ATV

Tag: Ballina

  • Shahini: Mbi 50 mijë punëtorë në Kosovë ende marrin pagë 170 euro

    Shahini: Mbi 50 mijë punëtorë në Kosovë ende marrin pagë 170 euro

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, ishte mysafir në emisionin LIBERO në ATV.

    Ai në këtë emision tregoi se në Kosovë, janë mbi 50 mijë punëtorë që ende marrin pagën 170 euro.

    “Gjendja ekonomike në vend nuk është mirë. Nuk është mirë as gjendja e punëtorëve, sepse punëtorët janë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit. Pa ata nuk mund të zhvillohet ndërmarrja, as sektori privat e as publik. Sektori privat është duke përmirësuar kushtet. Ne kemi bërë thirrje që të përmirësojmë edhe pagat. Por, nëse flasim ne për paga, janë mbi 50 mijë punëtorë që ende marrin pagë minimale me 170 euro”, tha Shahini. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë mund ta shikoni në videon e më poshtme:

  • Qytetarët ankohen se s’ka punë, bizneset se s’ka punëtorë

    Qytetarët ankohen se s’ka punë, bizneset se s’ka punëtorë

    Derisa qytetarët ankohen se nuk ka punë, punëdhënësit ankohen se nuk ka punëtorë.

    Mekanizmat ndërmjetësues që bëjnë lidhjen mes punëkërkuesve dhe tregut të punës nuk funksionojnë si duhet, sipas njohësve të çështjeve socio-ekonomike.
    Sipas tyre, çështja e punës nuk ka qenë kurrë temë politike në vend.

    “Pa u bërë çështja e punës temë politike nuk ka demokratizim domethënës të shoqërisë së Kosovës. Ikja masive drejt perëndimit e ka origjinën pikërisht te çështja e demokracisë në vendin e punës, të ardhurat shumë të ulëta, pabarazia shumë e lartë, sistemi i mbrojtjes sociale i cili është tepër primitiv”, tha Artan Mustafa, socio-ekonomist.

    Megjithatë, për ta rregulluar raportin punëtor – punëdhënës, Ministria e Financave ka bërë gati një Koncept-Dokument.

    Ky ka për qëllim shkrirjen e 3 ligjeve, përfshirë atë për ofrimin e shërbimeve për të papunët, punëkërkuesit dhe punëdhënësit, Ligjin për Agjencinë e Punësimit dhe atë për Aftësimin, Riaftësimin Profesional, në një ligj të vetëm; atë për politikat e tregut të punës.

    Një nismë e tillë, vlerësohet se mund të ketë sukses në uljen e papunësisë në vend.

    “Rritja e efiçiencës së administratës, do t’i kontribuojë implementimit më të suksesshëm të këtyre politikave. Nuk është me rëndësi çfarë rezultati kanë sot këto politika, sot për sot është me rëndësi fillimi i ndryshimit të paradigmës dhe nuk do të ketë maksimizim të shkallës së punësimit, nuk do të arrijmë shkallën e punësimit 60 për qind e më lart, pa një formë gjithëpërfshirëse”, tha Mustafa.

    Një plan i tillë parashihet të kontribuojë në punësim më të lartë dhe gjithëpërfshirës, si dhe të zvogëlojë barrën administrative të bizneseve që ofrojnë shërbime të punësimit, për rreth 12 mijë euro.

    Për t’u bërë i plotfuqishëm, sipas Ministrisë së Financave, këtij ligji do t’i duhen plot 2 vjet kohë. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Shteti “heq dorë” nga ish drejtuesit e inteligjencës

    Shteti “heq dorë” nga ish drejtuesit e inteligjencës

    Asnjë nga pesë ish-drejtorët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nuk janë të angazhuar në pozita të larta në institucionet shtetërore të sigurisë e as pjesë e kabineteve të presidentes apo kryeministrit.

    Vite më parë, disa prej tyre, punuan si këshilltarë për siguri në Presidencë, por një praktikë e tillë nuk u vazhdua – pasi legjislacioni aktual nuk krijon obligime ndaj institucioneve për angazhimin e tyre pas përfundimit të mandatit në Agjenci.

    Ekspertë të sigurisë e vlerësojnë moskujdes institucional në dëm të sigurisë kombëtare, mos-angazhimin e personave që kanë ushtruar ndonjërën nga tri pozitat kyçe në AKI: drejtor, zëvendës-drejtor dhe kryeinspektor.

