ATV

Tag: Ballina

  • ​Zgjedhjet e reja në veri, mundësi për de-eskalimin e situatës

    ​Zgjedhjet e reja në veri, mundësi për de-eskalimin e situatës

    Propozimi evropian për organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore në Kosovë, po konsiderohet si mundësi e mirë për de-eskalimin e situatës nga spektri politikë, por me kushtin që edhe Lista Serbe garanton për pjesëmarrje në këtë proces zgjedhor. Nga partia në pushtet thonë se kjo nuk është dorëzim, por e drejtë ligjore që qytetarët atje mund të përdorin për zgjedhje të reja. Në anën tjetër, në partitë opozitare potencojnë nevojën për shtensionimin e situatës në veri, por kritikojnë Qeverinë e Kosovës se po prapakthen funksionimin e çdo mekanizmi institucional në veri.

    Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli thotë se Qeveria e Kosovës, por edhe Presidenca janë duke e bërë të pamundshmen për qetësimin e situatës në veri dhe përfundimin e protestave në tri komunat veriore, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

    Ai shton se pas diskutimeve të fundit me aleatët ndërkombëtar, zgjedhjet e reja në veri mund të konsiderohet si opsion, por gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “Kosova nuk ka pasur rrugë tjetër përveç që t’i mbajë zgjedhjet dhe t’i mbushë këto institucione me përfaqësues, sado që ne e kuptojmë se është një përqindje e daljes në zgjedhje e ulët, po ashtu duhet të kuptojmë se është e drejtë e qytetarëve që të kenë përfaqësuesit e tyre legjitim. Në këtë kontekst, mendoj se qeveria është duke bërë të pamundshëm, po ashtu edhe presidenca për të bërë qetësimin e situatës. Por, është e padrejtë që tërë presionin apo kritika të drejtohet ndaj Kosovës, pasi Kosova nuk është shkaktare e kësaj krize, Kosova nuk ka shkuar me i pushtuar komunat dhe me largu askënd prej komunave, por janë vet ata që i kanë lëshuar komunat… Gjithmonë në kuadër të ligjit, qytetarët kanë të drejtë të ngritin një peticion dhe 20 për qind e votuese mund të kërkojnë zgjedhjet e reja. Institucionet tona vendimmarrëse kanë shprehur gatishmëri që t’i dëgjojnë me vëmendje këto kërkesa. Asesi kjo nuk është dorëzim por është një e drejtë shumë legjitime e qytetarëve”, deklaron ai.

    Zgjidhjen e situatës në veri e quan emergjencë edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu. Ajo thotë për KosovaPress se qasja e njëanshme e kryeministrit Kurti për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin në veri, sado që është e ligjshme nuk mund të bëhet pa një koordinim me ndërkombëtarët.

    “Ne jemi të vetëdijshëm që në veri funksionojnë ende strukturat kriminale dhe bandat që janë të joshura dhe nxitura nga Serbia. Por, një qasje e tillë e njëanshme, e cila nuk është bërë në koordinim me partnerët e zhvendos pozicionin e Kosovës në një pozicion, i cili nuk është në përputhje dhe harmoni me aleatët, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën. Kjo qasje e njëanshme e kryeministrit për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin në veri sado që është e ligjshme dhe sado që është legjitime dhe kushtetuese nuk mund të bëhet pa një koordinim… Bojkoti që e ka bërë Lista Serbe e ka pamundësuar funksionimin e zgjedhjeve në atë pjesë. Kosova është prapakthyer në funksionimin e çdo mekanizmi institucional në veri, sado që është dukur një fitore e vogël kjo që ka ndodhur për kryeministrin. Por, prapakthimi i Kosovës në shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë të vendit po shihet çdo ditë e më shumë. Kur kjo bëhet edhe me ankesa ose sanksione të drejtpërdrejta të aleatëve tanë, siç ishte deklarata e sekretarit Blinken, atëherë kjo ka peshë edhe më të madhe dhe është e dhimbshme për Kosovën”, thekson Deliu.

    Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj deklaron për KosovaPress se Qeverisë së Kosovës i takon të vendosë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri apo jo. Ajo shton se si parti opozitare do të përkrahin atë që është më e mirë për Kosovën.

