ATV

Author: A.M.

  • Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra bëri përgatitjet për ndeshjen kundër Kroacisë

    Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra bëri përgatitjet për ndeshjen kundër Kroacisë

    Pas ndeshjes ndaj Kombëtares së Francës në hendboll për femra të zhvilluar të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, hendbollistet e Kombëtares së Kosovës në hendboll për femra kanë kthyer menjëherë fokusin te ndeshja e fundit e fazës së dytë eliminatore për Euro 2026 në hendboll për femra.

    Që të premten, lojtaret dhe shtabi teknik u janë rikthyer përgatitjeve për këtë ndeshje të rëndësishme. Dardanet kanë udhëtuar drejt Zagrebit, ku do të vazhdojnë me seancat stërvitore para sfidës.

    Në ndeshjen ndaj francezeve u panë periudha pozitive nga lojtaret e reja, ndërsa shpresohet që ato të jenë më të shumta dhe më të gjata në përballjen ndaj Kroacisë.

    Kujtojmë se Kombëtarja përbëhet kryesisht nga lojtare të reja, shumica nga klubet vendore. Për dallim nga ndeshjet e kaluara, në ekip janë mbi gjysma e lojtareve të reja, shumë prej tyre debutuese.

    Përvoja e fituar në këtë cikël eliminator pritet të jetë shumë e vlefshme për zhvillimin dhe karrierën e hendbollisteve kosovare.

    Të dielën, nga ora 18:00, në Zagreb zhvillohet përballja Kroacia – Kosova

  • Prishtina e Re përmbys Malishevën në fund dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë

    Prishtina e Re përmbys Malishevën në fund dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë

    Prishtina e Re ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në shtëpi ndaj Malishevës, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar.

    Edhe pse ishte në disavantazh, me dy gola të vonshëm Prishtina e Re arriti të përmbysë rezultatin dhe të mposhtë Malishevën me shifrat 2-1, në kuadër të xhiros së 28-të.

    Pjesa e parë përfundoi pa gola, pasi të dy skuadrat krijuan raste, por nuk arritën të konkretizonin.

    Në pjesën e dytë, ishte Etnik Brruti ai që kaloi Malishevën në epërsi në minutën e 59-të.

    Megjithatë, vendasit reaguan në minutat e fundit. Ibrahim Kardgbo barazoi rezultatin në minutën e 78-të, ndërsa Endrit Baholli realizoi golin e fitores në minutën e 89-të, duke vulosur përmbysjen e madhe.

    Me këtë fitore, Prishtina e Re arrin në kuotën e 27 pikëve, ndërsa Malisheva mbetet në vendin e pestë me 40 pikë

  • Arsenali pëson humbje surprizë 2-1 ndaj Bournemouth-Mbetet ende lider në Premier League

    Arsenali pëson humbje surprizë 2-1 ndaj Bournemouth-Mbetet ende lider në Premier League

    Arsenal FC ka pësuar një humbje të papritur në javën e 32-të të Premier League, duke u mposhtur 2-1 nga AFC Bournemouth në një ndeshje me ritëm të lartë dhe me shumë episode vendimtare.

    Bournemouth e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 17-të me golin e Eli Junior Kroupi, i cili përfitoi nga një top i kthyer brenda zonës dhe e dërgoi në rrjetë nga afërsia, duke mos i lënë hapësirë reagimi portierit David Raya.

    Arsenali reagoi dhe krijoi raste të rrezikshme, ku Kai Havertz ishte pranë golit të barazimit pas një krosimi të Declan Rice, por goditja e tij me kokë përfundoi mbi traversë.

    Presioni i “Topçinjve” u shpërblye në minutën e 35-të, kur Viktor Gyökeres shënoi golin e barazimit me një goditje precize në cepin e portës, pas një aksioni të mirë ekipor.

    Në fillim të pjesës së dytë, Arsenali mendoi se kishte përmbysur rezultatin, por goli i Gyökeres u anulua për pozicion jashtë loje.

    Trajneri Mikel Arteta bëri disa ndryshime taktike duke futur në lojë Leandro Trossard, Eberechi Eze, Gabriel Jesus dhe Cristhian Mosquera, në përpjekje për të shtuar freski në lojë.

