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë.

    Ndryshe, shumica e deputetëve kanë mbështetur më 16 prill anëtarësimin e Kosovës në debatin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me raportin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

    Serbia kishte propozuar disa ndryshime në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë. Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës.

    Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Delegacioni serb po ashtu ka kërkuar që nga teksti të hiqen të gjitha pikat në të cilat vlerësohet përparimi i Kosovës në respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe në vend të kësaj, Kosova të kritikohet për shkelje të të drejtave. Të gjitha amendamentet e Serbisë janë hedhur poshtë.

  • ​Legjenda e Brazilit njofton se do të pensionohet nga kombëtarja

    ​Legjenda e Brazilit njofton se do të pensionohet nga kombëtarja

    Golashënuesja më e mirë e të gjitha kohërave të Brazilit, si në futbollin e meshkujve ashtu edhe në të femrave, Marta, do të tërhiqet nga futbolli me kombëtare këtë vit, tha të enjten vetë sulmuesja 38-vjeçare.

    Marta, e cila luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Orlando Pride që nga viti 2017, shpreson të bëjë paraqitjen e saj të gjashtë në Lojërat Olimpike në Olimpiadën e këtij viti në Paris, raporton KosovaPress.

    “Nëse shkoj në Olimpiadë, do të shijoj çdo moment, sepse, pavarësisht nëse shkoj në Olimpiadë apo jo, ky është viti im i fundit me ekipin kombëtar”, tha Marta në një intervistë për “CNN” të enjten.

    ”Nuk do të ketë më Marta nga viti 2025 në kombëtare si sportiste. Jam shumë e qetë për këtë, sepse e shoh me shumë optimizëm këtë zhvillim që po kemi në raport me sportistët e rinj”, tha më tej Marta.

    Marta, e njohur me dashuri si “Mbretëresha Marta”, është golashënuesja më e mirë e të gjitha kohërave për Brazilin me 116 gola në 175 ndeshje.

    E cilësuar si një nga futbollistet më të mira të gjitha kohërave, ajo është edhe golashënuesja më e mirë në Botërorin e Femrave me 17 gola. Ndërsa ajo nuk e ka fituar Kupën e Botës, ajo ishte një finaliste humbëse në vitin 2007 kur Brazili humbi 2:0 ndaj Gjermanisë në Shangai, Kinë.

    Ajo ka fituar tre tituj të Copa America Femenina dhe ishte pjesë e ekipit të Brazilit që fitoi medalje argjendi në Lojërat Olimpike 2004 dhe 2008.

    Marta e filloi karrierën e saj në klub me Vasco da Gama, ndërsa luajti në skuadrat suedeze Umea IK, Tyreso FF dhe Rosengard. Në SHBA, ajo ka luajtur gjithashtu për Los Angeles Sol, Western New York Flash dhe Gold Pride.

  • Gjendet i vdekur një burrë në Parkun e Taukbashqes në Prishtinë

    Gjendet i vdekur një burrë në Parkun e Taukbashqes në Prishtinë

    Ekipi i mjekëve emergjent kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konfirmuar se viktima, mashkull është pa shenja jete, ka bërë me dije për tëvë1.info, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.

    “Sot rreth orës 12:45, policia ka pranuar informatën për një person të shtrirë në tokë në parkun e Taukbashqes në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia dhe ekipi i mjekëve emergjent kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konfirmuar se viktima, mashkull është pa shenja jete. Aktualisht policia me kujdes të shtuar po trajton të gjitha rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë ai.

  • ​BE ndan rreth 14 milionë euro për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

    ​BE ndan rreth 14 milionë euro për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

    Në një hap të rëndësishëm drejt objektivave të pranimit në BE, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nisën sot në Korçë Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA 3.

    Financuar nga BE me një buxhet prej 13.79 milionë eurosh, kjo nismë nënvizon angazhimin e të dy vendeve për t’u përshtatur me standardet e BE-së për zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin rajonal deri 2027.

    Përveç lansimit të Programit, u njoftua një thirrje e ardhshme për propozime në kuadër të programit IPA 3, duke ftuar palët e interesuara të marrin pjesë në këtë nismë transformuese.

    “Kjo nismë jo vetëm që synon fusha kyçe si qëndrueshmëria mjedisore dhe zhvillimi socio-ekonomik, por shërben gjithashtu si një hap vendimtar drejt qëllimit tonë përfundimtar të integrimit në BE. Thirrja e re për propozime do të hapet shumë shpejt, duke ofruar mundësi të re për projekte me ndikim,” tha Altin Zeqo, drejtor i Konvergjencës dhe Kohezionit me BE-në, SASPAC.

    Ndërsa Vullnet Arifi, shef i Departamentit për Koordinatorin e BE-së dhe CBC-së, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Maqedoni e Veriut, theksoi ndikimin e programit në përshpejtimin e aspiratave të anëtarësimit në BE.

    “Duke u mbështetur në themelet e hedhura nga IPA 2, ky program harmonizon politikat tona rajonale me standardet e BE-së, duke hapur rrugën për aderimin e parashikuar. Thirrja e ardhshme për propozime do t’i jep më shumë energji komuniteteve tona për t’u angazhuar thellë me procesin tonë të integrimit në BE,” tha Arifi.

    Briseida Gjoza nga Zyra e Antenës Maqedoni-Shqipëri theksoi qasjen gjithëpërfshirëse të programit.

    “IPA 3 është projektuar me përpikëri për të rritur aftësitë tona rajonale për të përmbushur kriteret e BE-së, duke u fokusuar në elasticitetin e klimës, turizmin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ne inkurajojmë palët e interesuara të përgatiten për thirrjen e ardhshme, e cila premton të forcojë përpjekjet tona bashkëpunuese,” tha Gjoza.

    Ndryshe, ky investim strategjik i BE-së përmes programit IPA 3 është dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE, duke shënuar një mesazh të drejtpërdrejtë për udhëtimin e tyre drejt integrimit evropian.

  • ​Klopp ka një mesazh për trajnerin e ri të Liverpoolit

    ​Klopp ka një mesazh për trajnerin e ri të Liverpoolit

    Siç bëhet e ditur nga shumë media të besueshme angleze, Arne Slot do të jetë zëvendësuesi i Jurgen Klopp te Liverpooli.

    Liverpooli dhe Feyenoordi janë në bisedime të avancuara për Slot, ku ka mbetur vetëm të arrihet marrëveshje në aspektin financiar mes dy klubeve, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, Slot e pranoi mbrëmë se e dëshiron me çdo kusht punën e trajnerit te Liverpooli.

    Tani, Jurgen Klopp ka folur për këtë situatë ku edhe kishte një mesazh për Slot.

    “Nuk jam i përfshirë në aspektin e klubit. Me të vërtetë do të doja nëse Arne është ai që dëshiron ta marr përsipër këtë punë. Më pëlqen stili i tij i lojës, e gjitha që kam dëgjuar për të është se është një trajner i mirë. Do t’i thosha atij se kjo është puna më e mirë në botë. Klubi më i mirë në botë me njerëzit më të mirë”, tha Klopp.

  • ​UNICEF raporton rritje të numrit të fëmijëve të vrarë në Ukrainë

    ​UNICEF raporton rritje të numrit të fëmijëve të vrarë në Ukrainë

    Sipas Fondit Ndërkombëtar të Emergjencave të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), numri i konfirmuar i fëmijëve të vrarë në sulme në të gjithë Ukrainën është rritur me pothuajse 40% këtë vit krahasuar me vitin e kaluar.

    Kështu thuhet në një komunikatë për shtyp të publikuar në faqen e UNICEF-it, përcjell Ukrinform.

    Sipas të dhënave të verifikuara nga OKB, sulmet midis 1 janarit dhe 31 marsit 2024 rezultuan në vdekjen e 25 fëmijëve. Më i vogli ishte vetëm dy muajsh. Nëntë fëmijë thuhet se u vranë në sulme gjatë tre javëve të para të prillit.

    Qe nga përshkallëzimi i luftës në vitin 2022, të paktën 600 fëmijë janë vrarë në sulme, sipas të dhënave zyrtare të OKB-së. Më shumë se 1350 fëmijë janë lënduar. Numri i saktë i fëmijëve të vrarë dhe të plagosur ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

    Përveç kësaj, infrastruktura në të cilën mbështeten fëmijët gjithashtu vazhdon të sulmohet. Mijëra shtëpi, 36 objekte shëndetësore dhe 140 objekte arsimore u dëmtuan ose u shkatërruan në tre muajt e parë të vitit. Sulmet që prekin furnizimin me energji elektrike dhe burimet e ujit kanë ndërprerë më tej shërbimet kritike, duke vënë në rrezik jetën dhe mirëqenien e fëmijëve, tha UNICEF.

    “Dy vjet luftë të paraprirë nga dy vjet të COVID-19 ka bërë që qasja e fëmijëve në shkollë të jetë ndërprerë për më shumë se katër vjet – vite të barasvlefshme me arsimin fillor. Pothuajse gjysma e fëmijëve të regjistruar në shkollë në Ukrainë po humbasin shkollimin personal, me pothuajse një milion fëmijë në të gjithë vendin që nuk mund të kenë qasje fare në ndonjë mësim personal për shkak të pasigurisë”, thuhet në dokument.

    Sipas njoftimit për shtyp, UNICEF-i po punon në të gjithë Ukrainën për të ruajtur mundësitë e të mësuarit për fëmijët përmes rehabilitimit të shkollave dhe strehimoreve, sigurimit të seteve të mësimit në shtëpi dhe mbështetjes së të mësuarit në internet. UNICEF po ofron gjithashtu mbështetje për shëndetin mendor dhe psikosocial.

    Së bashku me partnerët, UNICEF-i po rindërton infrastrukturën kritike të ujit dhe shëndetësisë të shkatërruar ose dëmtuar nga sulmet.

    Theksohet se aktualisht, UNICEF-i kërkon 250 milionë dollarë shtesë për të siguruar mbështetje kritike për fëmijët dhe familjet brenda Ukrainës, duke përfshirë zonat e vijës së parë, për programet humanitare dhe të rimëkëmbjes në vitin 2024.

    Fondi Ndërkombëtar i Emergjencave të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët u dorëzoi rreth 39 mijë laptopë nxënësve në tetë rajone të Ukrainës në prill 2024.

  • Gjendet i vdekur një 56 vjeçar në banesën e tij në Fushë Kosovë

    Gjendet i vdekur një 56 vjeçar në banesën e tij në Fushë Kosovë

    Është gjetur i vdekur një 56 vjeçar në banesën e tij, në rrugën Dardania në FushKosovë.

    Rastin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

    Borovci tha se mjekët emergjent e kanë konfirmuar se viktima 56 vjeçar ishte pa shenja jete në banesën e tij.

    Ndërkohë që policia po e trajton të gjitha rrethanat e ngjarjes.

    “Sot rreth orës 10:30, policia ka pranuar informatën për një person pa shenja jete në banesën e tij rrugën “Dardania” në Fushë Koaovë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka ftuar edhe mjekët emergjent, me ç’rast është konfirmuar se viktima, mashkull 56 vjeç është pa shenja jete. Aktualisht policia me kujdes të shtuar po trajton të gjitha rrethanat që karakterizojnë ngjarjen“.

  • Blinken: Rusia pa ndihmën e Kinës nuk do arrinte të vazhdonte pushtimin e saj në Ukrainë

    Blinken: Rusia pa ndihmën e Kinës nuk do arrinte të vazhdonte pushtimin e saj në Ukrainë

    Rusia do të kishte vështirësi për të vazhduar pushtimin e saj në Ukrainë pa ndihmën e Kinës, ka thënë të premten sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.

    Blinken duke folur në Pekin pas bisedimeve me kryediplomatin kinez, Ëang Yi – tha se ai kishte “përsëritur” shqetësimet serioze në lidhje me sigurimin e komponentëve të Kinës që “po fuqizojnë luftën brutale të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

    “Kina është furnizuesi kryesor i veglave të makinerisë, mikroelektronikës dhe nitrocelulozës, e cila është thelbësore për prodhimin e municioneve dhe shtytësve raketash dhe artikujve të tjerë me përdorim të dyfishtë që Moska po përdor për të rritur bazën e saj industriale të mbrojtjes,” tha ai gjatë një konference shtypi.

    Ajo bazë industriale “po prodhon raketa, dronë, tanke dhe armë të tjera që presidenti Putin po përdor për të pushtuar një vend sovran”, shtoi ai, shkruan Skynews.

    Këto armë po përdoren për të “shkatërruar një rrjet elektrik dhe infrastrukturë tjetër civile dhe për të vrarë fëmijë, gra dhe burra të pafajshëm”, tha Blinken.

    “Rusia do të kishte vështirësi për të vazhduar sulmin e saj ndaj Ukrainës pa mbështetjen e Kinës”.

    “Në takimet e mia me aleatët e NATO-s në fillim të këtij muaji dhe me partnerët tanë G7 vetëm javën e kaluar, dëgjova të njëjtin mesazh: nxitja e bazës industriale të mbrojtjes ruse jo vetëm që kërcënon sigurinë e Ukrainës, por kërcënon sigurinë evropiane”.

    “Pekini nuk mund të arrijë marrëdhënie më të mira me Evropën duke mbështetur kërcënimin më të madh për sigurinë evropiane që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.

    “Siç i kemi thënë Kinës prej disa kohësh, garantimi i sigurisë transatlantike është një interes thelbësor i SHBA-së”.

    “Në diskutimet tona sot, e bëra të qartë se nëse Kina nuk e trajton këtë problem, ne do ta trajtojmë”, përfundoi kryediplomati amerikan Antony Blinken.

  • ​Prishtina-Llapi, ndryshon stadiumi i ndeshjes

    ​Prishtina-Llapi, ndryshon stadiumi i ndeshjes

    Skuadra e Prishtinës dhe ajo e Llapit përmes komunikatave zyrtare kanë njoftuar se ka ndryshuar lokacioni se ku do të zhvillohet ndeshja e së dielës.

    Prishtina dhe Llapi do të përballen këtë të diele në kuadër të Superligës së Kosovës, me ndeshjen që ishte paraparë të zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, tani është bërë e ditur se ndeshja mes kryeqytetasve dhe llapjanëve do të zhvillohet këtë të diele me fillim nga ora 15:00 në stadiumin e Ramiz Sadikut në Prishtinë.