    “Sa herë që zotëri Kurti gjendet në një situatë që duhet të jetë vendimmarrës për shkak se është kryeministër i vendit, ai e bënë një zhvillim të tillë që dialogun të kthejë në pikën zero… Kurti duhet të konsultohet edhe me aleatët tanë, ne e pamë edhe në takimin që e kishte presidentja e vendit me Macron dhe Scholz, ku ishte një propozim që të mbahen zgjedhjet e reja me pjesëmarrjen e komunitetit serb. Mbetet që kjo qeveri të vendosë dhe t’i organizojë. Ne do të përkrahim atë që është e mirë për Kosovën”, deklaron ajo.

    Kurse, njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Seb Bytyçi kërkon nga Qeveria e Kosovës të koordinohet me aleatët ndërkombëtar të Kosovës, për çfarëdo zgjidhjeje të shtensionimit të situatës në veri.

    “Situata në veri është një thirrje për vëmendje nga ana e Kosovës, për shkak se janë toleruar nga shtetet perëndimore deklaratat e Serbisë kundër marrëveshjes dhe veprimet e marrëveshjes Bruksel-Ohër. Kështu që, kjo gjë ka shkaktuar frustrime në Kosovë dhe rrjedhimisht Kosova e ndjen se duhet të bëjë diçka për të marrë më shumë vëmendje nga shtetet perëndimore….Gjithashtu, është e rëndësishme që të koordinojë veprimet me miqtë ndërkombëtar dhe të punojë që vazhdimisht t’i bindë ata që të mirëkuptojnë qasjen e Kosovës”, thotë Bytyçi.

    Përndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se mund të bëhen zgjedhjet në veri, duke respektuar ligjet në fuqi. Ajo ka treguar edhe disa procedura që duhet përmbushur.

    “Korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të inicojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin. Është shumë e lehtë, është një proces shumë demokratik, ne i lejojmë qytetarët tanë të përcaktojnë se kur duan zgjedhje të reja dhe besoj se pa problem mund të ecim përpara me këtë, por duhet pjesëmarrje nga ana e tyre. Ata mund të zgjedhin kryetarin e komunës me një legjitimitet më të lartë, por duhet të marrin pjesë”, ka thënë ajo.

    Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.

    Si pasojë e tensioneve atje, Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka paraqitur tri kërkesa për de-eskalimin e situatës në veri.

    Ai ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në to dhe të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • Vazhdojnë protestat në Zveçan e Leposaviq

    Vazhdojnë protestat në Zveçan e Leposaviq

    Po vazhdojnë edhe sot protestat në Zveçan dhe Leposaviq, gjersa raportohet se situata është e qetë dhe numri i protestuesve është më i vogël.

    Protestat në veri po hyjnë në ditën në javën e dytë, ndërsa ajo e 29 majit ishte më e dhunshmja ku u lënduar 30 pjesëtarë të KFOR-it.

    Një ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës bëri publike listën e personave dhe grupeve kriminale që kanë përdorë dhunë gjatë protestave.

  • U raportua i zhdukur, momenti kur shpëtohet 84 vjeçari nga Prishtina që kishte rënë në një gropë

    U raportua i zhdukur, momenti kur shpëtohet 84 vjeçari nga Prishtina që kishte rënë në një gropë

    Sinan Duli, 84-vjeçar ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij pasi nga data 1 qershor, kishin humbur kontaktin me familjarin e tyre. Pas publikimit të njoftimit në rrjete sociale, për gjetjen e Sinanit ishin angazhuar Pjesëtarët e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.

    Mbrëmjen e 2 qershorit, ky grup njoftoi se e kanë gjetur personin e moshuar.

    84-vjeçari është gjetur rreth orës 22:30 në zonën te antena në lagjen “Kolovica” në Prishtinë.

    Sipas Pjesëtarëve të Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, 84-vjeçari ishte gjetur në një gropë.

    Më pas, të moshuarin e kanë dërguar në me autoambulancë në Emergjencë të QKUK-së.

  • Raportet me ShBA-në janë “krisur” – Ekspertët: Të përfillen këshillat, mund të ketë masa tjera

    Raportet me ShBA-në janë “krisur” – Ekspertët: Të përfillen këshillat, mund të ketë masa tjera

    Njohës të rrethanave politik në vend u kanë bërë thirrje që institucionet që t’i dëgjojnë këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropianë në lidhje me situatën e krijuar në veriun e vendit.

    Sipas tyre politikat gabuara të Qeverisë së vendit kanë quar deri te “krisja” e marrëdhënieve me Shtete e Bashkuara të Amerikës, të cilat ditë më parë vendosen disa sanksione ndaj Kosovës, duke mos përjashtuar edhe masa të tjera.

    Agim Rexhepi, nga Shoqata Miqtë e Amerikës, tha se janë duke e përcjell me shumë shqetësim situatën që është duke kaluar vendi, duke theksuar se kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij duhet t’i përfillin në maksimum kërkesat e Amerikës.

    “Sikur se gjithë qytetarët e Kosovës e në veçanti sikur gjithë shqiptarët jo vetëm në Kosovë por edhe në diasporë jem duke e përcjell me shumë shqetësim sepse shkëndijat janë. Jam për atë që institucionet ndërkombëtare posaçërisht kryeministri me Qeverinë t’i përfill në maksimum kërkesat e institucioneve më të larta Amerikane. Kjo për shkak se ShBA-ja është dëshmuar se janë aleati jonë, janë sponzorisuesi i krijimit të shtetit të Kosovës. Institucionet tona është dashtë të marrin një mendim nga Amerika”, tha ai.

    Rexhepi tha se veprimet e ShBA-së për ta sanksionuar Kosovën kanë qenë të pritshme, pasi sipas tij, Kurti prej kohësh me veprimet e tij e “gafa” të caktuara e kanë sjell situatën që Amerika të deklarohet kështu ndaj Kosovës.

    Ai shtoi se nëse vendi nuk i përfillë kërkesat e ShBA-së do të ketë edhe më shumë zbehje e mospërkrahje, por sipas tij, mospërkrahja nuk do të jetë ndaj popullit të Kosovës, por ndaj Qeverisë.

    “Kam pritur veprime të tilla nga institucionet të ShBA-ve sepse me keqardhje e them, unë nuk jam pjesë e partive edhe nuk kam qenë as një herë, kryeministri aktual prej shumë moti me veprime me deklarata ka ba gafa të caktuara të cilat kanë para përgatitë që me ardh deri tek kjo deklaratë e DASh-it dhe sekretarit Blinken. Ose janë ato veprimet e ambasadorit Hovenier i cili shumë herë edhe i ka amortizuar ato veprime, i ka tejkaluar edhe pse kanë qenë të dëmshme, ose ka mundur atëherë që të reagoj Departamenti i Shtetit, i ka ulur ato me qëllimin e mirë që mos të shihet kjo plasaritje. Mendoj që do të ketë zbehje, e mos përkrahje, mirëpo mos përkrahja nuk do të jetë ndaj popullit të Kosovës, do të jetë veprim ndaj Institucioneve që t’i ven gishtin kokës dhe të sillen politikisht ashtu siç duhet”, tha ai.

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, tha se e gjithë kjo situatë është një skenar i punuar nga Serbia, që sipas tij, vendi ka rënë në këtë grackë.

    “Ne së bashku disa herë e kemi ngre shqetësimi që ka një plan sekret të Serbisë për ndarjen e Mitrovicës dhe atë po mundohet që të bëjnë përmes dhunës. Një skenar të tillë pa dyshim që ne kemi rënë pjesë e këtij skenari. Kjo ka filluar qysh në kohën e targave, kur ne tentuam që ta zbatojmë vendimin e targave dhe ishte pikërisht ky moment kur ata u tërheqin nga institucionet. Dhe ndodhu ajo që ne u detyruam që të organizojmë zgjedhje të lira, ato u bojkotuan, me një fjalë gjithçka sipas skenarit dhe ne po ja mundësojmë realizimin e skenarit të tyre”, tha ai.

    Ai shtoi se për të politikat e qeverisë Kurti janë politika populiste, që në  aspektin e sigurisë janë të sanksionuara.

    “Në fakt politikat e qeverisë më shumë duken politika populiste, që në aspektin e sigurisë mund të jenë të sanksionuar, duhet që të jenë të sanksionuara, sepse në as një rrethanë neve nuk mund të themi që për hir të kësaj apo asaj neve të cenojmë sigurinë. Nuk ka as një arsyetim për të cenuar sigurinë për aktivitetet të tjera, qofshin ato edhe kurë është në pyetje shtrirja e sovranitetit sikur rasti i veriut të Mitrovicës”, tha ai.

  • Kriza në veri – Dëmtohen bizneset në eksport e import, frikësim edhe për investitorët e huaj

    Kriza në veri – Dëmtohen bizneset në eksport e import, frikësim edhe për investitorët e huaj

    Kriza në veri, po konsiderohet si shqetësuese për bizneset vendore. Krahas pengesa në import e eksport, përfaqësues të bizneseve thonë se po i frikëson edhe investitorët e mundshëm.

