ATV

Author: A.M.

  • Harry Kane zbulon bisedimet për një transferim në Spanjë: “Në futboll, gjithçka është e mundur”

    Harry Kane zbulon bisedimet për një transferim në Spanjë: “Në futboll, gjithçka është e mundur”

    Harry Kane ka rrëfyer se gjatë karrierës së tij janë zhvilluar biseda për një transferim të mundshëm në Spanjë, ndërsa sulmuesi anglez ka theksuar se aktualisht është shumë i lumtur te Bayern Munichu.

    Në një intervistë për gazetën spanjolle “Marca”, Kane ka folur për mundësinë që në të kaluarën të transferohej në La Liga. Sulmuesi i Bayern Munichut ka sqaruar se nuk bëhej fjalë për oferta konkrete, por për kontakte dhe diskutime rreth një kalimi të mundshëm në futbollin spanjoll.

    “Ka pasur raste kur një gjë e tillë mund të ndodhte. Nuk mund të them se bëhej fjalë për mundësi konkrete, por më herët janë zhvilluar disa biseda”, ka deklaruar Kane.

    Kapiteni i Anglisë ka shprehur gjithashtu respekt të madh për futbollin spanjoll dhe klubet më të mëdha të La Ligës, duke përmendur Real Madridin, Barcelonën dhe Atletico Madridin.

    “La Liga gëzon respektin tim të madh. Barcelona, Real Madridi dhe Atletico Madridi janë klube ndër më të mëdhatë në botë. Jam rritur duke ndjekur Ronaldon dhe Messin. Kam një respekt të jashtëzakonshëm për këto skuadra”, u shpreh ai.

    Megjithatë, Kane nuk e ka mbyllur derën për një aventurë të ardhshme në Spanjë, duke lënë të hapur çdo mundësi për të ardhmen.

    “Në futboll, siç e dimë të gjithë, gjithçka është e mundur. Nuk përjashtoj asnjë alternativë. Megjithatë, për momentin jam jashtëzakonisht i lumtur në Gjermani, siç e kam thënë edhe më parë”, deklaroi anglezi.

    Ndërkohë, Bayern Munichu po punon për të siguruar vazhdimësinë e Kane, pasi klubi gjerman dëshiron ta mbajë sulmuesin si një nga figurat kryesore të skuadrës edhe në vitet e ardhshme.

    Pavarësisht interesimit të mundshëm nga Spanja, Kane ka bërë të qartë se aktualisht ndihet mirë në Mynih, duke lënë të kuptohet se një largim nga Bayern Munichu nuk është në planin e tij të menjëhershëm.

  • Basketbolli kosovar rikthehet në parket, të shtunën dhe të dielën zhvillohet xhiroja e parë

    Basketbolli kosovar rikthehet në parket, të shtunën dhe të dielën zhvillohet xhiroja e parë

    Sezoni i ri i basketbollit kosovar nis me përballje interesante, ndërsa në dy ditët e fundjavës do të zhvillohen katër ndeshje të xhiros së pare ku skuadrat do të synojnë që të nisin mbarë këtë edicion të ri të garave në basketbollin vendor.

    Të shtunën, më 19 shtator, në program janë tri përballje. Në orën 17:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, përballen Prishtina dhe Peja, në një duel që pritet të sjellë interesim të madh që në start të sezonit.

    Dy orë më vonë, në Palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci 029 do të përballet me kampionin aktual Trepçën , ndërsa në orën 20:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, zhvillohet ndeshja mes Boras dhe Vëllaznimit.

    Xhiroja e parë përmbyllet të dielën, më 20 shtator, me duelin mes Bashkimit dhe Yllit, i cili zhvillohet në orën 17:00 në Palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

  • Galatasaray kërkon yllin e Real Madridit, Camavinga objektivi kryesor për janarin

    Galatasaray kërkon yllin e Real Madridit, Camavinga objektivi kryesor për janarin

    Galatasaray raportohet se ka bërë Eduardo Camavingan objektivin kryesor për afatin kalimtar të janarit, me kampionët e Turqisë që po shqyrtojnë mundësinë e huazimit të mesfushorit të Real Madridit me opsion blerjeje.

    Sipas mediumit turk “Fotomaç”, Galatasaray tashmë ka nisur përgatitjet për një transferim të mundshëm, ndërsa drejtuesit e klubit kanë kontaktuar me ndërmjetës për të vlerësuar mundësinë e transferimit të 23-vjeçarit në Stamboll.

    Kampionët e Turqisë synojnë të përforcojnë mesfushën pas një afati kalimtar ambicioz veror, gjatë të cilit siguruan shërbimet e Victor Osimhen dhe Rafael Leaos. Tani, Camavinga shihet si një tjetër përforcim i madh për pjesën e dytë të sezonit.

    Francezi është ende nën kontratë me Real Madridin, por konkurrenca e madhe për një vend në formacion ka bërë që minutat e tij të jenë të kufizuara në fillim të këtij sezoni.

    Me Bernardo Silvan, Federico Valverden dhe Aurélien Tchouaménin që kanë pasur një rol të rëndësishëm në qendër të mesfushës, Camavinga e ka pasur të vështirë të sigurojë një vend të rregullt në formacionin bazë.

    Galatasaray beson se mundësia për të luajtur rregullisht mund ta bëjë ofertën e tyre tërheqëse për Camavingan, veçanërisht në një periudhë kur edhe përfaqësuesja e Francës po monitoron gjendjen e tij fizike para ndeshjeve të ardhshme ndërkombëtare.

    Klubi turk mund t’i ofrojë një rol të rëndësishëm, futboll evropian dhe minuta të shumta nën drejtimin e trajnerit Okan Buruk.

    Aftësia për të bartur topin dhe forca fizike konsiderohen ndër cilësitë kryesore që Galatasaray kërkon te përforcimi i radhës.

    Galatasaray shpreson se marrëdhëniet e tij me ndërmjetësit spanjollë, së bashku me mundësinë që Camavinga të ketë një rol të rregullt në formacion, mund ta ndihmojnë klubin turk të realizojë një tjetër transferim të bujshëm në janar.

  • Marcel Sabitzer mungon në ndeshjen ndaj Kosovës

    Mesfushori i Borussia Dortmundit, Marcel Sabitzer, nuk do të jetë në dispozicion të Austrisë në katër ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve për shkak të një lëndimi.

    Federata Austriake e Futbollit ka konfirmuar se 32-vjeçari do të mungojë në këtë cikël, ndërsa rikthimi i tij në përfaqësuese për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian 2028 nuk është përjashtuar.

    Sabitzer ka vendosur të marrë një pushim të përkohshëm nga angazhimet me kombëtaren, pas 102 paraqitjeve dhe 27 golave me fanellën e Austrisë.

    Mungesa e tij përbën një lajm të mirë edhe për Kosovën, e cila do të përballet dy herë me Austrinë në kuadër të Ligës së Kombeve.

    Sabitzer është një prej lojtarëve kryesorë të përfaqësueses austriake dhe një pjesë e rëndësishme e skuadrës së Borussia Dortmundit. Mungesa e tij pritet të jetë një dobësim i ndjeshëm për Austrinë në përballjet e ardhshme.

  • Mikel Arteta shpërthen pas penalltisë së Sunderlandit: “Është e papranueshme!

    Mikel Arteta shpërthen pas penalltisë së Sunderlandit: “Është e papranueshme!

    Mikel Arteta ka kritikuar ashpër vendimin për t’i akorduar një penallti Sunderlandit në fitoren 2-0 të Arsenalit në “Stadium of Light”.

    Në minutën e 56-të, Ezri Konsa u ndëshkua me penallti pas një dueli me Daniel Ballard. Megjithatë, trajneri i Arsenalit e konsideroi kontaktin të pamjaftueshëm për të dhënë një 11-metërsh.

    “Jam shumë i zemëruar. Është e papranueshme. Nuk është penallti në asnjë rast, në asnjë ndeshje, në asnjë rrethanë dhe në asnjë ligë”, deklaroi Arteta për TNT Sports.

    Trajneri spanjoll theksoi se vendime të tilla mund të kenë ndikim të madh në rrjedhën e një sezoni dhe madje edhe në garën për titullin e kampionatit.

    Arsenali shpëtoi nga humbja e avantazhit pasi David Raya priti penalltinë e Enzo Le Fée. Pak minuta më vonë, Bruno Guimarães shënoi për Arsenalin, ndërsa “Topçinjtë” e kompletuan fitoren me rezultatin 2-0.

    Fitorja i dha Arsenalit tri pikë të rëndësishme, ndërsa Arteta mbeti i pakënaqur me vendimin që mund t’i kishte ndryshuar rrjedhën ndeshjes.

  • Real Madridi mendon për pasardhësin e Courtois, në radar edhe ylli i Dortmundit Gregor Kobel

    Real Madridi mendon për pasardhësin e Courtois, në radar edhe ylli i Dortmundit Gregor Kobel

    Real Madridi ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës së Thibaut Courtois, por drejtuesit e klubit madrilen po mendojnë edhe për të ardhmen e portës dhe një emër i ri ka dalë në skenë.

    Thibaut Courtois, 34 vjeç, vazhdon të jetë një nga portierët më të mirë në botë. Gardiani belg ishte sërish vendimtar në debutimin e Real Madridit në Ligën e Kampionëve 2026/27 kundër Interit, duke bërë disa ndërhyrje të jashtëzakonshme.

    Skuadra italiane pati mundësi të shënonte më shumë gola, por ndërhyrjet e Courtois e mbajtën portën e madrilenëve të paprekur.

    Kontrata aktuale e belgut skadon më 30 qershor 2027, por ideja e klubit dhe e lojtarit është që bashkëpunimi të vazhdojë edhe për të paktën një sezon tjetër.

    Sipas raportimeve të Diario AS, marrëveshja që Courtois të qëndrojë në “Santiago Bernabéu” deri në fund të sezonit 2027/28 është praktikisht e mbyllur. Mbetet vetëm nënshkrimi i dokumenteve dhe njoftimi zyrtar.

    Megjithatë, drejtuesit e Real Madridit e dinë se duhet të mendojnë edhe për të ardhmen. Për këtë arsye, klubi po monitoron disa portierë dhe së fundmi në radar ka dalë një tjetër emër.

    Sipas Diario AS, Real Madridi ka marrë një ofertë për Gregor Kobel, 28-vjeçarin e Borussia Dortmundit.

    Kobel ka qenë ndër portierët më të spikatur në Evropë gjatë dy sezoneve të fundit. Vetëm në sezonin e kaluar, ai e përfundoi kampionatin me 20 ndeshje pa pësuar gol, duke dhuruar një seri paraqitjesh mbresëlënëse.

    Për më tepër, 28-vjeçari ka marrë edhe rolin e portierit të parë të Zvicrës, duke pasuar Yann Sommerin.

    Për momentin, Real Madridi po e vëzhgon nga afër situatën e tij, por nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar.

    Kobel mund të largohet nga Borussia Dortmundi gjatë verës së ardhshme, pasi kontrata e tij me klubin gjerman skadon në qershor të vitit 2028.

    Portieri zviceran synon të bëjë një hap të rëndësishëm në karrierë dhe të transferohet te një klub ku do të ketë mundësi të luftojë për trofeun e Ligës së Kampionëve.

    Nëse Real Madridi arrin në përfundimin se Kobel është portieri ideal për të pasuar Courtois, atëherë klubi madrilen pritet të hidhet në sulm për transferimin e tij në afatin kalimtar të verës së vitit 2027.

  • Superliga e Kosovës në aksion, derbi Drita-Gjilani kryefjala e ditës

    Superliga e Kosovës në aksion, derbi Drita-Gjilani kryefjala e ditës

    Superliga e Kosovës vazhdon sot me tri përballje interesante në kuadër të javës së gjashtë, ku vëmendja kryesore do të jetë në Gjilan, aty ku zhvillohet derbi mes Dritës dhe Gjilanit.

    Ndeshja e parë e ditës do të zhvillohet në Vushtrri, ku skuadra vendase do ta presë Drenicën. Përballja pritet të jetë mjaft e luftuar, me të dyja skuadrat që do të kërkojnë pikë të rëndësishme për vazhdimin e kampionatit.

    Vushtrria do të synojë ta shfrytëzojë faktorin fushë për të marrë një rezultat pozitiv, ndërsa Drenica do të kërkojë të kthehet nga ky udhëtim me pikë. Kjo ndeshje do të nisë nga ora 16:00.

    Në mbrëmje, vëmendja zhvendoset në Gjilan, ku zhvillohet një prej përballjeve më interesante të ditës – derbi mes Dritës dhe Gjilanit.

    Të dyja skuadrat do të hyjnë në këtë takim me synimin për të marrë pikët e plota, në një ndeshje që, përveç rëndësisë në tabelë, pritet të sjellë edhe rivalitetin e zakonshëm mes dy klubeve gjilanase.

    Drita do të kërkojë të vazhdojë me rezultate pozitive dhe të konfirmojë ambiciet e saj në kampionat, ndërsa Gjilani do të tentojë të marrë një fitore të rëndësishme përballë rivalit lokal. Derbi në Gjilan do të zhvillohet nga ora 19:00.

    Në të njëjtën kohë, një tjetër përballje interesante do të zhvillohet në Prishtinë, ku skuadra kryeqytetase do ta presë Feronikelin.

    Prishtina do të kërkojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës për të marrë tri pikë, ndërsa Feronikeli do të synojë të befasojë vendasit dhe të largohet me rezultat pozitiv.

    Kjo ndeshje gjithashtu do të nisë nga ora 19:00.

  • Lionel Messi shënon sërish, por Inter Miami ndalet në barazim ndaj Nashville

    Lionel Messi shënon sërish, por Inter Miami ndalet në barazim ndaj Nashville

    Lionel Messi vazhdon të shkëlqejë në MLS, duke shënuar golin e tij të 19-të në kampionat këtë sezon, por Inter Miami u ndal në një barazim 2-2 ndaj liderit të Konferencës Lindore, Nashville, të shtunën mbrëma.

    Nashville e nisi më mirë takimin dhe kaloi në avantazh që në minutën e katërt. Sam Surridge përfitoi nga asistimi i Andy Najar për të dërguar topin në rrjetë dhe për të arritur në kuotën e 14 golave këtë sezon.

    Inter Miami reagoi në minutën e 19-të, kur mbrojtësi i Nashville, Reed Baker-Whiting, devijoi topin në portën e tij pas një goditjeje nga këndi, duke barazuar rezultatin në 1-1.

    Messi pati mundësinë të shënonte edhe më herët. Një goditje e tij nga distanca u bllokua, ndërsa më pas provoi edhe nga goditja e lirë, por topi përfundoi jashtë kuadratit.

    Megjithatë, ylli argjentinas nuk gaboi në minutën e 62-të. Rodrigo De Paul i la topin jashtë zonës së rreptësisë dhe Messi, me të majtën e tij të famshme, goditi saktë në këndin e poshtëm të majtë, duke përmbysur rezultatin në 2-1.

    Ky ishte goli i 928-të i Lionel Messit në karrierën e tij, duke i shtuar edhe një tjetër kapitull historisë së jashtëzakonshme të futbollit.

    Inter Miami ishte shumë pranë fitores së parë ndaj Nashville këtë sezon, sidomos pas humbjes së thellë 4-1 në përballjen e fundit, më 15 gusht. Nashville gjithashtu kishte eliminuar më herët Miamin nga Concacaf Champions Cup, por këtë herë skuadra vendase nuk arriti ta ruante avantazhin.

    Në minutën e parë të kohës shtesë, Sam Surridge shënoi golin e tij të dytë personal në këtë ndeshje, duke i dhënë Nashville një pikë dhe duke e mbajtur skuadrën të pamposhtur në të katër përballjet ndaj Inter Miamit këtë sezon.

    Barazimi e mban Nashville në krye të Konferencës Lindore, me nëntë pikë më shumë se Inter Miami, që renditet në vendin e dytë.

    Nashville do të presë Chicago Fire të shtunën e ardhshme, ndërsa Inter Miami të mërkurën do të përballet në shtëpi me kampionin e Liga MX, Cruz Azul, në kuadër të Campeones Cup.

  • Liverpool ndalet në “Anfield”, vetëm barazim pa gola ndaj Fulhamit

    Liverpool ndalet në “Anfield”, vetëm barazim pa gola ndaj Fulhamit

    Liverpooli ka zhgënjyer në shtëpi, duke mos shkuar përtej një barazimi 0-0 ndaj Fulhamit në “Anfield”.

    “Reds” nuk arritën të shfaqnin nivelin e tyre më të mirë dhe gjatë 90 minutave e patën të vështirë të krijonin raste të rrezikshme përballë një Fulhami të organizuar mirë në mbrojtje.

    Rasti i parë i mirë i ndeshjes i takoi Liverpoolit. Alexander Isak provoi të rrezikonte portën e mysafirëve, por goditja e tij nga një pozitë jo e favorshme nuk solli golin e shumëkërkuar.

    Fulhami reagoi dhe pati mundësinë e tij për të kaluar në epërsi. Gonzalo Garcia u shfaq në një pozitë të mirë, por në momentin vendimtar mbrojtja e Liverpoolit arriti të ndërhyjë dhe ta largojë topin nga zona e rrezikshme.

    Në pjesën e dytë, ritmi i ndeshjes ra ndjeshëm. Të dyja skuadrat krijuan më pak raste, ndërsa një prej mundësive më të mira për Fulhamin erdhi përmes King, por portieri Alisson ishte në vendin e duhur për të shmangur rrezikun.

    Në fund, rezultati mbeti 0-0, me Liverpoolin që humbi mundësinë për të marrë tri pikë para tifozëve të tij.

    Pas këtij barazimi, Liverpooli mbetet në vendin e gjashtë me gjashtë pikë, ndërsa Fulhami regjistroi pikën e parë nën drejtimin e Alvaro Arbeloas.

  • Laura Fazliu e pesta në Grand Slamin e Budapestit

    Laura Fazliu e pesta në Grand Slamin e Budapestit

    Laura Fazliu e ka mbyllur në vendin e pestë pjesëmarrjen në Grand Slamin e xhudos në Budapest të Hungarisë, pasi nuk arriti t’i fitojë dy sfidat e fundit që do t’i siguronin medaljen.

    Fazliu e nisi në mënyrën më të mirë garën në kategorinë e saj, duke triumfuar ndaj hungarezes Anna Kriza me Ippon.

    Në çerekfinale, xhudistja kosovare vazhdoi me paraqitje të mirë dhe arriti ta mposhtë austriaken Lubjana Piovesana, falë dy Yukove.

    Megjithatë, në gjysmëfinale Fazliu u përball me japonezen Megu Danna, ndaj së cilës pësoi humbje me Ippon.

    Kjo humbje e dërgoi në repesazh, ku Fazliu kërkonte fitoren për të siguruar një tjetër mundësi për medalje.

    Por as në këtë përballje nuk pati sukses.

    Fazliu u mposht nga izraelitja Kerem Primo, duke mbetur kështu pa medalje dhe duke e përfunduar Grand Slamin e Budapestit në vendin e pestë.

    Pavarësisht rezultatit përfundimtar, Fazliu pati një rrugëtim të mirë në turne, duke regjistruar dy fitore para se të ndalej në dy sfidat vendimtare për medalje.