ATV

Tag: Ballina

  • Kimbërli Uest përzgjidhet Prokurore e Specializuar e Gjykatës Speciale

    Kimbërli Uest përzgjidhet Prokurore e Specializuar e Gjykatës Speciale

    Kimbërli Uest (Kimberly West), e cila ka qenë më parë prokurore federale e SHBA-së me përvojë të gjerë si në hetimet për krime në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar, është përzgjedhur Prokurore e Specializuar pas një procedure të organizuar nga Bashkimi Evropian.

    Uest bëhet Prokurorja e Specializuar e tretë, pas Xhek Smithit (Jack Smith) i cili u largua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në nëntor 2022 për të marrë një post si Prokuror Special në Shtetet e Bashkuara.

    “Është një nder që jam përzgjedhur në këtë rol të rëndësishëm dhe sfidues,” tha Uest. “Pres me kënaqësi të marr detyrën në ZPS dhe ta çoj përpara punën e saj.”

    Uest vjen në ZPS nga Firma Ligjore Eshkroft (Ashcroft Law Firm) në Boston, Masaçusets (Massachusetts), ku është partnere që nga viti 2019 dhe është përqendruar kryesisht në mbrojtje të çështjeve penale të lidhura me krimin ekonomik.

    Para se të merrte detyrën në këtë firmë, Uest punoi si prokurore për më shumë se dy dekada në role në nivel vendor, federal dhe ndërkombëtar.

    Uest ishte gjithashtu Shefe e Byrosë së Krimeve në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Masaçusetsit në periudhën nga viti 2015 deri në 2019. Në këtë rol, ajo mbikëqyrte një ekip prej 120 profesionistësh të ngarkuar me hetimin dhe ndjekjen penale të një game të gjerë veprash penale në fushën e mashtrimeve financiare, korrupsionit publik, trafikut të drogës, lojërave të fatit dhe trafikimit të qenieve njerëzore; në mbrojtjen e të dënuarve në fazën e apelit; dhe në ndihmën për viktimat dhe dëshmitarët.

    Uest mori detyrën në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm pasi erdhi nga Zyra e Prokurorit Federal të SHBA-së, Distrikti i Masaçusetsit, ku ajo shërbeu si Ndihmës-prokurore Federale e SHBA-së në Njësinë për Mashtrimet në Kujdesin Shëndetësor për dy vjet dhe në Njësinë e Sigurisë Kombëtare për gjashtë vjet. Znj. Uest mori detyrën në Njësinë e Sigurisë Kombëtare pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj Qendrës Tregtare Botërore dhe Pentagonit.

    Për pesë vjet, në periudhën nga viti 2008 deri në 2013, Uest shërbeu si prokurore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku ajo ishte pjesëtare e ekipit që ndoqi penalisht Radovan Karaxhiqin për rolin e tij në gjenocidin në Srebrenicë. Ajo ishte gjithashtu në ekipin e prokurorëve në çështjen gjyqësore Përliq et al që u përqendrua në krimet e kryera në Mostar dhe shkatërrimin e Urës së Vjetër.

    Uest ka gradën Juris Doctor (Doktor në Drejtësi) nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Safolkut, Masaçusets, dhe u bë anëtare e Dhomës së Avokatëve në Masaçusets. Ajo ka gjithashtu gradë universitare bachelor nga Kolegji i Bostonit, Masaçusets.

    Uest bëhet Prokurorja e Specializuar e tretë, pas Xhek Smithit, i cili shërbeu si Prokuror i Specializuar në periudhën nga viti 2018 deri në 2022, dhe Dejvid Shvendimanit (David Schwendiman), i cili shërbeu nga viti 2016 deri në 2018. Aleks Uajting (Alex Whiting) i cili ka shërbyer si Ushtrues i Detyrës së Prokurorit të Specializuar që nga nëntori 2022, do të vazhdojë në këtë rol derisa Uest të marrë detyrën e saj.

  • Kuvendi me seancë të veçantë, diskuton për veriun

    Kuvendi me seancë të veçantë, diskuton për veriun

    Kuvendi me seancë të veçantë, diskuton për veriun

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të veçantë, ku do të diskutojnë për situatën në veri të vendit.

    Seanca pritet të fillojë në ora 10:00.

    Situata në komunat në veri të vendit është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

    Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.

  • Blinken do që Kurti të ndërgjegjësohet

    Blinken do që Kurti të ndërgjegjësohet

    Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, dërgoi porosi të qarta në adresë të Kosovës e Serbisë.

    Në një konferencë për media pas samitit të NATO-s i mbajtur në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, Blinken, këshillon që telashet në tri komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe të zgjidhen në mënyrë paqësore.

    “Ne thërrasim qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë të marrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën tensionet dhe të rinisin përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet nga dilaogu i udhëhequr nga BE-ja. Ne mbështesim procesin e integrimeve euro-atlantike për Kosovën dhe Serbinë, por eskalimi aktual shmang, e nuk i ndihmon përpjekjet për të ecur në këtë drejtim”, shtoi i pari i diplomacisë së SHBA-ve.

    Kryediplomati amerikan, thotë se presin që në ditët e javët në vijim të ketë veprime konkrete drejt qetësimit të situatës në veri të republikës së Kosovës. Ai thirri që të shmangen me patjetër ato që i quan “veprime të njëanshme”.

    “Ne kemi qenë shumë të qartë në shqetësimet tona për disa nga veprimet që u morrën këtyre ditëve. Ne ju kemi thënë këtë direkt liderëve të involvuar, përfshirë kryeministrit Kurti, dhe ne po presim nga të dy të sillen në mënyrë të përgjegjëshme” përfundoi Blinken.

  • Takimi Osmani-Vuçiq, Borrell ndan detaje: Diskutuam për situatën e rrezikshme në veri

    Takimi Osmani-Vuçiq, Borrell ndan detaje: Diskutuam për situatën e rrezikshme në veri

    Josep Borrell, zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka treguar për takimin të cilin e ka ndërmjetësuar në mes të presidentes, Vjosa Osmani dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

    Borrell përmes një deklarimi në Twitter e ka cilësuar si të rrezikshme situatën në Veri të Kosovës.

    Shefi i BE-së për politikë të jashtme nuk ka treguar më shumë për përmbajtjen e bisedës, po që nuk ka treguar që të ketë pasur zgjidhje – duke nënkuptuar se Osmani e Vuçiq nuk janë pajtuar.

    Takimi mes Osmanit dhe Vuçiqit ka ndodhur në Moldavi, në një samit të liderëve evropianë.

    Për situatën në Veriun e Kosovës, presidenti francez, Emmanuel Macron ka paralajmëruar vendime konkrete gjatë javës së ardhshme.

    Situata në Veri është e tensionuar që nga e premja e javës së kaluar, kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë u penguan të hynin në objektet e tri komunave veriore të Kosovës.

    Ndërkaq, të hënën situata eskaloi, ku protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e KFOR’it, duke u lënduar disa prej tyre.

  • Kurti merr telefonatë nga SHBA-të, pajtohet për zgjedhje të reja në veri

    Kurti merr telefonatë nga SHBA-të, pajtohet për zgjedhje të reja në veri

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Zëvendës Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jon Finer. Kurti iu është zotuar Finerit për bashkëpunim me SHBA-të për depërshkallëzim të tensioneve në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

    Kështu ka njoftuar Kurti nëpërmjet një postimi në Twitter.

    “I lumtur që bisedova me me Zëvendës Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jon Finer. E falënderova për thirrjen dhe u zotova që të bashkëpunim me SHBA-në për t’i depërshkallëzuar tensionet”, ka njoftuar Kurti.

    Ai ka thënë se do të ketë përfundim të menjëhershëm të dhunës nga “bandat e mbështetura nga Beogradi”, deri siç thotë ai në shpalljen e zgjedhjeve të reja në këto komuna.

    “Kjo kërkon një përfundim të menjëhershëm të dhunës nga bandat e mbështetura nga Beogradi nga zyrtarëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në këto komuna”, ka shkruar në fund ai.

  • Pozhari: Asociacioni ka qenë kompromisi më i dhimbshëm ndaj Serbisë, pse nuk e implementuan vetë por ia lanë Kurtit

    Pozhari: Asociacioni ka qenë kompromisi më i dhimbshëm ndaj Serbisë, pse nuk e implementuan vetë por ia lanë Kurtit

    Analisti Xhevdet Pozhari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Ata që i kanë bërë kompromise Serbisë, ata na kanë sjellë në këtë situatë, pasi që sipas tij, nënshkrimi i Asociacionit ka qenë kompromisi më i madh, më i dhimbshëm ndaj Serbisë dhe e ka vënë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit.

    “Asociacioni ka qenë kompromisi më i madh ndaj Serbisë. Nënshkrimi i Asociacionit ka qenë kompromisi më i madh, më i dhimbshëm ndaj Serbisë që ty ta ka dhënë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit. A si dini cili është argumenti? Që po e lëmë anash që ka gjuajt gaz Vetëvendosja dhe që ka qenë kundër. Sikur të kish qenë Asociacioni diçka e dobishme, s’do t’i vinte rendi që zotri Kurti ta nënshkruante, do të kryhej ajo procedurë më herët. Pse nuk e themeluan e asnjëherë nuk e iniciuan ata që ishin më herët, sepse e dinin shumë qartë se çfarë kanë bërë. Është tjetër ajo çfarë vinë e shesin pallavra këtu në studio tash të pensionuar edhe thonë se ajo ka qenë gjëja më e mirë që ka mundur me i ndodh Kosovës”, tha Pozhari. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Haradinaj e mbështet Qeverinë: Kanë të drejtë për veriun

    Haradinaj e mbështet Qeverinë: Kanë të drejtë për veriun

    Ish ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha tani që është ndërmarrë një veprim dhe jemi në një situatë të re të gjendjes në veri të vendit, dhe institucionet e Kosovës nuk do duhej të zmbrapsen pa u plotësuar disa kushte.

    “Pikë së pari duhet ta bëjmë të qartë se Qeveria e Kosovës dhe Institucionet e Kosovës janë në të drejtën e plotë të tyre shtetërore. Ne kemi qenë mjaft të durueshëm tash e sa kohë rreth kushtëzimeve dhe ciklit të kushtëzimeve të pafundme të Serbisë dhe bandave kriminale të Vuçiqit në Serbi. Kemi hequr dorë nga targat, kemi hequr dorë nga zgjedhjet në veri një herë, kemi bërë disa koncesione në marrëveshjen e Ohrit, e cila po ashtu e reflekton një asimetri të kësaj qasje ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, tani me që është marrë një veprim dhe jemi para një situate të re të sigurisë dhe të gjendjes edhe politike në veri, atëherë nuk besoj se do duhej të zmbrapsej kryeministri Kurti dhe institucionet e Kosovës pa u plotësuar disa kushte. Ato kushte unë besoj se janë në një rishikim strategjik të dialogut, i pjesëmarrjes së Kosovës në këtë dialog , i cili po shihet qartazi se nuk ka dhënë rezultat deri sot, sepse po e shohim si përfundoi”, tha Haradinaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kusari-Lila: Opozita mundet me e rrëzu Albin Kurtin vetëm me votat e Listës Serbe

    Kusari-Lila: Opozita mundet me e rrëzu Albin Kurtin vetëm me votat e Listës Serbe

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, duke komentuar kërkesën e opozitës për mocion ndaj Qeverisë, tha se kryeministri Kurti mund të rrëzohen vetëm nëse opozita bëhet bashkë me Listën Serbe.

    “Ata që e kanë propozu mocionin duhet të kenë brengosje, jo për çështje të numrave, por për çështje arsyeshmërisë dhe moralit prapa mocionit. Të gjithë e dinë se numrat sot në Kuvendin e Kosovës për të rrëzu një Qeveri, e cila ka dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit me rezultatin që ka dalë dhe me numrat që i ka, mund ta bëjnë këtë vetëm me votat e Listës Serbe”, tha Kusari-Lila. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Vrasja e Marigona Osmanit, prezantohen pamjet e kamerës së banesës së Krivaqës

    Vrasja e Marigona Osmanit, prezantohen pamjet e kamerës së banesës së Krivaqës

    Para trupit gjykues dolën sërish pas gati 5 muajve.

    Në seancën e gjashtë me radhë ndaj Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut, dy të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit, u prezantuan provat materiale.

    Nga trupi gjykues u kërkua që të nisë me prezantimin e provës kryesore, sipas të cilit, ishin pamjet e kamerave të cilat ishin të vendosura në banesën e Krivaqës, ku dyshohet se ndodhi e gjithë ngjarja.

    Por për shkak të përmbajtjes së rëndë të pamjeve u kërkua që seanca të mbyllet për publikun.

    Por në sallë u kërkua që të qëndrojë vetëm një person, i cili ishte babai i të akuzuarit Arbër Sjediut.

    Kështu seanca vazhdoi pa prezencën e mediave.

    Por me t’u larguar mediat dhe ende pa nisur transmetimi i pamjeve të banesës, sipas avokatëve, Krivaqa u alivanos dhe për këtë u nevojit edhe ndërhyrja e ekipit mjekësor.

    Ndërkaq, veç pamjeve të kamerës, në mesin e provave materiale të tjera, të cilat do të prezantohen në seancat e ardhshme, do të jenë edhe leximi i autopsisë së Marigona Osmanit, raporti i ekspertizës, si dhe 18 raporte mjekësore psikologjike të prindërve, motrës dhe vëllait të Marigona Osmanit.

    Prezantimi i pamjeve nga banesa e Krivaqës pritet të vazhdojë edhe nesër nga ora 13:00. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve ne ATV e gjeni ne videon me poshtë:

  • Policët të rrezikuar në veri, qeveria i lë pa shtesa tash e katër muaj

    Policët të rrezikuar në veri, qeveria i lë pa shtesa tash e katër muaj

    Serbët e veriut nuk i duan policët kosovarë në komunat e tyre, që ndodhen brenda territorit të Republikës së Kosovës.

    Shok-bombat, mjetet piroteknike, gurët, por edhe armët e zjarrit, janë mjetet që gjatë ditëve të fundit u përdorën për të kundërshtuar, përveç kryetarëve të rinj, edhe praninë e Njësive Policore të Kosovës në komunat veriore.

    Me gjithë situatën, policët e Kosovës edhe muajin qershor do ta kalojnë pa i marrë shtesat për rrezikshmërinë në punë.

    “Shtesa për rrezikshmërinë që do të duhej të merrnin, ashtu si e kanë marrë para implementimit të Ligjit të pagave, do të ishte nga 140 euro deri në 215, kjo varësisht nga njësia ku janë të angazhuar. Shtesat e rrezikshmërisë nuk janë duke u ekzekutuar qe katër muaj”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

    I brengosur për rrezikun ndaj të cilit ekspozohen zyrtarët policorë, Zeqiri thotë se Qeveria ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë drejt ekzekutimit të shtesave për rrezikshmërinë, pavarësisht premtimeve nga ministritë përkatëse.

    “Niveli i rrezikshmërisë, për policinë, në veri të vendit është i lartë. Kemi pasur diskutim social dhe jemi në diskutim, por ende nuk kemi marrë përgjigje konkrete, përveç asaj se është duke u punuar në këtë drejtim”, tha Zeqiri.

    Pse nuk po ekzekutohen shtesat e rrezikshmërisë për Policinë? Kur do të ndodhë kjo dhe a do të ketë kompensim të shtesave për muajt që ato nuk janë ekzekutuar, ishin pyetjet e ATV-së drejtuar Ministrisë së Financave dhe asaj të Punëve të Brendshme. Mirëpo, në asnjërën prej tyre, televizioni nuk mori përgjigje.

    Nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat, Policisë së Kosovës dhe disa profesioneve të tjera iu ndërprenë shtesat për rrezikshmëri, si dhe shtesat e tjera, me arsyetimin se ende nuk ka përfunduar puna e Komisionit për përfitimin e shtesës për kushte specifike të punës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve ne ATV e gjeni ne videon me poshtë: