ATV

Tag: Ballina

  • Mblidhet Kuvendi, në rend dite plotësim-ndryshimi i Ligjit për tatimin në pronë

    Mblidhet Kuvendi, në rend dite plotësim-ndryshimi i Ligjit për tatimin në pronë

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë të re.

    Kryekuvendari Glauk Konjufca gjatë ditës së djeshme ka kërkuar nga të gjitha partitë konsensus për miratimin e rregulloreve që kanë të bëjnë me punën e Kuvendit.

    Në mesin e 11 pikave, në seancën e sotme do të shqyrtohet në parim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.Seanca do të mbahet me fillim nga ora 10:00.

    Këto janë pikat e rendit të ditës që pritet të diskutohen sot:

    Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    Pyetjet parlamentare,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,

    Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/l-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

    Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/136, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë,

    Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

  • Escobar: Pati përparim të vogël drejt themelimit të Asociacionit

    Escobar: Pati përparim të vogël drejt themelimit të Asociacionit

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, që u arrit në Ohër, fillon me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Ai i bëri këto komente një ditë pas takimit të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në të cilin palët mos mospajtimeve diskutuan për projekt statutin e Asociacionit, themelimi i të cilit kërkohet edhe me marrëveshjen e Ohrit, të cilën zoti Escobar e cilësoi ligjërisht të detyrueshme.

    “Zbatimi fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha zoti Escobar duke theksuar se brenda dy javësh kryenegociatorët e të dyja vendeve pritet të takohen për të diskutuar këtë çështje dhe të punojnë për një statut që funksionon.

    “Ky proces është shumë i rëndësishëm dhe të dyja palët, posaçërisht Kosova, duhet ta marr seriozisht dhe të ecë përpara në mënyrë të përshpejtuar”, tha Escobar dukë nënvizuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përqendruar që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet dhe ky realitet bëhet me Asociacionin.

    Ai tha se pati një përparim të vogël rreth themelimit të asociacionit në bisedimet e së martës, për të cilat shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ishin “një hap simbolik” rreth kësaj çështjeje.

    Projekt statuti i Asociacionit i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët janë liruar sot nga detyra me vendim të qeverisë së Kosovës, u refuzua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane.

  • Sekretari i MSh-së vihet në krye të Bordit të ShSKUK-së

    Sekretari i MSh-së vihet në krye të Bordit të ShSKUK-së

    Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka njoftuar se është zgjedhur kryesues i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK).

    Ai në Facebook bëri të ditur se detyrat që i janë besuar, do t’i kryejë me përgjegjësi dhe nder.

    Statusi i plotë:

  • Rohde ripërsërit: Statuti i Asociacionit të jetë në përputhje me Kushtetutën

    Rohde ripërsërit: Statuti i Asociacionit të jetë në përputhje me Kushtetutën

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde ka thënë se çfarë do lloj statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    “Jemi shumë larg në kuptimin e natyrës së Asociacionit megjithatë Gjermania do të vazhdojë të mbështes implementimin e plotë të gjitha marrëveshjeve që janë pranuar dhe nënshkruar në Bruksel, pro po ashtu që të mbështesim Kosovën. Gjithmonë e kemi thënë se çfarë do lloj statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

    Sipas tij politikanët duhet të punojnë të realizimin e atyre marrëveshjeve në mënyrë që të arrihet që të gjithë e duam, stabiliteti dhe paqja.

    “Tani kemi një situatë kur ende kemi struktura paralele, i gjithë qëllimi i Asociacionit që të sjellë strukturat paralele, në kuadër të legjislacionit të Kosovës”, theksoi tutje ai në RTK.

    Diplomati gjerman ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për lirimin nga detyra të anëtarëve të ekipit menaxhues, duke thënë se vendimi i sotëm nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit.

  • Profesori i Universitetit të Beogradit: Është e mundur që në Serbi të jetë krijuar një bazë e re agjentësh rusë

    Profesori i Universitetit të Beogradit: Është e mundur që në Serbi të jetë krijuar një bazë e re agjentësh rusë

    Ka mundësi që mes 200 mijë refugjatëve rusë që kanë gjetur strehë në Serbi, të ketë edhe agjentë të Putinit dhe në këtë kuptim një bazë e re për funksionimin e një agjencie ruse që mund të udhëtojë, që ka akses në bankat evropiane, komunikimet, një treg dhe të ngjashme, nuk është përjashtuar, theksoi Ivan Videnoviq, profesor në Universitetin e Beogradit dhe këshilltar i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

    Në një intervistë për portalin Autonomija në Vojvodinë, ai shprehu shpresën se në mesin e emigrantëve rusë, ka më shumë ata që kanë ardhur për të ikur nga lufta, me idenë për të mbrojtur bizneset e tyre dhe për të thyer murin e sanksioneve të ngritura rreth Rusisë.

