ATV

Tag: Ballina

  • LDK-ja nesër dorëzon dëshmitë në polici për njehsorët elektrikë

    LDK-ja nesër dorëzon dëshmitë në polici për njehsorët elektrikë

    Lidhja Demokratike e Kosovës do t’u drejtohet organeve të sigurisë e hetuesisë lidhur me dyshimet për manipulime në njehsorët elektrikë.

    Ky subjekt politik ka njoftuar se dëshmitë e siguruara do t’i dorëzohen Policisë së Kosovës.

    “Nesër (e martë), më datë 7 prill, në orën 09:00, anëtari i LDK-së, Visar Azemi i dorëzon në Polici të gjitha dëshmitë lidhur me skandalin me njehsorët elektrikë.”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

    Kjo parti politike tash e disa ditë ka ngritur shqetësimet për çështjen e njehsorëve elektrikë, me ç’rast ka kërkuar hetime rreth dyshimeve për manipulime.

  • Privilegjet e Vjosa Osmanit dhe familjes së saj pas përfundimit të mandatit presidencial

    Privilegjet e Vjosa Osmanit dhe familjes së saj pas përfundimit të mandatit presidencial

    Mandati i Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës përfundoi më 04.04.2026 dhe ulësen e të parës së shtetit, përkohësisht e zuri kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.

    Por, edhe pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar presidencial, Osmanit i njihen disa të drejta me Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, duke nisur nga thirrja “Presidente”, e cila do të vazhdojë t’i vlejë.

    Në bazë të këtij ligji, ajo ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është 70% e pagës të cilën e ka marrë si kryetare shteti.

    Po ashtu, Osmani dhe familja e saj (burri dhe fëmijët) kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës.

    “Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatë mujore të tranzicionit në jetën private. Fondet mund të përdoren për zyre, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit, shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën tranzitore.” – thuhet në ligj.

    Presidentja Osmani dhe familja e saj kanë të drejtë të kenë përcjellje zyrtare, pra mbrojtje të afërt, për tri vitet e ardhshme.

    Në këto kushte, ish-presidentes i lejohet të marrë pjesë në manifestimet shtetërore sipas radhës protokolare në vend.

    Në rastin e Osmanit, bashkë me burrin e saj, Ligji u lejon që ta përdorin pasaportën diplomatike të Kosovës tërë jetën, kurse fëmijët e tyre kanë të drejtë deri në moshën 18-vjeçare.

    “Presidenti i Republikës së Kosovës ka të drejtë në shpenzimet materiale për aktivitetet e tij/saj, në rastet kur këto aktivitete ushtrohen në cilësinë e ish-Presidentit. Mjetet nga paragrafi 1 i këtij neni sigurohen nga buxheti i përcaktuar për Zyrën e Presidentit të Kosovës.” – thuhet në ligj.

    Ligji e përcakton se në periudhën pesë vjeçare pas përfundimit të mandatit të presidentit, nuk mund të jenë më shumë se tre persona në personel profesional të zyrës.

    “Presidenti angazhohet nga Qeveria e Kosovës në aktivitete shtetërore, atëherë periudha pesë vjeçare fillon nga përfundimi i angazhimit të Presidentit.” – thuhet në ligj.

    Presidentja Vjosa Osmani mbajti një adresim publik me rastin e përfundimit të mandatit të saj, duke falënderuar qytetarët për besimin dhe duke theksuar se shërbimi ndaj shtetit është nderi më i madh.

    Në fjalimin e saj drejtuar qytetarëve dhe mërgatës, më 04.04.2026 të publikuar në Facebook, ajo deklaroi se gjatë pesë viteve në krye të shtetit është udhëhequr nga parime të qarta: mbrojtja e interesit shtetëror, forcimi i aleancave ndërkombëtare dhe ruajtja e integritetit institucional.

    Pasi kaluan 24 orë që kur u përshëndet me Zyrën e Presidencës përmes një ceremonie, stafi i presidentes Osmani ndryshoi emrin në faqen zyrtare në Facebook nga ‘Presidenca e Republikës së Kosovës’ në ‘Zyra e Presidentes së 6-të të Republikës së Kosovës’.

    Gjatë mandatit, Osmani theksoi arritjet në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë avancimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, zgjerimin e njohjeve, liberalizimin e vizave dhe hapa drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

    Kurse, Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, me synim të gjetjes së një konsensusi për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

    Ky takim u zhvillua në kohën kur kanë mbetur edhe 22 ditë deri në përfundim të afatit të përcaktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kreut të shtetit.

    Me aktgjykimin e shpallur nga Kushtetuesja, më 25.03.2026, u përcaktua afati prej 34 ditësh për zgjedhjen e Presidentit, konkretisht deri më 28 prill.

    Nëse Presidenti nuk arrin të zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

    Në anën tjetër, karriera politike e Vjosa Osmanit filloi si shefe e stafit të presidentit të atëhershëm Fatmir Sejdiu nga viti 2006 deri në vitin 2010; ajo ishte gjithashtu pjesë e komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës.

    Ajo u zgjodh deputete me LDK-në, dhe u bë gruaja e parë që u zgjodh kryetare e Parlamentit të Kosovës në shkurt të vitit 2020. Në zgjedhjet e atij viti, ajo mori më shumë vota se çdo kandidat tjetër parlamentar në Kosovë, më shumë se 300,000.

    Pastaj në nëntor të vitit 2020, ajo u ngrit edhe më tej, duke u bërë ushtruese e detyrës së Presidentes, kur Hashim Thaçi u detyrua të shkonte në paraburgim në Hagë, pasi u konfirmua aktakuza e tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Por marrëdhënia e saj me LDK-në, partinë së cilës i përkiste deri në qershor të vitit 2020, u shënua me ulje-ngritje.

    Rivaliteti i saj me kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa bëri që ajo të bllokohej nga kandidimi për postin e kryetarit të LDK-së në vitin 2015. Por popullariteti i saj ishte i qartë në kutitë e votimit, kur në zgjedhjet e vitit 2017, ajo u bë kandidatja e dytë më e mbështetur e LDK-së, edhe pse partia e renditi atë vetëm në vendin e 81-të në listën e saj, pjesërisht për shkak të marrëdhënieve të saj të tensionuara me udhëheqjen.

    Më pas, në vitin 2019, LDK e zgjodhi atë si kandidaten e saj për kryeministër, një garë zgjedhore që kjo parti e humbi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit me një diferencë të vogël.

    Prishja me partinë e saj erdhi pas pak kohësh, kur ajo doli kundër rrëzimit të qeverisë së Kurtit në mes të pandemisë. Kur refuzoi të mbështeste një kabinet të drejtuar nga LDK në qershor 2020, ajo u shkarkua nga të gjitha pozicionet e saj në parti.

    Më pas ajo krijoi subjektin e saj politik, Guxo, i cili kandidoi në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosjen në zgjedhjet e shkurtit 2021.

    Një muaj më vonë, me LVV-në në pushtet, Osmani u zgjodh presidente, shkruan Kallxo.

  • “Mjerët ne kush po na udhëheq”, Bajrami e LDK-së i reagon Kurtit për numrin e votave për president

    “Mjerët ne kush po na udhëheq”, Bajrami e LDK-së i reagon Kurtit për numrin e votave për president

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti lidhur me deklaratat e tij për numrin e votave që kërkohen për zgjidhjen e presidentit.

    Pas takimit që ka pasur sot me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kreu i ekzekutivit ka thënë se 80 ose 81 vota nuk mjaftojnë për këtë proces, pasi sipas tij, nevojiten të paktën 84 ose 85 vota.

    Për këtë, deputetja Bajrami ka kritikuar këtë qasje të Kurtit.

    “Në vitin 2021, as nuk i kanë pasë 80 vota të sigurta, as kandidatja s’ka qenë konsensuale. Sot, Kurti po kërkon figurë jopartiake/unifinuese dhe garanci me 85 vota. Veç një gjë duhet ta dimë: nëse shkojmë në zgjedhje prapë, as vota për kryetar të Kuvendit s’ka me pasë, e lëre më për president.”, ka thënë Bajrami.

    Ajo ka shtuar se me këtë qasje rrezikohet të shkohet në bllokada të reja.

    “Pra, prej bllokade në bllokadë, prej krize në krizë, me rëndësi Kurti të ketë kontroll të plotë mbi buxhetin dhe institucionet. Të mjerët ne kush po na udhëheqë! Uroj ta kuptojmë sa më parë.”, ka thënë Bajrami.

  • Policia propozon sanksione ndaj tri kompanive private, aprovohen nga OSHP-ja

    Policia propozon sanksione ndaj tri kompanive private, aprovohen nga OSHP-ja

    Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka aprovuar propozimin e Policisë së Kosovës për sanksionimin e tri kompanive private nën dyshimin për mashtrim në prokurimin publik.

    Tre operatorë ekonomikë dyshohet se mashtruan Policinë e Kosovës në ofertat për tenderin e shpallur nga Policia e Kosovës për “furnizim me uniforma operacionale”, raporton Paparaci.

    Tre operatorët, BE NEW L.L.C, Sabit Makiqi B.I. dhe Exim Jatex Sh.P.K., sipas Policisë së Kosovës, kishin ofruar ose paraqitur dokumente të rreme apo të falsifikuara në garën për tenderin që parashihte furnizimin me uniforma operacionale të policisë.

    Në tri vendime të ndara, Organi Shqyrtues i Prokurimit aprovoi propozimet e Zyrës së Prokurimit të Policisë së Kosovës dhe vendosi në Listën e Zezë tri kompanitë private.

    Lista e Zezë e Gjykatës së Tenderëve është një proces i cili u ndalon kompanive pjesëmarrjen në aktivitetet e prokurimit publik për periudha të caktuara, raporton Paparaci.

    Sipas vendimit të OShP-së, tri kompanitë: BE NEW L.L.C. dhe Sabit Makiqi B.I., me bazë në Prishtinë, si dhe ndërmarrja private Exim Jatex Sh.P.K. me bazë në Gjakovë, janë përjashtuar nga pjesëmarrja në prokurimin publik për nëntë muajt e ardhshëm.

    Vendimet e OSHP-së kanë konstatuar se tri kompanitë private kanë “paraqitur të dhëna të rreme ose dokumente të falsifikuara” në tenderin e Policisë së Kosovës.

    Vendimet janë nxjerrë nga Gjykata e Tenderëve më 13 tetor të këtij viti. Ato mund të anulohen nga OSHP-ja në rast se Policia e Kosovës vërteton se tri kompanitë nuk kanë tentuar mashtrimin e institucionit policor në aktivitetet e prokurimit publik.

  • Azemi, qeverisë: Për punëtorët e sektorit privat ju bie ndërmend veç kur vjen era zgjedhje

    Azemi, qeverisë: Për punëtorët e sektorit privat ju bie ndërmend veç kur vjen era zgjedhje

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat Jusuf Azemi, e ka kritikuar qeverinë për lënjen anash të këtij sektori, sidomos pas ndarjes së pagës 13-të për punëtorët e sektorit publik.

    Azemi tha se deputetët e kuvendit morën 4 mijë euro pa punuar fare.

    “Punëtorët e sektorit privat edhe tani kur po flasim marrin një pagë 292 euro, apo edhe më pak”, tha Azemi në Klan Kosova.

    Ai përmendi edhe zotimin e ministrit të Financave Hekuran Murati, për ndarjen e 200 milionë eurove, për çka tha se punëtorët e sektorit privat përfitojnë shumë pak, atëherë kur vjen era zgjedhje.

    “Sikur të mos ishte ndjerë era zgjedhje nuk do të ishte bërë edhe kjo ngjarje”, u shpreh Azemi.

  • Rriten investimet nga Kosova në Shqipëri

    Rriten investimet nga Kosova në Shqipëri

    Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, flukset e investimeve nga Kosova kanë njohur rritje të ndjeshme, ndërsa për 9-mujorin e vitit 2025 arritën në 153 milionë euro, me zgjerim prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    Investimet e ndërmarrjeve nga Kosova në Shqipëri kanë shënuar rritje të fortë gjatë vitit të fundit, duke e pozicionuar Kosovën si një nga investitorët kryesorë të huaj në vend, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.

    Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, flukset e investimeve nga Kosova kanë njohur rritje të ndjeshme, ndërsa për 9-mujorin e vitit 2025 arritën në 153 milionë euro, me zgjerim prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, transmeton albinfo.ch.

    Ndërkohë, stoku i investimeve nga Kosova është rritur ndjeshëm, duke arritur rreth 550 milionë euro në fund të kësaj periudhe, në rritje me mbi 40% në terma vjetorë.

    Rritja e kapitalit kosovar në tregun shqiptar lidhet kryesisht me blerje strategjike të ndërmarrjeve vendase, që kanë forcuar praninë e bizneseve nga Kosova në sektorë kyç të ekonomisë, duke përfshirë sektorin e modës dhe atë të shërbimeve ushqimore, etj çka tregon një prirje të qartë drejt diversifikimit të investimeve.

    Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se kjo rritje reflekton jo vetëm interesin në rritje të bizneseve kosovare për tregun shqiptar, por edhe forcimin e integrimit ekonomik mes dy vendeve, si dhe besimin në potencialin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare.

  • Mustafa: Maqedonia e Veriut ku nafta kushton 1,55 euro, ka ulur akcizën për 7 centë dhe TVSh nga 18% në 10%

    Mustafa: Maqedonia e Veriut ku nafta kushton 1,55 euro, ka ulur akcizën për 7 centë dhe TVSh nga 18% në 10%

    Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, është shprehur i shqetësuar me çmimin e lartë të naftës në Kosovë, ku aktualisht një litër kushton 1.86.

    Mustafa ka marrë shembull Maqedoninë e Veriut, duke thënë se aty ku “nafta kushton 1.55 euro, dje ka ulur akcizën për 7 cent ndërsa para dy jave ka ulur TVSh nga 18% në 10%”.

    Ai shprehet se “Qeveria e Kosovës nuk e ka ulur as akcizën as TVSh, anipse çmimi është 1.85+”.

    Tutje Mustafa ka shkruar; “mos lsho pe Albin! Sa ma të larta çmimet qaq ma shumë po të votojnë”.

    Postimi i plotë:

  • Hoxhaj për debatin në Maqedoninë e Veriut: Absurde që shqipja të kontestohet në një shtet anëtar të NATO-s

    Hoxhaj për debatin në Maqedoninë e Veriut: Absurde që shqipja të kontestohet në një shtet anëtar të NATO-s

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar lidhur me debatin e fundit për të drejtën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për t’i dhënë provimet në gjuhën shqipe.

    Përmes një postimi publik, Hoxhaj ka theksuar se kjo e drejtë përbën një standard themelor të barazisë dhe demokracisë, duke kërkuar respektim të plotë të gjuhës shqipe në arsim dhe në institucionet publike.

    Sipas tij, gjuha shqipe duhet të trajtohet si pjesë e karakterit multietnik dhe orientimit evropian të shtetit, ndërsa ka nënvizuar se barazia gjuhësore nuk është privilegj, por e drejtë themelore e shqiptarëve si popull shtetformues.

    Hoxhaj ka shtuar se është absurde që përdorimi i shqipes të bëhet çështje në një shtet që është pjesë e NATO-s dhe që synon anëtarësimin në BE.

    “E drejta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për të dhënë provimet në gjuhën shqipe është një standard themelor i barazisë dhe demokracisë. Gjuha shqipe duhet të respektohet plotësisht në arsim dhe në institucionet publike, si pjesë e karakterit multietnik dhe evropian të shtetit. Barazia gjuhësore nuk është privilegj, por e drejtë themelore e shqiptarëve si popull shtetformues. Është absurde që përdorimi i shqipes të bëhet çështje në një shtet që është pjesë e NATO-s dhe synon të bëhet pjesë e BE-së.”, ka shkruar Hoxhaj.

  • Çmimet e derivateve: Edhe sot 1 litër naftë duhet të shitet për 1.86 euro

    Çmimet e derivateve: Edhe sot 1 litër naftë duhet të shitet për 1.86 euro

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, njofton se bazuar ne vendimin e datës 05.04.2026 për caktimin e çmimit maksimal, për datën 06.04.2026, çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës mbesin të njëjta sikur në ditën paraprake.

    Për ditën 06.04.2026, çmimet maksimale të lejuara janë si vijon:

    • Nafta (dizel): 1.86 euro/litër;

    • ⁠Benzina: 1.49 euro/litër.

    “MINTI u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë me përpikëri vendimin e ri të marr nga ministrja Kusari- Lila, me qëllim garantimin e një tregu funksional, të qëndrueshëm dhe në shërbim të interesit të konsumatorit”, thuhet në njoftimin e MINT-it.

    Shkeljet e këtij vendimi do të trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Dauti feston ditëlindjen e 48-të, Ramushi e uron

    Dauti feston ditëlindjen e 48-të, Ramushi e uron

    Deputeti Daut Haradinaj feston sot ditëlindjen e 48-të.

    Urimi i parë publik i erdhi nga vëllai i tij, Ramushi i cili ndau një fotografi krah tij në Facebook.

    “Gëzuar ditëlindja”, ka shkruar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.