ATV

Tag: Vjosa Osmani

  • Osmani: Fillimisht sanksione ndaj Serbisë, pastaj dialogojmë

    Osmani: Fillimisht sanksione ndaj Serbisë, pastaj dialogojmë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Sanksione ndaj Serbisë për agresion ndaj Kosovës më 24 Shtator, para gjithçkaje tjetër, kërkoi presidentja Vjosa Osmani në samitin e Komunitetit Politik Evropian, në Granada të Spanjës.

    Teksa vlerësoi se sanksionet do ta mbronin paqen dhe stabilitetin, presidentja Osmani theksoi nuk ka asnjë arsye të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vucic, pa sanksionimin paraprak të Serbisë.

    “Këto janë kohëra të vështira për tërë kontinentin evropian, veçanërisht për vendin tim, pasi së fundmi u përballëm me një akt agresioni nga Serbia, i cili u krye përmes grupeve terroriste dhe paramilitare. Jam këtu për të kërkuar mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve evropianë për ta sanksionuar Serbinë, në mënyrë që ajo të mos inkurajohet dhe të marrë guxim për të kryer akte të tilla agresioni ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë sërish e sërish”, tha Osmani.
    Krahas kësaj, presidentja kërkoi garanci të sigurisë për Kosovën dhe ndryshim të qasjes së perëndimit ndaj Vucicit, të cilin e bëri përgjegjës për agresion përmes sulmit terrorist në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

    “Për çfarë të takohemi? Do të bënte, sikur nuk përballesh me një agresor që ka kryer një akt agresioni, një akt terrorist, vetëm një javë më parë. Besoj që fatkeqësisht bisedimet për normalizim, në vend se për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë keqpërdorur nga Vucici për të normalizuar fytyrën e tij para bashkësisë ndërkombëtare – i cili nuk ka kërkuar ende falje për krimet e kryera në vitet e ‘90-ta, kur ishte ministër i Propagandës i Milloshevicit, i cili ende mohon gjenocidin, i cili teksa po flasim ka baza ushtarake përreth kufirit me Kosovën, sepse duan ta marrin territorin e Kosovës. Nuk duhet ta lejojmë atë të ketë një fotografi të mirë nga këtu, që të mund të vazhdojmë njësoj. Ky nuk është biznes i zakonshëm, sepse 25 shtatori ka ndodhur, askush nuk duhet t’i japë atij mundësinë të duket si lider evropian normal, sepse ai është një agresor”, tha Osmani.

    Në një adresim në mëngjes, para deklaratës së presidentes Osmani, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, tha se shpresoi në diskutime me të dhe presidentin serb.

    “Takimet bëhen për t’i lehtësuar tensionet. Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe presidenti Vucic, po ashtu. Në Kishinau ne u ulëm së bashku, diskutuam për këtë dhe sot do të bëjmë të njëjtën. Por, situata është shumë më e keqe sot sesa kur ishim në Kishinau”, tha Borrell.

    Për Kosovën dhe Serbinë foli shkurt edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili përdori termin konflikt.

    “Besoj sinqerisht se kjo platformë e Komunitetit Politik mund dhe do të duhej, të luante një rol të rëndësishëm në zbutjen e konflikteve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e tyre, me theks në Kaukazin Jugor dhe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Sepse konfliktet nuk janë problem vetëm i atyre që janë të përfshirë direkt, por për të gjithë rajonin dhe kontinentin”, tha Michel.

    Në adresimin e saj, presidentja Osmani foli edhe për rëndësinë e ndërsjellë të njohjes eventuale nga Spanja.

    Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic nuk u ndal para gazetarëve duke shmangur pyetjet e tyre.

  • Presidentja Osmani nga Granada: S’ka takim me Vuçiqin pa sanksione ndaj Serbisë

    Presidentja Osmani nga Granada: S’ka takim me Vuçiqin pa sanksione ndaj Serbisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pa u vendosur fillimisht sanksione ndaj tij, raporton Ekonomia Online.

    “Nuk ka arsye që të takohemi para se të vendosen masa ndaj Vuçiqit. Sanskionet së pari, pastaj mund të flasim”, ka thënë ajo.

    Ajo i ka bërë thirrje Spanjës që të rreshtohet krah vendeve evropiane që kanë dënuar sulmin terrorist në Kosovë, sepse mbështetja e një agresori, duke iu referuar Serbisë, nuk e ndihmon paqen dhe stabilitetin në Evropë.

    Osmani e ka cilësuar sulmin ndaj Kosovës si një sulm ndaj gjithë Evropës.

    “Mbështetja e një agresori, për të cilin ka prova të qarta që nga 24 shtatori, nuk do ta ndihmojë paqen dhe stabilitetin. Shpresoj që Spanja do t’i bashkohet vendeve të tjera në Evropë që mendojnë të vendosin masa ndaj Serbisë për këtë akt të tmerrshëm, jo vetëm ndaj Kosovës, por ndaj paqes dhe stabilitetit të gjithë Evropës”.

    Kështu është shprehur ajo, para mediave në hapje të samitit të Komiteti Politik Evropian në Granada të Spanjës.

  • “The Guardian”: Ka përpjekje për aranzhim të një takimi Osmani – Vuçiqi në Granada

    “The Guardian”: Ka përpjekje për aranzhim të një takimi Osmani – Vuçiqi në Granada

    Një takim mes presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë mund të ndodhë të enjten në Granada të Spanjës.

    Gazeta britanike “The Guardian” ka shkruar se ka përpjekje që të aranzhohet një takim mes Vjosa Osmanit dhe Aleksandar Vuçiqit.

    Osmani e Vuçiq do të marrin pjesë në samitin në Granada të 51 liderëve evropianë. Samiti do të mbahet të enjten.

    “Burime thonë se ka përpjekje për të aranzhuar takim mes tyre përkundër armiqësisë politike mes dy vendeve”, ka shkruar “The Guardian”.

    Osmani të martën në një intervistë për “CNN” ka thënë se Kosova është nën sulm. Ajo tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u inkurajua të sulmonte shkaku i mungesës së drejtësisë në dialog.

    “Ata duan të vazhdojnë planin e tyre të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe me këtë, t’i lejojnë Putinit të hapë fronte të reja kundër perëndimit në Ballkan Perëndimor. Ne jemi duke punuar me aleatët dhe partnerët dhe kjo nuk do të ndodhë”, tha Osmani.

  • Osmani, Serbisë: Dorëzone Radoiçiqin në Kosovë

    Osmani, Serbisë: Dorëzone Radoiçiqin në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë ekskluzive për Christiane Amanpour në CNN, kryesisht ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, për të cilin tashmë Policia e Kosovës ka publikuar një numër të madh të fakteve që dëshmojnë përfshirjen e Serbisë në këtë akt.

    Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq tashmë terrorist, ditë më parë përmes një letre publike të cilën e lexoi avokati i tij Goran Petronijeviq, pranoi përfshirjen në këtë terror ndaj Policisë së Kosovës, teksa shtoi se të gjithin e kishte organizuar vetë, kështu duke u munduar ta largojë barrën nga Serbia.

    Për të njëjtin, mediat serbe raportuan sot se Prokuroria e Lartë në Beograd e mori në pytje, atje ku mohoi akuzat që iu rëndohen.

    Ai në këtë Gjykatë po akuzohet për veprën penale prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje i armëve të zjarrit.

    Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

    Për kryekriminelin, Milan Radoiçiq presidentja Osmani gjatë intervistës së lartë cekur i kërkoi Serbisë që ta dorëzojë në Kosovë.

    “Kërkesë e Kosovës është që Radoiçiqi të dorëzohet te autoritetet e Kosovës. Gjëja e parë që e duam është që Radoiçiqi t’i dorëzohet Kosovës që të ketë drejtësi. Serbia nuk ka bërë drejtësi”, ka thënë ajo.

    Ndër tjera, Osmani paralajmëroi prova të reja të cilat faktojnë akoma më shumë përfshirjen e Serbisë në këtë sulm terrorist, të cilën e mohoi që nga dita e sulmit më 24 shtator.

  • Osmani me ambasadorët e Quint-it dhe BE-së: Duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia

    Osmani me ambasadorët e Quint-it dhe BE-së: Duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar në një mëngjes pune, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Bashkimit Evropian, për të diskutuar situatën aktuale në veri të vendit pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës.

    Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar ambasadorët për solidaritetin dhe ngushëllimet e shprehura për vrasjen e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, si dhe lëndimit të disa policëve tjerë. Ajo ka vlerësuar lartë punën e shkëlqyeshme dhe profesionale të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë në ballafaqimin me sulmin terrorist.

    Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së akteve të tilla.

    “Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani.

    Presidentja ka bërë të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara në menaxhimin e situatës aktuale dhe për të ndihmuar në arritjen e ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

    Sipas Presidentes Osmani, duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia për veprimet e saj kundër Kosovës, duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste.

    “Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, ka nënvizuar Presidentja Osmani.

  • Osmani për Reuters: Kosova është nën sulm

    Osmani për Reuters: Kosova është nën sulm

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandar Vuçiq se janë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveqanit të dielën e 24 shtatorit.

    Sulmi më i madh që nga pas lufta e vitit 1999, ka ngjallur reagime të shumta tek komuniteti ndërkombëtar.

    Në një intervistë për Reuters, presidentja Osmani ka akuzuar presidenti serb se ndodhet pas sulmit terrorist, me qëllim që të arrijë krijimin e ‘Krimesë në Republikën e Kosovës’.

    “Ajo që unë do t’i thosha presidentit Vuçiq është ndaloni ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim”, tha Osmani.

    “Ata po përpiqen të kryejnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë… [ne] do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës.”

    Qeveria e Kosovës ka publikuar fakte që tregojnë se grupi ka qenë i trajnuar, i armatosur dhe ka marrë mbështetje të tjera nga qeveria e Beogradit dhe agjencitë e sigurisë.

    Osmani tha se sulme të ngjashme mund të përsëriten edhe në një të ardhme të afërt dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë gjithçka që Serbia të mos përkrahë grupe të tilla.

    “Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni”, tha ajo.

    Kosova dhe Serbia kanë më shumë se një dekadë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, në një proces ndërmjetësimi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Në fillim të këtij viti ata ranë dakord për një marrëveshje të propozuar nga BE, por që atëherë ata nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord se si ta zbatojnë atë.

    Osmani tha se bisedimet mes të dyve nuk mund të vazhdojnë si më parë.

    “Absolutisht nuk është më biznes si zakonisht. Ne kemi qenë viktima të një agresioni të Serbisë dhe të gjithë duhet ta trajtojnë atë si të tillë, edhe në qasjen e tyre ndaj Serbisë tani e tutje”, tha ajo.

    Policia e Kosovës ka arritur vrasjen e tre terroristëve serbë, ndërsa ka arrestuar edhe tetë të tjerë si të dyshuar për përfshirjen në sulmin terrorist.

    Përpos kësaj, Policia e Kosovës ka sekuestruar edhe armatim, që sipas llogaritjeve arrin vlerën e 5 milionë eurove.

  • Osmani kërkon që me SHBA-në të përgatitet draft-statuti për Asociacionin

    Osmani kërkon që me SHBA-në të përgatitet draft-statuti për Asociacionin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, Osmani tha se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve – që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë vitit – nuk “është perfekte” për Kosovën, por është obligim ndërkombëtar.

    Ajo tha se ende ka dyshime se si mund të zbatohen në praktikë disa pjesë të saj, duke përmendur nenin 7 dhe 10. Neni 7 flet për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmanxhimit për komunitetin serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut. Ndërkaq, neni tjetër kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë atë për Asociacionin.

    “Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha Osmani.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 marrëveshjen për parimet për themelimin e tij. Por, më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik dhe kërkoi që ajo të harmonizohej përmes akteve nënligjore.

    Për jetësimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, draft-statuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës që të formojë Asociacionin, që është edhe kërkesa kryesore e Beogradit.

    Qeveria e Kosovës druan se një asociacion njëetnik do të mund të cenonte funksionalitetin e shtetit. Por, SHBA-ja insiston se nuk do të lejojë që Asociacioni t’i ngjasojë entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.

    BE-ja dhe SHBA-ja po ashtu kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë menjëherë Marrëveshjen drejt normalizimit.

    Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

    Gjatë intervistës, Osmani foli edhe për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë. Ajo tha se për të pasur sukses ky proces – që lehtësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja – duhet një përfshirje direkete të Uashingtonit.

    “Unë nga fillimi e kam thënë që nuk shoh sukses pa përfshirjen direkte dhe pa rolin e udhëheqjes së SHBA-së në këtë proces. Këtë e dëshmon edhe historia. Në çdo proces në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Kosovë, në qoftë se SHBA-ja nuk e merr rolin udhëheqës është problem që të kemi sukses në të ardhmen”, tha Osmani.

    Presidentja sërish akuzoi Serbinë për “orkestrimin” e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    Ajo tha se armët që janë gjetur janë të njëjta që përdoren nga ushtria serbe.

    “Plan i Serbisë, që ka qenë shumë më i madh sesa u realizua sepse ka qenë për një sulm të përmasave shumë më të mëdha sepse armatimi që është zënë ka qenë diku armatim për 400 persona”, tha ajo.

    Osmani tha se pasi të përfundojnë hetimet dhe, siç u shpreh, të vërtetohet se Serbia ka gisht në këtë ngjarje, BE-ja duhet të vendosë masa të ashpra ndaj Beogradit.

    Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

    Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

    Policia dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë thënë se udhëheqës dhe pjesëmarrës i këtij sulmi ishte Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Si pasojë e sulmit është vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.

    Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. /REL

  • Pas takimit me krerët e opozitës, deklarohet Presidenc

    Pas takimit me krerët e opozitës, deklarohet Presidenc

    Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit që pati me kryetarët e partive opozitare në vend, ka thënë se uniteti nacional në këtë kohë të rëndë për Kosovën është imperativ dhe për këtë duhet të kontribuojnë të gjithë.

    Osmani i falënderoi liderët e partive opozitare për qëndrimin korrekt dhe përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në fazën e ballafaqimit me agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.

    “Kryetarët e partive opozitare, janë informuar, brenda kufizimeve që lejon korniza ligjore, lidhur me zhvillimet e sigurisë, punën e institucioneve të Kosovës si dhe për rreziqet e shkaktuara nga Serbia për shkak të agjendës së saj destabilizuese e luftënxitëse e cila po shfaqet nëpërmjet akteve të agresionit dhe të terrorizmit”.

    “Në të gjitha takimet janë përgëzuar institucionet e sigurisë për punën e shkëlqyeshme në ballafaqim me strukturat e dirigjuara nga Serbia që kryen sulmin terrorist kundër Kosovës dhe është shprehur mirënjohje e thellë për angazhimin e pashoq dhe sakrificën e policisë së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”, thuhet në njoftimin e presidencës.

    Tutje, bëhet e ditur se Osmani i ka siguruar liderët opozitarë se në çdo fazë të zhvillimeve do të njoftohen lidhur me përgatitjet dhe punën e institucioneve por edhe sipas saj, do të ketë bashkërendim të plotë me aleatët e Kosovës.

    Kujtojmë se sot, Osmani bashkë me shefin e AKI-së, Petrit Ajetin, kanë takuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.

  • Osmani në varrimin e policit të vrarë: Frymëzim për mbrojtjen e atdheut

    Osmani në varrimin e policit të vrarë: Frymëzim për mbrojtjen e atdheut

    Presidentja Vjosa Osmani, në ceremoninë e varrimit të policit Afrim Bunjaku, i cili u vra të dielën në veri, ka thënë se ai nuk ishte vetëm mbrojtës i Republikës sonë, por edhe simbol i guximit.

    Osmani ka thënë se sakrificia e Bunjakut nuk do të harrohet kurrë e se trashëgimia e tij do të jetë frymëzim për brezat e ardhshëm, raporton EO.

    “Është detyrë e jona që ta nderojmë sakrificën e Afrimit. Ai nuk ishte vetëm mbrojtës i Republikës por edhe simbol i guximit. Sakrifica e juaj nuk do të harrohet kurrë teksa trashëgimia juaj qoftë frymëzim për brezat e ardhshëm se si duhet të mbrohet atdheu”, tha Osmani.

  • Osmani përkujton Fehmi e Xhevë Lladrovcin: E përmbyllën bashkërisht rrugëtimin e tyre patriotik

    Osmani përkujton Fehmi e Xhevë Lladrovcin: E përmbyllën bashkërisht rrugëtimin e tyre patriotik

    Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar Fehmi e Xhevë Lladrovcin në 25 vjetorin e rënies.

    Ajo tha se ata 25 vjet më parë Fehmi e Xhevë Lladrovci, e përmbyllën bashkërisht rrugëtimin e tyre jetësor e patriotik.

    “Përkushtimi i tyre i palëkundur për lirinë i bëri që ata të jenë stoikë, të guximshëm e këmbëngulës. Si të tillë u përjetësuan, duke u bërë personifikim i vetmohimit për lirinë e vendit. Xheva dhe Fehmiu u përballën me vendosmëri të palëkundur për idealin e brezave, ëndrrën për liri e shtet”.

    Osmani ka shkruar se ata na kujtojnë përherë rrugën e zorshme deri te liria dhe përkushtimin që duhet pasur për ta mirëmbajtur lirinë dhe për ta forcuar edhe më tej Republikën për të cilën ranë.

    “Kujtimi për ta qoftë i përhershëm!”.