    Shaqir Palushi është pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka e cila merret me prodhimin e pijeve të frutave “Relax” dhe pijes energjike “Golden Eagle”, thotë se kriza në veri i ka pamundësuar ardhjen me kohë të një eksperti.

    Ai thotë se eksperti në fjalë ka hezituar të vijë për shkak të gjendjes në veri të vendit.

    “Nuk mund të them që ka telashe sa i përket furnizimit po çdo çrregullim i gjendjes në veri apo kudo në Kosovë, sigurisht që ka efekte. Në radhë të parë në eksport dhe import, madje edhe meqenëse jemi duke instaluar linja dhe vazhdimisht ne kemi nevojë ekspertë të huaj, kemi pasur rastin javën e kaluar menxi e kemi bind një ekspertë që të vijë në Kosovë, sepse ka hezituar të vijë për shkak të përkeqësimit të situatës dhe sigurisht çdo përkeqësim të situatës ka efekte sepse efekti më i madh është mosardhja e investitorëve të huaj, për të cilët sigurisht që Kosova ka jashtëzakonisht shumë”, u shpreh Palushi.

    Situatën në veri po e sheh shqetësuese edhe Xhevat Muqa nga kompania “Muqa Solar” nga Suhareka. Ai thotë se situata në veri, ndikon edhe tek investitorët që duan të investojnë në Kosovë.

    “Unë mendoj që kjo kriza në veri nuk është që i ka penguar vetëm në Suharekë por edhe me gjerë, sepse bizneset që duan të investojnë në Kosovë, atëherë e kanë me siguri një pikëpyetje të madhe dhe kjo na bën jo të favorshëm për bizneset nëse duam të ofrojmë investitorë”, thotë Muqa.

    Muqa u shpreh i shqetësuar edhe me pengesat në eksport e import. Thotë se kriza mund të vërehet më vonë.

    “Kjo është anasjelltas, e pengon importin dhe eksportin. Në rast se jemi në prag të një marrëveshjes me një biznes jashtë vendit, e pengon për të bërë biznes në Kosovë. Neve si Qendër e Biznesit në Suharekë, shqetësimet më të mëdha janë se si biznese bëjnë import dhe bëjnë eksport dhe tash e tutje me siguri kanë me pas problemet e tyre që do të dalin në pah”, u shpreh ai.

  • Kuvendi jo efikas – 53% e seancave u bartën nga viti i kaluar, shumë marrëveshje ndërkombëtare mbetën pa miratuar

    Kuvendi jo efikas – 53% e seancave u bartën nga viti i kaluar, shumë marrëveshje ndërkombëtare mbetën pa miratuar

    Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka vlerësuar si të dobët punën e Kuvendit të Kosovës, por sipas tyre edhe gjatë këtij viti Kuvendi i Kosovë ka filluar me mos efikasitet.

    Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se nga viti i kaluar 53 për qind e seancave janë bartur në vitin 2023.

    Sipas tij, Kuvendi është duke treguar mosefikasitet e që si pasoj e kësaj vendi është pa Guvernator, pa anëtarë në Bordin e Trustit Pensional e seancat plenare të cilat vazhdojnë pa ndalur.

    “E keni parë në raportin tonë për punën e Kuvendit gjatë vitit 2022 se si Kuvendi ka dështuar të ketë mbarëvajtje të rregullt gjatë seancave të rregullta, 53 për qind e seancave janë mbajtur me vazhdime, 22 seanca janë mbajtur me 54 vazhdime në  ndërkohe nuk kanë përfunduar këto për viti 2022, ato kanë mbetur për vitin 2023. Ne e kemi parë që ai mos efikasitet është barët në vitin 2023, po flasim për 53 pika ku në mesin e tyre prej 18 janë votime të organeve kolegjiale dhe individuale që Kuvendi ka dështuar. Jemi pa Guvernator, jemi pa anëtar në Bordin e Trustit Pensional, në ndërkohë viti 2023 nis me seancat plenare të cilat ende vazhdojnë që të mos mbarojnë përkundër që mbahen ato seanca”.

    Ai tha se ka vonesa edhe në votimin e projektligjeve të cilat nuk janë duke kaluar si pasoj e mos pjesëmarrjes së deputeteve të opozitës në proces.

    Jakaj ka sqaruar se 30 për qind e ligjeve të miratuara deri më tani janë marrëveshje ndërkombëtare dhe në pritje janë edhe 14 për qind po marrëveshje ndërkombëtare ku kërkohen vota e dy të tretave të deputetëve.

