Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e pesë personave për incidentin me armë zjarri dje në fshatin Lupç të Podujevës.
Sipas policisë, tre nga ta ende janë në trajtim mjekësor dhe nën sigurimin e policisë.
“Fsh.Lupç, Podujevë 01.05.2024-15:32. Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që pas një mosmarrëveshje të mëhershme janë përplasur në mes veti, në rast është përdorur edhe armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar të kalibrit të vogël. Të dyshuarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Me urdhër të prokurorit, janë bastisur shtëpitë e personave të dyshuar, në njërën prej tyre janë gjetur dhe konfiskuar disa copë fishekë të llojeve të ndryshme, po ashtu janë konfiskuar edhe dy vetura. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit dërgohen në mbajtje, mirëpo tre prej tyre ende janë duke marr tretman mjekësor në QKUK dhe janë nën sigurim të policisë”, thuhet në raportin e policisë.
SHBA-ja ka sanksionuar 31 kompani kineze mes 200 objektivave të saj lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë.
“SHBA sanksionoi 31 kompani me bazë në PRC për ofrimin e teknologjive kritike për Rusinë për bazën e saj industriale të mbrojtjes,” tha Nicholas Burns, kryediplomati i Uashingtonit në Pekin, duke iu referuar Kinës me emrin e saj zyrtar.
“Ne thamë se do të vepronim nëse Kina nuk i ndalonte këto shitje,” tha ai në X.
Nisja e sanksioneve vjen disa ditë pasi Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë një udhëtimi në Pekin paralajmëroi se Uashingtoni mund të vendosë sanksione ndaj subjekteve kineze për mbështetjen e tyre ndaj industrisë ruse të mbrojtjes. Departamenti i Shtetit tha të mërkurën se po caktonte disa entitete kineze “përgjegjëse për zhvillimin dhe furnizimin e hapësirës ajrore, prodhimit dhe pajisjeve teknologjike me përdorim të dyfishtë për subjektet me bazë në Rusi”.
“Në mënyrë të veçantë, këto emërtime synojnë prodhuesit dhe eksportuesit e artikujve kritikë për bazën e mbrojtjes-industriale të Rusisë, disa prej të cilëve kanë dërguar mallra në entitete të përcaktuara nga SHBA-ja në Rusi,” thuhet në një deklaratë. (AA)
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se masat e BE-së ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim. Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian, teksa shtoi se masat duhet të largohen.
Kështu u shpreh shefi i ekzekutivit në mbledhjen e Këshillit Ministrave për Integrim Evropian ku u theksuan reformat kyçe të programit kombëtar për integrim evropian.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se pas një dekade stagnimi, zgjerimi i BE-së është kthyer në agjendë.
“Anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi mijëra pyetjeve nga Komisioni Evropian. Anëtarësimi në BE është zgjedhje strategjike. Mobilizimi për të kapur hapin, ka bërë qe shumë reforma të përmbyllim. Nga 1 janari qytetarët tanë po lëvizin lirshëm në zonën shengen. Kemi zbatuar dyfishin e reformave të planifikuara”, deklaroi Kurti.
Kurti përsëriti se masat nga BE duhet të largohen.
“Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave të BE në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, deklaroi ai.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se programi kombëtar i integrimeve evropiane është dokument strategjik.
“Këto reforma ndihmojnë në nxitjen e zhvillimit ekonomik”, shtoi ai.
Të gjithë në mbështetje të Edon Zhegrovës, ja si të votoni yllin e “Dardanë” për të fituar çmimin lojtari i vitit në Francë.
Në elitën e futbollit francez, një emër është duke shkëlqyer në këtë sezon, e ai është Edon Zhegrova.
Me paraqitjet e tij të shkëlqyer në fushë, lojtari nga Kosova po konkurron për titullin e ‘Lojtarit të Vitit’ në Francë, duke garuar drejtpërdrejt me yjet e njohura si: Mbappé, Dembele dhe Aubameyang, shkruan atvlive.tv.
