ATV

Author: ATVLive

  • Për t’i “mbushur bateritë”, Kosovës i duhen kapacitete të reja prodhuese

    Për t’i “mbushur bateritë”, Kosovës i duhen kapacitete të reja prodhuese

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pas nisjes zyrtare të programit Kompakt me Korporatën e Sfidave së Mijëvjeçarit – MCC, Kosova ka pesë vjet për të finalizuar projektin në vlerë 236 milionë dollarë, të fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë elektrike.

    Me instalimin e baterive me kapacitet deri në 340 megavatë/orë, Qeveria synon të lehtësojë integrimin e burimeve të ripërtërishme në sistem.

    Statistikat e fillim-vitit tregojnë se vetëm rreth 10% të prodhimit të përgjithshëm, i përket asaj që cilësohet energji e pastër – nga dielli, era apo uji – derisa termocentralet me qymyr mbesin dominante.

    Në vlerësimin e njohësit Lulzim Syla, projekti i baterive është nga më të mirët në sektorin e energjisë pas luftës.

    Por, duke përmendur ankandin tashmë të mbyllur për parkun solar, atë me erë në proces, si dhe projekt-planet e KEK-ut dhe Termokosit, ai theksoi nevojën për shtim në kapaciteteve të reja prodhuese për t’ua rritur rëndësinë baterive.

    “Përveç kapaciteteve ekzistuese të termocentraleve dhe burimeve të ripërtërishme, për t’i dhënë një vlerë të shtuar këtij projekti të rëndësishëm, do të ishte shumë me rëndësi të ndiqet zbatimi i strategjisë së energjisë 2031, e që parasheh implementimin e 1500 megavatë të burimeve të ripërtërishme”, tha Syla.

    Pasi sqaroi koeficientin e prodhimit të burimeve të ripërtërishme, Syla tha se sfidë mbetet përcaktimi për të zgjedhur ndërmjet riparimit të termocentraleve, mbylljes së tyre apo ndërtimin e kapaciteteve të reja.

    “Ndoshta prapë edhe pas implementimit të 1500 megavatëve, do të dominojë energjia elektrike që fitohet nga energjia termike përmes qymyrit në Kosovë. Por, mbetet që edhe nga ana e institucioneve qeveritare, në bashkëpunim me bizneset dhe shoqërinë civile, që të gjejmë një rrugëtim të saktë se cili do të jetë vizioni ynë për një energji të pastër, që edhe pas vitit 2030, 2035, 2040, ta shohim perspektivën e saktë se cili do të jetë mozaiku i përgjithshëm të energjisë”, tha Syla.

    Në muajin Mars, Qeveria themeloi Korporatën për Ruajtjen e Energjisë e cila do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë bateritë.

    Përveç sistemit të ruajtjes së energjisë, programi Kompakt parasheh investime në rritjen e resurseve njerëzore në këtë sektor, si dhe mbështetjen e bizneseve.

  • Punëtorët në Kosovë protestojnë për kushte më të mira pune

    Punëtorët në Kosovë protestojnë për kushte më të mira pune

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kërkesat që i patën i përsëritën në këtë mënyrë mbi 1 orë.

    Qindra punonjës 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, i gjeti para institucioneve të vendit duke kërkuar paga më të larta, kushte më të mira dhe dialog social.

    Në bazë të asaj çfarë kërkuan kryesindikalistët, koeficienti i bie të jetë mbi 140 euro.

    Përveç kësaj ata kërkuan që plotësimi i Ligjeve përkatëse të mos bëhet pa pajtimin e sindikatave, të funksionalizohet Këshilli Ekonomik Social e po ashtu të zbatohet Kontrata kolektive.

  • Kurti: Partneriteti në mes Qeverisë qendrore dhe lokale i bën komunitetet më të suksesshme

    Kurti: Partneriteti në mes Qeverisë qendrore dhe lokale i bën komunitetet më të suksesshme

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë një video pas dorëzimit të 34 apartamenteve të reja në Suhadoll të Komunës së Graçanicës.

