ATV

Tag: Vjosa Osmani

  • Osmani-deputetes Kearns: Kosova është më e fortë me aleatë si ju

    Osmani-deputetes Kearns: Kosova është më e fortë me aleatë si ju

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim deputeten e Parlamentit Britanik, Alicia Kearns, të cilës i ka thënë se populli i Kosovës është përzemërsisht falënderues për punën e saj të çdoditshme në përkrahje të Kosovës dhe afirmimin e të vërtetës.

    “Kosova është më e fortë me aleatë si ju”, ka shkruar Osmani në Facebook, ku edhe ka postuar disa fotografi.

  • Pesëshja perëndimore vijnë në Prishtinë dhe Beograd për të bërë përparim të prekshëm

    Pesëshja perëndimore vijnë në Prishtinë dhe Beograd për të bërë përparim të prekshëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se regjimi i Millosheviqit përdori aktin e dhunës seksuale si mjet të frikësimit dhe demoralizimit. Osmani u shpreh se lufta në Kosovë është testament i vlerave, por edhe dëshmi e përkushtimit që tmerret e luftës nuk mund të njollosin asnjëherë dinjitetin njerëzor. Në adresimin e saj në tryezën më të lartë vendimmarrëse në botë, kryetarja e shtetit ka cituar një deklaratë të një viktime të dhunës seksuale nga Kosova, teksa rrëfen për torturat e tmerrshme të forcave serbe. Në takimin e posaçëm të formatit Arria të Këshillit të Sigurimit, Osmani përmendi edhe Vasfije Krasniqi Goodman, gruan e parë që foli publikisht për aktin makabër.

    Ajo në një adresim virtual deklaroi se sa herë takon një të mbijetuar të dhunës seksuale, kupton nivelin e dhimbjes dhe fuqinë transformuese të qëndrueshmërisë së tyre. Osmani shtoi se viktimat e dhunës seksuale zgjedhin të lulëzojnë dhe luftojnë për drejtësi.

    “Gjatë viteve 1998-1999, Kosova ishte shënjestër e një lufte brutale dhe gjenocidiale të kryer nga regjimi i Millosheviqit. Mes tingujve shurdhues të artilerisë dhe heshtjes së dhimbshme të pasojave të luftës, u shfaq realiteti tronditës i mijërave të mbijetuar të dhunës seksuale dhe luftës. Prandaj sot, teksa ju drejtohem të gjithëve, ndjej përgjegjësi të madhe dhe mbaj një barrë të rëndë mbi supet e mia, ndërsa përpiqem të jap drejtësi për këto heroina të përditshme që jetojnë me një dhimbje të përjetshme dhe torturuese dhe ndërsa unë kërkoj me zjarr që akte të tilla tmerri të mos përsëriten kurrë më. Dhuna seksuale e lidhur me konfliktin ka vazhduar për një kohë të gjatë në trajektoren e historisë njerëzore. Ajo godet në zemër të njerëzimit. Ajo i kapërcen kufijtë dhe është kthyer në një nga çështjet më urgjente globale që kërkojnë vëmendjen tonë të menjëhershme. Prandaj është përgjegjësia jonë kolektive që të veprojmë me vendosmëri dhe të veprojmë me zgjuarsi. Qysh kur jam angazhuar në politikë, duhet të pranoj se takimet që lënë një impakt të përhershëm janë takimet me të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe luftës”, deklaroi ajo.

    Osmani ka ndarë edhe një deklaratë të mbijetuare, e cila kishte rrëfyer për aktin makabër të dhunimit seksuale nga forcat serbe.

    “Për të kuptuar më mirë atë që po them, ju lutemi kushtojini vëmendje deklaratës së mëposhtme të një të mbijetuare. Kjo është ajo që ajo ndau me ne dhe atë që ajo donte që unë të ndaja me ju: “Po mundohesha të fshihesha nën karrige. Mbylla sytë dhe veshët me duar, duke u përpjekur të mos dëgjoja britmat dhe ulërimat e grave te tjera. Çfarë u bën grave te tjera, në shkollën ku jemi dërguar me dhunë, nuk kam parë kurrë gjëra kaq të tmerrshme. Në atë moment një djalë më tërhoqi zvarrë nga këmba ime, më hodhi në tokë dhe më hoqi me forcë pantallonat. Unë isha si e paralizuar. Nuk i ndjeja këmbët dhe kisha gjakderdhje të rëndë. Isha vetëm nëntë vjeç. Ajo ishte vetëm nëntë vjeç. E tmerrshme dhe shkatërruese. … Ata nuk ndalen para asgjëje. Ata shkatërrojnë jetë. Ata jo vetëm që duan të shkatërrojnë kombe apo vende, por duan të shkatërrojnë besimin tonë te njerëzimi. Ata duan të dehumanizojnë njerëzit. Dhimbja që ata shkaktojnë mbi viktimat e tyre mbetet e gdhendur në strukturën e qenieve të tyre gjatë gjithë jetës. Megjithatë, është e jashtëzakonshme se si, nga hiri i vuajtjes së tyre, lind një qëndrueshmëri frymëzuese”, tregoi kryetarja e shtetit.

    Tutje, e para e vendit deklaroi se është gjithmonë e mahnitur kur sheh vendosmërinë e palëkundur të të mbijetuarave për të refuzuar të përkufizohen nga e kaluara.

    “Pas luftës në Kosovë dolën në dritë kaq shumë raste të dhunës seksuale. Këto raste na ndihmuan të hedhim dritë mbi taktikat brutale të përdorura nga regjimi i Millosheviqit. Raporte të shumta dokumentuan përdhunime dhe tortura seksuale të shumta. Aktet e tilla të tmerrshme të dhunës seksuale u përdorën si mjete të frikësimit dhe demoralizimit, por në të njëjtën mënyrë si mjete të spastrimit etnik dhe gjenocidit, duke synuar dëbimin e popullatës së Kosovës nga shtëpitë e tyre. Në Kosovë, çdo vit që kalon, ne ishim dëshmitarë të qëndresës dhe vendosmërisë së jashtëzakonshme të grave dhe burrave kosovarë, të cilët refuzojnë të heshtin nga luftërat që kaluan. Lufta e tyre kundër stigmës dhe kërkimi i tyre për drejtësi janë shembullore”, u shpreh Osmani.

    Në takimin për “Parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës seksuale të shkaktuar nga konfliktet”, kryetarja e Kosovës përmendi edhe gruan e parë që rrëfeu publikisht për tmerrin që përjetoi. Ajo tha se Vasfije Krasniqi Goodman është bërë simbol i kërkimit për drejtësi.

    “Duke qenë një nga të parat që doli përpara për t’u përballur me publikun, zonja Vasfije Krasniqi Goodman, e cila foli publikisht në tetor të vitit 2018, ajo u sigurua që bota të njihej me një heroinë, një Vasfije Krasniqi e ndjeshme, por me një vendosmëri të madhe, e mbijetuara e parë e dhunës seksuale gjatë luftës që foli publikisht. Duke vepruar kështu, ajo u përball me vuajtjet e tmerrit të mbi mijëra e mijëra të mbijetuarve. Ajo u bë fytyra e luftës së tyre dhe simboli i kërkimit të tyre për drejtësi dhe vendosmërisë së tyre të pashoqe për ta kthyer pikëllimin në shpresë”, deklaroi Osmani ndër tjerash.

    Përdorimi i dhunës seksuale si një armë lufte, Osmani tha se është përpjekje e qëllimshme për t’i zhveshur individëve dinjitetin, shpresën por edhe vet identitetin e tyre.

    “Lufta jonë është një testament i vlerave që ne i vlerësojmë: drejtësia, dhembshuria dhe barazia. Vendosmëria jonë për të çrrënjosur këtë praktikë të neveritshme nuk është vetëm imperativi i politikës, por është një detyrë morale, një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj botës ku tmerret e luftës nuk mund të njollosin kurrë dinjitetin njerëzor”, përfundoi ajo.

    Rreth 20 mijë gra e burra nga Kosova janë dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për këtë krim, gjykatat vendore kanë dënuar vetëm një person me dhjetë vjet burgim.

  • Mosdekretimi i Kryeprokurorit të shtetit, KPK i ka vetëm dy rrugë ligjore

    Mosdekretimi i Kryeprokurorit të shtetit, KPK i ka vetëm dy rrugë ligjore

    Përgatiti: Nora Luta

    Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka ligjërisht dy mundësi se si mund të veprojë tutje, pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani, për mosdrekretimin e kryeprokurorit të shtetit.

    Kjo pozitë është me ushtrues detyre për më shumë së një vit.

    Por, për hapat tutje Këshilli Prokurorial do të vendosë gjatë një takimi që pritet ta mbajë brenda javës.

    “Këshilli Prokurorial i Kosovës, në takimin e mbajtur dje, në të cilin është diskutuar për situatën e krijuar pas njoftimit të Presidentes së Kosovës, znj.Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, z.Blerim Isufaj, me ç’rast është lëshuar një komunikatë për media, ka konfirmuar se KPK-ja së afërmi do të mbajë edhe një takim tjetër për të vendosur lidhur me hapat që do t’i ndjekë pas njoftimit të Presidentes për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Lidhur me kohën dhe agjendën e saktë të takimit që do të mbahet, do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në reagimin nga Zyra për Komunikim Publik e Sekretariatit të KPK-së.

    Në bazë të Ligjit për KPK-në, Këshilli i ka dy mundësi, të shpallë konkurs të ri, apo ta dërgojë edhe një herë emrin e kandidatit të përzgjedhur për kryeprokuror, në këtë rast, Blerim Isufaj.

    Blerim Isufaj, aktualisht është në fund të mandatit si kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, dhe për këtë pozitë tashmë KPK-ja e ka shpallur konkursin.

    Ai është përzgjedhur para një viti e gjysmë në pozitën e kryeprokurorit të shtetit, por presidentja Vjosa Osmani të martën njoftoi se nuk do ta dekretojë, pasi sipas saj, ka pasur shkelje në procedurë, ndërsa ka shtuar se ka pasur kërcënime nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.

    Deklaratat e presidentes, KPK-ja i ka quajtur tendencioze dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin prokurorial.

  • Osmani nuk e dekreton Isufajn: Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit pati shumë parregullsi

    Osmani nuk e dekreton Isufajn: Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit pati shumë parregullsi

    Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media ka deklaruar se nuk do ta dekretojë për kryeprokuror, Blerim Isufajn.

    Osmani tha se ka gjetur shkelje procedurale të cilat janë cilësuar edhe nga raporti i BE-së si mungesë transparence për zgjedhjen e kryeprokurorit.

    “Bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga aktgjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”, tha Osmani.

    Presidentja theksoi se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtar.

  • Osmani për vdekjen e Ahtisaarit: Iku figura madhështore që skaliti kornizën e shtetit tonë

    Osmani për vdekjen e Ahtisaarit: Iku figura madhështore që skaliti kornizën e shtetit tonë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se me vdekjen e kryenegociatorit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari, ka ikur nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike.

    Osmani ka shtuar se Ahtisaari ishte njeri që tërë jetën ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin.

    Sipas saj, paqebërësi dhe vizionari do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës.

    “Sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari. Presidenti Ahtisaari ishte njeriu që tërë jetën e tij ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë! Ai skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

    Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur sot (e hënë) në moshën 86-vjeçare.

  • Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Çeke

    Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Çeke

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e ri të Republikës Çeke, Bohumil Mazánek, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale.

    Presidenca njofton se Presidentja Osmani e uroi ambasadorin për detyrën, ndërkaq ambasadori Mazánek, shtoi se nga ana e tij do të ketë edhe angazhim më të madh pas vendimit të Presidentit Çek , Petr Pavel për ngritjen e raporteve diplomatike në nivel të ambasadorëve.

    Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve tona dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.

    “Presidentja Osmani e falënderoi për kontributin e dhënë nga Republika Çeke lidhur me liberalizimin e vizave si dhe e njoftoi nga afër ambasadorin lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë pas aktit të agresionit të kryer në Kosovë nga ana e Serbisë”, përfundon kumtesa.

  • Senatorët amerikanë në takim me Osmanin: Përgjegjësit e sulmit të japin llogari para drejtësisë

    Senatorët amerikanë në takim me Osmanin: Përgjegjësit e sulmit të japin llogari para drejtësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbajnë përgjegjëse Serbinë për agresionin e 24 shtatorit ndaj Kosovës.

    Pas takimit me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, Osmani ka theksuar nevojën për të rritur garancat e sigurisë ndaj Kosovës, sidomos në kufirin me Serbinë.

    Në anën tjetër, senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, ka thënë se kanë ardhur për të shprehur mbështetjen ndaj Kosovës, sidomos pas incidentit në veri më 24 shtator.

    Ajo ka theksuar se përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duhet të japin llogari para drejtësisë. /kp

  • ​Osmani pret në takim dy senatorët amerikan

    ​Osmani pret në takim dy senatorët amerikan

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim dy senatorët amerikan, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch.

    Pas takimit të përbashkët, Osmani dhe senatorët do të ketë një deklarim për medie.

    Pas takimit me Osmanin, senatorët amerikan do të takohen edhe me kryeministrin, Albin Kurti.

    Kjo është vizita e parë e përfaqësuesve të lartë të ShBA-së në Kosovë, pas aktit të agresionit të Serbisë në Kosovë më 24 shtator.

  • ShBA-ja nuk mbështet kërkesën e Osmanit për Asociacion me amerikanët, Hovenier: Stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë BE-së

    ShBA-ja nuk mbështet kërkesën e Osmanit për Asociacion me amerikanët, Hovenier: Stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë BE-së

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se janë shumë të përkushtuar për të parë përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    I pyetur nëse mund të pritet ndonjë lëvizje në ditët në vijim për ta çuar përpara këtë proces, Hovenier ka thënë se pret përpjekje të reja, duke shtuar se duhet të ecet përpara urgjentisht dhe se s’ka kohë për të humbur.

    “Ne jemi shumë të përkushtuar për të parë përparim në dialog. Nuk mund të flas për veçanti, por pres përpjekje të reja sepse është urgjente. Siç e thashë edhe më parë, 24 shtatori tregoi se nuk kemi kohë për të humbur. Ne duhet të ecim përpara urgjentisht me arritjen e mirëkuptimit të përbashkët se si të zbatohen plotësisht, në mënyrë efektive, detyrimet që janë marrë nga të dyja vendet sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit të saj”, ka deklaruar Hovenier.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar para disa javësh përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA’së në dialog. Lidhur me këtë kërkesë, Hovenier ka thënë se nuk është i sigurt se sa më shumë Shtetet e Bashkuara mund të përfshihen në këtë proces, derisa ka shprehur mbështetje të plotë për Emisarin e BE’së, Mirosllav Lajçak.

    “Ky është me të drejtë një dialog i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo është me vend, sepse në fund të fundit, stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë Bashkimit Evropian. Në fund të fundit, siç deklaroi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell në Ohër, këto angazhime që janë marrë duhet të bëhen pjesë e proceseve të anëtarësimit për të dyja vendet. Dhe meqë bëhet fjalë për një proces evropian me detyrime evropiane dhe angazhime evropiane, është e përshtatshme që Bashkimi Evropian të marrë drejtimin dhe lehtësimin e atij që në fund nuk është një dialog me Evropën, por ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë treguar sa e sa herë se sa seriozisht e marrim këtë, sa të përkushtuar jemi që ta shohim këtë çështje të zgjidhur me sukses. Miroslav Lajçak gëzon mbështetjen tonë të plotë. Ky dialog e gëzon mbështetjen tone”, ka thënë ambasadori.

    Tutje, Hovenier ka thënë se kohën më të madhe e shpenzon në këto çështje dhe se ndonjëherë ndihet në siklet kur e pyesin se sa më shumë mund të përfshihet ShBA’ja në këtë process se sa që është e përfshirë tash.

    “Unë shpenzoj më shumë kohë në këto çështje se në çdo gjë tjetër që bëj si ambasador amerikan në Kosovë. Kolegu im në Beograd është shumë i përfshirë. I dërguari ynë i posaçëm është shumë, shumë i përfshirë. Kështu që ndonjëherë jam në siklet kur njerëzit pyesin sa më të përfshirë mund të jemi kur mendoj se sa të përfshirë jemi tashmë. Në fund të fundit ne duam të shohim sukses për Kosovën. Duam të shohim sukses edhe për Serbinë. Dhe ne duam të shohim sukses për Bashkimin Evropian për t’i parë këto vende plotësisht në rrugën e integrimit në bllok, gjë që do të rriste qëndrueshmërinë, do të rriste përparimin dhe do të ndihmonte realizimin e kësaj pikëpamjeje që ne të gjithë e ndajmë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe. Ky është qëllimi përfundimtar”, ka deklaruar Hovenier në një intervistë për Zërin e Amerikës.

  • Presidentja Osmani në Kroaci sot i adresohet komunitetit shqiptar

    Presidentja Osmani në Kroaci sot i adresohet komunitetit shqiptar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Zoran Milanoviq sot vazhdon ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kroaci.

    E para e vendit sot do të bëjë dekorimin e tre personaliteteve të shquara. Ceremonia do të mbahet në Ambasadën e Kosovës në Kroaci.

    Po ashtu Osmani do të ketë një bashkëbisedim me studentët e Libertas University me temën “Udhëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt BE-së: “Çfarë vjen më pas”?.

    Në qytetin e Karlovacit, ajo do të ketë një vizitë në një fabrikë të armëve.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vizitojë edhe statujën e Nenë Terezës.

    Në fund të agjendës së takimeve dhe aktiviteteve, Osmani do të ketë takim me komunitetin shqiptar në Kroaci, ku presidentja do t`i adresohet komunitetit shqiptar.