    Megjithatë, Bournemouth riktheu epërsinë në minutën e 74-të me golin e Alex Scott, pas një aksioni të bukur të nisur nga Evanilson, duke mposhtur portierin Raya me një goditje të saktë në cepin e portës.

    Pas kësaj humbjeje, Arsenali mbetet në krye të tabelës së Premier League me 70 pikë, 9 pikë përpara Manchester City, i cili ka një ndeshje më pak të luajtur.

  • Nis faza e play-off-it në Superligën e Basketbollit – Ylli pret Pejën në Suharekë

    Nis faza e play-off-it në Superligën e Basketbollit – Ylli pret Pejën në Suharekë

    Sonte fillon faza e play-off-it në Superligën e Basketbollit të Kosovës.

    Ndeshja e parë çerekfinale zhvillohet në Suharekë, ku përballen Golden Eagle Ylli dhe Peja.

    Therandasit e përfunduan sezonin e rregullt në vendin e katërt, ndërsa pejanët u renditën në vendin e pestë.

    Në katër përballjet e këtij edicioni, të dy skuadrat kanë nga dy fitore secila, ndërsa më herët janë takuar edhe në finalen e Ligës Unike, ku kishte triumfuar skuadra e Yllit.

    Ndeshja nis në ora 19:30

  • Barcelona planifikon përforcime të mëdha në sulm – Lamine Yamal preferon Victor Osimhen

    Barcelona planifikon përforcime të mëdha në sulm – Lamine Yamal preferon Victor Osimhen

    FC Barcelona po përgatit planin e saj për afatin e ardhshëm të transferimeve verore, me synimin kryesor për të përforcuar repartin ofensiv me një sulmues të nivelit të lartë.

    Sipas raportimeve, klubi katalanas po shqyrton një investim të madh që mund të arrijë deri në 100 milionë euro, në një kohë kur stabiliteti në finalizim ka qenë problem në disa ndeshje të sezonit.

    Në këtë kontekst, një rol të rëndësishëm po fiton edhe Lamine Yamal, i cili shihet si një nga talentet kryesore të projektit të Barcelonës dhe që ka gjithnjë e më shumë ndikim në ideologjinë e skuadrës.

    Talenti i ri raportohet se preferon një sulmues tipik “9”, dhe emri që i pëlqen më shumë është ai i Victor Osimhen, aktualisht i lidhur me Galatasaray.

    Osimhen vlerësohet për forcën fizike, shpejtësinë dhe instinktin e tij të golit, duke u konsideruar një profil ideal për të plotësuar lojtarë si Yamal, i cili shkëlqen në krijimin e rasteve nga krahët.

    Megjithatë, pengesa kryesore mbetet aspekti financiar, pasi kartoni i sulmuesit nigerian vlerësohet shumë i lartë dhe mund të arrijë ose të kalojë shifrën prej 100 milionë eurosh, çka e bën transferimin një operacion të vështirë për klubin katalanas.

  • PSG pranë rinovimit afatgjatë me Luis Enrique deri në vitin 2030

    PSG pranë rinovimit afatgjatë me Luis Enrique deri në vitin 2030

    Paris Saint-Germain është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje të re me trajnerin Luis Enrique, e cila pritet ta mbajë atë në krye të ekipit deri në vitin 2030.

    Trajneri spanjoll është kthyer në figurën kyçe të projektit afatgjatë të klubit parisien, ndërsa drejtuesit synojnë të sigurojnë vazhdimësinë e tij përtej kontratës aktuale, e cila është e vlefshme deri në vitin 2027. Marrëveshja e re parashikon zgjatjen e bashkëpunimit për edhe katër vite të tjera me kampionët e Francës.

    Drejtuesit e klubit, të udhëhequr nga presidenti Nasser Al-Khelaifi, po punojnë për finalizimin e detajeve para përfundimit të sezonit.

    Sipas raportimeve, klubi po i ofron trajnerit edhe mbështetje në çështje personale, përfshirë gjetjen e një banese të re në Paris, me qëllim që të sigurohet rehati për familjen e tij. Kontrata e re pritet të shoqërohet edhe me një rritje të ndjeshme page, duke e vendosur Luis Enrique ndër trajnerët më të paguar në Evropë.

    Megjithatë, burime pranë tij theksojnë se trajneri është më shumë i fokusuar te projekti sportiv dhe stabiliteti familjar sesa te përfitimet financiare.

    Ky besim i klubit vjen pas rezultateve pozitive nën drejtimin e tij, përfshirë fitoren 2–0 ndaj Liverpool në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

    Megjithatë, Enrique mbetet kërkues dhe perfeksionist, duke theksuar se skuadra mund të kishte shënuar më shumë gola në atë ndeshje. PSG synon që me këtë marrëveshje të forcojë stabilitetin dhe ambiciet për sukses në skenën evropiane në vitet e ardhshme.

  • Tyson Fury rikthehet në ring-Synon titullin e tretë botëror kundër Arslanbek Makhmudov

    Tyson Fury rikthehet në ring-Synon titullin e tretë botëror kundër Arslanbek Makhmudov

    Tyson Fury do të ngjitet sërish në ring këtë të shtunë për t’u përballur me Arslanbek Makhmudov në stadiumin e Tottenham Hotspur Stadium në Londër.

     

    Britaniku 37-vjeçar kishte paralajmëruar pensionimin pas humbjes së dytë radhazi nga Oleksandr Usyk në dhjetor të vitit 2024. Megjithatë, duke pasur parasysh historinë e tij me pensionime dhe rikthime, pak kush besoi se ai do të largohej përfundimisht nga boksi profesionist.

     

    Fury, një nga figurat kryesore të kategorisë së rëndë në dy dekadat e fundit, është shprehur i vendosur për t’u shpallur kampion bote për herë të tretë.

     

    “Për herë të parë jam gjahtari dhe jo gjahu. Por unë jam ende kryesori në kategorinë e rëndë. Do ta dëshmoj këtë sërish,” ka deklaruar Fury.

     

    Ai numëron 34 fitore dhe dy humbje në karrierën profesionale, prej të cilave 24 i ka arritur me ndërprerje. Dy ndeshjet e fundit i ka humbur ndaj Usykut, që aktualisht konsiderohet mbreti i ri i peshave të rënda.

     

    Fury ka kritikuar kampionët aktualë, përfshirë Usykun dhe Fabio Wardley, duke i quajtur “kampionë sipas alfabetit”.

     

    “Herët apo vonë do të duhet të përballen me mua. Me kë tjetër do të ndeshen nëse duan të fitojnë para?” është shprehur ai.

     

    Në moshën 37-vjeçare, Fury synon të heshtë kritikët që dyshojnë në aftësinë e tij për rikthim në ring. Ai madje kërkon të demantojë edhe babanë e tij.

     

    “Thonë se këmbët e mia nuk më mbajnë më dhe se reagimi im ka humbur. Por këtë të shtunë do ta shihni: jam i shpejtë, i aftë dhe shkatërrues. Nuk e kam humbur shpejtësinë dhe refleksin. Kam bërë 500 raunde sparingu dhe jam ende në formë,” ka theksuar ai.

    Fillimisht Fury foli me respekt për kundërshtarin, por më pas shtoi: “Më vjen keq për Makhmudovin. Do të bëj shembull prej tij.”

     

    Makhmudov, 36-vjeçari nga Rusia që jeton në Kanada, ka 21 fitore dhe dy humbje, ndërsa 19 prej fitoreve i ka me ndërprerje. Ai ka përfunduar 13 ndeshje që në raundin e parë dhe ka fituar disa tituj të vegjël, por përballja me Furyn do të jetë sfida më e madhe e karrierës së tij.

     

    Ndeshja e së shtunës mund të hapë rrugën për një duel të shumëpritur mes Furyt dhe Anthony Joshua, i cili mund të realizohet brenda këtij viti.

  • Alarm te Interi-Lautaro Martínez mungon në ndeshjet vendimtare

    Alarm te Interi-Lautaro Martínez mungon në ndeshjet vendimtare

    Alarm te Inter, që do të duhet të bëjë sërish pa kapitenin Lautaro Martínez për të paktën tre ndeshjet e ardhshme.

