ATV

Author: A.M.

  • Jeton Mehmeti jep dorëheqje nga Drenica

    Jeton Mehmeti jep dorëheqje nga Drenica

    Jeton Mehmeti nuk do të jetë më trajner i Drenicës, pasi ka njoftuar dorëheqjen nga kjo pozitë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

    Mehmeti ka bërë të ditur se rrethanat e krijuara së fundmi e kanë bërë të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit me klubin nga Skenderaj.

    “Rrethanat e krijuara së fundmi e bënë të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë”, ka shkruar ndër të tjera Mehmeti, duke falënderuar kryetarin e klubit, Halim Bajraktari, lojtarët dhe të gjithë ata që e mbështetën gjatë kësaj periudhe.

    Ai ka vlerësuar punën e bërë gjatë kohës sa ishte në krye të skuadrës, duke theksuar se largohet krenar për rezultatet e arritura dhe me ndërgjegje të pastër.

    “Kam punuar me pasion, përkushtim e profesionalizëm. Ndihem krenar me punën time dhe largohem me kokën lart e ndërgjegje të pastër”, ka deklaruar ai.

    Pas 11 xhirove të zhvilluara në Superligën e Kosovës, Drenica renditet në pozitën e shtatë me 11 pikë.

  • Feronikeli ’74 triumfon bindshëm ndaj Dukagjinit, Prapashtica shkëlqen me dy gola

    Feronikeli ’74 triumfon bindshëm ndaj Dukagjinit, Prapashtica shkëlqen me dy gola

    Feronikeli ’74 ka shënuar fitore bindëse me rezultat 3-0 ndaj Dukagjinit, në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës.

    Skuadra nga Drenasi zhvilloi një paraqitje të mirë para tifozëve të saj, duke siguruar tri pikë të rëndësishme.

    Albin Prapashtica kaloi vendasit në epërsi në minutën e 30-të, pas një aksioni të shpejtë dhe një realizimi të bukur.

    Feronikeli ’74 vazhdoi me ritëm të lartë edhe pas pushimit, duke shënuar dy gola të shpejtë. Noah Yannick e dyfishoi epërsinë në minutën e 46-të, ndërsa vetëm dy minuta më vonë, Prapashtica realizoi golin e tij të dytë personal për rezultatin përfundimtar 3-0.

    Me këtë fitore, Feronikeli ’74 shkon në kuotën e 11 pikëve, ndërsa Dukagjini mbetet në pozitën e pestë me 17 pikë në tabelën e Superligës së Kosovës.

  • Drita triumfon bindshëm ndaj Prishtinës, “Intelektualët” fitojnë 0-3 në kryeqytet

    Drita triumfon bindshëm ndaj Prishtinës, “Intelektualët” fitojnë 0-3 në kryeqytet

    Drita ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Prishtinës, duke triumfuar me rezultat të pastër 0-3 në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës.

    Skuadra gjilanase ishte më kërkuese gjatë ndeshjes dhe kaloi në epërsi me Blerim Krasniqin, i cili shënoi pas asistimit të kapitenit Besnik Krasniqi.

    Në pjesën e dytë, Drita vazhdoi me lojë të mirë dhe e dyfishoi epërsinë në minutën e 63-të, kur Liridon Balaj realizoi pas asistimit të Jasharit.

    Fitoren e “Intelektualëve” e vulosi Kemehlo Nguena në minutën e 85-të, me një goditje të fuqishme që përfundoi në rrjetën e Prishtinës.

    Me këtë triumf, Drita ngjitet në pozitën e tretë me 20 pikë, tri më pak se Prishtina, e cila mbetet në vendin e dytë në tabelën e Superligës së Kosovës.

  • Lajm i fundit para “El Clasicos”, Courtois shpreson të luajë ndaj Barcelonës

    Lajm i fundit para “El Clasicos”, Courtois shpreson të luajë ndaj Barcelonës

    Thibaut Courtois mund të jetë në dispozicion të Real Madridit për përballjen ndaj Barcelonës, pavarësisht se klubi madrilen njoftoi më herët se portieri belg do të mungojë për shkak të gripit.

