ATV

Tag: Ballina

  • Rohde: Dëmet shqetësuese të ekonomisë së Kosovës tashmë janë në horizont, duhet de-eskalim menjeherë

    Rohde: Dëmet shqetësuese të ekonomisë së Kosovës tashmë janë në horizont, duhet de-eskalim menjeherë

    Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka ripërsëritur thirrjen e Odës Ekonomike Gjermane për de-eskalim të menjëhershëm të situatës në veri të vendit.

    Rodhe në një reagim në twitter ka shkruar se dëmet shqetësuese të përspektivës ekonomike për Kosovën tashmë janë në horizont, duke dëmtuar reputacionin dhe potencialin e saj përballë komunitetit të biznesit.

    “Dëmet shqetësuese për perspektivën ekonomike të Kosovës janë tashmë në horizont, duke dëmtuar reputacionin dhe potencialin e saj edhe përballë komunitetit të biznesit. E ripërsërisim këtë thirrje nga Shoqata Gjermano-Kosovare e Bizneseve për deeskalim të menjëhershëm”, ka shkrua Rohde.

  • Rama: Policët e rrëmbyer duhet të kthehen sa më parë në shtëpi

    Rama: Policët e rrëmbyer duhet të kthehen sa më parë në shtëpi

    Rama thotë se siç duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.

    Sipas tij, pavarësisht pretendimeve të ndryshme, duhet që ata të kthehen sa më parë në shtëpi. Dhe për këtë shprehet se që prej dje qeveria shqiptare është fokusuar tek lirimi i tyre.

    “1.Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.

    2. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!

    3. Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre”, shkroi Rama në Twitter.

    Sipas kreut të qeverisë, nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe serbit të arrestuar në Mitrovicën e Veriut disa ditë më parë. Prandaj sipas tij, shtensionimi i situatës është prioritet i momentit.

    “4. Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri!

    5. De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë”, tha Rama.

  • ​BE: Marrja e masave ndaj Kosovës s’ishte e lehtë, palët të de-përshkallëzojnë situatën

    ​BE: Marrja e masave ndaj Kosovës s’ishte e lehtë, palët të de-përshkallëzojnë situatën

    Bashkimi Evropian ka ripërsëritur sot se ndaj Kosovës nuk janë vendosur sanksione apo masa kufizuese, por masa që i përdorin për të treguar se BE është serioze në pritjen e de-përshkallëzimit. BE ka ripërsëritur thirrjen që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë situatën urgjentisht.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se ende presim që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të zbatojë hapat e nevojshëm për de-përshkallëzimin e situatës.

    Në një konferencë për shtyp në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel, ai ka potencuar se masa janë të përkohshme, mund të zvogëlohen dhe mund të hiqen. Sipas tij, ato përfshijnë shtyrje të vizitave zyrtare, të komisioneve, apo ngjarjeve që janë planifikuar si dhe bashkëpunimin financiar me Kosovën.

    “Siç u përpoqa të sqaroja dje, këto nuk janë sanksione apo masa kufizuese. Kur përdorim fjalën sanksion ose masa kufizuese, do të thotë masa të cilat bazohen në kornizën ligjore për sanksionim. Ky nuk është rasti në Kosovë, këto janë masa. Këto janë instrumentet që ne po i përdorim për të treguar se Bashkimi Evropian është serioz në pritjen e de-përshkallëzimit dhe reagimin nëse de-përshkallëzimi nuk ndodh dhe prandaj, kur është fjala për marrëdhëniet me Kosovën, dje përmenda se shtetet anëtare mbështetën një sërë masash në lidhje me Kosovën, pasi ende presim që kryeministri Kurti të zbatojë hapat e nevojshëm për de-përshkallëzimin e situatës, dhe këto masa, janë të përkohshme, mund të zvogëlohen, mund të hiqen, ato përfshijnë shtyrje të vizitave zyrtare, të komisioneve, apo ngjarjeve që janë planifikuar ose janë në planifikim, si dhe bashkëpunimin tonë financiar me Kosovën.”, ka thënë ai.

    Stano ka potencuar se vendimi i ndërmarrë për masa ndaj Kosovës nuk ka qenë i lehtë.

    Ai është shprehur se homologët kosovarë janë në dijeni për pritjet e Bashkimit Evropian.

    “Sërish nuk do të hyj në detaje, homologët tanë kosovarë janë shumë mirë të informuar për mendimin e Bashkimit Evropian, për pritjet e Bashkimit Evropian. Këto masa nuk janë diçka që Bashkimi Evropian do ta merrte lehtë, por këto janë masat që janë reagimi i domosdoshëm i Bashkimit Evropian ndaj faktit se deri më tani nuk kemi parë ndonjë hap vendimtar kuptimplotë për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës.”, ka thënë ai.

    Ai ka bërë të ditur se BE po bën më të mirën për normalizmin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Zëdhënësi i BE-së ka thënë se qëllimi i përgjithshëm është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e cila do t’i ndihmonte Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt BE-së.

    “Bashkimi Evropian është një ndërmjetës i ndershëm që po bën më të mirën me sasi të mëdha energjie dhe burimesh për të lehtësuar normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bazuar në kërkesat e të dyja palëve, të miratuar nga rezoluta e OKB-së. Pra, ne po bëjmë rolin tonë si lehtësues…Qëllimi i përgjithshëm është të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është qëllimi i përgjithshëm për të mirën e njerëzve si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme për rrugën drejt BE-së si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë, kështu që për të arritur atje, pritet të japë sjelljen evropiane do të thotë jo përshkallëzimi, por gjetja e zgjidhjeve, de-përshkallëzimi, sjellja evropiane do të thotë konsensus dhe gjetja e kompromiseve duke mos pasur situata konstante kur për shkak të hapave të njëanshëm, kemi krizë pas krize, të cilat Bashkimi Evropian përpiqet t’i zgjidhë.”, ka thënë ai.

    Lidhur marrëveshjen e Ohrit, Stano ka thënë se asnjëherë nuk është hequr dorë dhe se roli i BE-së është të ndihmojë në arritjen e objektivit të përgjithshëm.

    “Lidhur me marrëveshjen e Ohrit ose e ashtuquajtura Marrëveshja e Ohrit për aneksin e zbatimit, ka një deklaratë të qartë të Përfaqësuesit të Lartë të dakorduar qartë nga të dyja palët, është atje, është publikuar. Asnjëherë nuk është hequr dorë, askush nuk ka hequr dorë nga kjo deklaratë dhe është atje. Roli i BE-së është të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë për të arritur objektivin e përgjithshëm. Nëse ata nuk duan, është vendimi i tyre, por nëse duan të përmbushin këtë objektiv dhe përkushtimin e tyre për të ardhmen e BE-së për njerëzit e tyre, atëherë Bashkimi Evropian do të vazhdojë të lehtësojë, por në të njëjtën kohë do të presim një sjellje evropiane, dhe sjellje evropiane nuk do të thotë të tregosh vazhdimisht gishtin drejt të tjerëve, por duke parë veten, çfarë mund të bëni veçanërisht nëse partnerët tuaj, aleatët tuaj më të afërt dhe partnerët tuaj po ju tregojnë se cila është rruga përpara.”, ka thënë ai.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian është shprehur se nuk ka dijeni për mbajtjen e një takimi “sekret” në Bruksel, për të cilin dje ka folur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Ai ka thënë se kur bëhet fjalë për dialogun gjithçka është transparente.

    “Nuk jam në dijeni për ndonjë takim të fshehtë për dialogun, gjithçka që bëjmë kur bëhet fjalë për dialogun është plotësisht transparente. Takimet shpallen, komentohen siç duhet. Pra, le të mos e largojmë vëmendjen nga ajo që është vërtet e rëndësishme. Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme është që ka përshkallëzim, i cili nuk ndalet, ai vazhdon, dhe nuk ka depërshkallëzim siç presin BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë… Nëse nuk arrijmë të kalojmë nga kjo situatë aktuale e përshkallëzimit të vazhdueshëm në depërshkallëzim të menjëhershëm, kjo do të ketë pasoja negative dhe ka filluar të ketë pasoja negative në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.”, ka shtuar ai.

    Stano është pyetur edhe lidhur me rrëmbimin e tre policëve në veri të Kosovës nga Serbia, me ç’rast ka thënë se janë duke e ndjekur ngjarjen nga afër.

    Tutje, zëdhënësi i BE-së i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga çdo veprim që mund të çojë në ngritjen e tensioneve. Ai ka ripërsëritur thirrjen që të dy vendet të de-përshkallëzojnë situatën urgjentisht.

    “Epo, kjo është diçka që sigurisht po e ndjekim nga afër dhe jemi, si çështje urgjente, në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, që është shumë e rëndësishme në këtë kontekst për të vërtetuar se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe si ndodhi. Dhe ndërkohë ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve, të cilat tashmë janë goxha të larta, dhe dhe me hapa vendimtarë.”, ka shtuar tutje ai./KP

  • ​Rrëmbimi i tre policëve, Kryeministri Kurti raporton sot në Kuvend

    ​Rrëmbimi i tre policëve, Kryeministri Kurti raporton sot në Kuvend

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të raportojë sot në Kuvendin Kosovës për rrëmbimin e tre policëve nga forcat serbe, brenda territorit të vendit.

    Pas kërkesës së opozitës që Kurti të raportojë në Kuvend, i njëjti i është përgjigjur pozitivisht që sot në orën 17:30 të raportojë para të zgjedhurve të popullit.

    Këtë e bëri të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë seancës së sotme plenare.

    Krahas zhvillimeve të djeshme, opozita ka kërkuar që Kurti të tregojë edhe për raportet me aleatët dhe qëndrimet për sanksione ndaj Kosovës.

  • A përfshihen edhe vizat në masat e BE-së ndaj Kosovës – përgjigjet Stano

    A përfshihen edhe vizat në masat e BE-së ndaj Kosovës – përgjigjet Stano

    Zëdhënësi i BE-së Peter Stano është pyetur nëse edhe liberalizimi i vizave për Kosovën përfshihet në masat e përgatitura ndaj Kosovës nga Bashkimi Europian.

    Ai tha se nuk hyn në detaje, por mohoi se ato masa nënkuptojnë sanksione apo masa kufizuese, por tha se janë të përkohshme dhe reagim i BE-së për mosmarrjen e veprimeve siç kërkon BE nga kryeministri Kurti për të qetësuar situatën në veri të vendit.

    “Nuk janë sanksione apo masa kufizuese. Ne nuk jemi duke i përdorur këto terme që nënkupojnë se masat që janë të bazuara në legjislacionin për të sanksionuar. Kjo s’po ndodh me Kosovën. Këto masa janë instrumente që po përdoren për të treguar që BE është serioze për shtensionim dhe reagim që shtensionimi s’po ndodh. Ne presim nga kryeministri Kurti që të implementojë hapat e nevojshëm për të shtensionuar situatën”.

    Sipas Stanos, këto masa përfshijnë pezullimin e vizitave zyrtare, komitetet, eventet e planifikuara, si dhe bashkëpunimi financiar me Kosovën.

  • “ShBA-ja po krijon një krizë në Kosovë”, ish-ambasadori Greg Delawie shpërndan artikullin e Edward Joseph

    “ShBA-ja po krijon një krizë në Kosovë”, ish-ambasadori Greg Delawie shpërndan artikullin e Edward Joseph

    Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, ka shpërndarë artikullin e ish-zëvendësshef i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph, i cili mendon se SHBA-ja po krijon një krizë në Kosovë.

    Delawie i cili kishte shërbyer si diplomat amerikan në Kosovë nga viti 2015 deri më 2018, e ka shpërndarë në rrjetin e tij social “Twitter”.

    Në tekstin që e ka shpërndarë Delawie, Joseph shkroi se mos-kritika ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka bërë atë që të ringjall nacionalizmin e “Serbisë së madhe” që thotë se e solli Beogradin në konflikt me fqinjët e tij dhe NATO-n në vitet 1990.

    Ai këtë e bazon në deklarimet e fundit të zyrtarëve amerikanë ndaj kryeministrit Albin Kurti, pas veprimeve në veri të vendit.

  • ​Kryegjykatësi Smith: ZPS bëri shkelje të urdhrit të trupit gjykues

    ​Kryegjykatësi Smith: ZPS bëri shkelje të urdhrit të trupit gjykues

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka bërë shkelje të urdhrit të trupit gjykues sa i përket zhvillimit të procedurës gjyqësore.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues, në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve, derisa ka theksuar se prokuroria nuk e ka sjellur dëshmitarin e radhës në seancën e sotme gjyqësore.

    Kryegjykatësi Charles Smith ka paralajmëruar ZPS-së se një shkelje e dytë do të shqyrtohet për marrje sanksionesh.

  • Vuçiqi bën drama para QUINT-it: U kërkon ta pengojnë Kurtin që të mos nisë luftën në Ballkan

    Vuçiqi bën drama para QUINT-it: U kërkon ta pengojnë Kurtin që të mos nisë luftën në Ballkan

    Aleksandar Vuçiq u takua me përfaqësuesit e shteteve të QUINT’it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi.

    “Kam folur me përfaqësues të BE-së dhe të QUINT-it. U kërkova që të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre dhe ta pengojnë Kurtin të nisë një luftë të re në Ballkan” – thuhet në një postim në llogarinë zyrtare në Instagram të Vuçiq.

  • Kurti përmend Thaçin: Shkaku i zotimit të njëanshëm të tij, ne s’kemi ushtri të Kosovës në veri

    Kurti përmend Thaçin: Shkaku i zotimit të njëanshëm të tij, ne s’kemi ushtri të Kosovës në veri

    Kryeministri Albin Kurti thotë se për shkak të një zotimi të njëanshëm të Hashim Thaçit ndaj NATO-s në kohën kur ishte kryeministër, ne nuk kemi ushtri të Kosovës në veri të vendit.

    “17 për qind e territorit te Kosovës është në veri të lumit Ibër. Është territor shumë i gjerë, janë qindra kilometra kufi malor, nuk është çështje e thjeshtë. Prandaj duke pasë parasysh kapacitetet që ka sot Kosova nuk mund të vendosësh njësite, patrulla, zyrtar policor për çdo 50 metra në këtë kufi të gjatë. Nuk është e mundshme të ruhet kufiri ashtu, do ti shtojmë policët por aq e madhe është ajo pjesë, teren i vështirë malor, nuk do të mund të ketë asnjëherë mjaftueshëm polic për ta ruajtur atë kufi. Kufirin e ruan ushtria në atë pjesë të vendit ushtria është KFOR-i”.

    “Thaçi ka dërguar një zotim të njëanshëm ish sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Rasmussen, ku i thotë qe forcat e sigurisë së Kosovës nuk do ta kalojnë lumin Ibër dhe që prej vitit 2013 ne nuk kemi ushtri në veri të Kosovës për shkak të këtij zotimi ndaj NATO-s. Rrjedhimisht NATO, përkatësisht KFOR-i është ushtria e Kosovës në veri të Kosovës dhe kufirin e ruan ushtria. Ne do të bëjmë maksimumin në policinë tonë por për të qenë plotësisht të suksesshëm aty duhet të jetë KFOR-i”, tha Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

  • Ç’pasoja mund të kenë masat ndëshkuese të BE-së?

    Ç’pasoja mund të kenë masat ndëshkuese të BE-së?

    Masat që Bashkimi Evropian i ka marrë kundër Kosovës, për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në pjesën veriore, rrezikojnë projekte milionëshe sipas disave, por nuk pritet të ndikojnë në procesin e integrimit evropian.

    “Efektet e këtyre masave janë proporcionale, pasi që përçojnë mesazhin e rëndësishëm të pakënaqësisë nga ana e BE-së, por nuk shkaktojnë dëm thelbësor në rrugën tonë evropiane”, thotë për Radion Evropa e Lirë Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane.

    Masat e BE-së përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarje të nivelit të lartë, si dhe të vizitave dypalëshe nga BE-ja dhe vendet anëtare. Po ashtu janë paralajmëruar pasoja financiare, përkatësisht pezullimi i financimit të disa projekteve të propozuara nga Kosova në kuadër të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor.

    “Unë shpresoj që këto projekte, jashtëzakonisht të rëndësishme, në asnjë formë të mos anulohen, por pezullimi i tyre të arrijë efektin e nevojshëm të dakordimit të qëndrimeve mes Kosovës dhe BE-së”, thotë Shasha.

    Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Kosova mbështetet nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Në një dokument të tij thuhet se në Kosovë janë mbështetur 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliard eurosh deri në shtator të vitit 2021.

    Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.

    Shasha thotë se për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera.

    Qeveria e Kosovës ka konfirmuar në muajin mars se Kosova, vitin e kaluar, ka përfituar nga ky instrument grante investuese për energjinë diellore në vlerë prej 53 milionë eurosh, të cilat kombinohen me hua nga bankat zhvillimore dhe arrijnë vlerën e 180 milionë eurove.

    Në shkurt, Qeveria ka informuar, po ashtu, se ka aplikuar edhe për 2 grante investuese dhe 4 grante të asistencës teknike në Kornizën Investuese, por nuk ka specifikuar më shumë në lidhje me to.

    “Ne po shkojmë mbrapa”

    Kosova ka aplikuar në dhjetor të vitit të kaluar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një nga masat ndëshkuese të BE-së përfshin edhe anulimin e disa takimeve mes Kosovës dhe bllokut evropian, që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA).

    Kjo marrëveshje, e nënshkruar në vitin 2015, është hapi i parë drejt anëtarësimit në BE.

    Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mosmbajtja e takimeve në kuadër të MSA-së – qëllim i të cilave është t’i udhëzojnë institucionet e Kosovës në lidhje me reformat – paraqet ngecje në procesin integrues të vendit.

    “Shumë shqetësuese mosmbajtja e këtyre takimeve. Shqetësues është edhe nëse merret vendimi për anulimin e fondeve. Këto fonde kanë ndihmuar ndër vite zhvillimin e vendit dhe pa to nuk mund të ketë zhvillim. Ne po shkojmë mbrapa, nuk ka progres – vetëm regres në proceset integruese”, thotë Krasniqi.

    Sipas saj, në një nga takimet e anuluara tashmë nga BE-ja është dashur të marrë pjesë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

    REL-i kontaktoi zyrtarë të kësaj ministrie, por ata thanë se nuk kanë informacione për këtë.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i tha REL-it se nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për masat që BE-ja ka marrë ndaj Kosovës.

    “Vazhdojmë të besojmë se çfarëdo mase ndaj Kosovës, do të ishte e padrejtë dhe jofer”, tha ai.

    Pavarësisht kësaj, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të mërkurën se blloku nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera, nëse Qeveria e këtij vendi nuk i përmbush kërkesat ndërkombëtare.

    Këto kërkesa përfshijnë tërheqjen e policisë speciale nga veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, si dhe të kryetarëve shqiptarë të komunave atje.

    Hyrja e këtyre kryetarëve në objektet komunale në veri, të cilat shfrytëzohen edhe nga autoritetet paralele serbe, i ka rritur tensionet në këtë zonë, të cilat kanë kulmuar në përleshje të dhunshme mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të NATO-s.

    Komuniteti ndërkombëtar kërkon po ashtu nga Kosova të organizojë zgjedhje të reja në veri, si dhe t’i kthehet dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se nuk mund “të bëjë kompromise me republikën demokratike” dhe se objektet komunale në veri janë pronë e shtetit. /REL