ATV

Author: ATVLive

  • Lista Serbe kërkon arrestimin e Vokrrit, Hetemit e Radomiroviqit

    Lista Serbe kërkon arrestimin e Vokrrit, Hetemit e Radomiroviqit

    Lista Serbe në një njoftim të fundit ka bërë thirrje për arrestimin e zëvendësministrit, Arbër Vokrrit, Radoica Radomiroviqit dhe kryetarit të Leposaviqit Lulzim Hetemit.

    Kjo parti ka drejtuar akuza ndaj zyrtarëve të lartpërmendur për siç thotë “vjedhje të pronave”.

    “Postimi i fundit në rrjetet sociale në të cilin tregohen deklaratat e Radoica Radomiroviqit, zëvendësit të ministrit ilegal Nenad Rashiq dhe Arbër Vokrrit, zëvendësministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, është dëshmi e qartë e ekzistencës dhe veprimtarisë së një grupi kriminal të organizuar të zyrtarëve qeveritarë të Albin Kurtit me qëllim të veprimit të kundërligjshëm dhe vjedhjes së pronës”, ka shkruar Lista Serbe në një postim në Facebook të publikuar të premten.

    “Kjo video dëshmon ekzistencën e një grupi kriminal të organizuar anëtarë të të cilit janë, përveç zyrtarit qeveritar Albin Kurti dhe kryetarit ilegal dhe jolegjitim të komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, se në këtë grup të organizuar kriminal ka hierarki me ndarje të qartë të detyrave për kryerjen e veprave penale, duke plotësuar kështu bazën ligjore për identifikimin e këtij grupi si një grup i krimit të organizuar”, pretendon mes tjerash Lista Serbe në postimin e saj.

  • Meloni reagon ndaj dokumentarit RAI3, i del në mbrojtje Ramës

    Meloni reagon ndaj dokumentarit RAI3, i del në mbrojtje Ramës

    Kryeministria italiane, Giorgia Meloni ka reaguar lidhur me emisionin “Report” të Rai3 në të cilën u kritikua marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.

    “Shqipëria dhe Rama u linçuan për përpjekjet për të na ndihmuar me emigrantët”, tha Meloni në Pescara gjatë konventës në të cilën shpalli kandidaturën e saj në zgjedhjet evropiane të 8 dhe 9 qershorit, sipas medias italiane, shkruan topchannel.

    Meloni gjatë fjalës së saj nuk i kurseu as kritikat dhe ironitë ndaj RAI 3.

    “E majta propozoi ta përjashtonte nga socialistët evropianë, në vend që ta falënderonin që kishte vepruar në emër të solidaritetit evropian, ata e linçuan. Aq më tepër që e prezantuat si Telemoni, apo jo, Telemeloni? Përpiloi një raport për Shqipërinë në të cilin e portretizonte si një narko-shtet. Më ndihmoni t’i dërgojmë solidaritetin tonë Edi Ramës i cili u linçua vetëm se tentoi të ndihmonte kombin tonë”, theksoi Meloni.

    Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si “Emision të nveritshëm” reportazhin e “Report”të transmetuar në RAI 3, ku trajtohet marrëveshja e arritur mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.

    Për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë, kundër dokumentarit të emisionit “Report” në “RAI3 Rama nisi një fushatë sqarimi në të gjitha mediat italiane.

    “Nuk ka se si të mos më lëndojë”, është shprehur Rama në intervistat e tij, “kur e shoh Shqipërinë të sulmuar në atë mënyrë të neveritshme nga Rai, sikur të ishte rihapur një faqe e zezë në historinë e shtypit italian, kur fjala shqiptar përdorej si sinonim për kriminelë, trafikantë, hajdutë dhe prostituta dhe vetë Shqipëria trajtohej si burim i së keqes”.

    Ndërkohë në një tjetër reagim të publikuar në X drejtuar Sigfrido Ranucci drejtuesit të emisionit “Report” të cilit i thotë se në të njëjtin televizion shqiptar të njëanshëm, vijoi në përhapjen e së njëjtave shpifje të importuara më pas në Itali nga “Report”.