    Sulmuesi argjentinas pritet të mungojë në përballjet ndaj Como dhe Cagliari, si dhe në gjysmëfinalen e Coppa Italia sërish kundër Como-s. Rikthimi i tij mbetet në dyshim edhe për sfidën ndaj Torino.

    Stafi mjekësor po e monitoron situatën hap pas hapi, pasi bëhet fjalë për të njëjtin problem muskulor në pulpë, një dëmtim delikat që kërkon kujdes maksimal për të shmangur përkeqësimin.

    Kjo është një mungesë e rëndësishme për zikaltrit, të cilët përballen menjëherë me një provë të vështirë ndaj Como-s së drejtuar nga Cesc Fàbregas. Në këtë fazë vendimtare të sezonit, Interi ka nevojë për reagim dhe për eksperiencën e lojtarëve kyç për të ruajtur objektivat.

  • Kristjan Asllani humbet vendin në formacion tek Besiktas-Rikthimi në Itali duket gjithnjë e më pranë

    Kristjan Asllani humbet vendin në formacion tek Besiktas-Rikthimi në Itali duket gjithnjë e më pranë

    E ardhmja e Kristjan Asllanit duket se po merr një drejtim të qartë, larg kampionatit turk. Mesfushori i kombëtares shqiptare po përjeton një moment jo të lehtë te Beşiktaş, teksa sinjalet për një rikthim në Itali janë shtuar ndjeshëm ditët e fundit.

    Në sfidën e fundit ndaj Antalyaspor, e fituar me rezultatin 4-2, Asllani nuk u preferua si titullar, duke u aktivizuar vetëm në minutën e 77-të. Ky ishte një ndryshim i rëndësishëm, pasi për shtatë ndeshje radhazi ai kishte qenë pjesë e formacionit nga minuta e parë.

    Vendimi i trajnerit vjen pas kritikave të forta që mesfushori mori pas humbjes në derbin ndaj Fenerbahçes, një ndeshje që duket se ka ndikuar në rolin e tij brenda skuadrës.

    Këto zhvillime kanë shtuar dyshimet se aventura e tij në Turqi mund të jetë drejt fundit. Në përfundim të huazimit, pritet që Asllani të rikthehet te Interi, klub që zotëron kartonin e tij, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë një tjetër mundësi në Itali apo do të kërkohet një destinacion i ri.

    E ardhmja e 24-vjeçarit mbetet e hapur, por një gjë është e sigurt se muajt e verës do të jenë vendimtarë për vazhdimësinë e karrierës së tij.

  • Alvaro Arbeloa shpërthen ndaj gjyqtarit pas barazimit të Real Madridit me Gironën

    Alvaro Arbeloa shpërthen ndaj gjyqtarit pas barazimit të Real Madridit me Gironën

    Trajneri i Real Madrid, Álvaro Arbeloa, ka kritikuar ashpër gjyqtarin pas barazimit 1-1 ndaj Girona FC, duke pretenduar se skuadra e tij u privua nga një penallti e pastër në minutat e fundit.

    Momenti më i diskutueshëm ndodhi në minutën e 88-të, kur Kylian Mbappé u duk se u faullua nga Vitor Reis. Pamjet treguan se sulmuesi francez u godit me bërryl dhe mbeti i gjakosur në fytyrë, por gjyqtari Javier Alberola Rojas nuk akordoi penallti, ndërsa VAR nuk ndërhyri.

    “Është penallti këtu dhe në hënë. Nuk e kupton askush pse VAR nuk ndërhyn në raste të tilla”, deklaroi Arbeloa, duke shtuar se kjo nuk është hera e parë që skuadra e tij ndjen padrejtësi nga gjyqtarët.

    Përveç polemikave me arbitrimin, trajneri u ndal edhe te forma e repartit ofensiv. Kylian Mbappé dhe Vinícius Júnior nuk arritën të shënojnë ndaj një Girone të disiplinuar, duke bërë që madrilenët të humbasin pikë të rëndësishme në garën për titull në La Liga.