ATV

Tag: Ballina

  • Limaj: Ajo që ndodhi mbrëmë në Bruksel është skandaloze

    Limaj: Ajo që ndodhi mbrëmë në Bruksel është skandaloze

    Kryetari i NISMA’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin DIREKT në ATV, tha se ajo që ka ndodhur mbrëmë në Bruksel është skandaloze, pasi që sipas tij, Kurti ka treguar mos respekt ndaj vuajtjeve të plagëve për të pagjeturit, poshtu edhe mos njohuri se si mbrohem interesat shtetërore.

    “Së pari po flas për çështjen në parim të pagjeturit, një temë shumë e ndjeshme, barrë edhe plagë e hapur e lirisë së Kosovës që ne e gëzojmë sot. Mënyra se si iu ka qasur mbrëmë zotri Kurti tregon mos respekt ndaj krejt asaj vuajtje e dhimbje të asaj plage, tregon mos njohuri se si mbrohet shteti dhe interesat shtetërore, tregon mos vizion se në çka ngarkohet në të ardhmen vendi i tij”, tha Limaj.

    Ai tha se në miratimin e deklaratës së djeshme, Kurti ka amnistuar shtetin serb nga krejt ato çka ka bërë në Kosovë gjatë viteve 98-99.

    “Mbrëmë zotri Kurti, fatkeqësisht, në emër të Kosovës si kryeministër, ka amnistuar shtetin serb nga krejt ato çka ka bërë në Kosovë gjatë viteve 98-99, duke e bërë njëfarë barasvlere, fatkeqësisht të atyre krimeve që kanë ndodh individuale të mbas 99-tës me atë që ka bërë shteti serb. Kjo sepse obligimet që i ka marrë zotri Kurti nuk është dashur që në asnjë variant me i marrë Kosova. Tash e sa vite, Kosova nuk ka pranuar me i marrë ato obligime çfarë i ka marrë mbrëmë zotri Kurti. Pika 3 e thotë më së miri, kur marrëveshja i obligon të dyja vendet edhe i baraspeshon, i obligon në letra e dokumente, për të dhënë informacione të atyre njerëzve që janë të zhdukur. Të jemi të çartë, ne këtu nuk jemi duke folur për të ngritur viktimat e pjesës shqiptare mbi ato serbe, viktima është viktimë, por shumë më mirë me e pa shkakun si kanë ardhur këto viktima”, tha Limaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Limaj: Kosova po korrë rezultate katastrofale nga ky proces i dialogut

    Limaj: Kosova po korrë rezultate katastrofale nga ky proces i dialogut

    Kryetari i NISMA’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin DIREKT në ATV, duke folur për zhvillimet e djeshme në Bruksel, tha se Kosova po korrë rezultate katastrofale nga ky proces i dialogut me Serbinë.

    “Ajo që ka ndodhur dje dhe sot dëshmon që Kosova, fatkeqësisht, atë që e kemi thënë se është në dorën e njerëzve të cilët nuk kanë lidhje me funksionimin e shtetit, nuk kanë lidhje me mënyrën e sjelljes shtetërore qoftë brenda e sidomos atje jashtë. Krejt çka po vjen, zotri Kurti po e vjel produktin e sjelljes së tij delitanteske, të papërvojë, arrogante dhe këto janë frutat e kësaj politike të mbrapsht e cila tani e dy vjet, fatkeqësisht, sidomos në raport me dialogun sjellja e tyre, Kosova po korrë rezultate katastrofale nga ky proces i dialogut”, tha Limaj.

    Ai madje tha se nuk ka besuar që qeverisja do të shkojë në këtë nivel të joseriozitetit dhe veprimeve skandaloze.

    “Kam filluar kohëve të fundit me u befasua edhe më shumë për të keq. Nuk është se kam pritur asgjë nga kjo Qeveri. Në fakt, unë jam munduar me i bë publike qëndrimet e mendimet e mia rreth qeverisjes me kohë, por nuk kam besuar edhe vet që ka me shku deri në këtë nivel ku jemi të joseriozitetit të veprimeve skandalozë të kësaj Qeverie”, tha Limaj. /atvlive.tv

  • Renditja në “Reporterët pa Kufij”, Rohde: Kosova me performancën më të mirë në rajon

    Renditja në “Reporterët pa Kufij”, Rohde: Kosova me performancën më të mirë në rajon

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i është gëzuar renditjes për pesë vende më lartë të Kosovës në organizatën “Reporterët pa Kufij”.

    Rohde thotë se Kosova ka arritur përparim të mëtejshëm në lirinë e medias për dy vjet radhazi, duke u renditur në vendin e 56-të në botë këtë vit.

    “Lajm i mirë në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit: Sipas Indeksit të ri të Ditën Ndërkombëtare të Shtypit nga Reporterët pa Kufij, Kosova ka arritur përparim të mëtejshëm në lirinë e medias për dy vjet radhazi, duke u renditur në vendin e 56-të në botë këtë vit”.

    Tutje, Rohde vlerëson se Kosova me ngritje për pesë vende nga viti i kaluar është sërish ndër vendet me vendet me performancën më të mirë në rajon.

    “Pas kërcimit me 17 vende në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, dhe 5 vende të tjera këtë vit, Kosova është sërish ndër vendet me performancën më të mirë në rajon. Vazhdo Me punën e mirë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

  • Escobar: Implementimi i marrëveshjes së Ohrit, nis me krijimin e Asociacionit

    Escobar: Implementimi i marrëveshjes së Ohrit, nis me krijimin e Asociacionit

    I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një takim virtual me gazetarët, ka folur për takimin e djeshëm në Bruksel.

    Escobar ka thënë se implementimi i marrëveshjes së arritur në Ohër, fillon me themelimin e Asociacionit.

    “Para takimit të djeshëm në Bruksel kemi diskutuar për implementimin e marrëveshjes së arritur në Ohër. Implementimi i saj fillon me themelimin e Asociacionit”, tha Escobar.

    Ai shtoi se tani në javët e ardhshme do të ketë takim në nivel të kryenegociatorëve dhe është koha që të lëvizim përpara.

    “Normalizimi është i përqendruar në të drejtat e pakicave, veçanërisht të serbëve. Është pritshmëria dhe kërkesa jonë të ecim përpara me këtë”, tha Escobar.

    Liderët e Kosovës dhe Serbisë gjatë takimit të djeshëm në Bruksel shprehën qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por u pajtuan për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës.

  • Kurti krenohet me lirinë e medias në Kosovë: Në dy vjet rangimi u përmirësua për 22 vende

    Kurti krenohet me lirinë e medias në Kosovë: Në dy vjet rangimi u përmirësua për 22 vende

    Në Ditën Botërore të Mediave, kryeministri Albin Kurti, duke shpërndarë një statistikë të Reporterëve pa Kufij, është krenuar me lirinë e medias në Kosovë.

    Ai tha se Kosova është përmirësuar për 22 vende në këtë rangim të Reporterëve pa Kufij, duke shtuar se një shtyp i lirë është shtyllë e demokracisë në vend.

    “Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne jemi krenarë të njoftojmë se sipas Reporterëve pa Kufij, Kosova përmirësoi pozicionin e saj me 22 vende në 2 vjet për mjedisin e saj gazetaresk. Një shtyp i lirë dhe i pavarur do të mbetet gjithmonë një shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe e vendit tonë”.

  • Tetë nxënës dhe një roje vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

    Tetë nxënës dhe një roje vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

    Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd, bëri të ditur Policia e Serbisë.

    Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën dhe aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.

    Në oborrin e shkollës u gjet dhe u arrestua nxënësi i kësaj shkolle, K. K. (14), i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër, tha po ashtu policia, por pa dhënë detaje për motivin e sulmit.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha më herët se i dyshuari, nxënës i klasës së shtatë, ka qëlluar disa herë nga arma e të atit në drejtim të nxënësve dhe sigurimit të shkollës.

    Millan Nedelkoviq, kryetar i komunës së Vraçarit, ku ndodhet shkolla, u tha gazetarëve se nxënësi ka sjellë një armë në çantën e shpinës dhe se të shtënat kanë ndodhur në korridorin e shkollës.

    Ai tha se shkolla ka kamera sigurie, por se nuk ka detektorë metalikë.

    Të gjitha rrugët përreth shkollës, që ndodhet në qendër të Beogradit, janë të bllokuara, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiq, dhe ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq.

  • Kryeministri Kurti publikon versionin e tij për Asociacionin

    Kryeministri Kurti publikon versionin e tij për Asociacionin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar mbrëmë pas mesnatës vizionin e tij për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Pas takimit të 2 majit në Bruksel, Kurti tha se draft-statuti i ekipit menaxhues anëtare e të cilit është një deputete serbe, mbetet i papranueshëm për Kosovën.

    Kurti tha se ky ekip tashmë është dekomisionuar.

    “Një draft-statut i tillë çfarë lexuam është fundamentalisht i papranueshëm me kushtetutën e Kosovës, ligjshmërinë dhe të drejtat në Kosovë. Përkundër kësaj ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje dhe përkitazi me këtë unë kam prezantuar një draft-vizion se çfarë do të ishte korniza që rregullon të drejtat e pakicave në Kosovë”, tha ai”, tha Kurti në Twitter, ku edhe ka publikuar draft-vizionin e tij që e paraqiti në takimin me Vuçiqin e Borrellin.

     

  • Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, vazhdon edhe sot dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë

    Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, vazhdon edhe sot dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë

    Në Gjykatën Speciale në Hagë edhe sot vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

    Sipas njoftimit të bërë nga Dhomat e Specializuara, seanca do të fillojë në ora 09:30, derisa do të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë me radhë (me kodin 11), i cili do të i’u përgjigjet pyetjeve të Prokurorisë.

    Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme dëshmitari me numër 11, ka thënë se në dhomën ku mbaheshin të mbyllur në fabrikën e metaleve në Kukës, janë urdhëruar që t’i japin shuplakë njëri-tjetrit.

    “Na kanë detyru shoqi-shoqit me i ra shuplakë sa të mujsh, sa ma shumë n’mujsh me i ra”, tha ai.

    Lidhur me atë se kush i ka detyruar për këtë, ai tha se “erdhën nja dy persona edhe një civil aty dhe na urdhërun me i ra shoqi-shoqit”.

    Paraprakisht, dëshmitari dha sqarime lidhur me incidentet që i kishin ndodhur atij, njëherë që ishte rrahur me shufër gome në pjesën e kraharorit, që e përshkroi se kishte pasur shumë dhimbje të madhe dhe herën e dytë pas disa ditësh që i kishin mavijosur syrin me grusht.

    “Ishte mëngjes, ora nuk e di përafërsisht 9 a 10, hynë tre persona dhe ma ulën kryet që mos me mujt me pa dhe nuk e di qysh veç kur e kom pa që syni m’u mshel, më ranë me grusht, fort më ranë me grusht, qashtu që m’u mshel syni ma nuk di gja, s’kom pa gjo’’, tha tutje ai.

    Dëshmitari tha se syri iu ishte nxirë dhe kishe pasur pak gjakderdhje dhe dhimbje të mëdha, duke thënë se edhe sot e asaj dite syri i loton shumë shpesh.

    Kurse, i pyetur nëse atë ditë i kishin thënë diçka, ai tha se ka dëgjuar vetëm zëra, duke thënë ‘‘shpiuna, tradhtarë’’, që sipas dëshmitarit ishte për personat në atë dhomë.

    Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

     

  • Kjo është deklarata e Kurtit dhe Vuçiqit për Personat e Zhdukur

    Kjo është deklarata e Kurtit dhe Vuçiqit për Personat e Zhdukur

    Më poshtë po ju sjellim deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Personat e Zhdukur:

    Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur dhe për të nxitur pajtim dhe paqe të qëndrueshme,

    Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, që përfshin personat e zhdukur me forcë,

    Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

    Duke njohur punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

    Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

    Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare,

    Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve,

    Ne angazhohemi bashkërisht,

    Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur,

    Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas me gërmime,

    Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,

    Për t’i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtare me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera, në zbulimin e varreve masive,

    Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

    Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe për të adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,

    Për të krijuar dhe punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët, të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve për të zgjidhur fatin e personave që mbeten të zhdukur,

    Për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët.

    Detajet operacionale do të dakordohen në rundin e ardhshëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

  • Pajtim për të zhdukurit, mospajtim për Asociacionin

    Pajtim për të zhdukurit, mospajtim për Asociacionin

    Qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por pajtueshmëri për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës.

    Ky ishte epilogu i rundit të fundit të bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u zhvillua të martën në Bruksel.

    Ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve kërkuan nga palët qasje më konstruktive, derisa shprehën frikë për përshkallëzimin e mundshëm të situatës në veri të Kosovës.

    Çfarë u tha për Asociacionin?

    Në mesin e pikave të rendit të ditës ishte draft-statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili u prezantua nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

    “Qartazi ekziston dëshira për një Republikë Sërpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”, tha Kurti, duke iu referuar entitetit me shumicë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili gëzon kompetenca që e sfidojnë pushtetin qendror.

    Kurti tha se dokumenti, si i tillë, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.

    “Unë kam propozuar një draft-vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet dhe çfarë do të duhej të ishte korniza që e rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”, tha Kurti, duke shfaqur shpresën se ai “do të trajtohet me seriozitet” nga ana e ndërmjetësuesve evropianë të dialogut.

    Vuçiq, në anën tjetër, tha se Kosova “ose do ta pranojë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2015, ose do të jetë fundi i gjithçkaje”.

    “Në vitin 2015, unë dhe [kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa] Mustafa kemi nënshkruar parimet [për Asociacionin] dhe tani ata po heqin dorë nga të gjitha, duke thënë se askush nuk mund t’i pranojë ato, sepse kështu e thotë Gjykata Kushtetuese [e Kosovës]”, tha Vuçiq.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar po atë vit se disa prej këtyre parimeve nuk janë në përputhje me frymën e Kushtetutës, por ka thënë se, nëse ato harmonizohen, Asociacioni mund të formohet.

    Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se me paraqitjen e draft-statutit për Asociacionin në tryezë, Kosova dhe Serbia “morën një hap simbolik” drejt themelimit të tij.

    “Pikëpamjet e palëve janë shumë të ndryshme për natyrën e këtij Asociacioni. Nuk kam pritur gjë tjetër… Por, edhe nëse nuk janë pajtuar, ato kanë rënë dakord për t’i filluar negociatat për të ardhmen e Asociacionit”, tha Borrell.

    “Unë dua t’i nxis të dyja palët që të angazhohen në këtë proces në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim dhe të jenë të gatshme për të arritur kompromise. Procesi duhet të udhëhiqet nga marrëveshjet e kaluara të dialogut dhe të frymëzohet nga modelet ekzistuese të BE-së”, shtoi ai.

    Për të zhdukurit nga lufta

    Si pikë të rendit të parë të ditës, Kurti dhe Vuçiq miratuan fillimisht
    Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

    Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.

    Borell tha se BE-ja e mirëpret miratimin e saj dhe pret që “palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur”.

    “Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve”, tha, mes tjerash, Borrell.

    Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, tha se Serbia, për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar, pranoi t’i hapë arkivat e saj shtetërore, përfshirë edhe ato të klasifikuara, në lidhje me çështjen e të zhdukurve.

    Çfarë ndodhi tjetër në Bruksel?

    Borrell tha se në takim u diskutua edhe për situatën në terren, sidomos në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe.

    Ai tha se pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet lokale të 23 prillit, ka treguar se ky proces nuk ofron zgjidhje afatgjate të situatës dhe se ka potencial “të çojë në përshkallëzimin e saj”.

    “Kjo nuk është ajo që duam. Shpresoj që askush nuk e do, por rreziku ekziston”, tha Borrell.

    Komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – shkuan në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi kryetarët e tyre, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë serbë, dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

    Pjesëmarrja ishte më pak se 4%, pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit – e bojkotoi procesin.

    Borrell u bëri thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje, e cila mundëson kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës në veri

    “Kam frikë se mund të përballemi me situatë të keqe”, tha ai.

    Përpara kësaj here, Kurti dhe Vuçiq janë takuar në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e një marrëveshjeje të re që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Kjo marrëveshje, e njohur më herët si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

    Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

    Deri më tash, pikë e përmbushur e marrëveshjes është vetëm themelimi i Komitetit të Përbashkët Monitorues që do të mbikëqyrë zbatimin e saj./REL