ATV

Tag: Ballina

  • Stoltenberg pritet të mbetet edhe për një vit në krye të NATO-s

    Stoltenberg pritet të mbetet edhe për një vit në krye të NATO-s

    Jens Stoltenberg pritet t’i kërkohet të qëndrojë si sekretar i përgjithshëm i NATO-s edhe për një vit, raporton reuters, duke cituar burime të paidentifikuara, pasi aleanca ushtarake nuk po arrin t’i bie dakord për pasardhësin e norvegjezit përpara një samiti në mes të korrikut në Lituani.

    Stoltenberg, një norvegjez që kaloi nëntë vjet në këtë post dhe do të largohet në fund të shtatorit, ka mbështetje të gjerë në aleancë dhe vazhdon të jetë një udhëheqës efektiv, tha një burim për Reuters në kushte anonimiteti.

    “Administrata (Biden) po e konsideron mundësinë që Stoltenbergut t’i zgjatet mandati edhe për një vit”, tha zyrtari amerikan, i cili gjithashtu foli në kushte anonimiteti. “Nuk duket se ka një konsensus brenda aleancës tani për zëvendësimin e tij”.

    Perspektiva që Stoltenberg t’i kërkohet të zgjasë mandatin për herë të katërt është rritur me afrimin e samitit të Vilnius, me aleatët që kanë frikë nga një shfaqje e përçarjes ndërsa NATO vazhdon t’i përgjigjet luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Kushdo që është në atë rol përballet me sfidat e dyfishta të mbajtjes së aleatëve së bashku në mbështetje të Ukrainës, ndërkohë që ruhet kundër çdo përshkallëzimi që do të tërhiqte NATO-n drejtpërdrejt në luftë me Rusinë.

    Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace tha javën e kaluar se i gatshëm ta pasojë kreun aktual të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

    Me disa qeveri që shtyjnë për sekretaren e parë të përgjithshme femër të NATO-s, kryeministrja daneze, Mette Frederiksen po shfaqet si një pretendente serioze.

    Frederiksen u takua me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në Uashington në fillim të këtij muaji, përpara se Stoltenberg të vizitonte Shtëpinë e Bardhë këtë javë për bisedime me liderin amerikan.

    Zyrtarët amerikanë besojnë se ka një numër kandidatësh të ndryshëm dhe se Biden ka një opinion të lartë për të gjithë ata, përfshirë kryeministrin danez, tha burimi. Biden beson se Stoltenberg ka bërë një punë të shkëlqyer në një kohë sfiduese dhe shumë aleatë të tjerë ndajnë këtë pikëpamje, shtoi burimi.

  • Kosova e pafat ndaj Rumanisë, gjasat për EURO 2024 fillojnë të zbehen

    Kosova e pafat ndaj Rumanisë, gjasat për EURO 2024 fillojnë të zbehen

    Kosova nuk ka arritur më shumë se një barazim me Rumaninë në ndeshjen e tretë kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

    Ndeshja, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përfundoi me rezultatin 0-0.

    Vlen të përmendet se Kosova fillimisht ka marrë epërsinë në këtë ndeshje me një gol të shënuar nga Edon Zhegrova, por fatkeqësisht, ky gol u anulua më pas rishikimit nga VAR-i.

    Ky barazim nuk është në favor të Kosovës, pasi momentalisht ndodhet në vendin e katërt në Grupin I-rë pas tre ndeshjeve, duke mbledhur vetëm tre pikë, ndërsa Rumania zë pozitën e dytë me 7 pikë.

  • Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut, shumë fshatra të Podujevës u përmbytën

    Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut, shumë fshatra të Podujevës u përmbytën

    Përveç qendrës së Podujevës edhe disa fshatra të kësaj komune u bënë me lumë.

    Uji në rrugët e fshatit Llugë arriti disa centimetra lartësi, saqë pamundësohej qarkullimi.

    Të shqetësuar nga përmbytjet ishin banorët të cilëve uji iu shkoi deri në prag të shtëpive, duke dëmtuar krejt çfarë patën në oborr.

    Përmbytjeve nuk iu shpëtoi as Daut Zeneli nga Sibovci. Pavarësisht se u përpoq për të gjetur zgjidhje, uji hyri në bodrum.

    Për të parë gjendjen në terren doli drejtori për Shërbime Publike i kësaj komune. Sipas tij, përmbytjet ndodhën për shkak të rritjes së nivelit të ujit të lumit Dumnica.

    “Lumi Dumnica ka pasë një rritje shumë të madhe, për shkak të reshjeve dhe gjithë fshatrat që kanë përshkuar përgjatë këtij lumi, janë pothuajse në këtë gjendje…” , drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Podujevës, Bahri Selimi.

    Derisa sa thotë se mbrëmë ndihmuan në evakuimin e 6 familjeve, ai shtoi se materialisht është e pamundur t’u dalin në ndihmë qytetarëve.

    Tash e disa ditë, si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut shumë fshatra të Kosovës janë përmbytur, ndërkaq shi, por me intensitet me të ulët, do të ketë edhe ditët në vazhdim. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin, do të kenë pasoja

    Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin, do të kenë pasoja

    Refuzimi i partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas Zëvendës-Ndihmës Sekretarit, Gabriel Escobar, do ketë për përgjigje pasojat.

    Pasi përsëriti kërkesat ndaj Kosovës për shtensionimin e situatës në veri, në një bashkëbisedim online me gazetarë, Escobar foli për ndikimin që veprimet në veri kanë në gjithë rajonin.

    “Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një shtet dhe një lider nuk mund të kenë në dorë drejtimin e gjithë rajonit dhe stabilitetin evropian. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin, do të kenë pasoja”, tha Escobar.

    Duke mos e mohuar as rolin e Serbisë, zyrtari i lartë amerikan, në masë të madhe, e bëri përgjegjëse Kosovën për krizat në veri që nga fundi i vitit të kaluar – për, siç u shpreh, veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.

    Escobar tha se në të dyja shtetet ka njerëz që e ushqejnë krizën.

    “Është shumë e qartë se ka elementë – dhe ne e kemi ditur gjithmonë këtë – në spektrin politik të Serbisë, që e çojnë përpara retorikën nacionaliste, kur është fjala për Kosovën. Diçka e tillë është jashtëzakonisht e dëmshme, jo vetëm për serbët, por për gjithë rajonin”, tha Escobar.

    Refuzimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas tij, është pengesë në rrugën euro-atlantike të Kosovës.

    Teksa përsëriti thirrjen e Departamentit Amerikan të Shtetit për lirimin pa kushte nga Serbia të tre policëve kosovarë, Escobar tha se po presin përfundimin e hetimeve për ngjarjen.

    SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Kosovës shtensionimin e situatës në veri, duke larguar kryetarët dhe njësitë speciale të policisë nga ndërtesat komunale; mbajtjen e zgjedhjeve të reja; dhe kthimin në dialogun për normalizim. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryeministri Kurti nuk ka vendosur nëse do të shkojë për takim në Bruksel, por do ta informojë

    Kryeministri Kurti nuk ka vendosur nëse do të shkojë për takim në Bruksel, por do ta informojë

    Jo në panelin sipas agjendës së publikuar, kryeministri Albin Kurti në Forumin e Prespës për Dialog, u paraqit në një intervistë dhe diskutim me publikun.

    Kjo përkundër se mungesa e tij në panelin e parë, u lidh me çështje sigurie.

    “Të nderuar zonja dhe zotërinj, sot vendosëm që paneli të jetë më i shkurtër për shkaqe sigurie”, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovachevski.

    Më vonë në një intervistë në kuadër të Forumit, Kurti falënderoi SHBA-në për kërkesën publike drejtuar Serbisë, për lirimin e tre policëve pa asnjë kusht.

    Referuar draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kërkesave që Kosova ta hartojë një të tillë, Kurti kritikoi formën e punës së ndërmjetësit evropian.

    “Unë kam thënë, me tri shtyllat që kam propozuar, mund ta shkruaj draft-statutin, por presidenti i Serbisë refuzoi. Ai tha se me këto tri shtylla, nga 22 kompetencat që unë i dua për Asociacionin mbetet vetëm një. Qartazi ai dëshiron një Republikë Serbe në Kosovë. Unë po them, le të frymëzohemi nga modeli kroat, që është një storie suksesi. Pra, nuk është esenca të prodhohen draft-tekste të ndryshme, por të pajtohemi për parimet dhe pastaj të shkruajmë tekstin. Ne mund të sjellim tekste të ndryshme dhe të provojmë të gjejmë në fund vlerën mesatare aritmetike siç zakonisht bën Përfaqësuesi i Posaçëm Lajcak, por kjo nuk po na çon përpara. Nëse nuk pajtohemi për shpirtin e tekstit, është e padobishme të provojmë të pajtohemi për germën e tekstit”, tha Kurti.

    Në një panel tjetër, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, foli për nevojën për vendime të mëdha nga Kosova dhe Serbia, si kontribut për stabilitetin në rajon.

    “Askush nuk mund të vërë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm. Por vlerësoj, se është koha e duhur që liderët e këtyre dy vendeve të ndërmarrin përgjegjësitë historike, që ashtu si ata të Maqedonisë së Veriut e Greqisë pesë vjet më parë, të çojnë përpara procesin e pajtimit, si dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen mes tyre”, tha Begaj.

    Në një video-adresim, sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke përsëritur se kanë shtuar trupat e KFOR-it.

    Në një konferencë në Bruksel, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, refuzoi t’i bashkohet kërkesës amerikane për lirimin e tre policëve kosovarë – duke thënë se mbetet valid qëndrimi i së enjtes i Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Sulmohen gazetarët në veri, Konjufca: Nëse BE-ja toleron agresionin e Serbisë, dialogu s’ka kuptim

    Sulmohen gazetarët në veri, Konjufca: Nëse BE-ja toleron agresionin e Serbisë, dialogu s’ka kuptim

    Kyetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka dënuar ashpër sulmet e sotme ndaj gazetarëve kosovarë në veri të vendit dhe ka kërkuar që kriminelët të vihen para drejtësisë.

    “Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazetarëve të medieve kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës. E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

    Ai po ashtu tha se i bën thirrje edhe një herë faktorit ndërkombëtar që ta shtojë presionin mbi Serbinë, si shkaktare të këtyre tensioneve, “sepse s’mund të ketë qetësi dhe stabilitet nëse bandat vazhdojnë të ushtrojnë dhunë dhe terror mbi popullsinë e këtyre komunave, gazetarët dhe forcat e rendit”.

    Ai madje tha se nëse BE-ja i toleron këto veprime të Serbisë, atëherë dialogu nuk ka më kuptim.

    “Çfarë fqinjësie të mirë dhe normalizimi raportesh mes dy vendeve mund të pretendohet nëse Bashkimi Evropian e toleron një sjelle të tillë armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës. Nëse BE e toleron këtë agresion të vazhdueshëm të Serbisë, atëherë përfundimisht dialogut po i humbet kuptimi”, ka thënë ai.

    Konjufca theksoi se Kosova nuk do t’i tolerojë provokime të tilla, por as faktori ndërkombëtar nuk duhet t’i kalojë pa ndëshkim interferime të tilla të Serbisë në stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.

    Sipas Konjufcës, duke vazhduar t’i mbajë të aktivizuara grupet kriminale dhe sulmuesit e maskuar në katër komunat veriore të Kosovës, Serbia dëshiron me çdo kusht ta përshkallëzojë dhe ta destabilizojë gjendjen e sigurisë në Kosovë.

    “Që nga pengimi i të drejtës ligjore të kryetarëve të zgjedhur të komunave për ta ushtruar detyrën në institucionet komunale përmes sulmesh të dhunshme e me armë zjarri kundrejt policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it, sulmeve ndaj gazetarëve e deri te rrëmbimi i tre policëve kufitarë nga ushtria serbe brenda territorit të Kosovës, Serbia po dëshmon se dëshiron patjetër tension dhe konflikt në Kosovë, saktësisht të kundërtën e asaj që po kërkon bashkësia ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

  • Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja

    Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të premten se, përshkallëzimi është duke krijuar kushte të vështira për rajonin, dhe jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë.

    Ai e ka ritheksuar se kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, duhet të punojnë në lokacione alternative, Polica e Kosovës të tërhiqet nga ndërtesat komunale, që protestuesit të largohen nga rruga dhe përgjegjësit e dhunës së 29 majit ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duhet të mbahen përgjegjës para autoriteteve.

    Escobar ka thënë se ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi nuk e kanë përmendur kurrë fjalën sanksion, por pasoja.

    “Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja”.

    Ai ka thënë se të dyja palët kanë rol në uljen e tensioneve.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri:

    – Shtensionimin e situatës atje
    – Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
    – Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.

    Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

  • Paraburgim për tre policët e Kosovës të arrestuar nga forcat serbe

    Paraburgim për tre policët e Kosovës të arrestuar nga forcat serbe

    Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – qytet në jug të Serbisë – dha urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe, më 14 qershor.

    Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

    Tre policëve, B.S. R.Z. dhe M.SH., iu shqiptua të premten masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.

    Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës.

    Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më herët se, mesa duket, prokurori në Serbi i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.

    Kurti i bëri komentet gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë.

    “Dua ta falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara”, tha ai.

    “Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë”, shtoi Kurti.

    Ai, po ashtu, tha se NATO-ja duhet ta dënojë shkeljen që, sipas tij, i bëri Serbia Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë më 1999.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre./REL/

    *Ky lajm është duke u përditësuar.

     

  • Lajçak: Duhet të kapërcejmë të kaluarën, të kërkojmë dialog

    Lajçak: Duhet të kapërcejmë të kaluarën, të kërkojmë dialog

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Forumin e Prespës tha se kanë folur për komponentët për pajtimin në Ballkanin Perëndimor.

    Ai shtoi se duhet të kapërcehet e kaluara dhe duhet fokusim në dialog.

    “Në Forumin e Prespës ne diskutuam komponentët për pajtimin në Ballkanin Perëndimor. Theksova se duhet të kapërcejmë të kaluarën e trashëguar, të kërkojmë dialog, të fokusohemi në të ardhmen e përbashkët europiane, të jemi të guximshëm dhe të kemi një vizion për të gjithë rajonin”, ka thënë Lajçak.

  • Oda Amerikane për vendim ndaj Klanit: Shkel dispozitat ligjore, mesazh shqetësues për bizneset e investitorët

    Oda Amerikane për vendim ndaj Klanit: Shkel dispozitat ligjore, mesazh shqetësues për bizneset e investitorët

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit të televizionit Klan Kosova. Ky vendim jo vetëm që shkel dispozitat e Ligjit për Shoqëritë Tregtare por dërgon një mesazh shqetësues për komunitetin e biznesit dhe investitorët potencialë. Si përfaqësues të komunitetit të biznesit amerikan në Kosovë, ne besojmë fuqishëm në respektimin e parimeve të praktikave të drejta dhe transparente të biznesit, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të bizneseve që operojnë brenda vendit.

    Pezullimi arbitrar i certifikatës së regjistrimit të biznesit të Klan Kosovës ngre shqetësime për stabilitetin dhe parashikueshmërinë e mjedisit të biznesit në Kosovë. Veprime të tilla gërryejnë besimin e komunitetit të biznesit, si vendor ashtu edhe ndërkombëtar, dhe dekurajojnë investimet. Vendimi bie ndesh me parimet e Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i cili synon të krijojë një mjedis të favorshëm për bizneset për të lulëzuar, kontribuar në ekonomi dhe për të krijuar mundësi punësimi.

    Ky vendim nxjerr në pah nevojën për një gjyqësor të pavarur dhe procedura transparente ligjore. Vendimi i Ministrisë për të pezulluar certifikatën pa arsyetimin e duhur ose pa një proces të rregullt ligjor cenon sundimin e ligjit. Është thelbësore që çështjet ligjore, si pezullimi i certifikatave të regjistrimit të biznesit, të trajtohen përmes proceseve të drejta dhe transparente, duke siguruar që bizneset të kenë mundësinë të mbrojnë interesat e tyre dhe të trajtojnë çdo shqetësim në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme.

    Po ashtu pezullimi i certifikatës së regjistrimit të biznesit të Klan Kosovës ka implikime më të gjera për lirinë e mediave dhe mbrojtjen e pavarësisë së gazetarisë. Mediat luajnë një rol kritik në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe demokracisë. Çdo veprim që kufizon funksionimin e organizatave mediatike i minon këto parime dhe ngre shqetësime për gjendjen e lirisë së shtypit në Kosovë. Vendimi krijon një precedent shqetësues dhe mund të pengojë mediat e tjera të raportojnë lirisht dhe objektivisht.

    Në përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë vendimin e saj për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit të televizionit Klan Kosova. Respektimi i parimeve të Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe sigurimi i një mjedisi biznesi transparent dhe të parashikueshëm janë jetike për nxitjen e rritjes ekonomike dhe tërheqjen e investimeve. Për më tepër, ruajtja e lirisë së medias dhe promovimi i pavarësisë gazetareske janë thelbësore për një demokraci të qëndrueshme. Ne i bëjmë thirrje Ministrisë që ta korrigjojë këtë situatë, të rikthejë besimin në komunitetin e biznesit dhe të riafirmojë përkushtimin e saj për respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të bizneseve në Kosovë.