ATV

Tag: Ballina

  • Lajcak: As ne nuk e dimë çfarë ka në draft-statutin e asociacionit

    Lajcak: As ne nuk e dimë çfarë ka në draft-statutin e asociacionit

    Ndërkohë, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, përpara takimit të sotëm të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq, tha se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është paralajmëruar se do të prezantohet sot, duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët dhe në përputhje me standardet evropiane.

    Lajçak në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve Hina, tha se Ekipi menaxhues do të prezantojë sot draft-statutin, por ka shtuar se as ai nuk e di se çfarë ka në të.

    “Ekipi menaxhues do të prezantojë draftin. Ne nuk e dimë se çfarë ka në të, por ky duhet të jetë fillimi i procesit. Në fund të fundit, ne duhet të kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët, për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçaku.

  • ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Seanca me kundërpyetjet e ekipit mbrojtës të Shalës ka vijuar në pjesë të madhe e mbyllur për publikun. Trupi gjykues ka kërkuar sqarime nga dëshmitari i mbrojtur në lidhje me ndërtesën me numër 1, në afërsi të shtabit të logjistikës në Kukës. Ai ka thënë se nuk ka parë persona me duar të lidhura, ndërkohë që kryetarja e trupit gjykues ka kujtuar deklaratën e tij të dhënë për prokurorinë. Pjetër Shala e ka ndjekur seancën përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit. Pas pauzës, seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë.

    Avokatja e Pjetër Shalës ka pyetur dëshmitarin se kush ishte përgjegjës për magazinën në fabrikën e metaleve në Kukës, që ai ka përmendur dje gjatë dëshmisë së tij.

    Pas kthimit në seancë të hapur për publikun, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka kërkuar sqarime në lidhje me deklaratat e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Veldt-Foglia: Ju përmendet një ndërtesë me numrin 1, si një lloj burgu, a mund të na shpjegoni se si personat që mbërrinin aty në këtë shtabin e Kukësit që i qonin tek kjo ndërtesa me numrin 1, si mbërrinin aty, si arrinin aty, si vinin?

    Dëshmitari: Ata komandantët e mëdhenj i mblidhnin dhe i binin.

    Gjykatësja: Si vinin aty, në ç‘mënyrë? Me çfarë mjeti vinin?

    Dëshmitari: Komandantët e mëdhenj nëpër kampe i mblidhnin që ishin të dyshuar.

    Gjykatësja: Po vinin duke ecur në këmbë apo me ndonjë kerr, apo si vinin në çfarë mënyre, me çfarë mjetesh?

    Dëshmitari: Po me kerr, më duket nëpër kampe i mblidhnin edhe disa që vijshin si mobizilim i ushtrisë edhe ata i merrnin në pyetje.

    Gjykatësja: Ata njerëzit, personat, që i sillnin aty dhe i vendosnin tek ndërtesa numër 1, nga i dije ti, nga e kuptoje ti që ishin të dyshuar, siç na the dje, nga e mësove ti këtë?

    Dëshmitari: Kur i merrshin në pyetje disa i lëshojshin u mobilizojshin aty në ushtri”,është përgjigjur dëshmitari i mbrojtur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues.

    Në pyetjet e gjykatëses për personat që merreshin në pyetje si të dyshuar për bashkëpunëtorë me Serbinë, dëshmitari që mban numrin 10 tha se nuk i kishin duart e lidhura.

    Gjykatësja: Kur vinin aty tek shtabi, a ishe ti në gjendje për t’i dalluar, a e dije ti që ishin të dyshuar?

    Dëshmitari: Jo, jo, jo. Aty vijshin ata mobilizimin për ta bërë, atëherë këta komandantët e mëdhenj që dyshonin i qitshin në këtë ndërtesën numër 1, në dhoma, si të dyshuar.

    Gjykatësja: Ata njerëzit që merreshin nëpër kampe, siç the dhe i sillnin aty nga komandantët e mëdhenj me kerre, këta persona kur vinin aty i kishin duart e lidhura?

    Dëshmitari: Unë nuk i kam parë me duart e lidhura”, është përgjigjur ai në pyetjet e gjykatëses.

    Derisa i është kujtuar deklarata që ka dhënë, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar. Dhe prapë në seancë publike, dëshmitari i mbrojtur është pyetur se si vinin personat të cilët dyshoheshin se ishin bashkëpunëtor të Serbisë.

    Gjykatësja: Këta njerëzit që i sillnin aty, duart i kishin të lidhura?

    Dëshmitari: Zonja gjyqtare është mundësia që i kanë pasur, tash kam harruar se i binin aty në zyre, një herë i binin në zyre komandantët, tani i sjellshin në pavijonin numër 1. Me makinë e bijshin, por është mundësia që i kanë pasur duart (e lidhura), tash kam harruar unë.

    Gjykatësja: Në rregull, por këto fjalë ja ke thënë prokurorisë dhe tani po thua që mund t’i kesh harruar. Edhe kur ta lexojë unë, tani që po ta lexoj, a të kujtohet apo prapë se ke shumë të qartë?

    Dëshmitari: Prapë po them, ndoshta i kanë pasur… i qojshin në zyre komandantët. Nuk i zhdrypshin para portës aty ata që i vendosnin nëpër kampe. Ndoshta i kanë pasur duart lidhur se në makinë të vogël nuk i kam parë. Është edhe mundësia që i kam thënë prokurorisë”, ka thënë ai.

    Në pyetjet e gjykatëses për prejardhjen etnike të këtyre personave që i sillnin në “ndërtesën numër 1”, dëshmitari tha se ishin të të gjitha vendeve të Kosovës. Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues tha se ai kishte thënë se kishte edhe romë, për çka e ka konfirmuar edhe dëshmitari i mbrojtur.

    Gjykatësi Zhilbir Biti ka pasur disa pyetje për kushtet ku mbaheshin këta persona.

    “Si për personat në ndërtesën numër 1, si për ne, njëjtë ka qenë. Se ku hajshim ne bukë edhe ata hajshin. Ka një ditë kishe, nga një ditë nuk kishe”, ka thënë ai.

    Në dëshminë e tij të djeshme, dëshmitari i pestë ka thënë se ishte ushtar i thjeshtë dhe kishte bërë roje në shtabin e logjistikës në Kukës. Prokuroria i ka shfaqur skicën, ku kishte përmendur edhe “ndërtesën 1”, që sipas tij, mbaheshin e merreshin në pyetje personat e dyshuar që kishin lidhje me Serbinë.

    Ky është dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe i njëjti ka dëshmuar nën masa mbrojtëse duke mbajtur të fshehur identitetin.

    Seanca në Hagë po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë të ZPS-së, i cili mban numrin 11.

    Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Megjani: Janë më pas se një inspektor i punës për Komunë, Qeveria urgjentisht duhet të rrisë numrin e tyre

    Megjani: Janë më pas se një inspektor i punës për Komunë, Qeveria urgjentisht duhet të rrisë numrin e tyre

    Avokati i njohur, i cili më parë ishte edhe inspektor i punës, Ardian Megjani, në emisionin A23 në ATV, tha se Kosova nuk i plotëson as për së afërmi nevojat për inspektorë të punës.

    Ai tha aktualisht nuk Kosova nuk ka mesatarisht as një inspektorë për Komunë, gjë që sipas tij, kjo ndikon drejtpërdrejt në mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve në vend.

    “Në situatën tani kur jemi, besoj që numri është jashtëzakonisht i vogël i inspektorëve të punës. Nuk janë as një për komunë, ndërsa inspektorati i punës në këtë rast është organi i vetëm administrativ në Republikën e Kosovës, cili bënë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit nga marrëdhënia e punës dhe sigurisë në punë, kompetenca e saj është mjaft e madhe t’u hy në çdo kohë në selinë e punëdhënësit, të hartojë procesverbale, raporte zyrtare dhe të shqiptojë gjoba në rast se gjen shkelje të të drejtave të punëtorëve. Se a mund të ndryshojë në të mirë respektimi i këtyre të drejtave, një shtysë e madhe do të ishte edhe rritja e numrit të inspektorëve, padyshim që vetvetiu do të krijonte ende më shumë respektim të drejtave të të punësuarve. Me një numër kaq të vogël ë inspektorëve dhe një numër kaq të lartë të ankesave, normalisht se mbetet një problem shumë i madh”, tha Megjani.

    Ai bëri edhe thirrje për Qeverinë e Kosovës që me urgjencë të krijojë mekanizmat e duhur dhe të shtyjë përpara procesin për sa më shumë inspektorë të cilët janë mjaft të nevojshëm dhe të domosdoshëm për realitetin shoqëror në të cilën po jetojmë. /atvlive.tv

    Edicionin e plotë të A23 e gjeni nëvideon më poshtë:

  • Pjetër Shala sërish ndjek virutalisht gjykimin ndaj tij, seanca vazhdon të jetë private

    Pjetër Shala sërish ndjek virutalisht gjykimin ndaj tij, seanca vazhdon të jetë private

    Në Gjykatën Speciale në Hagë ka vazhduar gjykimi ndaj Pjetër Shalës, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Edhe në këtë seancë, Shala ka marrë pjesë virtualisht pasi i njëjti po i shpreh në këtë formë pakënaqësitë e tij me seancat private të Speciales.

    Shala kishte deklaruar se të afërmit e tij dhe publiku nuk po arrin t’i dëgjojë pyetjet e mbrojtjes për dëshmitarët dhe ishte larguar nga seanca në formë demonstrative.

    Menjëherë më të filluar seanca, pas prezantimit të palëve, ajo është bërë private për vijim të mëtutjeshëm.

  • ​Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

    ​Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohet sot në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

    Në këtë takim temë qendrore pritet të jetë draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Po ashtu vend të rëndësishëm do të ketë edhe tema e fatit të të pagjeturve.

    Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

    Bashkimi Evropian ka thënë se pret që palët “të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

    Në një intervistë për një medium kroat, Kurti ka deklaruar se pret të sheh se çfarë drafti është përgatitur.

    “Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë”, ka thënë ai.

    Ndërkaq, të hënën në mbrëmje kreu i ekzekutivit ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, me të cilin siç është shprehur Kurti, ka theksuar se marrëveshja bazë dhe aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi.

    Numri një i qeverisë mbrëmjen e së hënës ka mbledhur stafin e tij këshillues për t’u përgatitur për takimin që do të mbahet sot në Bruksel.

  • ​24 vjet nga masakra në Studime të Vushtrrisë

    ​24 vjet nga masakra në Studime të Vushtrrisë

    Janë bërë 24 vjet që nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.

    Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.

    Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.

    Familjarë dhe qytetarë të tjerë kujtojnë çdo vit këto viktima, e ashtu do të ndodhë edhe këtë vit.

  • Analistët serbë: Serbia me qasje zhgënjyese ndaj Kosovës

    Analistët serbë: Serbia me qasje zhgënjyese ndaj Kosovës

    Analistët në Beograd e vlerësojnë të rëndësishëm takimin e 2 majit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Derisa thonë se temë diskutimi do të jetë Asociacioni, analistët serbë vlerësojnë se Serbia ka qasje zhgënjyese ndaj Kosovës, duke përmendur edhe shkeljen e marrëveshjes së Ohrit.

    Takimi në nivelin më të lartë politik Kosovë-Serbi mund të jetë një pikë boshte, pas një periudhe tensionesh. Kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në Beograd.

    “Pas të gjitha këtyre ngjarje të javëve të fundit, do të ishte mirë që ai takim të përdorej për qetësimin e situatës, dhe mendoj se një gjë të tillë do ta bëjnë ndërmjetësuesit”, thotë diplomati Sreqko Gjukiq.

    “Tema është formimi i Asociacionin, qoftë me atë emër apo me një emër tjetër, por tema është shumë e rëndësishme, dhe mund të jetë një pikë me rëndësi të veçantë për rrjedhën e ardhshme të realizimit të marrëveshjes së Ohrit”.

    Në prag të takimit të presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti më 2 maj në Bruksel, Beogradi zyrtar pret marrëveshje konkrete për Asociacionin. Mirëpo, një pjesë e opinionit mendon se marrëveshja e Ohrit po përjeton momentet kritike, dhe përgjegjësia e veçantë i takon Beogradit.

    “Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës është zhgënjyes. Kemi një situatë ku Serbia e ka shkelur marrëveshjen në pikën 4 me votën kundër Kosovës në Këshillin e Evropës”, thotë Zlatoje Martinov, publicist dhe gazetar. “Prandaj, për këtë unë jam skeptik dhe besoj se Serbia me Vuçiqin nuk është e gatshme ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më 2 maj në Bruksel”.

    Ndërsa ka shumë të panjohura lidhur me Asociacionin, ka pritje që të ketë progres dhe hapa konkretë në lidhje me çështjen e personave të zhdukur, pasi teksti i deklaratës për personat e zhdukur është dakorduar më parë, dhe pritet të miratohet në nivelin politik.

  • “Policia e Serbisë dhe BIA, ndaluan 2 policë të Kosovës”, Presidenca akuzon Serbinë për veprime ilegale

    “Policia e Serbisë dhe BIA, ndaluan 2 policë të Kosovës”, Presidenca akuzon Serbinë për veprime ilegale

    Shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka reaguar ndaj shtetit serb pas ndaljes dhe intervistimit të dy policëve kosovarë, të cilët po kalonin transit nëpër Serbi.

    Me anë të një postimi në Twitter, Vela këtë veprim e ka konsideruar dëshmi të veprimeve ilegale të Serbisë për ta penguar lirinë e lëvizjes.

    “Në javën e kaluar, Policia e Serbia dhe BIA, ndaluan dhe intervistuan 2 policë të Kosovës në kufi, të cilët po kalonin transit. Kjo është dëshmi e veprimeve ilegale të Serbisë për ta penguar lirinë e lëvizjes. Në vend që të bashkojë forcat me Kosovën për të luftuar krimin ndër-kufitar, Serbia bën të kundërtën”, ka shkruar Vela.

  • Chollet flet me Kurtin, zbatimi i menjëhershëm i Asociacionit temë diskutimi

    Chollet flet me Kurtin, zbatimi i menjëhershëm i Asociacionit temë diskutimi

    Këshilltari i Lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar në Twitter se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me takimin 2 majit në Bruksel.

    Chollet tha se temë diskutimi me kreun e ekzekutivit kosovar ishte ndër të tjera edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe partneriteti i fortë mes SHBA-së dhe Kosovës.

    “Bisedë shumë e mirë me kryeministrin Albin Kurtin për takimin e liderëve të 2 majit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë”. – tha ai.

    Për bisdën telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, ka njoftuar edhe kryeministri Kurti i cili e cilësoi një bisedë të mirë.

    Më tej Kurti shtoi të ketë theksuar rëndësinë e zbatimit “në tërësi dhe në mirëbesim” të Marrëveshjës Themelore dhe Aneksit të saj.

    “Patëm një telefonatë të mirë me Chollet, ku diskutuam axhendën e takimit të nesërm. Theksova rëndësinë që Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim. E falënderova gjithashtu për mbështetjen e SHBA-së.” – shkroi Kurti.

  • Kurti mblodhi mbrëmë vartësit e këshilltarët në Bruksel para takimit të sotëm me Vuçiqin

    Kurti mblodhi mbrëmë vartësit e këshilltarët në Bruksel para takimit të sotëm me Vuçiqin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tërë ditën e ka shpenzuar duke u përgatitur për takimin e 2 majit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin në Bruksel.

    Kurti thotë se përgatitja për negociata është komplekse dhe e thjeshtë, por që sipas tij, dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike.

    “Mbërrita në Bruksel dhe kalova ditën duke u përgatitur për takimin. Përgatitja për negociata është komplekse dhe e thjeshtë: komplekse sepse ka shumë informacione dhe detaje të përfshira, ndër të tjera, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike”, ka shkruar Kurti.

    Kurti dje tregoi se ka biseduar me këshilltarin e lartë amerikan Derek Chollet në lidhje me këtë takim dhe se i ka treguar se marrëveshja bazë dhe aneksi i saj duhet të zbatohet tërësisht.

    Ndërsa Chollet tha se pikë e bisedës me kryeministrin kosovar ishte themelimi i menjëhershëm i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.