ATV

Author: ATVLive

  • Vuçiqit s’i bën për zhgënjimin e Amerikës: Edhe Dodik është i sanksionuar, por unë rri e pi me të

    Vuçiqit s’i bën për zhgënjimin e Amerikës: Edhe Dodik është i sanksionuar, por unë rri e pi me të

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, folur rreth shprehjes së zhgënjimit të Departamentit të Shtetit të ShBA-së për përfshirjen e Aleksandar Vulin dhe Nenad Popoviq në kabinetin e ri qeveritar, ku të dy janë të sanksionuar nga Uashingtoni.

    Ai ka thënë se “Qeveria e Serbisë zgjidhet nga qytetarët serbë”, duke shtuar se edhe presidenti i Republika Sërpskës, Milorad Dodik është nën sanksione amerikane, por që ai vazhdimit rri me të, raporton Nova.

    “Epo edhe Dodik është i sanksionuar por që është pranë meje. Kështu që le të pimë. Ne pimë bashkë një herë në javë, ai mban një gotë raki, unë një gotë vere dhe çfarë?”, është shprehur Vuçiq.

    “Nuk është lajm i mirë për ne [shprehja e zhgënjimit], por të shpresojmë që të kemi marrëdhënie të mira me partnerët amerikanë. Nuk jam i lumtur me reagimin e tyre, pro qeveria zgjidhet nga qytetarët, kështu që ç’nënkupton ajo”.

    “Kur ata vendosin sanksionet ndaj dikujt, ne duhet ta ulim kokën dhe të themi: Po, faleminderit që na njoftuat se kush nuk vlen. Epo edhe Dodik është zgjedhur nga njerëzit dhe unë do të kem respekt për ta, sikurse kam respekt për ata që janë zgjedhur këtu”.

  • Në seancë të mbyllur dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të 60-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në seancë të mbyllur dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të 60-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është duke u dëgjuar dëshmia e dëshmitarit të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me kodin 04731 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Dëshmia e këtij dëshmitari është duke u dëgjuar në seancë tërësisht të mbyllur për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Përpara kësaj, kryetari i trupit gjykues njoftoi për procesverbal se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit përveç Jakup Krasniqit i cili është i pranishëm përmes video-lidhjes.

    Kurse, me arsyetimin se do të diskutohet një çështje, në fillim seanca kaloi në sesion privat e më pas për t’u mbyllur tërësisht.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • 1 Maji – Dita e Punëtorëve, vërehet fluks më i vogël i qytetarëve që frekuentojnë Gërminë

    1 Maji – Dita e Punëtorëve, vërehet fluks më i vogël i qytetarëve që frekuentojnë Gërminë

    Këtë vit, krahasuar me vitet paraprake u vërejt fluks më i vogël i qytetarëve që frekuentojnë Gërminë për të shënuar 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Edhe ata që zgjodhën këtë vend, ishin pensionist që kishin dalë për aktivitete sportive, raporton Ekonomia Online.

    E ata që zgjodhën këtë vend, shprehën brengën e tyre për ikjen e të rinjve nga vendi.

    Xhavit Robelli, pensionist, tha për Ekonomia Online se rinia kosovare po ik nga vendi për shkak të mosplotësimit të kushteve të punës.

    “Atyre (punëtorëve) iu kanë shkelur çdoherë të drejtat, aty ka hapësirë ende me iu ndihmu. Pagat janë shumë të ulëta, pjesa më e madhe e rinisë po na ikin janë të shtypur. Në disa vende janë përmirësuar kushtet, tash është më mirë, por ka hapësirë që me u bë më mirë përndryshe po na ikin rinia po na shkojnë jashtë po i përgatitim e po i shkollojmë po na i merr Evropa”, tha Robelli.

    Pensionistja, Shukrije Ymeri – Berisha, tha për Ekonomia Online se Dita e 1 Majit, nuk po festohet si viteve më herët.

    Ajo shtoi se sot për 1 Maj shumë pak qytetarë kanë dalë në Gërmi, gjë e tillë që nuk ka ndodhur viteve më përpara.

    “Sot po më vjen çudi po shihen njerëzit e zakonshëm që dalin. Kjo ditë ka qenë moti nuk po e festojnë njerëzit”, tha ajo.

    Ndërsa, Nehat Spahiu, një tjetër pensionist tha se sa i përket të drejtave të punëtorëve dhe plotësimin e kushteve të punës, janë minimale dhe kanë qenë të tilla.

    “Punëtorët po ikin më të madhe po e lëshojnë Kosovën, nuk po gjejnë perspektivë këtu. Kosova ka mbet edhe pa profesione të rëndësishme për arsye se rinia po e gjen vetën Evropë në vende më të zhvilluara”, tha Spahiu.

    I njëjti tha se nuk sheh ndonjë angazhim nga Qeveria për t’i ndihmuar punëtorëve të rinjve për zhvillim të mëtutjeshëm.

    “Qeveria aktuale por as qeveritë e kaluara nuk kam pa ndonjë angazhim apo interesim. Arsimi ka çaluar dhe po çalon, pastaj rinia nuk po e gjen vetën në profesione se rrogat e ulëta me këto nuk po mund ta kalojnë muajin, siç kemi thënë ne përpara me e zënë fundin r muajit për të ardhura”, tha ai.

    Një problem tjetër që po figuron në vend sipas Spahiut është edhe mungesa e punëtorëve në ndërtimtari.

    Ndryshe, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve gjatë ditës në kryeqytet janë mbajtur dy protesta, dhe një aksion simbolik nga Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës.

  • Shahini: Punëtorët në Kosovë më të pa mbrojturit në Evropë në vitin 2024

    Shahini: Punëtorët në Kosovë më të pa mbrojturit në Evropë në vitin 2024

    Kryetari Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini në Ditën e Ndërkombëtare të Punës ka thënë se punëtorët në Kosovë janë më të pa mbrojturit në Evropë për vitin 2024.

    Shahini ka thënë po ashtu se edhe pse Kosova ka moshën më të re të popullsisë në Evropë, tregu i punës po plaket dhe varfërohet çdo ditë e më shumë.

    “Kosova edhe pse ka moshë më të re të popullsisë në Evropë tregu i punës po plaket dhe varfërohet për çdo ditë e më shumë. Punëtorët në Kosovë janë më të pa mbrojturit në Evropë në vitin 2024 për shumë arsye: nuk kanë sigurim shëndetësor, nuk ju paguhet rrezikshmëri në vendin e punës, nuk kanë marrëveshje kolektive dhe nuk janë të përfshirë në të, paga mesatare dhe minimale në Kosovë është më e vogla e Ballkanit Perëndimorë dhe Evropë, për këto dhe shumë arsye tjera brenda pesë viteve të kaluara nga Kosova kanë ikur mbi 200 mijë qytetarë me dokumentacione të rregullta por sa kanë ikur pa dokumentacione nuk ka informacione të sakta por është një shifër e konsiderueshëm”, ka thënë Shahini.

    Kryetari i AKB-ës Agim Shahini thotë se Qeveria e Kosovës duhet sa më shpejtë të thërras Këshillin Ekonomiko Social KES që të përmirësojë legjislacionin e tregut të punës që punëtorët e sektorit privat e publikë të kenë sigurime dhe të rritën kushtet minimale me standardet mesatare Evropiane.

    “Sindikatat në Kosovë janë të shpërndara edhe politikisht dhe nuk kanë autoritet as te punëtorët as tek partnerët Socialë. Sot kur duhet punëtorët me pushu dhe me protestu për të drejtat e tyre, ata gjenden në vendin e punës mbi 50% që nuk e respektojnë festën e 1 Majit edhe pse është festë ndërkombëtare”, ka thënë Shahini.

  • Punëtorët e Pastërtisë në Ferizaj në grevë prej 9 ditësh

    Punëtorët e Pastërtisë në Ferizaj në grevë prej 9 ditësh

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Kamionët që shërbejnë për mbledhjen mbeturinave në Ferizaj, ka nëntë ditë që nuk janë ndezur fare.

    Punëtorët e Kompanisë Rajonale “Pastërtia” po vijnë në punë, mirëpo po qëndrojnë brenda këtij objekti, në shenjë greve për kushtet e punës.

    “Si kemi marr kurrë pagën me rritje, qe katër muaj. Punëtorët po e dojnë dorëheqjen e kryeshefit, se këto janë rrena. Deri të realizohen kërkesat nuk dalim nga greva”, tha Bashkim Danqi, punëtor.

    Kryeshefi ekzekutiv, Basri Syla, thotë se të martën një pjesë e punëtorëve e kanë ndërprerë grevën vullnetarisht, kurse për të tjerët pritet të ndërmerren masa.

    “Kane reflektuar…. Kemi me marrë vendime në përputhje me ligjin, për personat që nuk i kryejnë punët e veta. Nuk munden me marrë paga ata që s’punojnë”, tha Syla.

    Ky thotë se ankesat e grevistëve janë të pabaza, meqë pagat janë rritur për 70 euro.

    “Pagat janë rritë dy javë para grevës të paligjshme. Kjo grevë është tendencioze, për mua nuk është greva e ligjshme, sepse nuk kemi të drejtë me bë greva. Me vendim të bordit është bërë rritja për punëtorët fizikë dhe shoferë”, tha Syla.

    Krejt kjo situatë e krijuar, më së shumti po i shqetëson ferizajasit. Disa prej të cilëve edhe erdhën në objektin e ndërmarrjes për t’u ankuar.

    Por mbeturinat nuk do të jenë më problem, pasi Komuna e Ferizajt ka kontraktuar një kompani që nga e marta do t’i kryejë këto shërbime krah ndërmarrjes.

    Një grevë prej 10 ditësh punëtorët e kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Pastërtia”, e kishin përfunduar në ditët e para të këtij viti.

    Ndërkaq, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje do të protestojnë, të mërkurën para komunës së Ferizajt.

  • Laboratori i toksikologjisë në IML, jashtë funksionit

    Laboratori i toksikologjisë në IML, jashtë funksionit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Para se t’u dorëzoheshin familjarëve, trupave të tre sulmuesve të vrarë në Banjskë më 27 shtator 2023, iu ishin marrë mostrat për autopsi.

    Megjithatë, 7 muaj nga ngjarja, raporti që detajon mënyrën e vdekjes së tyre nuk është ende i plotë, në mungesë të analizave toksikologjike.

    Siç kupton ATV-ja, laboratori i toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, është jashtë funksionit, tash e një kohë, andaj pezull në mungesë të kësaj analize kanë mbetur edhe raporte të tjera.

    Për të paktën një javë nga nisja e pyetjeve nga ATV-ja, Ministria e Drejtësisë e as Instituti i Mjekësisë Ligjore, nuk kanë kthyer përgjigje, andaj është e paqartë se kur mund të kthehet në funksion.

    Ndërkohë, sipas njohësve të çështjeve juridike, vonesa në përfundimin e raporteve të autopsisë, ka efekte negative në punën e organeve të drejtësisë.

    “Mungesa e raportit të plotë të autopsisë ndikon negativisht në punën e institucioneve të drejtësisë. Ndër të tjera, vonon përfundimin e hetimeve nga Prokurori…”, tha avokati Arbër Jashari.

    Derisa laboratori vazhdon të jetë jashtë funksionit, burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore bëjnë të ditur se mostrat e sulmuesve të vrarë në Banjskë, janë përgatitur të dërgohen në laboratorë të ndonjë shteti tjetër.

  • Hartimi i projektligjit të ri për KPK-në afër përfundimit

    Hartimi i projektligjit të ri për KPK-në afër përfundimit

    Përgatiti: Nora Luta

    Këshilli Prokurorial i Kosovës pritet që me ligjin e ri t’i ketë shtatë anëtarë. Kryesuesi Ardian Hajdaraj ka thënë për ATV-në se propozimet e KPK-së për ligjin e ri janë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias.

    KPK-ja ka kërkuar që përbërja të jetë: 5 anëtarë prokurorë dhe 2 joprokurorë.
    Ndërsa, ka kundërshtuar që prokurorët anëtarë të mos mund të avancohen dy vjet pas përfundimit të mandatit.

    Por, me ligjin e ri parashihet që përbërja e KPK-së të jetë me shtatë anëtarë: 4 prokurorë dhe 3 joprokurorë. Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës, Vullnet Bugaqku, thekson si prioritet duhet pasur balancimi mes anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë.

    Po ashtu, parashihet që me ligjin e ri të ketë masa më të rrepta disiplinore për ata që mungojnë tre herë radhazi në mbledhjet e KPK-së pa arsyetim. E shoqëria civile kërkon të caktohet edhe afati për dekretimin e kryeprokurorit të shtetit.

    Ndërkohë, ministrja Albulena Haxhiu thotë se rekomandimet e Komisionit të Venecias janë trajtuar me prioritet.

    Në mars të 2023-tës, Gjykata Kushtetuese e vlerësoi antikushtetues përfundimin e mandatit para kohe të anëtarëve aktualë dhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPK-së, duke e rrëzuar tërësisht Ligjin për Këshillin Prokurorial.

    Kushtetuesja kishte dhënë vërejtje edhe për përfshirjen e avokatit të popullit në përzgjedhjen e anëtarëve joprokurorë, çka do të përjashtohet me ligjin e ri.

  • Shteti ua ktheu shpinën punëtorëve të sektorit privat

    Shteti ua ktheu shpinën punëtorëve të sektorit privat

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Punë të rrezikshme e pa asnjë masë mbrojtëse.

    Punëtorë si këta të ndërtimtarisë, shpeshherë rrezikojnë jetën meqë kompanitë për të cilat punojnë në masë të madhe nuk ua plotësojnë kushtet për punë.

    Hiç të rralla nuk janë as rastet e lëndimeve, megjithëse jo të gjitha deklarohen.
    Mesatarisht 1500 të tilla paraqiten brenda vitit në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat, ndonëse nga kjo thonë se punëtorët ende i fshehin lëndimet, nga frika se mbesin pa punë.

    Sipas Azemit, shteti ia ka kthyer shpinën këtij sektori, meqë edhe inspektorati shpeshherë i mbyll sytë karshi ankesave të punëtorëve. Kësisoj të drejtat e tyre thotë se shkelen çdo ditë pa frikë e ndëshkim nga institucionet relevante.

    Mesatarisht, 20 punëtorë në vit vdesin në vend të punës, derisa konsiderohet se rreth 200 mijë qytetarë janë të punësuar në sektorin privat.

  • Përfaqësuesi ligjor i Kadri Veselit padit deputetin e Vetëvendosjes për shpifje

    Përfaqësuesi ligjor i Kadri Veselit padit deputetin e Vetëvendosjes për shpifje

    Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka paditur deputetin e Vetëvendosjes, Visar Koreniva për shpifje. Përfaqësuesi i tij ligjor, Faton Fetahu ka bërë publike padinë për shpifje ndaj deputetit.

    Në njoftimin e tij, Fetohu ka treguar se padia është lidhur me shpifjen që sipas tij, deputeti Korenica ka bërë lidhur me një projekt ‘të dështaur’ në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës.

    Deputeti Korenica këtë deklaratë e kishte dhënë për portalin “Indeksonline” dhe artikulli ishte publikuar me titull: “ATK-ja ‘akshom Pazar’ me pozita, avancohen punëtorët që dëmtuan buxhetin”.

    Tutje Avokati Fetahu ka shtuar se, “Si rezultat, në cilësi të avokatit të z. Kadri Veseli, kam depozituar padinë për shpifje kundër këtij deputeti, i cili në cilësinë e të paditurit do të ketë barrën e provave për të dëshmuar vërtetësinë e deklaratës së tij.

    Uroj dhe shpresoj që gjykata do ta trajtojë me efektivitet këtë rast gjyqësor duke e konstatuar shpifjen e z. Korenica dhe të njëjtin do ta mbajë përgjegjës për dëmet e shkaktuara, dhe në asnjë mënyrë të parashkruhet lënda, si në të kaluarën në një rast kërcënimi me jetë ndaj zotit Veseli”.

    Portimi i tij i plotë:

    Si përfaqësues ligjor i ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, kam dorëzuar këto ditë padi për shpifje kundër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica. I njëjti, në muajin mars të këtij viti, konsumoi një shpifje të pashembullt ndaj z. Veseli, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të vlerësuar rrethanat e dështimit të një projekti në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës.

    Deputeti Korenica këtë deklaratë e kishte dhënë për portalin “Indeksonline” dhe artikulli ishte publikuar me titull: “ATK-ja ‘akshom Pazar’ me pozita, avancohen punëtorët që dëmtuan buxhetin”.

    Pas deklaratës publike me përmbajte shpifëse ndaj z. Veseli, sipas ligjit në fuqi, deputetit i kërkuam përmirësimin e shprehjes shpifëse, përkatësisht tërheqjen nga deklarata. Kaluan gjashtë javë dhe deputeti e injoroi kërkesën duke e zgjedhur heshtjen.

    Pra, ai e artikuloi këtë shpifje, u sigurua ta publikonte dhe ta shpërndante në medie një deklaratë të tillë të pavërtetë, por nuk e provoi asnjëherë me asnjë fakt të vetëm. Në këto rrethana, rruga gjyqësore mbeti e paalternativë.

    Si rezultat, në cilësi të avokatit të z. Kadri Veseli, kam depozituar padinë për shpifje kundër këtij deputeti, i cili në cilësinë e të paditurit do të ketë barrën e provave për të dëshmuar vërtetësinë e deklaratës së tij.

    Uroj dhe shpresoj që gjykata do ta trajtojë me efektivitet këtë rast gjyqësor duke e konstatuar shpifjen e z. Korenica dhe të njëjtin do ta mbajë përgjegjës për dëmet e shkaktuara, dhe në asnjë mënyrë të parashkruhet lënda, si në të kaluarën në një rast kërcënimi me jetë ndaj zotit Veseli.

  • ​Palacios: Argjentina nuk paramendohet pa Messin

    ​Palacios: Argjentina nuk paramendohet pa Messin

    Argjentina shpreson të shohë Lionel Messin të bëhet “i përjetshëm”.Do të vijë një ditë kur tetë herë fituesi i Topit të Artë duhet të vari këpucët dhe ndoshta do të merret vendimi për t’u larguar nga arena ndërkombëtare përpara se të ndalet përfundimisht edhe në nivel klubesh. Messi do të mbushë 37 vjeç në qershor, që do të thotë se mund të mos i mbetet edhe shumë në nivelin më të lartë.

    Messi është zotuar të përfaqësojë vendin e tij në Kupën e Amerikës të kësaj vere, pasi ata kërkojnë të mbrojnë atë kurorë dhe ka lënë të kuptohet se do të qëndrojë deri në Kupën e Botës 2026. Ai tashmë ka shënuar rekord prej 180 paraqitjesh dhe 106 gola për emrin e tij.

    “Për momentin, le të mos flasim që Messi të mos vazhdojë. Nuk mund ta imagjinoni kurrë kombëtaren pa Messin. Të gjithë duam që ai të jetë i përjetshëm dhe të luajë gjithmonë me ne.”, ka thënë Palacios, i cili shijoi lavdinë e Kupës së Botës së bashku me Messin në Katar 2022.

    Argjentina është e vendosur të hapë kërkimin e saj për kurorat kontinentale të njëpasnjëshme kur të përballet me Kanadanë më 20 qershor. Messi do të marrë një pushim në MLS me Inter Miami në mënyrë që të përfshihet në atë turne, gjë që nuk do t’i kërkojë atij të udhëtojë pasi pritet të vihet në skenë në Shtetet e Bashkuara.