ATV

Tag: Ballina

  • NATO-ja mirëpret vendosjen e ushtarëve turq në Kosovë

    NATO-ja mirëpret vendosjen e ushtarëve turq në Kosovë

    Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli e cila i shërben Aleancës së NATO-s përmes përgatitjes, planifikimit dhe kryerjes së operacioneve ushtarake, e ka mirëpritur vendosjen e Batalionit Rezervë Operacional të Turqisë në Kosovë për ta përforcuar KFOR-in.

    JFC Napoli ka shkruar në Twitter se po monitoron nga afër situatën dhe se KFOR-i mbetet i përkushtuar në ndërtimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

    “Mirëpresim vendosjen e Batalionit Rezervë Operacional të Turqisë në Kosovë për ta përforcuar KFOR-in. JFC Napoli po monitoron nga afër situatën dhe KFOR-i mbetet i përkushtuar në ndërtimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë në Kosovë”, thuhet në reagimin e tyre.

     

    Në vazhdën e tensioneve në veri të Kosovës, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë njoftoi të shtunën se me kërkesë të Komandës së Forcës së Përbashkët të NATO-s, është caktuar një batalion komando dhe se kanë filluar përgatitjet për transferimin e ushtarëve turq në Kazermën Sulltan Murat në Kosovë deri më 5 qershor.

    Në një deklaratë me shkrim nga Ministria lidhur me zhvillimet në Kosovë, thuhet se Turqia vazhdon të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global në kuadër të misioneve të OKB-së, NATO-s, BE-së dhe OSBE-së dhe marrëdhënieve bilaterale.

  • Protestë masive në Beograd – aktorë, studentë dhe qytetarë: Vuçiq ik

    Protestë masive në Beograd – aktorë, studentë dhe qytetarë: Vuçiq ik

    Në orën 18:00 ka filluar protesta e re “Serbia kundër dhunës” para Kuvendit të Serbisë, e pesta me radhë pas tragjedive në shkollën fillore të Beogradit dhe dy fshatra afër Mlladenovcit, ku mbetën të vdekur 18 persona.

    Protesta e sotme mund të jetë edhe më masive për shkak të reagimeve të ashpra në opinion pasi përfaqësuesit e Partisë Progresive Serbe në pushtet në Kuvendin e Serbisë i quajtën “llum” aktorët që mbështesin protestuesit dhe kërkesat e tyre.

    Këtë javë, aktorët publikuan një proklamatë duke i cilësuar si dhunë vlerësimet e përfaqësuesve të SNS-së, raporton nova.rs.

    Në protestë u lëshua në ajër një poster me imazhin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe me shkrimin “Vuçiq ik”. Gjithashtu disa protestues mbanin në duar edhe fotografinë e politikanit të ndjerë nga Kosova, serbit Oliver Ivanoviq, i cili u vra vite më parë në Mitrovicë.

    Organizatorët e protestës kërkojnë edhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bratislav Gashiq, drejtorit të BIA-s, Aleksandar Vulin dhe pranimin e dorëheqjes së ministrit të Arsimit, Branko Ruzhiq.

    Ndryshe, Vuçiq nuk ka dhënë shenja se do t’i plotësojë kërkesat e protestuesve.

  • VV prishi koalicionin me PDK-në në Gjilan, Haziri: LDK do të jetë opozitë agresive

    VV prishi koalicionin me PDK-në në Gjilan, Haziri: LDK do të jetë opozitë agresive

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas prishjes së koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike në Gjilan, duke thënë se ka qenë e pritshme.

    “Zhvillimet në Komunën e Gjilanit kanë qenë të befasishme, por gjithashtu edhe të pritshme nga ana jonë. Kjo për shkak se koalicioni i ndërtuar VV-PDK në Gjilan, nuk ishte ndërtuar në bazë të një programi për Gjilanin e zhvilluar, por për interesa personale e partiake”, ka shkruar ai.

    Më tej, ish-kryetari i Gjilanit ka thënë se dalja e PDK-së nga koalicioni dhe deklaratat e tyre pas daljes nga ky koalicion, tregojnë se mundësia për të bashkëpunuar me të parin e ekzekutivit për të mirën e përbashkët publike, ka qenë minimale apo s’ka ekzistuar fare.

    “Edhe njëherë para jush, konfirmoj qëndrimin e LDK-së se jemi opozitarë deri në fund të këtij mandati, duke mos shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje me partinë në pushtet. LDK do të jetë opozitë agresive e këtij pushteti që projektet tona po i konsideron si të huaja”.

    “14 këshilltarët tanë pasqyrojnë shumicën e qytetarëve në Kuvendin Komunal, dhe presim që ky besim qytetar të respektohet nga Kryesuesi i Kuvendit, duke liruar pozitën e të parit të Kuvendit që me legjitimitet i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës”, është shprehur Haziri.

    Në të kundërtën, ai ka thënë se LDK-ja gjatë javës së ardhshme do të fillojë me procedurat e nevojshme për marrjen e mandatit që i takon, në koordinim me partnerët opozitarë dhe partinë e sapo dal në opozitë.

    “Gatishmëria jonë për të kontribuar në një bashkëpunim që do të sillte politika të mira e zhvillimore për komunën nuk ka munguar asnjëherë, por gjithmonë në bazë të parimeve të demokracisë, ligjshmërisë dhe politikave të duhura për qytetarët”, ka përfunduar ai.

  • Rama përkrah kërkesat e BE-së për depërshkallëzim në veri, Kosovën e quan vëllazërore – Serbinë mike

    Rama përkrah kërkesat e BE-së për depërshkallëzim në veri, Kosovën e quan vëllazërore – Serbinë mike

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ka kërkuar që Kosova t’i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës, dhe që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të kryejnë funksionin e tyre nga objektet alternative.

    “Shpresoj shuumë  që Kosova jonë vëllazërore dhe Serbia mike do ta zgjidhin këtë konflikt përpara se BE-ja të zbatojë masa të forta kundër tyre. Ata duhet të veprojnë shpejt dhe të kuptojnë se përmbushja e kërkesave të BE-së do të thotë t’i kthehen arsyes si shtete evropiane përgjegjëse”, ka shkruar Rama, transmeton Telegrafi.

     

    Ndërsa, duke reaguar ndaj deklaratës së Borrellit, Rama ka thënë se “Bashkimi Evropian nuk mund të jetë më i qartë!”.

    “Vazhdimi me këtë plan absurd, duke dërguar policinë për të mbrojtur ndërtesat boshe në të cilat zyrtarët e zgjedhur nuk mund të hyjnë, dhe nga ana tjetër, duke dërguar trupa ushtarake për të kënduar në kufirin e një vendi tjetër, nuk mund të ishte më vetëshkatërruese dhe më pak evropiane”, ka shkruar kryeministri Rama.

    Në një deklaratë të Bashkimit Evropian, të lëshuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, është dënuar dhuna që ka ndodhur në veri ditë më parë, dhe që Kosova të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet.

    “Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”, thuhet në deklaratën e Borrellit.

    “Bashkimi Evropian dënon fuqishëm dhunën ndaj qytetarëve, trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna ka mundur të evitohet, dhe duhet të evitohet në të ardhmen. Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm mbrapa misionit të KFOR-it dhe misionit të EULEX-it në përmbushjen e mandateve të tyre përkatëse”, është thënë në deklaratë.

    Sa i përket Serbisë, BE-ja, “shpreh shqetësim për vendosjen e forcave të armatosura të Serbisë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë”.

    “Bashkimi Evropian, pret nga Kosova dhe Serbisa të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të gjetur zgjidhje për situatën në veri, që garanton siguri dhe pjesëmarrje për të gjithë qytetarët. Diçka e tillë hap rrugë për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit. Kjo përfshin edhe nisjen, pa asnjë vonesë tjetër, dhe pa parakushte të punës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, është thënë mes tjerash në thirrjen e bllokut evropian.

  • Kurti: Veriu i Kosovës ka nevojë për zgjedhje të lira, por paraprakisht nevojitet sundim i ligjit dhe fushata për zgjedhje të jetë e lirë

    Kurti: Veriu i Kosovës ka nevojë për zgjedhje të lira, por paraprakisht nevojitet sundim i ligjit dhe fushata për zgjedhje të jetë e lirë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, edhe sot ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

    Këtë deklaratë shefi i ekzekutivit, e bëri sot në fshatin Muhoc të Ferizajt, gjatë vendosjes së gur themelit të shtëpisë së familjes gorane përfituese e mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

    “Situata në veri të Kosovës duhet të de-eskalohet, për këtë është e nevojshme që të mos ketë më protesta të dhunshme. Ata të cilët i kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët duhet të përballën me drejtësinë, e që në të ardhmen të kemi zgjedhje të lira, ku qytetarët e shprehin lirshëm vullnetin e tyre”, tha ai.

    Sipas tij, veriu i Kosovës, ka nevojë për zgjedhje të lira, por nevojitet paraprakisht sundim i ligjit, si dhe fushata për zgjedhje të jetë e lirë.

  • Osmani merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të Turqisë

    Osmani merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të Turqisë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot ka udhëtuar për në Turqi, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

    Sipas një njoftimi për media, bëhet e ditur se në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Erdogan, Osmani, e shoqëruar nga zotëria i parë, Prindon Sadriu, do të jetë përkrah krerëve të tjerë të shteteve nga mbarë bota.

    Ndryshe, Osmani ditë më parë, ka uruar presidentin Erdogan në emër të popullit të Republikës së Kosovës për fitoren dhe ka shfaqur gatishmërinë që të vazhdohet puna e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin dhe për ta forcuar partneritetin në mes të dy shteteve.

  • Fushatë e organizuar me thirrje për vrasjen e ushtarit amerikan në veri

    Fushatë e organizuar me thirrje për vrasjen e ushtarit amerikan në veri

    Në veri të Republikës së Kosovës ka disa ditë që janë vendosur trupat e KFOR-it, përfshirë edhe ato amerikane, që të kujdesën për sigurinë në atë pjesë, pas protestave të dhunshme të organizuara nga serbët lokalë.

    Nga aktet e dhunës të serbëve lokalë disa ushtarë të KFOR-it, italianë e hungarez, kanë mbetur të plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur me fraktura e djegie nga mjetet e përdorura. Por duket se serbët nuk po mjaftohen me kaq.

    Në rrjetin social “twitter” disa llogari me emra të ndryshëm, kanë nisur një fushatë linçuese kundër një ushtari të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilin kanë arritur që të identifikojnë nga një fotografi që i është shkrepur atij në veri të vendit, raporton Express.

    “Amerikan, Kosova është Serbi, kthehu në shtëpi”, ka shkruar një prej llogarive që ka shpërndarë fotografinë e ushtarit amerikan.

    Një tjetër llogari, ka komentuar tek postimi i njejtë duke bërë thirrje për vrasjen e ushtarit.

    “Kthehu në shtëpi, ose do të vritesh”, shkruan një komentues tjetër.

    “Stanley solli një armë automatike në tokën e shenjt serbe, ai kurrë s’duhet të kthehet më në shtëpi”, është komenti tjetër.

    Një tjetër llogari ka shkruar se “Stanley është një ushtar fashist” dhe se “NATO është organizatë Naziste që synon shkatërrimin e Rusisë”.

    Përveç këtyre komenteve e thirrjeve për vrasje ka edhe dhjetëra komente tjera që linçojnë e shajnë në drejtim të ushtarit amerikan.

    Pas krimeve monstruoze të forcave serbe ndaj shqiptarëve të paarmatosur, dëbimeve masive dhe masakrave të shumta të forcave paramilitare serbe ndaj civilëve shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1999 më 24 mars kishin marrë vendimin për bombardimin e Jugosllavisë. Pas 78 ditë bombardimesh nga Alenaca Veri-Atlantike, Sllobodan Millosheviq kishte nënshkruar kapitullimin e Serbisë dhe forcat serbe ishin larguar nga territori i Kosovës.

    Forcat amerikane që nga ajo kohë vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë dhe janë të vendosura në një prej bazave më të mëdha në rajon e vendosur në qytetin e Ferizajt e që quhet “Bondsteel”. Bazuar në Rezolutën 1244 forcat amerikane bashkë me forcat e tjera të KFOR-it kujdesen për mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.

    Disa prej “screen shot” të marrura në postimin e llogarisë së Darko Bubonja një person nga Serbia. Ky postim i Darko Bubonja ka marrë mbi 600 shpërndarje, mbi 2 mijë pëlqime dhe e kanë parë afro 62 mijë njerëz në “twitter”.

  • Qytetarët: Shqiptarët nuk heqin dorë nga Amerika

    Qytetarët: Shqiptarët nuk heqin dorë nga Amerika

    Qytetarët në Prishtinë thonë se institucionet e Kosovës po respektojnë ligjet dhe Kushtetutën në veri të vendit, por që duhet të kenë kujdes për raportet me Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi janë mbështetësit më të mëdhenj të lirisë dhe shtetëndërtimit tonë.

    Më 30 maj, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

    “Jemi duke mendu se cilat do të jenë veprimet tona të mëtejshme. Mirëpo në këtë moment nuk do të gjeni shumë entuziazëm prej anës së SHBA-së të reagojë ndaj interesave tjera të Kosovës, si për shembull të angazhohemi me shtetet që s’e kanë njohur Kosovën ose që të punojmë aktivisht në trajektoren e integrimit evropian e ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë ai.

    Ndërkohë, qytetarët thonë se jemi populli më pro-amerikan dhe se theksojnë se raportet me ShBA nuk janë prishur, por vetëm luhatur.

    Qytetari nga Rahoveci, Hamdi Ajdini u shpreh se Qeveria duhet të mirëkuptohet, pasi po respekton ligjet.

    “Qeveria jonë e Kosovës është duke shkuar në bazë të Kushtetutës si rregull ata po mbrohen ashtu. Kjo ndodh me fajin tonë shumë udhëheqësit tanë na kanë mashtruar nga fillimi. Amerika si lider që ndihmon shtetet e vogla nuk duhet me i prish raportet me neve, por për Amerikën jemi fisnik dhe i adhurojmë ashtu siç duhet”, thotë ai.

    Qytetari tjetër, Izet Zhuja shprehet për KosovaPress se shqiptarët nuk heqin dorë nga Amerika.

    “Amerika e dinë se si shkojnë këto punë, ata shkojnë ngadalë, por me heq dorë jo Amerika nga Kosova, po as shqiptarët nuk heqin dorë nga Amerika. Strategjia afatgjate është që Kosova ta ketë vendin e merituar në Evrope dhe do ta ketë”, thotë ai.

    Edhe Ali Izetlatifi, zanatli i vjetër në Prishtinë, ka të njëjtin mendim në lidhje me raportin e Amerikës me Kosovën. Ai thotë se Kosova asesi nuk mundet pa Amerikën.

    “Çka të thotë Amerika amin, ku mundet Kosova pa Amerikën, duhet me punu se nuk ka pa punu, ditë e natë me punu këtu kanë vjedh”, potencon ai.

    Verzan Murgaj thotë se i gjithë populli duhet ta mbështesë vendimin e Qeverisë së Kosovës.

    “Qeveria bën punën e vet, mbron vendin e vet. Politika gjithmonë ngatërrohet, shohin politiken si të privatizuar por nuk është ashtu. Shqiptarët kanë pa gjithmonë interesat e veta për atë arsye, Shqipëria është ndarë sot në dy pjesë. Serbët nuk duan qetësi, sepse paguhen nga Serbia, ata duan rrëmoj, kanë zgjedhur me i mbajt dy krahë. Amerika nuk prishet me Kosovën dhe Shqipërinë, sepse populli e don”, shpehet ai.

    Xheva Kabashi thotë se Amerika ka bërë shumë për Kosovën dhe se raportet e vendit tonë me këtë shtet nuk duhet prishur asnjëherë.

    “Raportet me Amerikën nuk duhet me u prish se menjëherë duhet me u largu nga këtu. Shumë po e kundërshtojnë Albin Kurtin, duhet me e përkrah, i gjithë populli shqiptarë me vazhdu se çka të thotë Amerika i zoti i shtëpisë. Amerika ka dhanë shumë për Kosovën, na duhet me u bo bashkë gjithmonë”, thotë ai.

    Hasan Ramadani thekson se institucionet e Kosovës po nguten, por raportet e dy vendeve tona nuk do të prishen.

    “Populli duhet me u çu në këmbë se politika e Serbisë e mban populli, qysh unë e kuptoj çështja është e mirë, na si popull nuk prishemi me Amerikën, ka vetëm luhatje. Serbia nuk ka aprovuar asnjë detyrë, por kësaj radhe mendoj se është në rregull. Amerika ka thënë që shtet mbi shtet nuk ka, na pak po ngutemi por gjendja është prapë e mirë”, thotë Ramadani.

  • Protestat në Beograd, analistja amerikane: Egoja e Vuçiqit s’po mund ta pranojë që miliona serbë nuk mund ta durojnë atë

    Protestat në Beograd, analistja amerikane: Egoja e Vuçiqit s’po mund ta pranojë që miliona serbë nuk mund ta durojnë atë

    Analistja amerikane Ivana Stradner ka komentuar protestat që po ndodhin në Beograd.

    Stradner me anë të një shkrimi në Twitter thekson se presidenti se Aleksandar Vuçiq nuk mund të pranoj se miliona serbë nuk mund ta durojnë atë.

    “Do të ketë protesta masive në Beograd të Serbisë kundër Qeverisë. Vuçiq pretendon se një shërbim inteligjent nga Lindja ka ndarë informacionin se një revolucion i ri me ngjyra është në horizont”, ka shkruar Stradner.

    Ajo shton se Kremlini pretendon se Perëndimi në Serbi po komploton një revolucion të stilit Maidan.

    “Këtë javë qeveria ruse tha se Perëndimi po komploton një revolucion të ri të ‘stilit Maidan’ në Serbi. Egoja e Vuçiqit nuk mund të pranojë që miliona njerëz në Serbi nuk mund ta durojnë atë dhe kjo është një lëvizje bazë”, shton ajo.

     

    Në fund, Stradner pohon se Vuçiqi është kthyer në objekt taljeje në Serbi.

    “Vuçiq në intervista i pëlqen të theksojë se ai është një aktor racional, por ai është shumë i shtyrë nga emocionet që ai nuk mund t’i rregullojë – veçanërisht pakënaqësia dhe urrejtja. Madhështia e tij, pasi ai dëshiron të jetë një Josip Broz Tito i ri, është shpesh objekt talljeje në Serbi”, përfundon Stradner.

    Kujtojmë se gjatë të shtunës së kaluar, në qendër të Beogradit, dhjetëra mijëra persona protestuan nën sloganin “Serbia kundër dhunës”.

    Kjo protestë u thirr nga opozita dhe është e katërta e këtij lloji që organizohet në Serbi, për të kundërshtuar përgjigjen e Qeverisë pas dy sulmeve masive që ndodhën në maj në këtë shtet, kur u vranë 18 persona.

  • Tentoi t’i vras policët në Gjilan duke i goditur me veturë: Policia kërkon ndihmën e qytetarëve

    Tentoi t’i vras policët në Gjilan duke i goditur me veturë: Policia kërkon ndihmën e qytetarëve

    Një rast sikur në filmat aksion kishte ndodhur të enjten mbrëma në Gjilan. Një person, ka tentuar t’i godas policët me veturë. Njëri nga policët e ka gjuajtur me armë, por pa pasur sukses ta ndalë. I Dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes, në drejtim të panjohur.

    E Policia e Kosovës, këtë të shtunë ia ka publikuar fotografinë së bashku me detaje të tjera Burim Agajt, i cili ndër të tjera po akuzohet për veprën tentin vrasje ndaj policëve.

    Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve, për ta lokalizuar të dyshuarin.

    KOMUNIKATË PËR MEDIA

    Kërkesë për bashkëpunim

    Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, njësiti i hetimeve që operon në kuadër të stacionit policorë në Gjilan, me autorizim nga Prokuroria Themelore në Gjilan, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personit që shihet në fotografi.

    I dyshuari kërkohet për përfshirje në disa raste të veprave penale (tentim vrasje ndaj policëve në detyrë), që janë raportuar kohëve të fundit në Policinë Rajonale në Gjilan.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit apo vendndodhjen e tij, mund të lajmëroni në stacionin më të afërt të Policisë së Kosovës apo përmes numrit 192.