ATV

Tag: Ballina

  • Jetesa në mes të mykut e insekteve në ish-objektin e spitalit të mushkërive

    Jetesa në mes të mykut e insekteve në ish-objektin e spitalit të mushkërive

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI  

    Shaip Bela, tash e 5 vjet, jeton i vetëm mes këtyre katër mureve në ish-objektin e spitalit të mushkërive në Kaçanik. Ai u vendos aty përkohësisht, me shpresën se do te kalojë në objektin e ri te banesa e socialit.

    Na kanë thanë për një banesë, në Kaçanik të Vjetër. Unë jam regjistru që 10-15 vite, por kurgja s’ka. Këtu janë familjet që kanë rast social edhe unë jam me social, e po presim çka po bohet a po na lëshojnë.

    Jeta në një objekt ku ka insekte e myk në secilin cep është shumë e vështirë për Belën, por thotë se është i detyruar të jetojë në të, sepse nuk ka zgjidhje tjetër.

    Jeta në këtë objekt është shumë e vështirë se ka shumë insekte. Jam detyru me ardhë këtu se s’kam pasë mundësi me pagu qira e për banesë e kom pyt komunën, m’kanë thanë hin veç mos dëmto kurgja.

    Sabedin Vishi, nënkryetar i komunës së Kaçanikut, fajin për vonesën e projektit të banesave të socialit ia lë Qeverisë. Sipas tij, ekzekutivi nuk e ka ndarë buxhetin me kohë.

    Projekti ka qenë në bashkëfinancim me Qeverinë. Qeveria është zotuar, por nuk ka mundur t’i bëjë ato pagesa dhe krejt kjo vonesë është bërë për shkak të mjeteve financiare.

    Ndërkaq, në banesat e socialit, përfituese do të jenë 36 familje që janë në asistencë sociale.

     

  • Qeveria nuk do të formojë ekip të ri menaxhues

    Qeveria nuk do të formojë ekip të ri menaxhues

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend të formojë ekip të ri menaxhues, për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Pas shkarkimit të atij paraprak, i cili në Bruksel prezantoi draftin që u refuzua nga kryeministri Albin Kurti, sipas ekzekutivit tashmë diskutimet zhvillohen ne nivel politik.

    “Drafti i propozuar është i papranueshëm dhe shpreh vetëm dëshirat e Serbisë për të dëmtuar funksionalizimin e shtetit të Kosovës. Në takim, Kryeministri Kurti propozoi vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes bazë. Tashmë diskutimi është i bartur vetëm në nivelin politik. Në vijim, pritet të zhvillohet dhe takimi në nivelin e kryenegociatorëve për të diskutuar në tërësi rreth vijimësisë së implementimit të pikave të marrëveshjes për normalizim dhe aneksit të zbatimit.”

    Teksa e përshëndeti shkarkimin e katër anëtareve të propozuar nga Serbia, kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk pret që palët të pajtohen me propozimet e njëra-tjetrës.

    “Ajo çka është e mundshme për Kosovën dhe cilat janë vijat e kuqe për Kosovën, ato janë të papranueshme për Serbinë siç duket. Prandaj kaq larg dhe të papajtueshme janë pozicionet. Prandaj unë vërtet nuk pres diçka pa ndryshuar Serbia në drejtim të demokratizimit dhe shtetit atje. Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë.”

    Pajtueshmëri mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket formimit të Asociacionit nuk pret as profesori universitar Milazim Krasniqi i cili kërkon themelimin e ekipit të ri menaxhues.

    “Ai draft nuk duhet që të jetë bazë për diskutime dhe duhet që të formohet një komision tjetër i cili do të duhet që të formohet me njerëz që në fakt e pranojnë qeverinë e Kosovës. Sepse ky Komision, ekipi menaxhues nuk kanë pranuar që të komunikojnë as me telefon me ministrin Elbert Krasniqi, prandaj ka shumë punë në këtë aspekt”.

    Derisa, Qeveria e Kosovës lirimin nga detyra të ekipit menaxhues e arsyetoi me përfundim të mandatit pas prezantimit të draftit, Bashkimi Evropian e vlerësoi në kundërshtim me frymën e dialogut.

  • ​Qeveria: Serbia ka shkelur tetë nene të marrëveshjes bazike dhe një të planit të Zbatimit

    ​Qeveria: Serbia ka shkelur tetë nene të marrëveshjes bazike dhe një të planit të Zbatimit

    Brenda dy javëve pas dakordimit në Bruksel, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjen Bazike, preambulën e saj dhe një nen të Planit të Zbatimit.

    Kështu ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ku ka postuar një përmbledhje, në gjuhën shqipe, e të gjitha shkeljeve të Serbisë.

    “Shkelje këto që kryeministri Kurti i prezantoi para ndërmjetësve evropianë në takimin e 2 majit në Bruksel”, ka shkruar ai.

  • Osmani përshëndet kurorëzimin e Mbretit Charles, uron për forcim të aleancës

    Osmani përshëndet kurorëzimin e Mbretit Charles, uron për forcim të aleancës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla, në kurorëzimin e tyre si monarkët e rinj të Mbretërisë së Bashkuar.

    Duke ndarë disa fotografi nga ceremonia, Osmani ka thënë se aleanca mes dy vendeve uron të vazhdohet gjatë mbretërimit të Mbretit Charles.

    “Urimet tona të përzemërta për Madhëritë e Tyre Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla për këtë kurorëzim historik. Aleanca midis dy vendeve tona dhe lidhjet midis popujve tanë u forcofshin gjatë mbretërimit të Mbretit!” ka shkruar Osmani në Twitter.

  • Kolonelja nga Policia e Kosovës, pjesëmarrësja e parë ndërkombëtare në kursin për lidership në SHBA

    Kolonelja nga Policia e Kosovës, pjesëmarrësja e parë ndërkombëtare në kursin për lidership në SHBA

    Kolonelja e Policisë së Kosovës, Afërdita Mikullovci, ka marrë pjesë në sesionin e 16-të të kursit të udhëheqjes/lidershipit së Departamentit të Sigurisë Kombëtare në Glynco, Georgia (Shtetet e Bashkuara të Amerikës).

    Sipas njoftimit të policisë, kursi i lidershipit i mbajtur nga 24 prill deri 4 maj 2023, ku pjesëmarrës ishin 27 udhëheqës/drejtues të policisë shtetërore, lokale dhe të qarkut të Shteteve të Bashkuara dhe Kolonel Mikullovci si delegatja/pjesëmarrësja e parë ndërkombëtare.

    “Pjesëmarrja e Kolonel Mikullovcit u bë e mundur përmes bashkëpunimit dhe financimit të përbashkët nga Departamenti i Drejtësisë, Programit Ndërkombëtar për Asistencë dhe Trajnim për Hetimet Penale  (DOJ-ICITAP) dhe Qendra Federale e Trajnimit për Zbatimin e Ligjit (FLETC)”, thuhet në komunikatën për media.

    Kolonel Mikullovci bëhet e ditur se ishte përzgjedhur nga kandidatët e nominuar të ICITAP në mbarë botën. Ajo theksoi se ndihet e privilegjuar për mundësinë e dhënë dhe është krenare për pjesëmarrjen e Policisë se Kosovës në këtë trajnim si pjesëmarrësja e parë ndërkombëtare.

    “Shkëmbimi i përvojave edhe njohuritë e fituara në këtë kurs, ashtu siç mund të them është edhe motoja/mantra e kursit të “Lead by Heart- Udhëheq nga zemra” do të thotë të vendosësh njerëzit në radhë të parë, t’i shërbesh komunitetit dhe të  shërbesh me përkushtim për vendin dhe qytetarët”, u shpreh ajo.

  • Kurorëzohet Mbreti Charles III

    Kurorëzohet Mbreti Charles III

    Për herë të parë në shtatë dekada, një monark i ri britanik është kurorëzuar zyrtarisht.

    Kryepeshkopi i Canterbury Justin Welby vendosi kurorën e Shën Eduardit mbi kokën e Charles III, pjesa më e rëndësishme e shërbimit të kurorëzimit.

    Ndërsa përgatitej ta bënte këtë, Uelbi tha: “Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotëve, bekoje, të lutemi, këtë kurorë, dhe kështu shenjtëro shërbëtorin tënd Charles, mbi kokën e të cilit sot e vendos atë si një shenjë madhështie mbretërore, që ai të kurorëzohet me favorin tënd të hirshëm dhe të mbushet me hir të bollshëm dhe të gjitha virtytet princërore; nëpërmjet atij që jeton dhe mbretëron suprem mbi të gjitha gjërat, një Perëndi i vetëm, botë pa fund. Amen.”

    Pasi kurorëzoi Mbretin, Welby tha: “Zoti e ruaj mbretin”.

  • Pesëvjeçari me autizëm sulmohet nga qentë endacakë, flet nëna e tij: Shpëtoi për pak

    Pesëvjeçari me autizëm sulmohet nga qentë endacakë, flet nëna e tij: Shpëtoi për pak

    Pasditen e së martës pesëvjeçari D.K. është sulmuar nga qentë endacakë në afërsi të shtëpisë së tij. Ai ka marrë lëndime në disa pjesë të trupit, ku më pas iu është nënshtruar intervenimeve kirurgjike.

    Nëna e tij, Selvetja tregon se si ka ndodhur rasti, teksa thekson se është e shqetësuar për gjendjen e djalit Veç këtij rasti, ajo thotë se janë gjithmonë të rrezikuar nga sulme të tilla.

    Tash e sa vjet, Selvetja tregon se kanë telashe me numrin e madh të qenve endacakë në lagjen ku jeton në Milloshevë të Obiliqit.

    Tutje, Selvetja tregon për KosovaPress se djali i saj është ndihmuar nga një punëtor në afërsi të shtëpisë së saj.

     

    Nga e marta, pesëvjeçari që është edhe me autizëm po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë pas lëndimeve që ka marrë në shumë pjesë të trupit.

    “Djali jem është me autizëm dhe normalisht nuk ka ditur të mbrohet. Edhe ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Kur e kemi marrë, ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Ka plagë prapa veshit, në kokë, në kukë. Është shumë i lënduar. Kemi shkuar fillimisht në Obiliq, aty kemi ardhur me ambulantë deri në Prishtinë. Këtu i kanë dhënë menjëherë ndihmën, kanë bërë intervenime, ka qepje nëpër trup. Tash ka filluar të marrë vetën, por ka trauma, si të fle vazhdimisht ka trauma, qanë. Është shumë i shqetësuar.”, tregon nënë Selvetja.

    Selvetja lutet që të mos përsëriten më raste të tilla, as për fëmijët të tjerë të lagjes.

    Pesëvjeçari nga Millosheva e Obiliqit do të vazhdojë të trajtohet edhe disa ditë në Klinikën Infektive të QKUK-së.

  • Gërvalla thërret për aplikim “diplomatët e rinj”

    Gërvalla thërret për aplikim “diplomatët e rinj”

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka bërë ftesë për aplikim në konkursin për diplomatët e rinj.

    “Edhe pak më shumë se 12 orë kanë mbetur për të aplikuar në konkursin e hapur për 30 diplomatë të rinj. Më në fund, pas shumë sfidash dhe barrierash të panevojshme, kemi arritur të hapim dyert e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe të diplomacisë për profesionistë të të gjitha moshave, të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës”, është shprehur ajo.

    Sipas saj, reformat e thella që janë bërë mundësojnë shtimin e dukshëm të numrit të diplomatëve të rinj.

    “Ju ftoj të aplikoni sot, duke ju siguruar që procesi do të jetë rigoroz, ndoshta i vështirë dhe kërkesat e larta, por meritokracia kriteri i vetëm për përzgjedhjen e më të mirëve, sepse Kosova e meriton të përfaqësohet në botë nga më të mirët e këtij vendi”.

    Afati i fundit për aplikim është: 6 maj 2023, ora, 23:59.

  • ​Osmani: Sjellja e vrasësve të Aganit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

    ​Osmani: Sjellja e vrasësve të Aganit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar akademik Fehmi Aganin, në 24-vjetorin e vrasjes.

    Ajo është shprehur se vizioni dhe trashëgimia e Aganit për Kosovën do të jetë frymëzim për brezat.

    Osmani ka potencuar se sjellja e autorëve të vrasjes së Aganit para drejtësisë është përkushtim i tyre i vazhdueshëm.

    “Sot e kujtojmë me respekt akademik Fehmi Aganin, figurën emblematike të lëvizjes për lirinë e Kosovës, njeriun që përkushtimin e tij ndaj dijes e arsimit e kombinoi me aktivitetin politik, duke qenë dorë e djathtë e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, me të cilin u angazhua deri në vdekje në përmbushjen e idealit për Kosovën shtet të pavarur. Më 6 maj të vitit 1999, në agun e lirisë, vizionari e përbashkuesi, akademik Agani u vra mizorisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë. Vizioni dhe trashëgimia e tij për Kosovën do të jetë frymëzim për brezat. Kujtimi për akademik Aganin do të jetë i përhershëm, kurse sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë përkushtim i yni i vazhdueshëm!”, është shprehur Osmani.

    Sot, bëhen 24 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.

    Agani është vrarë me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.

    Figura e Aganit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani ka qenë njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike.

  • ​AAPSK me pasuri të sekuestruar për më shumë se një dekadë

    ​AAPSK me pasuri të sekuestruar për më shumë se një dekadë

    Rreth 350 vetura të sekuestruara në depon e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar (AAPSK) presin vendim për konfiskim ose kthim tek pronari. Prej tyre ka vetura që tashmë kanë mbushur edhe dekadën në pritje të një vendimi gjyqësor, gjë që ka bërë që të njëjtat të zhvlerësohen.

    Përpos veturave, Agjencia përkujdeset edhe për pasuri të tjera të sekuestruara siç janë stolitë e arit, telefonat, gjësende të tjera të vlefshme apo edhe për substancat narkotike. Ndërsa paratë ruhen në Bankën Qendrore të Kosovës, ndërsa pronat e paluajtshme shpeshherë u jepen në shfrytëzim institucioneve.

    Sipas raportit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, viti 2022 karakterizohet sërish me sukses relativ në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale. Përderisa sipas raportit, sekuestrimi shënon një rritje jo vetëm ndaj vitit 2021, konfiskimi paraqet një zbritje të lehtë në krahasim me vitin 2021.

    “Në vitin 2022, prokuroritë kanë ngrirë/sekuestruar 20,728,945.42 euro dhe 669,765,14 euro të konfiskuara… Po në këtë vit (2022) janë raportuar 37 raste me konfiskim përfundimtar që paraqet një rekord të të gjithë këtyre viteve, sa i përket numrit të rasteve të përfunduara me konfiskim”, thuhet në raport.

    Ndërsa vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar thonë se vlera e përafërt e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara është rreth 160 mijë euro.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të pranimit, vlerësimit, ruajtjes së vlerës dhe shitjes së pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, Alban Sutaj thotë se përgjatë periudhës janar – mars 2023 kanë pranuar 22 vendime gjyqësore, prej tyre nëntë për sekuestrim dhe 13 për konfiskim.

    “Në vitin 2022 ne kemi pranuar gjithsej 104 vendime, prej tyre 39 vendime për sekuestrim, 64 për konfiskim dhe një për ngrirje. Ndërsa gjatë periudhës janar-mars (2023) kemi pranuar 22 vendime gjyqësore, prej tyre 9 për sekuestrim dhe 13 për konfiskim. Vlera e përafërt për këtë periudhë (janar-mars) është 159 mijë e 798 euro… Po ashtu, kemi zhvilluar edhe 12 procedura të ankandit, d.m.th. shitjes së pasurive konform procedurave gjyqësore, kemi bërë 15 kthime të pasurive dhe iu kemi dhënë edhe 13 pasuri në shfrytëzim institucioneve të ndryshme”, deklaroi Sutaj.

    Mirëpo, fakti që ka një diferencë kaq të madhe mes pasurisë së ngrirë e sekuestruar dhe asaj të konfiskuar me aktgjykim përfundimtar përbën një shqetësim për Lavdim Makshanan, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

    Edhe në raportin kombëtar për luftimin e krimit ekonomik për vitin e kaluar theksohet se, situata në sferën e konfiskimit mund dhe duhet të përmirësohet. Sipas të njëjtit raport,me një angazhim më të madh, shifra prej 37 rastesh të konfiskimit përfundimtar duhet të kalojë në mbi 100 raste të tilla në vit pasi një gjë e tillë është e arritshme.

    “Nëse i referohemi raportit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, i bie që vlera e pasurisë së sekuestruar gjatë vitit 2022 ka shënuar ngritje në raport me vitet e kaluara. Është diku rreth 21 milionë, pasuria e sekuestruar nga ana e Prokurorisë. Ekziston një shpërputhje mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar për shkak se nëse iu referohemi këtyre statistikave, pasuria e cila është konfiskuar me vendim përfundimtar, kap vlerën diku 669 mijë euro, që i bie që është goxha diskrepancë mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar”, thotë ai.

    Pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara mund të shiten në ankand, t’iu jepen në shfrytëzim institucioneve ligjzbatuese apo edhe t’i kthehen pronarit të tyre, varësisht vendimit përfundimtar të gjykatës.

    Mirëpo, ajo asnjëherë nuk i shitet pronarit pasuria e të cilit është konfiskuar.

