ATV

Tag: Ballina

  • ​Konjufca: Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia

    ​Konjufca: Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është pesimist se do të arrihet një zgjidhje për Asociacionin.

    Ai thotë se qëndrimet e palëve janë diametralisht të kundërta, andaj nuk pret diçka pa u demokratizuar Serbia. Sipas Konjufcës ajo çka është e mundshme për Kosovën për themelimin e këtij mekanizimi pa kompetenca ekzekutive, është e papranueshme për Serbinë.

    “Ajo çka është e mundshme për Kosovën dhe cilat janë vijat e kuqe për Kosovën, ato janë të papranueshme për Serbinë siç duket. Prandaj kaq larg dhe të papajtueshme janë pozicionet. Prandaj unë vërtet nuk pres diçka pa ndryshuar Serbia në drejtim të demokratizimit dhe shtetit atje. Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë. Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia, jo me këtë Serbi aktuale e cila është”, thotë ai.

    Duke vlerësuar shkarkimin e ekipit menaxhues që e ka hartuar draft-statutin e Asociacionit, Konjufca thotë se puna e tyre ka qenë në përputhje me interesat e Serbisë.

    “Prezantuan një Asociacion i cili është ‘Republikë serbe’ në Kosovë dhe shumë mirë që u shkarkuan. Kjo ka qenë edhe thirrja ime e mëhershme që të shkarkohet ekipi i menaxhimit, pasi nuk përfaqëson fare Kosovën. Ne jemi shtet, do të qëndrojmë shtet, jemi të sigurt në rrugën tonë dhe institucionet e Kosovës nuk mund t’i prezantojnë interesat e institucioneve të Serbisë. Ajo çka është e logjikshme, pritshme dhe kushtetuese është që t’i përfaqësojnë interesat e Kosovës. Ky nuk ishte rasti me ekipin menaxhues i cili është caktuar prej vitit 2018 në këtë përbërje”, shton Konjufca.

    Konjufca thekson se kushtëzimi për themelimin e Asociacionit me kthimin e serbëve në institucione nuk mund të zgjidh problemet.

    “Pa u kthyer serbët në institucione nuk mund të vazhdojë procesi në kuptimin e dialogimit, negociatave dhe kushtëzimeve që po i bëjnë tash për Asociacionin. Qëndrimi i QUINT-it ka qenë shumë i qartë, pranim i institucioneve të Kosovës, kthim në institucionet e Kosovës, pranim i kornizës kushtetuese në të cilën funksionon Kosova dhe pastaj kalojmë në hapa të tjerë. Duke kushtëzuar dhe thënë se ne nuk vijmë institucione të Kosovës, por na jepni fillimisht Asociacionin kjo nuk çon askund dhe kështu nuk mund të zgjidhen problemet”, thekson ai.

    Në takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel më 2 maj, është prezantuar draft-statuti i Asociacionit, nga ekipi menaxhues, tashmë i shkarkuar nga Qeveria e Kosovës.

    Pas takimit, kryeministri Kurti tha se ky draft-statut është i papranueshëm për Kosovën, derisa bëri të ditur se ka paraqitur një draft-vizion për themelimin e Asociacionit.

    Në anën tjetër, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ky draft-statut për Asociacionin nuk është final, mirëpo do të jetë një pikënisje për diskutimet e mëtutjshme.

  • Shpërthim afër stacionit të policisë në veri

    Shpërthim afër stacionit të policisë në veri

    Një shpërthim në afërsi të stacionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    “Si pasojë është dëmtuar një veturë dhe një shtyllë elektrike. Policia është duke e trajtuar rastin si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’”, është shprehur Elshani.

  • Ferizaj, ndezën qirinjtë në kujtim të viktimave të luftës në Kosovë

    Ferizaj, ndezën qirinjtë në kujtim të viktimave të luftës në Kosovë

    Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt dhe shoqëria civile kanë organizuar një aktivitet të veçantë për të nderuar dhe përkujtuar 1432 viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

    Në këtë aktivitet që u mbajt në sheshin qendror të Komunës së Ferizajt, janë ndezur qirinjtë për t’i nderuar viktimat dhe për t’i dhënë një mesazh të fortë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

    “Ky aktivitet ka si qëllim të ndikojë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe për të nderuar dhe respektuar të gjithë ata që kanë humbur jetën gjatë kohërave të vështira dhe të dhimbshme për Kosovën dhe popullin tonë”, thuhet në njoftimin e bërë nga Komuna e Ferizajt.

    Organizatorët e këtij aktiviteti, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë, kanë bërë thirrje për të gjithë qytetarët për të ndërgjegjësuar dhe mobilizuar në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe paqes në Kosovë.

    Në këtë aktivitet ishin prezentë përfaqësues të Kuvendit të të Rinjve të Ferizajt, shoqërisë civile dhe të rinjtë nga Ferizaj. Ky aktivitet është një tregues i vazhdueshëm i përkushtimit të shoqërisë civile dhe të rinisë për të ndërtuar një Kosovë të qëndrueshme, të ndershme dhe të bashkuar, duke përkujtuar 1432 viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

    Organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij aktiviteti kanë dëshiruar të theksojnë se rinia e Kosovës nuk do t’i harrojë viktimat e luftës dhe se ata vazhdojnë të angazhohen në veprimtaritë e tyre për të ndihmuar në ndërtimin e një Kosove paqësore, demokratike dhe të qëndrueshme.

  • ​Kurorëzimi i Mbretit Charles III, mbi 2 mijë të ftuar nga 203 vende, mes tyre Presidentja Osmani

    ​Kurorëzimi i Mbretit Charles III, mbi 2 mijë të ftuar nga 203 vende, mes tyre Presidentja Osmani

    Më shumë se 2.200 të ftuar, përfshirë krerë shtetesh, emra të famshëm dhe organizata humanitare nga 203 vende si dhe anëtarë të familjes mbretërore, do të marrin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të mbretit të Britanisë së Madhe, Charles III.

    Mbreti Charles dhe gruaja e tij Camilla do të kurorëzohen sot në Westminster Abbey në Londër. Në kurorëzimin e Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 1953 morën pjesë më shumë se 8.200 të ftuar.

    Princi William dhe gruaja e tij Kate, si dhe motra dhe vëllai i mbretit Charles, Princesha Anne dhe Princi Edward, do të marrin pjesë në ceremoni.

    Princi Harry ka konfirmuar se do të marrë pjesë në ceremoni, por jo edhe gruaja e tij Meghan. Në mesin e të ftuarve që do të marrin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit do të jenë edhe liderë botërorë dhe figura të rëndësishme politike.

    Përveç kryeministrit britanik Rishi Sunak, në ceremoni do të marrin pjesë ministra dhe anëtarë të Dhomës së Lordëve si dhe ish-kryeministrat britanikë si Liz Truss dhe Tony Blair si dhe kryeministri skocez Hamza Yusuf.

    Në mesin e figurave politike që do të marrin pjesë në ceremoninë që do të mbahet në Londër janë presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri australian Anthony Albanese, kryeministri i Zelandës së Re Chris Hipkins dhe presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE) Ursula von der Leyen.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjithashtu do të jenë të pranishëm në këtë ceremoni.

    Presidenti i SHBA-së, Joe Biden nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, por gruaja e tij Jill Biden do të jetë e pranishme në emër të vendit të tij. Gjithashtu në ceremoni pritet të marrin pjesë edhe udhëheqësit fetarë dhe përfaqësuesit e Komonuelthit të Kombeve.

    Ndër anëtarët e familjeve mbretërore të vendeve të tjera, të cilët janë në Londër për të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, do të jenë Princi Albert i Monakos dhe gruaja e tij Princesha Charlene, Mbreti i Spanjës Felipe dhe gruaja e tij Mbretëresha Letizia, Princi i Kurorës së Japonisë Akishino dhe gruaja e tij Princesha Kiko.

    Mbreti Charles dhe gruaja e tij Camilla ftuan 850 përfaqësues të komunitetit në ceremoninë e kurorëzimit për shkak të punës së tyre humanitare.

  • Prishtina teston sot alarmin publik

    Prishtina teston sot alarmin publik

    Sot, në Prishtinë do të bëhet testimi i radhës i sistemit të alarmit publik.

    Siç ka informuar Komuna e Prishtinës, testimi i sistemit të alarmit publik do të bëhet nga ora 12:05, me zë të njëtrajtshëm, dy herë nga 30 sekonda.

    “Ju njoftojmë se ditën e shtunë, me datë 06 maj 2023, duke filluar nga ora 12:05 do të bëhet testimi i radhës i Sistemit të Alarmit Publik më zë të njëtrajtshëm dy herë nga 30 sekonda”, është bërë e ditur në njoftim.

  • 24 vjet nga vrasja e Fehmi Aganit

    24 vjet nga vrasja e Fehmi Aganit

    Sot, bëhen 24 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.

    Agani është vrarë me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.

    Figura e Aganit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani ka qenë njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike.

    Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, ai ka tentuar të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni është kthyer mbrapsht. Diku afër Fushë-Kosovës, policia ka ndaluar trenin dhe ka urdhëruar të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp, kanë bërë të ditur se Agani është marrë ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij është gjetur të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

    Për nder të profesor Aganit, vite më parë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

    Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi.

  • Të drejtat e grave në nivel jo të kënaqshëm/ Haxhiu: Pa barazia vjen si rezultat i mos pavarësisë ekonomike

    Të drejtat e grave në nivel jo të kënaqshëm/ Haxhiu: Pa barazia vjen si rezultat i mos pavarësisë ekonomike

    “Gratë, të drejtat e grave dhe studimet gjinore” ishte tema që u trajtua në konferencën e organizuar nga Kolegji AAB, ku ndër të ftuarat ishte edhe Minsitrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në prezantimin e saj në ditën e parë të kësaj konferenca dy ditore, Haxhiu foli për dy nga aspektet e diskriminimit të grave në procesin e zbatimit të ligjit.

    “Gjendja në praktikë të zbatimit te ligjeve është e rëndë. Edhe sa i përket ndarjes se tokës e trashëgimisë se pastaj nuk i flet vllau ose baba. Një prej fenomeneve me së shumti qe përballet është dhuna në familje, dhuna në baza gjinore këto janë fenomene qe po përballemi shumë. Ka një emancipim shoqëror për raportim të dhunës, por, ende një numër i vogël raportojnë dhunën sepse besojnë se s’ka besim ne institucione dhe në anen tjetër mungesa e pavarësisë ekonomike”, tha Haxhiu.

    Nga ana e tij Zëvendës-rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, tha se për këtë institucion, tema të tilla, trajtohen shpesh me qëllim vetëdijesimit të shoqërisë.

    “TemaT me barazi gjinore janë tema qe trajtohen me seriozitet duke qene institucion serioz dëshira është të i ngrisim sa më shumë këto tema”, tha Vehapi.

    Edhe organizatorja e kësaj konference Uranela Demaj, njëherësh profesoreshë e këtij Kolegji tha se konferenca të tilla janë të një rëndësie të madhe.

    Konferencën e sotme e vlerësuan edhe studentët e Kolegjit AAB, që morën pjesë.

    Pabarazia në punë në dëm të grave u përmend si tjetër aspekt i shkeljes së të drejtave të tyre. /atvlive.tv

  • ZRRE gjobitë KEK-un dhe KOSTT-in

    ZRRE gjobitë KEK-un dhe KOSTT-in

    Zyra e Rregullatorit për Energji gjobiti me 3.2 milionë euro Korporatën Energjetike të Kosovës dhe me 439 mijë euro Operatorin Sistemit e Transmisionit dhe Tregut.

    Edhe pse arsyet zyrtare të gjobave të lidhura me raportet e monitorimit vjetor nuk janë publikuar, ATV-ja merr vesh se ndër të tjera ato lidhen me tregtimin me operatorë të pa-licencuar.

    Vitin e kaluar, ATV-ja raportoi se KEK-u dhe KESCO-ja, gjatë periudhës së subvencionimit të importit të energjisë, kishin tregtuar me kompaninë e pa-licencuar Holding Slovenske Elektrarne – HSE, gjë që ishte konfirmuar edhe në komisionin hetimor parlamentar.

    Në mbledhjen e katërt të bordit, Rregullatori i Energjisë, po ashtu, konfirmoi borxhet në vlerë totale rreth 20 milionë euro, që KESCO dhe KEDS i kanë KOSTT-it.

    Në muajin Mars, ZRRE kishte aprovuar ankesat e KOSTT-it në ndaj KEDS-it dhe KESCO-s, lidhur me pretendimet për prishje të balancave gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator, vitin e kaluar.

    Për këto arsye, KEDS-i detyrohet t’i paguajë KOSTT-it borxhin në vlerë 8.5 milionë euro, ndërsa KESCO detyrohet të paguaj 11.4 milionë Euro. /atvlive.tv

  • Vrasja e trefishtë në Deçan, ngitet aktakuzë ndaj babait dhe dy djemve të tij

    Vrasja e trefishtë në Deçan, ngitet aktakuzë ndaj babait dhe dy djemve të tij

    Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Sahide Gashi, ka njoftuar se është ngritur aktakuzë për tragjedinë e Gllogjanit, ku ishin vrarë tre persona.

    Aktakuza është ngritur ndaj Kastriot Mehmetajt dhe Kreshnik Mehmetajt.

    “Ju njoftoj se pas hetimeve, Prokuroria sot me datë 5 maj ka ngritur aktakuzë kundër Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj për veprën penale si bashkëkryer së vrasjes së rëndë”, ka deklaruar Gashi.

    Ndërsa ndaj Halil Mehmetajt, Gashi ka thënë se është ngritur aktakuzë për vepren penale “shtytje në vrasje të rëndë”, derisa për Malsor Mehmetajt kanë pushuar hetimet, meqë Prokuroria “nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në përgatitjen, ndihmë apo zbatimin e aktit të krimit”.

    Si kishte ndodhur rasti?

    Vrasja e trefishtë u krye mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021, pak para orës 19:00. Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov. U vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

    Fillimisht u përfol për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla.

    Dy ditë pas rastit tragjik, Qeveria e Kosovës, bashkë me Policinë kishin njoftuar se do të ofrojnë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion që mundëson arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Deçan.

    Të nesërmen, Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë kishte thënë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit.

    “I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, kishte thënë për REL, prokurorja e rastit, Sahide Gashi.

    Tek më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, doli në konferencë për media dhe njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.

    Një tjetër i dyshuar për këtë rast ishte arrestuar në shkurt të vitit të kaluar, e që sipas raportimeve në media, është familjar i tre personave që ishin arrestuar më parë.

    Për motivin nuk është dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare, por në medie është përfolur disa herë si pistë hetimi vetëvrasja e një të reje para dusa vitesh, për të cilën dikush e fajësonte shoferin e autobusit.

    Ajo që kishte kryer vetëvrasje ishte vajza/motra e të dyshuarve për sulmin ndaj autobusit.

  • Apeli refuzon kërkesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Apeli refuzon kërkesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), përmes platformës online “zoom”, në konferencë për medie, ka thënë se Paneli i Gjykatës së Apelit ka refuzuar ankesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    ‘‘Të mërkurën, më 26 prill 2023 Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelet e 20 personave për të marrë pjesë në proces gjyqësor si viktima të cilët kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku u refuzua kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerëve’’, tha ajo.

    Sipas saj, Paneli ka vendosur se personat mund të dorëzojnë sërish kërkesë në qoftë se i paraqesin informacione të reja trupit gjykues.

    Ajo tha se apelet janë dorëzuar nga dy mbrojtës që përfaqësojnë 20 personat të cilëve iu refuzuan kërkesat.

    Tutje, ajo tha se në të njëjtën çështje gjyqësore më 28 prill trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) për miratimin e një procedure për rastet kur mund të dal aspekti i vetë inkriminimit nga vet dëshmitari në bazë të rregullës 151.

    ‘‘Trupi gjykues është i mendimit se rregulla 43 dhe 151 të marra së bashku me paragrafin 97 v të urdhrit për zhvillimin e gjykimit e rregullojnë siç duhet aspektin e vet inkriminimit të mundshëm nga dëshmitarët në këtë fazë të procesit gjyqësor’’, tha Griep.

    Ajo tha se në bazë të rregullit 151 një dëshmitar mund të kundërshtojë të japë dëshmi që mund ta inkriminojë, megjithatë trupi gjykues mund të detyrojë një dëshmitar të dëshmojë, për shembull nëse dëshmitari do të japë dëshmi unike për çështjen gjyqësore.

    ‘‘Në një rast të tillë trupi gjykues duhet t’i jap garanci dëshmitarit se gjykata nuk do të veprojë lidhur me vet inkriminimin para dhënies së dëshmisë’’, shtoi Griep.

    Ajo po ashtu, njoftoi se më 1 maj 2023 dhe në vijim të vendimit nga trupi gjykues, administratorja përfundoi emërimin e David Young si mbrojtës të Rexhep Selimit dhe caktoi Geoffrey Roberts si mbrojtës zëvendësues.

    Tutje tha se, seancat në këtë çështje do të rinisin më 10 maj 2023, duke filluar nga ora 09:00.

    Kurse, lidhur me gjykimin e Pjetër Shalës, Griep tha se dëshmitari i pestë dhe i gjashtë të thirrur nga Prokuroria kanë përfunduar dhënien e dëshmive të tyre dhe se të dy dëshmitarët kanë dhënë dëshmitë me masa mbrojtëse përmes video-lidhjes.

    Ajo gjithashtu njoftoi për krijimin e Panelit të Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesat e mbrojtjes së ligjshmërisë së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj.

    ‘‘Sipas ligjit, z. Gucati dhe z. Haradinaj mund të parashtrojnë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në afat prej 3 muajsh që nga aktgjykimi përfundimtar në përgjithësi. Mund të përcaktohet paneli i Gjykatës Supreme nëse parashtrohet kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë nga njëra nga palët nëse paneli i Apelit në aktgjykimin e vet ka rrëzuar lirimin dhe në vend të kësaj ka marr dënim dënues ose kur shqiptohet një vendim me burg të përjetshëm nga paneli gjyqësor ose paneli i Apelit’’, tha ajo lidhur me këtë çështje.

    Në fund të konferencës, ajo tha se DhSK ka organizuar një seminar për gazetarët e Kosovës e cila u mbajt nga dy gazetarë të pavarur me shumë përvojë në raportimin e gjykimeve.