ATV

Tag: Ballina

  • James Rubin komenton lajmin e ‘New York Times’ për Vuçiqin

    James Rubin komenton lajmin e ‘New York Times’ për Vuçiqin

    James Rubin, ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, i cili tash udhëheq Qendrën Globale të Angazhimit në kuadër të këtij institucioni, ka shpërndarë artikullin e New York Times për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku shpërfaq lidhjet e tij me botën e krimit, mafias e huliganizmit.

    “Interpretim brutal”, e ka përshkruar Rubin lajmin e NYT në Twitter.

    New York Times ka përmbledhur një hulumtim rreth krimit në Serbi. Të gjitha faktet që ka paraqitur në këtë tekst, i ka lidhur ngushtë me djalin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Danilon.

  • Konjufca shpreh ngushëllime për dy rastet tragjike në Serbi

    Konjufca shpreh ngushëllime për dy rastet tragjike në Serbi

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u ka shprehur sot ngushëllime familjeve të viktimave të dy rasteve tragjike që kanë ndodhur në Serbi.

    Ai ka shkruar se rastet e tilla krijojnë pikëllim për këdo, si dhe u ka uruar shërim sa më të shpejtë të plagosurve.

    “Shpreh ngushëllimet më të thella për prindërit dhe familjarët e viktimave të dy ngjarjeve tragjike në Beograd! Ngjarjet e tilla janë gjithnjë të rënda dhe krijojnë pikëllim për këdo dhe gjithkund, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë dhe civilë, e sidomos kur një nga këto krime të kësaj natyre të rëndë ndodh në një shkollë.”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

    Tetë nxënës dhe një roje sigurie janë vrarë të mërkurën nga të shtënat me armë zjarri në shkollën fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd. Në oborrin e shkollës është arrestuar nxënësi i kësaj shkolle, K. K. 14-vjeçar, i cili ka plagosur edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese.

    Ndërsa, sot, tetë persona janë vrarë dhe 14 të tjerë janë plagosur kur një sulmues ka qëlluar mbi ta me një armë automatike në një fshat afër Mlladenovacit, rreth 60 kilometra larg Beogradit, në Serbi.

  • ​Osmani në Mbretërinë e Bashkuar për Kurorëzimin e Mbretit Charles III

    ​Osmani në Mbretërinë e Bashkuar për Kurorëzimin e Mbretit Charles III

    Me ftesë të mbretit Charles III të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e shoqëruar nga zotëria i parë, Prindon Sadriu, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në ceremoninë e Kurorëzimin të Mbretit.

    Para ceremonisë së Kurorëzimit të mbretit, Osmani do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga mbreti Charles III dhe anëtarë të Familjes Mbretërore për liderët botërorë në Buckingham Palace, sot më 5 maj.

    Më 6 maj, Osmani dhe bashkëshorti i saj, krahas krerëve shtetëror nga e gjithë bota, do të marrin pjesë në ceremoninë zyrtare të Kurorëzimit të mbretit Charles III në Ëestminster Abbey, me çrast, ajo do t’i përcjellë urimet e popullit dhe institucioneve të Republikës, si dhe do të riafirmojë përkushtimin e palëkundur të shtetit tonë për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar, thuhet në komunikatën për media.

    Gjatë qëndrimit në Londër, Osmani së bashku me bashkëshortin e saj do të marrin pjesë edhe në pritjen që Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, organizon për liderët botërorë.

  • Tjetër sulm masiv në Serbi, arrestohet i dyshuari

    Tjetër sulm masiv në Serbi, arrestohet i dyshuari

    Autoritetet serbe kanë arritur që ta arrestojnë 21-vjeçarin e dyshuar për sulmin masiv të mbrëmshëm ku mbetën të vrarë tetë persona dhe u plagosën 13 të tjerë në fshatin Dubonë.

    Siç raporton RTS, i dyshuari është arrestuar në afërsi të fshatit Kragujevcit.

    Sulmi raportohet të ketë ndodh rreth orës 23:00, teksa sipas ministrisë së Brendshme të Serbisë, sulmuesi qëlloi një grup njerëzish me një armë automatike dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

    Kujtojmë se sulmi i mbrëmshëm është i dyti i këtij lloji pasi të mërkurën një fëmijë 13-vjeç dyshohet se la të vdekur tetë fëmijë dhe rojen e një shkolle në Beograd.

    Tetë të vrarë nga të shtënat masive në disa fshatra të Serbisë

  • Anulohet seanca e caktuar për sot në rastin Pjetër Shala, gjykimi rinis më 19 maj

    Anulohet seanca e caktuar për sot në rastin Pjetër Shala, gjykimi rinis më 19 maj

    Seanca e paracaktuar më 5 maj në rastin e Pjetër Shalës është anuluar dhe se gjykimi ndaj tij pritet të vazhdojë më 19 maj 2023.

    Kjo është bërë e ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

    ‘‘Pas vendimit gojor të Trupit Gjykues, gjykimi ndaj Pjetër Shalës përfundoi për ditën e sotme, ndërsa seanca e caktuar për nesër (më 5 maj) anulohet. Gjykimi do të rinis të premten, më 19 maj, në orën 09:30’’, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

    Ndryshe, gjatë seancës së ditës së sotme, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia gjatë seancës së të enjtes, ka nxjerrë pesë urdhra me gojë dhe ka paraqitur kalendarin për këtë çështje deri në janar të vitit 2024.

    Më 25 prill, Shala e ka dorëzuar dosjen paraprake për gjykimin që po zhvillohet ndaj tij.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

    Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

    Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj.

    Këta dëshmitarë ishin paraparë të dëgjoheshin për pesë seanca, por meqë të njëjtit kanë përfunduar dëshmitë për katër ditë, seanca e 31 marsit 2023 nuk është mbajtur.

    Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • A është në kundërshtim me marrëveshjet shpërbërja e Ekipit Menaxhues?

    A është në kundërshtim me marrëveshjet shpërbërja e Ekipit Menaxhues?

    Kosova dhe Serbia sërish i interpretojnë ndryshe marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Kësaj radhe ka pasur një “konfuzion” lidhur me mandatin e Ekipit Menaxhues për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Më 3 maj, autoritetet kosovare e liruan nga detyra Ekipin Menaxhues, me arsyetimin se një ditë më parë në Bruksel e kishin paraqitur statutin dhe se i kishte përfunduar mandati.

    Për këtë reaguan ashpër autoritetet nga Serbia, duke theksuar se mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e projekt-statutit të Asociacionit, por se ai ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të tij.

    Pastaj erdhi interpretimi i Bashkimit Evropian, si lehtësues i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Nga BE-ja thanë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më 4 maj se Ekipi Menaxhues duhet të jetë funksional derisa të miratohet statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    “Ekipi menaxhues propozoi dhe paraqiti draftin [statutin] e parë, që do të thotë se ka filluar procesin dhe jo se procesi ka përfunduar. Prandaj, vendimi për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues bie ndesh me tekstin dhe frymën e marrëveshjes”, tha Stano.

    Por, lidhur me deklaratat për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ka reaguar Qeveria e Kosovës. Në reagim thuhet se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.

    “Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmërie në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës. Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si për shembull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes”, thuhet në reagim.

    Sipas Qeverisë së Kosovës, “Ekipi Menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë – përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”. /rel

  • Abazoviq: Unë i kam thënë ambasadores të votojë për Kosovën në KiE

    Abazoviq: Unë i kam thënë ambasadores të votojë për Kosovën në KiE

    “Unë i kam thënë ambasadores të Malit të Zi në Këshillin e Evropës që të votojë për pranimin e Kosovës në atë organizatë”, tha kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në seancën e thirrur nga Komisioni Parlamentar për Marrëdhënie ndërkombëtare dhe diasporë.

    Ai tha se në politikën e jashtme të Malit të Zi nuk ka ndryshuar asgjë dhe se shteti ka ndjekur një politikë të përgjegjshme dhe konsekuente.

    “Mali i Zi votoi së bashku me 33 vende të tjera”, tha më tej Abazoviq.

    Të hënën e 24 prillit, kërkesa e Kosovës për anëtarësim në KiE, shkoi në fazën e dytë.

    Në Komiteti e Ministrave të Këshillit të Evropës, vendi siguroi 33 vota pro nga 46 sa votuan.

  • Deklarata për të Zhdukurit “ofron qasje në dokumente të ndjeshme”

    Deklarata për të Zhdukurit “ofron qasje në dokumente të ndjeshme”

    Deklarata për Personat e Zhdukur, e cila u miratua më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si pjesë e një dialogu të nivelit të lartë politik, sjell shpresë të re sepse palët janë zotuar të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si ‘konfidenciale’.

    Ky është konstatimi i Bekim Blakajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës dhe Sonja Biserkos nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Ata nënvizojnë se kjo është hera e parë që të dyja palët angazhohen për të lejuar qasje në “dokumente të ndjeshme” për të hedhur dritë mbi fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

    Mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

    Në Deklaratë, ndër të tjera, thuhet se i jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.

    Blakaj dhe Biserko theksojnë se Deklarata për Personat e Zhdukur këtë herë është “më e fortë” sepse është pjesë e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të BE-së dhe se do të ketë pasoja nëse palët nuk e respektojnë atë.

    Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën të dyja palët e pranuan në fund të shkurtit, dhe Aneksi për zbatimin e saj nga marsi, është përfshirë në kornizën negociuese të Kosovës dhe Serbisë në procesin e integrimeve evropiane.

    Kështu, të dyja palët pranuan se “çdo mospërmbushje e detyrimeve nga Marrëveshja apo Aneksi, do të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative”.

    Çfarë nënkuptohet me dokumente ‘konfidenciale’?

    Në tekstin e Deklaratës nuk përmendet konkretisht hapja e arkivave ushtarake apo policore, por Bekim Blakaj thekson se ekziston fjala “dokumente konfidenciale” dhe shpreh besimin se dokumente të tilla do të zgjidhin një numër të madh të rasteve të personave të zhdukur.

    Sonja Biserko thekson gjithashtu se termi “dokumente konfidenciale” u referohet arkivave të autoriteteve ushtarake apo policore dhe shton se të dhënat nga ato arkiva do të ndihmonin shumë në ndriçimin e fatit të personave të pagjetur pas dy dekadash.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë për media më 2 maj tha se është i gatshëm të hapë të gjitha arkivat që mund të çojnë në zbulimin e personave të zhdukur, duke theksuar se të njëjtën gjë e pret edhe nga autoritetet e Kosovës.

    “Mos u zemëroni, të njëjtën gjë kërkojmë edhe për serbët që u vranë në Kosovë e Metohi”, tha ai.

    Në Kosovë nuk dihet se ku mbahen dokumente të rëndësishme të luftës, ndonëse çështja e hapjes së arkivave ushtarake nga të dyja palët është ngritur në kuadër të dialogut që në shtator të vitit 2021. Atë kohë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe shef i delegacionit të Kosovës për dialogun me Serbinë, tha se palët do të hapin arkivat, duke përfshirë edhe ato “që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

    Po ashtu, më 13 shtator 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tha gazetarëve se në Arkivin Qendror të Kosovës ka prova dhe materiale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo, ky institucion e mohoi një gjë të tillë.

    A ka një vullnet të vërtetë për t’i hapur arkivat?

    Edhe pse politikanët nga të dyja palët pretendojnë se institucionet do të jenë transparente – të cilën e kanë obliguar me Deklaratën për Personat e Pagjetur – Bekim Blakaj dhe Sonja Biserko theksojnë se “nuk do të jetë aq e lehtë”.

    “Nuk besoj se palët do ta vënë kaq lehtë dokumentacionin në dispozicion, por ka ende shpresë sepse zbatimi do të mbikëqyret nga Komuniteti Evropian ose Bashkimi Evropian. Nëse vlerësojnë se palët nuk e zbatojnë marrëveshjen, mund të përballen me sanksione”, vlerëson ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

    Biserko thekson se arkivat e Ushtrisë dhe Policisë serbe deri më tani kanë mbetur “të paprekshme” në rastet e krimeve të luftës, ndaj është skeptike se tani do të hapen për shkak të çështjes së personave të zhdukur.

    “Nëse Serbia do t’i hapte ato arkiva, do të duhej të përballej me faktin se është përgjegjëse për shumë gjëra që kanë ndodhur në Kosovë, sepse është bërë nën ombrellën e ushtrisë, policisë dhe paragrupeve të ndryshme”, thotë ajo.

    Keqinterpretim i Deklaratës për të Zhdukurit?

    Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare thekson se është e rëndësishme që opinioni të kuptojë se Deklarata për Personat e Zhdukur në asnjë mënyrë nuk u referohet krimeve të luftës.

    “Me këtë Deklaratë nuk mund të lidhim gjëra të tjera, si përpunimi i krimeve të luftës, reparacionet e kështu me radhë”, thotë Blakaj.

    Sonja Biserko, nga ana tjetër, vlerëson se Deklarata për Personat e Zhdukur është hedhur tërësisht anash, dhe se fokusi ishte kryesisht te Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

    “Megjithatë, unë them se presioni nga bashkësia ndërkombëtare do të jetë më i fortë, më i shpeshtë dhe më real këtë herë se sa ishte në vitet e mëparshme”, vlerëson ajo.

    Çfarë thonë shoqatat e të zhdukurve?

    Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, shprehet skeptik lidhur me Deklaratën për Personat e Zhdukur.

    Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo deklaratë ka disa të meta, ndër të cilat është koha e pasaktësuar lidhur me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    “Nëse këto (kërkimet për varrezat mundshme) vazhdojnë edhe 24 vjet, kjo për familjarët është një brengë e rëndë. Ne e dimë që familjarët (e personave të zhdukur) jetojnë në stres dhe traumë tash e 24 vjet, për të ditur për fatin e tyre. Por, nëse Serbia, i përmbahet deklaratës, si bashkëpunuese e mirë, shpresoj që shpejt mund të ketë zgjidhje, sepse Serbia shumë mirë e di se ku janë varrezat masive dhe ku janë njerëzit tanë”, deklaron Grajçevci.

    Ai shton se në rundin e ardhshëm të dialogut, kur pritet të arrihet pajtimi për detajet operacionale për zbatimin e Deklaratës për të zhdukurit, “do të vuloset” vërtetësia nëse palët janë pajtuar njëmend për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    Koordinatorja e Shoqatës së Familjarëve të të Kidnapuarve dhe të Pagjeturve në Kosovë, Silvana Marinkoviq, mendon se Deklarata e miratuar nuk do të ndihmojë duke hedhur dritë mbi fatin e të zhdukurve, sepse për “asgjë të re nuk është rënë dakord”.

    Sipas saj, pothuajse për të gjitha pikat në Deklaratë ishin pajtuar më parë dhe është dashur të zbatohet nga Grupet Punuese brenda Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

    “Ne prisnim që puna të fillonte realisht, që janë rënë dakord për hapa konkretë. Për të gjitha këto janë rënë dakord më parë, por nuk janë respektuar. Gjithashtu prisja që të paktën nga një anëtar (nga familjet serbe dhe shqiptare të të zhdukurve) të jetë i pranishëm në mbledhjen kur është diskutuar për personat e zhdukur”, thotë Marinkoviq për REL-in.

    Çështja e të pagjeturve përmes marrëveshjeve dhe bashkëpunimit të mëhershëm
    Grupi i përbashkët punues për personat e pagjetur është themeluar në vitin 2004, nën kujdesin e përfaqësuesit special për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB).

    Mirëpo, komisionet për persona të pagjetur të Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë kanë akuzuar më së shumti njëri-tjetrin gjatë viteve të fundit dhe nuk ka pasur bashkëpunim konkret në kuadër të grupit të përbashkët punues në terren.

    Po ashtu, çështja e personave të pagjetur është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020, por përveç “harmonizimit të qëndrimeve” të të dyja palëve për atë çështje, nuk ka pasur ndonjë progres konkret.

    Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13.000 njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800.000 u zhvendosën dhe rreth 1.600 janë të zhdukur.

    Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi. Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1.000 mbetje mortore.

  • Mustafa: Kjo situatë më preokupon, Kurti të sqarohet për Vetmenaxhimin

    Mustafa: Kjo situatë më preokupon, Kurti të sqarohet për Vetmenaxhimin

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar politikat e kryeministrit, të Kosovës, Albin Kurti, rreth zhvillimeve të fundit karshi dialogut me Serbinë.

    “Ne kemi pritur gjithmonë një zgjidhje të tillë që marrëveshja e fundit të jetë marrëveshje përfundimtare dhe jo vetëm një marrëveshje që siguron qetësi, stabilitet, një status quo dhe asgjë tjetër. Kjo më preokupon, kjo situatë do të zgjasë dhe stërzgjasë çështjen e dialogut”, tha ai.

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se vetmenaxhimi i komunave është krejtësisht tjetër, që do të thotë se serbët kanë të drejta asimetrike në krahasim me komunitetet e tjera.

    Ai tha se Kurti duhet të sqarojë tek qytetarët se çka ka pranuar në Bruksel. “Duhet të sqarohet para qytetarëve se çka është ai vetmenaxhim, a është autonomi”, theksoi ai për transmetuesin publik. Sipas tij, me këtë marrëveshje serbët kanë një lloj ‘autonomie’.

    Kurse për LDK, Mustafa tha se ajo ka mbajtur një konstancë karshi dialogut. Ai tha se nuk mund të çojmë asnjë marrëveshje përpara pa partnerin tonë strategjik, SHBA-në.

  • Çfarë do të ndodhë me Kosovën nëse Rusia përdorë armët nukleare në Ukrainë?

    Çfarë do të ndodhë me Kosovën nëse Rusia përdorë armët nukleare në Ukrainë?

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në rast të një eskalimi të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, do të ishte një lajm i keq jo vetëm ëpr Evropën, por edhe për rajonin tonë, në këtë rast edhe për Kosovën.

    Sipas tij, nëse do të përdoreshin armët nukleare taktike nga ana e Rusisë, atëherë kjo do të ndikonte edhe në rajonin tonë duke pasur parasysh se gjeografikisht, ajo pjesë e Evropës nuk është larg nesh.

    “Do të ishte më mirë që të mjetet vetëm në kuadër të dezinformimit dhe propagandës, pavarësisht se çfarë kthese do të marrë lufta në aspektin territorial rreth Ukrainës, por sidoqoftë nëse kthesa e luftës do të shkojë siç edhe është komentuar gjerësisht në mundësinë e përdorimit të armëve nukleare taktike nga ana e Rusisë, sigurisht që ky eskalim shumë më i madh në atë pjesë të Evropës që nuk është shumë larg prej nesh, do të jepte ndikimet e veta edhe për rajonin tonë. Si i tillë, do të ishte një lajm i keq jo vetëm për Ukrainën edh Evropën, por nëse fokusohemi edhe kah rajoni i jonë, për Kosovën do të jetë një prej lajmeve të këqija, nëse lufta atje do të eskalojë dhe nëse ky rast edhe duket prej pamjeve që nuk ishte edhe aq serioz sa për të synuar vrasjen e presidentit të Rusisë a nëse ky do të jetë një moment i përdorimit të Rusisë për të kaluar me një fazë tjetër shumë më të rëndë, atëherë sigurisht që pjesa e Ballkanit do të jetë në shqetësime serioze të sigurisë”, tha Ramadani. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: