ATV

Author: ATVLive

  • Shteti i Illinois njeh 17 shkurtin si Dita e Pavarësisë së Kosovës

    Shteti i Illinois njeh 17 shkurtin si Dita e Pavarësisë së Kosovës

    Jay Robert Pritzker, Guvernator i Shtetit të Illinois ka njohur zyrtarisht 17 shkurtin si Dita e Pavarësisë së Kosovës në shtetin e Illinois në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është bërë e ditur nga ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në njoftimin e ambasadës është publikuar edhe letra e vendimit, ku ndër tjerash thuhet se komuniteti shqiptaro-amerikan në Illinois ka dhënë kontribute të rëndësishme në jetën kulturore, ekonomike dhe shoqërore të shtetit të Illinois, duke u dalluar si drejtues biznesesh, profesionistë dhe anëtarë aktivë të komuniteteve të tyre.

    Letra e plotë:

    Shteti i Illinois

    Departamenti Ekzekutiv

    Proklamatë

    DUKE PASUR PARASYSH se Shteti i Illinois ka nderin t’u bashkohet shqiptaro-amerikanëve në mbarë shtetin tonë në përkujtimin e 17 shkurtit 2008, si dita kur Republika e Kosovës shpalli pavarësinë e saj;

    DUKE PASUR PARASYSH se, në atë ditë historike, me një përkushtim të palëkundur ndaj parimeve të lirisë, sovranitetit dhe vetëvendosjes, Republika e Kosovës shpalli zyrtarisht pavarësinë në Prishtinë, duke shënuar një moment transformues në historinë e saj dhe duke u themeluar si një shtet i lirë dhe sovran; dhe

    DUKE PASUR PARASYSH se Republika e Kosovës, si shteti më i ri në Evropë, mbetet e përkushtuar me vendosmëri ndaj ruajtjes së parimeve demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit; dhe

    DUKE PASUR PARASYSH se lidhja e qëndrueshme midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është e rrënjosur në vlera të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe respektit të ndërsjellë, me Shtetet e Bashkuara që luajnë një rol kyç në mbështetjen e rrugëtimit të Kosovës drejt stabilitetit, ndërtimit të shtetit dhe prosperitetit; dhe

    DUKE PASUR PARASYSH se komuniteti shqiptaro-amerikan në Illinois ka dhënë kontribute të rëndësishme në jetën kulturore, ekonomike dhe shoqërore të shtetit tonë, duke u dalluar si drejtues biznesesh, profesionistë dhe anëtarë aktivë të komuniteteve të tyre, ndërkohë që ruajnë dhe ndajnë trashëgiminë e tyre të pasur kulturore; dhe

    DUKE PASUR PARASYSH se këtë vit Shteti i Illinois shënon me krenari 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke njohur qëndrueshmërinë dhe arritjet e popullit të saj në ndjekjen e lirisë dhe përparimit; dhe

    DUKE PASUR PARASYSH se Illinois njeh dhe nderon partneritetet në rritje dhe lidhjet ekonomike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe kontributet e vazhdueshme të diasporës së Kosovës në forcimin e bashkëpunimit dhe rritjes së ndërsjellë;

    PRANDAJ, unë, JB Pritzker, Guvernator i Shtetit të Illinois, shpall me këtë 17 shkurtin 2026 si Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Illinois, duke festuar pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe duke nderuar kontributet e shqiptaro-amerikanëve në prosperitetin dhe diversitetin e shtetit tonë.

    Në dëshmi të kësaj, kam vënë firmën time dhe kam urdhëruar që të vendoset Vula e Madhe e Shtetit të Illinois.

    Bërë në Kapitol në qytetin e Springfield-it,

    më njëzet e tetë janar,

    në vitin e Zotit tonë dy mijë e njëzet e gjashtë,

    dhe në vitin e dyqindtë e shtatë të Shtetit të Illinois.

    Alexi Giannoulias

    Sekretar i Shtetit

    JB Pritzker

    Guvernator

  • Ari, nafta dhe bitcoin, prapaskenat e një jave që tronditi tregjet globale

    Ari, nafta dhe bitcoin, prapaskenat e një jave që tronditi tregjet globale

    Akademik Prof.Dr. Anastas Angjeli

    Viti 2026 ka shënuar një pikë kthese në historinë e ekonomisë botërore, ku ekuilibrat e vjetër të stabilitetit janë zëvendësuar nga një “polikrizë” e vazhdueshme. Zhvillimet e javës së kaluar në bursa nuk janë thjesht luhatje rastësore të numrave, por reflektime të një transformimi të thellë tektonik në marrëdhëniet ndërmjet fuqive të mëdha, teknologjisë dhe burimeve natyrore. Rënia e papritur e arit dhe argjendit gjatë ditëve të fundit shënon fundin e një epoke euforie për asetet e sigurta. Ky fenomen nuk shpjegohet vetëm me forcimin e dollarit amerikan pas emërimeve të reja në Rezervën Federale, por dëshmon rolin e ri të Kinës si “rregullator i heshtur” i çmimeve globale. Duke pezulluar blerjet strategjike, Pekini ka treguar se mund të kontrollojë temperaturën e tregjeve globale me një lëvizje të vetme, duketentuar per te zhvendosur qendrën e vendimmarrjes nga Nju Jorku drejt Shangait. Paralelisht, tregu i kriptomonedhave, me Bitcoin-in në krye, po përballet me një krizë identiteti. Ndërkohë, në sektorin e energjisë, shohim një kontrast të fortë: ndërsa gazi natyror mbetet peng i lojërave gjeopolitike të Rusisë dhe sanksioneve të reja evropiane, nafta shfaq një stabilitet të pazakontë. Ky “paradoks i naftës” është ndoshta dëshmia më e qartë e një tregu të mbingopur, ku oferta e bollshme amerikane ka mposhtur frikën nga konfliktet, duke krijuar një mburojë artificiale kundër inflacionit të energjisë.

    Rënia e Arit dhe Argjendit: Nga Rekordet në “Flash Crash”

    Pas një viti 2025 ku ari theu çdo rekord historik (duke iu afruar 5,600 dollarëve për onz), java e parë e shkurtit 2026 solli një korrektim të dhunshëm. Ari ra me rreth $150 – $170 për onz brenda 5 ditëve tregtare, ndërsa argjendi pësoi një rënie dyshifrore brenda pak orësh. Pse ndodhi kjo?

    Nominimi i Kevin Warsh si pasues i Jerome Powell në krye të Rezervës Federale (Fed) nuk ishte thjesht një ndryshim emrash në administratën e re të Presidentit Trump, por një “tërmet” i mirëfilltë monetar që riformatoi pritshmëritë e investitorëve brenda natës. Në “zhargonin financiar”, Warsh etiketohet si një “skifter” (hawk) i spikatur. Ky term përdoret për të përshkruar liderët monetarë që prioritizojnë luftën kundër inflacionit dhe stabilitetin e monedhës mbi rritjen ekonomike afatshkurtër, duke mbrojtur politika të “parave të shtrenjta” përmes normave të larta të interesit. Tregjet reaguan me shpejtësi ndaj këtij nominimi, sepse filozofia ekonomike e Warsh bazohet në një doktrinë të rreptë: reduktimin e bilancit masiv të Fed-it dhe eliminimin e likuiditetit të tepërt që ka ushqyer tregjet vitet e fundit. Kur tregu parashikon se normat e interesit do të qëndrojnë “më lart për më gjatë” (higher for longer), obligacionet e thesarit amerikan bëhen menjëherë më tërheqëse. Kjo çon në një rritje të kërkesës për Dollarë, duke e forcuar monedhën amerikane ndaj të gjitha valutave të tjera dhe, veçanërisht, ndaj metaleve të çmuara. Kjo dinamikë krijoi një efekt “darë” për arin.

    Së pari, meqenëse ari kuotohet në dollarë, një dollar më i fortë e bën automatikisht arin më të shtrenjtë për blerësit që përdorin valuta të tjera (si Euro apo Juani), duke ulur kërkesën globale.

    Së dyti, ari është një aset që nuk paguan interes (non-yielding asset). Në një mjedis ku Kevin Warsh mund të mbajë normat e interesit të larta, investitorët preferojnë të zhvendosin kapitalin e tyre drejt llogarive me interes ose obligacioneve shtetërore, të cilat ofrojnë fitime të sigurta e të prekshme, ndryshe nga ari që varet vetëm nga rritja e çmimit. Për më tepër,paralajmerimi i Warsh, për një bilanc më të vogël të bankës qendrore nënkupton më pak para në qarkullim, gjë që godet direkt narrativën e arit si mbrojtje ndaj zhvlerësimit të parasë. Si pasojë, besimi i investitorëve te “ari si strehë” u lëkund, duke shkaktuar atë shitje masive që pamë këtë javë, ku kapitali u zhvendos masivisht drejt aseteve monetare amerikane, duke e lënë arin në kërkim të një “dyshemeje” të re mbështetëse.

    Rënia dramatike e arit këtë javë nuk ishte vetëm pasojë e lajmeve gjeopolitike, por edhe rezultat i një “reaksioni zinxhir” të shkaktuar nga likuidimet teknike në prapaskenat e bursave. Për muaj të tërë, optimizmi rreth arit kishte shtyrë fondet e mbrojtjes (Hedge Funds) dhe investitorët institucionalë të grumbullonin pozicione “Long” (blerje) në nivele rekord. Ky grumbullim krijoi një treg të “fryrë”, ku pothuajse të gjithë pjesëmarrësit ishin bastvënës për rritje, duke e lënë strukturën e tregut jashtëzakonisht të brishtë ndaj çdo lëkundjeje negative. Kur çmimi i arit theu kufirin teknik prej 5.500 $/Onc, nisi efekti “domino”. Shumë investitorë tregtojnë duke përdorur levën financiare (leverage), që do të thotë se ata huazojnë para nga brokerat për të blerë më shumë ar. Kur vlera e arit ra nën një prag kritik, brokerat kërkuan me urgjencë që investitorët të depozitonin para shtesë për të mbuluar humbjet. Në pamundësi për të gjetur likuiditet të shpejtë, shumë fonde u detyruan të mbyllnin pozicionin, (shisnin) me forcë pozicionet e tyre të arit, madje edhe asete të tjera si argjendi apo Bitcoin, për të shlyer detyrimet. Ky proces, i njohur si likuidim i detyruar, shndërroi një korrektim normal çmimi në një “crash” teknik, ku shitjet nuk bëheshin më mbi bazën e logjikës ekonomike, por nga nevoja mekanike për mbijetesë financiare.

    Roli i Kinës në tregun e arit gjatë dy viteve të fundit ka qenë ai i një “tregetari me shumicë ne rang global” që diktonte ritmin e rritjes. Gjatë periudhës 2024-2025, Banka Popullore e Kinës (PBoC) ndërmori një fushatë agresive të akumulimit të arit, duke shtuar qindra tonë në rezervat e saj si pjesë e një strategjie më të gjerë për “de-dolarizimin” e ekonomisë. Kjo kërkesë e palëkundur shërbeu si një dysheme e fortë për çmimin e arit sepse sa herë që tregjet perëndimore lëkundeshin, blerjet kineze e mbanin çmimin në rritje të vazhdueshme. Megjithatë, këtë javë, kjo mbështetje u zbeh kur Pekini zyrtar dha sinjale të qarta për një ngadalësim të blerjeve strategjike. Duke u tërhequr nga tregu i arit, Kina po ruan likuiditetin për të mbrojtur Juanin nga zhvlerësimi përballë një Dollari gjithnjë e më të fortë. Kjo “heqje dorë” e blerësit më te madh në botë krijoi një vakum kërkese, duke i lënë tregtarët që ishin mësuar të kishin nje dyshek fundor pa mbrojtjen. Pa “garancinë kineze”, ari mbeti i ekspozuar totalisht ndaj forcës së dollarit dhe shitjeve masive në bursat perëndimore. Nga ana tjeter,pa kërkesën kineze, ari nuk ka forcë të mbajë nivelet e tij te larta.Kete e deshmoi veprimi I dy diteve te fundit nga ana Kineze e cila me deklarimet dhe udhezimet e Bankes se saj qendrore kerkon te rikthej rritjen e cmimit te arit.Loja ndikuese eshte e dukshme.Kjo politike per shkaqe te tjera mori me vete dhe argjendin. Dominimi në Argjend kushtezohej nga Teknologjinë e Gjelbër e perdorur ne Kine. Ndryshe nga ari, argjendi është një metal industrial. Kina kontrollon mbi 60% të prodhimit botëror të paneleve diellore dhe është lider në bateritë e makinave elektrike (EV). Pse ra argjendi? Për shkak të ngadalësimit të sektorit të pasurive të paluajtshme në Kinë dhe një teprice të prodhimit të paneleve diellore. Kina ka prodhuar aq shumë panele, saqë kërkesa për argjend të ri ka rënë përkohësisht. Kina nuk është më vetëm një konsumator, por është bërë “përcaktuesi i çmimit” (Price Maker). Për herë të parë në vitin 2026, lëvizjet e mëdha të çmimit të metaleve po ndodhin gjatë orarit të tregtimit në Azi. Nga ana tjeter Kina po eksporton deflacion. Kina po përdor pozicionin e saj si blerësi më i madh për të mbajtur çmimet e lëndëve të para në nivele që i interesojnë industrisë së saj. Rënia e arit dhe argjendit këtë javë është dëshmi e nje tentative zhvendosje momentale të qendres se gravitetit ekonomik nga Uol Strit (Wall Street) drejt Shangait.