    “Ne nuk i shesim pronarit pasuri të konfiskuar, iu shesim vetëm palëve të treta… Pronarit të cilit i është sekuestruar pasuria, nuk i shitet pasuria… Nuk ka të drejtë të marrë pjesë në ankand publik”, thotë Sutaj.

    Gjykatat konsiderohet se po vonohen në marrjen e vendimeve për konfiskim përfundimtar, duke bërë që shumë pasuri të sekuestruara të mbesin në pritje.

    Kjo theksohet edhe në raportin kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, që thuhet se sfidë mbetet fakti i zhvlerësimit të madh të shumë aseteve për shkak, qoftë të ngurrimit të gjyqtarëve për t’i shitur ato, qoftë për shkak të evidentimit të tyre si provë apo edhe arsyetimit jo të duhur të kërkesave për shitje.

    “Atyre (pasurive të sekuestruara) normal që iu bie vlera ndër vite. Dhe, ne jemi duke kërkuar që ato të shiten sa më herët dhe ne të ruajmë kundërvlerën e tyre… Në procedura gjyqësore ne nuk mund të interferojmë… Gjykatat po vonojnë që të marrin vendime për konfiskim… Rreth 350 vetura të sekuestruara në depon e AAPSK-së presin vendim për konfiskim ose kthim tek pronari… Ka ndoshta një pasuri që mund të rrijë deri në 4 vjet në depot e AAPSK-së apo edhe më gjatë, variojnë”, thotë Sutaj.

    Të njëjtën gjë e thonë edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), organizatë kjo që monitoron sistemin e drejtësisë.

    “Ajo që ndodh zakonisht në gjykatat tona është që asetet të cilat konfiskohen mbeten nën administrim të Agjencisë për shkak të stërzgjatjes së procedurave gjyqësore. Pra, meqenëse nuk ka përfundime të procedurave gjyqësore, edhe asetet ngadalë shkatërrohen dhe zhvlerësohen në njëfarë mënyre, dhe nuk kanë vlerë të madhe sikurse në momentin kur janë sekuestruar. Pastaj, është goxha problem edhe për Agjencinë, sepse duhet të bëhet edhe mirëmbajtja e atyre aseteve, normalisht që kjo krijon shpenzime për Agjencinë, në momentin kur nuk ka vendime përfundimtare nga ana e gjykatës për shitjen e aseteve”, thotë Makshana.

    Gjatë tërë vitit 2022, është e dhëna se konfiskimet, ngrirjet dhe sekuestrimet kanë ndodhur për vepra të ndryshme penale, duke përfshirë vepra penale kundër korrupsionit. Gjithsej, 57 prokurorë janë përfshirë në sekuestrim apo ngrirje të pasurisë në raste të ndryshme.

    Nga 37 rastet me konfiskim përfundimtar, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka iniciuar 17 raste, Prokuroria Speciale dy raste, ajo e Prishtinës 5 raste, Prokuroria e Ferizajt 3 raste, ajo e Pejës 1 rast ndërsa Prokuroria e Gjakovës 9 raste.

    Prokuroria Speciale ka sekuestruar: 4 automjete, 3 lokale afariste, para, pajisje teknologjike. Prokuroria e Pejës ka të sekuestruar: 10 automjete, para, telefona, masë drunore. Prokuroria e Prishtinës ka të sekuestruar: 7 automjete, para, telefona, naftë, pajisje teknologjike.

    Prokuroria e Mitrovicës ka të sekuestruar: 2 automjete, para, telefona, pajisje teknologjike. Prokuroria e Ferizajt ka sekuestruar: 11 automjete, stoli ari, para, telefona, veshëmbathje, artikuj ushqimor. Prokuroria e Gjilanit ka sekuestruar: 8 automjete, prona, ari, argjend, para, masë drunore, kafshë, telefona, duhan.

    Prokuroria e Gjakovës ka sekuestruar: 22 automjete, 1 kamion, 2 eskavatorë, para, telefona, pajisje teknologjike, pije alkoolike, ndërsa Prokuroria e Prizrenit ka sekuestruar: 17 automjete, 1 rolex, lira, para, telefona.

    Mirëpo, Makshana thotë se rastet kur ka vendim për konfiskim janë kryesisht të natyrave të lehta, ndërsa për rastet e veprave të korrupsionit apo të terrorizmit janë shumë pak.

    “Nëse e shohim me vitet e kaluara, nuk ka ndonjë ngritje të madhe në rastet konkrete për pasuritë e konfiskuara, kjo për shkak se siç e dimë në vendin tonë procedurat janë të tejzgjatura, pastaj zvarriten rastet gjyqësore, por edhe këto rastet që janë konfiskuar janë zakonisht raste të vogla dhe nuk janë raste nga të cilat vepra penale ka pasur keqpërdorime shumë më të mëdha, për shembull, veprat penale të korrupsionit, veprat penale të shpëlarjes së parasë, veprat penale të terrorizmit, ku ka pasuri të fituar në mënyrë të jashtëligjshme apo dikush ka pasur dobi pasurore nga një pozitë të cilën e ka mbajtur. Pra, në këto raste, nuk ka pasur vendime përfundimtare nga ana e gjykatave. Edhe në ato raste kur ka pasur, ka pasur shumë pak. Prandaj, edhe diskrepanca mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar është shumë e madhe”, deklaroi Makshana.

    Sipas të dhënave të raportit për krimet ekonomike nga 37 vendimet e konfiskimit, 10 raste janë për “falsifikim të dokumenteve”, 10 raste për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuuar të naroktikëve…”, 4 raste janë “kontrabandim me migrantë”, 3 nga “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

    Nga një rast për konfiskim ka pasur vendime për veprat “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “fajde”, “shpëlarje e parave”, “vjedhje e rëndë”, “tregti e ndaluar”, “shmangie nga pagesa e tarifave te detyrueshme doganore…”, “kontrabandim me mallra”, “dhënie e ryshfetit në sektorin privat”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” si dhe një rast tjetër për veprën “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e pa autorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

    Përballë përgjegjësisë që gjykatat kanë në gjithë këtë proces si dhe kritikat për procese të tejzgjatura, kemitentuar të marrim një përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës porse deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk e kemi pranuar një të tillë.

    Ndërkaq, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se janë duke bërë plotësim-ndryshimin e infrastrukturës ligjore të të gjitha ligjeve që e përbëjnë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, thotë se po synojnë që përmes Fondit të konfiskimit, pasuritë e konfiskuara me vendim përfundimtar të shpërndahen edhe për përdorim social.

    “Tashmë jemi në plotësim të infrastrukturës ligjore të krejt ligjeve të cilat e përbëjnë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Tash, në këtë rast, nëse paratë vijnë nga Byroja e cila tashmë do të themelohet… dhe do të adresojë çështjen në gjykatë dhe gjykata do të konfiskojë ato, pastaj po ashtu është edhe konfiskimi në fushën penale, është Ligji për kompetencat e zgjeruara ku edhe aty në fushën penale çdo pasuri e konfiskuar do të derdhet në fond, dhe fondi do të ketë një komision të caktuar, ku ai komision, do t’i shpërndajë pasuritë për nevojat e qytetarëve, për grupet e marxhinalizuara të shoqërisë, siç janë viktimat që kanë pësuar nga dhuna në familje, njerëzit që janë prekur nga substancat narkotike dhe grupet e tjera të marxhinalizuara me qëllim të integrimit të tyre në shoqëri”, thotë ai.

    Porse, Sallahu thotë se gjatë hartimit të draftit të parë të Projektligjit të konfiskimit, kanë hasur në një problem, të cilin synojnë ta zgjidhin konform standardeve ndërkombëtare.

    “Jemi në hartim të draftit të parë të Projektligjit të konfiskimit, ku na ka dal një problem me fondin monetar të konfiskimit, për faktin se ju e dini se në Republikën e Kosovës ekziston vetëm një kod buxhetor dhe është kompetencë e Ministrisë së Financave, dhe Ligji për menaxhimin e financave nuk e lejon që të kemi dy kode buxhetore në Republikën e Kosovës. Prandaj, këtu kemi një pezullim të punës të hartimit të draftit të Fondit të konfiskimit për faktin se tash jemi në prag të zgjidhjes dhe rekomandimeve të reja nga Zyra e BE-së dhe Këshilli i Evropës, për të parë se si të gjendet një formë më e mirë e komunikimit me Ministria e Financave dhe të gjejmë modalitete më të mira që të kemi një kod, ose një tjetër kod të veçantë ose ndonjë formë tjetër alternative se si duhet të bëhet administrimi i fondit monetar nga Ministria e Drejtësisë sepse nuk lejon legjislacioni në fuqi të ecim përpara pa ardhur tek një zgjidhje e mirë. Tash jemi në pritje të ndonjë rekomandimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare, besoj shumë shpejt, brenda javës së ardhshme do të kemi rekomandime nga ta”, thotë Sallahu.