Pas autoriteteve kosovare, ka reaguar para pak qestesh edhe BE-ja për kidnapimin e tre policëve të Policisë së Kosovës brenda territorit të Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë për ATV-në se janë në kontakt me të dyja palët.
“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht…”, i tha ATV-së, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai tha se u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim që mund të kontribuojë në ngritjen e tensioneve mes dy vendeve.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve. Ne përsërisim thirrjen e BE-së për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe vendimtar”, shtoi Stano për ATV-në.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano me korrespondentin e ATV-së, Nefail Maliqi.
Gazetarja e ATV-së, Nexhmie Hyseni, në një lidhje të drejtpërdrejt në edicionin Qendror të lajmeve në këtë televizion, ka treguar se asnjë mjet që transporton mallra nga Serbia nuk është lejuar që të kalojë për në Kosovë.
“Jemi këtu në pikën kufitare në Merdare ku pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, asnjë mjet që transporton mallra nga Serbia nuk është lejuar që të kalojë për në Kosovë, përveç disa kamionëve pra që kemi parë me targa të Kosovës, por edhe të Shqipërisë që kanë kaluar në Kosovë”, tha gazetarja Hyseni.
Gjatë transmetimit të drejtpërdrejt nga pika kufitare në Merdare, shihen disa kamionë me mallra serbe që kanë mbetur të bllokur, të cilët nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Kosovës.
Ndërsa, sipas informacioneve jozyrtare, ajo tregon se në anën tjetër, nuk është ndaluar asnjë kamion që po transportonte mallra e që shkon në drejtim të Serbisë.
Hyseni tregoi se në këtë pikë kufitare janë arrestuar edhe tre qytetarë të Podujevës, për të cilët, ende nuk ku asnjë informacion.
“Gjithashtu, në këtë pikë kufitare dje pasdite janë arrestuar edhe tre qytetarë të Podujevë ku ne patëm edhe një prononcim me zëdhënësin e komunës së Podujevës, Fahri Zhitia, i cili ka thënë se ende nuk janë liruar, por edhe nuk kanë asnjë informacion për gjendjen e tyre”, tha Hyseni.
“Gjithashtu edhe ministria e punëve të jashtme u ka bërë apel të gjithë bashkatdhetarëve të Kosovës që të mos kalojnë përmes këtyre pikave kufitare me Serbinë. Po e përsëris asnjë kamion nuk është lejuar me targa serbe që të kalojë në Kosovë”, tregoi gazetarja e ATV-së, Nexhmie Hyseni. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Kosova vazhdon të përballet me mungesë të inspektorëve, ndonëse shtimi i tyre ishte një nga zotimet kryesore të Qeverisë.
Sidoqoftë, 240 inspektorë të ndarë në sektorë të ndryshëm, janë futur në buxhet të këtij viti, por përkundër kësaj, deri tash, siç thotë Ministria e Punëve të Brendshme, konkurse janë hapur për vetëm 43 inspektorë.
“Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në bazë të kërkesave të pranuara nga institucionet dhe konform legjislacionit në fuqi, ka bërë publikimin e konkurseve për grupin “Specialist i posaçëm për Inspektim” dhe “Specialist i përgjithshëm për inspektim”, për pozitën Inspektor i Punës për 22 (njëzet e dy) vende të punës. Për grupin “Specialist i Arsimit”, për pozitën Inspektor i Arsimit, për 21 (njëzet e një) vende”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Shtimin e numrit të tyre e bën më të vështirë edhe ndarja në dy grupe e aplikimeve, në atë jashtë shërbimit civil, ku të drejtë aplikimi kanë të gjithë qytetarët, dhe brenda shërbimit civil, ku të drejtë aplikimi kanë vetëm zyrtarët publikë. Nga zyrtarët publikë, rrallë kush që aplikon për t’u bërë inspektor i punës.
“Interesim mund të them që nuk ka brenda shërbimit civil, këto pozita që shpallen brenda shërbimit civil shpallen vetëm për qytetarë që e kanë një vend të punës dhe zakonisht ata zyrtarë nuk e konsiderojnë të lehtë ta ndërrojnë atë pozitë kudo që është në administratë, të kalojnë si inspektor të punës që të bëjë inspektime në terren”, tha kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.
Megjithatë, sipas Nikçit, nëse nuk plotësohen këto pozita do ta shpallin konkursin jashtë shërbimit civil pasi ka më shumë interesim dhe në këtë formë thotë se deri në fund të vitit, do të rekrutohen 100 inspektorë të punës, siç edhe janë paraparë në këtë sektor.
“Ato që nuk do të arrijmë t’i rekrutojmë do t’i shpallim jashtë shërbimit civil, siç e përmenda, këto 19 pozita përmes departamentit për menaxhimin e zyrtarëve publikë”, tha Nikçi.
Sidoqoftë, sipas Nikçit, kushtet në të cilat punojnë inspektorët sot janë mjaft të mira, derisa edhe paga që marrin kap vlerën 780 euro, pa përfshirë bonuset. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Një orë pasi Qeveria e Kosovës publikoi rendin e ditës për mbledhjen e përbashkët, në një konferencë të jashtëzakonshme, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e anuloi atë. Edhe pse 13 marrëveshje në fusha të ndryshme mbetën pa u nënshkruar, vlerësohet se dëmi më shumë është emocional.
“Nuk është se Kosova ka humbë ose ka fitu diçka të madhe, me anulimin e kësaj mbledhjeje. Po flas nuk ka humbë diçka te madhe po e ka humbë një ndihmë, një përkrahje të ngjizur ne vetëdijen tonë, se e kemi një mik qe na ndihmon ne kohë të vështira”, tha gazetari dhe analisti Zekirja Shabani.
Megjithatë, sipas ish-drejtorit të Doganës, Shqipëria vazhdon të jetë njëri prej partnerëve më të mirë ekonomikë për Kosovën.
“Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të kenë raporte të shkëlqyera ekonomike dhe tregtare. Kosova eksporton deri në 250 milionë euro në vit, derisa importon më pak”, tha ish-drejtori i doganës, Naim Huruglica.
Në mbledhjen e paraparë mes dy qeverive pritej të nënshkruhej marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ndërkohë, ishin paraparë edhe marrëveshja në funksion të lehtësimit të procedurave të kontrollit të produkteve me origjine joshtazore, ajo për ofrimin e bursave të studimit për studentë dhe marrëveshja për bashkëpunim ndërqeveritar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Midis Shqipërisë dhe Kosovës, deri tani janë nënshkruar gjithsej 171 marrëveshje, memorandume mirëkuptimi dhe protokolle zbatuese. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Avokati Tomë Gashi, në emisionin DIREKT në ATV, ka thënë se masa e parë nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë për kidnapimin e zyrtarëve policor që ndodhi sot në pikën kufitare, është vendimi për ndalimin e të gjitha mallrave serbe.
Ai tha se situata është shumë e tensionuar, andaj duhet pritur për planin e ardhshëm të Qeverisë.
“Menjëherë ka ndodhë dhe thotë është një vendim i Qeverisë që mallrat e Serbisë ma nuk hyjnë territorin e Kosovës, kjo është masa e parë, ndërsa masa të tjera na duhet të së paku unë mos me folë përmendësh, duhet me pa Qeveria çfarë plani ka situata është e tensionuar, kjo ka ndodhë veç para disa orëve, besoj që aty duhet së pari të vërtetojmë, sepse nuk ka pasë rezistencë”, tha Gashi.
Ai tha se për këtë rast pritet të bëhen edhe hetime në rast se dikush duhet të japë përgjegjësi, por për këtë, sipas tij, është ende herët të flitet.
“Këta tre policë kanë qenë të armatosur, kanë qenë me të gjitha pajisjet e policëve kufitarë thuja se gjithkund në botën e civilizuar ku janë dhe pastaj meqenëse ka informata jokonfidenciale, po informata të policisë tonë që u dhanë në konferencë që këta e kanë njoftu bazën e vet, do të thotë strukturat komanduese të policisë sonë që po shohin persona me maska dhe këto komunikimi i policisë gjithmonë është i incizuar dhe të shohim kush ka bërë lëshime që nuk iu ka ofruar ndihmë. Pastaj a ka nevojë dikush përgjegjësi politike apo jo ajo është çështje që e shohim ditët në vijim”, tha Gashi. /atvlive.tv
Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, ka takuar në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq në Beograd, sikur thuhet në njoftim për të diskutuar situatën e përgjithshme të sigurisë në rajon dhe aktivitetet e KFOR-it në përputhje me rezolutën e OKB-së.
Siç njofton KFOR-i, komandanti i KFOR-it shprehu shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në komunat veriore të Kosovës pas ngjarjeve të 29 majit të kaluar, kur disa paqeruajtës të KFOR-it u plagosën gjatë sulmeve të paprovokuara të elementëve kriminalë të cilët depërtuan në protesta paqësore.
“Pas takimit me presidentin, komandanti i KFOR-it pati rastin të takojë gjeneralin Mojsiloviq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ata ritheksuan bashkëpunimin e tyre dhe ranë dakord se të gjitha palët duhet të de-përshkallëzojnë tensionet”.
KFOR-i deklaron se është i gatshëm të përballet me çdo lloj skenari dhe vazhdon të monitorojë situatën në terren.
“KFOR-i rikujton se vazhdon të operojë në mënyrë të paanshme, brenda Rregullave strikte të angazhimit (ROE) dhe po merr të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet. në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar që ndërkombëtarët të reagojnë ashpër dhe të veprojnë të unifikuar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit. Ajo ka thënë se tre zyrtarët policor të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.
Osmani ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon.
“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka thënë se zyrtarët policor duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.
“Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit. Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht. Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë”, ka shkruar Osmani.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kleni, në një konferencë të jashtëzakonshme, tha para gazetarëve se janë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues brenda territorit të Kosovës, transmeton atvlive.tv.
Deklarimin e policisë serbe se arrestimi ka ndodhur në territorin e Serbisë, Kelani e quajti të rrejshëm.
“Ata janë zyrtarë kufitar patrullues dhe nuk janë zyrtarë të njësiteve speciale. Është një deklarim i rrejshëm i palës serbe. Sa i përket arritjes në vendin e ngjarjes, mund të them që njësiti i cili ka qenë në përbërje prej tre zyrtarëve, ka parë persona të dyshuar në formën siç e thash të armatosur dhe të maskuar dhe menjëherë ka dhënë informacione për njësitë shtesë. Njësitet shtesë kanë shku menjëherë, sa më parë që kanë mundur të arrijnë në atë lokacion sepse ju e dini që rrethanat në brezin kufitar e vështirësojnë pak a shumë lëvizje të shpejta, kanë mbërri në atë lokacion dhe kur kanë mbërri kanë gjetë vetëm veturën zyrtare dhe jo zyrtarët policorë. Sa i përket çështjes se ata deklarojnë se janë në territorin e Serbisë dhe kanë marrë persona siç ata quajnë kriminel dhe jo zyrtarë policorë, dua të ju siguroj se ata janë tre zyrtarë policorë të moshës së shtyer rreth 50-vjeçarë, apo edhe mbi 50-vjeçarë, të cilët kanë shërby për vite më radhë në Policinë e Kosovës”, tha Kelani.
Ai tregoi se kanë dërguar njesitet e Policisë së Kosovës në vendin ku janë kidnapuar tre zyrtarët policor të Kosovës si dhe kanë njoftuar mekanizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe KFOR-in.
“Vendi i ndalimit ka qenë në territorin e Kosovës dhe për këtë arsye ne kemi dërgu njësitë tona, kemi ftuar mekanizmat ndërkombëtarë përfshirë edhe KFOR-in që është përgjegjës për zonën kufitare që të jetë në atë pjesë dhe t’i kryejmë të gjitha detyrat bashkërisht”, tha Kelani. /atvlive.tv
Konferencën e jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës e gjeni në videon më poshtë:
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ftuar qytetarët e Kosovës të shmangin kalimin nëpër Serbi.
Kjo për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit.
“MPJD, gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përgjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, dhe po merret nga afër me rastetnëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.
Teksa u bëhet thirrje qytetarëve që të përdorin rrugë alternative për udhëtim.
|Marrë parasysh zhvillimet e fundit, dhe duke e njohur qasjen jo korrekte të autoriteteve serbe, me qëllim të shmangies të çfarëdo incidenti, MPJD fton qytetarët që të përdorin rrugë alternative për udhëtim”, thuhet në njoftim.
Qeveria e Kosovës pritet që së shpejti të nxjerr vendimin për ndalimin e hyrjes së mallrave nga Serbia në territorin e Kosovës.
Kështu ka mësuar Telegrafi nga burime brenda Qeverisë së Kosovës.
Vendimi për ndalimin e hyrjes së mallrave të Serbisë në Kosovë ka ardhur si pasojë e kidnapimit të tre policëve kufitarë nga forcat serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se përveç agresion ky është edhe synim për destabilizim.
Për këtë ka reaguar edhe Policia e Kosovës dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla të cilët kanë kërkuar nga organet ndërkombëtare lirimin e menjëhershëm të tyre.