ATV

Tag: Ballina

  • Kurti kujton masakrën në Lubizhdë të Hasit: Dëshmi e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë

    Kurti kujton masakrën në Lubizhdë të Hasit: Dëshmi e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 27-vjetorin e ngjarjeve të 12 prillit 1999 në Lubizhdë të Hasit, ku gjatë luftës në Kosovë janë vrarë civilë dhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në një postim në Facebook, Kurti shkroi se atë ditë forca të shumta të Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave kishin rrethuar zonën malore ku ishin strehuar banorë të fshatit Lubizhdë të Hasit.

    “Si sot, 27 vite më parë, më 12 prill të vitit 1999, forca të shumta të Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave, i rrethuan malet ku ishin strehuar shumë nga banorët e fshatit Lubizhdë të Hasit. Pasi i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët e tyre, ushtarët serbë filluan t’i torturonin teksa i radhitën në rresht për t’i pushkatuar. Të mbijetuarit e kësaj masakre, kanë rrëfyer pastaj barbarinë e këtij krimi shtetëror të Serbisë ndaj banorëve të Lubizhdës së Hasit, përshkuar nga ekzekutime të planifikuara, tortura, malltretime, plaçkitje, dhunime, dëbime dhe shkatërrim pronash”, shkroi kryeministri.

    Kurti ka vlerësuar se jetët e humbura përbëjnë vlerë të lartë në themelet e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

    “Gjatë atyre ditëve të mesit të prillit të vitit 1999, nga fushatat kriminale të spastrimit etnik dhe gjenocidit që Serbia po kryente ndaj shqiptarëve në Kosovë, u vranë 40 civilë shqiptarë të paarmatosur. Ndërkaq, në përballje me forcat serbe dhe në mbrojtje të civilëve, ranë dëshmorë 14 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jetët e dhëna për çlirimin e Kosovës janë vlerë sublime në themelet e lirisë së popullit dhe shtetndërtimit të republikës sonë. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të rënë për lirinë e atdheut!”, shkroi Kurti.

  • Djali i Sali Çekajt: Babai ynë dha jetën që Kosova të kishte president jo sundimtar, tek Osmani shohim këtë vizion

    Djali i Sali Çekajt: Babai ynë dha jetën që Kosova të kishte president jo sundimtar, tek Osmani shohim këtë vizion

    Ish-presidentja, Vjosa Osmani ka vizituar sot familjen e heroit Sali Çekaj.

    Djali i Çekajt, Hyseni në në një postim në emër të familjes, e ka falënderuar Osmanin për vizitën.

    Ai ka shktruar se babai i tij tha jetën për këtë vend, siç ka thënë ai që vendi të kishte “president, jo sundimtar”.

    “Baba ynë dha jetën për këtë vend. Që ky vend të kishte President, e jo sundimtar. Që ky vend të kishte liri, e jo premtime lirie. Vizita e saj na tregoi se sakrifica nuk është harruar. Tek Presidentja Osmani shohim vizionin dhe përkushtimin për një të ardhme ku ky kujtim nuk harrohet – dhe ku amaneti i të rënëve tanë jetesohet. Kjo është e vetmja gjë që familja jonë ka kërkuar ndonjëherë”, ka shkruar ai.

  • Abdixhiku: Haradinaj e keqkuptoi mirësinë time, nëse s’do me u taku, punë e madhe

    Abdixhiku: Haradinaj e keqkuptoi mirësinë time, nëse s’do me u taku, punë e madhe

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar se ka pasë takim me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me çështjen e Presidentit.

    Por, Abdixhiku ka thënë se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka refuzuar takimin me të.

    “Po jam takuar me zotin Hamza. Kam zhvilluar diskutime për të parë pozicionin e tyre. Zoti Haradinaj ka pasur refuzim takimi, me thënë të drejtën është qëndrim i tyre që s’duan të takohen po mos të ankohen pastaj sepse takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore. Si duket zoti Haradinaj e ka keqkuptuar mirësinë time për të pasur komunikim, po në qoftë se s’do me u taku, punë e madhe”, tha ai.

    Kujtojmë se ditë më parë Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk është i interesuar ta takojë Abdixhikun.

    “Së pari, nëse Lumiri dëshiron me marrë rolin e zmadhuesit të Albinit le ta marr nëse i pëlqen. Unë s’mundem me shku me taku Lumirin me fol për çka ka fol ai me Albinin. S’është ka më intereson. S’është pjesë e imja. Le t’i grah ai tjetërkah. Ose Bedrinë, se Bedria e Lumiri kanë shkruar disa herë në takime…”, ka thënë Haradinaj në emisionin ‘Debat Plus’ të RTV Dukagjini.

    Haradinaj ka deklaruar se kanë mundur t’i kërkojnë takime para se të takohen me Albin Kurtin për ta pyetur e konsultuar.

  • Visar Azemi : ZRRE nuk e rriti çmimin e rrymës pas skandalit me njehsorët, nuk do të ndalemi

    Visar Azemi : ZRRE nuk e rriti çmimin e rrymës pas skandalit me njehsorët, nuk do të ndalemi

    Anëtari i LDK’së, Visar Azemi, ka thënë se vendimi i ZRRE-së për të mos i rritur tarifat e energjisë elektrike vjen pas ekspozimit të problemit me orët e rrymës. Sipas Azemit, pa u zbardhur e vërteta me çështjen e orëve elektrike nuk do të ketë lëvizje të çmimit të rrymës.

    “Pas skandalit të madh me njehsorët elektrikë dhe pas kërkesës sonë të qartë që të mos merret asnjë vendim për ngritje të çmimit të energjisë elektrike pa u zbardhur e gjithë e vërteta, ZRRE ka njoftuar për mos-ngritje të tarifave të energjisë elektrike.”, ka shkruae Azemi.

    Ai ka thënë se kjo është një fitore për qytetarët dhe një dëshmi se kur ngrihet zëri dhe kur kërkohet drejtësi, rezultatet vijnë.

    “Por beteja nuk mbaron këtu.Nuk do të ndalemi deri sa ky skandal të zbardhet plotësisht, përgjegjësit të dënohen dhe qytetarëve t’u kthehen paratë e vjedhura.”, ka shkruar Azemi.

  • Thaçi për shkëmbimin e territoreve: Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë

    Thaçi për shkëmbimin e territoreve: Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe nga Qendra e Paraburgimit në Hagë ka komentuar idenë e tij për shkëmbim territoresh me Serbinë.

    Në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ai ka bërë të ditur se ky propozim kishte për qëllim sigurimin e një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, që do t’u mundësonte të dyja vendeve të ecin përpara dhe Kosovës integrim të plotë ndërkombëtar. Do të ishte e pafalshme të lihen probleme të pazgjidhura për brezat e ardhshëm”, është shprehur Thaçi.

  • 19-vjeçari nga Kosova humb jetën në një aksident tragjik në Austri

    19-vjeçari nga Kosova humb jetën në një aksident tragjik në Austri

    Një 19-vjeçar me prejardhje nga Kosova ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në rrugën Eferdinger, në Alkoven të Austrisë, pas një aksidenti të rëndë trafiku.

    Sipas mediave lokale, i riu ishte përplasur me një kamion, ndërsa bëhet e ditur se përplasja ka qenë shumë e fortë, saqë shoferi ka mbetur i bllokuar brenda automjetit dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për ta nxjerrë.

    Vdekja e tij është konstatuar nga mjekët në vendin e ngjarjes, ndërsa janë njoftuar edhe familjarët për rastin tragjik.

    Si erdhi deri te ky aksident?

    Media austriake “orf” ka raportuar se i riu nga Kosova, i cili jetonte në Eferding, ishte duke u nisur për në punë pak pas orës 07:00 të mëngjesit të së shtunës.

    Për arsye ende të panjohura, ai ka dalë në shiritin e kundërt të rrugës, siç kanë deklaruar shoferë të tjerë.

    Kamioni me të cilin u përplas i riu nga Kosova po drejtohej nga një 63-vjeçar. Makinat janë ndeshur kokë më kokë dhe më pas janë rrokullisur.

    Goditja ka qenë aq e fortë sa shoferi i ri ka mbetur i ngujuar në automjetin e shkatërruar dhe ka pësuar lëndime të rënda.

    Një mjek që ndodhej rastësisht pranë vendit të ngjarjes ka ofruar menjëherë ndihmën e parë. Më pas kanë intervenuar edhe zjarrfikësit e Brigadës Polsing dhe Alkoven, të cilët e kanë nxjerrë të riun nga rrënojat, por ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes.

    Një kushëri i viktimës ka arritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe ka informuar babanë e 19-vjeçarit për tragjedinë.

    Familjarët kanë marrë edhe mbështetje psikologjike, ndërsa shoferi i kamionit ka pësuar tronditje nga ngjarja.

  • Abdixhiku: S’ka gjasa të vetëpropozohem për president, LDK s’mbështet skenarin ku tri pozitat kryesore në shtet i ka LVV

    Abdixhiku: S’ka gjasa të vetëpropozohem për president, LDK s’mbështet skenarin ku tri pozitat kryesore në shtet i ka LVV

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në takimin me kryeministrin Albin Kurti nuk është diskutuar për emra konkretë për president, duke hedhur poshtë spekulimet për kandidatura të mundshme dhe duke theksuar se LDK-ja nuk do të mbështesë një zgjidhje ku të gjitha pozitat kryesore shtetërore i takojnë një partie të vetme.

    Ai tha se diskutimi ka qenë vetëm për propozimet aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilat LDK-ja ka dhënë përgjigje negative.

    “Kam dëgjuar shumë spekulime dje. Janë vetëm spekulime, nuk janë të vërteta. Pra, nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri kandidaturat, të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha ai.

    Abdixhiku bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme mund të ketë takime të reja, por se aktualisht nuk ka zhvillime konkrete në këtë drejtim.

    “Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Kaq është e vërteta, nuk ka zhvillime të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë, dhe nuk na është kërkuar ende asgjë. Kjo është e vërteta e vetme. Dhe mbi këtë të vërtetë do shohim se si do zhvillohen çështjet tutje”, tha ai.

  • Cilat projektligje u miratuan dje në Kuvend?

    Cilat projektligje u miratuan dje në Kuvend?

    Në seancën e jashtëzakonshme plenare të pasdites së djeshme në Kuvendin e Kosovës janë miratuar në parim dhjetë projektligje.

    Fillimisht, pas një debati rreth dyorësh, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Tregut, me 63 vota pro, 19 kundër dhe asnjë abstenim.

    Debat dhe diskutim pati edhe për Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili kaloi në parim me 65 vota për dhe asnjë kundër.

    Po ashtu, Projektligji për Shërbimet e Pagesave kaloi me 63 vota për dhe një kundër, ndërsa Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim u miratua me 62 vota për dhe dy kundër.

    Projektligji për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030 mori mbështetjen e 81 deputetëve, pa asnjë votë kundër.

    Ndërkohë, Projektligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore kaloi me 61 vota për, nëntë kundër dhe një abstenim.

    Edhe Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm u miratua me 62 vota për dhe dy kundër.

    Me 62 vota për dhe asnjë kundër kaloi Projektligji për Shtetësinë e Kosovës, ndërsa ai për Lëndët Plasëse u miratua me 61 vota për dhe tetë kundër.

    Projektligji i fundit në rendin e ditës, ai për Provimin e Maturës Shtetërore, kaloi me 62 vota për dhe tetë kundër.

    Me këtë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i mbylli punimet e kësaj seance, e cila nisi pak pas orës 17:00.

  • 27 vjet nga rënia e Agim Ramadanit – hartuesit të planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar

    27 vjet nga rënia e Agim Ramadanit – hartuesit të planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar

    Sot bëhen 27 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

    Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën e bëri bashkë me shokët.

    Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

    Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoi si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish-armatën jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

    Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998 iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.

    Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare.

    Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht.

  • Rama për Eliot Engel: Kosova do ta kujtojë gjithmonë miqësinë e tij, qëndroi në krahun tonë kur kishim nevojë më së shumti

    Rama për Eliot Engel: Kosova do ta kujtojë gjithmonë miqësinë e tij, qëndroi në krahun tonë kur kishim nevojë më së shumti

    Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë të ditur se ka vdekur ish-kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel.

    Rama është shprehur i pikëlluar për vdekjen e Engel, duke shtuar se, Engel ishte ndër të parë që qëndroi në krahun e Kosovës, kur kjo e fundit kishte më shumti nevojë për miq.

    ‘’ Udhëheqja e tij në Kongresin e SHBA-ve ndihmoi që kauza jonë të marrë vëmendje ndërkombëtare dhe luajti një rol të rëndësishëm në avancimin e saj’’, ka shkruar ai.

    Postimi:

    Jam thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Eliot Engel.

    Në një kohë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për miq, ai ishte ndër të parët që qëndroi në krahun tonë duke ngritur zërin me qartësi, bindje dhe mbështetje të palëkundur.

    Udhëheqja e tij në Kongresin e SHBA-ve ndihmoi që kauza jonë të marrë vëmendje ndërkombëtare dhe luajti një rol të rëndësishëm në avancimin e saj.

    Kosova do ta kujtojë gjithmonë miqësinë dhe përkushtimin e tij. 🇽🇰 🇺🇸

    Në emër të qytetarëve të Prishtinës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Trashëgimia e tij do të jetojë gjatë në kujtesën tonë.