ATV

Tag: Ballina

  • Kurti nis vizitën në Londër, flet për “kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia” dhe tri parakushtet për vazhdim të dialogut

    Kurti nis vizitën në Londër, flet për “kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia” dhe tri parakushtet për vazhdim të dialogut

    Kryeministri Albin Kurti ka nisur vizitën e tij zyrtare në Londër, ku është pritur në takim nga Sekretarja për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

    Kurti ka thënë se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë “nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht obliguese të bazuar në njohje të ndërsjellë”, teksa i ka përmendur asaj tri parakushtet për vazhdimin e dialogut, si dorëzimi i Milan Radojçiqit, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftimin e lëshuar nga ZKM thuhet se Kurti e ka informuar Sekretaren Cooper edhe “për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë, përfshirë operimin me 48 bazat ushtarake të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën”.

    Sipas Kurtit, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, janë thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë.

    Ata kanë folur edhe për investimet në fushën e mbrojtjes, ushtrimet e përbashkëta dhe bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar për të ofruar trajnime dhe mbështetje për Ukrainën.

    Kurti ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është partner kyç strategjik i Kosovës.

    “Kosova është partnere e besueshme për Mbretërinë e Bashkuar dhe për sigurinë e rajonit”, thuhet në njoftim.

  • Konjufca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Serbia të përballet me realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran

    Konjufca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Serbia të përballet me realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran

    Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

    Konjufca ka theksuar se pengesa kryesore për normalizimin e raporteve është Serbia.

    “Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng të gjithë rajonin të një hegjemonie”, ka deklaruar Konjufca.

    Ai ka shtuar se, përkundër lulëzimit të demokracisë në Kosovë, Beogradi ka vazhduar përpjekjet për të mbajtur një rol destruktiv, duke ndërhyrë në zgjedhje dhe duke mbështetur Listën Serbe.

    “Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje, duke u përpjekur për ta mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet në Kosovë, duke synuar ta reflektojë drejtimin e vet me një parti në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi arritur të ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike”, ka shtuar ai.

    LEXONI EDHE:

    Shefi i UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit: Sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës

     

     

  • Shefi i UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit: Sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës

    Shefi i UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit: Sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës

    Udhëheqësi i Misionit të UNMIK-ut, Peter Due, në raportin e tij gjashtëmujor që prezantoi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të enjten, ka theksuar nevojën që sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës.

    Në raportin e lexuar në fillim të mbledhjes, Due ka thënë se OKB-ja është e gatshme për bashkëpunim me Beogradin dhe Prishtinën që përgjegjësit të mbahen përgjegjës.

    Ai ka vlerësuar gjithashtu procesin e zgjedhjeve të dhjetorit në Kosovë, duke theksuar se momentumi është vënë në provë me ngecjen e zgjedhjes së presidentit të ri.

    “Le të shpresojmë që dallimet të kapërcehen, të zgjidhet një President i ri dhe të shmangen zgjedhjet e reja legjislative. Kjo do të ndihmonte që institucionet të mbeten të përqendruara në interesin e përgjithshëm publik dhe në nevojat e qytetarëve”, ka deklaruar ai.

    Due ka vlerësuar edhe rikthimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri, duke theksuar se ky hap ishte i rëndësishëm për ri-angazhimin në institucionet lokale, por që procesi ka pasur sfida.

    “Në veri të Kosovës, rikthimi i kryetarëve të komunave me shumicë serbe shënoi një hap të rëndësishëm drejt ri-angazhimit në institucionet lokale. Megjithatë, ky proces nuk ka qenë pa sfida. Në takimet e mia të fundit me disa prej këtyre kryetarëve, dëgjova shqetësime lidhur me dorëzimet e pjesshme, boshllëqet administrative dhe barrierat gjuhësore”, ka shtuar ai.

    Ai ka theksuar rëndësinë e kontaktit midis nivelit qendror dhe atij lokal në veri, duke vlerësuar progresin e arritur edhe në dialogun e fundit.

    “Është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina ta shfrytëzojnë këtë moment, duke avancuar edhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Shpresoj që një takim i nivelit të lartë ndërmjet presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti të zhvillohet në një të ardhme të afërt”, deklaroi ai.

    Due ka vlerësuar gjithashtu mënyrën se si është gjetur zgjidhja për çështjen e Ligjit për të huajt, duke bërë thirrje për ruajtjen e pavarësisë së gazetarëve.

    Ai ka theksuar rëndësinë e zbatimit të ligjeve për gjuhët dhe emërimin e një Komisioneri për Gjuhët, si një element thelbësor për promovimin e përfshirjes dhe garantimin e ushtrimit të plotë të të drejtave për të gjitha komunitetet.

  • Sorensen pas takimeve në Beograd: U avancuan diskutimet për çështjet kyçe të dialogut

    Sorensen pas takimeve në Beograd: U avancuan diskutimet për çështjet kyçe të dialogut

    Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka qëndruar gjatë ditës së sotme në Beograd, ku ka zhvilluar takime me presidentin e këtij vendit, Alleksandar Vuçiq dhe me kryenegociatorin Petar Petkoviq.

    Në një postim në “X” pas këtyre takimeve, Sorensen tha se u avancuan diskutimet për çështjet kyçe të dialogut.

    “Takime të mira me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq, duke avancuar diskutimet për çështjet kyçe të dialogut dhe duke shqyrtuar progresin në zbatimin e Ligjit për të Huajt. U pajtuam për nevojën që të mbetemi të angazhuar dhe të punojmë së bashku për përfitime konkrete për të gjithë”, tha Sorensen.

  • Nafta sërish ngritet në Kosovë, ministria publikon çmimet për sot

    Nafta sërish ngritet në Kosovë, ministria publikon çmimet për sot

    Çmimi maksimal i naftës (dizelit) në Kosovë është rritur për dy cent krahasuar me ditën e djeshme.

    Sipas njoftimit nga Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimet e derivateve për sot 9 prill janë si vijon: Nafta (dizel): 1.91 euro/litër, Benzina: 1.46 euro/litër dhe Gas: 0.82 euro/litër.

    Kjo rritje vjen në një periudhë ku çmimet e derivateve të naftës po shfaqin luhatje, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e transportit dhe jetesës në vend.

    Ndërkaq çmimet globale të naftës kanë rënë ndjeshëm dhe tregjet e aksioneve janë rritur, pasi SHBA-të dhe Irani ranë dakord për një marrëveshje armëpushimi me kusht dyjavor.

  • Haxhiu kujton masakrën në Lagje të Re dhe në Rakoc: Sakrifica e dëshmorëve e martirëve duhet të ruhet e plotë

    Haxhiu kujton masakrën në Lagje të Re dhe në Rakoc: Sakrifica e dëshmorëve e martirëve duhet të ruhet e plotë

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 9 prillin e vitit 1999, një nga ditët më të rënda të luftës në Kosovë.

    Në një postim në Facebook, ajo ka nderuar të rënët e asaj dite, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtimit dhe sakrificës së tyre.

    “Në mesin e tyre kishte burra dhe gra, por edhe djem dhe vajza të reja, që nuk zgjodhën të tërhiqen përballë dhunës, por të qëndrojnë. Emra si Luminije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu dhe Mukadeze Muhaxheri-Lika mbeten dëshmi se sakrifica për liri nuk ka qenë kurrë e njëanshme, por e përbashkët, e barabartë dhe e pakushtëzuar. Sot, 27 vjet më pas, i kujtojmë me nderim të gjithë të rënët e 9 prillit, me përgjegjësinë që kjo sakrificë të ruhet e plotë, ashtu siç ishte edhe qëndresa e tyre. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, shkroi Haxhiu.

  • Tahiri: Kalkulime elektorale, bllokada, refuzime, vonesa – era e zgjedhjeve po ndjehet qartë

    Tahiri: Kalkulime elektorale, bllokada, refuzime, vonesa – era e zgjedhjeve po ndjehet qartë

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e përshkroi si “dinamike” ditën e djeshme, ndërsa folli për zhvillimet në Kryesinë e Kuvendit dhe për “kalkulime elektorale”.

    “Dje ishte një ditë dinamike, por mbi të gjitha dëshmi se institucionet tashmë po funksionojnë në frymën e përgatitjeve për zgjedhje. Pse?”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    “Në Kryesi, qasja e GP të VV-së ishte e ngurtë, pasi çdo iniciativë e opozitës po refuzohet. Rezoluta për vlerat e lirisë nuk u fut në rend dite si pikë e parë, qëndrim i pabesueshëm dhe dëshmi e standardeve të dyfishta. Kjo mungesë vullneti nuk është rastësi, por reflektim i kalkulimeve elektorale”, shtoi Tahiri.

    Ai tha se të gjitha këto, “bllokadat, refuzimet dhe vonesat”, janë për “pozicionim politik” dhe se po vie “era zgjedhje”.

    “Ndërkohë, proceset formale vazhdojnë: intervistimi për Gjykatën Kushtetuese përfundoi me 6 emra për seancë, ndërsa në Komisionin për Legjislacion u vendos që të martën të intervistohen 23 kandidatët për KGJK-në. Kur i sheh të gjitha bashkë, bllokadat, refuzimet dhe vonesat, është e qartë se fokusi nuk është më vendimmarrja, por pozicionimi politik. Era e zgjedhjeve po ndihet qartë”, shkroi ai.

  • 9 Prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës

    9 Prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës

    Sot, bëhen 18 vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    9 Prilli, është festë shtetërore sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

    Kushtetuta e Kosovës u nënshkrua më 7 prill 2008, pastaj u ratifikua më 9 prill 2008, ndërsa ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.

    Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

    Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

    Kushtetuta mund të ndryshohet vetëm me anë të votimit të dyfishtë, që nënkupton votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës si tërësi dhe votat e dy të tretave të deputetëve nga komunitetet pakicë.

  • Kryesia e Kuvendit cakton seancën plenare më 10 prill

    Kryesia e Kuvendit cakton seancën plenare më 10 prill

    Është mbajtur mbledhja e rregullt e Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që seanca plenare e radhës të mbahet të premten, më 10 prill 2026, në orën 10:00.

    “Ndërsa në mungesë të konsensusit lidhur me rendin e ditës, kryetarja e Kuvendit, konform përgjegjësive të saj do t’i propozojë atë seancës”.

    Në njoftim thuhet se “pikë e parë do të jetë pikërisht miratimi i rendit të ditës, për të vijuar më miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare”.

    “Pjesë e agjendës së propozuar do të jetë gjithashtu votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës, për të vijuar me shqyrtimin e tri projektligjeve të tjera: Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika, Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën, si dhe Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”, vijon njoftimi.

    “Pika të tjera të rendit të ditës pritet të jenë edhe votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftë, mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në koston e jetesës si dhe stabiliteti ekonomik i vendit, zgjedhja e një anëtari Joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”, si dhe propozimi i grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare”, thuhet tutje në njoftim.

    “Kryetarja Haxhiu njoftoi gjithashtu se janë proceduar 10 raporte të komisioneve parlamentare për shqyrtimin e 10 projektligjeve”, përfundon njofimi.

  • Kritika, përplasje e akuza në komisionin ku raportoi Hoti për ekspozitën e Gashit

    Kritika, përplasje e akuza në komisionin ku raportoi Hoti për ekspozitën e Gashit

    Shumë kritika, vërejtje e akuza janë dhënë gjatë raportimit të ministrit për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti në komisionin parlamentar.

    Deputetë nga partitë opozitare kanë hedhur kritika ndaj ekzekutivit për përmbajtjen e ekspozitës për masakrat në Kosovë, për çka edhe ishte thirrur në raportim ministri Hoti.

    Deputetja e PDK-së, Arbnora Salihu ka thënë se ministri Hoti, është i rrethuar nga figura që, sipas saj, kanë qëndrime kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përmendur ministrat Hekuran Murati, Dimal Basha, Donika Gërvalla, MImoza Kusari Lila, si dhe kryekuvendaren Albulena Haxhiu.

    Pas këtyre deklaratave, pati përplasje mes deputetes dhe kryetares së Komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila kërkoi ndërprerjen e kësaj forme adresimi.

    Gjithashtu, edhe deputeti tjetër i PDK-së, Nait Hasani ka akuzuar për mashtrim dhe keqpërdorim lidhur me ekspozitën për luftën në Kosovë, duke kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

    Kurse, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka akuzuar ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, se ka financuar ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.

    Bytyqi, gjatë mbledhjes së Komisionit, ka thënë se sipas informacioneve që posedojnë, financimi i kësaj ekspozite lidhet me Gërvallën, për të cilën shtoi se në të kaluarën ka qenë kundër vlerave të UÇK-së.

    Ndaj këtyre deklaratave sërish reagoi Mulhaxha-Kollçaku, e cila ndërhyri duke kërkuar nga deputetja që të mos bëjë deklarime të tilla, pasi ministrja në fjalë nuk ishte e pranishme në mbledhje.

    Ndërkaq, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, duke iu përgjigjur deputetes së AAK-së, tha se ka kërkuar përgjegjësi institucionale lidhur me këtë çështje.

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar sqarime nga ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, lidhur me ekspozitën, për të cilën ai tha se ka përmbajtur pasaktësi si rezultat i interpretimit të gabuar të të dhënave, i cili më pas edhe e lëshoi mbledhjen.

    Zemaj theksoi rëndësinë e kësaj ekspozite, duke ngritur shqetësime për përmbajtjen e saj dhe përputhshmërinë me të vërtetën historike, ndërsa kërkoi edhe sqarime për financimin dhe shpërndarjen e materialeve të lidhura me të.

    Ministri Andin Hoti tha se është krijuar një perceptim i gabuar publik për përgjegjësinë e ministrisë që ai drejton lidhur me këtë ekspozitë, duke theksuar ndarjen e qartë të kompetencave institucionale në Kosovë.

    “Ministria e ka për mandat reagimin, mbrojtjen e vlerave, reagimin. Dhe çka kam bo unë është, nuk po thom që jam i pari, e ndër të parët që kam reagu për këto, për ekspozitën çka qe në shesh”, tha ai.

    Gjatë mbledhjes ka pasur edhe diskutime çështje të tjera që janë ngritur.