Zhegrova, i cili aktualisht luan për ekipin e famshëm francez Lille, ka treguar një formë të jashtëzakonshme në këtë sezon. Performancat e tij të mrekullueshme në fushë kanë bërë që shumë klube të mëdha botërore të shfaqin interesim për reprezentuesin e Kosovës.
Për të votuar Zhegrovën klikoni në këtë LINK dhe pasi ta hapet e klikoni fotografinë ku shihet ylli ‘Dardan’.
Kujtojmë që nëse Edon Zhegrova e fiton këtë çmim do të ishte çmimi më i rëndësishëm që e ka fituar një lojtar nga Kosova në Francë.
I arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në fund të janarit, bashkëpunëtori profesional në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Deli Halili, e ka pranuar fajësinë gjatë intervistimit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.
Kësaj prokurorie, ku u transferua rasti dy javë pas arrestimit, mbrojtja e Halilit i ka propozuar negocim për pranim të fajësisë.
Por Halili, dyshohet se nuk i ekzekutoi vendimet për burgim, në bashkëkryerje me referentin të po të njëjtës gjykatë, Ismajl Ismajli, dhe për këtë, sipas avokatit Berat Tmava, ende nuk është ndërmarrë ndonjë veprim.
“Me datë 20.03.2024, i mbrojturi im ka dhënë deklaratën e tij dhe në tërësi e ka pranuar fajësinë për veprën penale që e ngarkon Prokuroria, ndërsa për sa i përket propozimit për negocim lidhur me pranimin e fajësisë, meqenëse, sipas prokurorisë, vepra penale dyshohet se është kryer në bashkëkryerje, Prokuroria nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim që të iniciojë këtë propozim”, tha Berat Tmava, avokat i Deli Halilit.
Halili, bashkëpunëtor profesional, e Ismajli referent në Zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po hetohen rreth dyshimeve se në nëntë raste nuk i ekzekutuan vendimet për burgim.
Hetimet dhe intervistimin e tyre e ka konfirmuar në një përgjigje me shkrim Prokuroria Themelore e Prizrenit, e cila ka kërkuar që t’u vazhdohet masa e paraburgimit.
“Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prizren ju konfirmon se, ndaj të pandehurve D.H., dhe I.I., është iniciuar hetimi formal sipas Aktvendimit për fillimin e hetimeve. Ata janë dëgjuar nga Prokurori i shtetit në prezencën e mbrojtësve të tyre lidhur me dyshimin e arsyeshëm se në bashkëveprim, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Të pandehurit në fjalë vazhdojnë të qëndrojnë nën masën e paraburgimit, sepse ende vazhdojnë të qëndrojnë shkaqet dhe arsyet ligjore të parapara me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale për të cilat edhe u është caktuar kjo masë”, tha Fitore Mehmeti nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Ndërkohë, kërkesa është aprovuar nga Gjykata e Prizrenit, e cila nën arsyetimin se nëse lihen në liri ndër të tjera do të mund të ndikonin në dëshmitarë, të cilëve dyshohen se u kanë kryer favore, ua vazhdoi masën edhe për një muaj.
“Ekziston rreziku se mund të bashkërendojnë deklaratat e tyre, si dhe të fshehin, asgjësojnë apo ndryshojnë provat eventuale të rastit, andaj vazhdimi i paraburgimit është i arsyeshëm në këtë fazë. Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat po dyshohen, i cili dyshim rrjedh nga provat materiale të siguruara deri në këtë fazë, siç janë deklaratat e të pandehurve, dosjet penale të të dënuarve, foto-dokumentacionet dhe shkresat e tjera të lëndëve”, tha Marcel Lekaj, udhëheqës i Zyrës për Informim .
Vazhdimin e paraburgimit, përveç avokatit të Halilit, e ka kundërshtuar në Supreme, edhe ai i Ismajlit.
Dy zyrtarët e Gjykatës së Prishtinës u arrestuan më 29 janar, nën dyshimet se në kuadër të punëve në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale, mbajtën fshehtë, duke mos i ekzekutuar vendimet për burgim, të paktën në nëntë raste, me qëllim të përfitimit material.
Procesi i rigjykimit për vrasjen e Marigona Osmanit, më 16 maj pritet të fillojë me kërkesat e Gjykatës së Apelit, e cila e ktheu rastin në rigjykim.
Dy kërkesa të cilat Apeli i kërkoi në këtë rishqyrtim ndaj dy të dënuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, janë dëshmitarë të rinj, por edhe ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët do të duhej vërtetuar nivelin e mizorisë së vrasjes së 18-vjeçares, siç është thënë.
Kërkesat jo vetëm që po konsiderohen absurde por, avokati mbrojtës i familjes Osmani thotë se njëkohësisht janë vështirë të realizueshme.
“Të çohesh të kërkosh ekspert të mjekësisë ligjore për ta konstatuar mizorinë e vdekjes po besoj që këso eksperti nuk ka pasur asnjëherë në Kosovë edhe është problem me u caktua një gjë e tillë”, tha Gazmend Rexhepi, avokat i familjes së Marigona Osmanit.
Këto kërkesa të Apelit, siç thotë avokati, mund ta detyrojnë familjen që video-incizimet të cilat e dëshmojnë vrasjen të mos mbesin vetëm në sirtarët e Gjykatës.
Marigona Osmani u vra në gusht të vitit 2021, në banesën në të cilën jetonte bashkë me Dardan Krivaqën.
Pas gati 1 viti të gjykimit, Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm, ndërkaq miku i tij i akuzuar i dytë në këtë rast, Arbër Sjediu u dënua më 15 vjet burgim.
Për shkak të disa vërejtjeve Gjykata e Apelit ktheu rastin në rigjykim.
Pankartat u bënë gati, e edhe protestuesit u mblodhën për të filluar marshin. Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, këta dhjetëra qytetarë thirrje bënë për paga më të larta e dinjitet.
“Dita-ditës bëhemi më të vetëdijshëm për realitetin tonë të ri, varfërues e shfrytëzues. Jetesa jonë kushtëzohet me shitjen tonë në tregun ekonomik, treg i cili mbizotëron dhe shtrin pushtetin në secilën sferë të jetës. Gjithsesi, ky realitet kapitalist ka filluar të tregojë çarjet e veta”, tha Auron Doli, aktivist.
Në këtë marsh thirrje u bë edhe për barazi gjinore.
“Institucioni i policisë, i cili gjithmonë ka shërbyer për të shuar rezistencën ndaj rendit ekzistues, vazhdon traditën e vet edhe në gjendjen më alarmante të këtij bashkëdyzimi shtypës ekonomik dhe gjinor që ka pasur ndonjëherë Kosova. Çlirimi i grave nuk arrihet pa çlirimin e plotë nga kapitalizmi dhe patriarkati”, tha Doli.
Marshi protestues i Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist përfundoi para zyrave të Inspektoratit të Punës.
Ndërkaq, për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve protestë u organizua edhe nga sindikatat e ndryshme të punëtorëve.
Qe shtatë muaj, kryetari i Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik, është pa mandat.
Osman Vishajt, mandati 5-vjeçar i ka skaduar më 2 nëntor të vitit të kaluar, për çka e ka njoftuar edhe kryeministrin Albin Kurti e kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Ndonëse Ligji i Prokurimit Publik, parasheh që Qeveria duhet t’i propozojë një emër Kuvendit, ekzekutivi nuk ka treguar për emërimin e udhëheqësit të ri të KRPP-së.
Meqë, kryetari aktual nuk ka të drejtë riemërimi, për shoqërinë civile fakti që Qeveria nuk ka vepruar deri tani është shqetësues.
Ndërkaq, sipas Ferat Shalës, anëtar i Komisionit për Buxhet kjo situatë më së shumti i përshtatet Qeverisë.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, është njëri prej tri organeve qendrore që funksionon në fushën e tenderimit.
Në terma më të thjeshtë, KRPP-ja kishte konstatuar se Ministria e Infrastrukturës kishte vendosur një kriter të kundërligjshëm në dosjen e tenderit për rrugën Prishtinë – Podujevë.
Pikërisht për nënshkrimin e kontratave për këtë rrugë, Prokuroria Speciale e ka ftuar për intervistim zëvendësministrin Hysen Durmishi. KRPP-ja, gjithashtu, në prill të vitit të kaluar i kishte kërkuar kësaj ministrie të vendosë masa ndaj zyrtarit të prokurimit, Nexhat Krasniqi, i cili më pas u fut në listën e zezë të SHBA-së.
Tre nënkryetarët serbë të komunave veriore, do t’i gëzoheshin anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Nënkryetarët e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, ia thanë këtë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në takimin e mbajtur të mërkurën.
“Të gjitha ato më thanë që e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre. Dhe, më premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa, gjithashtu”, tha Kurti.
Kurti, të mërkurën, takoi edhe ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, nga i cili mori zotimin për mbështetje nga Republika e Turqisë për votimin e ardhshëm në Komitetin e Ministrave, ku do të vendoset pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në KIE.
Në mes të prillit, shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Sipas përpilueses së këtij raporti, deputetes greke, Dora Bakoyannis, Kosova është kandidati të cilit i është dashur të bëjë më së shumti punë që kandidatura t’i sillej për diskutim.
“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të bëjë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro raportit”, tha Bakoyannis.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022.
Ndërkaq, këtë muaj, do të mbahet mbledhja e komitetit të ministrave, me ç’rast Kosovës i duhen 2/3 e votave nga 46 vendet anëtare, për t’u pranuar si anëtare e plotë.
Pas nisjes zyrtare të programit Kompakt me Korporatën e Sfidave së Mijëvjeçarit – MCC, Kosova ka pesë vjet për të finalizuar projektin në vlerë 236 milionë dollarë, të fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë elektrike.
Me instalimin e baterive me kapacitet deri në 340 megavatë/orë, Qeveria synon të lehtësojë integrimin e burimeve të ripërtërishme në sistem.
Statistikat e fillim-vitit tregojnë se vetëm rreth 10% të prodhimit të përgjithshëm, i përket asaj që cilësohet energji e pastër – nga dielli, era apo uji – derisa termocentralet me qymyr mbesin dominante.
Në vlerësimin e njohësit Lulzim Syla, projekti i baterive është nga më të mirët në sektorin e energjisë pas luftës.
Por, duke përmendur ankandin tashmë të mbyllur për parkun solar, atë me erë në proces, si dhe projekt-planet e KEK-ut dhe Termokosit, ai theksoi nevojën për shtim në kapaciteteve të reja prodhuese për t’ua rritur rëndësinë baterive.
“Përveç kapaciteteve ekzistuese të termocentraleve dhe burimeve të ripërtërishme, për t’i dhënë një vlerë të shtuar këtij projekti të rëndësishëm, do të ishte shumë me rëndësi të ndiqet zbatimi i strategjisë së energjisë 2031, e që parasheh implementimin e 1500 megavatë të burimeve të ripërtërishme”, tha Syla.
Pasi sqaroi koeficientin e prodhimit të burimeve të ripërtërishme, Syla tha se sfidë mbetet përcaktimi për të zgjedhur ndërmjet riparimit të termocentraleve, mbylljes së tyre apo ndërtimin e kapaciteteve të reja.
“Ndoshta prapë edhe pas implementimit të 1500 megavatëve, do të dominojë energjia elektrike që fitohet nga energjia termike përmes qymyrit në Kosovë. Por, mbetet që edhe nga ana e institucioneve qeveritare, në bashkëpunim me bizneset dhe shoqërinë civile, që të gjejmë një rrugëtim të saktë se cili do të jetë vizioni ynë për një energji të pastër, që edhe pas vitit 2030, 2035, 2040, ta shohim perspektivën e saktë se cili do të jetë mozaiku i përgjithshëm të energjisë”, tha Syla.
Në muajin Mars, Qeveria themeloi Korporatën për Ruajtjen e Energjisë e cila do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë bateritë.
Përveç sistemit të ruajtjes së energjisë, programi Kompakt parasheh investime në rritjen e resurseve njerëzore në këtë sektor, si dhe mbështetjen e bizneseve.