ATV

Tag: Vjosa Osmani

  • ​Osmani: Gratë në Kosovë kanë qenë gjithnjë në ballë të proceseve të paqes

    ​Osmani: Gratë në Kosovë kanë qenë gjithnjë në ballë të proceseve të paqes

    Presidentja Vjosa Osmani me ftesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë dedikuar agjendes për Gratë Paqen dhe Sigurinë (ËPS)

    Në organizimin e mbajtur në selinë e OKB-së, Presidentja Osmani, në emër të Republikës së Kosovës, shpalosi të arriturat dhe objektivat e Kosovës për sa i përket zbatimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Presidentja vuri në pah rolin e jashtëzakonshëm që gratë e Kosovës kanë luajtur në procese të paqes dhe sigurisë përgjatë etapave të ndryshme të historisë. Ajo potencoi se Kosova tashmë po i udhëheq përpjekjet në rajon për zbatimin e kësaj agjende.

    Për më tepër, Presidentja tha po ashtu se Kosova është e gatshme të japë kontribut në nivel ndërkombëtar për zbatimin e kësaj agjende, me ç’rast vuri në pah përpjekjet e Kosovës për të ndihmuar gratë në Ukrainë, Afganistan dhe në çdo vend ku po ndodhin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

    Më këtë rast, Osmani foli edhe për Forumin global për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet këtë vit për herë të dytë në Kosovë, si dhe paralajmëroi që Kosova do të bëhet së shpejti vendi nikoqir i qendrës rajonale të ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Sipas një komunikate të Presidencës, Zyra e Sekretarit Blinken vuri në pah arritjet e Kosovës në këtë drejtim dhe punën e Presidentes dedikuar kësaj agjende, duke e quajtur Kosovën si një ndër shembujt më të mirë të këtij angazhimi.

  • Osmani takohet me presidentin amerikan – Biden ia mbanë dorën

    Osmani takohet me presidentin amerikan – Biden ia mbanë dorën

    Presidentja Vjosa Osmani, është takuar me presidentin amerikan Joe Biden, gjatë vizitës në ShBA.

    Osmani publikon foto me presidentin e ShBA-së, Biden, të kapur për dorësh dhe shkruan “Aleanca e lirisë, aleanca e përjetshme”.

    Osmani, po qëndron në Nju Jork ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

  • Lajçak pas takimit me Osmanin: Patëm një bisedë të detajuar dhe të dobishme

    Lajçak pas takimit me Osmanin: Patëm një bisedë të detajuar dhe të dobishme

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar pas takimit që pati të enjten me presidenten Vjosa Osmani, në Nju Jork.

    Lajçak ka shkruar në “X” se me Osmanin patën një bisedë të detajuar dhe të dobishme.

    Ai theksoi se kanë rënë dakord që të vazhdojnë diskutimin.

    “Pata një bisedë të detajuar dhe të dobishme me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, mbi gjendjen e dialogut dhe rrugën përpara në avancimin e zbatimit të marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Ramë dakord të vazhdojmë diskutimin tonë”, ka shkruar ai në “X”.

  • ​Osmani takoi një grup të shoqatave të komunitetit shqiptar në SHBA

    ​Osmani takoi një grup të shoqatave të komunitetit shqiptar në SHBA

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, nën organizimin e aktivistit të mërgatës shqiptare dhe shërbimeve filantropike, Mark Gjonaj, ka takuar një grup të organizatave të komunitetit shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Mali i Zi, të cilat veprojnë në SHBA.

    Sipas presidentes Osmani, ky takim me mërgatën shqiptare është dëshmi e lidhjeve të forta dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit të Kosovës, si dhe komunitetit shqiptar në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në komunikatën për media.

    Në këtë kontekst, Osmani, ka falënderuar komunitetin shqiptar, i cili përveç se në forcimin e lidhjeve të Kosovës me SHBA-të, ka ndihmuar shtetin e Kosovës në procesin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.

    “Ju jeni forca shtytëse e shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Liria dhe shteti jonë, janë rezultat edhe i angazhimit të vazhdueshëm të mërgatës sonë këtu, ndaj faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe po bëni. Na duhet edhe mëtej angazhimi juaj. Kosova ka nevojë për mbështetjen tuaj dhe të SHBA-ve. E di që nuk hezitoni, ndaj presim që bashkërisht, pa dallim të angazhohemi që ta fuqizojmë shtetin tonë, krahas mbështetjes dhe koordinimit me aleatat tanë”, ka thënë ajo.

    Bëhet e ditur se e para e vendit shtroi nevojën e ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe trashëgimisë sonë në Shtetet e Bashkuara, për të cilën gjë tha se rol më rëndësi luajnë shoqatat, të cilat i grumbullojnë shqiptarët.

    Në bashkëbisedim me mërgatën, Osmani tha se Kosova pret mbështetjen e tyre edhe në fushën e investimeve. Sipas saj, në Kosovë tashmë është krijuar një klimë e përshtatshme për investime, ndaj investimet nga mërgata janë të mirëseardhura.

    Ndërkaq përfaqësues të shoqatave që grumbullojnë shqiptarët në SHBA, falënderuan Osmanin për takimin dhe shprehën mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe përkushtimin për të ndihmuar iniciativa të ndryshme, të cilat synojnë zhvillimin dhe mirëqenien e shtetit.

  • ​Osmani në takimin Bërdo-Brijuni: Interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nga BE

    ​Osmani në takimin Bërdo-Brijuni: Interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nga BE

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është e vendosur për të vazhduar me reforma dinamike që forcojnë më tej demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit si dhe rrisin standardet e jetesës për të gjithë qytetarët.

    Derisa ka folur në takim vjetor të liderëve të rajonit në kuadër të Procesit Bërdo-Brijuni, Osmani ka thënë se është me rëndësi që Kosova të ecë përpara edhe me statusin e vendit kandidat në BE “në përputhje me zotimin e BE-së për perspektivë anëtarësimi për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

    Osmani ka theksuar se Kosova ka shënuar hapa të ndjeshëm suksesi në disa aspekte, transmeton KP.

    “Kosova është një partner i besueshëm, një fqinj i mirë dhe një partner që punon shumë. Prandaj, mundësia për një lëvizshmëri më të madhe të qytetarëve tanë në zonën Schengen, është gjithashtu një mundësi e madhe për t’ua vërtetuar këtë të gjithëve në BE”, ka thënë Osmani.

    Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka përmendur edhe përparimin në indekset ndërkombëtare që kanë të bëjnë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe fushën e teknologjisë informative.

  • Osmani takon Pendarovskin: Kemi vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil

    Osmani takon Pendarovskin: Kemi vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila krahas krerëve të shteteve të tjera të rajonit po merr pjesë në takimin Bërdo-Brione në Shkup, ka zhvilluar një takim me nikoqirin e takimit, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

    Osmani në këtë takim, rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme e të qëndrueshme me Maqedoninë e Veriut dhe potencoi se të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në strukturat euroatlantike, thuhet në komunikatën për media.

    Në këtë kontekst, Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga Maqedonia e Veriut për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke falënderuar këtë shtet për përkrahjen e deritanishme.

    Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike Kosova mund të arrijë avancim përmbajtësor në procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO dhe se ecja përpara e vendit tonë në këtë rrugë i kontribuon edhe paqes dhe stabilitetit afatgjate në rajon.

    Bëhet e ditur se presidentja Osmani e njoftoi homologun Pendarovski lidhur me hapat e ndërmarrë nga Kosova për deeskalimin e situatës në veri të vendit dhe theksoi nevojën e një përgjigjeje të unifikuar kundër përpjekjeve destablizuese të satelitëve të Rusisë si dhe kundër grupeve të krimit të organizuar.

    Në këtë takim, ndër të tjera, të dy presidentët, theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve të tyre dhe shprehën përkushtimin e ndërsjellë për promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.

  • ​Osmani në Samitin e Brdo-Brijunit: Kosova, rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit

    ​Osmani në Samitin e Brdo-Brijunit: Kosova, rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit

    Në Shkup të Maqedonisë së Veriut po mbahet Samiti i Brdo Brijunit, në të cilën po marrin pjesë krerët e shteveve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë samit është e dhe presidentja Vjosa Osmani.

    Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale, falënderoi presidentët nikoqirë të këtij samiti, Pendarovski, Musar dhe Milanoviq për mirëseardhjen e tyre në fillim të takimit të liderëve të procesit Brdo-Brijunit.

    “Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit dhe kontribut përmbajtësor për rrugën e përbashkët euro-atlantike”, shkroi ajo shkurt.

    Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, është paralajmëruar se Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse.

    Temat qendrore të takimit të sivjetmë janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

    Takimi i Brdo-Brijuni është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.

    Ky proces është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.

    Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj, do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.

  • Stoltenberg pas takimit me Osmanin: Është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë

    Stoltenberg pas takimit me Osmanin: Është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të enjten se për aleancën veri-atlantike është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë në veri të Kosovës.

    “U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ikin retorikës nxitëse dhe të përmbahen, në linjë me zotimet e tyre”.

    Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Stoltenberg ka thënë se dhuna ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR në veri të Kosovës, më muaj më parë, ka qenë e papranueshme.

    Sipas tij, stabiliteti i rajonit varet nga të gjitha palët.

    Ai e ka mirëpritur vendimin e autoriteteve të Kosovës për zvogëlim të prezencës policore në veri dhe planet për mbajtje të zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit.

    “Në përputhje me përkushtimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë së Kosovës në veri kërkon negocimin me KFOR-in. Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave policore të Kosovës që mund të ketë ndikim në siguri”.

    Ai e ka përmendur që pas trazirave të fundit në veri, NATO-ja e ka rritur prezencën në Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë situatën nga afër dhe jemi të gatshëm të veprojmë nëse kërkohet për ta përmbushur mandatin e Kombeve të Bashkuara, për të garantuar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

    Në selinë e NATO-s, Osmani do të ketë edhe takime të tjera, përfshirë me shefin e komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer. E para e shtetit po ashtu do të takohet me shefen e misionit të Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith dhe me përfaqësues të shteteve të tjera anëtare të aleancës ushtarake perëndimore.

    Që kur u rritën tensionet në fund të majit në veri të Kosovës, NATO vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve në rajon që të përmbahen nga veprimet që do të rrisnin edhe më shumë tensionet dhe të bëjnë hapa për qetësimin e situatës. Aleanca po ashtu ka përsëritur se mbetet e përkushtuar që përmes KFOR-it të sigurojë qetësi dhe siguri për të gjithë në Kosovë.

    Pas rritjes së tensioneve, NATO-ja rriti edhe numrin e ushtarëve të KFOR-it. Stoltenberg në të kaluarën disa herë ka deklaruar se aleanca ka forca të mjaftueshme për të zbatuar misionin e saj në Kosovë.

    Kosova, ndërkaq, ka shprehur ambiciet e saj për të ecur drejt integrimit në NATO, së pari përmes përfshirjes në Programin e Partneritetit për Paqe e më pas të bëhet anëtare e aleancës.

    Por, në NATO kanë theksuar se për pranimin e anëtarëve të rinj duhet miratimi i të gjithëve në Aleancë. Në NATO, katër nga 31 anëtarët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, përkatësisht Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia.

    Në një debat të enjten para Parlamentit Evropian, Stoltenberg ka përmendur rëndësinë e bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

    “Ne jemi dy organizata të ndryshme, por ndajmë të njëjtat vlera. Mbi 600 milionë evropianë jetojnë në vendet anëtare të NATO-së. Kur Suedia të bëhet anëtare e aleancës, 96 për qind e qytetarëve të BE-së do të jenë në NATO”, tha ai, duke nënvizuar rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit mes NATO-s dhe BE-së./REL

  • Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon përkushtimin tonë për t’i dhënë drejtimin përpjekjes për liri e shtet të pavarur

    Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon përkushtimin tonë për t’i dhënë drejtimin përpjekjes për liri e shtet të pavarur

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në 33 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik.

    “Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik. Kjo Kushtetutë, mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë dhe mbetet guri themeltar i plotësimit të idealit të brezave për Kosovën Republikë, duke ngërthyer në vete vlerat perëndimore, aspiratë e përhershme e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

    Presidentja Osmani ka thënë se delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë.

    “Delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë, sepse me guximin e tyre, aktin më të lartë juridik e shndërruan në njërin nga hapat më të rëndësishëm të konsolidimit të identitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës”, ka theksuar Presidentja.

    Sipas Presidentes Osmani Dita e Kushtetutës së Kaçanikut , duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë.

    “Dita e Kushtetutës së Kaçanikut , duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë, sikurse edhe mbrojtjes e afirmimit të vlerave për të cilat është përcaktuar shoqëria kosovare”, ka thënë Presidentja Osmani.

  • Osmani sot takohet me Stoltenberg

    Osmani sot takohet me Stoltenberg

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të takohet sot (e enjte) me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në selinë e NATO-s në Bruksel.

    Edhe pse misioni paqeruajtës është prezent në Kosovë që nga viti 1999, i njëjti vazhdon t’iu referohet krerëve shtetërorë pa titujt e pozitave përkatëse.

    Në agjendën e publikuar nga Zyra për media e NATO-s, presidentes Vjosa Osmani as kësaj radhe nuk i janë referuar me pozitën që e mban si e para e Republikës të Kosovës, porse vetëm “Ms. Vjosa Osmani – Sadriu from Kosovo”.

    Ndërkaq aty bëhet e ditur se pas takimit Osmani dhe Stoltenberg do të mbajnë konferencë për media.

    Sipas njoftimit, konferenca është paraparë të mbahet në ora 14:30.