    “Tash kemi një situatë tjetër që tri jave nuk mbahet seancë, mbahet një vazhdim i seancës në ndërkohë dështon edhe ajo që të mbahet dhe mbahet me një pikë të rendit të ditës, e që ajo pikë është e vitit 2022. 30 për qind e ligjeve të miratuara deri më tani janë marrëveshje ndërkombëtare që janë miratuar deri më tani. 14 për qind e projektligjeve në procedure të shqyrtimit aktualisht janë marrëveshje ndërkombëtare për të cilat kërkohet vota e dy të tretave të gjithë deputetëve të Kuvendit. Në ndërkohe për të gjitha këto projektligje  ne kemi vonesa më së shumti për shkak të mos pjesëmarrjes së deputeteve të opozitës në procesin e vendimmarrjes për të cilët ata kanë shprehu pakënaqësitë e veta në lidhje me mos kalimin e mjeteve vetanake të komunave”, tha ai.

    Jakaj shtoi se në raportin për vitin 2022 kanë konsideruar që Kuvendi ka punuar dobët në të gjithë aspektet e mundshme, duke shtuar se ka pasur mostransparencë, mosefikasitet e mosllogaridhënie nga Qeveria.

    “Nga akterët e tjerë të Kuvendit kryesisht përfaqësuesit politikë që kjo legjislature ka prodhuar ligje më shumë se sa legjislaturat e tjera. Ne në raportin për vitin 2022 kemi konsideruar që Kuvendi ka punuar dobët në të gjithë aspektet e mundshme. Ku kemi treguar qysh ka pasur mostransparencë, ka pasur mosefikasitet, ka pasur mos llogaridhënie nga qeveria dhe ka pas mos mbikëqyrej të plotë nga ana e Kuvendit për agjencitë e pavarura. Ne kemi konsideruar që Kuvendi është dobët sa i përket punës që duhet me ushtruar rolin që i takon edhe me Kushtetutë edhe ligj”, tha ai.

  • Agjenda e Kurtit për sot, merr pjesë në vendosjen e gur themelit të shtëpisë së një familje gorane

    Agjenda e Kurtit për sot, merr pjesë në vendosjen e gur themelit të shtëpisë së një familje gorane

    Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për agjendën e kryeministrit Albin Kurti, për ditën e sotme.

    Nga ora 10:40, Kurti bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, merr pjesë në vendosjen e gur themelit të shtëpisë së familjes gorane përfituese e mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

    Pas këtij aktiviteti, Kurti  me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, do të bëjnë vizitë në rrugën e asfaltuar në hyrje të Dragashit dhe do të takohen me Kryetarin e Komunës, Bexhet Xheladini dhe zyrtarin komunal për komunitete dhe kthim, Uzair Hamza.

    Kurti do të takohet edhe me Kryesuesin e Asamblesë komunale të Dragashit, Uran Halimi dhe përfaqësues të komunës.

    Agjenda e plotë:

    1. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, merr pjesë në vendosjen e gur themelit të shtëpisë së familjes gorane përfituese e mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

    VENDI: Fshati Muhoc, përballë xhamisë, lagja Tasjan, Komuna e Ferizajt

    KOHA: 10:40

    2. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, vizitë në rrugën e asfaltuar në hyrje të Dragashit dhe takim me Kryetarin e Komunës, Bexhet Xheladini dhe zyrtarin komunal për komunitete dhe kthim, Uzair Hamza.

    KOHA: 12:15

    3.  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitë në Komunën e Dragashit dhe takim me Kryesuesin e Asamblesë komunale, Uran Halimi dhe përfaqësues të komunës.

    VENDI: Ndërtesa e Komunës së Dragashit

    KOHA: 12:40

  • Bugajski: Serbia mund të krijojë konflikt të gjerë nëse merr përgjigje të dobët nga Uashingtoni

    Bugajski: Serbia mund të krijojë konflikt të gjerë nëse merr përgjigje të dobët nga Uashingtoni

    Njohësi i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski, ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq posedon disa mjete për të provokuar konflikte brenda Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës dhe për të mobilizuar publikun kundër armiqve të huaj të supozuar. Sipas tij, dhuna e fundit nga bandat e organizuara kundër Policisë së Kosovës dhe trupave të NATO-s në veri të Kosovës mund të jetë një lajmëtar për një konflikt më të gjerë të krijuar nga Beogradi nëse Vuçiq merr një përgjigje të dobët nga Uashingtoni.

    Në një shkrim autorial për Istagran, analisti vlerëson se demonstratat masive në Beograd dhe reagimet e frikshme të qeverisë Vuçiq, tregojnë se Serbia mund të jetë në prag të një revolucioni politik, transmeton KosovaPress.

    “Pas vitesh të kontrolleve shtrënguese të regjimit, korrupsionit masiv zyrtar, dhe gjuhës së vazhdueshme të urrejtjes mediatike, publiku serb më në fund po zgjohet nga hutimi i tij. Megjithatë, rezultatet e revoltës paqësore publike mbeten të pasigurta dhe mund të përshpejtojnë dhunën si në Serbi ashtu edhe në rajon më gjerë. Regjimet jodemokratike janë në thelb të paqëndrueshme. Regjimet kuazi-autoritare kanë rezultuar të jenë më të brishtat, siç kemi filluar të shohim në Serbi. Demokracitë vërtet pluraliste mund të rrotullojnë partitë dhe liderët, ndërsa sistemet plotësisht autoritare ose totalitare mund të shtypin të gjitha mospajtimet, të paktën për një periudhë të gjatë kohore, siç shohim në Rusi dhe Bjellorusi. Por sistemi gjysmë-autoritar që ende lejon partitë rivale dhe shoqërinë civile të funksionojnë është më i prekshëm ndaj kryengritjeve siç e pamë në Ukrainë përpara reformës demokratike në vitin 2014”, ka shkruar ai.

    Njohësi i çështjeve të Ballkanit ka vlerësuar po ashtu se skenari aktual ose mund të mbetet paqësor ose të kthehet i dhunshëm, në varësi të faktit nëse Vuçiq është i gatshëm të sakrifikojë njerëzit për pushtet.

    “Qeveria mund të përpiqet të shtypë dhe të shpërndajë protestat, por nëse ato zgjerohen me kërkesa konkrete politike, mund të ndodhë edhe një skenar i dhunshëm. Kjo bëhet më e mundshme nëse regjimi refuzon të përgatitet për zgjedhje konkurruese dhe ruan mbështetjen e aparatit të sigurisë dhe policisë. Revolta fillimisht paqësore e Ukrainës në shkurt të vitit 2014 u përball me dhunën shtetërore dhe mbi njëqind protestues u vranë nga forcat e sigurisë. Vuçiq tani po përpiqet me dëshpërim të provojë se ai është ende popullor duke organizuar mitingjet e tij masive në një kopje të kohës komuniste kur punëtorët nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të merrnin pjesë. Ai gjithashtu po nxit armiqësi dhe po përpiqet të diskreditojë opozitën demokratike duke pretenduar se ‘shërbimet e huaja të inteligjencës qëndrojnë pas protestave’”, ka shkruar ai.

    Ai ka paralajmëruar se tubimet e Vuçiqit mund të bëhen të ngjashme me ato të Millosheviqit në fillim të viteve 1990, ku fjalimet e zemëruara nxitën ndarjet etnike që kontribuan në rënien e dhunshme të Jugosllavisë dhe vrasjet masive të civilëve.

    “Në plejadën aktuale rajonale, Vuqiç posedon disa mjete për të provokuar konflikte brenda Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës dhe për të mobilizuar publikun kundër armiqve të huaj të pretenduar. Dhuna e fundit nga bandat e organizuara kundër Policisë së Kosovës dhe trupave të NATO-s në veri të Kosovës mund të jetë një lajmëtar për një konflikt më të gjerë të krijuar nga Beogradi nëse Vuçiq merr një përgjigje të dobët nga Uashingtoni”, ka thënë Bugajski.

    Sipas tij, edhe Moska do të luante një rol në krizën që, siç tha ai, po shpaloset.

    “Për zyrtarët rusë revolucionet popullore janë fenomen negativ i imponuar nga shërbimet speciale amerikane. Dhe nëse rezultatet kërcënojnë të kulmojnë me reformat demokratike dhe integrimin perëndimor, atëherë kryengritja paqësore duhet të shuhet në mënyrë që Kremlini të mos humbasë një aleat tjetër. Çdo qeveri që është miqësore me Rusinë, por sfidohet nga opozita e përhapur publike, përshkruhet automatikisht si viktimë e “Perëndimit kolektiv” dhe duhet të ndihmohet për t’u kapur pas pushtetit.

    “Ndryshe nga Ukraina, Serbia nuk përballet me një ndërhyrje të mundshme ushtarake ruse për të shtypur demokratizimin dhe integrimin evropian. Megjithatë, shërbimet ruse dhe përfaqësuesit e tyre lokalë, duke përfshirë grupe të ndryshme radikale nacionaliste, mund të organizojnë provokime për të destabilizuar vendin. Kaosi i brendshëm në Serbi dhe konfliktet e armatosura në Kosovë, Bosnjë, dhe Mal të Zi, do të ishin zgjidhja e dytë më e mirë për Kremlinin nëse një regjim miqësor në Beograd rrezikohet të zëvendësohet. Do të ndihmonte gjithashtu në largimin e vëmendjes nga lufta e dështuar në Ukrainë dhe përshkallëzimi i trazirave të brendshme në vetë Rusinë”, ka thënë ai në shkrimin e tij.

    Për fund, ai ka shtuar se për të parandaluar një spirale të dhunës rajonale, një mesazh i qartë duhet të dërgohet nga Uashingtoni se ai mbështet aspiratat e popullit serb dhe do të mbrojë plotësisht integritetin e fqinjëve të Serbisë.

    “Mbështetja e fortë ndërkombëtare për zgjedhje të ndershme në Serbi mund të ndihmojë në sigurimin e një qeverie properëndimore që do të ndërpresë lidhjet korruptive të Beogradit me Moskën dhe do të revokojë çdo ambicie rajonale ekspansioniste. Pa një revolucion të suksesshëm demokratik në Serbi, Ballkani do të përballet me perspektivën e përshkallëzimit që nuk mund të de-përshkallëzohet më.”

    Ndryshe, situata në veri të Kosovës është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

    Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.

  • Petkoviq nervozohet me Kurtin për zbulimin e emrave të organizatorëve të protestave të dhunshme në Veri

    Petkoviq nervozohet me Kurtin për zbulimin e emrave të organizatorëve të protestave të dhunshme në Veri

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mundur ta “fusë cilindo serb” nga Kosova në listën që e lexoi në seancën e Kuvendit të Kosovës.

    “…sepse, njerëzit tanë në katër komunat në veri të Ibrit janë të bashkuar në rezistencën e tyre ndaj sundimit të terrorit të tij”, tha Petkoviq, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, e në të cilën kryeministri i Kosovës përshkruhet me shprehje fyese.

    Duke folur të premten para Kuvendit të Kosovës, Kurti lexoi emrat e disa personave, për të cilët pretendoi se kanë qenë të përfshirë në përleshjet me paqeruajtësit e KFOR-it dhe me Policinë së Kosovës, gjatë protestave të qytetarëve serbë, më 29 maj, në Zveçan.

    Petkoviq e cilësoi atë si “listë për pushkatim”.

    Ai tha se me publikimin e saj, Kurti “ka marrë peng të gjithë ata banorë të ‘Kosovës dhe Metohisë’ që duan vetëm paqe, stabilitet dhe mundësi për të jetuar në një shoqëri pak a shumë normale, në kohë paqeje”.

    Në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë thuhet, po ashtu, se Kurti e ka humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve – pa u specifikuar se të kujt – dhe se po përpiqet ta pengojë me forcë largimin e tij “në histori politike”.

    Kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës më 2 qrshor, tha se protestat në veri të vendit nuk janë vullnet i serbëve që jetojnë në ato komuna, por janë të organizuara nga Beogradi zyrtar.

    Ai e quajti situatën në veri “të tensionuar dhe të rrezikshme”, por tha se nuk mund të kontribuojë në krijimin e strukturave paralele në veri sepse “nëse objektet komunale nuk janë për kryetarë, atëherë për kë janë?!”

    Kurti tha se tani është në pyetje “çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste” dhe se ky komunitet ka nevojë për pluralizëm politik.

    Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

    Ato u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

    Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

    Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

    Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.

    Komuniteti ndërkombëtar diplomatik, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francës, si dhe vendet tjera të shteteve të QUINT-it, e kanë bërë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit. /REL

    LEXO EDHE:

    Kurti tregon me emra kush ishin personat që sulmuan KFOR-in në veri

  • ​Kurti-liderëve opozitarë: Arrestimin e kriminelëve serbë me koordinim a pa koordinim

    ​Kurti-liderëve opozitarë: Arrestimin e kriminelëve serbë me koordinim a pa koordinim

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka replikuar me krerët opozitar në debatin parlamentar që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës për gjendjen në veri të vendit.

    Kurti u shpreh se protestat në komunat veriore nuk po bëhen për zgjedhje të reja komunale, por janë protesta të njerëzve që adhurojnë Millosheviqin dhe Putnin.

