ATV

Author: ATVLive

  • Franca dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për “tanket e së ardhmes”

    Franca dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për “tanket e së ardhmes”

    Franca dhe Gjermania arritën pajtim për të prodhuar së bashku gjeneratën e re të tankeve luftuese, të pajisura me inteligjencë artificiale dhe teknologji të laserit, tanke që besohet se do të ndryshojnë luftimet.

    Gjatë ceremonisë në Paris më 26 prill, ministrat e Mbrojtjes të Francës dhe Gjermanisë, Sebastien Lecornu dhe Boris Pistorius, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, që parasheh ndarje 50-50 në prodhimin e tankeve të avancuara luftarake që quhen Sistemi Kryesor i Luftimeve Tokësore (MGCS).

    Shtyrja përpara e këtij projekti ndodh në kohën kur Berlini dhe Parisi duan që të tregojnë unitet pas një sërë mosmarrëveshjes lidhur me mënyrën se si të mbështetet Ukraina në luftën e saj kundër Rusisë.

    Më 2017, Gjermania dhe Franca ishin pajtuar që të zhvillonin gjeneratën e re të tankeve luftuese si pasardhës të tankeve franceze, Leclerc, dhe atyre gjermane, Leopard, duke nisur nga viti 2040.

    Por, planet për tanke u përballen me vonesa dhe me rivalitet mes kompanive franceze dhe gjermane, përderisa Berlini dhe Parisi kishin edhe prioritete të ndryshme.

    Në mars, dy ministrat njoftuan në Berlin se ata kanë arritur të zhbllokojnë projektin që kishte ngecur, duke u pajtuar që të ndanin punën mes dy shteteve.

    “Nënshkrimi i sotëm është një arritje e madhe”, tha Pistorius për gazetarët.

    “Kjo nuk ka të bëjë me tanket e së ardhmes, por për të ardhmen e tankeve”, shtoi Lecornu.

    Ky sistem tankesh do të ketë teknologjinë e fundit dhe mund të nxisë një epokë të re të luftimeve tokësore.

    Tanket MGCS nuk janë vetëm autoblinda, por një sistem makinash që mund të manovrohen edhe me telekomandë. Po ashtu, tanket do të pajisen edhe me dronë, por do të përdorin edhe inteligjencën artificiale dhe teknologjinë e laserëve.

    Me shtetet e tjera që dëshirojnë të kenë teknologji të tillë dhe t’i bashkohen një projekti të tillë, Pistorius tha se projekti do të jetë i hapur për partnerët, por që shtetet tjera duhet të arrijnë marrëveshje kontraktuese me prodhuesit francezë dhe gjermanë. /REL

  • Dëshmitarët rrëfejnë për maltretimet që thonë se u shkaktoi Ekrem Bajroviq

    Dëshmitarët rrëfejnë për maltretimet që thonë se u shkaktoi Ekrem Bajroviq

    Përgatiti: Nora Luta

    Vetëm pas përfundimit të luftës, Ylber Lipa do të kuptonte për fatin e nënës dhe gjashtë anëtarëve të tjerë të familjes.

    Para trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila po gjykon Ekrem Bajroviqin për krime lufte, sipas Lipës në mesin e tyre kishte edhe të mitur qw ishin masakruar e dhunuar seksualisht nga forcat serbe.

    Trupat ishin gjetur të groposur në një pus, e të dokumentuar në foto Lipa ia paraqiti gjykatës.

    Dyshimet rreth përgjegjësisë së vrasjes së familjarëve Lipa thotë se i kanë duke u nisur nga Momir Pantiq, duke mos e përjashtuar të akuzuarin, pasi sipas tij ai zgjodhi të rreshtohet me forcat serbe.

    Ndërkohë për Agron Zogajn, Bajroviq ishte I njohur si person i rrezikshëm.

    52 vjeçari tha se Bajroviqin e njeh që nga viti 1994, por ishte maltertuar fizikisht 4 vjet më vonë në vendin, ku sipas tij kishte parë duke u keqtrajtuar edhe civilë të tjerë.

