ATV

Tag: Ballina

  • Zgjedhja e Presidentit, Kurti sot takohet me Abdixhikun

    Zgjedhja e Presidentit, Kurti sot takohet me Abdixhikun

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga sot do t’i nisë takimet me liderët e opozitës lidhur me çështjen e Presidentit.

    Me fillim nga ora 11:00 do të zhvillojë një takim me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun.

    Takimi do të ndodhë në hapësirat e Kuvendit.

  • KEK me njoftim: Sonte nga ora 00:00 ndalet njësia A4, në mënyrë të “kontrolluar”, probleme me kondenzator

    KEK me njoftim: Sonte nga ora 00:00 ndalet njësia A4, në mënyrë të “kontrolluar”, probleme me kondenzator

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A4 në Termocentralin Kosova A do të ndalet sonte rreth orës 00:00 për shkak të problemeve të konstatuara në kondenzator.

    Sipas vlerësimeve profesionale sipas KEK vazhdimi i operimit në këto kushte mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha, ndaj ndalja e kontrolluar shihet si një masë parandaluese për të ruajtur integritetin e njësisë dhe për të shmangur defekte serioze. Të gjitha institucionet relevante janë njoftuar paraprakisht për këtë zhvillim, tregon KEK.

    Aktualisht, KEK operon me tri njësi gjeneruese: B2 në TC Kosova B dhe A3 dhe A4 në TC Kosova A, që sipas njoftimit siguron furnizim të qëndrueshëm të energjisë në përputhje me kapacitetet e disponueshme.

    Njoftimi i plotë:

    KEK: Ndalje e kontrolluar e njësisë A4 dhe investimet për të ardhmen e sektorit energjetik

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se njësia A4 në TC Kosova A pritet të ndalet në mënyrë të kontrolluar sonte rreth orës 00:00, pas paraqitjes së problemeve në kondenzator.

    Pas vlerësimeve profesionale, është konstatuar se vazhdimi i operimit në këto kushte mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha.

    Për këtë arsye, ndalja është një masë e domosdoshme parandaluese, me qëllim të ruajtjes së integritetit të njësisë dhe evitimit të defekteve serioze.

    Të gjitha institucionet relevante janë njoftuar me kohë për këtë zhvillim.

    Aktualisht, KEK është duke operuar me tri njësi gjeneruese: B2 në TC Kosova B si dhe A3 dhe A4 në TC Kosova A, duke siguruar vazhdimësinë e prodhimit sipas kapaciteteve në dispozicion.

    Në të njëjtën kohë, KEK rikujton se është në një fazë të rëndësishme transformimi, me investime mbi 500 milionë euro për modernizimin dhe zgjatjen e jetës së njësive gjeneruese – investimet më të mëdha që nga fillimi i operimit të termocentraleve.

    Në kuadër të këtyre investimeve:

    • Njësia B1 është në proces modernizimi (turbina dhe elektrofiltra);

    • Njësia A5 ndodhet në remont kapital;

    • ndërhyrje të tilla kërkojnë në raste të caktuara ndalje të përkohshme, si pjesë e një procesi të domosdoshëm për përmirësim afatgjatë.

    KEK fton opinionin publik dhe mediat që të informohen përmes njoftimeve zyrtare të publikuara nga kanalet e komunikimit të Korporatës, si burimi i vetëm i saktë dhe i verifikuar i informacionit. Informacionet e pasakta apo të pabazuara në burime zyrtare nuk kontribuojnë në informim të drejtë të opinionit publik.

    KEK mbetet i përkushtuar për furnizim të qëndrueshëm me energji, duke ndërmarrë njëkohësisht investime strategjike që garantojnë siguri dhe efikasitet më të lartë për të ardhmen energjetike të vendit.

  • Çështja e presidentit, Kurti e Abdixhiku takohen nesër

    Çështja e presidentit, Kurti e Abdixhiku takohen nesër

    Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të takohen nesër për të diskutuar rreth çështjes së presidentit.

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi të premten mbrëma në një emision televiziv se Abdixhiku do të takohet me Kurtin të hënën, por nuk tregoi kohën e mbajtjes së takimit.

    Burime të Gazetës Online Reporteri.net brenda LDK-së kanë treguar se takimi mes Kurtit e Abdixhikut do të mbahet të hënën në ora 11:00 në Kuvendin e Kosovës.

    Kreu i ekzekutivit tha të premten se nga e hëna do të nisë takimet me krerët e partive opozitare për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit.

    Kujtojmë se të shtunën Vjosa Osmani përfundoi mandatin e presidentes, dhe ia dorëzoi mandatin ushtrueses së detyrës së presidentes kryetares të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka të drejtë të mbajë këtë pozitë më së shumti gjashtë muaj.

    Haxhiu pas marrjes së detyrës ka thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vijojë procedurën kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri brenda afateve kushtetuese.

    Kurse, Osmani pasi dorëzoi mandatin tha se shpreson që Kuvendi sa më parë të jetë e mundur do ta zgjedh presidentin e ri në mënyrë që të ketë stabilitet institucional, në një kohë kur bota po përballet me kriza të mëdha.

    Kujtojmë se pas dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese me datën 25 mars, doli me një vendim ku u dha deputetëve edhe 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit të ri.

  • Dosja përfundimtare: “Duhet të lirohet” – si argumentoi Mbrojtja e Thaçit kundër kërkesës për dënim me 45 vjet

    Dosja përfundimtare: “Duhet të lirohet” – si argumentoi Mbrojtja e Thaçit kundër kërkesës për dënim me 45 vjet

    Luka Misetic, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar Gjykatës Speciale ta shpallë të pafajshëm dhe ta lirojë menjëherë klientin e tij, në versionin e dosjes përfundimtare gjyqësore, të dorëzuar fillimisht si konfidenciale më 19 janar 2026.

    Së fundmi, më 27 mars, mbrojtja e Thaçit e dorëzoi “versionin e redaktuar publik të dosjes gjyqësore përfundimtare”, që është publikuar edhe nga gjykata.

    Në konkluzionin e kësaj dosjeje, Misetic shkruan: “Trupit Gjykues i kërkohet ta shpallë THAÇI-n të pafajshëm për të gjitha pikat e Aktakuzës dhe të urdhërojë lirimin e tij të menjëhershëm”.

    Misetic shkruan se “rezultati i vetëm i drejtë i këtij gjykimi është shpallja e pafajësisë së THAÇI-t për të gjitha pikat e aktakuzës”.

    “ Nëse megjithatë Trupi Gjykues vendos të shqyrtojë çështjen e dënimit, THAÇI-t duhet t’i jepet lehtësim dënimi”, thuhet në dokument.

    Avokati i Thaçit argumenton se “dënimi maksimal i mundshëm është 15 vjet”.

    “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të lidhura nga Kushtetuta. Neni 33(2) i Kushtetutës përcakton: “Asnjë dënim për një vepër penale nuk duhet të tejkalojë dënimin e paraparë me ligj në kohën kur është kryer vepra penale.” Neni 33(4) përcakton: “Dënimet shqiptohen në përputhje me ligjin në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale, përveç nëse dënimet në një ligj të mëvonshëm të zbatueshëm janë më të favorshme për kryerësin.” Është e panevojshme të thuhet se, në rast të ndonjë konflikti ndërmjet Ligjit dhe Kushtetutës, Kushtetuta mbizotëron. Rrjedhimisht, ky Trup Gjykues duhet të përcaktojë dënimin maksimal që ishte i paraparë me ligj në vitet 1998 dhe 1999”, thuhet në dosjen përfundimtare gjyqësore të dorëzuar nga mbrojtja e Thaçit.

    Në rastin e Sali Mustafës, mbrojtja e Thaçit thotë se Trupi Gjykues i Apelit, i cili sugjeroi se Gjykata Speciale ka të drejtë të shqiptojë dënim më të madh sesa ai i paraparë nga e drejta vendore, “është qartazi gabim”.

    “ Asgjë në Ligj nuk mund të mbizotërojë mbi ndonjë dispozitë kushtetuese që bie në kundërshtim me të. Thënë thjesht, Kuvendi i Kosovës nuk kishte autoritet ligjor për ta miratuar Ligjin, apo çfarëdo ligji tjetër, që është jokushtetues”, thuhet në dokument.

    Avokati i Thaçit, thotë në dosjen përfundimtare gjyqësore se Gjykata Speciale “është e ndaluar në mënyrë kushtetuese të shqiptojë një dënim më të madh se 15 vjet, edhe për krimet e së drejtës zakonore”.

    “Së paku, Trupi Gjykues është i detyruar të marrë parasysh diapazonin e dënimeve në fuqi në kohën përkatëse dhe çdo diapazon tjetër më të mëvonshëm më të butë për veprën, të parashikuar nga ligjet e Kosovës, gjatë përcaktimit të dënimit që duhet t’i shqiptohet një personi të shpallur fajtor për një krim sipas së drejtës ndërkombëtare, në përputhje me Nenin 44(2)”, thuhet në dokument. Kjo, thotë mbrojtja e Thaçit, përfshin Kodin Penal të ish-Jugosllavisë.

    “Rrjedhimisht, Trupi Gjykues duhet të marrë parasysh diapazonin e dënimit të zbatueshëm në kohën e kryerjes, prej 5 deri në 15 vjet,2240 i cili gjithashtu përbën diapazonin më të butë të dënimit në krahasim me versionet e mëvonshme të Kodit Penal të Kosovës. Trupi Gjykues duhet gjithashtu të marrë parasysh jurisprudencën e Kosovës bashkëkohore me veprën ose që lidhet me të njëjtën vepër dhe konflikt të armatosur, gjatë përcaktimit të dënimit të tij”, thuhet ndër tjerash në këtë dokument.

    Misetic i kërkon Trupit Gjykues që “të marrë në konsideratë disa faktorë lehtësues”. Aty, ai thekson ndër tjerash se “nuk do të kishte Dhoma të Specializuara të Kosovës, dhe as Zyrë të Prokurorit të Specializuar, po të mos ishin përpjekjet e THAÇI-t”.

    Avokati përmend edhe dorëheqjen e Thaçit nga pozita e presidentit të Kosovës më 5 nëntor 2020 dhe dorëzimin e tij vullnetar në Gjykatën Speciale.

    “Së treti, edhe gjatë kohës sa ishte Kreu i Shtetit, THAÇI dha intervista të plota për Zyrën e Prokurorit të Specializuar në disa raste, duke dëshmuar bashkëpunim të mëtejshëm me Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në dokument.

    “Së katërti, Trupi Gjykues ka dëgjuar prova të konsiderueshme se THAÇI ka bërë deklarata të shumta në favor të bashkëjetesës paqësore të popujve dhe duke u bërë thirrje shqiptarëve të mos kërkojnë hakmarrje ndaj fqinjëve të tyre serbë në verën e vitit 1999, për çka ai ka marrë vlerësim nga shumë dëshmitarë në këtë gjykim. HILL dëshmoi se THAÇI nuk ishte lloji i personit që do të kryente dhunë ndaj të tjerëve,2250 ndërsa COVEY dëshmoi në mënyrë të ngjashme”, thuhet tutje në dosjen përfundimtare të mbrojtjes.

    Avokati thekson gjithashtu, ndër tjerash, se Thaçit “iu lejua lirimi i përkohshëm katër herë dhe në çdo rast respektoi urdhrat e Trupit Gjykues dhe shfaqi sjellje shembullore”.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë dëgjuar më 9 shkurt në Gjykatën Speciale në Hagë kërkesën e Prokurorisë së Specializuar që secili prej tyre të përballet me një dënim të gjatë me burgim, për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, në fillim të deklaratës përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

  • MINTI vendos çmimet maksimale të derivateve, reagon Ymeri: Mund të rriten në sekondë për shkak të mungesës së rezervave

    MINTI vendos çmimet maksimale të derivateve, reagon Ymeri: Mund të rriten në sekondë për shkak të mungesës së rezervave

    Sektori i naftës në Kosovë po përballet me mungesë të rezervave strategjike dhe kontroll të pamjaftueshëm të tregut, duke bërë që çmimet të ndryshojnë shpesh dhe pa paralajmërim.

    Si rrjedhojë e situatës së krijuar MINTI ka vendosur sot në fuqi çmimin maksimal ditor të derivateve, duke përcaktuar kështu një tarifë fikse me të cilën qytetarët do të mund të furnizohen në të gjitha pikat e derivateve.

    MINTI ka theksuar se çdo ditë do të publikoi çmimet e derivateve. Për sot çmimet maksimale janë: Nafta (dizel): 1.86 euro/litër dhe Benzina: 1.49 euro/litër.

    Lidhur me këtë deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar duke theksuar se Ligji për Tregtinë e Naftës edhe Udhëzimet Administrative nuk kushtëzon që shitësi të ketë rezerva, kështu që çmimi mund të ngritët në sekondë nga një lajm.

    “Me qeverinë e re (VV), ligji i naftës u rregullu qysh ka dasht Shoqata e Naftarëve”, ka shkruar Ymeri.

    Ajo shton se Kosova nuk ka ende ligj për rezervat strategjike të naftës dhe nuk ka stok të deklaruar ndërkombëtarisht:

    “Jemi ndër të paktat vende që nuk kemi rezerva strategjike të naftës, bile as ligj për rezerva, vetëm për tregti. Kosova nuk ka as stok nafte të deklaruar ndërkombëtarisht edhe Komuniteti për Energji ka dërguar Kërkesë me Shqetësim për naftë po pa reagim nga Qeveria”, ka theksuar deputetja.

    Sipas saj, problemet përfshijnë edhe kontrollin e marzhave të fitimit dhe funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës.

    “Sistemi i shitjes nuk është as digjital as i integruar dhe inspektorët nuk kanë mundësi me kontrollu naftarët… Autoriteti i Konkurrencës nuk funksionon si duhet dhe nuk ka mundësi të kontrolloj tregun,” shpjegon Ymeri.

    Ajo paralajmëron se ligji për çmimet tavan nuk mjafton. “Çmimet do kontrollohen asisoj që çmimi maksimal rritet sipas lajmeve, po nuk zbret se nuk kemi as kontroll as rezerva”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

    Ymeri ka shtuar se variacioni i çmimeve është i dukshëm edhe në nivel lokal.

    “Vetëm dje në rrugën Prishtinë-Ferizaj çmimi ka dallu 6-7 cent nga pompat në magjistrale edhe ato në qendër,” përfundon Ymeri.

  • “Zyra e Presidentes së 6-të”, ndërron emri i faqes së Presidencës në Facebook pasi Osmani ia dorëzoi detyrën Haxhiut

    “Zyra e Presidentes së 6-të”, ndërron emri i faqes së Presidencës në Facebook pasi Osmani ia dorëzoi detyrën Haxhiut

    Vjosa Osmani ia dorëzoi detyrën e Presidentes, Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut, gjatë një ceremonie sot gjatë ditës.

    Me ta dorëzuar postin, ndërrimi i parë që u pa pas kësaj ishte ndryshimi i emrit të faqes zyrtare të Presidencës në Facebook.

    Nga “Presidenca e Kosovës” faqja ndërroi në “Zyra e Presidentes së 6-të të Republikës së Kosovës”. Osmani është Presidentja e gjashtë e Kosovës. Para saj, këtë pozitë e kanë mbajtur Ibrahim Rugova( para shpalljes së pavarësisë), Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi, ndërsa si ushtrues detyre edhe Jakup Krasniqi e Glauk Konjufca.

  • Kanosja e familjes Haradinaj, ndaj të dyshuarit kërkohet paraburgim për persona me ç’rregullime mendore

    Kanosja e familjes Haradinaj, ndaj të dyshuarit kërkohet paraburgim për persona me ç’rregullime mendore

    Është kërkuar paraburgim për Korab Bajgorën, i dyshuar për kërcënim e sharje të kreut të AAK’së, Ramush Haradinajn dhe familjes së tij.

    Lajmin e konfirmoi Shkodran Nikçi, zëdhënës në Prokurorinë Themelore të Pejës.

    “Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për persona me ç’rregullime mendore”, tha Nikçi.

    Ndryshe, në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri pistoleta, ku njëra ka qenë me 4 copë fishekë.

  • Ditën e parë si ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e nis me homazhe

    Ditën e parë si ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e nis me homazhe

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ditën e parë të punës do ta nisë me një vizitë në rajonin e Drenicës.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës së Kosovës, homazhet nisin në orën 10:00.

    “Në orën 10:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, bën homazhe në Rezallë”, thuhet në njoftim.

    Sot janë bërë 27 vjet nga masakra e Rezallës së Skenderajt, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, të shtunën ka pranuar detyrën nga presidentja, Vjosa Osmani, e cila e ka përfunduar mandantin e saj në krye të shtetit.

    Haxhiu do të ushtrojë detyrën e presidentes, derisa të zgjidhjet një president i ri, por që ky process aktualisht po përballet me mungesë kompromisi ndërmjet subjekteve politike.

  • Caktohen çmimet për një litër naftë dhe benzinë për ditën e sotme

    Caktohen çmimet për një litër naftë dhe benzinë për ditën e sotme

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka publikuar çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve në tregun vendor, për ditën e sotme.

    Për ditën 05.04.2026, çmimet maksimale të lejuara janë si vijon:

    • Nafta (dizel): 1.86 euro/litër;

    • Benzina: 1.49 euro/litër

    Ministria në njoftimin e saj thekson se asnjë operatorë ekonomikë nuk lejohet të tejkalojë çmimin maksimal ditor të publikuar.

    “Për zbatimin e këtij vendimi do të rritet mbikëqyrja në terren nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe në koordinim me Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    “MINTI u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë me përpikëri vendimin e ri, me qëllim garantimin e një tregu funksional, të qëndrueshëm dhe në shërbim të interesit të konsumatorit. Këto masa nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo të sanksionojnë asnjë subjekt ekonomik. Ato janë të hartuara për të siguruar barazi në treg, për të mbrojtur konsumatorin dhe për të reflektuar kujdes të shtuar në një periudhë të ndjeshme të luhatjeve dhe pasigurive në tregjet globale të derivateve të naftës”, vijon njoftimi.

    Sipas MINT, shkeljet e këtij vendimi do të trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Kurti uron Pashkët: Le të na kujtojë kjo ditë e shenjtë rëndësinë e harmonisë mes nesh

    Kurti uron Pashkët: Le të na kujtojë kjo ditë e shenjtë rëndësinë e harmonisë mes nesh

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar festën e Pashkëve për të gjithë besimtarët katolikë dhe protestantë në Kosovë dhe në mbarë botën.

    Përmes një postimi në Facebook, i pari i ekzekutivit theksoi rëndësinë e harmonisë mes njerëzve dhe bëri thirrje për më shumë kujdes, solidaritet dhe respekt ndaj njëri-tjetrit.

    “ Shpresa, sakrifica, dashuria, falja dhe rilindja si nevojë për të ndryshuar për të mirë, janë mesazhet kyçe të kësaj feste. Le të na kujtojë kjo ditë e shenjtë rëndësinë e harmonisë mes nesh dhe të na frymëzojë për më shumë kujdes, solidaritet dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Sot dhe gjithmonë, Pashkët mbeten simbol i vlerave më të larta njerëzore dhe i besimit në një jetë më të mirë për të gjithë.Gëzuar!”, shkroi Kurti.