    “34 apartamente të reja për 83 banorë të rinj dhe mundësi të reja për familjet e tyre në Suhadoll të Komunës së Graçanicës”, njoftoi ai.

    Në Strategjinë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre, të cilën qeveria e miratoi katër muaj më parë, kryeministri Kurti thotë se ishin zotuar për mbylljen e qendrave kolektive dhe zëvendësimin e tyre me hapësira të reja banimi sikurse këto që u përuruan dje.

    “Duke u ofruar kështu një jetesë më të mirë dhe vendbanim afatgjatë bashkëqytetarëve tanë nga radhët e komuniteteve joshumicë. Jemi krenar me kontributin tonë përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që ka siguruar bashkëfinancimin në këtë projekt, por edhe mirënjohës për partnerët tanë, pa të cilët nuk do të arrihej ajo që dje e festuam. Zyra e BE-së në Kosovë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm financiar. Komuna e Graçanicës ka dhuruar tokën dhe ka ndihmuar në projektimin e hapësirave komunale dhe zonave rekreative. UNHCR-ja dhe partneri i tyre zbatues, Advancing Together, i kanë mbështetur të gjithë këto familje përmes vlerësimit dhe përzgjedhjes, dhe Këshilli Danez për Refugjatët e ka bashkërenduar procesin gjatë gjithë kohës”.

    “Ky lloj partneriteti – ndërmjet qeverisë qendrore, qeverisjes lokale, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile – është ajo çfarë i bën komunitetet e suksesshme dhe të qëndrueshme”, shkroi Kurti në Facebook.

  • Janë bërë 333 ankesa në Inspektoratin e Punës për tre muaj

    Janë bërë 333 ankesa në Inspektoratin e Punës për tre muaj

    1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punës, punëtorët kosovarë i gjen me shkelje të të drejtave. Për kushte më të mira dhe ngritje të pagave, sot mbahet një protestë, nga ora 10.30, në Prishtinë. Kryesindikalisti i arsimit tha se kërkesa kryesore është ngritja e koeficientit të pagës për 30 për qind. Nga Inspektorati i Punës, ndërkaq, thonë se në tre mujorin e parë kanë pranuar dhe trajtuar mbi 300 ankesa.

    Mungesa e kontratave të punës, mosrespektimi i tyre dhe shkeljet e ndryshme të dispozitave të Ligjit të Punës, janë problemet kryesore me të cilat vazhdojnë të përballen punëtorë në Kosovë.

    Radio Kosova ka pyetur Inspektoratin e Punës në lidhje me numrin e ankesave dhe për shkeljet më të shpeshta që hasen në terren.

    “Për periudhën janar-mars 2024 Inspektorati Qendror i Punës ka pranuar dhe trajtuar brenda afateve ligjore 333 ankesa. Shkeljet më të mëdha janë shkëputje e kontratës në mënyrë të njëanshme, mungesa e kontratës së punës, moskompensim i orëve të punës jashtë orarit”, ka thënë, në një përgjigje me shkrim, Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.

    Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, në një prononcim për Radio Kovën thotë se këtë vit, 1 Maji po i gjen jo mirë punëtorët kosovarë.

    “Nuk kemi marrëveshje të përgjithshme kolektive, e cila i mbron të punësuari në Kosovë, nuk kemi Këshill Ekonomik Social funksional, ku bëhet dialogu social për të gjithë të punësuarit. Nuk kemi sigurim shëndetësor i cili është shumë i nevojshëm. Do të thotë 1 Maji, punëtorët i gjen në një gjendje jo të mirë”, tha Hykolli.

    BSPK nuk ka paraparë ndonjë aktivitet për të shënuar Ditën e Punës, por ata përkrahin protestën që sot do të organizohet nga SBASHK-u.

    Kryesinidikalisti i arsimit, Rrahman Jasharaj, teksa u ankua për mungesë të dialogut social me qeverinë, tregoi kërkesat kryesore.

    “Në protestë do të jetë edhe kërkesa për kushte më të mira të punës, ngase po sulmohemi vazhdimisht si mësues, ndonëse kushtet e punës në shkollat tona nuk janë të shekullit XXI. Kërkesë tjetër e sindikatave do të jetë që në mënyrë urgjente të lëvizë vlera e koeficientit për paga për së paku 30 për qind”, tha Jasharaj.

    1 Maji – Dita Ndërkombëtare e punës , shënohet që nga viti 1866 dhe lidhet ngushtë me protestat e përgjakshme të mijëra punëtorëve të fabrikave në Çikago, në Amerikë, të cilët kërkonin më shumë të drejta.

  • Baleti Kombëtar i Kosovës fiton çmimin e parë në Albanian Dance Competition

    Baleti Kombëtar i Kosovës fiton çmimin e parë në Albanian Dance Competition

    Shfaqja “Time”, produksion i Baletit Kombëtar të Kosovës, është shpërblyer me çmimin e parë të festivalit “Albanian Dance Competition, Creativity&Interpretation”, për koreografinë më të mirë, mbajtur në qytetin e Elbasanit.

    Përgëzime të shumta ka pranuar koreografi i shfaqjes Taulant Shehu dhe balerinët e BKK, të cilët kanë arritur të krijojnë një produkt të jashtëzakonshëm, të cilin pati mundësi ta shijoj mbrëmë edhe audienca e Elbasanit.

  • BE nis hetimin për dezinformim kundër gjigantit të mediave sociale Meta

    BE nis hetimin për dezinformim kundër gjigantit të mediave sociale Meta

    Komisioni Evropian ka hapur një hetim kundër Instagram dhe Facebook, të dyshuar për mospërmbushje të detyrimeve të tyre për të luftuar dezinformimin përpara zgjedhjeve evropiane në qershor. Komisioni ka frikë se dy mediat sociale mund të manipulojnë disi zgjedhjet duke ndikuar tek votuesit me opinione anti-ukrainase dhe pro-ruse.

    Komisioni ka nisur procedurat zyrtare për të vlerësuar nëse Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, mund të ketë shkelur Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA). Shkeljet e supozuara kanë të bëjnë me politikat dhe praktikat e Metës në lidhje me reklamat mashtruese dhe përmbajtjen politike në shërbimet e saj, fushatat e dezinformimit dhe sjelljet e koordinuara joautentike në BE.

    “Ne dyshojmë se moderimi i Meta-s është i pamjaftueshëm, se i mungon transparenca e reklamave dhe procedurat e moderimit të përmbajtjes. Kështu që sot kemi hapur procedimin ndaj Meta-s për të vlerësuar pajtueshmërinë e tyre me Ligjin e Shërbimeve Dixhitale”, tha në një deklaratë shefja dixhitale e BE-së Margrethe Vestager.

    Meta, e cila ka më shumë se 250 milionë përdorues aktivë mujorë në Bashkimin Evropian, mbrojti procesin e saj.

    “Ne kemi një proces të mirëpërcaktuar për identifikimin dhe zbutjen e rreziqeve në platformat tona. Ne mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Komisionin Evropian dhe t’i ofrojmë atyre detaje të mëtejshme të kësaj pune,” tha një zëdhënës.

  • Avokati i Popullit: Gjendja e punëtorëve jo e mirë, korniza ligjore që rregullon sigurinë dhe shëndetin në punë s’është e plotë

    Avokati i Popullit: Gjendja e punëtorëve jo e mirë, korniza ligjore që rregullon sigurinë dhe shëndetin në punë s’është e plotë

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se vendi vazhdon të jetë në gjendje jo të mirë për punëtorët dhe se duhet të përmirësohet kjo gjendje.

    Për përmrësimin e kësaj gjendje, Avokati i Popullit vlerëson se duhet angazhim i gjithë sektorëve.

    “Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, thekson se vendi vazhdon të jetë në gjendje jo të mirë për punëtorët. Shumë sfida mbesin përpara për të cilat duhet angazhim i të gjithë sektorëve për përmirësimin e kësaj gjendjeje”, thuhet në reagim.

    Qelaj thekson edhe nevojën e marrjes së masave për parandalimini e aksidenteve në punë si dhe sigurinë e ruajtjen e punëtorëve.

    “Avokati i Popullit, duke parë rastet e shpeshta të aksidenteve në vendin e punës, me pasoja deri në fatalitet, e në veçanti në sektorin e ndërtimit, fton autoritetet publike përgjegjëse për zbatimin e ligjit, që t’i përmbushin obligimet ligjore që kanë në marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve në punë, sigurinë dhe ruajtjen e shëndetit në punë për të punësuarit, si në sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik. Për vite me radhë, Avokati i Popullit ka reaguar për parregullsitë në fushën e ligjit të punës dhe shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, ku numri më i madh i rasteve ka të bëjë me diskriminimin. Për shkak të nivelit të lartë të papunësisë, rastet e diskriminimit në vendin e punës ende raportohen shumë rrallë te mekanizmat mbrojtës, për shkak se punëtorët kanë frikë t’i raportojnë”, thuhet më tej në reagim.

    Po ashtu, sfidë sipas Avokatit të Popullit mbetet edhe stërgjatja e procedurave gjyqësore për zgjidhjen e kontesteve të punës.

    “Një sfidë tjetër serioze është stërzgjatja e procedurave gjyqësore për zgjidhjen e kontesteve të punës që mbetet si pengesë për funksionimin e zbatimit të ligjit të punës sa i përket mbrojtjes gjyqësore të të drejtave. Po ashtu, Avokati i popullit ndër vite ka qenë i angazhuar në diskutime për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe punës së denjë nga perspektiva e standardeve të ndjeshme gjinore. Avokati i Popullit thekson se korniza ligjore që rregullon sigurinë dhe shëndetin në punë nuk është e plotë dhe nuk siguron mbrojtjen e të punësuarve nga aksidentet dhe dëmtimin e shëndetit në punë. Po ashtu, duhet bërë më shumë që legjislacioni të sigurojë mjaftueshëm përgjegjësitë dhe detyrimet për punë të dinjitetshme”, thuhet në reagim.

    Andaj, Qelaj në fund thekson se pjesë e mandatit të tij, Avokati i Popullit do të vazhdojë të monitorojë dhe të ndikojë në përmirësimin e kushteve të punës për të gjithë punëtorët në Republikën e Kosovës. /BetimipërDrejtësi

  • Katër persona të plagosur në Lupç të Podujevës

    Katër persona të plagosur në Lupç të Podujevës

    Tre persona kanë mbetur të plagosur, dhe një tjetër ka pësuar lëndime nga thika në Lupç të Podujevës.

    Rastin e ka konfirmuar për Reporteri.net, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Ahmeti ka bërë të ditur se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë po ndërmarrin veprimet për ndriçimit e plotë të rastit.

    “Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë). Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.

  • Nderohen Albright dhe ushtarët e vrarë gjatë bombardimeve, Osmani: Do të jetojnë përherë në zemrën e çdo qytetari

    Nderohen Albright dhe ushtarët e vrarë gjatë bombardimeve, Osmani: Do të jetojnë përherë në zemrën e çdo qytetari

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë të martën në ceremoninë e përurimit të dy sallave të konferencave në objektin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

    Njëra nga sallat do të bartë emrin e ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Algright, kurse dy të tjerat të të dy ish-oficerëve të vrarë gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999. Ata janë David Biggs dhe Kevin Reichert.

    Osmani një ditë pas ceremonisë ka shkuar se ata do të jetojnë në zemrat e kosovarëve përherë.

    “Shërbimi, kontributi dhe përkushtimi i tyre tani nderohen përgjithmonë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë dhe trashëgimia e tyre do të jetojë në zemrat e çdo qytetari të vendit tonë”, ka shkruar ajo ndër të tjera.

    Postimi i plotë:

  • Përfundon dëshmia e dëshmitarit të 60-të, gjykimi në ndaj Thaçit dhe të tjerëve rinis më 6 maj

    Përfundon dëshmia e dëshmitarit të 60-të, gjykimi në ndaj Thaçit dhe të tjerëve rinis më 6 maj

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka mbaruar dëshminë dëshmitari i 60-të në rastin e ish-krerëve të UCK-së.

    Dëshmia e këtij dëshmitari e cila u dëgjua në seancë të mbyllur për publikun, mbaroi brenda sesionit të paradites. Si rrjedhojë, për arsyeje se nuk kishte dëshmitar tjetër gati, pjesa tjetër e seancës nuk u mbajt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas trupit gjykues, Charles Smith III, seanca e paraparë për nesër do të anulohet dhe gjykimi do të rinis javës tjetër, përkatësisht të hënën më 6 maj 2024 duke filluar nga ora 09:00 me 45 minuta vonesë në transmetim.

    Mbrojtja kërkon që një prej dëshmive që do të dëgjohet javën e ardhshme të mos ketë vlerë provuese në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    (Përditësuar, ora 11:20)-Mbrojtja e Rexhep Selimit, përmes avokatit Eric Tully sot në emër edhe të ekipeve të tjera mbrojtëse kërkoi që njëra nga dëshmitë që pritet të dëgjohet javën e ardhshme të mos ketë vlerë provuese në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Tully tha se parashtrimi i tyre lidhet me një album fotografish që dëshmitari është pyetur gjerë e gjatë ndërsa, mbrojtja nuk i ka në dispozicion. Avokati tha se ZPS-ja iu kishte thënë që as ata nuk i kanë në zotërim këto fotografi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Kjo ka të bëjë lidhur me kërkesën e përdorimit të rregullës 154 për të ndjekur përmes videolidhjes dëshmitarin e javës së ardhshme. Ekipet e mbrojtjes nuk e kundërshtojnë këtë kërkesë për vidolidhje, por kemi një koment lidhur me një prej dokumenteve që do të përdorën. Bëhet fjale për materialin 021672021673 i redaktuar, lidhet me dëshminë në një procedurë hetimore. Janë faqe që gjenden në materialin… ku dëshmitari është pyetur gjerë e gjatë lidhur me një album fotografish. Desha të thoja që neve nuk na e kanë dhënë albumin me fotografi dhe prokuroria thotë që as ata nuk e kanë në zotërim këtë album të fotografive. Kështu që ne mendojmë që kjo dëshmi nuk duhet të ketë vlerë provues. Ndryshe, nuk do e kundërshtojmë pjesën për videolidhje”, tha Tully.

    Lidhur me këtë parashtrim të ekipeve mbrojtëse, nuk patën asgjë për të thënë përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ndërsa, seanca vazhdoi e mbyllur për publikun për t’u dëgjuar dëshmitari.

    Në seancë të mbyllur dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të 60-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është duke u dëgjuar dëshmia e dëshmitarit të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me kodin 04731 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Dëshmia e këtij dëshmitari është duke u dëgjuar në seancë tërësisht të mbyllur për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Përpara kësaj, kryetari i trupit gjykues njoftoi për procesverbal se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit përveç Jakup Krasniqit i cili është i pranishëm përmes video-lidhjes.

    Kurse, me arsyetimin se do të diskutohet një çështje, në fillim seanca kaloi në sesion privat e më pas për t’u mbyllur tërësisht.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi