ATV

Tag: Ballina

  • Borrell: BE-ja e shqetësuar për situatën në veri, palët të punojnë për kthimin e serbëve në institucione

    Borrell: BE-ja e shqetësuar për situatën në veri, palët të punojnë për kthimin e serbëve në institucione

    Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka lëshuar një reagim në rrjetin e tij social “Twitter”, pas zhvillimeve në Bruksel, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan, për çka pati pajtim për të pagjeturit, por jo edhe për Asociacionin.

    Sipas Borrellit, takimi i sotëm mes të dy liderëve kishte të bënte me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, si dhe asaj të Ohrit.

    Ai shtoi se “është arritur pak përparim, por ne duhet të qëndrojmë në kurs”.

    “BE-ja është e shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Të dyja palët duhet të punojnë drejt kthimit të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”, shkroi ai.

  • BE-ja paralajmëron takime tjera Kosovë-Serbi këtë muaj

    BE-ja paralajmëron takime tjera Kosovë-Serbi këtë muaj

    Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka njoftuar mbrëmë se këtë muaj do të ketë takime të tjera mes palës së Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar prej Bashkimit Evropian.

    Para gazetarëve, Borrell se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do t’i ftojë shumë shpejt shefat e grupit të negociatorëve dhe ekspertët e tyre, transmeton Paparaci.

    “Bisedimet duhet të vazhdojnë shpejt. Ne duhet të vazhdojmë që ta shtyjmë këtë proces përpara. E falënderoj Miroslav Lajçakun për punën e tij të rëndësishme. Ai do të ftojë kryenegociatorët dhe ekspertët në Bruksel shpejt”, shtoi ai, pas takimit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Po ashtu, diplomati spanjoll e paralajmëroi edhe një takim të parë të Grupit të Përbashkët Monitorues për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

    Në këtë grup, Kosova përfaqësohet nga ambasadori ynë në Bruksel, Agron Bajrami, kurse Serbia prej kryenegociatorit të saj, Petar Petkoviq.

    “Ai do të nis diskutimet në takimin inaugurues me Grupin e Përbashkët Monitorues që u krijua në Marrëveshjen e Ohrit. [Ky grup] Do të takohet këtë muaj dhe të shpresojmë se do të jemi në gjendje të shmangim një eskalim që mund të çojë në një krizë të re dhe të rrezikojë zbatimin e marrëveshjes”.

  • Kurti: E refuzova draft-statutin, propozova draft-vizionin

    Kurti: E refuzova draft-statutin, propozova draft-vizionin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se e ka refuzuar draft-statutin e prezantuar nga ekipi menaxhues për shkak se nuk ka ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe nuk përkon me vlerat europiane për të drejtat e pakicave.

    “Në këtë takim të sotëm pas marrëveshjes për të pagjeturit e dëgjuam me vëmendje ekipin menaxhues që prezantoi një draft statut me gjithsej 97 nene, që një draft statut i tillë është fundamentalisht i papajtueshëm me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane, por përkundër kësaj jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje. Unë propozova një draft vizion që tregon kornizën që rregullon të drejtat e pakicave sipas të drejtave evropiane. Besoj se do të merret parasysh nga Borrell dhe Lajcak. Serbët do të kenë të drejta dhe bashkërisht do të kemi shoqëri që nuk lë askë prapa. Me këtë rast, theksoj se dorëzova tek ndërmjetësit një dokument”, tha Kurti.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani: Deklarata për të Zhdukurit, moment lehtësimi për familjet e prekura

    Osmani: Deklarata për të Zhdukurit, moment lehtësimi për familjet e prekura

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

    Osmani nuk ka përmendur termet që janë përmendur në deklaratë, por tha se ajo duhet të zbatohet sa më shpejt.

    “Fati i të zhdukurve me forcë ka qenë për shumë kohë një plagë e hapur në shoqërinë tonë”, shkruan ajo.

    “Familjet që vazhdojnë të kërkojnë vendndodhjen e të dashurve të tyre, që ishin zhdukur me forcë nga regjimi i Millosheviqit dhe nëpërmjet një gjenocidi dhe krimeve të luftës të sponzorizuara nga shteti, ka qenë për më shumë se dy dekada një barrë e rëndë për zemrat e tyre dhe për të gjithë shtetin. Ata kanë mohuar në mënyrë johumane drejtësinë dhe paqen”, shtoi Osmani.

    “Shpresojmë që Deklarata e dakorduar sot në Bruksel do të hapë rrugën për pranimin e këtyre krimeve dhe për drejtësinë. Por mbi të gjitha, një moment i çlirimit për familjet që kanë kaluar nëpër dhimbje të pashpjegueshme. Kjo deklaratë do të kërkojë zbatim të menjëhershëm dhe sa i përket kësaj, sic e dimë nga marrëveshjet e mëparshme, Serbia ka një histori për faqe të zezë”, përfundoi ajo.

  • Borrell: Kurti e Vuçiq bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit

    Borrell: Kurti e Vuçiq bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit

    Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka dalë me një deklaratë zyrtare pas përfundimit të takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq ku u dakordua Deklarata për Personat e Zhdukur.

    Borrell, në një konferencë për mediat ka thënë se palët kanë ndërmarrë gjithashtu edhe një hap drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndonëse ka thënë se ka dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë mbi këtë çështje.

    “Palët kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo marrëveshje është bërë para 10 viteve. Sot para palëve, ekipi i përbërë nga serbë të Kosovës, është prezantuar drafti i parë, po nuk është përfundimtar. Kjo është në përputhje me pikën 7 të marrëveshjes”, ka thënë Borrell.

  • Vuçiq: Kosova nuk e pranoi draft-statutin për Asociacionin

    Vuçiq: Kosova nuk e pranoi draft-statutin për Asociacionin

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova nuk do ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Sot kemi ardhur te muri”, tha Vuçiq, pas takimit që zhvilloi në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Në rend dite ishte paraqitja dhe diskutimi i draft-statutit për formimin e këtij asociacioni.

    Ky dokument u paraqit nga Ekipi Menaxhues, që përbëhet prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë.

    Vuçiq tha se draft-statuti është i papranueshëm për Kosovën, për shkak të Kushtetutës së saj.

    “Në vitin 2015, unë dhe Msutafa nënshkruam parimet dhe tani ata po heqin dorë nga të gjitha parimet, duke thënë se askush nuk mund t’i pranojë ato, sepse kështu e thotë Gjykata Kushtetuese”, tha Vuçiq.

    “Ata, ose do të pranojnë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2015, ose do të jetë fundi i gjithçkaje”, shtoi ai.

    Vuçiq tha se Serbia do ta zbatojë në mënyrë selektive Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke shtuar se edhe Kosova refuzon ta formojë Asociacionin.

    Ai tha se, për momentin, nuk e sheh zgjidhje dhe se “rrugët e tyre u ndanë me shpresën se mund të gjejmë disa përgjigje në ditët në vijim”.

  • Hoti: Serbia më në fund pranoi krimet e saj, tani mund ta ndjekim edhe penalisht

    Hoti: Serbia më në fund pranoi krimet e saj, tani mund ta ndjekim edhe penalisht

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Andin Hoti, në një lidhje direkte në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Serbia më në fund pranoi krimet shtetërore të popullsisë së pambrojtur të Kosovës, duke i cilësuar të zhdukurit si “të zhdukur me dhunë”, që sipas tij, parashihen në konventa ndërkombëtare.

    “Për neve është shumë e rëndësishme që deklarata që sot është miratu nga të dyja palët, në radhë të parë, Serbia i ka pranuar krimet e saj që i ka bërë në Kosovë, pra përmes shtetit, përmes formave të organizuara shtetërore si zhdukje me forcë, me dhunë që parashihen edhe në konventat ndërkombëtare të OKB-së.”, tha Hoti.

    Ai tha se përmes kësaj deklarate, tani Kosova mund ta ndjekë edhe penalisht Serbinë për këto krime që i ka bërë. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti dhe Vuçiq miratojnë Deklaratën për të Zhdukurit

    Kurti dhe Vuçiq miratojnë Deklaratën për të Zhdukurit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

    Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

    Nga BE-ja thanë më herët se presin që palët “ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë.

    Përpara takimit, Vuçiq shkroi në Instagram se “do të jetë vështirë”.

    “Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim”, tha ai, pa sqaruar se kujt i referohet saktësisht.

    “Megjithatë, ne kemi ligjin dhe drejtësinë në anën tonë. Më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa fort mund ta ruani atë. Përkundër të gjitha presioneve”, tha Vuçiq.

    Kurti, përpara takimit, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Një ditë më herët, ai foli edhe me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili shprehu pritjet e SHBA-së për një takim konstruktiv mes Kurtit dhe Vuçiqit, si dhe për përparim në bisedime, sidomos për çështjen e Asociacionit. /Rel

  • Nis takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

    Nis takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

    Në Bruksel ka filluar takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Takimi është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

    Bashkimi Evropian gjatë ditës ka thënë se palët pritet “të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës dhe kjo do të pasohet me paraqitjen dhe diskutimet rreth projektit t të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

    Nga ana tjetër pritjet amerikane janë për një takim konstruktiv dhe që sjell përparim në bisedime, posaçërisht për formimin e Asociacionit.

    Kurti, përpara takimit, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Një ditë më herët, ai foli edhe me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili shprehu pritjet e SHBA-së për një takim konstruktiv mes Kurtit dhe Vuçiqit, si dhe për përparim në bisedime, sidomos për çështjen e Asociacionit.

  • ​Osmani: Kosova duhet të ketë draftin e vet për Asociacionin

    ​Osmani: Kosova duhet të ketë draftin e vet për Asociacionin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca janë deklaruar të martën për takimin e sotëm në Bruksel. E para e vendit tha se pret që sonte Kosova të ketë draftin e saj për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi siç tha ajo, draft-statuti i ekipit menaxhues mbetet i papranueshëm për ë.

    Osmani para mediave tha se që drafti i një të ashtu-quajturi ekipi menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit nuk mund të bëhet bazë e negociatave.

    “I ashtuquajturi ekip menaxhues do të prezantojë një draft. Pritjet e mija si presidente janë që Republika e Kosovës të ketë draftin e saj sepse ne nuk guxojmë të lejojmë që drafti i një të ashtu-quajturi ekipi menaxhues që në realitet është draft i Vucicit të bëhet bazë e negociatave. Pra, ta kemi draftin tonë i cili në një është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, nën dy është përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, është po ashtu në përputhje me qendrimin e ShBA dhe siguron qe nuk preket as sovraniteti as integriteti territorial e as parimi i unitaritetit qe nënkupton një shtet komplet funksional… këto janë pritjet r mija që drafti i Kosovës te jetë ajo që do të shndërrohet në bazën kryesore të këtij procesi e jo drafti i një ekipi menaxhues që udhëheqet dhe kontrollohet nga Vuciqi”, tha Osmani.

    Sipas Osmanit qeverisjet e kaluara duhet të përgjigjen se pse janë emëruar këta persona që aktualisht janë pjesë e ekipit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se apriori e dinë që drafti i propozuar nga ekipi menaxhunes do të jetë totalisht i papranueshëm nga institucionet e Kosovës.

    “Apriori ne e dimë që do të jetë draft totalisht i papranuar nga ana e institucioneve të Kosovës”, theksoi ajo.

    Sa i takon marrëveshjes për të pagjeturit, presidentja Osmani shprehu besimin që do të nënshkruhet sot, por thekson se ka dyshime nëse serbia do ta zbatoj atë apo jo.

    Ndërsa, theksoi po ashtu se kjo deklaratë do ta detyrojë shtetin serb t’i hap arkivat.

    “Kjo është një hap i rëndësishëm në dialogun me Serbinë sepse do ta detyrojë Serbinë që të hap arkivat aty ku gjinden dëshmitë për mbi 1600 të zhdukur me dhunë të luftës në Kosovë. Natyrisht që kemi dyshime në atë që do të zbatojë Serbia, megjithatë shpresojmë që pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët e cila nëse nuk bllokohet nga ana serbe do të përfundojë sot që partnerët tanë ndërkombëtarë të sigurohen që çdo hap i cili premtohet edhe të zbatohet”, tha ajo.

    Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u shpreh që nga takimi i sotëm në Bruksel nuk pret të arrihet ndonjë marrëveshje as për draftin e asociacionit por as për personat e zhdukur.

    “Unë mendoj që është vështirë të arrihet një marrëveshje për arsye se Serbia e dëshiron Kosovën si pjesë të saj ne e kemi çliruar Kosovën me shumë sakrifica dhe çmim shumë të lartë dhe këto janë qëndrime të papajtueshme. Unë nuk pres që Serbia do të ndryshojë shpejt dhe që do ta kemi një Serbi demokratike e cila e pranon popullin e Kosovës si subjekt sovran edhe Kosovën si shtet të pavarur. Prandaj, ne duhet ta vazhdojmë drejtimin tonë e kjo është mbrojtja e interesave tona vitale kombëtare, shtetërore”, theksoi Konjufca.

    Shefja e shtetit e pyetur se a do t’i vizitojë krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë tha se beson që drejtësia sërish do të triumfojë dhe do të dëshmojë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.

    Ajo tha se si shtet janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të dëshmuar pastërtinë e luftës çlirimtare.

    “Në besojmë qe drejtësia sërish do të triumfojë ashtu siç ka triumfuar edhe më parë në të gjitha instancat tjera të drejtësisë dhe besojmë që vendimi final do ta ridëshmojë për të satën herë më radhë që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë… Ne bëjmë gjithçka që është në duart tona që t’i mbështesim krerët e UÇK-së jemi në kontakt të vazhdueshëm përbrenda institucioneve edhe me avokatët në mënyrë që çdo veprim i yni të jetë hap i cili i ndihmon drejtësisë dhe jo hap i cili mundet pastaj të keqpërdoret apo të interpretohet si ndërhyrje që do t’i dëmtonte krerët e UÇK përgjatë këtij procesi. Jemi të gatshëm të bëjmë gjithcka si shtet që të gjithë së bashku ta dëshmojnë pastërtinë e UÇK-së”, tha ajo.

    Presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Konjufca këto komente i bënë pas homazheve dhe pjesëmarrjes në akademinë përkujtimore në përkujtim të 24-vjetorit të masakrës së Studimet, ku nga forcat serbe u vranë 116 shqiptarë. /KP