  • Shaip Kamberi me koalicion me PD e LPD në Bujanoc

    Shaip Kamberi me koalicion me PD e LPD në Bujanoc

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka njoftuar për nënshkrimin e koalicionit paszgjedhor me Partinë Demokratike e Lëvizjen e Progresit Demokratik në Bujanoc.

    “Marrëveshja jonë synon luftën kundër diskriminimit, zhvillimin shoqëror, barazinë dhe zhvillimin ekonomik, social e kulturor të komunës së Bujanocit”, ka shkruar Kamberi.

    Kamberi e ka cilësuar këtë koalicion si hap të rëndësishëm drejtë një bashkëpunimi të fortë dhe të përbashkët për të siguruar një qeverisje të mirë në këtë qytet.

    “Besimi në historinë tonë kombëtare, rëndësia e bashkëpunimit ndërpartiak dhe angazhimi për stabilitetin dhe zhvillimin e komunës sonë janë qëndrime që na udhëheqin në këtë rrugë drejt frontit shqiptar për Bujanocin”, ka shkruar Shaip Kamberi.

  • SHBA, tornado kalon mes makinave/ Pamjet dramatike bëjnë xhiron e rrjetit, disa struktura shkatërrohen plotësisht

    SHBA, tornado kalon mes makinave/ Pamjet dramatike bëjnë xhiron e rrjetit, disa struktura shkatërrohen plotësisht

    Tornado të fuqishme kaluan në Nebraska e Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke lënë pas një vazhdë shkatërrimesh, të lënduar dhe shumë panik mes banorëve lokalë.

    Zona më e goditur e Nebraskës ishte Omaha, ku zyrtarët i kërkuan banorëve të kërkonin menjëherë strehim e të mos dilnin prej andej deri sa tromba e ajrit të ishte larguar. Pamje dramatike të një tornadoje që zbret në rrugë ku ndodheshin disa makina, bëri shumë shpejt xhiron e rrjetit.

    Në Iowa-n fqinjë, një tornado gjigante u përplas mbi qytetin e vogël Minden, ku ka shpërbërë disa struktura e mbetjet e tre u përhapën në ajër. Të paktën tre tornado të tjerë janë raportuar që nga e enjtja, duke përfshirë një pranë Bird City, Kansas, një në Yoder, Wyoming dhe një tjetër pranë Akron, Kolorado, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.

    Guvernatorja e Kansasit, Laura Kelly, shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të motit të keq. Shërbimi kombëtar amerikan i metereologjisë thotë se kushtet e rënduara atmosferike mund të vazhdojnë përgjatë gjithë fundjavës, dhe tornado të forta priten tashmë edhe në Teksas. /tch

  • Armët pa leje në Kosovë, rrezik për sigurinë e qytetarëve

    Armët pa leje në Kosovë, rrezik për sigurinë e qytetarëve

    Armët pa leje në duart e qytetarëve të Kosovës, paraqesin rrezik serioz, thonë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

    Qytetarët të cilët kanë armë pa leje cenojnë rendin dhe sigurinë publike, por mbi të gjitha rrezikojnë jetën e tyre.

    Sipas raporteve të Policisë së Kosovës, çdo vit në Kosovë konfiskohen rreth 1500 armë ilegale.

    Nuredin Ibishi, ekspert i Sigurisë, thotë për Radio Kosovën se vrasjet e ndodhura në vend, janë burim i posedimit të armëve ilegale dhe kjo paraqet rrezik për sigurinë e qytetarëve.

    Ibishi thekson se për parandalimin e kësaj dukurie duhet një reagim qytetar dhe institucional.

    “Së pari, nuk duhet të pritet vetëm nga policia, gjyqësia e prokuroria për masa reaguese. Por, në këtë rast duhet edhe një vetëdijesim qytetar.

    Shtimi i menjëhershëm i masave ndëshkuese dhe atyre parandaluese do të ndikojë në zvogëlimin e armëve ilegale në duart e qytetarëve”, thotë Ibishi.

    Ai deklaron se Ministria e Punëve të Brendshme duhet sa më shpejt të ndërmarrë masa parandaluese, por edhe të bëjë legalizimin e armëve.

    “Pres që së shpejti MPB-ja të bëjë ligjin për legalizim dhe të fillojë një proces i ri dhe gjithë ky posedim ilegal i armeve të dorëzohet dhe rreziku të minimizohet”, shton ai.

    E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një nga mbledhjet e Qeverisë, ka thënë se në raport me përgjegjësit e Ministrisë së Drejtësisë do të bëhet edhe njëherë rishikimi i Kodit Penal të Kosovës dhe në bashkëpunim me MPB-në janë duke punuar në raport për armëmbajtjet pa leje.

    “Për shkak të politikës sonë ndëshkimore dhe mos veprimi nga sistemi prokurorial në raport me personat e dyshuar për armëmbajtje pa leje, ne na duhet që ti shikojmë këto dispozita në mënyrë që ta pamundësojmë që prokurorët ti neglizhojnë këto raste. Vetëm në dy rastet e fundit kemi parë që personat kanë pasur armëmbajtje pa leje mirëpo, kjo nuk është adresuar si duhet nga institucionet” ka deklaruar ministrja Haxhiu.

    Në raportet 24 orësh të Policisë së Kosovës, deklarimi i veprave kriminale në qendër kanë armët. Madje, vetëm për dy muajt e parë të
    këtij viti, janë raportuar 270 raste të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    Sipas statistikave të Policisë, në operacione të ndryshme të ndërmarra gjatë vitit 2023, janë konfiskuar 1.392 armë zjarri të llojeve të ndryshme si dhe janë konfiskuar 37.215 sasi të municionit të kalibrave të ndryshëm.

    Vetëm këtë vit policia ka reaguar në 522 raste dhe ka konfiskuar 562 armë pa leje. Në periudhën e legalizimit para dy vitesh, janë paraqitur vetëm rreth 2 mijë kërkesa.

    Ndërsa, llogaritet se rreth 250 mijë armë janë pa leje.

  • Arrestohet një i dyshuar për vrasje në tentativë në Ferizaj

    Arrestohet një i dyshuar për vrasje në tentativë në Ferizaj

    Është arrestuar dje një person për vrasje në tentativë në Ferizaj që ka ndodhur të premten.

    “VRASJE NË TENTATIVË – Ferizaj 26.04.2024-23:30. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.”

  • ​Bie nataliteti në Kosovë, ASK dhe MPB me statistika të ndryshme për lindjet

    ​Bie nataliteti në Kosovë, ASK dhe MPB me statistika të ndryshme për lindjet

    Tkurret numri i shtimit të popullsisë në Kosovë vit pas viti. Në dekadat e fundit në Kosovë nataliteti ka shënuar rënie mbi 30 mijë lindje në vit ose 143 për qind, krahasuar vitin 2022 me atë të vitit 1990. Faktorët ekonomik, migrimi i popullsisë, karriera si dhe përvojat e mëparshme në rritjen e fëmijëve po konsiderohen të jenë ndër arsyet që prindërit të bëjnë më pak apo fare fëmijë.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2022 janë 22 mijë e 632 lindje ne Kosovë, në vitin 2021 janë kryer 22 mijë e 830 lindje, në vitin 2020 janë shënuar 21 mijë e 907 lindje, në vitin 2019 janë 21 mijë e 798 lindje, në vitin 2018 janë 22 mijë e 761 lindje, në vitin 2017 janë 23 mijë e 402 lindje, në vitin 2016 janë 23 mijë e 416 lindje.

    Po ashtu në vitin 2015 janë 24 mijë e 594 lindje, në vitin 2014 janë regjistruar 25 mijë e 929, në vitin 2013 janë 29 mijë e 327 lindje, në vitin 2012 janë 27 mijë e 743 lindje, ndërsa në vitin 2011 janë regjistruar 34 mijë e 262 lindje. Ndërsa, dy vite pas luftës, 2001 kanë qenë 33 mijë lindje, kurse në vitin e para luftës, më 1990 ishin 55 mijë e 175 lindje.