    “Kjo është një neglizhencë nga niveli politik që nuk e ka paraparë fare mundësinë e inkorporimit të tyre për një periudhë afatgjate, për arsye se këta persona, të cilët kanë bartur funksione të larta në këtë institucion kanë klasifikuar informacione që e atakojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës”, tha eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

    Duke përmendur ndjeshmërinë e informacioneve dhe përvojën e tyre, ekspertët vlerësojnë se duhet të bëhen ndryshime në legjislacion – për të mundësuar sistemimin në pozita të përhershme këshillëdhënëse.

    “Këta të mbesin në rrugë, në mëshirën e grupeve të tjera të interesit. Mendoj se në këtë aspekt duhet që sa më parë të jetë e mundur që këta persona të ri-inkorporohen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku mund të japin mendime, sugjerime në aspektin profesional, duke pasur parasysh përvojën e tyre. Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare duhet fillimisht të ndryshojë ligji, në rend të parë, por njëkohësisht t’u jepet mundësia që të gjithë akterët, edhe ish-drejtorët e Policisë të inkorporohen në këtë mekanizëm”, tha Shala.

    “Do të duhej që kjo çështje të rregullohej me Ligjin për AKI-në, të bëhet plotësimi dhe ndryshimi i këtij ligji, në mënyrë që këto tri figura kryesore udhëheqëse në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë të angazhohen dhe të japin kontribut në ato vende ku japin kontribut për sigurinë kombëtare të Kosovës”, tha Avni Islami, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Angazhimi si ligjërues në Akademinë për Siguri Publike përmendet si opsion tjetër.

    Së fundmi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, propozoi ish-zëvendësdrejtoren e AKI-së, Vlora Hyseni, për ta udhëhequr inteligjencën shqiptare. Tri javë më parë ajo mori detyrën në krye të shërbimeve sekrete shqiptare, pas dekretimit nga ana e Presidentit, Bajram Begaj.

    Bashkim Smakaj, Agron Selimaj, Driton Gashi, Shpend Maxhuni dhe Kreshnik Gashi janë pesë ish-drejtorët e AKI-së në periudhën 2009-2020. Nga vitit 2021, në këtë pozitë është Petrit Ajeti. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Mediumi britanik raporton për protestën e 1 Majit në Kosovë

    Mediumi britanik raporton për protestën e 1 Majit në Kosovë

    Tabloidi britanik ‘Daily Mail’ në një artikull ku raporton për protestat për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorve, më 1 maj, ka përdorur edhe fotografinë e protestës së mbajtur të hënën në Prishtinë.

    “Një protestues mban pankartë gjatë një proteste për të shënuar ditën ndërkombëtare të punëtorëve, në Prishtinë, Kosovë më 1 maj 2023”, thuhet në përshkrimin e fotografisë.

    Në Francë, sindikatat planifikuan demonstrata masive për të protestuar kundër vendimit të diskutueshëm të presidentit francez, Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64. Vendi është në trazira civile që nga vendimi i reformave të skemës pensionale, në janar të këtij viti.

    Në prag të zgjedhjeve presidenciale turke më vonë këtë muaj, protestuesit e goditur rëndë nga kriza e kostos së jetesës u përleshën gjithashtu me policinë turke në Stamboll.

    Ndërkaq, në protestën e 1 majit në Kosovë, u kërkua përmirësim i kushteve nga sektori privat.

  • Kurti: Kemi marrë vendime që prekin direkt jetën punëtorëve

    Kurti: Kemi marrë vendime që prekin direkt jetën punëtorëve

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se ekzekutivi nën udhëheqjen e tij ka marrë një sërë hapash, vendimesh e iniciativash për punëtorët.

    Kryeministri Kurti ka shkruar në Facebook se vendimet e Qeverisë kanë prekur direkt jetën e punëtorëve.

    “Si qeverisje e re kemi ndërmarrë një sërë hapash, vendimesh e iniciativash ligjore që prekin direkt jetën e punëtorëve. Kemi hartuar dhe dërguar në Kuvend Projektligjin për Pagën Minimale, ligj që presim që Kuvendi ta miratojë sa më parë. Me qëllim shtimin e inspektimeve për zbatim sa më të mirë të ligjit të punës është ndarë buxheti për të shtuar numrin e inspektorëve në terren. Ndërkohë që në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 240 inspektorë shtesë në sektorë të ndryshëm”, ka shkruar ai.

    Kurti përmendi punësimin e të rinjve që tha se u bë përmend platformës “Superpuna”, rritjen e pagave në sektorin publik, si dhe planin që ta rrisin numrin e inspektorëve të punës.

    “Gjatë këtyre dy viteve qeverisje kemi ndërmarrë masa që nxisin punësimin me theks të veçantë punësimin e grave dhe të rinjve. Me masën 1.3, rreth 5 mijë gra më shumë janë punësuar, ndërkaq përmes platformës ‘Superpuna’ kemi mbështetur punësimin e të rinjve, me ç’rast nga muaji shkurt janë realizuar 4501 marrëdhënie pune përmes kësaj platforme (deri në çastin e këtij postimi)”, shkruan Kurti.

    Postimi i plotë i Kurtit:

    ”8 orë punë, 8 orë argëtim dhe 8 orë pushim”, ishte slogani i kërkesës në kundërshtim të eksploatimit të punëtorëve që për herë të parë u bë publikisht në Australi më 1885. Një vit më vonë në po këto kërkesa kujtojmë rezistencën e njohur të punëtorëve në Çikago. Sot e asaj dite me 1 Maj shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, jo vetëm duke i kujtuar ata, por edhe duke u angazhuar për barazi, të drejta dhe kushte më të mira të punës e jetesës.

    Si qeverisje e re kemi ndërmarrë një sërë hapash, vendimesh e iniciativash ligjore që prekin direkt jetën e punëtorëve. Kemi hartuar dhe dërguar në Kuvend Projektligjin për Pagën Minimale, ligj që presim që Kuvendi ta miratojë sa më parë.

    Me qëllim shtimin e inspektimeve për zbatim sa më të mirë të ligjit të punës është ndarë buxheti për të shtuar numrin e inspektorëve në terren. Ndërkohë që në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 240 inspektorë shtesë në sektorë të ndryshëm.

    Gjatë këtyre dy viteve qeverisje kemi ndërmarrë masa që nxisin punësimin me theks të veçantë punësimin e grave dhe të rinjve. Me masën 1.3, rreth 5 mijë gra më shumë janë punësuar, ndërkaq përmes platformës ‘Superpuna’ kemi mbështetur punësimin e të rinjve, me ç’rast nga muaji shkurt janë realizuar 4501 marrëdhënie pune përmes kësaj platforme (deri në çastin e këtij postimi).

    Po ashtu, kemi rritur pagat në sektorin publik dhe përmes pakove të ndërmarra nga Qeveria kemi mbështetur rritjen e pagave për 17 mijë punëtorë të sektorit privat.

    Punësimi ka qenë njëri prej prioritete tona kryesore dhe së bashku me të esenciale janë edhe të drejtat në punë. Në këtë drejtim në vitin e kaluar janë bërë 6316 inspektime nëpër biznese që synim kanë pasur monitorimin e respektimit të Ligjit të Punës dhe ligjeve të tjera në fuqi. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë shqiptuar 153 gjoba për mosrespektim të këtyre ligjeve.

    Kosova ka vuajtur edhe nga papunësia edhe nga shkelja e të drejtave në punë. Jemi duke u përpjekur që krahas zgjerimit të punësimit, të eliminojmë në maksimum shkeljet e të drejtave në punë. Jemi të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën e kemi gjetur punëtorin, por do të vazhdojmë të jemi të pakompromis në rregullimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të tij të garantuar me Kushtetutë.

    Urime 1 Maji i punëtorëve!

  • Tentoi të vetëvritej, shpëtohet 62-vjeçari në Ferizaj

    Tentoi të vetëvritej, shpëtohet 62-vjeçari në Ferizaj

    Një 62-vjeçar në Ferizaj është shpëtuar nga Policia pasi ka tentuar të vetëvritet. Sipas një komunikate dërguar mediave, Policia ka bërë të ditur se 62-vjeçari kishte hipur në një vinç të lartë rreth 40 metra, afër një objekti banesor në Ferizaj dhe po tentonte të vetëvritej.

    “Sot, rreth orës 13:00 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se një person mashkull, kosovar i moshës 62 vjeçar, kishte hipur mbi një vinç të lartë rreth 40 metra, afër një objekti banesorë në ndërtim në rrugën ’’Ahmet Kaciku’’ në Ferizaj dhe po tentonte të vetëvritej. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të policisë nga njësia reaguese dhe njësia e hetimeve së bashku me mbikëqyrësin e ndërrimit të stacionit të policisë në Ferizaj”, njoftoi Policia.

    Sipas njoftimit të Policisë, ai u shpëtua nga një zyrtar policor.

    “Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për shpëtim nga ekipet në vendin e ngjarjes, është bllokuar për qarkullim rruga ” Ahmet Kaçiku ” dhe menjëherë mbikëqyrësi i ndërrimit ka filluar të negocioj me viktimën dhe ta bindë atë, që mos të kërcejë/bëjë vetëvrasje nga lartësia. Pas shumë përpjekjeve të mbikëqyrësit të ndërrimit Toger R.H, në ora 13:50 viktima është bindur dhe ka lejuar që të shpëtohet dhe të zbresë nga vinçi në tokë pa asnjë lëndim”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

    Tutje, bëhet e ditur se viktima është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, rasti është cilësuar ” Vetëvrasje në tentativë”, ndërsa policia po vazhdon hetimet.

     

  • Gruaja e Rexhep Selimit thotë se burri i saj nuk e shkarkoi avokatin, tregon krejt çka ndodhi

    Gruaja e Rexhep Selimit thotë se burri i saj nuk e shkarkoi avokatin, tregon krejt çka ndodhi

    Gruaja e Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti-Selimi ka sqaruar arsyet pse “10-shi” i UÇK-së ka kërkuar që avokati David Young të largohet nga detyra e kryeavokatit të ekipit mbrojtës të tij.

    Ajo në një postim në Facebook ka thënë se nuk qëndron fakti se Rexhep Selimi ka larguar avokatin Young, por e vërteta është se ai ka kërkuar që për arsye shëndetësore, kryeavokat të jetë Geoggrey Roberts, kurse avokat të jetë David Young.

    “z. David Young mbetet akoma pjesë integrale e ekipit të mbrojtjes së Rexhep Selimit. Megjithatë për arsye shëndetësore është vendosur në bashkëpunim me z. Young që për një periudhë të pacaktuar Avokat kryesor të jetë z. Geoffrey Roberts, kurse bashkë-avokat z. David Young”, ka shkruar ajo.

    Postimi i plotë i saj:

    SQARIM

    Të nderuar qytetarë

    E ndjej obligim të bëj këtë sqarim në lidhje me lajmin që po qarkullon sot nëpër medie se Rexhep Selimi ka larguar nga ekipi avokatin e tij z. David Young. Ky është një keq-informim që i bëhet publikut.David Young mbetet akoma pjesë integrale e ekipit të mbrojtjes së Rexhep Selimit. Megjithatë për arsye shëndetësore është vendosur në bashkëpunim me z. Young që për një periudhë të pacaktuar Avokat kryesor të jetë z. Geoffrey Roberts, kurse bashkë-avokat z. David Young.Ekipa mbrojtëse e Rexhep Selimit vazhdon punën si gjithmonë – me intenzitetin dhe harmoninë e zakonshme.Ne si familje jemi të kënaqur me punën e avokatëve.

  • Për 1 Maj protestojnë edhe feministët, kërkojnë të drejtat të barabarta për gratë në punë

    Për 1 Maj protestojnë edhe feministët, kërkojnë të drejtat të barabarta për gratë në punë

    Organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist është duke mbajtur protestë në Prishtinë për 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, përmes të cilës po kërkojnë të drejtat të barabarta në punë, raporton atvlive.tv.

    Në videot e siguruara nga ATV, shihet se gjatë këtij marshimi, protestuesit kanë hedhur edhe tym të kuq.

    Sot në Prishtinë është u mbajtur edhe një protestë, e organizuar Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat (SPSPK), përmes të cilës u kërkua ngritja e pagave për sektorin privat.

    Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi, tha se sot është dashur të jetë ditë feste edhe për sektorin privat, por që nuk po i lënë ta bëjnë një gjë të tillë Qeveria dhe kompanitë. /atvlive.tv

  • Nis protesta e sektorit privat, Azemi: Edhe ne duam të festojmë, por nuk po na lë Qeveria dhe kompanitë

    Nis protesta e sektorit privat, Azemi: Edhe ne duam të festojmë, por nuk po na lë Qeveria dhe kompanitë

    Ka nisur protesta në Prishtinë, organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat (SPSPK), raporton atvlive.tv.

    Kjo protestë u organizua pasi kjo sindikatë po kërkon rritje të pagave në sektorin privat.

    Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi, tha se sot është dashur të jetë ditë feste edhe për sektorin privat, por që nuk po i lënë ta bëjnë një gjë të tillë Qeveria dhe kompanitë.

    “Edhe ne kishim dashur të festojmë sot për 1 maj, por nuk po na lënë Qeveria dhe kompanitë”, tha Azemi.

    ATV-ja raporton se në këtë protestë përveç qytetarëve nga Prishtina, po marrin pjesë edhe qytetarë nga qytete të tjera, si Gjakova, Gjilani, Vushtrria, etj. /atvlive.tv

  • Fillon dëshmia e dëshmitarit të 10-të kundër Pjetër Shalës

    Fillon dëshmia e dëshmitarit të 10-të kundër Pjetër Shalës

    Të hënën (1 maj) ka nisur dëgjimi i dëshmisë së dëshmitarit të dhjetë kundër Pjetër Shalës.

    Për ta intervistuar dëshmitarin, Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 3 orë kohë.

    Kjo dëshmi do të dëgjohet në tri seanca me nga 1 orë e 30 minuta kohë.

    Një pjesë e dëshmisë do të dëgjohet në seancë të mbyllur.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.