ATV

Author: ATVLive

  • Vuçeviq: Qeveria e re e Serbisë do të mbajë miqësi me Kinën, Rusinë dhe SHBA-në

    Vuçeviq: Qeveria e re e Serbisë do të mbajë miqësi me Kinën, Rusinë dhe SHBA-në

    Përfaqësuesi i përbërjes së Qeverisë së Serbisë dhe lideri i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millosh Vuçeviq, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë deklaroi se Serbia e ka ende synim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).

    Por, ai shtoi se “fakti që procesi është i ngarkuar nga kriteret e reja politike nuk mund të injorohet”.

    Së fundi, BE-ja zyrtarisht ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën.

    Vuçeviq tha se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

    Por, ai theksoi që Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

    “Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione”, tha Vuçeviq.

    “Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha ai.

    Në prezantimin e tij, Vuçeviq “theksoi posaçërisht” rëndësinë e partneritetit me Kinën, duke vlerësuar se marrëveshja tregtare do të hapë dyert e tregut kinez për biznesmenët.

    “Pavarësisht pikëpamjeve kontradiktore të shumë njerëzve në Perëndim, për ne Kina përfaqëson një vend mik, një partner dhe një aleat të besueshëm në mbrojtjen e integritetit tonë territorial”, shtoi ai.

    Ai tha se qëndrimi i Serbisë ndaj Kinës nuk do të ndryshojë dhe shtoi se mezi pret vizitën e presidentit kinez, Xi Jinping, i cili do ta vizitojë Serbinë më 7 dhe 8 maj.

    Vuçeviq gjithashtu tha se Serbia do të ndërtojë marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Aty ku ka mosmarrëveshje, si për Kosovën, ne do ta përsërisim qëndrimin tonë, do të punojmë që partnerët tanë amerikanë të na dëgjojnë dhe kuptojnë”, shtoi Vuçeviq.

    Ai gjithashtu tha se Serbia do të bëjë gjithcka për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Këto deklarata, Vuçeviq i bëri gjatë prezantimit të tij para deputetëve të Kuvendit të Serbisë në seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re.

    Zgjedhja e Qeverisë së Serbisë dhe betimi i Presidentit dhe anëtarëve të Qeverisë është pika e vetme e rendit të ditës në seancën e cila po mbahet më 1 maj, Ditën Ndërkombëtare të Punës.

    Qeveria e re do të ketë 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol. Ish-kreu i shërbimit të inteligjencës Aleksandar Vulin, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – ndër të tjera për shkak të lidhjeve me Rusinë – është propozuar të rikthehet në kabinet si zëvendëskryeministër.

    Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së për shkak të lidhjeve me Rusinë po kthehet në Qeveri – Nenad Popoviç, si ministër pa portofol.

    Qeveria u formua katër muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat progresistët fituan mbi gjysmën e shumicës në asamblenë republikane. Afati i fundit për zgjedhjen e Qeverisë së re është 6 maji.

    Koalicionet e opozitës, Serbia kundër dhunës dhe NADA, akuzuan koalicionin e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet për vjedhje zgjedhore.

    Parregullsi të shumta gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, provinciale dhe lokale të mbajtura më 17 dhjetor në Serbi janë vënë në dukje nga misionet vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore.

    Autoritetet kanë mohuar vazhdimisht se ka pasur parregullsi më të rënda zgjedhore.

    Në shkurt, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkon nga autoritetet në Serbi të lehtësojnë një hetim ndërkombëtar për parregullsitë e supozuara, me referencë të veçantë për zgjedhjet për Asamblenë e Qytetit të Beogradit. /Radio Evropa e Lirë

  • Bakoyannis: Asnjë kandidati nuk i është kërkuar përmbushja e kaq shumë kushteve sikurse Kosovës

    Bakoyannis: Asnjë kandidati nuk i është kërkuar përmbushja e kaq shumë kushteve sikurse Kosovës

    Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, nëpërmjet një artikulli autorial të botuar në platformën “European Western Balkans” të mërkurën, deklaroi se asnjë vendi kandidat nuk i është kërkuar ndonjë herë që të përmbushë kaq shumë kushte për t’u anëtarësuar në këtë organizatë të rëndësishme evropiane sikurse në rastin e Kosovës.

    “Asnjë vendi kandidat nuk i është kërkuar ndonjëherë të ndërmarrë kaq shumë reforma para se të sillet për debat mbi anëtarësimin në këtë organizatë. Kjo është ndoshta arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan pro raportit”, shkroi Bakoyannis pas sulmeve që erdhen nga zyrtarët serbë pas raportit që rekomandon anëtarësimin e Kosovës./AP/

  • Kurti ngushëllon familjen e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ali Lajҫit

    Kurti ngushëllon familjen e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ali Lajҫit

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, paraditen e sotme qëndruan për vizitë te familja e veprimtarit dhe ish- deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ali Lajҫit, i cili vdiq me 28 prill të këtij viti.

    I lindur më 3 janar të vitit 1955 në Malaj të Rugovës, Ali Lajҫi ka qenë politikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tij. Pas luftës në Kosovë, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007, dhe pastaj deputet në Kuvendin e Kosovës. Ai ishte edhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

    Kryeministri Kurti, e vlerësoi lartë figurën e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryetarit të Komunës së Pejës, Ali Lajҫi, duke e cilësuar atë si një veprimtar dhe aktivist të shquar të çështjes kombëtare, teksa shtoi se do ta kujtojnë gjithmonë me krenari për veprimtarinë, kontributin dhe angazhimin e tij patriotik dhe politik për vendin. Ai shprehu ngushëllimet e tij më të sinqerta familjes Lajçi, dhe theksoi se janë mirënjohës për gjithë punën dhe përkushtimin e Ali Lajçit ndaj atdheut, shtetit dhe shoqërisë.

    Në këtë vizitë për ngushëllime, së bashku me kryeministrin Kurti, ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveҫla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, si dhe deputetë e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

    Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Kurti gjithashtu bëri homazhe në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, pranë arkivolit të ish- deputetit të Kuvendit të Kosovës, dhe ish- kryetarit të Pejës, Ali Lajçi, dhe mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së tij.

  • Haradinaj: Paga minimale mbetet një formë e asistencës sociale e ajo mesatare mezi prek kufirin e mbijetesës

    Haradinaj: Paga minimale mbetet një formë e asistencës sociale e ajo mesatare mezi prek kufirin e mbijetesës

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti ka bërë krejt çfarë nuk është dashur, që gjendja në tregun e punës të mos shënojë asnjë progres.

    Haradinaj ka përmendur edhe situatën me paga në Kosovë. “Paga minimale mbetet një formë e asistencës sociale. Paga mesatare mezi prek kufirin e mbijetesës. Në përgjithësi pagat në sektorin publik dhe atë privat mbetën më të ultat në rajon”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    “Qeveritë e përgjegjshme bëjnë çmos që të drejtat, kushtet dhe mundësitë e punëmarrësve të shënojnë progres. Qeveria Kurti ka bërë krejt çfarë nuk është dashur, që gjendja në tregun e punës të mos shënojë asnjë progres.

    Paga minimale mbetet një formë e asistencës sociale. Paga mesatare mezi prek kufirin e mbijetesës. Në përgjithësi pagat në sektorin publik dhe atë privat mbetën më të ulëtat në rajon. Kjo madje në një periudhë kur inflacioni është i papranueshëm për kapacitetin e mangët financiar dhe ekonomik në nivel vendi.

    Sikur kjo të mos ketë mjaftuar, punëmarrësit e sektorit më të madh, atij publik, vazhdimisht përballen me trajtim jo meritor dhe diskriminues.

    Dialogu me sindikata është transformuar në një platformë monolgu, ku qeveria Kurti justifikon dështimet, shpërfaqë arrogancën, dhe monopolizon vendimmarrjen në lidhje me zhvillimin njerëzor dhe ekonomik.

    Pra edhe sot, më 1 maj, shohim më shumë retorikë, më shumë uniformitet, më shumë migrim, dhe më pak shpresë. Kjo është oferta e një qeverie populiste!”, ka shkruar Haradinaj.

  • Presidentja Vjosa Osmani kujton 32 martirët e Nabërgjanit të Pejës

    Presidentja Vjosa Osmani kujton 32 martirët e Nabërgjanit të Pejës

    Presidentja Vjosa Osmani me rastin e 25 vjetorit të vrasjes ka kujtuar 32 martirët e Nabërgjanit të Pejës.

    “25 vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë masakruan 32 civilë të Nabërgjanit të Pejës, me synimin e tyre për shfarosjen e shqiptarëve.

    Nuk ia arritën këtij synimi shovinist, ndaj Nabërgjani i ripërtrirë është në pritje të drejtësisë.

    E vërteta dhe drejtësia janë obligim i yni kundrejt viktimave dhe familjeve të tyre.

    Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”, ka thënë Osmani.

  • Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, marsh protestues për Ditën e Punës

    Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, marsh protestues për Ditën e Punës

    Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar marsh protestues për Ditën e Punës, raporton EO.

    “Kapitalizimi është hajni, bashkohuni në protestat e një majit” ishte thirrja që u bë në fillim të marshit.

    “Liri, barazi, solidaritet”, “Dinjitet për punëtorë”, 20 mijë familje me ndihma sociale”, “punëtorët vdesin, shefat mesin”, duam kontrata pune”, poshtë kapitalizmi”, ishin thirrjet qe u bën përgjatë marshit qe filloi tek sheshi “Zahir Pajaziti” e vazhdoi tutje drejt qytetit e deri tek inspektorati i punës.

  • Në gati çdo profesion, burrat paguhen më shumë sesa gratë

    Në gati çdo profesion, burrat paguhen më shumë sesa gratë

    Shumica e sektorëve në tregun e punës në Kosovë janë të dominuar nga burrat. Por, edhe në sektorët që punësojnë më shumë gra – si arsimi apo shëndetësia – burrat gëzojnë pagë mesatare më të lartë.

    I vetmi sektor ku gratë paguhen më shumë, është ai i transportit dhe magazinimit. /REL

  • Hyn në fuqi marrëveshja Shqipëri-Kosovë “pa kufi” – për 9 muaj

    Hyn në fuqi marrëveshja Shqipëri-Kosovë “pa kufi” – për 9 muaj

    Prej ditës së mërkurë ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes, sipas të cilit, qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë përmes pikës kufitare të përbashkët Shqipëri-Kosovë me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave.

    Më herët, kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes ishte në 4 muajt e verës. Qytetarët e Kosovës që kanë zgjedhur të udhëtojnë sot thonë se zbatimi i kësaj marrëveshje lehtëson ndjeshëm kalimet në kufi.

    Ndërkohë, që në orët e para të ditës së sotme, pika doganore e Morinës është përballur me një fluks të madh udhëtarësh nga Kosova, të cilët udhëtonin drejt Shqipërisë për të festuar Ditën e 1 Majit, por edhe për të kaluar disa ditë pushimi.

    Vetëm në orët e para të ditës së sotme, nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri rreth 5 mijë shtetas të Kosovës dhe 3 mijë mjete të vogla e dhjetëra autobusë.

  • Qindra punëtorë në marshin protestues – Kryesindikalistët akuzojnë Qeverinë për mashtrim

    Qindra punëtorë në marshin protestues – Kryesindikalistët akuzojnë Qeverinë për mashtrim

    Qindra protestues, kanë marrë pjesë në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, e mbështetur nga sindikata tjera me rastin e 1 Majit – Ditës së Punëtorëve, raporton EO.

    Marshi protestues nisi nga Biblioteka Kombëtare, për të vazhduar drejt shesheve të Prishtinës, për tu ndalur para Qeverisë, ku krerët sindikalistë mbajtën edhe nga një fjalim.

    Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, kërkoi nga Qeveria që të veprojë në mënyrë që të mos siç tha viti 2022, kur u mbajt grevë disamuajshe.

    “Qeveri vazhdon t’i ik dialogut dhe prandaj jemi këtu drejtuar Qeverisë qe t’i realizojë kërkesat tonë për t’i parandaluar veprimet tjera sindikale. Kërkojmë nga Qeveria që të veproj e te mos përsëritet viti 2022 që shkaku i heshtjes së tyre na u deshtë të bëjmë veprime sindikale që nuk i kemi dashur”, tha ai.

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se kryeministri Albin Kurti i ka gënjyer punëtorët kur ka deklaruar se do t’i rrisë pagat. Me këtë rast, Azemi ka përmendur edhe ndërtimin e shtëpive në Graçanicë për komunitetin serb, duke thënë se “atje ndërtohen soliterat, e ne nuk kemi një shujtë”.

    “Ne mendojmë se kjo qeveri edhe ka kryer punë nuk është se ka kryer por ka kryer punë qysh se dje ndertoj solitera për të tjerët nuk jemi kundër, por deri sa atje ndërtohen soliterat ne nuk kemi një shujtë. Kryeministri i Kosovës i shpenzon rezervat shtetërore, kryeministri i Kosovës paguan njerëz nga 7 mijë euro nga ambasadat tjera dhe neve nuk na jep as 7 cent. Qeveria me politikat e veta e ka mbyt kapitalin e Kosovës, nëse vazhdon kështu, kryeministrin e Kosovës nuk ka kush të bart me xhipa të zi, se Kosova po zbrazet. Këta njerëz që po dalin, po dalin sepse paga është 170 euro, neve na ka rrejt se ne momentin kur vjen në Qeveri, paga do të jetë 350 euro dhe sot ajo është 170 euro”, tha Azemi.

    E kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, tha se prania e tyre në masë të madhe, tregon për fuqinë që e kanë. Ai i bëri ftesë ekzekutivit që të angazhohet për dialog me sindikatat.

    “Prania jonë këtu është dëshmi e besimit tonë në fuqinë e dialogut dhe angazhimit konstruktiv. Jemi mbledhur për të nxitur mirëkuptim për hapa të mëtutjeshëm. Qeverisë i bëjmë ftesë të hapur për tu angazhuar për dialog. Kërkesat tona lindin nga një dëshirë e përbashkët për punëtorët e arsimit, sektorit privat, dhe gjithë punëtoret në Kosovë”, tha Hykolli.

  • Zëvendëskryeministri Bislimi u takua me Sekretarin e Shtetit të Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës

    Zëvendëskryeministri Bislimi u takua me Sekretarin e Shtetit të Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua ditën e djeshme gjatë qëndrimit në Zvicër me Sekretarin e Shtetit të Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës (FDFA), Alexandre Fasel.

    Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi perspektivën evropiane të vendit tonë, objektivat e synimet e rrugëtimit në proceset e integrimit evropian dhe zhvillimin e progresin e vendit tonë. U nënvizua se përmes programit tonë qeveritar dhe politikave të ndërmarra, kemi dëshmuar përkushtimin e fuqishëm për qeverisje demokratike dhe bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, për rritje ekonomike të qëndrueshme, me shpërndarje të drejtë e të barabartë tek të gjithë qytetarët.

    Më tej, u diskutua dhe rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi vlerat demokratike të shtetit tonë dhe synimin e përafrimit me bashkësinë evropiane, ku një hap i rëndësishëm është dhe anëtarësimi në këtë organizatë.

    Në mesin e temave të trajtuara ishin dhe situata në vend dhe rajon si dhe procesi i dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi Fasel për mikpritjen, bisedën e çmuar dhe pikëpamjet e shkëmbyera, duke theksuar dhe rëndësinë e vazhdimit të fuqizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona.