ATV

Tag: Ballina

  • Tensionet në veri, Lajçak dhe Escobar në Kosovë e Serbi javën e ardhshme

    Tensionet në veri, Lajçak dhe Escobar në Kosovë e Serbi javën e ardhshme

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan Gabriel Escobar pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën që vjen, më saktësisht të hënën dhe të martën, kanë bërë të ditur burimet diplomatike në Bruksel për Radion Evropa e Lirë.

    Vizita e tyre, sipas këtyre burimeve, do të ketë dy qëllime kryesore:

    Qëllimi i parë është gjetja e zgjidhjes për të dalë nga situata aktuale e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Pra, fokusi së pari do të jetë në uljen e tensioneve dhe vazhdimi i përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi.

    Ndërsa qëllimi i dytë do të jetë vazhdimi i punës në sekuencimin e hapave për të zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe aneksin për të cilin palët ishin pajtuar në Ohër.

    Bashkimi Evropian e kishte quajtur arritjen e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve si një “dalje nga faza e menaxhimit në krizave në një fazë të normalizimit”.

    Mirëpo, për shkak të përshkallëzimit të situatës ditëve të fundit në veri të Kosovës, për çka përgjegjësia iu bart autoriteteve të Kosovës, të cilat insistuan që kryetarët e zgjedhur të komunave të hynë në ndërtesa, prapë aktiviteti i BE-së është kthyer në menaxhimin e krizave.

    Diplomatët në BE thonë se duhet siguruar që tensionet e fundit në veri të mos e rrezikojnë marrëveshjen e arritur, prandaj bëjnë thirrje që tensionet të ulen menjëherë dhe në mënyrë të pa kusht, dhe që palët t’i kthehen dialogut dhe procesit të normalizimit.

    Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

    Përshkallëzimi në veri të Kosovës kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

    Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

    Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

  • Von Cramon ia shton edhe një kërkesë shtesë tri kërkesave të Borrellit: Të hetohen dhe ndiqen sulmuesit e KFOR-it

    Von Cramon ia shton edhe një kërkesë shtesë tri kërkesave të Borrellit: Të hetohen dhe ndiqen sulmuesit e KFOR-it

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i ka shtuar edhe një kërkesë shtesë tri kërkesave të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili i bëri dje publike pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

    Von Cramon kërkon që të ketë hetim të plotë dhe ndjekje penale për ata që sulmuan ushtarët e KFOR-it.

  • Osmani: Vuçiq vajtoi dhe u ankua, takimi u bë pas insistimit të Scholz e Macron

    Osmani: Vuçiq vajtoi dhe u ankua, takimi u bë pas insistimit të Scholz e Macron

    Në një konferencë për media pas samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian, Osmani tha se takimi me Vuçiqin ishte një kërkesë nga presidenti Macron dhe kancelari Scholz. Ajo tha se ishte një takim informal dhe jo negociues. Tutje, ajo tha se Kosovës iu kërkuan zgjedhje të reja në veri

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka thënë se presidenti serb, Vuçiq ankohej, vajtonte dhe nuk tregonte të vërtetën në takimin me të.

    Në një konferencë për media pas samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian, Osmani tha se takimi me Vuçiqin ishte një kërkesë nga presidenti Macron dhe kancelari Scholz. Ajo tha se ishte një takim informativ dhe jo negociues.

  • ​Lista Serbe përsërit kushtet për Qeverinë e Kosovës

    ​Lista Serbe përsërit kushtet për Qeverinë e Kosovës

    Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka përsëritur kërkesat që sipas tij duhet t’i plotësojë Qeveria e Kosovës në mënyrë që të ndërpriten protestat në veri.

    Duke folur para gazetarëve, Rakiq i ka ndarë kërkesat në dy faza ku faza e parë sipas tij është tërheqja e policisë nga komunat e veriut, lirimi i të gjithë të arrestuarve nga protestat, dhe që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të mos shkojnë në objektet komunale, raporton KP.

    Ndërsa faza e dytë sipas tyre është tërheqja e njësitë speciale nga veriu i Kosovës, formimi i Asociacioni si dhe ndërprerja e procedurave gjyqësore ndaj të gjithë të dyshuarve, duke përfshirë këtu edhe të arrestuarit e protestës.

    Ai nuk ka dashur të flas për zhvillimet e djeshme ku ndërkombëtarët kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, duke thënë se zyrtarisht nuk kanë asnjë përgjigje.

  • ​Sveçla viziton veriun: Sovraniteti është i patjetërsueshëm

    ​Sveçla viziton veriun: Sovraniteti është i patjetërsueshëm

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla sot ka vizituar pjesëtarët e Policisë së Kosovë në veri të vendit.

    Sveçla ka qëndruar sot në Jasenovik, në pendën e Liqenit të Ujmanit, në Zubq, në Junake e në Urën e Bistricës.

