ATV

Author: ATVLive

  • Rrahje në Fushë-Kosovë, arrestohen tre persona

    Rrahje në Fushë-Kosovë, arrestohen tre persona

    Janë arrestuar tre persona pasi që janë përleshur fizikisht mes vete. Pasditen e një majit, në Fushë Kosovë janë arrestuar tre meshkuj pas një përleshjeje fizike mes vete.

    Sipas raportit të Policisë, të dyshuarit kanë përdorur mjete të rrezikshme, thikë dhe shufër metalike.

    Si pasojë, të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor.

    “Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, njeri prej të dyshuarve dërgohet në mbajtje, ndërsa dy lirohen në procedurë të rregullt,” thuhet në raportin e Policisë.

  • Policia shqipton mbi 1 mijë e 500 gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia shqipton mbi 1 mijë e 500 gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1530 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 20 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 19 me dëme materiale.

    Po ashtu, policia njofton se janë arrestuar 32 persona, ndërkaq 24 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Mentor Latifi emërohet ambasador i Kosovës në Zvicër

    Mentor Latifi emërohet ambasador i Kosovës në Zvicër

    Mentor Latifi është emëruar ambasador i ri i Kosovës në Zvicër.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka uruar suksese në detyrën e tij, gjersa është shprehur e bindur se ai do të vazhdojë të punojë drejt forcimit të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

    “Ambasadorit të emëruar Mentor Latifi i urova suksese në detyrën e tij si ambasador i ri i Republikës së Kosovës në Konfederatën Zvicerane. Jam e bindur se ai do të vazhdojë të punojë drejt forcimit të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, një aleat i vjetër dhe shtëpia e shumë qytetarëve në diasporë…”, tha Osmani.

  • ATK: Brenda vitit janë fiskalizuar mbi një mijë biznese

    ATK: Brenda vitit janë fiskalizuar mbi një mijë biznese

    Institucionet vendore kanë intensifikuar përpjekjet për ta luftuar ekonominë joformale në Kosovë. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, brenda këtë vit janë fiskalizuar mbi një mijë biznese të reja ndërsa për mosfiskalizim janë shqiptuar gjoba në vlerë prej rreth 170 mijë euro. Por, sipas Odës Ekonomike Amerikane, bizneset jashtë qendrave urbane vazhdojnë të mos fiskalizohen.

    Vërehet se ka shtim të përpjekjeve nga ana e institucioneve përgjegjëse, për luftimin e ekonomisë jo formale. Kështu konsideron kryetari i Odes Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka. Sipas tij, sfidë ende mbesin bizneset jashtë qendrave urbane të cilat vazhdojnë të mos fiskalizohen.

    “Ka qenë kërkesë e Odes Amerikane që të bëhet më tepër për fiskalzimin e një numri të madh të bizneseve, kryesisht jashtë qendrave urbane të cilat mbesin të pa fiskalizuara dhe si të tilla natyrisht cenojnë edhe mbledhjen e tatimeve, meqenëse ndërpresin edhe zinxhirin e mbledhjes së tatimit mbi vlerën e shtuar, por edhe kryerjen e detyrimeve të tjera tatimore që burojnë nga ligjet e vendit. Duket sa ka një përgjigje për sa u përket këtyre kërkesave”, tha ai.

    Megjithatë sipas Zekës, është pak shqetësues ndryshimi i fundit i Ligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore.

    Ai thotë se është goxha rigoroz në disa dispozita dhe se ekziston droja që megjithatë, ky ligj mund të përdoret edhe për ndëshkimin e bizneseve që janë të rregullta dhe përgjatë viteve kanë kryer detyrimet e tyre ligjore.

    Administrata Tatimore e Kosovës, në anën tjetër, i ka thënë Radio Kosovës se “Nga janari deri në mars, janë fiskalizuar mbi 1 mijë biznese të reja. ATK-ja ka inspektuar rreth 500 biznese, ndërsa ka shqiptuar gjoba në vlerë prej mbi 170 mijë eurosh”.

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se informaliteti në Kosovë, është në nivel të lartë. Ai tha se shifrat që janë dhënë nga ATK-ja, vërtetojnë se në Kosovë, shumë biznese dhe sektorë të tjerë të ndryshëm, nuk janë të fiskalizuar.

    “Gjobat nuk po mund të bindin komunitetin e biznesit që të pajisen me arka fiskale. Po ashtu ATK-ja duhet të ndryshojë metodat duke filluar me fushatë trajnuese vetëdijesuese, në mënyrë që të pajisen me arka fiskale dhe këto arka të përdoren gjatë gjithë kohës e jo herë pas here siç ndodh në shumë sektorë siç janë: gastronomia, ndërtimtaria po ashtu edhe sektorë të bujqësisë”, tha Shahini.

    Në vitin 2023, për mosfiskalizim, ATK-ja ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1.3 milion euro. Ndërsa, referuar vitit 2023, kanë qenë 3 mijë e 227 biznese të fiskalizuara me gjithsej 5 mijë e 353 pajisje elektronike fiskale.

  • Ekspertët: Mamografia të fillojë në moshën 40 vjeçare

    Ekspertët: Mamografia të fillojë në moshën 40 vjeçare

    Ekspertët në Shtetet e Bashkuara rekomandojnë që gratë të kontrollohen një herë në dy vjet për kancerin e gjirit, duke filluar nga mosha 40 vjeçare. Rekomandimi u bë nga Grupi i Punës për Shërbimet Parandaluese, një grup ekspertësh të pavarur të fushës së mjekësisë nga mbarë Shtetet e Bashkuara që bën rekomandime për shërbimet klinike parandaluese.

    Ky grup pune me ndikim në mjekësi thotë se ekzaminimi i hershëm synon të trajtojë dy probleme në rritje, shtimin e rasteve të kancerit të gjirit tek gratë nën moshën 40 vjeçare dhe shkallën e lartë të vdekshmërisë nga kanceri i gjirit tek gratë me ngjyrë.

    Rekomandimi i mëparshëm ishte që mamografia të bëhej një herë në dy vjet për moshat nga 50 në 74 vjeç.Ndërsa përmirësohet trajtimi, shkalla e vdekjeve nga kanceri i gjirit ka pësuar rënie. Në Shtetet e Bashkuara rreth 240,000 raste diagnostikohen çdo vit dhe rreth 43,000 gra humbin jetën nga kanceri i gjirit.

    Dr. John Wong me Universitetin Tufts është nënkryetar i grupit të punës që bëri rekomandimet. Ai thotë se kontrolli i hershëm është nxitur nga rritja e numrit të grave nën moshën 40 vjeç që preken nga kanceri i gjirit. Që nga viti 2015, numri i rasteve është rritur me 2% në vit. Mamogramet do të ndihmojnë në trajtimin e një tjetër çështje të rëndësishme. Shkalla e vdekjes nga kanceri është 40% më e lartë tek gratë me ngjyrë, të cilat preken nga forma më agresive të sëmundjes në moshë më të re.

    “Gratë me ngjyrë preken më shpesh nga forma më agresive e kancerit në moshë më të re. Në bazë të modeleve shkencore specifike për to, rekomandojmë fillimin e mamografisë në moshën 40 vjeçare. Ky është hapi i parë i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm për të ulur rastet”, thotë zoti Wong.

    Ai thekson rëndësinë e trajtimit të duhur dhe sa më shpejt të jetë e mundur për gratë me ngjyrë që diagnostikohen me kancer.

    “Ekzistojnë studime të përshtatshme që sugjerojnë trajtime efikase për të ulur shkallën e vdekshmërisë. Presim dhe kërkime shtesë për të hedhur dritë lidhur me shkallën e lartë të vdekshmërisë dhe se si mund të trajtohet”, thotë zoti Wong.

    Këshillat e reja nuk vlejnë për gratë që kanë patur kancer gjiri ose ato me rrezikshmëri të lartë për arsye gjenetike. Në këtë listë përfshihen edhe gratë që kanë patur terapi të theksuar rrezatimi në gjoks në moshë të re. Mamografia nuk funksionon aq mirë për gratë me inde të dendura të gjoksit, por megjithatë zoti Wong rekomandon kontrollin.

    “Gratë me inde të dendura në gjoks kanë një rrezik më të lartë për zhvillimin e kancerit të gjirit dhe mamografia nuk funksionon aq mirë tek ky grup. Ndaj nevojiten kërkime shtesë për të kuptuar nëse duhen metoda të tjera ekzaminimi për të ndihmuar në uljen e rrezikut të lartë nga kanceri i gjirit dhe zbulimin e kancerit të gjirit në një fazë më të hershme, që mund të trajtohet”, thotë zoti Wong.

    Ekspertët thonë se ekzistojnë pikëpyetje mbi përfitimet që mund të sjellë mamografia për gratë mbi 75 vjeç. Në raste të rralla studimet përfshijnë kategorinë e grave mbi moshën 75 vjeç. Ekipi i ekspertëve po bën thirrje për më shumë hulumtime.

  • Shkruhen grafite me përmbajtje përçarëse në Mitrovicë, i mituri shoqërohet ne Polici

    Shkruhen grafite me përmbajtje përçarëse në Mitrovicë, i mituri shoqërohet ne Polici

    Një i mitur në Mitrovicë të Veriut është shoqëruar në stacionin policor pasi ka shkruar disa grafite me përmbajtje të përçarjes.

    Policia e Kosovës njofton se me vendim të prokurorit, i mituri është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    “Mitrovicë Veri 01.05.2024-16:24. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar i mitur, pasi që kishte shkruar disa grafit me përmbajtje të përçarjes. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, raporti i plotë i Policisë.

  • Dërgohet në OKB propozimi final për rezolutën për Srebrenicën

    Dërgohet në OKB propozimi final për rezolutën për Srebrenicën

    Propozimi final për rezolutën për Srebrenicën i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombe të Bashkuara, Dennis Francis, dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB.

    Njoftimi u bë nga ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në OKB, Zllatko Lagumxhija.

    “Pas disa rundesh të konsultimeve gjithëpërfshirëse, propozimi final për rezolutën për ‘Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë më 1995’, i hartuar nga një grup shtetesh, i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

    Ditëve të fundit, konsultime joformale janë mbajtur në selinë e OKB-së në Nju Jork për draft-rezolutën që synon të shpallë 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

    Siç ishte njoftuar paraprakisht në ueb-faqen e OKB-së, në konsultimet për draft-rezolutën morën pjesë misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.

    Ndërkaq, më 30 prill, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një seancë për Bosnje e Hercegovinën me kërkesë të Rusisë. Seanca u mbajt me arsyetimin për të diskutuar situatën e sigurisë dhe rreziqet e cenimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Rusia kërkoi mbajtjen e seancës pas letrës së Zhellka Cijanoviqit, anëtares serbe të Presidencës së Bosnjës që i dërgoi Këshillit të Sigurimit.

    Seanca u mbajt në kohën kur Serbia dhe politikanët nga entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje, dhe aleatja e tyre, Rusia, po lobojnë kundër miratimit të rezolutës për gjencodin në Srebrenicë në OKB. Votimi i kësaj rezolute në Asamblenë e Përgjithshme gjatë majit.

    Kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi të miratonte një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë nëntë vjet më parë, Rusia vendosi veto dhe miratimi dështoi. Kësaj radhe, rezoluta do të hidhet në votim në Asamblenë e Përgjithshme, ku nuk ka të drejtë të vetos.

    Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi dhe autoritetet në Republikën Sërpska mohojnë se në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë është kryer gjenocid.

    Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e cilësoi si gjenocid krimin e kryer në Srebrenicë, ku më shumë se 8.000 burra dhe djem u vranë nga Ushtria e Republikës Sërpska.

    Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë. /REL

  • ​Sot lansohet programi “Super sportistët”

    ​Sot lansohet programi “Super sportistët”

    Ministria për Kulturë, Rini e Sport do të lansojë sot programin “Super Sportistët”, në të cilin do të investojë katër milionë euro për katër vitet e ardhshme për sportistët e rinj të sporteve olimpike.

    Qëllimi i programit është rritja e numrit të normave olimpike për Lojërat Olimpike Los Angjelos 2028. Programi, i përpiluar nga profesionistë të fushës, nga KOK-u, MKRS dhe gazetaria sportive, udhëhiqet nga kryemjeshtri i normave dhe medaljeve të arta olimpike, Driton Kuka.

    Me rastin e prezantimi të këtij programi sot do të zhvillohet një konferencë për media ku do të flasin: Zëvendësministrja Daulina Osmani, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, kampionia olimpike Rio 2016, Majlinda Kelmendi, ndërsa prezantimin e programit do ta bëjë kryesuesi i komisionit, Driton Kuka.

  • Kuvendi i Kosovës mban sot dy seanca

    Kuvendi i Kosovës mban sot dy seanca

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të mblidhen në dy seancë, atë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmoreve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë, si dhe seancën e rregullt në të cilën në rend dite janë paraparë të shqyrtohen 22 pika.

    Seanca solemne nis në orën 10. Ndërsa, seanca e rregullt plenare nis në orën 11:00, e ku janë paraparë të shqyrtohen projekt-rezoluta për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH, si dhe votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare

    Rendi i ditës

    1. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,

    2. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,

    5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin
    e bashkimit programi i tregut të vetëm,

    6. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,

    7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,

    8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,

    9. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,

    10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,

    11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,

    12. Votimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,

    13. Votimi i Projektligjit nr.08/L-293 për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”,

    14. Votimi i Projektligjit nr.08/L-292 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”,

    15. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,

    16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-242 për përformancën energjetike të ndërtesave,

    17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-276 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve të veçanta për krijimin e bazës ligjore për nxjerrjen e akteve nënligjore nga qeveria dhe ministrat,

    18. Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-283 për harmonizimin e ligjeve të veçanta me Ligjin nr. 05/L-087 për kundërvajtje,

    19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,

    20. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,

    21. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Komunikimet Elektronike dhe Postare, për vitin 2022,

    22. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarura të Mediave.

  • Vdekje e dyshimtë në Dragash

    Vdekje e dyshimtë në Dragash

    Një vdekje e dyshimtë është duke u hetuar nga policia në Dragash.

    Sipas policisë, nga QKMF-ja në Dragash është raportuar se një grua është sjellë e vdekur.

    Policia ka nisur hetimet.

    “Fsh. Brezna, Dragash 01.05.2024-15:55. Nga QKMF është raportuar se është sjell pa shenja jete viktima femër kosovare. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jete dërgohet në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.