    Rreth pyetjeve të mbrojtjes se pse e priti vitin 2022 për ta paraqitur në polici dëshminë e tij ndaj Bajroviq, Zogaj pati një përgjigjeje.

    Gjatë kësaj seance ka dëshmuar edhe Ahmet Rexhaj.

    Sipas aktakuzës, Bajroviq, individualisht dhe me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe vranë 16 civilë, e keqtrajtuan qindra të tjerë gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Istogut dhe fshatrave përreth.

  • Shpallen fituesit e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”

    Shpallen fituesit e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”

    Të premten në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj është mbajtur ceremonia përmbyllëse dhe u shpallën rezultatet e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024” që u realizua nga data 22-26.04.2024, me pjesëmarrjen e 51 konkurrenteve, 29 nga ta ishin pjesëmarrës ndërkombëtarë ndërsa 22 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit të FSK-së, pas shumë testimeve dhe sfidave që kaluan gjatë kësaj jave, rezultatet më të larta i arriti OR3 Sead Veseli nga Regjimenti i tretë i Këmbësorisë( R3K) i cili fitoi vendin e parë dhe njëherit u shpall “Ushtari më i mirë 2024” nga FSK-ja, i dyti u radhit OR3 Lavdim Ibishi R3K, ndërsa vendi i tretë i takoi OR2 Endrit Shartolli R1K.

    Tutje thuhet se në radhët e ndërkombëtareve vendin e parë e fitoi nënoficeri nga Jordania, ËO Mohammed Yousef Ahmad, i cili njëherë u shpall “ushtari më i mirë ndërkombëtar 2024”, i përcjellë nga Sergeant Salameh Maddallah Salameh i cili u radhit i dyti po ashtu nga Jordania, ndërsa i vendi i tretë i takoi nënoficerit nga Mali i Zi, OR2 Zoran Marijanoviç.

    Në ceremoninë përmbyllëse të garës së ushtarit më të mirë morën pjesë, zëvendës ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, zëvendës komandanti i KDS-së kolonel Ilir Shyti, Rreshter majorët e FSK-së dhe vendeve partnere, si dhe oficerë e nënoficerë të FSK-së, dhe të partnerëve ndërkombëtarë dhe të regjionit.

    Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti zëvendës ministri i Mbrojtjes Syla i cili falënderoi pjesëmarrësit në garën e ushtarit më të mirë 2024, dhe me këtë rast theksoi “kjo ngjarje është bërë tradite dhe vit pas viti po kulmon me rezultate, dhe jo vetëm që kemi fituar në fushat me të cilat merremi dhe përballemi çdo dite por edhe në shumë aspekte tjera të afrimit, shoqërimit, krijimit të shoqërive për të njohur kulturat traditat dhe për ti materializuar ato në vlera të përbashkëta në misionin e përbashkët që kemi”.

    “Në garën “Ushtari më i mirë 2024” morën pjesë garues nga Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e veriut, Mali i zi, Jordania, Kanada dhe Latvia. Pjesëmarrësit garuan në disiplinat : testi fizik, gjuajtje me armë të gjata dhe të brezit, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi”, thuhet në njoftim.

    “Pjesëmarrja e garuesve nga ushtritë e vendeve partnere dhe të rajonit në këtë garë dëshmon shkallën e lartë të bashkëpunimit me vendet partnere, që FSK e ka krijuar me disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm”.

  • Çerkini: Jemi të stresuar, lufta po përmendet nga ata që mund të ikin nga Kosova

    Çerkini: Jemi të stresuar, lufta po përmendet nga ata që mund të ikin nga Kosova

    Institucioni i Avokatit të Popullit ka mbajtur një tryezë diskutimi me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.

    Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, u bëri thirrje liderëve shtetërorë që të punojnë më shumë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke thënë se dhimbja nuk i lë të flenë.

    Në fjalën e tij, Çerkini tha se edhe pas 25 viteve nuk po gjendet gjuhë e përbashkët edhe pse është nënshkruar marrëveshje të na zbutet pak dhimbja.

    Ai përmendi edhe varresat masive për të cilat tha se nuk po bëhet mjaftueshëm gërmime.

    “Politikanë të nderuar, kthejuni vetes dhe popullit. Rehatojeni popullin me këtë dhimtë me të cilën nuk mund të flejnë sa duhet. Shumë rrall e përmendi djalin, kur më bie ndërmend për ato nëna që ua kanë marrë në prehër fëmijtë. I kam djepat në zyre të zbrazët e nënat gjallë. A ka gjë më të rëndë se kur të thuhet po i shkelmi të drejtat e njeriut me konventa ndërkombëtare… Me qenë analfabeta që s’dijnë me shkru, kanë ditë vëllezërit, baballarët e stërgjyshërit prej vitit 1912 i kam të pagjetur. Kanë ditur të gjejnë gjuhë të përbashkët me zbutë dhimbjen e këtij populli. U përmendën varrezat masive. Deri kur na themi kemi lavru krejt Kosovën? Aty ku unë besoj që janë tetë vetë, me djalin tim, nuk është germuar ende”, tha ai.

    Ndëraq, duke folur për retorikën se po rritet rreziku për luftë të re, Çerkini kritikoi ata që po bëjnë një gjë të tillë.

    Ai tha se lufta po përmendet nga ata që së bashku me fëmijët e tyre mund të largohen nga vendi dhe se në rast lufte, ai nuk do të largohej nga Mirovica.

    “Na e keni futë një stres të ri se po bëhet luftë. Kush po e lypë atë luftë? Ai që mundet me largu fëmijët prej këtu se unë që nuk mundem me ik dhe ata që më kanë mbetur, pasha Zotin, qaty në Mitrovicë kam me vdekë. Mos ma përmend bre vëlla! E vetmja Mitrovicë shqiptare nuk ka memorial. Në Urë të Ibrit në pjesën e veriut 7 metra memoriali për serbët, 50 për qind nuk kanë qenë në luftë fare. Të gjithë politikanët e dijnë këtë punë”, tha ai.

  • Von Cramon: Arsyeja për masat e BE-së ndaj Kosovës nuk ekziston më

    Von Cramon: Arsyeja për masat e BE-së ndaj Kosovës nuk ekziston më

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, nuk sheh më arsye që Bashkimi Europian të vazhdojë t’i mbajë në fuqi masat kufizuese ndaj Kosovës.

    Kosova, siç thotë ajo, tashmë e ka bërë pjesën e saj të detyrave për ta shtensionuar situatën në veri.

    “Arsyeja për masat kufizuese nuk ekziston më. Kosova ka bërë pjesën e saj për të depërshkallëzuar situatën në veri që nga maji 2023. Dhe, për më tepër, masat në fuqi nuk janë proporcionale që nga shtatori i vitit të kaluar nga sulmi në Banjskë. Parlamenti Europian ka kërkuar qartë dhe me shumicë dërrmuese heqjen e masave dhe unë personalisht e mbështes heqjen e masave menjëherë”, ka thënë Von Cramon për Kallxo.

    Ajo ka theksuar se topi tash është “në fushën e BE-së”.“Për sa më përket mua, nuk ka asgjë tjetër për t’u bërë nga pala e Kosovës në këtë drejtim- topi tani është në fushën e BE-së”- është shprehur ajo.

    Von Cramon ka konsideruar se “referendumi” i 21 prillit ishte mundësi e mirë për qytetarët serbë që ta rimarrin kontrollin e qeverisjes lokale, mirëpo ata nuk e shfrytëzuan atë.

    “Proceset në veri të Kosovës që nga prilli i kaluar kanë qenë shumë të dhimbshme dhe të dëmshme për besimin e ndërsjellë ndërmjet qeverisë dhe komunitetit lokal serb. Ky referendum ishte mundësia që serbët të rimarrin kontrollin e qeverisjes lokale, por kjo mundësi fatkeqësisht u humb dhe më vjen shumë keq”, tha ajo.

    Pavarësisht që këtë e thonë edhe autoritetet në Kosovë, BE ka deklaruar se rezultati i procesit të votimit më 21.04.2024, në katër komunat në veri të Kosovës, nuk kontribuon në uljen e tensioneve.

    BE-ja ka theksuar se ai proces nuk ka ndihmuar në hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, “çka është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve”.

    BE ka theksuar se shpreh keqardhje që serbët nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës për t’i zgjedhur kryetarët.

    “BE-ja shpreh keqardhjen që serbët e Kosovës në veri të Kosovës nuk e shfrytëzuan mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues. Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve”,ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Pa dhënë detaje për kohën, Stano ka thënë se Këshilli do të diskutojë për masat ndeshkuese të vendosura ndaj Kosovës.Më 21.04.2024 në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok është organizuar votimi për shkarkimin e kryetarëve.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë- duke e cilësuar të dështuar këtë proces.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë kërkuar menjëherë heqjen e masave që BE-ja ia ka vënë Kosovës vitin e kaluar me preteksin se nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i ulur tensionet në veri.

    Ndërsa, sipas Qeverisë, pavarësisht rezultatit, obligimi që ka pasur Kosova është përmbushur.Heqjen e masave e kanë kërkuar edhe partitë opozitare në vend.BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar, me arsyetimin se nuk kishte bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në maj të vitit 2023. Asokohe, serbët lokalë protestuan para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kundër kryetarëve të rinj, dhe për pasojë situata u përshkallëzua në dhunë.

  • ​Fondacioni Jahjaga siguron skanerin SPECT/CT/PET për QKUK, do të shpëtojë shumë jetë

    ​Fondacioni Jahjaga siguron skanerin SPECT/CT/PET për QKUK, do të shpëtojë shumë jetë

    Pacientët që kanë pasur nevojë për skanimin SPECT/CT/PET, nga tash e tutje nuk do të kenë nevojë të shkojnë për trajtim jashtë vendit.

    Kjo pasi Mjekësia Nukleare në QKUK nga donacioni i Fondacionit të udhëhequr nga ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe fondacioni filantropik Alwaleed Philanthropies kanë pranuar sot pajisjet moderne SPECT/CT/PET.

    Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se kjo teknologji e avancuar nuk është thjeshtë një aparaturë shtesë, por një rilindje për sektorin shëndetësor, duke premtuar shërbime të zgjeruara diagnostikues.

    “Po shënojmë së bashku një moment historik pasi me krenari po urojmë pajisjen mjekësore në klinikën tonë të mjekësisë bërthamore brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Kjo teknologji e avancuar nuk është thjesht një aparaturë shtesë, por është një rilindje për sektorin tonë shëndetësor duke premtuar shërbime të zgjeruar diagnostikuese dhe mundësi trajtimi. Deri më tani qytetarëve tanë u është dashur të udhëtojnë në rajon e përtej duke iu nënshtruar sfidave të shumta edhe shëndetësore edhe financiare, andaj kjo pajisje e re simbolizon një pikë kthesë ku njerëzit tanë mund të marrin kujdesin që nevojitet pikërisht këtu në shtëpi të rrethuar nga familja dhe më të dashurit e tyre”, ka thënë Osmani.

    Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka bërë të ditur se për shkak të mungesës së këtij lloji të aparaturës mbi 300 qytetarë brenda vitit kanë kërkuar trajtim jashtë vendit.

    “Si ministër i Shëndetësisë nuk ka asgjë më të rëndësishme për mua se sa të sigurojmë gjithë bashkë shërbime të reja cilësore dhe të barabarta për qytetarët e Kosovës, duke iu falënderuar ndihmës së mbretërisë së Arabisë Saudite ky donacion të jetë mundësi dhe shpresë për qytetarët tanë. Janë mbi 300 qytetarë të Kosovës brenda vitit kanë shkuar duke kërkuar jashtë vendit për këtë lloj diagnostikimi. Në çdo skanim që do të bëhet me këtë aparaturë moderne e vetmja në rajon në shëndetësinë publike do të sjellë shpresë në detektimin e hershëm dhe trajtimin adekuat duke shpëtuar shumë jetë”, ka thënë Vitia.

    Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka theksuar se do të reduktojë edhe ngarkesën financiare të sistemit shëndetësor, duke përmirësuar standardin e përgjithshëm të shërbimeve mjekësore në Kosovë.

    “Kjo arritje e jashtëzakonshëm është bërë e mundur mes Fonacionit Jahjaga dhe donacion Alwaleed Philanthropies. Sigurimi i kësaj pajisjeje do t’iu mundësojë mjekëve tanë të zbulojnë dhe diagnostikojnë më saktë dhe në faza shumë të hershme. Për më tepër do të reduktojë edhe ngarkesën financiare të sistemit tonë të shëndetësisë, duke përmirësuar më tej standardin e përgjithshëm të shërbimeve mjekësore në Kosovë. Për pacientët do të ofrohen diagnoza më të shpejta, trajtime më të sakta dhe gjasa më të mëdha për shpëtim jetësh. Kontributi juaj në Qendrën e Klinikës Universitare të Kosovës ka siguruar jo vetëm rezultate të prekshme, por edhe ka dëshmuar se në jetë dhe punë ne duhet të udhëhiqemi nga solidariteti”, ka thënë Jahjaga.

    Princesha e Arabisë Saudite, Lamia Bint Majed Saud Alsaud nga Fondacioni Filantropik Alwaleed Philanthropies ka theksuar se prania e tyre në mjekësinë nukleare tregon rolin qendror që Qeveria e Kosovës dhe spitali kanë në prioritetet e tyre për qytetarët.

    “Prania jonë në mjekësinë nukleare thekson rolin qendror që Qeveria e Kosovës dhe spitali ka prioritet mirëqenien e qytetarëve të saj, është qenësore për presidenten së bashku me mikën time, ish-presidenten Jahjaga dhe Qeverinë e Kosovës që tregon dedikimin dhe përkushtim për të qëndruar së bashku dhe shërbyer njerëzve të Kosovës,” ka thënë ajo.

    Tomografia e kompjuterizuar me emetim të vetëm të fotonit (SPECT) dhe tomografia me emetim pozitron (PET) janë teknika imazherike të mjekësisë bërthamore që ofrojnë informacion metabolik dhe funksional ndryshe nga CT dhe MRI. Ato janë kombinuar me CT dhe MRI për të ofruar informacion të detajuar anatomik dhe metabolik.

    Sipas Klinikës amerikane Mayo skanimi me SPECT-PET/CT është një mënyrë efektive për zbulimin e disa sëmundjeve, përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës dhe çrregullimet e trurit. Për kryerjen e procedurës merret një ilaç radioaktiv që tregon aktivitetin metabolik tipik dhe atipik të pacientit.

    Pacientët që kanë pasur nevojë deri më tash i janë drejtuar një institucioni privat, ku pagesa shkon deri në 1.400 euro ose kanë dalë jashtë shtetit. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Kosovës i mbulon këto shpenzime, por pacientët duhet të presin derisa t’i kalojnë të gjitha procedurat për sigurimin e të hollave.

  • ​Mbi 1 mijë e 600 persona mbesin ende në kërkim nga lufta e fundit në Kosovë

    ​Mbi 1 mijë e 600 persona mbesin ende në kërkim nga lufta e fundit në Kosovë

    Institucioni i Avokatit të Popullit ka mbajtur një tryezë diskutimi me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.

    Në fjalën e tij, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se edhe pse kanë kaluar 25 vite nga lufta e fundit në Kosovës, ende mbetet i pazbuluar fati i mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur dhe se sipas tij ky është një fakt shqetësues.

    Ai u bëri thirrje institucioneve vendore dhe komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë presion mbi autoritetet përgjegjëse në mënyrë që të zbardhet fati i personave të zhdukur.

    Qelaj tha se vendosja e fatit të personave të zhdukur në tavolinën e dialogut politikë Kosovë-Serbi është i papranueshëm dhe nëse nuk vendoset si kërkesë e qartë për palët dhe të imponohet si detyrim dhe parakusht i çdo iniciative tjetër duke e vlerësuar si prioritet që nuk lejohet të kalohet.

    “Kur kanë kaluar më shumë se 25 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë ende nuk dihet fati i mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur. Ky është fakt shqetësues dhe pa drejtësi për viktimat. Andaj avokati i popullit bën thirrje institucioneve vendore dhe të gjithë komunitetit që pa kompromis të shtroj presion të detyrojnë autoritetet përgjegjëse të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe të dhënat që të çojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Vendosja ne tavolinën e dialogut politik dhe qëllimi që të arrihet kompromis me fatet e personave të zhdukur është i pa pranueshëm dhe nëse nuk vendoset si kërkesë e qartë për palët dhe të imponohet si detyrim dhe parakusht i çdo iniciative tjetër duke e vlerësuar si prioritet që nuk lejohet të kalohet”, tha Qelaj.

    Ndërkaq, Andin Hoti, Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në këtë tryezë tha se për vitin 2024 janë gërmuar 4 lokacione në territorin e Kosovës, ndërsa në vitin 2000/2001 në varrezat masive në Serbi janë gjetur mbi 900 persona të zhdukur.

    Ai tha se çështja e personave të zhdukur tashmë është ndërkombëtarizuar.

    “Rreth 20 persona apo eshtra të personave që janë të zhdukur ia kanë arrit me i zhvarrosë, kanë arritur me i marrë dhe janë nën procedurat e mëtutjeshme. Shumicën e rezultateve i kemi marr dhe për të tjerat jemi në pritje me ja dërguar familjarëve eshtrat e familjarëve të tyre. Ndërkaq në vitin 2024 deri më tani i kemi gërmuar 4 lokacione me ç’rast i presim edhe 12 lokacione tjera që t’i realizojmë në kuadër të viti 2024. Në numër total janë mbi 2 mijë e 800 lokacione të tjera të gërmuara në Republikën e Kosovës. Kur flasim për territorin e Serbisë është çështje tjetër. U përmend që 950 persona kanë arritur që të gjinden në varrezat masive të Serbisë. 95 për qind nga ta janë gjetur në vitin 2000-2001 në tri varreza masive. Mendoj që Kosovës jo vetëm tashti por edhe në të kaluarën iu ka nevojitur një dokumentim, një hartim i asaj çka ka ndodh nuk nevoja asnjë klasifikim shpikje apo përgënjeshtrim por thjesht një dokumentim i gjithë atyre krimeve një bashkëpunim i tyre krimeve ose një bashkim i atyre dokumenteve në një institucion të vetëm. Kanë punuar pa rreshtuar edhe në forma të ndryshme edhe në kushte të ndryshme megjithatë shteti deri sot nuk është që ka pasur një institucion të qartë se ku dhe si do të ruhen gjitha këto dokumente. Përveç kësaj mendoj jam i bindur plotësisht që delegacioni i Serbisë i ka të gjithë informacionet për Kosovën, thjesht duhet me pas vullnetin, kurajën me i dhënë ato dhe mu përball me drejtësi mandej. Deri sa kjo nuk arrihet natyrisht që kjo do të jetë e vështirë. Natyrisht që ne do të kemi edhe gishtin të drejtuar nga ne sepse është normale përderisa kjo nuk arrihet e kemi shumë të vështirë. Jemi munduar 2 vite, kemi shkuar në Bruksel me ekipin e dialogut dhe kemi futur në kuadër të dialogut personat e zhdukur. E kemi ndërkombëtarizuar çështjen e personave të zhdukur. E kemi ndërkombëtarizuar e kemi ngrit në nivel demokratik në mënyrë që me pas një garancion e ai garancion të jetë BE. Më në fund, më 2 maj kemi arritur ta miratojmë, jo ta nënshkruajmë, deklaratën e personave të zhdukur si rrjedhojë e Aneksit të Ohrit”, tha Hoti.

  • “Dasma e Skënderbeut”, festa e përvitshme me vënien në skenë të martesës në Ardenicë

    “Dasma e Skënderbeut”, festa e përvitshme me vënien në skenë të martesës në Ardenicë

    573 vite më parë, në Manastirin e Ardenicës është organizuar martesa e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu me Donikn.

    Çdo 26 prill është bërë traditë që banorët e Ardenicës organizojnë festën lokale në përkujtim të dasmës së madhe. Tradita ri-inskenohet nga dy gjimnazistë te veshur me kostume popullore.

    Ky organizim është një mundësi që tradita të përçohet edhe për brezat e rinj.

    Ardenica është zona turistike me e rëndësishme e qytetit të Lushnjës, ndaj festa të tilla organizohen edhe për promovimin e saj.

    Në këtë ditë, përveç këngëve dhe valleve popullore, organizohet edhe panairi i gatimeve tradicionale. /tch

  • ​Subvencionimi i teksteve shkollore, formohet komisioni hetimor parlamentar

    ​Subvencionimi i teksteve shkollore, formohet komisioni hetimor parlamentar

    Është bërë konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

    Kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj ka thënë se qëllimi i formimit të komisionit është që të shikohet se si ka shkuar procesi për tekstet shkollore.

    “Ky komision hetimor veprimtarinë dhe strukturën e ka të aprovuar bazuar në ligjin për hetim parlamentar. Qëllimi tij është të shohim si ka shkuar ky proces, a ka lëshime apo ka qenë çdo gjë në rregull. Kanë qenë informatat në opinion për dështimin me kohë të teksteve mësimore, ka pasur fjalë tjera që janë ndërlidhur rreth kostove dhe mënyrës së blerjeve, shpërndarjes. Ka qenë një opinion për dëmtimin e buxhetit të shtetit gjatë këtij procesi. Ne e kemi bërë një draft-propozim për agjendën që do të punojmë”, tha Dreshaj.

    Deputeti nga LVV, Armend Muja ka propozuar që javën që vjen t’i përkushtohen këtij qëllimi dhe të bëhet një plan pune. Ndërsa, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vlora Dumoshi është shprehur e shqetësuar me gjendjen aktuale në arsim. Sipas saj, edhe sot shumë nxënës nuk janë të pajisur me libra shkollorë.

    “Është e dhimbshme se për tri vjet kjo qeveri ka bërë që procesi mësimor të mos fillojë me kohë, ku rreth 220 mijë nxënës kanë humbur me mijëra orë për shkak të mungesës së librave. Jemi të vetëdijshëm që edhe sot shumë nxënës nuk i kanë librat”, tha Dumoshi.

    Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arjeta Fejza, e cila tha se ky është konstatim i vetë deputetes.

    Dreshaj ka propozuar që ky komision të mbahet të premten në orën 13:30. Me këtë u pajtuan deputetet prezentë. /kp

  • ​Deputetja e PDK-së: Aleatët e Kosovës kanë humbur besimin në Qeverinë Kurti

    ​Deputetja e PDK-së: Aleatët e Kosovës kanë humbur besimin në Qeverinë Kurti

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ariana Musliu-Shoshi ka folur mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, votimi për të cilin do të mbahet kah mesi i muajit maj.

    Ajo në një postim në Facebook ka thënë se aleatët ndërkombëtarë të Kosovës kanë humbur besimin te Qeveria Kurti.

    “Kërkesat me ngulm për anëtarësim në KiE tregojnë qartë që aleatët tanë kanë humb besimin në qeverinë Kurti. Ata nuk besojnë në zotime, përfshi letrën e dërguar ku premtojnë implementimin e asociacionit, miratimin e Kodit Civil dhe shumë çështje tjera, nënshkruar nga Vjosa, Albini e Glauku!

    Kauzat e Albinit të përdorura vetëm sa me ardhur në pushtet duke mos kursyer asnjë mjet ndaj partive në pushtet, sot po i kthehen bumerang! Pavarësisht kësaj, interesi i Kosovës mbi të gjitha! Kosova dhe qytetarët e saj meritojnë anëtarësimin në KiE! E pafalshme do të jetë humbja e një momentumi të tillë”.