    Ai ka shkruar në Facebook se sovraniteti është i patjetërsueshëm.

    “Me vajzat dhe djemtë e Policisë së Kosovës që nuk kursejnë asgjë në mbrojtje të sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë. Në shoqëri normale demokratike, Republika është e veshur me sovranitet. Sovraniteti është i patjetërsueshëm. Faleminderit”, ka shkruar ai.

  • Haradinaj kërkon të votohet shkarkimi i kryeministrit Kurti

    Haradinaj kërkon të votohet shkarkimi i kryeministrit Kurti

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të procedohet me shkarkimin e kryeministrin Albin Kurti, meqë sipas tij, Kurti ka kultivuar mosbesim deri në pabesi në raportet me aleatët e Kosovës.

    Haradinaj tha se është në kohën sa ishte opozitë si kryetar i Vetëvendosjes, Kurti ka kultivuar në vazhdimësi këtë mos besim ndaj aleteve të Kosovës.

    “Mos besim deri në pabesi, jo befasi. Kryeministri Kurti, i sotmi, por dikur udhëheqës i Vetëvendosjes, ka ngjallë, ka mbjellë mos besim të brendshëm, pra gjithë kohën e ka ushqy një mosbesim në çdo proces, në çdo institucion, në çdo palë. Është rritë me këtë mos besim. Në vazhdimësi e ka kultivua një mos besim në aleatët e Kosovës, veçanërisht me ata të sigurisë dhe garantin tonë kryesor të sigurisë që është Amerika. Në raste të caktuar edhe është ekspozua me fjalorin e tij që i ka ngjasu Lavrovit dhe shokëve të tij”, tha Haradinaj. /atvlive.tv

  • Krasniqi pyet Kurtin për veprimet në veri: Ku po do me arritë me këto  që i ke bërë krye në veti?

    Krasniqi pyet Kurtin për veprimet në veri: Ku po do me arritë me këto që i ke bërë krye në veti?

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, akuzoi kryeministrin Kurti se veprimet në veri i ka bërë, siç thotë ai, krye në veti pa koordinim apo bashkërendim me askënd.

    “Në kohën kur Kosova gjendet në situatën më të rrezikshme që e ka pasur prej që e ke marrë përgjegjësinë për me udhëheqë vendin, ti në vend që të sillesh si kryeministër, sillesh si një gazetar mediokër i një televizioni shtetëror. Del këtu e na lexon raporte dhe na tregon historina dhe nuk dite një fjalë me e tregu pse, qysh, çka don me arritë me këto veprime të cilat absolutisht, jo që nuk i ke të bashkërenduara dhe që nuk i ke të koordinuara me kërkon hiç, por i kë bërë në krye në veti dhe në kundërshtim me ato që i ke deklaru më herët bashkë me partnerët ndërkombëtarë”, tha Krasniqi. /atvlive.tv

    Seancën mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në videon më poshtë:

  • Kurti: Besoj thellësisht në miqësinë e përhershme të ShBA’së dhe BE’së, por qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë s’mund të jetë e njëjtë

    Kurti: Besoj thellësisht në miqësinë e përhershme të ShBA’së dhe BE’së, por qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë s’mund të jetë e njëjtë

    Kryeministri Albin Kurti ka thëmë se Qeveria e tij beson thellësisht në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, por se qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njejtë.

    “Qeveria ime beson thellësisht në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian e më gjerë. Ne jemi thellësisht transatlantik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian bashkë me njëra tjetrën dhe bashkë me neve. Por, qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njejtë. Serbia është vend autokratik, Serbia nuk është vend demokratik. Në Serbi shtypen liritë dhe të drejtat e njeriut, shtypet opozita dhe Rusia e ka qëndrën e saj rajonale”, ka deklaruar Kurti.

    Kurti ka thënë se e kemi dëshmuar se “jemi partner të denjë” të miqve ndërkombëtarë me avancimin demokratik e ekonomik të Kosovës.

    Seancën mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në videon më poshtë:

  • Kërkon vota për mocionin? Haradinaj takon kundërshtarët e Kurtit në Kuvend

    Kërkon vota për mocionin? Haradinaj takon kundërshtarët e Kurtit në Kuvend

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, para fillimit të seancës se Kuvendit të Kosovës ku pritet të debatohet rreth situatës në veri ka takuar të gjithë kundërshtarët politikë të kryeministrit Kurti.

    Fillimisht Haradinaj ka takuar deputetin e larguar nga Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli ndërsa aty ka shfrytëzuar ta takoje edhe shefin e Grupit Parlamenatr të LDK-së, Arben Gashi.

    Më pas, Haradinaj takoi kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

    Një bisedë interesantë duket se pati edhe me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Gjithashtu, Haradinaj takoi edhe deputetët e tjerë të PDK-së, si Ferat Shala, Rashit Qalaj, Blerta Deliu Kodra.

    Ndoshta këto takime Haradinai shfrytëzon për të lobuar edhe për një iniciativë të tij që është mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës me qëllim për të rrëzuar Albin Kurtin nga pushteti pas situatës në veri.

    Kreu i AAK-së ditë më parë shprehu besimin se për këtë propozim të partisë së tij do ta ketë edhe mbështetjen e deputetëve në pushtet.

    “Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për kryeministrin Kurti. Mocioni i mosbesimit bazohet në dy zhvillimet më të fundit. I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe i sigurisë në veri, dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me SHBA-të, dhe BE-në deri edhe tek sanksionet nga SHBA-të ndaj Kosovës. Do të fillojmë konsultimet me spektrin politik me shoqërinë në përgjithësi dhe besojmë që mocioni është zgjidhja në këtë situatë të krijuar”, tha ai.

    Haradinaj, ka thënë se për mocionin e mosbesimit kanë nisur konsultimet me partitë.

    “Kemi filluar komunikimin e ndërsjellë me kryetarët e partive në nivel të grupeve, parlamentare besoj që në të ardhmen do t’i japim edhe rezultatet e këtij komunikimi…Besoj që nuk është çështje më pozitë, opozitë është çështje për të ruajtur Kosovën, me ruajtur aleancën me aleatin tonë të sigurisë me garantin tonë që është Amerika. çdo herë që u rreziku policia jonë në veri ishin amerikanët, ushtarët, KFOR amerikan që u vu në mbrojtje të policisë sonë. Unë besoj që do të përkrahet mocioni nga të gjitha, nga një shumicë e nevojshme po”, theksoi ditë më parë Haradinaj.

    Tash e gjashtë ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

    Të hënën, protestuesit, disa prej tyre me maska, kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave.

    Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat policore nga ndërtesat komunale.

  • Murphy kërkon “angazhim agresiv” të ShBA-së në Ballkan

    Murphy kërkon “angazhim agresiv” të ShBA-së në Ballkan

    Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Chris Murphy, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen “në mënyrë agresive” në Ballkan dhe fajësoi autoritetet e Kosovës për tensionet aktuale në veri të vendit.

    “Ne duhet të angazhohemi në mënyrë agresive në Ballkan për të mbrojtur paqen, sepse tani nuk mund ta përballojmë shuarjen e zjarreve të vërteta në atë rajon”, tha Murphy në një intervistë për National Journal, pas kthimit në Uashington nga një turne ballkanik, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    Tensionet në veri të Kosovës janë të larta, prej se Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të tri komunave me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të hyjnë në ndërtesat komunale, më 26 maj, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

    Revolta e tyre u shndërrua në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, më 29 maj.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, fajësoi Qeverinë e Kosovës për veprimet që çuan në “përshkallëzim të tensioneve në veri dhe rritje të destabilitetit”.

    Murphy, i cili u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, më 22 maj, u pajtua me Blinkenin se situata mund të ishte zgjidhur me diplomaci dhe jo me forcë.

    “Ai nuk duhej të lëvizte aq shpejt me vendimin për t’i marrë ato ndërtesa [komunale]”, tha Murphy.

    “Ai mund të priste dhe të përpiqej ta zgjidhte këtë nëpërmjet ndërmjetësve si Shtetet e Bashkuara”, tha senatori amerikan.

    Kjo situatë, sipas tij, i dha Rusisë mundësi për të nxitur trazira.

    “Rusia luan lojëra në Ballkan. Ajo përpiqet të nxisë përçarje dhe konflikte. Ajo shpreson se do të ketë konflikt në Ballkan, një konflikt real kinetik që do të largonte Shtetet e Bashkuara dhe Evropën nga konflikti në Ukrainë”, tha Murphy.

    Murphy tha se shpreson që kur të qetësohet situata në veri të Kosovës, njerëzit ta kthejnë vëmendjen te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

    Një ditë më herët, kryeministri Kurti bëri të ditur se ka biseduar me zëvendëskëshilltarin amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, dhe senatorët Chris Murphy, Pete Ricketts dhe Jeanne Shaheen, ku sipas tij, theksoi përkushtimin “për të punuar me SHBA-në për të ulur tensionet” në veri të Kosovës.

    “Kjo [ulja e tensioneve] kërkon përfundim të menjëhershëm të dhunës nga turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”, thuhet në postimin e Kurtit në Twitter.

    Përpjekjet ndërkombëtare për të ulur tensionet në Kosovë u intensifikuan, derisa serbët vazhdojnë protestat në pjesën veriore të vendit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.

    Kërkesat e tyre janë që këta kryetarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të tërhiqen nga komunat me shumicë serbe, ashtu si edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

    Gjatë një adresimi më 31 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i refuzoi ato, por la të hapur mundësinë për zgjedhje të reja lokale.