ATV

Tag: Vjosa Osmani

  • Osmani takon komandantin e FSK-së para se të udhëtojë për në selinë e NATO-s

    Osmani takon komandantin e FSK-së para se të udhëtojë për në selinë e NATO-s

    Para udhëtimit zyrtar për në selinë e NATO-s, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim pune komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin.

    Komandantja supreme u njoftua nga Jashari lidhur me aktivitetet dhe zhvillimet aktuale në FSK, me theks të veçantë për procesin e realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit gjatë vitit 2023 dhe rritjen e mirëqenies së ushtarëve të FSK-së.

    “Presidentja Osmani diskutoi me gjenerallejtënant Jasharin për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me partnerin kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me shtetet e tjera të NATO-s, lidhur me çështje të sigurisë në vend dhe rajon. Të dy ritheksuan se vizioni ynë i përbashkët është që Republika e Kosovës të zhvillojë ushtrinë e saj në përputhje me standardet e vendeve anëtare të NATO-së, për të qenë forcë e ndërveprueshme në misionet e përbashkëta me forcat aleate në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

    Presidentja Osmani, do të takohet më 7 shtator me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në selinë e NATO-s në Bruksel.

  • ​Osmani: Policia jonë gardianë të sigurisë dhe mbrojtjes së sovranitetit

    ​Osmani: Policia jonë gardianë të sigurisë dhe mbrojtjes së sovranitetit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Policinë e Kosovës për ditën e themelimit.

    “6 shtatori shënon një moment historik, të rëndësishëm në historinë e Kosovës – ditën e themelimit të Policisë së Kosovës”, citohet në komunikatë Osmani.

    Presidentja Osmani ka thënë se “Sot Policia e Kosovës është shndërruar në një simbol të përkushtimit, guximit dhe profesionalizmit të palëkundur për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve, pa dallim. Ata janë gardianë të sigurisë sonë, të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës”.

    Sipas Osmanit, gra e burra të Policisë së Kosovës janë kurdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo situate.

    “Gra e burra të Policisë së Kosovës janë kurdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo situate, për ta ofruar ndihmën e tyre dhe për ta mbrojtur rendin dhe ligjin, ndaj një falënderim i përzemërt për secilin prej tyre! Zotimi, përkushtimi dhe profesionalizmi juaj, janë shpresë dhe garanci për qytetarët e Kosovës për një mjedis të qetë dhe të sigurt! Urime dita e themelimit të Policisë së Kosovës!”, ka theksuar ajo.

  • “U morën me formën si e tha, por jo me përmbajtjen”, Konjufca del me shpjegim për deklaratën e Vjosa Osmani për Macronin

    “U morën me formën si e tha, por jo me përmbajtjen”, Konjufca del me shpjegim për deklaratën e Vjosa Osmani për Macronin

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka folur për paralajmërimet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron që mund të ketë pezullim të vizave nëse Kosova nuk sillet me përgjegjësi në raport me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Konjufca ka thënë se beson në atë që ka deklaruar presidentja Osmani pas paralajmërimeve të Macronit.

    Kryetari i Kuvendit, Galuk Konjufca i ka dalur në mbrojtet presidentes Osmani pas kërcënimeve që ia bëri presidentit të Francës, duke thënë se me deklaratën e saj u morën “shumë më shumë me mënyrën dhe formën” dhe jo me përmbajtjen.

    “Po me presidentin u morën shumë më shumë në mënyrë dhe formën si e tha ajo, por unë mendoj që çka është esenciale ka të bëjë me atë se çka ka thënë presidentja, jo me formën qysh e ka thënë, me formën qysh e ka thënë mund të jenë aty 100 mendime por me përmbajtjen nëse dalim të përmbajtja, porosia që ka dashtë me përçu presidentja ka thënë që kjo e dëmton seriozisht dialogun bile e bllokon atë.” – ka thënë ai në DPT te Fidani në ATV.

    Tutje, ai ka vazhduar me arsyetimin e presidentes teksa ka thënë se edhe ai beson në të.

    “Kjo natyrisht që është një shprehej e pozicionimit politik në të cilin edhe unë besoj sepse diçka që është një e drejtë elementare e popullit të Kosovës e cila nuk ka të bëjë me një të drejtë të qeverisë por me të drejtën e popullit për me gëzu mundësinë e lëvizjes së lirë në këto shtetet që e kanë regjimin e vizave, kjo është një diçka e fituar me plot meritë nga ana e republikës tonë e cila i atribuohet popullit.” – ka thënë tutje ai.

    “Sa i përket sanksioneve të qeverisë ato janë sanskione të tjera që janë duke ndodhur në një masë dhe sa i përket përgjegjësi unë besoj që është marrë.” – ka thënë Konjufca.

    Ndërkohë, presidentja Osmani ka thënë se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kjo deklaratë u komentua me të madhe dhe u pa si një gjuhë e rëndë dhe jo diplomatike ndaj Kosovës.

    “Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet.” – ka thënë Osmani.

    Çka tha Marcon?

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ditë me parë ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk sillen me përgjegjësi.

    Në mes të masave, ishte edhe mundësia për pezullimin e vizave.

    “Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” – ka thënë Macron.

  • Presidentja Osmani nderohet me titullin “Patroni i kalasë” në Berat

    Presidentja Osmani nderohet me titullin “Patroni i kalasë” në Berat

    Përgatiti: Nexhmie Hyseni

    Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i është ndarë titulli “Patroni i Kalasë” në qytetin e Beratit, në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri.

    Ky titull që u jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë dhe kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.

    Osmani ka vizituar edhe Kishën e Shën Mërisë e Muzeun e Onufrit. Ndërsa, mori pjesë edhe në hapjen e ekspozitës në oborrin e Pallatit Presidencial për nder të Nënës Terezë, në përvjetorin e vdekjes së saj.

    Presidentja tha se Nënë Tereza vazhdon të mbetet frymëzim për të gjitha gjeneratat.

    “Puna e saj dhe përkushtimi i palëkundur ndaj të varfërve dhe shërbimi i saj vetëmohues në funksion të së mirës për gjithë njerëzimin kanë lënë gjurmë të pashlyeshme kudo në botë. Kjo ekspozitë me dokumente arkivore nga jeta”, tha Osmani.

    Derisa Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se veprat e Nënë Terezës vazhdojnë të frymëzojnë brezat e reja.

    “Jeta e Nënë Terezës ishte një dëshmi për fuqinë e pakufizuar, përkushtimi i saj i pandalshëm për t’i ndihmuar më të dobëtit mes nesh shërben si një shembull i potencialit të njerëzimit për të bërë më të mirën. Kjo ekspozitë shërben si një kujtim për ndryshimin e madh, si një individ i vetëm mund të bëjë kur udhëhiqet nga dashuria dhe një ndjenjë e thellë mirësie”, tha Begaj.

    Presidentja Vjosa Osmani vizitoi Shqipërinë me ftesë të homologut të saj Bajram Begaj, me ç’rast zhvilloi takime me liderët shtetërorë.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Osmani: Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra

    ​Osmani: Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri ka marrë pjesë sot në hapjen e ekspozitës për nder të Nënë Terezës.

    Osmani tha se historia dhe trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën. Ajo nënvizoi se Nënë Tereza nuk ka bërë vepra humanitare për bujë, por bëri bujë me veprat e saj.

    “Kjo ekspozitë me dokumente arkivore nga jeta e Shën Terezës është një udhëtim nëpër paqe të historisë së saj personale, por edhe historisë së njerëzimit në përgjithësi, duke ditur faktin se ajo ishte e të gjithëve dhe për të gjithë. Përpara kemi jetën e dokumentuar të humanistes, trashëgimia e së cilës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë globin. Përmes këtyre dokumenteve zbërthehet profili i Shën Terezës, thjeshtësia e fjalëve të saj, thellësia e bindjeve dhe fuqia e dashurisë së saj, po ashtu edhe rrënjët e saj shqiptare. Këto dokumente dëshmojnë se Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra”, tha ajo.

    Në anën tjetër, homologu i saj, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se hapja e kësaj ekspozite shërben si kujtim për ndryshimin e madh që ka bërë Nënë Tereza.

    “Kjo ekspozitë shërben si një kujtim për ndryshimin e madh që një individ i vetëm mund të bëjë kur udhëhiqet nga dashuria dhe një ndjenjë e thellë mirësie. Veprat e Nënë Terezës mes të varfërve dhe të margjinalizuarave, dashuria e saj për të vuajturit dhe përpjekjet e saj të mëdha për t’iu dhënë shpresë atyre në mjerim vazhdojnë të frymëzojnë brezat. Le të vazhdojmë përpara me trashëgimin e saj që përfaqëson vlerat e vetëmohimit, mirësisë dhe dashurisë në jetë”, theksoi Begaj.

    Kjo ekspozitë është hapur me rastin e Ditës së Nënë Terezës, në 26 vjetorin e vdekjes së saj.

    Shën Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

    Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80, dhe deri sa Shën Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

    Shën Tereza ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë./KP/

  • Osmani takon Ramën: Bashkë mund të hapim rrugën për integrim

    Osmani takon Ramën: Bashkë mund të hapim rrugën për integrim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama, në kuadër të vizitës zyrtare të saj në Shqipëri. Pas këtij takimi, ajo deklaroi se dy vendet mund të hapin rrugën për integrim.

    Osmani ka deklaruar se me Ramën kishte një bisedë përmbajtjesore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të të dy vendeve.

    “Me Kryeministrin Edi Rama pata një bisedë përmbajtjesore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë. Duke punuar së bashku, Kosova dhe Shqipëria mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të integruar”, ka thënë Osmani.

    Në komunikatën për media thuhet se të dy liderët shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për të punuar së bashku në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, të cilët ndërlidhen me rrugëtimin euroatlantik.

    “Në këtë kontekst, presidentja Osmani, theksoi është në interesin e të dy shteteve dhe atë rajonal që të ketë një koordinim të ndërsjellë në politikën e jashtme, në funksion të integrimit të të dy shteteve në familjen euroatlantike.

    Ndërkaq në raport me procesin e dialogut me Serbinë, presidentja Osmani tha se Kosova është palë konstruktive, teksa potencoi se njohja reciproke, ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës duhet të jenë rezultati i këtij procesi.

    Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama shprehën optimizmin e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe vunë theksin në potencialin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.

  • ​Osmani: Serbia po na e sfidon integritetin territorial, kemi nevojë për Shqipërinë

    ​Osmani: Serbia po na e sfidon integritetin territorial, kemi nevojë për Shqipërinë

    Të shkëlqyera i ka konsideruar presidentja Vjosa Osmani, raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo deklaroi se angazhohet për tejkalimin e çdo lloj mospajtimi të momentit mes kryeministrit Kurti dhe Rama. Kështu u shpreh ajo pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, për çka tha se kryefjala e kësaj vizite është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme. E presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi se askush nuk mund të çuditet pse Kosova është prioritet kombëtar dhe se në të gjitha takimet e tij ka kërkuar njohjen e Kosovës. Ai u shpreh se Kosova duhet të ketë koordinim të ngushtë dhe më të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

    Presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, qw të bëhet zë në të gjitha instancat ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

    “Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme. Siç e dini, dy muaj më parë, shtetet tona nënshkruan edhe 13 marrëveshje në fusha të ndryshme nga siguria, drejtësia, arsimi, kultura e bujqësia. Në dy vitet e fundit janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore, ndërinstitucionale. Ato synojnë fuqizimin e shteteve tona dhe njëkohësisht lehtësimin e jetës së qytetarëve në dy shtetet. Bashkëpunimi ekonomik është i një rëndësie të madhe për qytetarët tanë. Prandaj edhe duhet dhe mund ta krijojmë një shkëmbim edhe më dinamik, nga i cili përfitojnë edhe bizneset por edhe qytetarët”, deklaroi Osmani.

    Kryetarja e shtetit shtoi se janë të vendosur për të kontribuar në funksion të paqes dhe stabilitetit, të cilat siç tha ajo, po rrezikohen nga Rusia dhe satelitët e saj në rajon. Osmani deklaroi se Kosova sot përballet me sfidimin më të madh të sigurisë në 25 vjetët e fundit.

    “Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë, e po ashtu për përkrahjen e aleatëve dhe partnerëve euroatlantikë dhe natyrisht që pajtohem me presidentin Begaj që koordinimi me miqtë dhe aleatët tanë është parakusht për suksesin tonë kudo e kurdo. Dialogu me Serbinë është duke vazhduar por natyrisht që rruga e vetme që sjell paqen, stabilitetin afatgjatë në gjithë rajonin tonë është atëherë kur rezultati përfundimtar është njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të brendshëm të Republikës së Kosovës”, shtoi presidentja e vendit.

    Në konferencë për media, Osmani theksoi se synim shtetëror dhe strategjik mbetet anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian, si dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare.

    Tutje, ajo komentoi edhe raportet mes kryeministrave të të dyjave vende, ku tha se relacionet mes të dyja vendeve janë “mes motrash”.

    “Relacionet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Ne herë i quajmë vëllazërore, por mua më pëlqen t’i quaj relacione mes motrash. Sepse është relacioni më i sinqertë që ekziston. Relacionet mes Kosovës dhe Shqipërisë mund të fuqizohen edhe më tej, mund dhe do ta rrisim koordinimin mes nesh. Sepse është në interes të të dyja shteteve, në interes të kombit tonë, por në interes edhe të paqes dhe stabilitetit afatgjatë…Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi, është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi ajo.

    Megjithatë, ajo komentoi edhe raportet e kreyminstrave Albin Kurti dhe Edi Rama, pwr çka shtoi se çdo diskutim i momentit që mund të ketë involvuar mospajtime është tejkaluar.

    “Si presidente angazhohem që të tejkalojmë çdo lloj mospajtimi të momentit që ekziston, por nuk e shoh as si tragjike, as diçka që na pengon të ecim përpara në këtë qëllim të përbashkët, atë që ju e përmendet si diskutime apo acarim”, u shpreh ajo.

    Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se nuk kanë rëndësi mosmarrëveshjet e momentit.

    “Nuk ka rëndësi mosmarrëveshjet e momentit. Vizita e presidentes Osmani sot në Shqipëri tregon që ne jemi bashkë për çështje të rëndësishme të interesit ndërshtetëror, por gjithashtu jemi bashkë për të përçuar atë që si komb kemi, frymën evropiane dhe euroatlantike. Rrugëtimi ynë është në një kah, ky rrugëtim është i sigurtë, është i ndryshëm nga Serbia. Nuk mund të vazhdojmë më të mendojmë që jemi në lindje, ne do të vazhdojmë të jemi një në rrugëtimin tonë drejt perëndimit. Nuk mendoj që ka vend për tu shqetësuar, absolutisht ka vend për të përmirësuar këtë koordinim ndërinstitucional që zëri i Kosovës të dëgjohet në çdo forum, në çdo organizëm”, tha ai në konferencë për media.

    Ai shtoi se karakteri strategjik i marrëdhënieve mes të dyja vendeve ka një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike.

    Presidentja Vjosa Osmani sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë në Shqipëri. Ajo u prit me ceremoni shtetërore në ambientet e Presidencës së Shqipërisë. Ajo do të takohet edhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe me kryeministrin Edi Rama. Po ashtu, do t’ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare. /KP

  • Osmani në Tiranë: Kryefjala e vizitës sime, strategjia e përbashkët me Shqipërinë për politikën e jashtme

    Osmani në Tiranë: Kryefjala e vizitës sime, strategjia e përbashkët me Shqipërinë për politikën e jashtme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar me Shqipërinë në politikën e jashtme është kryefjala e vizitës së saj në Tiranë.

    Pas takimit me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, Osmani theksoi mbështetjen e madhe që tha se e mori atje, duke shtuar se ajo “nuk ka munguar”.

    “Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme”, tha Osmani.

    Ajo foli për Serbinë që tha se “akoma vazhdon me logjikën e zhdukjes sonë nga faqja e dheut”. “Është detyrim i secilit prej nesh që interesat kombëtare t’i vëmë para se gjithash, të koordinohemi në baza ditore, të flasim me një zë të unifikuar. Në qoftë se ndonjëherë kemi ndonjë dallim në strategji, atëherë duhet të ulemi dhe t’i tejkalojmë ato si një familje, sepse një familje jemi”, tha Osmani.

    “Siç kemi pasur nevojë edhe më parë, sërish kemi nevojë për mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë, sidomos që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim”, tha ndër tjerash Osmani, duke përmendur synimin e vendit për t’u anëtarësuar në NATO e BE.

    Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, Osmani tha se “ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë, e po ashtu edhe për përkrahjen e partnerëve euroaltantikë”.

    “…Natyrisht që pajtohem me presidentin Begaj që koordinimi me miqtë dhe aleatët tanë është parakusht për suksesin tonë kudo e kurdo”, tha ajo.

    Osmani tha se Begaj ka qenë “shumë aktiv” në arenën ndërkombëtare, duke kërkuar anëtarësimin e Kosovës në çdop organizëm ndërkombëtar.

  • Kongresisti amerikan: Me Presidenten Osmani folëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

    Kongresisti amerikan: Me Presidenten Osmani folëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

    Kongresisti Mike Turner, Kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për Inteligjencë, ka shkruar në “X” për takimin e tij me Presidenten Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Kosovë.

    Turner thotë se me Osmanin ka diskutuar për marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Kosovës, si dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që është një dakordim mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të raporteve mes vete.

    “Faleminderit Presidentja Vjosa Osmani për mikpritjen në Kosovë. E shijova diskutimin tonë rreth raporteve strategjike mes SHBA-së dhe Kosovës dhe rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit për të arritur paqe në rajon”, ka shkruar kongresisti amerikan.

    Presidentja e takoi Turner të enjten në Prishtinë. Sipas një njoftimi të zyrës së saj, ajo ka përmendur bashkëpunimin mes dy shteteve në fushën e sigurisë dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshirë NATO-n.

  • ​Osmani uron vitin e ri shkollor: Beteja për dije nuk përfundon kurrë

    ​Osmani uron vitin e ri shkollor: Beteja për dije nuk përfundon kurrë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar vitin e ri shkollor.

    “Me mendje të hapura për dije dhe zemra të mbushura me emocione, nxënësit tanë po e nisin këtë vit të ri shkollor, i cili është një kapitull i ri, një mundësi për të mësuar diçka të re, për ta sfiduar veten dhe për ta zgjeruar horizontin e dijes”, ka thënë presidentja Osmani.

    Më tej, presidentja Osmani ka theksuar se beteja për dije nuk përfundon kurrë.

    “Ndërsa po nisni një vit të ri shkollor, le ta sjellim në vëmendje se arsimimi nuk ka të bëjë vetëm me libra dhe teste, por me kultivimin e ndjeshmërisë, të menduarit kritik dhe kreativitetin. Beteja për dije nuk përfundon kurrë. Urime 1 shtatori! Sukseset e shënofshin çdo ditë të këtij viti shkollor!”, ka theksuar Osmani.