    Sipas mediumit britanik “The Athletic”, gjendja shëndetësore e Courtois është përmirësuar dhe ai shpreson të udhëtojë drejt Barcelonës për të qenë pjesë e derbit të madh spanjoll.

    Megjithatë, pjesëmarrja e tij në ndeshje mbetet e pasigurt, pasi Real Madridi e kishte përjashtuar zyrtarisht nga lista për këtë përballje dhe kishte ftuar portierin e ri ukrainas, Illia Voloshyn, si zëvendësues të tij.

    Mungesa e Courtois do të ishte një goditje e madhe për skuadrën e Jose Mourinhos, ndërsa në rast se belgu nuk ia del të rikuperohet, Andriy Lunin pritet ta nisë ndeshjen si titullar.

    Përballja mes Barcelonës dhe Real Madridit zhvillohet të dielën, nga ora 21:00, në “Camp Nou”.

  • Philadelphia vazhdon serinë e fitoreve, Booker shkëlqen me 43 pikë në NBA

    Philadelphia vazhdon serinë e fitoreve, Booker shkëlqen me 43 pikë në NBA

    Philadelphia po kalon një formë të shkëlqyer në NBA, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi pas triumfit 127-116 ndaj Milwaukee Bucks.

    Joel Embiid me 28 pikë, Jaylen Brown me 27 dhe Tyrese Maxey me 26 pikë ishin protagonistët kryesorë të kësaj fitoreje, duke bërë diferencën për skuadrën e Philadelphia.

    Ndërkohë, San Antonio Spurs regjistroi fitoren e parë të sezonit, duke mposhtur Dallas Mavericks me rezultat 122-106 në derbin teksan. Të gjithë titullarët e Spurs kontribuuan me të paktën 11 pikë.

    Fitore jashtë fushe shënoi edhe Washingtoni, që triumfoi 124-120 ndaj Chicago Bulls. Në këtë takim u dallua Trae Young, me 25 pikë të realizuara.

    Një paraqitje spektakolare zhvilloi Devin Booker, i cili shënoi 43 pikë në fitoren e Phoenix Suns ndaj Golden State Warriors, me rezultat 131-122. Warriors vazhdojnë të kërkojnë fitoren e parë të sezonit.

    Edhe Denver Nuggets regjistroi një fitore të rëndësishme, duke mposhtur New Orleans Pelicans me rezultat 141-135. Jamal Murray shkëlqeu me 42 pikë, ndërsa Nikola Jokic shtoi 35, duke udhëhequr skuadrën drejt triumfit.

  • Lëndimet te Juventusi i hapin rrugë Zhegrovës për një vend në formacionin titullar

    Lëndimet te Juventusi i hapin rrugë Zhegrovës për një vend në formacionin titullar

    Edon Zhegrova mund të përfitojë nga problemet me lëndime te Juventusi për të fituar më shumë hapësira në skuadrën e trajnerit Luciano Spalletti.

    Në prag të ndeshjes ndaj Lecces në Serie A, Juventusi ka mbetur pa disa alternativa në repartin ofensiv. Pas Francisco Conceicaos, edhe Nico Gonzalez është lënduar dhe pritet të mungojë rreth një muaj, duke i krijuar mundësi futbollistit kosovar për të kërkuar një vend në formacionin startues.

    Sipas parashikimeve të “Gazzetta dello Sport”, Zhegrova është në garë me boshnjakun Kerim Alajbegovic për një vend në formacion, megjithëse ky i fundit shihet si favorit i lehtë.

    Deri më tani, reprezentuesi i Kosovës nuk ka arritur të sigurojë minutat e dëshiruara, ndërsa ndeshjet e Serie A mbeten mundësia kryesore për ta bindur Spallettin, pasi nuk është i regjistruar për garat e UEFA-s.

    Shanset e Zhegrovës do të varen edhe nga skema taktike që do të zgjedhë trajneri italian. Një formacion me dy sulmues mund t’ia vështirësojë rrugën drejt titullarizimit, ndërsa skema 3-4-2-1 mund t’i krijojë më shumë hapësirë në repartin ofensiv.

    Tashmë, mbetet të shihet nëse Zhegrova do ta shfrytëzojë këtë mundësi për të fituar më shumë besimin e trajnerit dhe për të rritur rolin e tij te “Zonja e Vjetër”.

  • Goditje për Real Madridin para “El Clasicos”, Courtois mungon ndaj Barcelonës

    Goditje për Real Madridin para “El Clasicos”, Courtois mungon ndaj Barcelonës

    Real Madridi ka marrë një lajm të keq në prag të “El Clasicos” ndaj Barcelonës, pasi portieri Thibaut Courtois do të mungojë në këtë përballje për shkak të gripit.

    Portieri belg pritej të ishte titullar në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 10-të të La Ligës, por sëmundja e ka detyruar të mbetet jashtë planeve të madrilenëve.

    Për ta zëvendësuar atë, Real Madridi ka ftuar portierin ukrainas Ilya Voloshyn, ndërsa Andriy Lunin pritet ta nisë ndeshjen nga minuta e parë.

    Mungesa e Courtois është një goditje për skuadrën madrilene, pasi belgu është një nga lojtarët kryesorë të ekipit dhe një figurë e rëndësishme në repartin defensiv.

    Deri më tani, klubi nuk ka dhënë detaje të tjera për gjendjen e tij shëndetësore apo kohëzgjatjen e mungesës.

    Përballja mes Barcelonës dhe Real Madridit zhvillohet të dielën, nga ora 21:00, në “Camp Nou”, në një duel ku të dyja skuadrat synojnë fitoren në garën për kreun e La Ligës.

  • Sonte El Classico Barcelona-Real Madrid

    Sonte El Classico Barcelona-Real Madrid

    Barcelona e pret rivalin e përbetuar të dielën, nga ora 21:00, në kuadër të xhiros së 10-të të La Ligës. Katalunasit kryesojnë tabelën me 27 pikë, ndërsa Real Madridi ka gjashtë pikë më pak.

    Skuadra e Flickut ka regjistruar nëntë fitore në nëntë ndeshjet e para të kampionatit dhe synon ta vazhdojë serinë pozitive edhe në përballjen e madhe ndaj madrilenëve. Një fitore do t’i krijonte Barcelonës një epërsi prej nëntë pikësh ndaj rivalit të saj, duke e forcuar pozitën në krye të tabelës.

    Megjithatë, përballë do të ketë një Real Madrid të udhëhequr nga Kylian Mbappe, i cili ka realizuar 12 gola në 12 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.

    Duke folur për mënyrën se si Barcelona do të përpiqet ta neutralizojë sulmuesin francez, Flick ka nënvizuar rëndësinë e organizimit taktik.

    “Për ne është i rëndësishëm pozicionimi në fushë kur nuk e kemi topin dhe kur e kemi posedimin. Nëse i bëjmë këto dyja, për mbrojtjen do të jetë më e lehtë. Kjo është ajo që duhet bërë”, ka deklaruar trajneri gjerman.

    Barcelona ka shënuar 50 gola në 12 ndeshje në të gjitha garat, por mbrojtja ka treguar disa dobësi, duke pranuar 15 gola. Katër prej tyre erdhën në humbjen ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve.

    Përballë Real Madridit, Flicku do të ketë disa mungesa të rëndësishme. Eric Garcia, Jules Kounde, Andreas Christensen dhe Dani Olmo nuk do të jenë në dispozicion të tij.

    Pavarësisht vështirësive, trajneri i Barcelonës e ka cilësuar “El Clasicon” si një ndeshje të veçantë, që tejkalon kufijtë e futbollit.

    “El Clasico është ndryshe. Është ndeshja më e mirë. E gjithë bota e sheh këtë ndeshje. Miliona njerëz, kultura e gjenerata janë të lidhura me të. Është e pabesueshme”, ka theksuar Flick.

    Në anën tjetër, trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka vlerësuar se një prej përparësive të Barcelonës është vazhdimësia e grupit të lojtarëve, të cilët kanë luajtur së bashku për disa vite, ndryshe nga madrilenët, që kanë pasur më shumë ndryshime në përbërje.

    Mourinho ka folur edhe për Lamine Yamalin, duke vlerësuar cilësitë e talentit të Barcelonës, por ka bërë të qartë se Real Madridi nuk do ta ndryshojë identitetin e lojës për t’u përshtatur me një kundërshtar të vetëm.

    “Po flasim për një skuadër me kualitete të larta, por nuk është problem. Yamali është lojtar shumë i mirë dhe lojtarët e mirë respektohen. Por, respekti ndaj dikujt është një gjë. Ndryshimi i planeve, strukturës apo dalja nga identiteti është diçka tjetër. Ne nuk do ta bëjmë atë, jo për atë, por për askënd”, ka deklaruar Mourinho.

    Historia e përballjeve mes dy gjigantëve spanjollë është tejet e pasur. Barcelona dhe Real Madridi janë takuar 264 herë, me nga 106 fitore për secilën skuadër.

    Në ndeshjet e zhvilluara në “Camp Nou”, Barcelona ka bilanc më të mirë, me 70 fitore në 128 përballje, ndërsa Real Madridi ka triumfuar 31 herë.

  • Anulohet gara e MotoGP në Phillip Island, Marc Marquez mbetet lider i Botërorit

    Anulohet gara e MotoGP në Phillip Island, Marc Marquez mbetet lider i Botërorit

    Gara e së dielës në Phillip Island, në kuadër të kampionatit botëror të MotoGP-së, është anuluar për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Si rrjedhojë, Marc Marquez nuk pati mundësinë ta thellonte epërsinë e tij në klasifikimin e përgjithshëm ndaj Jorge Martin, i cili po rikuperohet nga lëndimi.

    Vendimi për anulimin e garës u mor nga organizatorët pas reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe mungesës së dukshmërisë në pistë. Kushtet e krijuara konsideroheshin të rrezikshme për pilotët, ndërsa pamundësia e funksionimit të helikopterit të emergjencës ishte një tjetër faktor vendimtar. Përveç garës së MotoGP-së, u anuluan edhe garat e kategorive Moto2 dhe Moto3.

    Phillip Island, që ka qenë pjesë e kalendarit të MotoGP-së që nga viti 1997, pritej të priste garën për herë të fundit, pasi nga sezoni i ardhshëm garat do të zhvillohen në Adelaide.

    Megjithatë, për t’i përshëndetur tifozët e pranishëm, organizatorët lejuan pilotët të dilnin në pistë për një xhiro parakalimi. Piloti australian Jack Miller dhuroi spektakël për të pranishmit, duke bërë disa rrotullime të gomave para tribunave.

    Pas anulimit të garës, Marc Marquez vazhdon të kryesojë klasifikimin e pilotëve, me 10 pikë epërsi ndaj Jorge Martin dhe 50 pikë më shumë se Marco Bezzecchi. Mbetet të shihet se kur Martin do të rikthehet në pistë, pas rrëzimit të pësuar të shtunën.

    Ndalesa e radhës e Botërorit të MotoGP-së është Çmimi i Madh i Malajzisë, ndërsa më pas në kalendar janë garat në Katar, Portugali dhe Valencia, në Spanjë. Zhvillimi i garës në Katar mbetet ende i pakonfirmuar.

  • Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy sfida interesante, vëmendja te Prishtina – Drita

    Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy sfida interesante, vëmendja te Prishtina – Drita

    Sot (e diel) zhvillohen dy ndeshje interesante në kuadër të Albi Mall Superligës së Kosovës, ku në fokus do të jenë përballjet Prishtina – Drita dhe Feronikeli ’74 – Dukagjini.

    Vëmendja kryesore do të jetë në Kampin Nacional në Hajvali, ku Prishtina do të jetë nikoqire e Dritës. “Bardhëkaltërit” synojnë fitoren për të ruajtur pozitën e liderit në elitën e futbollit kosovar, ndërsa Drita kërkon pikët e plota për të vazhduar këndelljen dhe për t’u rikthyer fuqishëm në garën për titullin kampion.

    Një përballje interesante pritet edhe në Drenas, ku Feronikeli ’74 do të përballet me Dukagjinin.

    Vendasit synojnë të ngjiten në pjesën e sipërme të tabelës, kurse skuadra klinase kërkon fitore për të mbajtur gjallë objektivin e saj për një vend që dërgon në garat evropiane.

    Të dyja ndeshjet janë planifikuar të zhvillohen nga ora 13:00, në një ditë që pritet të sjellë emocione dhe rivalitet në Superligën e Kosovës.