    Strategjia “Anti-Dollar” dhe rënija e Kriptomonedhave

    Rënia e Bitcoin këtë javë duket se ka një lidhje indirekte por të fortë me Kinën. Kina po nxit përdorimin e Yuan-it digjital (e-CNY) dhe sistemeve të pagesave ndërshtetërore që anashkalojnë sistemin SWIFT. Sa herë që Kina forcon rregullat për “minierat e fshehta të Bitcoin” ose për qarkullimin e kapitalit jashtë vendit përmes stablecoins (si USDT), tregu i kriptove pëson tronditje. Këtë javë, thashethemet për një kontroll më të rreptë të flukseve të kapitalit në Hong Kong (i cili shërben si “ura” mes Kinës dhe kriptove) ushtruan presion të madh shitjeje mbi Bitcoin.

    Strategjia e Kinës në raport me dollarin dhe asetet digjitale nuk është thjesht një çështje teknologjike, por një lëvizje gjeopolitike e mirëllogaritur për të krijuar një arkitekturë financiare paralele që kerkon i shpëton dominimit të SHBA-së. Në qendër të këtij procesi qëndron ambicia e Pekinit për të zëvendësuar “hegjemoninë e dollarit” me një sistem që bazohet te sovraniteti monetar digjital dhe kontrolli i rreptë i flukseve të kapitalit. Shtylla kryesore e kësaj strategjie është Juani Digjital (e-CNY). Ndryshe nga Bitcoin, i cili është i decentralizuar dhe i vështirë për t’u kontrolluar nga shteti, e-CNY është një monedhë digjitale e emetuar nga Banka Qendrore (CBDC). duke e shndërruar atë nga një mjet eksperimental në një komponent bazë të sistemit bankar. Ky mjet i lejon Kinës të kryejë transaksione ndërkombëtare direkt me partnerët e saj (si Rusia, Arabia Saudite apo vendet e ASEAN) pa pasur nevojë për sistemin SWIFT, i cili kontrollohet nga Perëndimi. Ky është “asi në mëngë” i strategjisë anti-dollar: krijimi i një rruge të shpejtë për tregtinë e naftës dhe mallrave për te mos kalua fare nga duart e Uashingtonit?!.

    Në këtë skemë, kriptomonedhat si Bitcoin shihen nga Kina më shumë si një rrezik sesa si një mjet. Pse? Sepse Bitcoin dhe stablecoins (si USDT që është i lidhur me dollarin) lejojnë kapitalin kinez të “rrjedhë” jashtë vendit në mënyrë të pakontrolluar. Kjo javë tregoi se Pekini nuk ka ndërmend të tolerojë konkurrencënmonetare te bitcoinit dhe ndërhyrja e rreptë për të bllokuar lançimin e stablecoins në Hong Kong dëshmoi se Kina dëshiron inovacion vetëm nën kushtet e saj. Duke goditur “urat” që lidhin Kinën me tregun global të kriptove, ajo detyron përdoruesit dhe tregtarët të kthehen drejt sistemeve shtetërore. Rrjedhimisht, rënia e Bitcoin këtë javë është një reflektim i këtij presioni kinez. Në thelb, për Pekinin, lufta kundër dollarit nuk bëhet për të çliruar tregun, por për ta zhvendosur qendrën e kontrollit nga Federal Reserve te Banka Popullore e Kinës?!.A do ta lejoje ne SHBA kete?

    Mes sanksioneve dhe shantazhit: Odissea e gazit evropian nën hijen e lëvizjeve të Moskës”

    Gjatë kësaj jave të parë të shkurtit 2026, tregu i gazit natyror në Evropë i ka ngjarë një fushëbeteje të vërtetë nervash, ku çmimet kanë kërcyer në mënyrë të ethshme mes pasigurisë dhe strategjisë së ftohtë gjeopolitike. Në qendër të kësaj drame qëndron sërish Rusia, e cila po luan “levizjen e fundit” të shahut të saj energjetik me Bashkimin Evropian, përpara se rregulloret e reja të REPowerEU të hyjnë në fuqi me fuqi të plotë.

    Rusia, duke ndier se leva e saj mbi tubacionet po “shkërmoqet”, ka ndryshuar taktikë, duke u fokusuar te Gazi Natyror i Lëngshëm (LNG). Kështu, sapo çmimet në bursën TTF të Holandës tentonin të stabilizoheshin, lajmet për ridrejtimin e anijeve ruse të LNG-së drejt porteve aziatike shkaktonin menjëherë “shkëndija” rritjeje. Ky është një manipulim psikologjik i tregut. Moska po i kujton Evropës se, ndonëse ajo mund të jetojë pa gazin e tubacioneve, çdo mungesë e vogël në tregun global të LNG-së do t’i kushtojë shtrenjtë konsumatorit evropian. Roli i Rusisë këtë javë ka qenë ai i një “shkatërruesi i qetësisë”.. Megjithatë, kjo lojë nuk ka më forcën goditëse të vitit 2022. Evropa sot është më e përgatitur, me depozita të mbushura dhe terminale të reja rigazifikimi. Rrjedhimisht, luhatjet e kësaj jave treguan se Rusia nuk mund të diktojë më trendin afatgjatë, por mund të shkaktojë “dhimbje koke” afatshkurtra, duke i detyruar blerësit evropianë të paguajnë një premium rreziku vetëm për të siguruar qetësinë e funddimrit. Në fund të javës, çmimi i gazit pësoi një rënie të lehtë, jo sepse Rusia u tërhoq, por sepse tregu kuptoi që mbingopja globale dhe dimri relativisht i butë po e bëjnë shantazhin energjetik rus gjithnjë e më pak efektiv. Rusia po humb përfundimisht statusin e saj si “çelësi” i energjisë evropiane, duke u kthyer në një lojtar që vetëm mund të turbullojë ujërat, por jo të ndryshojë drejtimin e rrymës.

    “Gazi vallzon” por nafta mbetet konstante

    Edhe pse ka trazira në Lindjen e Mesme apo sanksione ndaj Rusisë, nafta nuk rritet sepse Kina po blen më pak se ç’pritej. Tregu mendon: “Nëse Kina nuk po konsumon, pse duhet të rritet çmimi?” Ky faktor e mban çmimin e naftës të “ngrirë” pavarësisht gjeopolitikës. Kina është importuesi më i madh i naftës në botë. Ekonomia e saj po kalon një fazë deflacioni (rënie çmimesh dhe konsumi). Për të kuptuar se pse nafta mbetet “ishulli i qetësisë” në mes të një stuhie që ka përfshirë arin, Bitcoin-in dhe gazin, duhet të analizojmë një ekuilibër të ri fuqie midis dy prodhuesve dhe konsumatorëve më të mëdhenj në botë: SHBA-së dhe Kinës. Ndërkohë që logjika tradicionale dikton se trazirat gjeopolitike duhet ta shtynin çmimin e naftës Brent drejt 100 dollarëve, këtë javë kemi parë një stabilitet kokëfortë rreth nivelit 55-60 dollarë. Ky fenomen nuk është rastësi, por rezultat i një “përmbytjeje” të ofertës amerikane dhe një “ftohjeje” të motorit kinez.

    Në njërën anë të ekuacionit qëndron Shtetet e Bashkuara, të cilat në vitin 2026 kanë thyer çdo rekord historik të prodhimit. Falë teknologjisë së avancuar të nxjerrjes së naftës dhe një politike agresive të administratës së re për “dominimin energjetik”, SHBA-ja po pompon mbi 14 milionë fuçi në ditë. Kjo rritje masive ka krijuar një “mburojë likuiditeti” në treg. Sa herë që shfaqet një tension në Lindjen e Mesme apo një lëvizje nga Rusia, nafta amerikane vërshon në tregjet globale, duke neutralizuar çdo përpjekje të OPEC+ për të rritur çmimet përmes shkurtimeve të prodhimit. Për investitorët, prania e SHBA-së si prodhuesi numër një ka eliminuar atë që quhet “prim i rrezikut” (risk premium); tregu nuk ka më frikë nga mungesa fizike e naftës.

    Në anën tjetër të ekuacionit, Kina po ushtron një presion të heshtur por të fuqishëm rënës. Si importuesi më i madh i naftës në botë, kërkesa kineze është busulla e çmimeve. Megjithatë, këtë javë u konfirmua se ekonomia kineze po kalon një fazë transformimi të dhimbshëm. Kalimi masiv drejt makinave elektrike (EV) dhe ngadalësimi i sektorit të ndërtimit kanë bërë që etja e Kinës për naftë të arrijë kulmin (peak oil) më herët se ç’pritej. Kur Kina blen më pak, tregu global ndihet “i ngopur”. Edhe nëse ka trazira, fakti që blerësi më i madh në botë nuk po nxiton të mbushë rezervat, i mban çmimet të lidhura pas tokës.

    Ky stabilitet është në fakt një “luftë e ftohtë energjetike” mes Uashingtonit dhe Pekinit. SHBA-ja po përdor naftën e lirë si një mjet për të mbajtur inflacionin e brendshëm të ulët dhe për të dobësuar të ardhurat e Rusisë dhe Iranit. Nga ana tjetër, Kina po shfrytëzon këtë stabilitet për të rritur rezervat e saj strategjike me kosto të ulët, pa e tronditur tregun. Për më tepër, stabiliteti i naftës këtë javë shpjegohet edhe me rënien e Bitcoin dhe arit, investitorët që po ikin nga asetet spekulative nuk po gjejnë strehë te nafta, sepse ajo shihet tashmë si një “commodity” industriale e bollshme dhe jo më si një pasuri e rrallë.

    Në përfundim, nafta nuk po lëviz sepse kemi një përplasje forcash të barabarta: oferta rekord e SHBA-së po mbyt çdo tentativë rritjeje, ndërsa kërkesa e dobësuar strukturore e Kinës po parandalon çdo panik.

    Sic shihet, rregullat e vjetra të ekonomisë po rishkruhen nën presionin e gjeopolitikës dhe teknologjisë. Përmes vëzhgimit të rënies së arit, luhatjeve të gazit dhe stabilitetit të naftës, kuptojmë se jemi dëshmitarë të fundit të epokës ku tregjet lëviznin vetëm nga parimi i ofertës dhe kërkesës. Sot, çdo lëvizje në tabelat e bursave është edhe një pasqyrim i betejës për supremaci mes fuqive të mëdha.
    * * *

    Pra, kjo javë dëshmoi se suksesi në tregjet e ardhshme nuk do të varet nga fatit, por nga aftësia për të lexuar drejt lëvizjet strategjike të shteteve. Për një ekonomist apo studiues të mjedisit universitar, mesazhi është i qartë: inovacioni dhe sipërmarrja duhet të zhvillohen duke kuptuar këtë arkitekturë të re globale, ku siguria energjetike, sovraniteti monetar dhe teknologjia janë të pandashme. Ky është rregulli i ri i lojës, ku stabiliteti nuk është më mungesë e konfliktit, por një ekuilibër i brishtë forcash.

  • Flamuri i Kosovës ngritet në Çikago për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Flamuri i Kosovës ngritet në Çikago për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të premten në Chicago është bërë ngritja solemne e Flamurit të Kosovës përkrah flamurit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atij të qytetit të Çikagos.

    Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të Konsullatës së Kosovës, komuniteti shqiptar dhe bashkatdhetarë të shumtë.

    Drejtuesi i Konsullatës, Drilon Zogaj, dhe Sekretari i Parë, Fatmir Rrahmanaj, falënderuan drejtuesit e Albanian Community of Illinois dhe Shoqata Dardania për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm ndaj Kosovës dhe bashkatdhetarëve në Illinois.

    Screenshot
  • Marrëveshja e tregtisë BE-Indi

    Marrëveshja e tregtisë BE-Indi

    AKADEMIK. PROF. DR ANASTAS ANGJELI

    Politika e jashtme amerikane, diplomacia ekonomike dhe politika e re e tarifave ka sjellë ndryshime të vrullshme jo vetëm gjeopolitike, por edhe gjeoekonomike.

    Grupime ekonomike dhe marrëveshje ekzistuese po shuhen dhe të reja po lindin. Në këtë kënd vështrimi shihet edhe marrëveshja e re e tregtisë midis BE-së dhe Indisë, vetëm pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes tregtare BEMERCOSUR. Por, marrëveshjet tregtare janë jo thjesht dokumente teknokratike, por edhe ngjarje politike që mund të nxisin debate identitare, të mobilizojnë protesta dhe të riformësojnë konkurrencën partiake në shumë vende europiane. Marrëveshja me Indinë lind pikërisht në këtë klimë politike të re dhe përpiqet t’i përgjigjet asaj.

    Kështu, marrëveshja me Mercosur konsiderohet si kthesa Atlantike e Europës, pra një mënyrë për të thelluar lidhjet me Brazilin, Argjentinën dhe fqinjët e tyre, duke i dhënë Europës qasje në lëndë të para kritike, por edhe eksporte bujqësore dhe tregje të reja. Gjithashtu, Mercosur, nga ana tjetër u shndërrua në një histori paralajmëruese. Ratifikimi u bllokua për vite të tëra mes politikës mjedisore dhe protestave të fermerëve dhe tani, vetëm disa ditë pas nënshkrimit kaloi përsëri në kalendat greke pas vendimit të Parlamentit Evropian për të kërkuar mendimin e Gjykatës Europiane në lidhje me aspektet ligjore të saj.

    Ndërkaq, Bashkimi Europian dhe India kanë arritur një marrëveshje historike të tregtisë së lirë, e cila ul ndjeshëm tarifat për shumicën e mallrave që tregtohen mes dy ekonomive, duke zhbllokuar pengesa që kishin paralizuar negociatat për pothuaj dy dekada. Ndryshe nga marrëveshja me Mercosur, ajo nuk rrotullohet rreth simbolikës shpërthyese të Amazonës apo frikës nga konkurrenca bujqësore masive. Përkundrazi, ajo është ndërtuar me më shumë kujdes. Bujqësia mbetet kryesisht e mbrojtur dhe përfitimet e marrëveshjes paraqiten në terma industrie, vende pune, investime dhe siguri të zinxhirëve të furnizimit. Në këtë kuptim, ajo është një marrëveshje e gjeneratës së re, e formësuar më pak nga ideologjia e tregtisë së lirë dhe më shumë nga logjika gjeopolitike e viteve 2020.

    Marrëveshja konsiderohet nga të dyja palët jo vetëm si një sukses ekonomik, por si një pikë kthese strategjike, si një dokument që e afron më shumë Europën me Indinë, një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë, në një kohë kur ekonomia globale po ridizenjohet nga rivalitetet, pasiguria dhe konkurrenca gjeopolitike.

    Për politikëbërësit europianë, kjo është më shumë se një marrëveshje tregtare. Është një mesazh. Brukseli kërkon të tregojë se ende mund të veprojë si aktor global. Një aktor global që mund të ndërtojë aleanca, të zgjerojë tregje dhe të sigurojë alternativa strategjike, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e konsideroi marrëveshjen si “marrëveshjamëmë e të gjitha marrëveshjeve”, një shprehje që nuk u zgjodh rastësisht. Në vitet e fundit BE-ja ka negociuar disa marrëveshje të rëndësishme tregtare, por ajo me Indinë bie në sy, sepse kombinon përmasën, simbolikën dhe rëndësinë strategjike.

    MARRËVESHJA BE-INDI, PSE TANI?

    Pyetja kryesore mbetet: Pse ky kompromis u bë i mundur tani, pas kaq shumë vitesh diskutimesh dhe dështimesh? Përgjigjja është se ekonomia botërore ka ndryshuar. Epoka kur tregtia ishte kryesisht çështje eficience dhe çmimesh për konsumatorët ka përfunduar. Sot tregtia lidhet me sigurinë, influencën dhe forcën.

    Për Europën, pandemia nxori në pah një realitet të dhimbshëm. Ekonomitë që dukeshin moderne dhe të diversifikuara vareshin nga zinxhirë furnizimi të brishtë për mallra thelbësorë. Lufta në Ukrainë e forcoi këtë fakt duke treguar se ndërvarësia mund të shndërrohet në armë, sidomos në energji dhe lëndë të para. Ndërkohë, rivaliteti në rritje SHBA-Kinë e ka kthyer ekonominë globale në një arenë konkurrence strategjike, ku sektorët kritikë duke nisur nga mikroçipet dhe bateritë te mineralet e rralla dhe deri te infrastruktura digjitale, trajtohen gjithnjë e më shumë si çështje sigurie kombëtare.

    Kjo e “zgjoi nga gjumi Brukselin” dhe ka sjellë një gjuhë të re strategjike. BE konsideron se nuk po shkëputet nga Kina, por po ul rrezikun, duke zvogëluar varësinë në sektorë kyç dhe duke krijuar alternativa. India përshtatet pothuajse në mënyrë perfekte me këtë strategji sepse është mjaft e madhe për të pasur peshë, e qëndrueshme për të qenë e parashikueshme dhe shumë dinamike për të tërhequr investime. Për më tepër, ajo i ofron Europës diçka thelbësore për periudhën që po kalojmë. Një partner potencial për riorganizimin e zinxhirëve globalë të furnizimit drejt asaj që shumë zyrtarë europianë i konsiderojnë si rrjete të besueshme.

    Edhe për Indinë, motivet janë po aq gjeopolitike. Nju Delhi e ka pozicionuar veten si fuqi globale që refuzon të bëhet pjesë e një blloku. India dëshiron investime dhe teknologji perëndimore, por pa u lidhur plotësisht me arkitekturën strategjike perëndimore. India mban marrëdhënie me Rusinë, angazhohet me Kinën dhe njëkohësisht, thellon lidhjet me Europën, SHBA-në dhe Japoninë. Marrëveshja tregtare me BE-në e forcon imazhin e Indisë si aktor kyç dhe i jep asaj një marrëdhënie ekonomike më të qëndrueshme e më të privilegjuar me një nga tregjet më të pasura në botë.

    Në këtë mënyrë, marrëveshja BE–Indi i ngjan asaj me Mercosur, jo sepse liberalizon të njëjtat mallra, por sepse simbolizon të njëjtën ambicie, pra përpjekjen e Europës për të mbetur një pol ekonomik global i aftë të negociojë marrëveshje strategjike të mëdha pa ndjekur thjesht Uashingtonin ose pa reaguar mekanikisht ndaj Pekinit.

    ÇFARË PËRMBAN DHE SJELL KJO MARRËVESHJE?

    Vetë marrëveshja ekonomike është e rëndësishme sepse pritet të eliminojë ose ulë tarifat për 96.6% të mallrave të tregtuara (sipas vlerës), ndërsa BE do të ulë tarifat për 99.5% të importeve nga India brenda shtatë viteve. Brukseli pret që kjo të kursejë rreth 4 miliardë euro në vit për kompanitë europiane në taksa doganore dhe në afat më të gjatë, të dyfishojë eksportet e BE-së drejt Indisë deri në vitin 2032.

    Zhbllokimi më dramatik lidhet me industrinë e makinave, sektori që më shumë se çdo tjetër simbolizonte vështirësinë e negociatave. India ka përdorur prej kohësh tarifa jashtëzakonisht të larta për të mbrojtur industrinë e saj automobilistike (sipas të dhënave, deri në 110%). Për prodhuesit europianë, kjo ishte jo vetëm pengesë, por edhe paradoks. India ishte një nga tregjet e fundit të mëdha në rritje, por industria kryesore e eksportit europian mbetej kryesisht e bllokuar. Sipas marrëveshjes, India do të ulë ndjeshëm tarifat për makinat europiane, duke arritur rreth 10% brenda pesë viteve, me kuota që synojnë të kufizojnë tronditjen dhe të zbusin reagimin politik të brendshëm.

    Për Europën dhe sidomos për Gjermaninë, kjo është një fitore industriale, pasi makinat janë jo vetëm të rëndësishme ekonomikisht, por edhe pjesë e identitetit politik. Për Indinë ndoshta është një rrezik i llogaritur, sepse ajo hap tregun ndaj konkurrencës dhe sinjalizon besim në forcën afatgjatë të prodhuesve vendës. Por rreziqet politike mbeten reale. Tregu reagoi menjëherë dhe aksionet e prodhuesve indianë ranë kur dolën detaje mbi uljen e tarifave.

    Sektori tjetër i rëndësishëm që përzien ekonominë me kulturën dhe moralin është alkooli. India ka vendosur prej kohësh tarifa shumë të larta për verërat dhe pijet e forta europiane, deri në rreth 150%, duke i bërë produktet europiane të shtrenjta dhe duke kufizuar hyrjen e tyre në një treg indian në rritje. Marrëveshja parashikon ulje graduale të këtyre tarifave duke i dhënë Europës avantazh në eksportin e mallrave konsumatore me vlerë të lartë. Përmbledhja e Komisionit Europian konfirmon ulje të ndjeshme tarifash për verë, pije të forta dhe birrë, edhe pse ky proces do të jetë i ngadalshëm. Politikisht është shumë më tepër se një çështje pijesh. Alkooli në Indi është sektor i ndjeshëm, sepse nga njëra anë sjell të ardhura, por nga ana tjetër prek debate fetare e kulturore dhe lidhet shpesh me politikë morale në nivel të shteteve federale. Prandaj ulja e tarifave këtu tregon se India është e gatshme të bëjë kompromise të pakëndshme politikisht, mjafton që të fitojë gjetkë.

    Dhe fitimet e Indisë janë të mëdha, veçanërisht në eksportet që lidhen me punësimin. Përfitimet kryesore përqendrohen në sektorë si tekstilet, produktet e lëkurës dhe bizhuteritë, industri që punësojnë miliona dhe që janë thelbësore për ambicien e Indisë për të fuqizuar prodhimin. BE-ja do të eliminojë tarifat për kategori kryesore eksportesh indiane si tekstile, lëkurë, metale bazë, produkte gome, kimikate dhe gurë të çmuar e bizhuteri.

    Megjithatë, si çdo marrëveshje, edhe kjo përmban rreziqe. Bujqësia mbetet vija e kuqe. Produkte të ndjeshme si soja, mishi i viçit, sheqeri, orizi dhe bulmeti janë përjashtuar. Kjo është shumë e ngjashme me rastin e Mercosur. Në Europë fermerët janë bërë një nga grupet më të mobilizuara politikisht të dekadës së fundit dhe çdo marrëveshje që perceptohet se dëmton bujqësinë europiane rrezikon protesta dhe probleme politike. Edhe në Indi, bujqësia është çështje me peshë politike. Prandaj të dyja palët e kuptuan se një marrëveshje plotësisht gjithëpërfshirëse ishte e pamundur dhe zgjodhën një model ku liberalizimi industrial dominon, ndërsa ndjeshmëritë bujqësore merren në konsideratë.

    Por, ndoshta pjesa më domethënëse dhe më polemike lidhet me klimën. Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) i BE-së, që vendos kosto shtesë për importet e produkteve me intensitet të lartë karboni si çeliku, çimentoja dhe plehrat kimike, mbetet i paprekur. India e ka kundërshtuar fort CBAM-in, duke e parë si të padrejtë dhe proteksionist. Ky nuk është detaj teknik. Është sinjal gjeopolitik. CBAM po kthehet në një instrument të ri fuqie për Europën. Për Europën është një zgjedhje strategjike, sepse synon të mbrojë axhendën klimatike, edhe nëse kjo sjell probleme diplomatike. Për Indinë nga ana tjetër kjo është një sfidë serioze.

    Brukseli ofroi edhe një kompensim të pjesshëm. BE do të japë 500 milionë euro për dy vite për të ndihmuar Indinë të ulë emetimet. Është logjika tipike europiane, pa përjashtime, por me mbështetje; pa tërheqje nga standardet, por me asistencë financiare për t’u përshtatur. Nëse India e sheh këtë si partneritet real apo thjesht si dritare politike, do ta përcaktojë marrëdhënien e ardhshme ekonomike mes dy palëve.

    Tani beteja mund të zhvendoset nga tryezat e negociatave te parlamentet. Marrëveshjet tregtare kërkojnë ratifikim dhe ky proces në Europë është bërë gjithnjë e më kompleks. Marrëveshja me Mercosur është shembulli që paralajmëron, por… Brukseli beson se gjeopolitika mund ta ndihmojë. Kjo mund të paraqitet si domosdoshmëri strategjike, pra si një mënyrë për të forcuar pozicionin e Europës në një botë rivaliteti ekonomik dhe fragmentimi politik. Në narrativën e BE, India nuk është thjesht partner tregtar, por një shtyllë stabiliteti në një botë të paqëndrueshme.

    * * *

    Marrëveshja BE–Indi përmbledh natyrën e re politike të tregtisë në vitet 2020. Nuk është thjesht një glorifikim i ideologjisë së tregut të lirë, por një kompromis i projektuar me kujdes, ku sektorët e ndjeshëm mbrohen, industritë strategjike hapen dhe standardet klimatike imponohen përmes fuqisë ekonomike. Ajo i përket epokës së re, ku marrëveshjet tregtare nuk janë më thjesht dokumente ekonomike, por edhe instrumente të konkurrencës gjeopolitike.

  • Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli: Starmer në Pekin për të rijetëzuar marrëdhëniet me Kinën

    Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli: Starmer në Pekin për të rijetëzuar marrëdhëniet me Kinën

    Kur qeveritë flasin për diplomaci ekonomike, pritet të sjellin përfitime të matshme dhe qeveria e Starmer ka nevojë të tregojë rezultate. Programi i Laburistëve për rritjen ekonomike është nën presion pranndaj udhëtimi në Kinë ishte një prove për mundësinë e sjelljes së përfitimeve ekonomike pa krijuar kosto strategjike.

    Vizita e Keir Starmer në Kinë javën e kaluar shënoi përpjekjen më të qartë të viteve të fundit për të zbutur tensionet mes Londrës dhe Pekinit. Ishte udhëtimi i parë i një kryeministri britanik në Kinë që nga viti 2018 dhe vjen në një moment kur të dy vendet përballen me presione të brendshme ekonomike. Britania e Madhe po kërkon mënyra për të nxitur rritjen, ndërsa Kina synon të ruajë stabilitetin dhe të gjejë hapësira të reja bashkëpunimi në një botë gjithnjë e më të polarizuar.

    Kjo vizitë nxori në pah edhe një dilemë më të gjerë për vendet evropiane me peshë të mesme. A mund të diversifikojnë lidhjet tregtare dhe investimet pa u përballur me presion apo penalizime nga Uashingtoni? Kjo pyetje u bë edhe më e dukshme pas deklaratës së Presidentit amerikan Donald Trump, i cili e quajti “shumë të rrezikshme” që Britania të “futet në biznes” me Kinën, një kujtesë se në klimën e re ndërkombëtare, tregtia nuk shihet më thjesht si çështje ekonomike, por gjithnjë e më shumë si instrument strategjik.

    Vizita e Starmer nuk prodhoi një marrëveshje të madhe të tregtisë së lirë. Por, ajo solli diçka më realiste, një paketë të kujdesshme marrëveshjesh sektoriale si dhe hapa simbolikë për rritjen e besimit dhe rihapjen e dialogut. Sfida sidoqoftë mbetet e njëjta. Çdo hap drejt Kinës mund të interpretohet nga SHBA, nga kritikët brenda vendit dhe nga aktorët strategjikë si një lëvizje me pasoja në orientimin gjeopolitik të Britanisë.

    Qeveria britanike e paraqiti vizitën si një akt pragmatic. Mbretëria e Bashkuar do të kërkojë rritje ekonomike aty ku ka mundësi, pa u detyruar të “zgjedhë anë” mes Pekinit dhe Uashingtonit. Mesazhi ishte se diplomacia ekonomike nuk është, ose të paktën nuk duhet ideologjike, sepse ajo lidhet me punësimin, investimet dhe eksportet.

    Nga vizita dolën disa rezultate konkrete

    Njoftimi më i madh në planin komercial erdhi nga Astra Zeneca, e cila shpalli se do të investojë 15 miliardë dollarë (rreth 11 miliardë paund) në Kinë në vitet e ardhshme, duke zgjeruar kërkimin shkencor dhe prodhimin. Kjo u përshkrua si investimi më i madh i kompanisë në Kinë deri tani. Për delegacionin britanik, ky ishte një sinjal se firmat britanike mbeten konkurruese në sektorë me vlerë të lartë, si farmaceutika dhe shëndetësia, fusha ku tregjet globale ndikohen nga shkalla e madhe e prodhimit, inovacioni dhe politikat shtetërore.

    Në sektorin e energjisë dhe teknologjisë, kompania britanike Octopus Energy njoftoi hyrjen në tregun kinez përmes një bashkëpunimi me një kompani lokale për të zhvilluar një platformë digjitale për tregtimin e energjisë elektrike. Logjika në këtë rast është e qartë. Kina është bërë një nga liderët globalë në energjinë e rinovueshme dhe në prodhimin masiv të paneleve diellore, teknologjive të erës dhe baterive. Kjo shkallë e madhe ka ulur kostot në nivel global dhe kompani si Octopus argumentojnë se Mbretëria e Bashkuar mund të përfitojë duke u fokusuar në “shtresën tjetër”, sisteme inteligjente, platforma digjitale dhe mjete efikase që e bëjnë energjinë e pastër më të lirë dhe më të qëndrueshme për konsumatorët.

    Megjithatë, marrëveshja që ka më shumë gjasa të ketë ndikim simbolik e politik brenda Britanisë lidhet me uiskin skocez. Kina ra dakord të përgjysmojë tarifat doganore për uiskin skocez, nga 10% në 5%. Qeveria britanike vlerëson se kjo mund të sjellë rreth 250 milionë paund për ekonominë britanike në pesë vitet e ardhshme. Uiski nuk është vetëm një nga eksportet më të njohura britanike por me shumë se kaq.Kemi të bëjmë në thelb me një element identitar, veçanërisht në Skoci.

    Bota po hyn në një fazë ku tregtia, siguria dhe diplomacia janë të ndërthurura. Në këtë realitet, rijetëzimi i marrëdhënieve ndërmjet Britanisë me Kinën nuk është vetëm çështje eksportesh apo investimesh. Është një akt i balancimit strategjik dhe kostoja e gabimit mund të matet jo vetëm me marrëveshje të humbura, por edhe me humbje të hapësirës për manovrim politik.

    Një tjetër rezultat praktik ishte ai i lëvizshmërisë. Kina vendosi udhëtim pa viza për qytetarët britanikë për qëndrime deri në 30 ditë për biznes dhe turizëm. Në aspektin ekonomik, kjo ul barrierat për udhëtime biznesi dhe sinjalizon një klimë më të favorshme për bashkëpunim tregtar. Në aspektin politik, është një masë konkrete që e bën idenë e “ri jetëzimit të marrëdhënieve” më të besueshme.

    Këto detaje nuk janë të parëndësishme. Kur qeveritë flasin për diplomaci ekonomike, pritet të sjellin përfitime të matshme dhe qeveria e Starmer ka nevojë të tregojë rezultate. Programi i Laburistëve për rritjen ekonomike është nën presion pranndaj udhëtimi në Kinë ishte një prove për mundësinë e sjelljes së përfitimeve ekonomike pa krijuar kosto strategjike.

    Për Pekinin, vizita kishte rëndësi përtej marrëveshjeve konkrete.

    Ekonomia kineze mbetet një nga më të mëdhatë në botë, por mjedisi ndërkombëtar është bërë më i vështirë se më parë. Kufizimet e udhëhequra nga SHBA për eksportet teknologjike, frenimi i investimeve kineze në disa vende dhe tensionet e tregtisë globale e kanë ngushtuar hapësirën manovruese të Kinës. Në këtë kontekst, Pekini ka interes të fortë të projektojë veten si partner i qëndrueshëm për Evropën, sidomos nëse Uashingtoni shihet si i paparashikueshëm.

    Ndikimi i presidencës së Trump.

    Ndërsa SHBA po përdor tarifa agresive dhe ka bërë edhe kërcënime tregtare ndaj aleatëve të saj, Kina po përpiqet të ndryshojë imazhin ndërkombëtar: jo si faktor destabilizues i tregtisë globale, por si aktor i parashikueshëm. Një rijetëzim i marrëdhënieve me Britaninë e Madhe, një ekonomie të rëndësishme evropiane dhe aleat historik i SHBA, i shërben Pekinit si mesazh politik.

    Narrativa kineze e përshkruan vizitën si kthim të potencialit të bashkëpunimit në rezultate konkrete. Në planin ekonomik, Kina përfiton nga ruajtja e aksesit për eksportet e produkteve me vlerë të lartë, si automjetet elektrike, teknologjitë diellore dhe komponentët e energjisë së gjelbër. Në planin politik, takimi sinjalizon se Kina nuk është e izoluar dhe mund të bashkëpunojë me kryeqytete të rëndësishme perëndimore. E thënë me fjalë të tjera, Britania shkoi në takim për fitore tregtare. Kina nga ana tjetër fitoi legjitimitet dhe stabilitet në marrëdhënie me Perëndimin dhe të dyja palët gjetën pikë takimi të mjaftueshme për të justifikuar një afrim të kujdesshëm.

    Nëse rijetëzimi i marrëdhënieve ekonomike ishte lajmi kryesor, reagimi i Trump ishte paralajmërimi në prapaskenë.Deklarata e Trump se është “shumë e rrezikshme” që Britania të bëjë biznes me Kinën pasqyron një ndryshim më të gjerë në mënyrën si SHBA e koncepton ndikimin e saj. Në këtë qasje, tarifat nuk janë vetëm mjete për mbrojtjen e industrisë vendase. Ato shndërrohen në instrument presioni politik. Partnerët pritet të rreshtohen jo vetëm ushtarakisht, por edhe ekonomikisht.

    Kjo është arsyeja pse afrimi i Britanisë me Kinën bëhet kaq i ndjeshëm. Nuk ka rëndësi nëse Londra këmbëngul se nuk po zgjedh mes Uashingtonit dhe Pekinit. Në logjikën gjeopolitike të Trump, lidhjet tregtare të thella mund të shihen vetvetiu si një zgjedhje strategjike.

    Kështu, rreziku i një reagimi amerikan , mund të sjellë rrezik real dhe të ndryshojë vendimmarrjen e biznesit, klimën e investimeve dhe orientimin e politikës së jashtme britanike. Nëse Uashingtoni sinjalizon se vendet që thellojnë bashkëpunimin me Pekinin mund të përballen me pasoja tregtare, atëherë strategjia e rijetëzimit të marrëdhënieve kufizohet.

    Politika e brendshme britanike

    Sidoqoftë vlen të thuhet se një rijetëzim i marrëdhënieve me Kinën nuk është kurrë vetëm çështje tregtie. Është e pashmangshme që një përpjekje e tillë të shoqërohet edhe me debat të brendshëm.

    Në Britani, Kina shihet njëkohësisht si mundësi ekonomike dhe si sfidë në sigurinë kombëtare e në vlera. Kritikët theksojnë çështje si të drejtat e njeriut, teknologjitë e mbikqyrjes, ndikimi i huaj dhe përdorimi i investimeve si instrument politik.

    Raportimet se Kina hoqi sanksionet ndaj disa deputetëve dhe anëtarëve të Dhomës së Lordëve janë interpretuar në dy mënyra. Për mbështetësit e afrimit, është një ulje e armiqësisë dhe një shenjë se dialogu funksionon. Për kritikët, është një lëvizje taktike që synon të dobësojë kundërshtimin dhe të ulë vëmendjen ndaj çështjeve sensitive.

    Ky është realiteti i politikës ndaj Kinës në demokracitë perëndimore. Edhe kur incentivat ekonomike janë të forta, legjitimiteti politik mbetet i brishtë. Qeveritë duhet të dëshmojnë se nuk po sakrifikojnë sigurinë apo vlerat për përfitime afatshkurtra.

    Qeveria e Starmer po ndjek një vijë të kujdesshme. Nga njëra anë përpiqet të rihapë dialogun ekonomik pa u dukur naïve, të tërheqë investime pa u dukur e varur dhe të zgjerojë tregtinë ndërkohë që “menaxhon rrezikun”.

    Por nga ana tjetër menaxhimi i rrezikut është më i lehtë në deklarata sesa në praktikë. Kur në Kinë ekzistojnë pengesa strukturore sic janë burokracia apo transparencë e kufizuar , premtimi për akses në treg mund të zhgënjejë. Ndërkohë, në Britani edhe investimet modeste kineze mund të ndezin debat politik.

    Një trend evropian?

    Vizita e Starmer nuk është rast i izoluar. Ajo pasqyron një qasje më të gjerë evropiane dhe jo vetëm. Liderë nga Franca, Kanadaja dhe Finlanda kanë vizituar Pekinin së fundmi. Ata ndajnë një intuitë të përbashkët: në një periudhë pasigurie tregtare dhe gjeopolitike, diversifikimi i partnerëve është racional. Nuk është domosdoshmërisht një kthim drejt Kinës, por më tepër një përpjekje për të mos u varur nga një qendër e vetme fuqie.Megjithatë, edhe ky diversifikim ka kufij. Është e vështirë të zgjerosh partneritetet tregtare kur politika globale po shkon drejt logjikës së kampeve. Është edhe më e vështirë kur një prej kampeve, pra SHBA, përdor tarifa dhe presion për të kufizuar hapësirën e vendimmarrjes së partnerëve.

    Prandaj vizita e Starmer ka rëndësi si provë për Evropën për të vlerësuar se a mund të ndjekin vendet e mesme një diplomaci ekonomike pragmatike me Kinën, ndërkohë që mbeten të ankoruara në aleancën perëndimore?

    Marrëveshjet mes Britanisë dhe Kinës për udhëtimet pa viza, tarifat e uiskit dhe bashkëpunimet ekonomike janë konkrete. Ato mund të sjellin përfitime në sektorë të caktuar dhe të hapin rrugë për investime të reja në të ardhmen.

    Por historia më e rëndësishme lidhet me atë që ndodhi menjëherë pas vizitës, pra paralajmërimi i Trump tregon se çdo afrim ekonomik me Kinën sot shndërrohet automatikisht në çështje gjeopolitike.

    Bota po hyn në një fazë ku tregtia, siguria dhe diplomacia janë të ndërthurura. Në këtë realitet, rijetëzimi i marrëdhënieve ndërmjet Britanisë me Kinën nuk është vetëm çështje eksportesh apo investimesh. Është një akt i balancimit strategjik dhe kostoja e gabimit mund të matet jo vetëm me marrëveshje të humbura, por edhe me humbje të hapësirës për manovrim politik.

  • Vota për Aktin e Luginës së Preshevës, dëshmi e potencialit të lobimit shqiptar në SHBA

    Vota për Aktin e Luginës së Preshevës, dëshmi e potencialit të lobimit shqiptar në SHBA

    Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami flet për bashkëpunimin me Anëtarin e Lartë të Komitetit, Gregory Meeks dhe kongresistë të tjerë, senatorin John Thune, udhëheqës i shumicës në Senatin Amerikan, lobimin e gjatë për Kosovën dhe Luginën e Preshevës dhe nevojën për organizim që projektligji të miratohet nga Kongresi Amerikan.

    Ruben Avxhiu

    Fati i shqiptarëve të harruar të Luginës së Preshevës ka marrë më së fundi vëmendjen e duhur.

    Komiteti për Punët e Jashtme të Dhomës në Kongresin Amerikan sapo miratoi me votën masive 43-3 një rezolutë e cila detyron Sekretarin e Shtetit që të përgatisë brenda 180 ditëve një raport për gjendjen e shqiptarëve në Serbi.

    Raporti duhet të ndalet në problemet që shqetësojnë shqiptarët prej vitesh siç janë: Pasivizimi i adresave, e drejta e votës, e pronës dhe dokumenteve, përfaqësimi në institucionet dhe shërbimet rajonale, njohja e diplomave dhe gradave shkencore, përdorimi i gjuhës shqipe etj.

    Hapi tjetër për “Aktin e Shqyrtimit të Diskriminimit në Luginën e Preshevës” tani është që të votohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, por kalimi i pragut të Komitetit me një votë kaq masive ishte një arritje e rëndësishme. Ajo dëshmoi se çështja e Luginës tani nuk mund të fshihet më nën rrogoz dhe se Serbia në një mënyrë apo një tjetër, do të fillojë të ndjejë presionin amerikan.

    Vota e suksesshme në nivel Komiteti nënvizoi edhe dy mesazhe të rëndësishme. I pari na thotë se kur komuniteti shqiptar në Amerikë angazhohet, rezultatet nuk vonojnë dhe se mbështetja jonë në Kongres dhe Washington vijon të jetë dypartiake. Rezultati 47-3 nuk ishte një rastësi. Ai reflektoi drejtësinë e kauzës së Luginës së Preshevës që përfshinë komunat Preshevë e Bujanoc me shumicë shqiptare dhe Medvegjë, por edhe punën e madhe të bërë nga shqiptaro-amerikanët.

    Një meritë të madhe kanë veprimtarët e shoqatës “Albanians for America” (Shqiptarët për Amerikën), si Doc Vranici, Gino Mulliqi, Gezim Rushiti e të tjerë për miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë që kanë krijuar me kongresistin Keith Self, nga Texas, i cili tani drejton NënKomitetin për Evropën në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

    Për më tepër, ata kanë krijuar lidhjen me kongresistin Brian Mast nga Florida, një veteran i luftës që i ka humbur të dy këmbët dhe që sot shërben në postin e fuqishëm të Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve. Këtë pozicion ka pasur dikur në fund të karrierës kongresisti Eliot Engel dhe pas tij, për disa vite kongresisti Gregory Meeks.

    Kongresisti Keith Self mori pjesë dhe mbajti fjalim në shtator të vitit të kaluar në darkën mbresëlënëse të Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro Amerikane (AARC), në Manhattan, ku u njoh edhe më mirë me forcën e komunitetit shqiptar në SHBA e ku merrnin pjesë si mysafirë nderi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Aty edhe mbajti një nga fjalimet më të mira në përkrahje të shqiptarëve. Të nesërmen ai u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Takime me të dhe kongresistë të tjerë kanë organizuar edhe Liga Qytetare e DioGuardit që drejtohet tani nga Agim Aliçkaj.

    Projektligji për Luginën e Preshevës u paraqit në fillim nga kongresisti Self në Nënkomitetin e tij dhe pastaj u referua për miratim në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë. Aty fitoi me votën e vendimtare 43-3.

    Ky rezultat sjell mesazhin e dytë, apo nxjerr në pah fenomenin tjetër, mbështjen për kauzën shqiptare në mbarë spektrin e politikës amerikane. Kjo ka qenë karakteristikë e vazhdueshme e lobimit shqiptar në Amerikë dhe mesa duket vazhdon edhe sot e kësaj dite me gjithë polarizimin në politikën amerikane. Republikanët dhe demokratët në Washington po ndahen për shumë gjëra këto ditë por u bashkuan për votën e Luginëss së Preshevës. Kjo nuk është rastësi, por rezultat i punës së shqiptarëve në Amerikë.

    Self dhe Mast janë republikanë përkatësisht nga Texas dhe Florida, kurse demokratët në këtë Komitet udhëhiqen nga Gregory Meeks, kongresist nga Queens, New York, i zgjedhur në Kongres që nga viti 1998 dhe tani anëtar i Lartë i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

    Pas largimit nga politika i kongresistit Engel, Meeks u bë demokrati më i fuqishëm në Komitet. Për të mos lejuar humbjen e ndikimit shqiptar, në një kohë ngadalësimi të lobimit tonë në SHBA, para disa vitesh, botuesi i gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami, në bashkëpunim me Halil Ahmetajn, veprimtar i njohur dhe pronar i disa restoranteve në Manhattan, organizuan një darkë të rëndësishme për të krijuar lidhje dhe bashkëpunim me zëvendësuesin e Engelit, kryetarin Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, kongresistin Gregory Meeks.

    Me ftesën e tyre në takim mori pjesë edhe kongresistja e fuqishme Carolyn Maloney, kryetare e Komitetit të Mbikqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve si dhe kongresisti Mondaire Jones.

    Botuesi i gazetës “Illyria”, autor dhe ish drejtor i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, gjatë takimit me tre kongresistët për të mbështetur fushatat e tyre elektorale, u dorëzoi atyre një dokument për Kosovën ku përfshihej edhe kërkesa që Kongresi të ndikojë tek administrata amerikane për ta detyruar Serbinë që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë të drejtat që kanë serbët e Kosovës.

    Komuniteti iu përgjigj ftesës së Vehbiut dhe Halilit. Mes pjesëmarrësve në takimin prezantues ishte Jim Xhema, figurë e madhe e lobimit shqiptar në SHBA si dhe Christopher Hyland, njeriu që prezantoi komunitetin shqiptar me kandidatin për President, Bill Clinton, në vitin 1992. Marash Nucullaj kishte udhëtuar nga Detroiti për të dëshmuar se shqiptarët mbeten të bashkuar pavarësisht se nga cilat troje vijnë e ku banojnë në SHBA. Për të folur për çështjen e Vëllezërve Bytyçi, që u vranë nga forcat serbe në vitin 1999, kishte ardhur Ilir Bytyçi, i cili ka dëshmuar dhe në Kongresin Amerikan.

    Që atëherë, Vehbi Bajrami ka mbajtur një raport bashkëpunimi me zyrën e kongresistit Meeks e të tjerë, duke e ushqyer me raporte dhe propozime për të ndihmuar Kosovën, ngritjen e Forcave të Armatosura të saj, hyrjen në NATO, shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi etj.

    “Në një nga takimet e shpeshta që kam pasur me kongresistin Meeks”, thotë Bajrami, “i shpreha shqetësimin për humbjen e kongresistit Eliot Engel, duke shtuar se shqiptarët humbën një kampion të mbrojtjes së Kosovës në Kongres. Më tha: ‘Tani më keni mua aty në Kongres në vend të tij. Unë do të jem përkrahës i Kosovës. Para bombardimeve të NATO-s në Serbi, vazhdoi ai, unë e mbështeta presidentin Clinton kur ai kërkoi ndihmën time. Më tha se e ndjente veten fajtor që nuk mundi të ndihmonte kundër gjenocidit në Ruanda dhe tani nuk mund të mos ndihmonte Kosovën’”.

    Këto lidhje kanë qenë të rëndësishme që projektligji për Luginën, i cili u propozua nga republikanët Self dhe Mast, të merrte mbështetjen edhe nga opozita demokrate.

    “Vota për projektligjin në Kongresin Amerikan është një arritje e jashtëzakonshme dhe për këtë një meritë të veçantë kanë aktivistët e Texas-it, bashkë me Faton Bislimin dhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro – Amerikane. U jam mirënjohës të gjithë kongresistëve që votuan për projektligjin e veçanërisht kongresistëve Keith Self dhe Gregory Meeks, ky i fundit një mik imi për shumë vjet”, shprehet për këtë ngjarje botuesi Vehbi Bajrami. “Megjithatë, lobimi për të drejtat e shqiptarëve në Serbi, në Washington ka filluar më heret. Personi që ka bërë më së shumti në këtë drejtim nga Lugina e Preshevës dhe i pari që ka denoncuar pasivizimin e adresave është Prof.Muharrem Salihu, në kohën kur ishte këshilltar komunal në Medvegjë. Aktiviteti i tij ka qenë tejet i rëndësishëm për njohjen e Kongresit dhe institucioneve evropiane për pasivizimin e adresave nga qeveria serbe dhe shkeljet e tjera të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

    Bajrami tregon se si bashkë me prof. Muharrem Salihun dhe Skender Perollin në vitin 2019 u takuan në New York dhe Washington me kongresistin Eliot Engel dhe Robert Hand nga Komisioni i Helsinkit, organ ky i themeluar nga Kongresi Amerikan për të monitoruar të drejtat e njeriut në Evropë.

    “Dëshmia e Prof. Muharrem Salihut gjatë këtyre takimeve shërbeu si bazë e projektrezolutës në Kongresin Amerikan”, thotë ai. “Salihu gjatë këtyre takimeve në Washington dhe më pas në Komisionin e Helsinkit në Beograd, që drejtohet nga humanistja Sonja Biserko, paraqiti dokumente mbi diskriminimin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe ato u morën si bazë faktografike e shkeljes së të drejtave të njeriut”.

    Si tregon botuesi i gazetës “Illyria”, zyrtarët amerikanë më pas udhëzuan ambasadën e SHBA-së dhe Komisionin e Helsinkit në Beograd që të merren me këtë problem dhe vijuan pastaj vizitat e ambasadorit amerikan dhe Sonja Biserkos (drejtuese e Komisionit të Helsinkit në Beograd) në Luginën e Preshevës për t’u njohur me diskriminimin e shqiptarëve.

    Robert Hand i rekomandoi prof. Salihut të takohej edhe me ambasadorin e OKB-së për pakicat në Hagë, Lamberto Zanier, ish administrator në Kosovë pas Lufte. Prof. Salihu u takua edhe me të dhe e informoi me fakte për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi nga qeveria serbe.

    Bajrami shton se raporti i Komisionit të Helsinkit i bazuar nga dëshmitë e Prof. Salihut është referenca më relevante në tryezat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe projekligjin aktual në Kongresin Amerikan.

    Hapi tjetër tani do të jetë miratimi nga mbarë Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, e cila ka 435 anëtarë.

    Vehbi Bajrami, i cili e ka vendlindjen pikërisht në Luginën e Preshevës, u shpreh me këtë rast se shqiptarët duhet të organizohen dhe të përdorin të gjithë lidhjet e tyre kur të vijë dita e votimit në Dhomën e Përfaqësuesve.

    Viteve të fundit ai ka bashkëpunuar me disa kongresistë amerikanë për të lobuar për Kosovën, Preshevën dhe çështjet shqiptare në Ballkan. Të paktën tre prej tyre, pas kërkesës sl tij, kanë pranuar të bëhen anëtarë të Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongres: Grace Meng, Seth Moulton dhe Joe Morelle.

    Vitin e kaluar, Jim Xhema bashkë me të dhe aktivistë të tjerë të komunitetit në New York, organizoi një mbrëmje për të mbështetur senatorin e fuqishëm, John Thune, i cili më pas u zgjodh udhëheqës i shumicës në Senatin Amerikan. Aktivistët, në mesin e kërkesave, të cilat iu paraqitën në formë të shkruar nga z. Bajrami, ishte që Kosova të anëtarësohej në NATO si mënyra më e mirë për sigurinë e saj nga Serbia si dhe stabilitetin e rajonit ballkanik.

    “Ka zëra se ndikimi i diasporës shqiptare në Kongres, Senat e Shtëpinë e Bardhë është zbehur. Kjo nuk është e vërtetë. Aktivistët shqiptarë kanë lidhje me shumë ligjvënës amerikanë dhe me zyrtarë të tjerë të lartë në administratën amerikane. Me këtë rast do të veçoja senatorin John Thune, udhëheqës i shumicës në Senatin Amerikan dhe John Ratcliffe, drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Vendimet e mëdha presidenti amerikan nuk i merr pa mendimin ose aprovimin e kryetarit të Senatit dhe CIA-s. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të kontraktojë një firmë të fuqishme lobuese në Washington, e cila do të forconte edhe më shumë lidhjet e Kosovës me Amerikën dhe do të demantone gënjeshtrat e lobistëve të paguar nga Serbia në Washington, që po punojnë fort në favor të Serbisë e në dëm të Kosovës. Kjo firmë do të ndihmonte aktivitetin lobues të ambasadave tona e të komunitetit, i cili mbetet forcë e pazëvendësueshme e këtij lobimi”, thotë z. Bajrami.

    “Kur të afrohet dita e miratimit të projektligjit për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi nga Dhoma e Përfaqësuesve, shqiptarët në Amerikë duhet të organizohen. Të kontaktojmë të gjithë kongresistët që njohim dhe t’u kërkojmë të votojnë për projektligjin, madje të bindin edhe kolegë të tjerë”.

    Angazhimi i shqiptarëve me politikën amerikane ka dëshmuar që jep fryte. Ai është jetik për fatin e kombit shqiptar dhe i shërben jo vetëm shqiptarëve por edhe vetë sigurisë së Amerikës.

    Jim Xhema (djathtas) me Senatorin John Thune, kryetar i Shumicës, në Senatin Amerikan, gjatë një takimi vitin e kaluar në New York me aktivistë të komunitetit për të mbështetur fushatën elektorale të senatorit amerikan.
    Kongresisti Keith Self gjatë një takimi me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti në New York (shtator 2025).
    Kongresisti Keith Self me presidenten e Kosovës. Vjosa Osmani gjatë një takimi në Texas (maj 2024).
    Nga e majta, Don Vranici, kryetari i Komitetit Brian Mast, Gezim Rushiti, dhe Gino Mulliqi.
    Vehbi Bajrami (majtas) me kongresistin Gregory Meeks.
    Kongresisti Keith Self (majtas) me kryetarin e Albanian American Relation Council (AARC) Martin Vulaj.
    Prof. Muharrem Salihu, në zyrën e tij në Medvegjë, duke i paraqitur dëshmitë mbi diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës znj. Sonja Biserko, kryetare e Komisionit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi.
    Prof. Muharrem Salihu (në mes) me kongresistin Eliot Engel (majtas) dhe Skeder Perollin gjatë vizitës në Washington.
    Prof. Salihu me Robert Hand (në mes) dhe Skender Perollin gjatë takimit në Washington.
    Pas një mbrëmje në restorantin e Halil Ahmetajt në Manhattan me liderët e Luginës së Preshevës. Nga e majta: Halil Ahmetaj, Ragmi Mustafi, Faton Bislimi, Vehbi Bajrami, Ardita Sinani, Christopher Hyland, Nagip Arifi, ambasadori Blerim Reka, Raba Ahmetaj, Shaip Kamberi, Gena Bajrami dhe Besim Berisha.
    Vizitë në Medvegjë verën e kaluar për t’u njohur me diskriminimin e shqiptarëve. Nga e majta: Mexhid Mehmeti, Rini Bajrami, Vehbi Bajrami, Muharrem Salihu dhe Ramadan Muçolli.
    Kongresisti Gregory Meeks dhe Vehbi e Gena Bajrami
    Pamje nga kakimi me kongresistët Meeks, Malony dhe Johns në Manhattan.
    Disa nga aktivistët e komunitetit pas takimit me kongresistët amerikanë.
    Nga e majta, Gino Mulliqi, Tony Marke, Burim Rexhaj, Eli Rusi, kongresisti Keith Self, Martin Vulaj dhe Doc Vraniqi, në mbrëmjen e organizuar në shtator të vitit të kaluar nga Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro Amerikane (AARC).
    Delegacioni i Luginës së Preshevës në Kongresin e SHBA-së.
    Nga e majta: Senatori John Thune, dr. Rifat Latifi, Raba Ahmetaj, Betim Ahmetaj dhe Halil Ahmetaj.
    Senatori John Thune dhe Vehbi Bajrami.
    Nga e majta, Vehbi Bajrami, Christopher Hyland, Jim Xhema, Halil Ahmetaj.
  • 19-vjeçarja nga Kosova “e çan” skenën e  “The Voice of Finland” me zërin e saj fantastikë

    19-vjeçarja nga Kosova “e çan” skenën e “The Voice of Finland” me zërin e saj fantastikë

    Vetëm 19 vjeçe, por me një zë që rrëmben vëmendjen që në notën e parë. Hana Orllati nga Kosova ka ndezur emocionet në skenën e “The Voice of Finland”, duke mahnitur jurinë dhe publikun me interpretimin e saj fantastikë.

    Me këngën “How i was supposed to live without you”, Hana Orllati arriti të kalojë me sukses fazën e parë të kësaj gare prestigjioze këndimi, duke dëshmuar se talenti i saj nuk njeh kufij.

    Zëri i saj i fuqishëm, u prit me reagime entuziaste nga publiku dhe juria.

    Rruga e Hanës me muzikën ka nisur herët. Që në fëmijëri ajo ka qenë e lidhur ngushtë me artin, ndërsa në moshën vetëm 10-vjeçare ka marrë pjesë në “The Voice of Albania”. Përveç kësaj, ajo ka performuar në shumë koncerte për fëmijë në Kosovë.

    Hana Orllati ka përfunduar shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Tash e një vit, ajo jeton në Finlandë me prindërit dhe tre vëllezërit, të cilët u shpërngulën atje vite më parë për të ndjekur studimet.

    “Që kur isha e vogël kam ëndërruar të këndoj në skena të mëdha dhe të bëhem një artiste profesionale. Kjo ëndërr tani ka nisur të bëhet realitet,” shprehet Hana.

    Historia e saj është dëshmi se talenti, puna dhe ëndrra e madhe mund ta çojnë zërin e Kosovës në skenat ndërkombëtare.

  • Vëmendja te Forumi i Davosit 2026

    Vëmendja te Forumi i Davosit 2026

    AKADEMIK PROF ANASTAS ANGJELI

    Forumi i Davosit, i njohur zyrtarisht si Forumi Ekonomik Botëror (WEF), mbledh çdo vit udhëheqës nga biznesi, politika, akademia dhe sektorë të tjerë për të adresuar sfidat urgjente globale.

    FORUMI I DAVOSIT 2026-VECORITE

    Forumi i Davosit i këtij viti dallohet për shkak të një bashkimi tensionesh të vazhdueshme gjeopolitike, paradigmave ekonomike në zhvillim dhe ndryshimeve të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara nën një administratë të dytë të Presidentit Trump. Nën temën, “Shpirti për Dialog”, “A Spirit of Dialogue”, Davos 2026 synojë të projektojë idenë se dialogu, bashkëpunimi dhe qasja shumëpalëshe mund të ofrojnë rrugëdalje nga një botë e kontestuar, e fragmentuar dhe e polarizuar. Por prania këtë vit e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e zhvendosi peshën e debatit nga gjuha konsensuale e dialogut drejt një agjende të hapur transaksionale dhe unilaterale. Forumi i kësaj radhe (19–23 janar 2026) dallohet nga konvergjenca e turbulencave gjeopolitike, ndryshimeve të paradigmave ekonomike dhe riorganizimeve ndërkombëtare – më së shumti nga rikthimi i Donald Trump në presidencën e SHBA-së, i cili ka riformësuar diskutimet mbi tregtinë, aleancat dhe qeverisjen globale. Disa nga arsyet kryesore mund të përmenden:

    Thyerja e rendit global: Udhëheqësit në Davos 2026 u përballën me një botë të përshkruar si “duke u balancuar në një greminë” në Raportin Global të Rreziqeve të WEF-it. Konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, së bashku me rivalitetin SHBA-Kinë, dominuan agjendën.

    Presionet me tarifat: Theksi i ripërtërirë i Presidentit Trump mbi tarifat dhe nacionalizmin ekonomik ka rritur shqetësimet në lidhje me luftërat tregtare, veçanërisht me Evropën dhe Kinën.

    Mosmarrëveshjet mbi qeverisjen e Inteligjencës Artificiale: Përtej gjeopolitikës tradicionale, përplasjet mbi rregullimin e inteligjencës artificiale dhe sovranitetin digjital dolën si arena të reja të konkurrencës globale. Forumi theksoi bashkëpunimin në një botë të kontestuar, duke theksuar nevojën për të zhbllokuar burime të reja rritjeje dhe për të investuar në kapitalin njerëzor. Sesionet u përqendruan në shmangien e një “recesioni klimatik” dhe ndërtimin e prosperitetit brenda kufijve planetarë, duke reflektuar tensionin midis qëndrueshmërisë dhe rritjes. Analistët krahasuan vitet 2020 me vitet 1920, duke paralajmëruar për pabarazi, populizëm dhe paqëndrueshmëri financiare.

    Ajo që e bëri më të veçantë këtë Forum ishte prezenca dhe fjalimi i Presidentit Trump. Trump mbajti një fjalim të veçantë në Davos 2026, duke nënvizuar me vendosmëri qëndrimin e tij “Amerika e Para”. Retorika e fortë e tarifave e Trump ka shqetësuar njëkohësisht aleatët dhe kundërshtarët, duke sinjalizuar një tërheqje nga globalizimi bashkëpunues. Trump mbajti një fjalim, duke u pozicionuar kundër etosit globalist të Davosit dhe duke e bërë pjesëmarrjen e tij si sfiduese, ashtu edhe përcaktuese. Udhëheqësit evropianë shprehën shqetësim në lidhje me besueshmërinë e SHBAsë në NATO dhe angazhimet për klimën, duke përforcuar ndjenjën e ndryshimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Fjalimi i Donald Trump në Davos për vitin 2026 ishte një ndryshim nga theksi i zakonshëm i Forumit mbi bashkëpunimin shumëpalësh dhe qëndrueshmërinë. Fjalimi i tij u përqendrua rreth një agjende amerikane, e përshtatur përmes referencave të përsëritura ndaj Groenlandës si një çmim strategjik për Shtetet e Bashkuara. Ai e portretizoi çështjen e Groenlandës si thelbësore për sigurinë e SHBA-së, pavarësinë energjetike dhe dominimin gjeopolitik.

    Trump e pozicionoi Amerikën si fuqinë e domosdoshme, duke theksuar se prosperiteti global varet nga forca e SHBA-së. Ai i kritikoi ashpër aleatët e NATO-s për dështimin në përmbushjen e angazhimeve për shpenzimet e mbrojtjes, ndërsa njëkohësisht shtoi presionin me tarifa për vendet evropiane derisa ato mbështetën ambiciet e tij për Groenlandën. Kjo retorikë përforcoi qëndrimin e tij më të gjerë “Amerika e Para”, ku mjetet tregtare si tarifat u paraqitën si leva të negociatave gjeopolitike. Politika e energjisë ishte një tjetër pikë e nxehtë. Trump e hodhi poshtë tranzicionin e energjisë së pastër të Evropës si “të dobët dhe të pabesueshëm”, duke mbështetur në vend të kësaj lëndët djegëse fosile si shtyllën kurrizore të qëndrueshmërisë së SHBA-së. Fjalimi kishte edhe nuanca historike, ku më saktësisht Trump përmendi Luftën e Dytë Botërore për t’u kujtuar aleatëve sakrificat e së kaluarës së Amerikës, duke i paraqitur kërkesat aktuale si njohje të vonuar të lidershipit amerikan. Një nga boshtet kryesore të fjalimit të Presidentit Trump ishte kritika ndaj Evropës. Ai i përshkroi disa rajone evropiane si “të panjohshme” krahasuar me të shkuarën dhe deklaroi se kontinenti “nuk po ecën në drejtimin e duhur”, duke e shoqëruar këtë me pohimin se “e do Evropën” dhe dëshiron suksesin e saj. Në të njëjtën kohë, ai bëri të qartë se e sheh BE-në si konkurrent serioz ekonomik, jo vetëm si aleat politik. Por, ai kritikoi edhe presidentët e mëparshëm të SHBA-së për “marrëveshje të këqija” dhe e pozicionoi veten si forca korrigjuese që po rivendoste dominimin amerikan. Në fakt, qëndrimi i Trump kristalizoi tre elementë përcaktues:

    1.Ashpërsi gjeopolitike përmes retorikës së Groenlandës dhe NATO-s.

    2.Nacionalizmi ekonomik nëpërmjet tarifave dhe kërcënimeve tregtare.

    3.Divergjenca e energjisë me një refuzim të energjisë së pastër në favor të lëndëve djegëse fosile.

    Implikimet ishin të menjëhershme: Udhëheqësit evropianë mbetën të shqetësuar, mediat dhe analistet e gjeopolitikës dhe gjeoekonomisë reaguan, tregjet globale “reaguan nervozisht” dhe vetë Davosi u bë një skenë për përplasjen midis populizmit nacionalist dhe etosit të Forumit për globalizim bashkëpunues. Si përfundim, fjalimi i Trump në Davos 2026 ishte dominim i filozofisë” Amerika e Para” duke u ankoruar në ambiciet e Groenlandës, presionet tarifore dhe mosmarrëveshjet energjetike, duke zotëruar dhe u vendosur në qendër të vëmendjes së Forumit.

    Shtypi botëror dhe tregjet financiare pas fjalimit të Presidentit Trump

    Fjalimi i Presidentit Trump në Davos (janar 2026) ka krijuar dy narrativa krejtësisht të ndryshme, duke u përshtatur me mjeshtëri sipas audiencës, që synon: nga njëra anë zgjedhësit e tij në përballjen e afërt për votimet e mesmandatit dhe nga ana tjetër, liderëve europianë për bashkëpunimin ndërkombëtar. Analizat e mediave botërore (si “The Guardian”, “Time”, “Washington Post” dhe BBC) e ndajnë këtë fjalim në dy plane kryesore: për zgjedhësit amerikanë u përqendrua tek “Mrekullia Ekonomike dhe Siguria”. Në prag të zgjedhjeve të mesmandatit (Midterms 2026), Trump e përdori tribunën e Davosit jo si një forum diplomatik, por edhe si një platformë elektorale. Gazetat amerikane vërejnë se mesazhi i tij ishte i qartë: “Unë e rregullova atë që të tjerët e prishën”. Në këtë aspekt, ekonomia u paraqit si fitore dhe Trump proklamoi “fundin e inflacionit” dhe një “mrekulli ekonomike” pas vetëm një viti në detyrë. Ai premtoi dhe siguroi se “Amerika është sërish motori i botës”. Lufta ndaj korporatave (Banesat) ishte një lëvizje që tërhoqi vëmendje e publikut amerikan. Ishte urdhri i tij ekzekutiv, që ndalon korporatat e mëdha të blejnë shtëpi familjare, mjeti kryesor që do të rivendoste ekuilibrin në tregun e pasurive të paluajtshme. Mesazhi: “Amerika nuk do të bëhet një komb qiramarrësish” ishte slogani bazë i kësaj politike. Kjo tezë synon drejtpërdrejt shtresën e mesme, që vuan nga kriza e banimit. Sulmet ndaj “burokratëve të korruptuar” dhe mediave “fake news” shërbejnë për të mbajtur të mobilizuar bazën e tij elektorale, duke u paraqitur si i vetmi që guxon t’u thotë të vërtetat në sy elitave globale në Davos. Në politikën kundër emigracionit, premtim i fortë elektoral, ai e cilësoi kufirin jugor si “të pakalueshëm” dhe përdori çështjen e Groenlandës si simbol të rritjes së fuqisë amerikane. Për bazën e tij, blerja e Groenlandës nuk është çmenduri, por një “marrëveshje e madhe pasurie” që do të garantojë sigurinë ndaj Kinës dhe Rusisë. Për politikanët e BE-së, mesazhi ishte sa i guximshëm, por edhe një paralajmërim i rëndë: “Presioni dhe Pavarësia e Detyruar” ishte elementi bazë i raporteve reciproke. Mediat europiane e përshkruajnë atmosferën si “një zgjim të dhimbshëm” për Brukselin. Reagimet e mediave në fuqitë kryesore europiane (Angli, Francë, Gjermani dhe Itali) pas fjalimit të Trump në Davos (janar 2026) pasqyrojnë një miksim mes alarmit për sigurinë dhe një përgatitjeje pragmatike për një “luftë të ftohtë” tregtare. Kështu, “Shtypi italian karakterizohet nga ‘Pragmatizmi dhe Ankthi’”. Ai luhatet mes nevojës për të mbajtur marrëdhënie të mira me Uashingtonin dhe frikës nga tarifat që godasin produktet “Made in Italy”. Shtypi italian raporton shqetësimin e Romës se çdo luftë tregtare me SHBA-në do të çonte në një recesion të pashmangshëm për ekonominë italiane. Mesazhi kryesor është: “Marrëdhënia transatlantike është në reanimacion, Italia duhet të gjejë një rrugë të mesme mes Brukselit dhe Uashingtonit”. Duhet theksuar se të gjitha këto media që përpunojnë opinionin në vendet kryesore të BE bien dakord në një pikë: Ekonomikisht, Europa po përgatitet për “Luftën e madhe të Tarifave”, ndërsa ushtarakisht po diskutohet seriozisht për herë të parë një Europë pa mbrojtjen e SHBA-së.

    Analiza e ecurisë së tregjeve financiare në këtë javë historike:

    Siç e dimë, bursat u paraprinë fenomeneve dhe deklaratave se kanë antenat shumë më të ndjeshme se publiku normal gazetaresk, prandaj në analizën e tyre do ta bëjmë si pritshmëri para fjalimit dhe si reagim pas tij. Fjalimi i Presidentit Trump në Davos (janar 2026) u prit nga bursat botërore si një “shkundje elektrike” që kaloi përmes dy fazave dramatike: një paniku fillestar të ndjekur nga një frymëmarrje e pasigurt lehtësimi.

    “E marta e Zezë” dhe Tronditja e Parë. Përpara se Trump të ngjitej në podium, tregjet përjetuan atë që analistët e quajtën “agresioni i parë i vitit 2026”. Vendimi i tij për të vendosur tarifa 10% (që do të rriten në 25% në qershor) ndaj tetë vendeve aleate të NATOs si ndëshkim për “çështjen e Groenlandës” shkaktoi një shitje masive (sell-off). Wall Street regjistroi ditën më të keqe që nga tetori, me S&P 500 që ra me 2.1% dhe Nasdaq që humbi 2.4%. Gjigantët teknologjikë si Nvidia dhe Tesla panë miliarda dollarë të fshiheshin nga vlera e tyre brenda pak orësh, ndërsa investitorët filluan të trembeshin nga një luftë globale tregtare.

    Kur Trump mori fjalën të mërkurën në mbrëmje, toni i tij ishte befasues për shumë kontabilistë të bursave. Duke përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për blerjen e Groenlandës, ai hoqi nga tryeza skenarin e një konflikti të armatosur brenda NATO-s. Kjo deklaratë u përkthye menjëherë në një “relief rally” (rritje nga lehtësimi) në bursat amerikane. Dow Jones u rrit me rreth 1% të nesërmen, ndërsa yield-et e obligacioneve ranë, duke treguar se investitorët po u ktheheshin aseteve më pak të rrezikshme.

    Për dallim nga New York-u, bursat në Londër, Paris dhe Frankfurt mbetën të ngrira. Megjithëse fjalimi nuk ishte “militar”, kërcënimi i tarifave mbeti real. FTSE 100 i Londrës qëndroi pothuajse i pandryshuar, ndërsa DAX gjerman ra me 0.58%, i goditur nga frika se industria e makinave do të jetë viktima e parë e mureve tregtare të Trump. Për Europën, “paqja ushtarake” nuk do të thotë “paqe ekonomike”.

    Gjatë gjithë kësaj jave, fituesi i madh mbeti ari, i cili arriti rekorde të reja historike (mbi 4,600 dollarë për onz). Ky është sinjali më i qartë se, pavarësisht qetësisë momentale në Wall Street, besimi i investitorëve te stabiliteti afatgjatë është tronditur. Ari po shërben si një bunker financiar ndaj paparashikueshmërisë së politikës “America First”. Tregjet aktualisht po luajnë një lojë pritjeje. Analistët e Goldman Sachs dhe BlackRock paralajmërojnë se optimizmi i Wall Street mund të jetë i shkurtër. Nëse negociatat me BE-në dështojnë dhe tarifat hyjnë në fuqi më 1 shkurt, bursat mund të hyjnë në një spirale të re rënëse. Për momentin, tregu ka blerë “kohë diplomatike”, por çmimi i kësaj kohe po paguhet me një paqëndrueshmëri (volatility) që nuk ishte parë prej vitesh.

    TRUMP DHE BORDI I PAQES

    Forumi i Davosit u bë edhe një tribunë e Bordit të Paqes të iniciuar nga Presidenti Trump dhe të përuruar në këtë Forum.

    Forumi i Davosit shërbeu si një platformë kritike për palët e interesuara për të diskutuar strategjitë për ruajtjen e stabilitetit dhe nxitjen e bashkëpunimit mes këtyre pasigurive, duke eksploruar potencialisht korniza alternative për qeverisjen globale, që akomodojnë dinamikën në zhvillim të fuqisë dhe interesat kombëtare. Koncepti i “Bordit të Paqes” që Presidenti Trump prezantoi pasqyronte të njëjtën logjikë transaksionale: paqja si një marrëveshje e ndërmjetësuar nga fuqia e SHBA-së, duke përdorur jo vetëm diplomacinë kolektive, por edhe stimujt financiarë. Kjo pasqyronte përdorimin e tij të tarifave si mjete gjeopolitike – si ndëshkim, ashtu edhe nxitje.

    Duke përmendur Luftën e Dytë Botërore, Trump e pozicionoi Amerikën si garantuesen e domosdoshme të lirisë, tani të drejtë për të vendosur kushtet e paqes. Në thelb, fjalimi i tij kristalizoi tri tema: vendosmërinë gjeopolitike, nacionalizmin ekonomik dhe divergjencën e energjisë, ndërsa Bordi i Paqes shërbeu si një zgjatim simbolik i vizionit të tij “Amerika e Para”. Së bashku, ato zbuluan paqen jo si bashkëpunim të përbashkët, por si një transaksion të kontrolluar nga SHBA-ja, duke u përplasur drejtpërdrejt me idealet globaliste të Davosit.

    Krijimi i Bordit të Paqes nga Presidenti Donald Trump, i zyrtarizuar në janar 2026 në Davos, shënon mbase transformimin më të madh të kësaj kohe diplomacisë botërore në një model të ri transaksional. Më poshtë është analiza e reagimeve të shteteve dhe interesave të thella ndaj këtij organizmi.

    Deri në ceremoninë e nënshkrimit në Davos (22 janar 2026), rreth 60 vende kanë marrë ftesa, por reagimet janë ndarë në tri kampe të qarta:

    -Ata që kanë konfirmuar (Përqafimi i modelit të ri) dhe si te parët firmëtarë hodhën themelet e një “institucioni të ri dhe ndryshe”, që pritet të rritet.

    -Ata që kanë refuzuar dhe që për momentin konsiderohen (Rezistenca Europiane).

    -Ata që kanë marrë kohë (që presin si do shkojë ecuria e forumit e që mund të konsiderohen si pragmatistët)

    Nga një këndvështrim akademik, Forumi i Davos-it është më shumë se një forum idesh; është pasqyrë e një bote në tranzicion nga një globalizim relativisht i hapur dhe i rregulluar drejt një realiteti të ri dhe rivaliteti të ashpër gjeoekonomik. Tensioni midis agjendës zyrtare të Forumit – bashkëpunim, investim në njerëz, inovacion i përgjegjshëm – dhe diskursit të Presidentit Trump – prioritet kombëtar, diplomaci tarifash, objektiva territorialë – e bën këtë edicion të Davosit një pikë referimi analitike për vitet që vijnë, vite këto që për Evropën, për ekonomitë në zhvillim dhe për vende të vogla (si Shqipëria) do të bëjnë që të përballen me sfidat e se ardhmes.

  • 3 milionë euro për 10 vite nga Fondacioni Frutex & Golden Eagle

    3 milionë euro për 10 vite nga Fondacioni Frutex & Golden Eagle

    Fondacioni Frutex & Golden Eagle shënon 10-vjetorin e themelimit të tij, duke përmbyllur një dekadë angazhimi të vazhdueshëm në mbështetje të komunitetit shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarë.

    Fondacioni u themelua në vitin 2015, me iniciativën e z. Shaqir Palushi, pas vendimit të kompanisë Frutex për të institucionalizuar kontributin e saj shoqëror përmes Fondacionit Frutex & Golden Eagle.

    Që nga viti i themelimit, fondacioni ka investuar mbi 3 milionë euro në projekte me ndikim të drejtpërdrejtë social. Aktiviteti i parë i fondacionit, në vitin 2015, ishte ndarja e 100 bursave për studentë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Në vitin pasues, fondacioni realizoi përzgjedhjen dhe ndërtimin e 7 shtëpive për familje në nevojë në të gjithë territorin e Kosovës.

    Në vitin 2022, Fondacioni Frutex & Golden Eagle mori vendimin për ndërtimin e një fabrike sociale, ku do të punësoheshin ekskluzivisht persona me nevoja të veçanta. Ky projekt u jetësua në vitin 2023 dhe sot në këtë fabrikë janë të punësuar 12 persona me aftësi të kufizuara, duke krijuar një model të qëndrueshëm të përfshirjes sociale.

    Mbrojtja e ambientit dhe e hapësirave të gjelbra është shndërruar në një nga prioritetet kryesore të fondacionit. Në vitin 2024 u lansua projekti Golden Eco, i cili aktualisht numëron 7 të punësuar dhe realizon aktivitete të shumta në mbrojtje të mjedisit dhe ndërgjegjësim ambiental.

    Fondacioni Frutex & Golden Eagle mbetet i përkushtuar që edhe në vitet në vijim të vazhdojë investimet në arsim, strehim, përfshirje sociale dhe mbrojtje të ambientit, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.

    Në vijim janë paraqitur të gjitha aktivitetet e fondacionit gjatë këtyre 10 viteve.

  • Marrëveshja e tregtisë së lirë BE-MERCOSUR

    Marrëveshja e tregtisë së lirë BE-MERCOSUR

    AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI

    Ndryshimet gjeopolitike globale të ndodhura në tri-katër vitet e fundit veçanërisht me ardhjen në krye të administratës amerikane të Presidentit Trump, në mandatin e dytë të tij, nuk mund të mos sillnin dhe ndryshimet gjeoekonomike, riformatizim të grupimeve globale ekonomike, veçanërisht filozofia e zbatuar nga Presidenti Trump “Amerika e Para”, politika e re e tarifave e zbatuar në funksion të saj dhe idetë e kësaj filozofie për të reformuar shumë institucione ndërkombëtare, që duket se kanë rënë në “letargji”, kanë shërbyer si forca shtytëse për ndryshime të shpejta, të mëdha dhe të rëndësishme, ekonomike e tregtare ndërkombëtare.

    Prandaj edhe marrëveshja BE–MERCOSUR nuk vjen në një terren të zbrazët ekonomik, politik dhe social. Përkundrazi, ajo është pjesë e një vale më të gjerë marrëveshjesh të tregtisë së lirë, që kanë shënuar dekadat e fundit dhe që kanë ndryshuar thellësisht mënyrën se si funksionon ekonomia globale, për më tepër në kushtet e zhvillimeve aktuale.

    Në këtë kontekst, çdo marrëveshje e re e tregtisë së lirë vlerësohet jo vetëm për përfitimet e saj të mundshme ekonomike, por edhe për ndikimin social, mjedisor dhe politik. Pyetjet që shtrohen sot janë më të komplikuara se njëzet vjet më parë: Kush fiton? Kush humbet? A janë standardet e mbrojtura? A forcohet apo dobësohet sovraniteti ekonomik? Dhe, mbi të gjitha, a është tregtia e lirë ende një projekt politik i pranueshëm për shoqëritë demokratike?

    Pikërisht në këtë klimë dhe përvojë të përzier duhet lexuar edhe marrëveshja BE-MERCOSUR. Sepse në thelb nuk kemi të bëjmë vetëm me një tjetër pakt tregtar, por me një test të ri për atë që mund të quhet brezi i dytë i marrëveshjeve të tregtisë së lirë, marrëveshje që nuk rregullojnë vetëm tarifat, por shërbimet, investimet, standardet, mjedisin dhe vetë raportin midis ekonomisë dhe politikës. Në këtë kontekst shihet edhe marrëveshja BE– MERCOSUR. Ajo duhet lexuar edhe si përgjigje indirekte ndaj një epoke të re, ku tregtia nuk është vetëm ekonomi, ku tarifat përdoren edhe si presion diplomatik dhe ku siguria ekonomike ka zëvendësuar optimizmin e globalizimit. Marrëveshja BE–MERCOSUR vendoset pikërisht në këtë dinamikë. Ajo është një përpjekje për të mbajtur gjallë idenë se tregtia mund të rregullohet, institucionalizohet dhe përdoret për të ndërtuar marrëdhënie afatgjata, edhe në një botë ku me sa duket, kjo nuk është më e garantuar. Evropa dhe Amerika e Jugut mbyllën kështu një nga marrëveshjet ndërrajonale më të mëdha të provuara ndonjëherë. Megjithatë, rëndësia e marrëveshjes BE–MERCOSUR nuk mund të matet vetëm me statistika tregtare. Në thelb, ajo është një dokument politik: pasqyron zhvendosje në raportet e pushtetit, modele konkurruese zhvillimi dhe bashkëjetesën e vështirë midis globalizimit ekonomik dhe rivalitetit gjeopolitik e gjeoekonomik. E parë më thellë, kjo marrëveshje përfaqëson një mënyrë për të kuptuar se si po riformësohen marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare në një epokë të shënuar nga konkurrenca strategjike, kufizimet mjedisore dhe reagimi politik i brendshëm kundër hapjes ekonomike. Për BE-në, kjo është një mënyrë për të ruajtur ndikim global përmes tregtisë dhe rregullave; për vendet e Amerikës së Jugut, një përpjekje për të diversifikuar partnerët dhe për të mos u varur nga një qendër e vetme pushteti ekonomik. PAK HISTORI PËR KËTË MARRËVESHJE

    Negociatat nisën në vitin 1999, në një periudhë që sot duket si një epokë krejt tjetër historike. Rendi pas Luftës së Ftohtë ishte relativisht i qëndrueshëm, besimi në multilateralizëm ishte i fortë dhe marrëveshjet rajonale të tregtisë shiheshin si blloqe ndërtuese të një ekonomie globale gjithnjë e më të hapur. Logjika e bashkëpunimit BE–MERCOSUR dukej e qartë. Ekonomi plotësuese, interesa të përbashkëta për rritje dhe një ide liberale se ndërvarësia ekonomike prodhon stabilitet politik.

    Megjithatë, që në fillim, negociatat zbuluan kufijtë e këtij vizioni optimist. Kërkesa e BE-së për akses në shërbime, mallra industriale dhe prokurime publike u përplas me insistimin e MERCOSUR-it për hapje të tregut bujqësor. Këto përplasje pasqyronin asimetri strukturore më të thella midis një ekonomie evropiane të industrializuar, të rregulluar fort dhe me standarde të larta dhe ekonomive të Amerikës së Jugut ende shumë të varura nga eksportet bujqësore dhe të lëndëve të para.

    Me kalimin e kohës, konteksti ndërkombëtar ndryshoi rrënjësisht. Kriza financiare globale, ngritja e Kinës, rikthimi i rivalitetit midis fuqive të mëdha dhe rritja e skepticizmit ndaj tregtisë së lirë transformuan mjedisin politik në të cilin po negociohej marrëveshja. Marrëveshja politike e arritur në vitin 2019 u përfshi shpejt në debatet mbi ndryshimet klimatike, shpyllëzimin dhe identitetin normativ të BE-së si aktor global mjedisor. Vonesa e gjatë deri në nënshkrimin përfundimtar në vitin 2026 nuk ishte shenjë hezitimi, por rezultat i një rikalibrimi të thellë ndaj kushteve të reja globale: tregtia tashmë është bërë një çështje e sigurisë ekonomike, e konkurrencës për ndikim dhe e menaxhimit të rreziqeve.

    ÇFARË PARASHIKON DHE SINJALIZON MARRËVESHJA

    Formalisht, marrëveshja BE–MERCOSUR synon të eliminojë tarifat për më shumë se 90% të mallrave të tregtuara midis dy blloqeve, shpesh përmes periudhave të gjata tranzicioni. Eksportuesit evropianë përfitojnë akses më të mirë për automjete, makineri, produkte kimike, farmaceutikë, verë dhe produkte bulmeti. Nga ana tjetër, eksportuesit e MERCOSUR-it fitojnë akses preferencial për mish viçi, mish shpendësh, sheqer, etanol, sojë dhe minerale.

    Por, rëndësia reale e marrëveshjes qëndron më pak te linjat tarifore dhe më shumë te thellësia e saj institucionale. Ashtu si shumica e marrëveshjeve bashkëkohore, ajo rregullon shërbimet, investimet, prokurimet publike, konkurrencën dhe të drejtat e pronësisë intelektuale; si dhe nxit konvergjencën rregullatore në fusha si standardet sanitare dhe fitosanitare.

    Në termat e marrëdhënieve ndërkombëtare, kjo është një shprehje e fuqisë rregullatore. BE-ja, në veçanti, përdor marrëveshjet tregtare si instrumente për të eksportuar modelin e saj rregullator, duke ndikuar mënyrën se si prodhimi dhe shkëmbimi organizohen përtej kufijve të saj. Në praktikë, kjo do të thotë se shumë kompani të Amerikës së Jugut do të duhet t’i përshtatin produktet dhe procedurat me standardet evropiane, gjë që mund të rrisë cilësinë dhe aksesin, por mund të krijojë kosto shtesë dhe të forcojë varësinë nga një set rregullash të vendosura jashtë rajonit.

    Për vendet e MERCOSUR-it, pra për Brazilin, Argjentinën, Paraguain dhe Uruguain, përafrimi me standardet e BE-së ofron akses dhe kredibilitet, por ngre gjithashtu shqetësime mbi autonominë e politikave publike. Ky tension midis aksesit dhe autonomisë është një temë e përsëritur në marrëdhëniet tregtare Veri-Jug dhe qëndron në qendër të debatit politik rreth kësaj marrëveshjeje.

    FITUESIT DHE HUMBËSIT BRENDA BASHKIMIT EVROPIAN

    Edhe pse udhëheqësit evropianë e kanë paraqitur marrëveshjen si sukses strategjik dhe ekonomik, pak marrëveshje tregtare kanë nxjerrë në pah ndarje kaq të thella të brendshme brenda BE-së. Arsyeja është e thjeshtë: ndërsa marrëveshja premton përfitime të konsiderueshme për BE-në si tërësi, kostot dhe përfitimet shpërndahen shumë në mënyrë të pabarabartë midis vendeve, sektorëve dhe grupeve shoqërore.

    a)Fitimet e përgjithshme të BE-së: treg, rregulla dhe pozicionim

    Nga një perspektivë makroekonomike, BEja ka shumë për të fituar. MERCOSUR përfaqëson një treg me mbi 260 milionë konsumatorë, me kërkesë në rritje për mallra industriale, shërbime, infrastrukturë dhe teknologji. Ulja e tarifave, shpesh nga nivele dyshifrore, rrit konkurrueshmërinë e eksporteve evropiane ndaj rivalëve nga Kina dhe SHBA, veçanërisht në sektorët ku Evropa ruan avantazh krahasues. Por për BE-në, marrëveshja është edhe një instrument më afatgjatë, sepse mbyll aksesin në tregje, vendos korniza rregullash (për standarde, shërbime, investime) dhe e vendos Evropën më fort në Amerikën e Jugut në një kohë kur rivalët globalë po rrisin praninë e tyre. Në një botë ku tregtia po politizohet, marrëveshjet e këtij lloji janë edhe politika industriale indirekte: ato hapin mundësi eksporti, por edhe krijojnë standarde që ndikojnë konkurrencën.

    CILËT JANË FITUESIT KRYESORË

    Gjermania është një nga përfitueset kryesore. Industria gjermane, veçanërisht automjetet, makineritë, pajisjet elektrike dhe kimikatet e ka parë prej kohësh Amerikën e Jugut si treg me potencial të lartë, por me barriera tarifore të mëdha. Marrëveshja ul ndjeshëm këto barriera dhe forcon pozicionin e kompanive gjermane tashmë të pranishme në Brazil dhe Argjentinë. Përtej eksporteve, Gjermania përfiton nga siguria më e madhe ligjore për investimet dhe nga akses më i mirë në prokurimet publike, sidomos në projekte infrastrukturore dhe energjetike ku kompanitë evropiane janë konkurruese. Në plan strategjik, Berlini fiton nga diversifikimi i tregjeve dhe nga forca më e madhe e Evropës në një rajon ku prania industriale kineze është zgjeruar.

    Franca dhe Italia përfaqësojnë një rast më ambivalent, por ekonomikisht domethënës. Nga njëra anë, ato përfitojnë nga hapja e tregut për produkte bujqësore me vlerë të lartë, verëra, djathëra, pije alkoolike, vaj ulliri, si dhe produkte me tregues gjeografikë. Këto janë sektorë ku BE-ja prodhon mallrat e cilësisë së lartë dhe ku marka, standardi dhe origjina sjellin fitim më të lartë. Nga ana tjetër, eksportuesit industrialë (transport, pajisje, farmaceutikë, teknologji) përfitojnë nga ulja e tarifave dhe harmonizimi rregullator. Por këto fitime bashkëjetojnë me kundërshtim të fortë nga fermerët vendës, veçanërisht në sektorët e mishit dhe shpendëve.

    Spanja dhe Portugalia janë ndër mbështetëset më entuziaste të marrëveshjes, sepse përfitojnë jo vetëm në tregti mallrash, por sidomos në shërbime dhe investime. Bankat, kompanitë energjetike, firmat e infrastrukturës dhe telekomunikacionit kanë lidhje historike dhe prani të konsoliduar në Amerikën Latine. Hapja e tregjeve të shërbimeve dhe mbrojtja e investimeve u jep atyre avantazh të drejtpërdrejtë. Për Madridin dhe Lisbonën, marrëveshja forcon edhe rolin e tyre si ura midis Evropës dhe Amerikës Latine, duke shtuar peshën e tyre diplomatike brenda BE-së.

    Holanda fiton jo vetëm si ekonomi eksportuese, por edhe si nyje logjistike evropiane. Nëse rriten flukset tregtare, portet dhe infrastruktura logjistike holandeze përfitojnë drejtpërdrejt. Suedia, Republika Çeke dhe Austria përfitojnë përmes industrive eksportuese të integruara në zinxhirët evropianë të prodhimit, pra, edhe kur eksporti final shkon nga një vend tjetër, pjesë dhe komponentë prodhohen në këto vende. Këtu shfaqet një efekt i rëndësishëm: përfitimi nuk matet vetëm tek eksporti final, por te i gjithë zinxhiri industrial evropian.

    HUMBËSIT DHE REZISTENCA POLITIKE. PSE BUJQËSIA ËSHTË GJITHNJË RAST I VEÇANTË

    Humbësit më të dukshëm janë fermerët evropianë, veçanërisht në sektorët e mishit të viçit, shpendëve dhe sheqerit. Edhe pse importet u nënshtrohen kuotave dhe periudhave tranzicioni, frika nga konkurrenca me prodhues me kosto më të ulëta dhe standarde të ndryshme rregullatore ka peshë të madhe politike. Bujqësia zë një vend të veçantë në politikën evropiane, e lidhur me sigurinë ushqimore, kohezionin territorial dhe identitetin kombëtar. Për këtë arsye, kundërshtimi i fermerëve ka ndikim politik shumë më të madh sesa pesha e sektorit në PBB. Në shumë vende, fermerët dhe zonat rurale janë gjithashtu bartëse të një simbolike politike: ata përfaqësojnë të ardhmen e territorit, traditën, vetë-mjaftueshmërinë. Kjo e bën konfliktin jo vetëm ekonomik, por edhe kulturor e politik.

    Në një kuptim, beteja për këtë marrëveshje është një betejë për modelin e Evropës: Evropa si fuqi eksportuese industriale dhe rregullatore, apo Evropa si hapësirë që mbron prodhuesit dhe territorin nga efektet e globalizimit?

    Përtej ekonomisë, marrëveshja BE–MERCOSUR duhet të zgjidhë edhe problemet mjedisore dhe duhet parë edhe si instrument strategjik. Nga një këndvështrim realist, marrëveshja i shërben BE-së për të ruajtur ndikimin në një rajon strategjik, ku SHBA dhe Kina po konkurrojnë gjithnjë e më fort e më hapur. Gjithashtu, kjo marrëveshje na tregon diçka thelbësore për botën ku jetojmë sot. Faktin se tregtia nuk është më vetëm çështje ekonomike. Ajo ka të bëjë me pushtetin në kuptimin politik, identitetin, strategjinë dhe përpjekjen për të qeverisur globalizimin në kushte shumë më të paqëndrueshme sesa ato të imagjinuara një çerek shekulli më parë.