ATV

Tag: Ballina

  • Kurti prezanton faktet dhe demanton Serbinë: Rrëmbimi i tre policëve ndodhi brenda Kosovës

    Kurti prezanton faktet dhe demanton Serbinë: Rrëmbimi i tre policëve ndodhi brenda Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar fakte që sipas tij, tregojnë se rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga Policia e Kosovë ka ndodhur brenda territorit të Kosovës dhe jo jashtë saj, siç pretendon Beogradi zyrtar.

    Ai tha se vendi ku janë kidnapuar tre policët e Kosovës, ndodhet në 1 km larg prej kufirit, në thellësi të territorit të Kosovës.

    “Kidnapimi, rrëmbimi ka ndodhur në këtë vend që është thellë në territorin e Kosovë, 1km larg kufirt në njërën anë, që i bie të jetë veriperëndimore, 670m larg që i bie pjesa veriore dhe në pjesën jugperëndimore 300 metra. 1km, 670 metra dhe 300 metra”, tha ai, teksa ishte duke prezantuar hartën, që tregon vendndodhjen e policëve, kur u rrëmbyen të mërkurën nga autoritetet serbe.

    “Në të njëjtë kohë, kemi fotografitë ku shihet haptazi se këta nuk kanë mundur të kalojnë tutje siç pretendon Serbia se kanë shkuar atje dhe janë arrestuar atje. Bëhet fjalë për kidnapim në Kosovë e jo arrestim në Serbi. S’bëhet fjalë për kurrfarë kalimi të PK-së përtej kufirit të Serbisë, bile as përtej rrugës së prerë që ndodhet 1km, 670 metra dhe 300 metra”, shtoi Kurti, në një konferencë para gazetarëve.

    Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se nuk do të ndalen dhe zmbrapsen në kërkim të drejtësisë dhe respektim të ligjit dhe kushtetutshmërisë.

    “Ne jemi në të drejtën tonë. Askush nuk është imun në këto shkelje, asnjë kriminel s’është më i fortë se shteti. Republika e Kosovës është sovrane dhe demokratike. Qytetarët tanë nuk do të shkelen, por do të mbrohen. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këto akte”, shtoi ai.

  • Ngritet niveli i gatishmërisë, Kurti: Kemi shtuar kontrollet në kufi

    Ngritet niveli i gatishmërisë, Kurti: Kemi shtuar kontrollet në kufi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, pas rrëmbimit të tre zyrtaarëve të Policisë së Kosovës.

    Ai tha se temë e diskutimit ishte veprimi i djeshëm agresor i Serbisë që rrëmbeu tre zyrtarë të PK-së

    “Diskutuam për situatën në veri të Kosovës. Institucionet propozuan rekomandimet e tyre. Rasti i djeshëm ishte agresion, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës dhe intencë për deskalim kur ne kemi propozuar planin pesë pikësh për depërshallëzim të situatës”, tha ai para gazetarëve.

    “Institucionet e kanë ngritur nivelin e gatishmërisë. Janë forcuar kontrollet, duke shtuar kështu kontrollet për automjetet që vinë nga Serbia, sidomos ato të mallrave”, shtoi Kurti.

    Sipas tij, veprimet e radhës e Kosovës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve të Kosovës. Kurti shtoi se synimi është siguria, veçmas në kufijtë e Kosovës.

    Mes tjerash, Kurti kërkoi lirimin e tre zyrtarëve policorë. Pati një thirrje edhe për ndërkombëtarët.

    “Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë, u bëjm thirrje ndërkombëtarëve ta dënojnë këtë akt agresori të Serbisë”, shtoi Kurti.

  • Begaj për kidnapimin e policëve: Akt i rëndë provokativ – ndërkombëtarët të ndërhyjnë

    Begaj për kidnapimin e policëve: Akt i rëndë provokativ – ndërkombëtarët të ndërhyjnë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës brenda territorit kosovar nga Policia e Serbisë.

    Begaj tha se ky është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit.

    “E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve serbe për lirimin e efektivëve kosovarë”, tha Begaj.

    Tutje, Begaj iu bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të dekurajojnë veprime të tjera të ngjashme.

    “Një thirrje vëllazërore e bëj sërish për autoritet e Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çtensionimin e situatës. Koordinimi me ShBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm”, tha Begaj.

  • Kidnapimi i tre policëve në Leposaviq, mblidhet Këshilli i Sigurisë

    Kidnapimi i tre policëve në Leposaviq, mblidhet Këshilli i Sigurisë

    Sot mblidhet Këshilli i Sigurisë pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku forcat serbe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në territorin e Kosovës, në vijë kufitare.

    Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

    Policia e Kosovës e ka cilësuar arrestimin si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

  • Borrell i vë kushte Kurtit për rundin e ri të dialogut

    Borrell i vë kushte Kurtit për rundin e ri të dialogut

    Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se një rund i ri i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.

    Borrell i është përgjigjur kështu letrës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dërgoi atij ditë më parë, duke ia prezantuar planin e tij prej pesë pikash, që sipas kryeministrit kosovar do të ndihmojë në uljen e tensioneve në veri të vendit.

    “Siç e dini, unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, me parakushtin që ju të jeni i gatshëm të ndërmerrni fillimisht hapat për shtensionim dhe të hapni rrugë për zgjedhjet e reja. Nuk mund të kemi përparim në normalizimin e raporteve, përderisa ne merremi me menaxhimin e krizave. Të 27 shtetet e BE-së, por edhe SHBA-ja, kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam të shohim që ky proces lëviz përpara. Prandaj, shtensionimi i situatës kërkohet të ndodhë menjëherë. Nëse jeni i gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm, një takim i ri mund të organizohet shpejt”, tha Borrell në letrën që i dërgoi Kurtit.

    Zyrtari evropian ka kërkuar që kryetarët e rinj shqiptarë në komunat në veri të mos punojnë nga zyrat në objektet komunale, tërheqjen e policisë nga afërsia e këtyre ndërtesave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

    “Paralelisht, ne po i kërkojmë Serbisë që të mbështesë tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona”, shkroi Borrell.

    Kurti më 13 qershor njoftoi se i ka dërguar Borrellit planin prej pesë pikash për shtensionimin e situatës në veri.

    Ai këtë plan e ka diskutuar edhe me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it (SHBA, Britani e Madhe, Itali, Francë dhe Gjermani).

    Borrell është ndalur edhe në pikën tre të planit të Kurtit që Policia e Kosovës, NATO dhe misioni për Sundim të Ligjit i BE-së në Kosovë, EULEX, të kryerjen e vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë.

    Zyrtari i lartë evropian tha se kjo çështje mund të diskutohet pas shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

    “Megjithatë, kjo nënkupton se ju duhet të merrni në konsideratë opsionet e EULEX-it dhe KFOR-it dhe t’i trajtoni ata si partnerë, që nënkupton koordinim paraprak me ta”, tha Borrell.

    Ai tha se kjo nuk ka ndodhur gjatë operacionit policor të 13 qershorit në Mitrovicë të Veriut, kur u arrestua Millun Millenkoviq, që Kosova e akuzon se është një prej organizatorëve të ngjarjeve të dhunshme ndaj KFOR-it në Zveçan më 29 maj dhe për ngjarje të tjera.

    “Prandaj, çdo rol i ardhshëm i masave të zbatimit të ligjit në veri të Kosovës duhet të diskutohet dhe individualisht të vlerësohet së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in. Ngjarjet në të kaluarën kanë treguar se jo çdo masë e marrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështetet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë, në kontekstin e një mjedisi shumë të ndjeshëm”, tha Borrell.

    Ai i bëri thirrje Kurtit që të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën në veri, duke plotësuar kërkesat e SHBA-së dhe BE-së.

    “Vetëm pasi të rivendoset paqja dhe stabiliteti në veri të Kosovës, ne mund të përqendrohemi në normalizim, përmes zbatimit, nga të dyja palët, të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimitdhe Aneksit të saj. Puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të nis menjëherë pa vonesa dhe parakushte”, tha ai, duke paralajmëruar se nëse Kosova dështon të shtensionojë situatën, do të përballet me masa.

    Disa burime diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë më 13 qershor se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

    Ndërsa më 14 qershor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se BE-ja nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera, nëse Qeveria e këtij vendi nuk i përmbushë kërkesat ndërkombëtare.

    BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi./REL

  • Kamionëve u ndalohet, kontrolle të shtuara për veturat me targa serbe që hyjnë në Kosovë

    Kamionëve u ndalohet, kontrolle të shtuara për veturat me targa serbe që hyjnë në Kosovë

    Qeveria e Kosovës tha se “pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe”, institucionet kanë vendosur që të ndalojnë hyrjen në territorin e shtetit të automjeteve me targa të Serbisë.

    Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se pas ngjarjes që ndodhi të mërkurën në vijën kufitare me Serbinë, institucionet e Kosovës kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare.

    “Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Andaj, si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës, teksa vazhdon analizimi i situatës nga institucionet e sigurisë. Veprimet e radhës do të merren bazë të rekomandimeve të institucioneve të rendit”, tha Kryeziu.

    Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur zyrtarët policorë dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

    Në Beograd, zyrtarët thanë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

    Krerët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim, të cilin e kanë cilësuar si “akt agresioni”, duke kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë dhe zyrtarët policorë të lirohen menjëherë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.

    “Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me tyta të gjata”, tha Vuçiq në Radio televizionin e Serbisë (RTS).

    Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

    Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët. /REL

  • Berisha: Kurti s’më ka folur pasi u bë kryeministër

    Berisha: Kurti s’më ka folur pasi u bë kryeministër

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha foli në lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës dhe qëndrimin e Tiranës zyrtare.

    Teksa hodhi akuza në lidhje me mbështetjen që sipas tij kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po i jep Beogradit, Berisha u ndal dhe te marrëdhënia e tij personale me kryeministrin Albin Kurti.

    Berisha në “Euronews Albania” tha se me Kurtin nuk ka pasur asnjë takim që pasi ai është zgjedhur kryeministër, dhe mund ta ketë takuar dy-tre herë gjithsej gjatë karrierës politike.

    Ai shtoi se nuk e ka këshilluar për veprimet që duhet të ndërmarrë, pasi këto kohë nuk kanë pasur komunikim.

    “Në mënyrë absolute Kurti nuk ka ardhur në zyrën time, as nuk kam asnjë komunikim. Atëherë nuk ka ardhur për të më kërkuar mendimin por për të mbështetur mendimin tim, pasi siç e dini njeriu i parë që kundërshtoi në mënyrë intensive çështjen e ndarjes së Kosovës isha unë. Pastaj filluan me radhë edhe autoritetet politike në Kosovë. Erdhën njëri pas tjetrit për t’u solidarizuar me qëndrimin tim, por jo se pata ndonjë lidhje”.

    “Hera e fundit që mund të kem komunikuar me Kurtin mund të ketë vite, kam drekuar njëherë gjatë kohës që ishte në opozitë. Pasi ai u zgjodh kryeministër nuk kam pasur asnjë komunikim. Ky është personi që kam takuar më pak nga politikanët e tjerë të Kosovës. Kam ngrënë një drekë me të e kam takuar dy tre herë dhe kaq”, ka thënë mes tjerash Berisha.

    Ndër të tjera, ai tha publikisht se është kosovar.

    “Kosova është dheu im, duhet ta dijë e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota që unë jam kosovar. I kam thënë një fjalë luftëtarëve të Kosovës në 92-shin, Adem Jasharit dhe grupit të tij, që gjysmën e kohës e kam për Shqipërinë, gjysmën tjetër për Kosovën, këtu unë nuk mund të ndryshoj. Kosova, Malësia e Gjakovës është etnikisht pjesë e Kosovës”, tha Berisha.

  • BE dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të ATV-së

    BE dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të ATV-së

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në përgjigjen për redaksinë ATV-së, ka thënë BE e dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të këtij televizioni që ndodhi dje në Zveçan.

    “Më vjen shumë keq për sulmin që ndodhi kundër jush dhe ekipit tuaj, dhe ne si BE e dënojmë ashpër këtë. Mediat nuk mund të sulmohen në asnjë rrethanë dhe nuk mund të pengohen të bëjnë punën e tyre. Ata që janë përgjegjës për këtë sulm të mjerueshëm duhet të mbajnë përgjegjësi. Shpresoj që lëndimet që keni marrë do të shërohen së shpejti pa asnjë ndërlikim”, thuhet në përgjigjen e Stanos drejtuar redaksisë së ATV-së.

    Kujtojmë se dje, më shumë se dhjetë persona, shumica e tyre të maskuar sulmuan me gurë, cung, shkopinj, shkelma e grushte veturën dhe ekipin e ATV-së që gjendej brenda saj.

    Si pasojë të tre anëtarët e ekipit televiziv pësuan lëndime trupore – ndrydhje nga gurët dhe prerje nga copëzat e xhamit – ndërsa vetura u demolua.

    Fillimisht, rreth orës 13, vetëm pesë minuta pasi kameramani Blendi Thaçi dhe gazetari Fatlum Jashari u ndalën për pamje tek ndërtesa e komunës në Zveçan, vozitësi Enis Sherifi, i cili kishte shkuar më poshtë për t’u parkuar në një vend të sigurt, njoftoi se është sulmuar nga një person.

    Pas vendimit për t’u larguar shpejtë nga aty, derisa shoferi po afrohej filluan sharjet dhe ofendimet ndaj gazetarit e kameramanit.

    Pas paralajmërimit që morën nga një grua, se tensioni është rritur për shkak të arrestimit në Mitrovicë të Veriut, ekipi tre-anëtarësh i ATV-së u nis për të dal nga Zveçanin.

    Pak sekonda pas, rreth 150 metra tutje, në afërsi të rreth-rrotullimit, një veturë e tipit Golf me ngjyrë të errët dhe me targa të Serbisë, i doli në pritë të veturës së ATV-së dhe bllokoi rrugën.

    Personi i njëjtë që kishte sulmuar kameramanin më herët, doli nga ajo veturë dhe krahas sharjeve në gjuhën serbe, provoi që me dhunë hapte derën e veturës së ATV-së dhe të nxirrte ekipin jashtë.

    Ai dhe dy të tjerë të maskuar, filluan sulmin me gurë, shkelma e grushte ndaj veturës.

    Tutje, më shumë se 10 persona tjerë, shumica të maskuar, iu bashkuan sulmit me mjete të forta – teksa ekipi po përpiqej të lëvizte prapa me veturë për të gjetur strehë të sigurt.

    Nën rrebesh gurësh ekipi i ATV-së u strehua në te një ekip i KFOR-it italian, qw u bë shkas për ndaljen e sulmit.

    Pas rreth 45 minutash të tensionuara nën mbrojtjen e KFOR-it, ekipe po ashtu italiane të EULEX-it ndihmuan largimin e sigurt të ekipit të ATV-së nga Zveçani.

    Rasti është iniciuar në Stacionin e Policisë në Mitrovicë të Jugut, ndërsa ekipit të ATV-së i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore. /atvlive.tv

  • Rexhaj: Kidnapimi i policëve ishte hakmarrje për arrestimin e Milenkoviçit, Qeveria ka bllokuar maunët e  Serbisë

    Rexhaj: Kidnapimi i policëve ishte hakmarrje për arrestimin e Milenkoviçit, Qeveria ka bllokuar maunët e Serbisë

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ndaj aksionit të njerëzve të uniformuar të Serbisë të cilët kidnapuan tre zyrtarët policor të Kosovës, vendimi i parë që është marrë nga Qeveria është bllokimi i mauneve të Serbisë.

    “Hapi i ardhshëm pra është bërë sot, në koefidencë të ministrit të Brendshëm, në emër të sigurisë, ai ka marrë vendim që të bllokohen maunët, po thuhet mallrat,
    sigurisht që ato janë edhe mallra. Në këtë kuptim është edhe veprimi tjetër politik i ndërmarrë ndaj Serbisë për bllokimin e maunëve”, tha Rexhaj.

    Ai tha se ky veprim i Serbisë ka ardhur si hakmarrje ndaj aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës, ku u arrestua Milun Milenkoviç, i njohur me nofkën “Llune”.

    “Njerëz të uniformuar të Serbisë ose xhandarmerisë kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe normalisht, kur është një aksion i befasishëm, ata të cilët e realizojnë atë aksion, kanë përparësi edhe me atë arrestimin bombastik që është hedhur edhe në media. Mendoj që Serbia, këtë kidnapim e ka bërë në kuptimin e hakmarrjes së aksionit të djeshëm të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, ku është arrestuar krimineli Milenkoviç me nofkën “Llune”, i cili ka sulmuar KFOR-in, ka rrahur të rinj dhe ka përfituar nga amnistia kur është votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës mirëpo nuk është ndalur asnjëherë me veprimet banitideske dhe kriminale atje”, tha Rexhaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Kurti bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të policëve

    ​Kurti bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të policëve

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të policëve të Kosovës, të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe, si dhe ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar t’i denoncojë aktet e dhunës nga Serbia.

    Kurti ka shkruar në Twitter se policët janë rrëmbyer brenda kufijve të Kosovës.

    “Tre policë të Kosovës janë rrëmbyer sot nga Forcat e Armatosura të Serbisë brenda kufijve të Kosovës. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të oficerëve dhe që komuniteti ndërkombëtar të denoncojë këto akte”, ka shkruar Kurti.

    Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.