    Për dallim nga ASK-ja, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dërguar për KosovaPress, për katër vitet e fundit numri i lindjeve është më i madh. Sipas kësaj ministrie, në vitin 2023 janë 40 mijë 838 lindje, në vitin 2022 janë regjistruar 40 mijë e 517, ndërsa në vitin 2021 janë regjistruar 44 mijë e 11 lindje, ndërkaq në vitin 2020 janë regjistruar 33 mijë e 118 lindje.

    “Në vitin 2020 janë 33 mijë e 118 lindje, në vitin 2021 janë 44 mijë e 11 lindje, më 2022 janë 40 mijë e 517 dhe në vitin 2023 janë 40 mijë e 838 lindje”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga MPB-ja.

    Por, KosovaPress ka kërkuar përgjigje shtesë nga të dyja institucionet (ASK dhe MPB) për këtë dallim në shifra, mirëpo nga MPB nuk kanë kthyer përgjigje, derisa nga ASK-ja kanë treguar dallimin me këto statistika për lindjet. .

    Zyrtarja e lartë e statistikave vitale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Arjeta Sojeva, thotë për KosovaPress se metodologjia e këtij institucioni është ndryshe nga ajo e MPB-së. Sipas saj, mbledhja e të dhënave të lindjeve bëhet për ato lindje që kanë ndodhur brenda një viti, ndërkaq siç thotë ajo MPB e regjistron (foshnjen) edhe atë që ka lindur në cilindo vit tjetër, pavarësisht kohës kur paraqitet për regjistrim.

    “Dallojnë statistikat, sepse metodologjia e ASK-së për mbledhjen e të dhënave të lindjeve dhe raportimin e lindjeve është i ndryshëm prej metodologjisë së MPB-së… ASK i regjistron të gjitha lindjet të vitit kalendarik, tash 2024 duke i përfshirë edhe të 2023-es, veç këtë e publikon. Po erdhi një lindje e 2022-es ne nuk e publikojmë, për neve është e vonshme. Kurse, MPB, përkatësisht Agjencia e Regjistrimit Civil kushdo që shkon e regjistron (fëmijën), ajo e pranon, edhe fëmija që ka lind në 2015, ai për të është regjistrim, ai nuk e kthen, e ka të obligueshme të regjistrojë, dhe e publikon sa lindin gjatë vitit 2024 janë regjistruar, jo që kanë lindur. Ne e marrim që kanë lindur, ata i marrin ata që janë regjistruar brenda vitit kalendarik”, thotë Sojeva në një përgjigje me telefon.

    Për këtë dallimin në të dhënat statistikore, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se është e nevojshme që MPB dhe ASK t’i identifikojnë problemet e mos përputhjeve të statistikave. Sipas tij, tani është mundësi e mirë për shkak të regjistrimit të popullsisë, pra, siç thotë ai, në kuadër të saj të merren të dhënat edhe për fëmijët.

    “Duhet të identifikohet ku është problemi, pse në MPB është numri më i ngritur, dihet të gjithë ata që lindin regjistrohen në MPB dhe marrin certifikatën e lindjes, nuk mund ta kuptoj pse në ASK është numri më i vogël, por duhet të identifikohet ku është problemi. Tani është edhe një mundësi e mirë për shkak të regjistrimit të popullsisë, dhe në kuadër të saj merren të dhënat edhe për fëmijët”, thotë Rafuna.

    Përkundër se Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2021, ka marrë vendim për të subvencionuar fëmijët dhe nënat lehona, nataliteti ka shënuar prapë rënie.

    Rënia e numrit të lindjeve po vlerësohet të jetë një nga brengat dhe problemet më të mëdha për Kosovën, gjatë viteve të ardhshme në aspektin ekonomik.

    Sociologu, Bekim Selishta derisa rendit shkaqet që kanë ndikuar në rënie të natalitetit, thekson se shteti duhet të punojë më shumë në këtë drejtim.

    “Remitencat (shtesat) nga shteti janë shumë të ulëta dhe punësimi nuk është që i favorizon shumë. D.m.th nëse është një fëmijë ka shpenzime, nuk janë të mjaftueshme 10 euro, nuk është puna që ka qenë në vitin 99-të… Tash ka punë tjera që duhet kryer prej çerdhes e tutje, nuk rritet një fëmijë me pak mjete”, thotë Selishta.

    Kreu i OEK-ut, Lulzim Rafuna thotë për KosovaPress se Qeveria duhet të marrë masa që të rritet nataliteti në Kosovë, në të kundërtën kjo do të ndikojë negativisht në zhvillimin e ekonomisë në vend.

    “Rënia natalitetit padyshim që ndikon për arsyeje se nuk është mirë për vendin që të ketë natalitet më të ultë dhe gjitha vendet marrin masa që ta ngritin natalitetin, pasi edhe ka fuqi konsumuese më të madhe. Kështu, në kuptim të ndikimit në ekonomi rënia natalitetit nuk është sinjal i mirë dhe kërkesa jonë është që institucionet e vendit të marrin masa që të stimulojnë natalitetin në vendin tonë. Gjitha vendet e rajonit, por edhe ato të BE-së kanë paketa të veçanta që ndihmojnë të rinjtë të kenë fëmijë, dhe ta rritin numrin e fëmijëve. Kështu edhe ne duhet të punojmë në këtë aspekt”, thotë Rafuna.

    Sipas vendimit të marrë nga Ministria e Financave për subvencione, fëmijët deri në dy vjeç përfitojnë ndihmën prej 20 euro. Ndërsa, të tjerët deri në moshën 16 vjeçare marrin nga 10 euro në muaj.

    Me këtë subvencionim, lehonat e papunësuara marrin nga 170 euro për gjashtë muaj, derisa lehonat e punësuara për tre muaj marrin të njëjtën shumë.

    Regjistrimi i popullsisë ka filluar më 5 prill 2024 dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti në të gjithë vendin. Ndërkaq, regjistrimi i fundit në Kosovë ka qenë 13 vjet më parë, më 2011.

  • Brovina i VV-së thotë se ka dyshime që tenderi i kryetarit Rama për energjinë është i orkestuar dhe shkon në dëm të buxhetit të Prishtinës

    Brovina i VV-së thotë se ka dyshime që tenderi i kryetarit Rama për energjinë është i orkestuar dhe shkon në dëm të buxhetit të Prishtinës

    Arben Brovina, koordinator i nën komiteteve të lëvizjes Vetvendosje, qendra në Prishtinë në konferencën e thirrur për medie deklaroi se projekti: “Programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në ulje të shpenzimeve financiare në komunën e Prishtinës”, tregon për një keqpërdorim të radhës nga komuna dhe kryetari Përparim Rama, raporton EO.

    “Arsyet për të cilën po e mbajmë këtë konferencë kanë të bëjnë më një thirrje për një kontratë e cila sipas të gjitha analizave tona tregon për një keqpërdorim të radhës i cili do të ndodh në tenderin qe planifikon të hapet nga komuna. Pra është vazhdimësi e kontratave të dëmëshme dhe keqpërdorim i parasë publike që po ndodh nga dhe komuna e Prishtinës dhe kryetari Rama”.

    Brovina tha se ka të bëjë më një kontratë për prokurim e datës 5 prill 2024, emërimi i së cilës është: Programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në ulje të shpenzimeve financiare në komunën e Prishtinës, ose thënë ndryshe ndriçim publik smart.

    “Ky aktivitet i prokurorimit është planifikuar të hapet më datën 30 prill 2024 dhe vlera e këtij 10 milionë euro me kohëzgjatje 36 muaj, hulumtimet e ekspertëve tanë në lidhje më këtë vlerësojnë se kriteret e kërkuara nuk shprehin mundësinë e konkurrencës dhe pjesëmarrjen e shumë operatorëve ekonomik në specifikat gjerësisht pika e tretë , kapaciteti teknik profesional kemi të bëj me emërtime të paisjeve, nëse e bëjmë analizë shohim se këto pajsje kemi operatorë ekonomik, një eventualisht dy në Kosovë të cilat i plotësojnë këto kushtet”.

    Brovina deklaroi se edhe tek pjesa e stafit është gjetur diskriminim, sikurse tek inxhierët e elektros të cilët duhet te jenë te certifikuar me esko.

    “Edhe për punëtorët fizik të cilët duhet te jenë të certifikuar, ku duhet të dorëzohen në hapjen të ofertave ku është një kohë shumë e pamjaftueshme për operatoret ekonomik, edhe në paramasa kemi shumë pozicione që bien në ndesh në ligjin për prokurorim publik”.

    Ai deklaroi se ka dyshime për të cilat bëhet fjalë për një tender të orkestuar i cili shkon në dëm të buxhetit të Prishtines duke iu bërë thirrje organeve të hetuesit për parandalimim e “abuzimit” të radhës.

  • Dilema e BE-së: A do të mundet t’i përballojë financiarisht anëtarët e rinj?

    Dilema e BE-së: A do të mundet t’i përballojë financiarisht anëtarët e rinj?

    Pushtimi rus i Ukrainës e ka vënë zgjerimin në krye të agjendës së BE. Por vendet që rreshtohen për t’u bashkuar me Bashkimin Europian janë më të varfër se anëtarët ekzistues. Do e boshatisnin buxhetin anëtarët e rinj?

    “Pa fermerë, nuk ka më bukë” ky ishte një slogan popullor gjatë më shumë se 200 bllokimeve të rrugëve të organizuara nga fermerët polakë në shkurt të këtij viti. Në periferi të qytetit polak Kock, dy orë me makinë nga kufiri ukrainas, qindra traktorë bllokuan një rrugë për të parandaluar hyrjen e grurit të lirë ukrainas në vend. Për fermerët këtu, ka një shqetësim tjetër të madh: ata i tremben hyrjes së Ukrainës, fqinjes lindore të Polonisë në BE, pasi mund të kërcënojë jetesën e tyre. “Ta harrojnë atë. Kjo është një ide e çmendur”, tha për DW një nga fermerët protestues gjatë bllokadës.

    Zgjerimi si instrument sigurie

    Për më shumë se një dekadë, BE-ja dukej si një klub i mbyllur, ku vendet aspirante ishin rreshtuar në pritje për të hyrë. Por pushtimi rus i Ukrainës e ka ndryshuar rrënjësisht situatën. Në dhjetorin e kaluar BE çeli negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë si edhe i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit. “Për shkaqe të kuptueshme, BE-ja tani po e sheh zgjerimin si një instrument sigurie. Buxheti është pjesë e diskutimeve, por mund të mos jetë domosdoshmërisht faktori vendimtar”, thekson për DW, Thu Nguyen, zëvendësdrejtore e institutit të pavarur me qendër në Berlin, Jacques Delors Centre.

    Protestat e fundit në Poloni e sjellin edhe një herë këtë në kujtesë edhe pse ekonomia pa dyshim bën pjesë tek motivet politike të BE-së. Realisht entuziazmi i ri i Brukselit për zgjerimin shoqërohet me frikën se zgjerimi do t’i vërë disa nga anëtarët dhe qytetarët e BE-së në një disavantazh ekonomik.
    BE-ja e shpenzon pjesën më të madhe të buxhetit për zhvillimin rajonal dhe bujqësinë. Koncepti: shtetet anëtare që janë më pak të pasura marrin më shumë para nga BE-ja sesa paguajnë. Tetë vendet që janë aktualisht në radhë për t’u anëtarësuar janë të gjitha më të varfra se shtetet anëtare aktuale. Turqia do të ishte vendi i nëntë kandidat për në BE, por procesi i saj i pranimit është pezulluar.

    Zgjerimi lidhet me shpresa për përmirësimin ekonomik

    Për Jasna Pejovic nga Mali i Zi, anëtarësimi në BE do t’i jepte vendit “më shumë legjitimitet”. Mali i Zi është vendi që ka bërë më shumë progres në rrugën drejt anëtarësimit në BE. 80% e popullsisë malazeze dëshiron të jetë pjesë e BE. Duke folur për DW në zyrën e startup-it të saj të e-learning Flourish në kryeqytetin Podgoricë, Jasna thotë se të qenit qytetare e BE-së do të ishte si një certifikatë vlerësimi për biznesin e saj. Për DW ajo rrëfen, se investorët që nuk kanë bërë biznes me Malin e Zi, thonë, se po të ishim pjesë e Bashkimit Evropian situata do të ishte ndryshe. Mali i Zi me një popullsi të vogël prej 630.000 banorësh nuk do të përbënte ndonjë sforcim të madh për buxhetin e BE.

    “Nëse BE do të pranonte nesër Malin e Zi për këtë ajo vërtet do duhej të paguante, por askush nuk do e vinte re, sepse është e përballueshme”, thotë Nathalie Tocci, këshilltare e dy ish-komisionerëve të BE për politikën e jashtme. “Por për BE nuk do të kishte ndonjë stimulim ekonomik.” Për vendet e Ballkanit Perëndimor anëtarësimi do të sillte mundësi e shanse ekonomike për miliona njerëz, me një kosto të menaxhueshme për BE-në. E megjithatë, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor qëndrojnë në pritje për më shumë se një dekadë. Maqedonia e Veriut madje për dy dekada.

    Ukraina do të linte në hije disa vende anëtare

    Kohët e fundit në horizontin lindor u shfaq një kandidate e re për anëtarësimin – Ukraina. E goditur rëndë nga pushtimi rus, ky vend e mori statusin e kandidatit në qershor 2022. Në lidhje me Ukrainën, më e populluara – dhe më e varfëra – nga të gjitha vendet kandidate do të ishte “një lojë ndryshe”, thotë Nathalie Tocci. “Kjo për shkak të madhësisë së saj, për shkak të sektorit të bujqësisë, për shkak të mirëqenies mesatare dhe, mbi të gjitha, sepse është një vend në luftë me nevojën e 500 miliardë eurove për rindërtimin ende në shtim e sipër.”

    Nëse Ukraina do të anëtarësohej në BE, ajo do të bëhej prodhuesja më e madhe bujqësore europiane dhe do të rëndonte shumë më tepër mbi financat e BE. Nëse të gjithë fermerët e BE-së së bashku punojnë deri në rreth 157 milionë hektarë (387.35 milionë hektarë) tokë të punueshme, Ukraina do të shtonte edhe 41 milionë hektarë të tjerë. Për disa anëtarë aktualë, kjo do të sillte konkurrencë të padëshiruar në tregun e brendshëm. Polonia, për shembull, është ngjitur aktualisht në një nga prodhueset më konkurruese të ushqimeve në BE që nga anëtarësimi në vitin 2004. Nëse Ukraina bashkohet me BE-në, ky pozicion do të kërcënohet, sepse fermat industriale të Ukrainës i lenë në hije ato evropiane. “Me shumë mundësi do të falimentonim, pasi do të përmbyteshim lehtësisht me produkte shumë më të lira nga Ukraina,” thotë Lukasz Czech, një fermer polak i drithërave dhe derrave nga Parczew, i cili merr edhe subvencione nga BE.

    Do ta boshatisnin buxhetin e BE-së anëtaret e reja?

    Sipas një llogaritjeje të brendshme nga Këshilli Evropian, pranimi i të gjithë kandidatëve do t’i kushtonte BE-së rreth 256 miliardë euro, vetëm Ukraina vlerësohet se do të merrte 186 miliardë euro gjatë shtatë viteve, por këtu nuk janë përfshirë kostot e rindërtimit të vendit pas shkatërrimeve të luftës. Ekspertja Thu Nguyen mendon se “pasojat financiare nuk do të ishin aq të larta sa ç’sugjerojnë disa nga numrat.” Por as Thu Nguyen nuk mund të thotë saktësisht se nga do të vijnë paratë shtesë që i duhen BE. “Është e mundur që ato të vijnë nga vendet anëtare aktuale. Është e mundur që BE të mbledhë fonde nëpërmjet burimeve të reja. Për shembull, ka diskutime rreth një takse plastike apo mekanizmave të rregullimit të CO2-isht.” Disa nga vendet anëtare të BE-së duan ta shtyjnë përpara procesin e anëtarësimit me një shpejtësi të paprecedentë. Nëse do të kenë sukses apo jo, kjo do të varet nga përbërja e ardhshme e Parlamentit të ri Europian që do të zgjidhet në qershor./DW

  • Publikohet një video e dy pengjeve izraelite që po mbahen në Gazë prej 7 tetorit

    Publikohet një video e dy pengjeve izraelite që po mbahen në Gazë prej 7 tetorit

    Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e publikoi një video të shtunën të dy pengjeve izraelite, të cilët është duke i mbajtur në Rripin e Gazës prej 7 tetorit.

    Videoja është e xhiruar ngjashëm sikur videot e kaluara të pengjeve që i kishte bërë publike grupi radikal palestinez. Këto video janë dënuar nga Izraeli si “terrorizëm psikologjik”.

    Dy burrat, të identifikuar si Keith Siegel 64 vjeç, dhe Omri Miran 47 vjeç, flasin ndaras në këtë video. Ata u shprehën dashuri familjarëve të vet dhe kërkuan të lirohen.

    Mirani ishte rrëmbyer nga shtëpia e tij në komunitetin Nahal Oz në sy të bashkëshortes dhe dy fëmijëve të vet të rinj gjatë sulmit vdekjeprurës të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, e cila e nxiti luftën në Gazë.

    Siegel, i cili ka shtetësi amerikane dhe izraelite, u rrëmbye bashkë me gruan e vet nga një qytet tjetër kufitar. Bashkëshortja e tij u lirua më vonë gjatë një armëpushimi të shkurtër në nëntor.

    Videoja e tyre u publikua të shtunën gjatë festës së Pashkëve izraelite.

    Për një çast duke folur, Siegel shpërthen në lot duke e kujtuar kremtimin e kësaj feste së bashku me familjen vitin e kaluar dhe duke shpresuar se do të bashkohet me ta.

    Rreth 250 izraelitë dhe të huaj u rrëmbyen në jug të Izraelit nga Hamasi dhe u dërguan në Rripin e Gazës.

    Gjatë marrëveshjes së nëntorit Hamasi i liroi 105 pengje – shumica e të cilëve gra dhe fëmijë – në shkëmbim të një armëpushimi njëjavor dhe lirimit të 250 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

    Besohet se edhe 133 pengje janë duke u mbajtur ende në Gazë, prej të cilët 30 mendohet se kanë vdekur.

    Bisedimet indirekte mes Izraelit dhe Hamasit për ta siguruar lirimin e pengjeve të mbetura po vazhdojnë tash e shumë javë.

    Hamasi e ka hedhur poshtë propozimin e kaluar për një armëpushim gjashtëjavor në këmbim të lirimit të 40 pengjeve.

    Ky grup thotë se marrëveshja duhet të përfshijë armëpushim të përhershëm, tërheqje të plotë të ushtrisë izraelitë nga Gaza dhe kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre.

    Por, Izraeli ngul këmbë se do t’i vazhdojë sulmet ushtarake derisa ta mposhtë Hamasin dhe se do ta vazhdojë praninë ushtarake në Gazë edhe pas luftës.

    Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit nisi pasi pjesëtarët e këtij grupi i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë gjatë atij sulmi në jug të Izraelit.

    Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.