    “Nuk është kjo protestë as në Zveçan, as në Leposaviq e Zubin Potok për zgjedhje të reja komunale, këto janë protesta me kryqin me katër C, me shkronjën ruse Z, këto janë protesta të njerëzve që adhurojnë Millosheviqin dhe Putinin. Dhe punojnë të paguar nga Beogradi dhe me direktiva të Beogradit. Pra, nuk është thjesht vetëm çështja e komunës aty. A ndërtesat e komunës janë të Republikës. Nëse nuk janë për kryetar të komunave për kë janë aty, nëse kryetarët e komunave nuk shkojnë aty ku duhet të jenë ata. Që nga viti 1999 ka struktura paralele ilegale atje, nuk mund të krijojmë struktura paralele strukturave paralele, nuk ka kuptim të krijojmë zyra paralele atje”, theksoi ai, transmeton KosovaPress.

    Shefi i ekzekutivit kosovar iu është përgjigjur thirrjeve të liderëve opozitar për arrestim të kriminelëve serbë, duke i pyetur ata se a duhet ta bëjë këtë arrestim me koordinim apo pa koordinim.

    “Mua mu tha më shumë se sa një herë që meqenëse po i dini me emra edhe me hollësi të tjera kriminelë e bandave atëherë pse s’po i arrestoni dhe u kërkua prej meje që t’i arrestoj. Tash ne kemi filluar t’i arrestojmë dhe në fund të fjalimit përmenda emrat e atyre që janë të arrestuar. Por natyrisht që ka edhe aso që janë kriminel të paarrestuar që janë në veri të vendit. Nëse i hasim dihet që i arrestojmë mirëpo ka edhe mundësi që kanë shkuar në Serbi….Unë iu falënderoj për këtë thirrje që ma bëtë që të arrestohen këta kriminel, por unë e kam një pyetje për juve arrestimi i këtyre kriminelëve a me koordinim a pa koordinim. Qysh po thoni? Pra, ju po bëtë thirrje që njësia speciale e jona të marr urdhër që të bëjë arrestimin e këtyre kriminelëve dhe unë iu falënderoj shumë për këtë mbështetje dhe për këtë sjellje shtetërore, por megjithatë për shkak të diskursit tuaj më duhet tua bëjë këtë pyetje shtesë arrestimin e këtyre kriminelëve në veri për të cilën po më inkurajoni a me koordinim a pa koordinim.Pra, arrestimin po e bëjmë se ju thatë, ju ma dhatë mbështetjen për besë edhe në paça pas ndonjë dilemë mu hoqën dilemat kur folët ju të dy”, tha ai.

    Gjatë këtyre kundërpërgjigjeve karshi opozitës, Kurti pyeti edhe deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri se arrestimin e kriminelëve serbë në veri a ta bëjë me shurdhues a pa shurdhues?

    “Arrestimin e tyre e kërkoi edhe ish ministri i Drejtësisë tash deputeti, Abelard Tahiri ky ka qenë ministër i Drejtësisë ky i di këto punë edhe ky tha që duhet të arrestohen kriminelët edhe deputetin Abelard Tahiri e pyes të njëjtën pyetje a me koordinim a po koordinim. Por, për këtë e kam edhe një pyetje speciale a me shurdhues a pa shurdhues qysh po thu deputeti Tahiri. Deputeti Krasniqi dhe Abdixhiku le të përgjigjen a me koordinim apo pa koordinim, e deputeti Tahiri le të përgjigjet me shurdhues a pa shurdhues” , u shpreh ai.

    E karshi kreut të PDK-së, parti kjo cila ka fituar udhëheqjen në dy komuna veriore, Zubin Potok dhe Zveçan, Kurti adresoi edhe një kërkesë.

    Ai kërkoi që këta kryetar të çlirohen e të shkojnë në objektet komunale sepse Policia i garanton e qeveria i mbështet.

    “Këta janë kanë plotësuar kërkesën Vuçiqit ndërsa, nuk e kanë larguar policinë se nuk pyeten më për polici, a po të pyeteshin për polici unë e di që këta edhe policinë e kishin largua….çlironi ata dy kryetarë që i kanë fitu zgjedhjet në Zubin Potok, kur të ec rroga duhet me punua kur të garojsh dhe zgjedhjesh e do me fitua duhet edhe me punua, prandaj çlironi ata kryetar mos i mbani pengë se ata dojnë me shku edhe në Zveçan edhe në Zubin Potok policia i garanton, qeveria i mbështet ju mos i mbani peng”, tha Kurti.

    Seancën e plotë të Kuvendit e gjeni në videon më poshtë: