ATV

Tag: Ballina

  • Alarm në sektorin e qumështit, rënia e çmimeve dhe rritja e importeve godasin fermerët

    Alarm në sektorin e qumështit, rënia e çmimeve dhe rritja e importeve godasin fermerët

    Sektori i qumështit në Kosovë po përballet me një situatë alarmante, e cila po rrezikon seriozisht qëndrueshmërinë ekonomike të fermerëve vendor.

    Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Naser Bajraktari, ka ngritur shqetësimin për zhvillimet e fundit në treg duke theksuar se teprica e qumështit të freskët ka sjellë ulje të çmimit të grumbullimit dhe rrjedhimisht goditje direkte në të ardhurat e prodhuesve.

    Sipas tij, kjo situatë po rëndohet edhe më shumë nga rritja e vazhdueshme e kostove të prodhimit, veçanërisht çmimit të naftës dhe ushqimit për kafshë duke krijuar një presion të dyfishtë mbi fermerët.

    Të dhënat tregojnë për një rritje të ndjeshme të importeve në tregun vendor.

    Vetëm gjatë vitit 2025, importet e produkteve të qumështit kanë arritur në 89.8 milionë euro, ndërsa çdo vit importohen rreth 28 milionë litra qumësht i freskët.

    Po ashtu, mbi 1 milion kilogramë qumësht pluhur përdoret nga industria, si alternativë më e lirë duke kufizuar edhe më tej plasimin e prodhimit vendor.

    Bajraktari ka paralajmëruar se përveç konkurrencës së lartë, sektori po përballet edhe me praktika të padrejta, përfshirë përdorimin e zëvendësuesve si qumështi pluhur dhe yndyrat bimore, të cilat mund të ndikojnë edhe në sigurinë ushqimore.

    Në këtë situatë, Shoqata e Prodhuesve të Qumështit i është drejtuar Ministrisë së Industrisë, të Ndërmarrësisë dhe të Tregtisë me kërkesë për ndërhyrje urgjente dhe masa konkrete për stabilizimin e tregut.

    Shoqata ka theksuar se mbështetja e fermerëve vendor mbetet thelbësore për garantimin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural në Kosovë.

  • Isa Mustafa paralajmëron krizë nëse VV-ja merr edhe Presidentin

    Isa Mustafa paralajmëron krizë nëse VV-ja merr edhe Presidentin

    Gjatë ditës së djeshme janë riaktivizuar diskutimet politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit, në një kohë kur ende mungon një konsensus ndërmjet pozitës dhe opozitës.

    Lidhur me këtë çështje ish- kryetari i LDK-së, Isa Mustafa fillimisht ka sqaruar se cilat opsione nuk i konsideron si zgjidhje të pranueshme për situatën aktuale.

    “Së pari po shprehem se çfarë nuk është zgjidhje. Zgjidhje nuk do të ishte që VV, duke e pasur shumicën në Kuvend, Kryeparlamentarin dhe Qeverinë, të ketë edhe Presidentin. Kështu do të ktheheshim në një shtet njëpartiak.”, ka thënë ai për Indeksonline.

    Ai paralajmëron për rrezikun e përqendrimit të pushtetit në një subjekt të vetëm politik, duke e parë këtë si cenim të balancës demokratike.

    Mustafa thekson se zgjidhja duhet të vijë përmes bashkëpunimit ndërmjet pozitës dhe opozitës, duke përfshirë edhe mundësinë e një kandidature jashtë shumicës:

    “Do të ishte zgjidhje që partia që ka shumicën të tregojë vullnet për një president nga opozita ose për një personalitet për të cilin pajtohen pozita dhe opozita.”, vlerësoi ai.

    Sipas tij, një qasje e tillë do të ndihmonte në ruajtjen e balancave institucionale dhe politike në vend.

    Duke folur për karakteristikat që duhet të ketë një kandidat i mundshëm, Mustafa pranon vështirësinë e arritjes së një figure ideale, por nënvizon disa parime bazë.

    “Këtë figurë është vështirë ta gdhendim si skulptor, por të pajtohemi se nuk ka të përkryer. Të jetë një njeri që siguron balancë të brendshme, mbrojtje të kushtetutës dhe përfaqësim jashtë në interes të vendit.”, tha tutje Mustafa.

    Në mungesë të vullnetit politik për kompromis, Mustafa sugjeron që vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.

    “Nëse nuk gjendet ky vullnet, do të ishte më mirë të përfundohet ky cikël i amullisë dhe të shkohet në zgjedhje.”

    Në fund, ai e vendos situatën politike edhe në një kontekst më të gjerë global, duke theksuar mungesën e orientimit strategjik.

    “Ndryshimet gjeopolitike dhe ato gjeoekonomike kërkojnë nga çdo vend t’i definojë interesat e veta. Duket se ne nuk jemi në këtë rrugë!”

    Me aktgjykimin e shpallur nga Kushtetuesja më 25 mars u përcaktua afati prej 34 ditësh për zgjedhjen e Presidentit, konkretisht deri më 28 prill.

    Nëse Presidenti nuk arrin të zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

  • Deliu: Pa marrëveshje, PDK nuk propozon emra për president – Nuk ka ftesë të re nga VV’ja

    Deliu: Pa marrëveshje, PDK nuk propozon emra për president – Nuk ka ftesë të re nga VV’ja

    Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka pranuar një ftesë zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosje për takim lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, ndërsa kërkon që çdo ftesë të konkretizohet në formë zyrtare dhe më pas të trajtohet në organet e parties.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se partia e saj ka marrë pjesë në të gjitha takimet deri më tani me qëllim që të dëshmojë vullnet politik dhe të mos jetë bllokuese në proces.

    “Fakti që Partia Demokratike e Kosovës ka qenë pjesë e të gjitha takimeve deri tani me të gjitha partitë politike, në këtë rast edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, pikërisht për të bërë përpjekjet tona për të dëshmuar vullnetin tonë politik që të mos jemi bllokues në situatën kur vendi do të rrëshqasë drejt zgjedhjeve të reja. Prandaj duke e parë që këto takime nuk kanë pasur ndonjë efekt edhe që tashmë kemi një cikël të ri të takimeve të ftuara nga zoti Kurti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi kërkuar që ta konkretizojë ftesën dhe ne pastaj ta trajtojmë këtë ftesë në organet e partisë, në Këshillin Drejtues që është institucioni më i lartë brenda partisë dhe në Kryesinë e partisë për të marrë dhe qëndrimin përfundimtar lidhur me këtë çështje. Në të kundërtën, po e them këto takime të cilat nuk prodhojnë asgjë, është vështirë të thuhet që do të kenë efektin e tyre pa u konkretizuar tashmë sepse nuk po ndodhin për herë të parë”, tha ajo.

    Deliu-Kodra theksoi se, sipas informatave që ajo ka, nuk ekziston ndonjë ftesë e re nga VV-ja, duke përsëritur qëndrimin se pa një ftesë të qartë dhe zyrtare, nuk mund të ketë përgjigje institucionale nga PDK.

    “Jo, nuk po e them nuk kemi pranuar, aq sa unë kam informata nuk ka ndonjë ftesë të re dhe qëndrimin edhe për ftesën e kemi sqaruar tash e sa kohë që pa një konkretizim të qartë të ftesës e cila duhet të vijë në letër zyrtarisht, të trajtohet institucionalisht ashtu siç e meriton të kemi përgjigje institucionale si subjekt politik, unë jam e bindur që takimet të cilat kanë ndodhur tash e sa kohë nuk është që kanë prodhuar diçka. Në të kundërtën Kosova sot, po të kishte vullnet politik të zotit Kurti, Kosova do ta kishte presidentin ose presidenten e saj”, tha ajo.

    Ajo shtoi se PDK-ja nuk do të propozojë emra për president pa një marrëveshje politike paraprake, duke theksuar se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit mbetet te kryeministri.

    “Ne kemi thënë tash e sa kohë që nuk mund të propozohen emra pa një marrëveshje politike dhe fakti që s’kemi arritur që të kemi marrëveshje politike që propozimi t’i takojë Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që ne nuk kemi propozuar emra. Pra, zoti Kurti e thashë e ka të gjithë mundësinë, e ka pasur tash e sa kohë që ta zgjedhë presidentin dhe është komplet në vullnetin e tij politik nëse Kosovës do t’i japë një president ose presidente, ose vendi do të rrëshqasë në zgjedhje të reja”, tha ajo.

    Duke folur për situatën aktuale në vend, ajo kritikoi qeverinë për mungesë fokusimi në çështjet ekonomike dhe sociale.

    “Në të kundërtën një pushtet kaq i madh, mos harro tash e sa kohë që ta ketë prioritet qeverisjen, projektet, zhvillimin e Kosovës në kohën kur gjithçka në jetën e qytetarëve të Kosovës është rënduar, çmimet janë tepër të larta, çmimi i naftës është diçka që e ka rënduar edhe më shumë qytetarin shtuar këtu edhe çmimin e energjisë elektrike, gjendjen e rëndë që sot e ka sektori privat, natyrisht pagat e ulëta, të gjitha këto janë sfida të cilat kanë nevojë për adresim dhe Kosovës i duhen sa më parë që t’i ketë institucionet e veta. Nëse Albin Kurti ka vullnet politik që të ketë president, Kosova do të ketë institucionet e saj. Në të kundërtën kjo qasje e tij e papërfillshme ndaj partive të tjera nuk do ta çojë Kosovën askund”, tha ajo. /eo

  • Komisioni miraton projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

    Komisioni miraton projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

    Komisioni për Kulturë, Turizëm dhe Sport ka votuar në parim Projektligjin nr.10/L-027 për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, me shtatë vota për dhe një abstenim.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë raportimit tha se Ministria, në kuadër të mandatit të saj, ka paraparë hartimin e këtij projektligji, duke theksuar rëndësinë historike të organizimit të kësaj ngjarjeje në Kosovë.

    Gashi theksoi se qëllimi i ligjit është përcaktimi i rregullave dhe procedurave, si dhe i detyrave dhe përgjegjësive të institucioneve për organizimin e këtij eventi, ndërsa shtoi se qeveria do të ndajë fonde publike për këtë qëllim në shumë prej të paktën 253 milionë e 445 mijë e 501 euro.

    “Ministria e Sportit dhe Rinisë, në kuadër të mandatit të saj, ka paraparë hartimin e këtij projektligji. Për herë të parë në historinë e saj, Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare, ngjarja më e madhe sportive e organizuar deri më sot në vendin tonë. Ky projektligj është në interes të lartë publik dhe kombëtar, i cili përveç fuqizimit të infrastrukturës sportive dhe zhvillimit ekonomik, e vendos Kosovën në hartën ndërkombëtare si një vend që organizon ngjarje të mëdha, si dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve, avancimin e sportit dhe fuqizimin e imazhit të shtetit”.

    “Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave, si dhe të detyrave e përgjegjësive të institucioneve shtetërore dhe subjekteve të tjera në lidhje me organizimin dhe funksionimin e edicionit 21 të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Përmes këtij ligji, qeveria e Republikës së Kosovës do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e Lojërave Mesdhetare në shumë prej të paktën 253 milionë e 445 mijë e 501 euro”.

    “Ky projektligj rregullon gjithashtu kompetencat e Komitetit Olimpik të Kosovës, të Komunës së Prishtinës, si dhe të komunave të tjera, të cilat do të përmbushin obligimet e tyre në raport me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në përputhje me mbështetjen financiare të garantuar nga qeveria e Republikës së Kosovës në dokumentin e kandidaturës, burimi kryesor i financimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare do të jetë buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës, përkatësisht Ministria e Sportit dhe Rinisë, e ka sportin prioritet. Duke pasur parasysh se Kosova tashmë ka marrë përsipër organizimin e këtyre lojërave që do të mbahen në vitin 2030, është e domosdoshme adresimi i një sërë kërkesash obligative, ndër të cilat është krijimi i kushteve sa më të mira për zhvillimin e ngjarjes sportive në vend. Gjithashtu, konsiderojmë se përmes këtij projektligji do të krijohen mekanizma adekuatë për organizimin e ngjarjes sportive, duke paraparë bashkëpunimin institucional dhe duke siguruar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për realizimin sa më të suksesshëm të tyre”, tha ai.

  • Përplasje në komision, deputetja Musliu kritikon raportin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi

    Përplasje në komision, deputetja Musliu kritikon raportin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi

    Me përplasje, mospajtime e kritika të ndërsjella ka kaluar raportimi i komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Ka qenë deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu që e ka kritikuar raportin e kësaj agjencie, që sipas saj, ka pasur vetëm lëvdata dhe jo përmbajtje.

    “Mendoj se raporti është tërësisht vetëlavdërues. Flitet për arritje, angazhim dhe profesionalizëm, por mungon një analizë e sinqertë e dështimeve. Nuk dëgjova asnjë rast ku agjencia ka dështuar ta mbrojë qytetarin, ndërkohë që ka shumë njerëz që flasin për këtë. Numra pa kontekst: Janë paraqitur shumë statistika (1085 ankesa, 167 inspektime), por nuk dihet sa prej tyre kanë prodhuar efekt real. Nuk ka analizë mbi cilësinë e vendimeve dhe as krahasim me vitet paraprake. Numrat pa analizë janë më shumë propagandë sesa llogaridhënie.”, ka thënë deputetja Musliu.

    Sipas saj, raporti ka fokus aktivitetet, por jo rezultatet, duke hedhur edhe një mori kritikash tjera.

    Por, këtyre kritikave u është përgjigjur komisionerja Krenare Sogojeva-Dermaku, duke përmendur institucionet që janë gjobitur nga AIP-ja.

    “Më vjen shumë keq, kërkoj shumë falje, por sinqerisht jam shumë keq për këtë mënyrë të qasjes tuaj personale, duke e ditur që njihemi edhe në raporte të tjera edhe njihemi shumë mirë edhe profesionalisht…Janë gjobitur Ministria e Jashtme, janë gjobitur komunat, janë gjobitur institucionet publike, të gjitha ato që nuk kanë dhënë qasje. Janë gjobitur kontrollues privatë, janë gjobitur OJQ-të, është gjobitur ujësjellësi. Krejt ato institucione të cilat kanë shkelje. Nën një s’kanë ofruar qasje, ose që nuk i kanë mbrojtur të dhënat”, ka thënë ajo.

    Kurse, sa i përket kritikave se në raport ka pasur vetëm lavdada, Sogojeva-Dërmaku ka mohuar të ketë ndodhur një gjë e tillë.

  • LDK i përgjigjet Haradinajt që tha se s’i intereson takimi me Abdixhikun: Korrektësinë tonë po e shndërron ne sulm publik

    LDK i përgjigjet Haradinajt që tha se s’i intereson takimi me Abdixhikun: Korrektësinë tonë po e shndërron ne sulm publik

    Lidhja Demokratike e Kosovës i është përgjigjur kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se s’ka interes të takohet me kreun e kësaj partie për ta pyetur rreth diskutimeve me kreun e LVV-së, Albin Kurtin, për temën e presidentit.

    LDK në një përgjigje për Express kanë thënë se kërkesa e Abdixhikut për takim me Haradinajn s’ka qenë dhe s’është çështje e ndonjë “roli” që po tentohet të imponohet në publik.

    “Ka qenë një minimum korrektese politike dhe institucionale, i ndërtuar ndër vite, veçanërisht në rrethana që kërkojnë koordinim dhe përgjegjësi”, kanë thënë nga LDK.

    Sipas kësaj partie, shndërrimi i kërkesës për takim në sulm publik nuk është e denjë për nivelin e diskutimeve që kërkon situata.

    “Shndërrimi i kësaj korrektese në sulm publik është i panevojshëm dhe i padenjë për nivelin e komunikimit që kërkon situata politike në vend.LDK nuk do të bëhet pjesë e këtij standardi. Ne vazhdojmë me seriozitet, korrektesë dhe përgjegjësi”, kanë thënë nga LDK.

  • “Nafta “e lirë”. Rryma “e lirë”. Buka “e lirë”. Vaji “i lirë”-Rrahmani ironizon keq me Kurtin: Mirëmëngjesi nga “Republika Autoritare” e Kosovës

    “Nafta “e lirë”. Rryma “e lirë”. Buka “e lirë”. Vaji “i lirë”-Rrahmani ironizon keq me Kurtin: Mirëmëngjesi nga “Republika Autoritare” e Kosovës

    Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka vlerësuar se Kosova është shndërruar në një “Republikë Autoritare”.

    Ai fajtor për këtë e ka bërë kryeministrin Albin Kurti.

    Në profilin e tij në “Facebook”, Rrahmani ia ka përmendur Kurtit xhipin e zi dhe ka ironizuar me ngritjen e çmimeve për shumë produkte në Kosovë.

    “MIRËMËNGJESI nga “Republika Autoritare” e Kosovës. Urime, Kryeministër, për xhipin mbi 500 mijë euro. Nafta “e lirë”. Rryma “e lirë”. Buka “e lirë”. Vaji “i lirë”. Mielli “i lirë”. Barnat “falas”. Pacientët nuk kanë më nevojë të dalin jashtë vendit për trajtim. Të rinjtë po kthehen masivisht. Fabrikat po hapen çdo javë. Termocentrali i ri u ndërtua. Ekonomia po lulëzon. Populli po jeton më mirë se kurrë. Bankat po falimentojnë… Sepse shteti i ka ulur kamatat në zero. Po punojnë me zero fitim. Po mezi po mbijetojnë”, ka shkruar ai.

  • Komisioni për AKI’në mban mbledhje të mbyllur për media, shqyrton planin e punës

    Komisioni për AKI’në mban mbledhje të mbyllur për media, shqyrton planin e punës

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka filluar mbledhjen e së martës, ku ka pasur disa pika të rendit të ditës.

    Por, me të filluar mbledhja, ajo është mbyllur për media.

    Përveç miratimit të proceverbalit të mbledhjes së kaluar, në rend dite është edhe shqyrtimi i planit të punës së Komisionit për sesionin pranveror të viti 2026 dhe të ndryshme.

  • Ky është çmimi i derivateve për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i derivateve për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se sot një litër naftë mund të shitet maksimumi për 1.88 euro, derisa benzina 1.46 euro.

    Derisa sipas MINTI-it çmimi i gazit për litër është 0.74 euro.

    “MINTI u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë me përpikëri vendimin e ri të nënshkruar nga ministrja Rozeta Hajdari Kusari-Lila, me synimin për të garantuar një treg funksional dhe të qëndrueshëm, në shërbim të konsumatorëve. Autoritetet kanë paralajmëruar se çdo shkelje e këtij vendimi do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

  • LDK-ja i çon në polici dëshmitë për skandalin e KEDS-it me njehsorët elektrikë

    LDK-ja i çon në polici dëshmitë për skandalin e KEDS-it me njehsorët elektrikë

    Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar në Polici dëshmitë rreth njehsorëve elektrikë.

    Dorëzimi është bërë nga deputeti Visar Azemi.

    Dy ditë më parë, Azemi ka kërkuar ndalimin e çdo ndërhyrjeje në njehsorët elektrikë, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të çojnë në zhdukjen e provave. Ai ka theksuar se ndërrimi i njehsorëve, sidomos në rastet me dyshime për matje të pasakta të energjisë, ngre shqetësime për pengim të hetimeve.

    Deputeti i LDK-së ka kërkuar pezullimin e veprimeve të KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë deri në përfundimin e hetimeve dhe sigurimin e të gjitha provave. Ai ka paralajmëruar se çdo manipulim i mundshëm i provave përbën shkelje ligjore dhe duhet trajtuar si vepër penale.

    Ndërkohë gjatë një konference për media të mëhershme, Lidhja Demokratike të Kosovës ka ngritur akuza për manipulim sistematik të faturimit të energjisë elektrike, i cili sipas tyre ka dëmtuar qytetarët me miliona euro.

    Pas dyshimeve të ngritura, Ministria ka formuar Komision për verifikim.

    Pas nisjes së verifikimit, disa njëhsorë janë tërhequr nga funksioni për pasaktësi.