    Miqësia serbo-ruse do të rikonfirmohej kështu për herë të dytë, duke mirëpritur një valë të re refugjatësh që “ikin nga regjimet e çmendura ruse”: njëri në vitet 1920, tjetri në shekullin e 21-të, thekson ai.

    “Për të mbrojtur rusët që kanë ardhur në Serbi, punët e tyre, ekzistencën e tyre, ne duhet të distancohemi qartë nga regjimi në Moskë”, tha Videnoviq.

    Duke komentuar mënyrën se si disa figura të opozitës ruse kanë performuar në Serbi, Videnoviç tha se “regjimi i Beogradit e ka tradhtuar popullin rus”.

    Videnoviç theksoi se ishte një krim, d.m.th. “bashkëfajësi në një krim” që shërbimet e inteligjencës të një vendi të transmetonin informacione për kundërshtarët politikë të regjimit në një vend tjetër, pas së cilës anëtarët e opozitës u dënuan me dënime drakoniane.

    “Nëse doni miqësi me popullin rus, atëherë le të respektojmë detyrimin për të mbrojtur interesat personale dhe ekonomike të atyre që kanë ardhur dhe kanë kërkuar strehim në vendin tonë; nëse jemi të vendosur të jemi miq me Putinin, atëherë jemi armiq të ata që kanë ardhur këtu dhe që janë në rrezik të vazhdueshëm të kthehen në vendin e tyre”, paralajmëroi ai.

    Videnoviq shtoi se fushata pro Putinit po drejtohet në mënyrë të barabartë nga mediat e orientuara nga tabloidët dhe ata që e konsiderojnë veten seriozë dhe se kjo fushatë “mbështetet dhe financohet nga NIS, e cila i përket Federatës Ruse”, edhe pse vetë Putini ka ka treguar vazhdimisht se regjimi i tij është armiqësor ndaj Serbisë.

    “Ju kujtoj se Rusia u tall dhe i hodhi poshtë vendimet e gjyqësorit serb që kërkonte ekstradimin e familjes së Sllobodan Millosheviqit. Kjo jo vetëm që u refuzua, por u tall deri në atë masë që familja Millosheviq mori statusin diplomatik në Rusi, gjegjësisht mbrojtjen diplomatike”, tha Videnoviq.

    Kur bëhet fjalë për çështjet kyçe, marrëdhëniet e Serbisë me fqinjët e saj, për Kosovën, Ukrainën, BE-në, Videnoviç thotë se nuk sheh “asnjë ndryshim serioz në raportimin e të ashtuquajturave media të pavarura dhe tabloideve të Vuçiqit”.

  • Vizioni i Kurtit për vetëmenaxhimin e serbëve, inspirim nga Kroacia

    Vizioni i Kurtit për vetëmenaxhimin e serbëve, inspirim nga Kroacia

    Në vend të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri Albin Kurti në Bruksel prezantoi një dokument dhjetëpikësh për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi, për vetëmenaxhimin.

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se pas prezantimit të draftit fillestar nga Ekipi Menaxhues, kryeministri kosovar tregoi vizionin e tij në raport me këtë nen.

    “Kryeministri ndau pikëpamjet e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë. Dhe siç prisnim, pikëpamjet e palëve, për natyrën e këtij Asociacioni apo Bashkësie, janë shumë larg”, tha Borrell.

    Drafti i prezantuar nga kryeministri Kurti ka në preambulë tri kushtet e shpalosura paraprakisht dhe flet për një kornizë vetëmenaxhimi të komunitetit serb si një projekt joterritorial, në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

    Drafti saktëson Këshillin Konsultativ për Komunitete si kanal zyrtar komunikimi, e po ashtu parasheh mundësinë e financimit nga Qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Serbisë, sipas rregullave dhe procedurave të Ministrisë së Financave të Kosovës.

    Drafti përmend lirinë e asocimit dhe bashkëpunimin institucional, përfshirë komunat, por jo emërtimin Asociacion i komunave.

    Për këtë draft-vizion, kryeministri Albin Kurti tha se është inspiruar nga modeli kroat i adresimit të të drejtave të komunitetit serb.

    Në Kroaci ka një Këshill Koordinues Kombëtar të Serbëve që ka për qëllim realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të pakicës serbe, sipas ligjeve dhe kushtetutës kroate – që vepron si formë e vetëqeverisjes dhe institucion autonom kulturor.

    Ky Këshill me karakter afirmues, bashkëpunues dhe organizativ në disa fusha dhe me seli në Zagreb, ka Asamblenë, Presidencën dhe Bordin Mbikëqyrës.

    Megjithatë, Kroacia ka një organizim tjetër me më shumë nivele pushtetesh: atë qendror – Qeverinë; nivelin regjional me 21 qarqe; atë të ndërmjetëm me 128 qytete; dhe nivelin lokal me 428 komuna. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar: Propozimi i Kurtit ishte serioz

    Escobar: Propozimi i Kurtit ishte serioz

    I dërguari i posaçëm SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një takim virtual me gazetarë të Ballkanit, tha se një muaj pas marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ka pasur një nivel të vogël të progresit në prezentimin e propozimeve të shkruara të të dyja palëve, lidhur me atë se si duhet të duket asociacioni, transmeton atvlive.tv.

    “Fillimisht, të dy qeveritë e pranuan [marrëveshjen], ishte dhe është, ashtu siç tha z. Borrell, ligjërisht e obligueshme për të gjitha palët. Ka kaluar vetëm një muaj, dhe tani po e diskutojmë zbatimin. Do të thosha se kemi pasur nivel të vogël të progresit në prezantimin e propozimeve të shkruara të të dyja palëve, lidhur me atë se si duhet të duket asociacioni”, tha Escobar.

    Duke folur për takimin e mbrëmshëm në Bruksel, Escobar tha se është një prej herëve të para që kanë dëgjuar drejtpërdrejt nga Qeveria e Kosovës se cili është versioni i tyre për Asociacionin.

    “Kjo është një prej herëve të para që kemi dëgjuar drejtpërdrejt nga qeveria e Kosovës se çfarë është version i tyre për asociacionin, dhe ata e kanë një. Serbia natyrisht se e ka versionin e saj, dhe përgjigja tani është që të dyja palët të takohen në dy javët e ardhshme, për të prezantuar përsosje të mëtejshme të pozicioneve të tyre dhe që Bashkimi Evropian të vazhdojë të ndikimin dhe kapacitetet mbresëlënëse të saj për t’i bërë bashkë dy palët që të fillojë të shikojë për zgjidhje kompromisi”, tha Escobar.

    Ai tha se propozimi i mbrëmshëm i Kurtit është serioz, por edhe ai i ekipit drejtues të BE-së është serioz.

    “Tani nuk më takon mua të vendos se çfarë është serioze. Nuk është një proces i ndërmjetësuar nga SHBA-ja por nga Evropa, dhe çfarë është e rëndësishme këtu është se teksa dy palët normalizojnë marrëdhënien e tyre, ata po ashtu harmonizojnë strukturat e tyre me Bashkimin Evropian, në përgatitje për anëtarësim eventual në BE. Andaj, duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët lidhur me këtë që është në përputhje me principet dhe kërkesat e BE-së, lidhur me procesin e anëtarësimit”, u shprej Escobar. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë CONTEXT në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • SHBA ja pret progres në themelimin e asociacionit, përshëndet deklaratën për të zhdukurit

    SHBA ja pret progres në themelimin e asociacionit, përshëndet deklaratën për të zhdukurit

    Një ditë pas takimit në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vucic, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pret që palët të kenë progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve.

    Sipas diplomatit amerikan, zbatimi i marrëveshjes së Ohrit fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Elementet e rëndësishme u diskutuan dhe tani u përket kryenegociatorëve që të lëvizin para dhe të fillojnë të krijojnë një statut të zbatueshëm. Pritjet tona janë që brenda dy javëve të ardhshme, kryenegociatorët të takohen për të diskutuar përsëri për këtë proces. Ky proces është shumë i rëndësishëm, është shumë e rëndësishme që të dyja palët, posaçërisht Kosova, ta trajtojë seriozisht dhe që në mënyrë të përshpejtuar ta kryejë këtë proces”, tha Escobar.

    Teksa propozimet për Asociacion të shpalosura në Bruksel nga Ekipi Menaxhues në njërën anë dhe kryeministri Albin Kurti në anën tjetër, i vlerësoi propozime serioze, Escobar dha se nuk ka presion mbi palët.

    “Nuk ka presion në njërën palë që në mënyrë të njëanshme ta pranojë tjetrën. Ky duhet të jetë një statut i negociuar, duhet të jetë një që mbron të drejtat e minoriteteve, veçanërisht të pakicës serbe në Kosovë, ky është synimi ynë. Objektivi ynë është që ta përdorim asociacionin si platformë për serbët etnikë, që të kenë jetë qytetare dhe demokratike në Kosovë”, theksoi Escobar.

    Në një takim virtual me gazetarë, përfaqësuesi amerikan u shpreh i lumtur që palët arritën ta miratojnë deklaratën për personat e zhdukur, derisa pret avancim në sfera të tjera, përfshirë edhe energjinë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Situatë jostabile në veri të Kosovës, Borell ekziston rreziku që të ketë përshkallëzim të situatës

    Situatë jostabile në veri të Kosovës, Borell ekziston rreziku që të ketë përshkallëzim të situatës

    Situata në veri të Kosovës mund të përkeqësohet.

    Sidomos, pas zgjedhjeve në katër komunat në këtë pjesë të vendit dhe pas vendimit të Kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut për hapjen e urës së Ibrit.

    Këtë thotë se e ka parasysh edhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme, Josep Borell, teksa pohon se po mundohen t’i bindin palët ta shmangin përshkallëzimin e situatës.

    “Zgjedhjet nuk ofrojnë një zgjidhje politike afatgjatë, përkundrazi kanë potencialin të çojnë në përshkallëzim dhe të minojnë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Kjo nuk është ajo që ne duam të ndodhë, por ekziston një rrezik i madh, dhe për këtë arsye unë u kam kërkuar të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje që u mundëson serbëve të Kosovës të kthehen shpejt në institucionet, nga të cilat u larguan në nëntor të vitit të kaluar”, tha Borell.

    Zgjidhje nuk u gjet mbrëmë në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.

    Në këtë takim, krahas kthimit të serbëve në institucione, sipas njohësve të sigurisë, kërkesë tjetër ka qenë edhe largimi i njësisë speciale nga veriu.

    “Çështja e kërkesës së Borellit është pika e tretë e kërkesës së listës serbe që nga pjesa veriore të minimizohen strukturat e sigurisë së shtetit të kosovës, pra njësitë speciale të largohen dhe pika e kontrollit mbi urën e bistricës, ajo të mënjanohet dhe kështu do t’i mundësohet aktivizimi i grupeve kriminale dhe vazhdimi i aktiviteteve të tyre”, tha Drizan Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë.

    Megjithatë, sipas një deputeti opozitar, çdo lloj tensioni në veri është i orkestruar nga dy liderët, pasi ashtu fitojnë poenë politikë.

    “Mbijetesa në politikë, edhe e Vucicit edhe e Kurtit është përmes krizave që do të ketë vazhdimisht në politikë, sepse veriu është burimi i qëndrimeve të tyre pseudo-patriotike dhe patetizimi patriotik për t’u mbajtur në pushtet. Serbisë dhe Vucicit nuk i konvenon themelimi i asociacionit të cilin ata e pretendojnë, atë të 2015-tës”, tha deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

    Për tejkalimin e situatës së krijuar pas vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, për hapjen e urës mbi lumin Ibër, Aleksandër Vucic ka përmendur se janë dhënë propozime të cilat, sipas tij, nuk janë pranuar nga kryeministri Kurti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vetëm 33 inspektorë të punës në tërë vendin, s’ka interesim për t’u bërë inspektor

    Vetëm 33 inspektorë të punës në tërë vendin, s’ka interesim për t’u bërë inspektor

    Përkundër se Qeveria kishte premtuar rritje të numrit të inspektorëve të punës, numri i tyre vetëm është ulur.

    Nga 39 inspektorë sa ishin në vitin 2022, në gjithë vendin, aktualisht janë 33 inspektorë të punës.

    Sipas gjetjeve të prezantuara sot nga Instituti Demokratik i Kosovës, arsyeja kryesore po del të jetë mosinteresimi i qytetarëve për të aplikuar për këtë pozitë.

    Kryeinspektori i inspektoratit të punës, Hekuran Nikçi, thotë se me kaq numër të vogël të inspektorëve e kanë të pamundur të operojnë. Për këtë arsye kanë hapur konkurs për 19 inspektorë të rinj.

    Në mungesë të inspektorëve, sipas sindikalistëve, punëtorët e sektorit privat e pësojnë më së shumti.

    Jusuf Azemi vlerëson se mosshtimi i numrit të tyre mund të ketë edhe arsye politike.

    Në këtë tryezë diskutimi të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Ku janë inspektorët e ‘premtuar’ të punës”, u tha se në tre muajt e parë të këtij viti, janë bërë mbi 1 mijë inspektime në tërë territorin e vendit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: