ATV

Tag: Ballina

  • Mediet bojkotojnë konferencën e ministres Hajdari

    Mediet bojkotojnë konferencën e ministres Hajdari

    Gazetarët kanë bojkotuar konferencën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pas revokimit të certifikatës biznesore të Klan Kosovës, raporton EO.

    Më 14 qershor MINT ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova. Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

    Pas kësaj, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), anuloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës por më 21 qershor, ajo e shfuqizoi vendimin. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.

    Pas ankesës së Klan Kosovës, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi më 28 korrik se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

    Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, kanë shprehur shqetësim, siç kanë thënë, të thellë, me vendimin e Ministris së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për pezullimin e licencës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

  • “Thirrje” ushtrisë serbe të kthehet në Kosovë, Beogradi pa reagim ndaj grafiteve kërcënuese

    “Thirrje” ushtrisë serbe të kthehet në Kosovë, Beogradi pa reagim ndaj grafiteve kërcënuese

    Grafiti i ri “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” u shfaq në fund të korrikut në disa lokacione në Beograd. Nën këtë mesazh është pikturuar flamuri i Serbisë.

    Një pankartë me të njëjtin mesazh është shpalosur edhe nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, gjatë një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina, më 26 korrik në Beograd.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar këtë veprim në ndeshje si thirrje për dhunë, ndërsa ka munguar reagimi i Beogradit zyrtar.

    Grafiti në qendër të qytetit

    Pos që mesazhi “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është shfaqur në stadium, para mijëra njerëzve, ai është shkruar edhe në disa vende të frekuentuara në qendër të qytetit.

    Duke kaluar pranë njërit prej atyre grafiteve, Uroshi nga Beogradi i tha Radios Evropa e Lirë se ishte një mesazh i shëmtuar dhe se në ato fasada mund të vizatohej diçka shumë më e mirë.

    “Nxitja, kujton disa prej gjërave negative”, tha ai.

    Ai tha se nuk i pëlqen që nëpër mure po përhapet propagandë nacionaliste.

    Milica Jovanoviq, banore e Beogradit, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo i percepton këto mbishkrime si shpërfytyrime të qytetit. Ajo vlerësoi se dikush e shpreh patriotizmin e tij ashtu siç di.

    “Mendoj se mesazhi nuk përkon me atë që është ky qytet, një qytet i mbushur me turistë, të huaj, nëse do të kthehemi me ushtri apo jo, nuk është diçka me të cilën duhet të merremi në rrugë”, tha ajo.

    Sipas një sondazhi të Institutit për Çështje Evropiane të realizuar në gusht të vitit 2022, gjysma e të anketuarve (49.9 për qind), besojnë se nuk është e mundur që Serbia të rifitojë kontrollin dhe sovranitetin e plotë mbi Kosovën.

    Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi zyrtar nuk e njeh, por është duke zhvilluar bisedime me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve.

    Në mesin e kalimtarëve ishte edhe Rade Grozdaniq, i cili tha për REL-in se “shkrimi i mesazheve të tilla është utopi e pastër”.

    Ai deklaroi se iu desh të largohej nga Kroacia në vitin 1995 pas operacionit “Stuhia”, i cili i lejoi Kroacisë të rimarrë kontrollin mbi një pjesë të territorit të saj, ku serbët formuan të ashtuquajturën Republikë Serbe e Krajinës.

    “Ajo thirrje dhe ajo politikë nuk mund t’i bëjë askujt mirë”, tha Rade Grozdaniq, duke komentuar lidhur me grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

    “Çfarë kthimi, çfarë Kosove, çfarë ushtrie, mendoj se ka gjëra më të bukura që u interesojnë njerëzve”, tha ai.

    “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është varg i një kënge popullore.

    Një qytetar i Beogradit, i cili është prezantuar si Miodrag, i tha Radios Evropa e Lirë se i kupton ata që shkruajnë mesazhe të tilla, por se nuk do t’i shkruante vetë.

    “Ka nga ata që e përdorin për t’i ngatërruar njerëzit, mendoj se e bëjnë të rinjtë. Dikush e fut si temë, nuk mendoj se ata që e shkruajnë janë nga ata që lexojnë dhe shumë të arsimuar”, tha ai.


    YIHR: Një mesazh kërcënues

    Maja Zhiliq, koordinatore e programit të Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, YIHR (Youth Initiative for Human Rights), i tha Radios Evropa e Lirë se mesazhi “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shumë i qartë dhe shumë kërcënues.

    “Sepse të gjithë e dimë se çfarë bëri ushtria serbe në vitet ’90 në Kosovë dhe çfarë do të thotë ky mesazh në kontekstin e sotëm të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ajo.

    Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë.

    Në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, zyrtarë të lartë serbë u dënuan për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë.

    Serbia dhe Kosova në fund të shkurtit kanë pranuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian dhe në prill palët kanë rënë dakord për Aneksin për zbatimin e saj.

    Partitë dhe lëvizjet e djathta në Serbi e kundërshtojnë këtë marrëveshje.

    Maja Zhiliq nga Nisma Rinore ka vlerësuar se mesazhi i grafitit “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, është se nuk ka rrugë paqësore për zgjidhjen e kontestit. Ajo theksoi se për këto grafite nuk ka asnjë reagim nga asnjë institucion në Serbi.

    Grafite të reja si reagim ndaj ngjyrosjes në shkurt
    Nuk dihet se kush qëndron mbrapa grafitit “Kur ushtria kthehet në Kosovë”, por postimet me fotot e tyre shpërndahen në kanalet e djathtistëve në Telegram. Gjithashtu, ato shpërndahen në postimet në rrjetet sociale të disa anëtarëve të partive të djathta.

    Sipas atyre njoftimeve, grafite me këtë varg ka edhe në qytete të tjera të Serbisë.

    “Duket se disa forca nga e djathta, pas aksionit të ngjyrosjes filluan ta lyejnë qytetin”, ka theksuar Maja Zhiliq.

    Në shkurt, aktivistët e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe shoqatës Krokodil, në parkun në sheshin Slavija të Beogradit, ngjyrosen grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

    Tani, ky grafit është rishfaqur në të njëjtin vend.

    Në një portal, i cili thuhet se është një portal informativ jozyrtar për të gjithë tifozët e Crvena Zvezdës, shkruhet se tifozët kanë krijuar grafite me atë mbishkrim në disa vende të Beogradit ditëve dhe javëve të fundit.

    Në portal thuhet se ky është një reagim ndaj “shkatërrimit” të grafiteve pranë sheshit Slavija. Klubi i futbollit Crvena Zvezda nuk është prononcuar ndaj këtyre pretendimeve.

    Zhiliq pranon se për të, si aktiviste, është shkatërrues që grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është rishfaqur në vendin ku ishte lyer.

    “Sa mendojnë të rinjtë se përgjigjja për zgjidhjen e problemeve mes Serbisë dhe Kosovës është që ushtria të kthehet në Kosovë dhe të përsërisë të njëjtat që kanë ndodhur në vitet ’90”, pyeti ajo.

    Maja Zhiliq thotë se përveç heqjes së këtyre grafiteve, duhet edhe më shumë edukim dhe punë me të rinjtë për këto tema për të ndryshuar perceptimin.

    Në dhjetor të vitit 2022, Serbia i dërgoi një kërkesë KFOR-it, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, për kthimin e deri 1000 ushtarëve dhe policëve të saj.

    Kjo kërkesë ishte bërë, siç thanë autoritetet në Beograd, për shkak të pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Beogradi i ishte referuar Rezolutës 12 44 të Kombeve të Bashkuara.

    KFOR-i e refuzoi këtë kërkesë në fillim të janarit.

    Ashtu si grafiti “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” që po shfaqen tani në Beograd, nga fundi i vitit 2021 qyteti është përmbytur me vizatime të Ratko Mlladiqit, i dënuar i Hagës për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar 250 prej tyre, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente që t’i largojnë ato./rel

  • Presidentja Osmani dekreton dhënien e nënshtetësisë së Kosovës për shkrimtarin Ismail Kadare

    Presidentja Osmani dekreton dhënien e nënshtetësisë së Kosovës për shkrimtarin Ismail Kadare

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

    Sipas Presidentes Osmani dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare është nderim për shtetin e Kosovës për krijuesin, i cili vazhdimisht është pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë.

    “Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

    Dekreti i nënshtetësisë, shkrimtarit Kadare do t`i dorëzohet nga Presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet në Shqipëri në një periudhë të afërt.

    Ndryshe, Presidentja Osmani, në qershor të këtij viti, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.

  • Më 4 gusht aktgjykimi për vrasjen e Marigona Osmanit

    Më 4 gusht aktgjykimi për vrasjen e Marigona Osmanit

    Gjykimit për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmanit, po i vjen fundi gjatë ditës së sotme pritet të përfundojë me rastin e seancës së fjalëve përfundimtare.

    Dy të akuzuarit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, kanë dalur sot sërish para gjyqtarit të procedurës paraprake, nën akuzat për disa vepra penale.

    Në seancën e fundit, të akuzuarit dhanë mbrojtjen e tyre, me ç’rast Sejdiu u deklarua, kurse Krivaqa vazhdoi të mbrohej në heshtje.

  • ​Zëvendësministrja e arsimit jep dorëheqje

    ​Zëvendësministrja e arsimit jep dorëheqje

    Zëvendësministrja për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës, Edona Maloku-Bërdyna ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj, për arsye subjektive.

    Dorëheqjen ajo ia ka dorëzuar kryeministrit Kurti, duke thënë se e ka të pamundur të vazhdojë më tej angazhimin e saj, në këtë detyrë.

    “Ju njoftoj se dje, më 31 korrik 2023, kam përmbyllur rrugëtimin tim si Zëvendësministre për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës. Për shkaqe subjektive, e kam të pamundur të vazhdoj më tej angazhimin tim në këtë detyrë dhe rrjedhimisht, i kam dorëzuar dorëheqjen time Kryeministrit Kurti. Takimin përshëndetës me Kryeministrin e zhvilluam në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre. Kryeministrin Kurti e falenderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim. Në Qeverinë e Kosovës kam punuar me përkushtimin maksimal personal e profesional. Jam krenare sidomos për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjen e përfshirjes së vajzave/grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (STEM), avancimin e gjithëpërfshirjes në arsim, zhvillimin e shkencës e inovacionit dhe urëzimin e bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare. U jam thellësisht mirënjohëse kolegëve me të cilët kam ndarë sukseset e sfidat në këtë rrugëtim të përbashkët. Për mua, ka qenë nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj jetësor t’i shërbej vendit tim. Tani po i kthehem punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin tim në arsim e në shkencë”, ka shkruan ajo në Facebook.

  • BE do dorëheqje urgjente të kryetarëve në veri

    BE do dorëheqje urgjente të kryetarëve në veri

    Më 10 korrik Kosova dhe Bashkimi Evropian, në Bratisllavë, arritën një ujdi për rrugën që duhet ndjekur për shtensionim të situatës në veri.

    Si hap i parë që u plotësua ishte zvogëlimi i pranisë së njësive policore në e përreth godinave komunale në Leposaviq, Zubin Potok, e Zveçan.

    Por hapa tutje drejt qëllimit që e ka edhe marrëveshja nga kryeqytetit sllovak, pra që është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat, nuk u bënë.

    Derisa institucionet kosovare, thonë se votimet e reja duhet të bëhen përmes nënshkrimit të peticionit, nga Brukseli zyrtar e kanë një rrugë më të shkurtër deri te zgjedhjet, që duhet të jenë gjithëpërfshirëse.

    ”Dorëheqjet e kryetarëve të komunave janë mënyra më e shpejtë për të nxitur zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që të dyja palët duhet të tregojnë konstruktivitet në realizimin e zgjedhjeve. Status-quoja e cila rezultoi nga tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nëntorin e kaluar dhe bojkotimi i zgjedhjeve të prillit nga komuniteti serb i Kosovës, nuk është e qëndrueshme”, thuhet në një përgjigjien për Klan Kosovën nga Shërbimi për Punë të Jashtme (EEAS).

    Pos kësaj, në përgjigjen nga unioni që ka 27 vende anëtare, thonë se presin që serbët e Kosovës të zotojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e reja.

    Ndërkohë vazhdimin e protestës kundër kryetarëve, nga BE-ja nuk e shohin si veprim të duhur përpara për të nxitur zgjedhje, qoftë përmes opsionit të dorëheqjes apo atij të peticionit.

    Me marrëveshjen e bërë para tri jave Qeveria e Kosovës, si hap drejt votimeve të reja në Leposaviq, Zubin Potok, Zvecan e Mitrovice, bëri një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e tyre, pas verës.

    Kosova zotohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

  • SHBA-ja sanksionon anëtaren serbe të Presidencës së Bosnjës dhe krerë të Republikës Sërpska

    SHBA-ja sanksionon anëtaren serbe të Presidencës së Bosnjës dhe krerë të Republikës Sërpska

    Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Sërpska, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995.

    Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviq dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Sërpska, Millosh Bukejlloviq.

    Thesari tha se zyrtarët e sanksionuar janë drejtpërdrejtë përgjegjës për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës si të pavlefshme në këtë entitet. Me këtë veprim, sipas SHBA-së, ata kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

    “Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe paqes të fituar me mund të mbështetur nga Marrëveshja e Dejtonit. Kjo sjellje kërcënon më tej trajektoren e të ardhmes së shtetit dhe integrimit të suksesshëm në institucionet euroatlantike”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Financimin e Inteligjencës, Brian E.Nelson.

    “Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Bosnje e Hercegovinës në përpjekjet e tyre për sundim të ligjit dhe të sigurohemi që paqja dhe prosperiteti të mbizotërojnë”, shtoi ai.

    Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka sponsorizuar ligjin që i shpallë të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

    Vetë Dodik më herë është futur në listën e sanksioneve amerikane. Më 5 janar të vitit 2022, SHBA-ja e akuzoi atë se drejtëpërdretjë apo në mënyrë të tërthortë kishte shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive.

    Edhe në korrik të vitit 2017, Thesari e kishte akuzuar Dodikun se po pengonte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

    Pas miratimit të ligjit sa i përket vendimeve të Kushtetueses, përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt më 1 korrik përdori autoritetin e tij duke shfuqizuar këtë legjislacion dhe publikisht dënoi ligjin, që tha se minon rendin kushtetues, sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushtetit.

    Pavarësisht vendimit të Schmidtit, Dodik e nënshkroi ligjin më 7 korrik.

    Dodik po ashtu ka thënë se nuk do të pranojë vendimet e Schmidtit, ndërkaq Asambleja e Republikës Sërpska po ashtu ka marrë vendim që vendimet e përfaqësuesit të lartë të mos publikohen në Republikën Sërpska.

    Në korrik, presidenti i Republikës Sërpska ka paditur Schmidin, duke thënë se ai po vepron në Bosnje pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Udhëheqësit në Republikën Sërpska vazhdimisht kanë deklaruar se nuk e njohin Schmidin, i cili u emërua më 2021 si përfaqësues i lartë. Emërimi i tij nuk u konfirmua nga Këshilli i Sigurimit, për shkak se në këtë institucion, emërimin e tij e kundërshtuan Kina dhe Rusia. Megjithatë, shtetet e tjera anëtare të këshillit tha se konfirmimi i emërimit të Schmidit nuk kërkohet.

    Çfarë ndikime kanë këto sanksione?
    Thesari tha se të gjitha pronat e personave të sanksionuar që janë në SHBA apo janë nën kontrollin e shtetasve amerikanë duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja.

    Gjithashtu, çdo subjekt që është nën pronësi, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi nga personat e sanksionuar, po ashtu do të bllokohen. Sanksionet parashohin edhe bllokimin e transaksioneve nga shtetasit amerikanë me të sanksionuarit, përveç nëse marrin licencë nga Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja. Ndalesat po ashtu përfshijnë edhe kontribute apo ofrimin e fondeve mallrave apo shërbimeve për të sanksionuarit./REL

  • Simiq “kërcënon” me mospjesëmarrje në zgjedhjet e reja në veri të Kosovës

    Simiq “kërcënon” me mospjesëmarrje në zgjedhjet e reja në veri të Kosovës

    Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq në një intervistë për media ka “kërcënuar” me mospjesëmarrje në zgjedhje të reja në veri të Kosovës, pa u plotësuar disa kushte.

    “Pa plotësuar kushtet që na i kanë vënë qytetarët, nuk mund të diskutojmë mundësinë e zgjedhjeve”, tha Simiq.

    Nga ana e tyre, analistët në Kosovë e kanë komentuar këtë deklaratë të Simqit, duke thënë se bazuar në këtë shteti serb e ka arritur qëllimin për krijimin e trazirave në Kosovë.

    Sipas tyre, zgjedhjet do të bëhen për t’i tërhequr serbët nga veriu, kësisoj edhe Simiq po i kundërshton ato.

  • ​KE publikon raportin “screening” për Shqipërinë

    ​KE publikon raportin “screening” për Shqipërinë

    Komisioni Evropian ka publikuar raportin “screening” për Shqipërinë, një vit pas hapjes së negociatave Shqipëri-Bashkimi Evropian dhe përfundimit të raundit të parë të takimeve.

    Në raport është evidentuar rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së, problematikat kryesore në vend, por edhe arritjet në reforma kyçe.

    Raporti screening i Komisionit Evropian po ashtu paraqet paraqitur rekomandimet për hapat pasardhës që duhen ndërmarrë në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim.

    Raporti nis me gjetjen se Shqipëria ka vendosur në rendin e saj kushtetues themelet e një shteti demokratik dhe po ndjek konsolidimin e institucioneve të saj demokratike, ndërsa më pas ndalet tek zgjedhjet dhe financimi i fushatave.

    “Kuadri ligjor dhe institucional lejon një proces zgjedhor demokratik. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të adresuar disa paqartësi ligjore dhe mospërputhje të theksuara nga OSBE/ODIHR-i, si dhe rekomandime të tjera të përbashkëta të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Legjislacioni për mediat në fushatat zgjedhore, veçanërisht për dezinformimin dhe platformat online duhet të forcohet më tej. Për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, rishikimi i kuadrit legjislativ parashikon më shumë transparencë, por kapacitetet zbatuese duhet të konsolidohen”, thuhet në raport.

    Në përmbledhjen e gjetjeve për gjyqësorin KE del në përfundimin se Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar për funksionimin e gjyqësorit.

    “Kuadri legjislativ dhe institucional i Shqipërisë ka një nivel të lartë përputhshmërie me Legjislacionin e BE-së dhe standardet evropiane. Megjithatë, Shqipëria duhet të konsolidojë dhe thellojë më tej zbatimin e kuadrit ligjor dhe institucional të reformuar, veçanërisht në lidhje me forcimin e mëtejshëm të pavarësisë së gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, konsolidimin e llogaridhënies dhe integritetit në të gjitha nivelet, aksesin dhe cilësinë e drejtësisë si dhe ofrimit efikas të drejtësisë”, thuhet në raport.

    Duke vijuar me luftën kundër korrupsionit, raporti del në përfundimin se Shqipëria ka nivel përgatitjejeje në luftën kundër korrupsionit.

    “Kuadri legjislativ dhe institucional i Shqipërisë për anti-korrupsionin është pjesërisht në përputhje me Legjislacionin e BE-së. Korrupsioni është i përhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe të biznesit duke përfshirë të gjitha degët e qeverisjes qendrore dhe vendore dhe institucionet dhe mbetet një zonë me shqetësim serioz. Në përgjithësi, masat kundër korrupsionit kanë një ndikim të kufizuar në sektorët veçanërisht të cenueshëm”, thuhet në raport.

    Raporti i KE jep edhe rekomandimet.

    “Shqipëria duhet të trajtojë kompleksitetin e lartë të kuadrit të parandalimit të korrupsionit dhe të sigurojë efikasitetin e tij veçanërisht në sektorët e rrezikut si prona, prokurimi publik dhe financat publike. Për sa i përket zbatimit, Shqipëria duhet të bëjë përparim vendimtar drejt zgjidhjes së problemit të mosndëshkueshmërisë dhe natyrës së përgjithësuar dhe të përhapur të korrupsionit, konsolidimit të kapaciteteve operacionale dhe njerëzore të SPAK-ut dhe gjykatave të SPAK-ut si dhe drejt krijimit të një historie solide në shtypjen sistematike të korrupsionit, veçanërisht. në nivel të lartë, duke përfshirë konfiskimin përfundimtar të aseteve. Shqipëria duhet të trajtojë në mënyrë sistematike dhe efektive rekomandimet e Grupit të Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO)”, vijon raporti.

    Raporti prek gjerësisht përpjekjet për reformimin e administratës publike.

    “Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në kuadrin e saj strategjik për reformën e administratës publike. Shqipëria duhet të zhvillojë dhe miratojë në kohë kuadrin e saj të ri strategjik për të siguruar vazhdimësinë e reformave. Duhet të sigurohet konsekuenca e përgjithshme dhe qëndrueshmëria financiare e strategjisë. Sistemi i koordinimit të politikave për zbatimin e reformave mbetet kompleks dhe koordinimi dhe drejtimi politik për zbatimin dhe monitorimin e reformave duhet të rritet”, thuhet në raport.

    “Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për shërbimin e saj publik dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Kuadri rregullator i shërbimit civil nuk është gjithëpërfshirës dhe ka boshllëqe legjislative, duke përfshirë mungesën e një politike shpërblimi dhe mungesën e një klasifikimi të harmonizuar të vendeve të punës. Dispozitat për rekrutimin dhe promovimin e bazuar në merita ekzistojnë, por duhet të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha nivelet në praktikë”, vijon raporti.

    Raporti vë në dukje se Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për sistemin e saj të ofrimit të shërbimeve.

    “Dixhitalizimi i ofrimit të shërbimeve publike dixhitale është përmirësuar ndjeshëm, por duhet të garantohet aksesi ndaj shërbimeve administrative për të gjithë qytetarët dhe bizneset dhe trajtimi i barabartë për të gjithë”, thuhet në raport.

    Në lidhje me financat, raporti del në përfundimin se Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për sistemin e saj të menaxhimit të financave publike.

    “Shqipëria ka një kuadër të mirë-krijuar për menaxhimin e financave publike. Megjithatë, ka nevojë për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit buxhetor afatmesëm dhe rritjen e kapaciteteve institucionale për monitorimin e rreziqeve fiskale dhe menaxhimin e investimeve publike”, vijon raporti.

    Ndërkaq, KE thekson se kuadri ligjor dhe institucional i Shqipërisë është pjesërisht i përafruar me legjislacionin e BE-së dhe standardet evropiane për të drejtat themelore.

    “Zbatimi duhet të forcohet për të garantuar gëzimin e plotë të të drejtave të njeriut në praktikë, veçanërisht në lidhje me forcimin e kapaciteteve të institucioneve të pavarura të të drejtave themelore, mbrojtjen e të dhënave personale dhe lirinë e shprehjes, barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, të drejtat e fëmijës , të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, si dhe përfundimin e proceseve kalimtare në fushën e të drejtave pronësore dhe sigurimin e mbrojtjes së personave që u përkasin pakicave”, thuhet në raport.

    “Kuadri ligjor dhe institucional nuk është në përputhje me legjislacionin e BE-së lidhur me të drejtat e qytetarëve të BE-së. Shqipëria duhet të sigurojë përafrimin e plotë të kuadrit të saj legjislativ me legjislacionin e BE-së për të garantuar gëzimin e plotë të të gjitha të drejtave të shtetësisë së BE-së pas anëtarësimit. Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi dhe zbatimi i një skeme investitor -qytetari”, thekson raporti.

    Raporti ndalet tek lufta ndaj kriminalitetit.

    “Shqipëria ka përgatitje në luftën kundër krimit të organizuar. Bashkëpunimi për zbatimin e ligjit me shtetet anëtare të BE-së, EUROPOL dhe EUROJUST, si dhe një përfshirje shumë aktive në EMPACT, po japin rezultate pozitive. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të konsoliduar historikun e hetimeve, ndjekjeve penale, dënimeve përfundimtare dhe sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar.

    Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë një nivel të mirë bashkëpunimi me homologët e tyre në shtetet anëtare të BE-së. Shqipëria duhet të miratojë një kuadër strategjik gjithëpërfshirës në fushën e drogës dhe të forcojë dhe funksionalizojë kuadrin e saj institucional, në veçanti duke krijuar një Observator Kombëtar të Drogave dhe një sistem kombëtar operacional të paralajmërimit të hershëm për shkëmbimin e informacionit në lidhje me substancat psikoaktive vdekjeprurëse. Shqipëria duhet të zhvillojë një histori solide të konfiskimeve të drogës dhe shkatërrimit dhe konfiskimit të aseteve përkatëse”, vijon raporti.

    Sipas raportit, bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i informacionit delikat me Europolin dhe Shtetet Anëtare është i kënaqshëm, por nevojitet punë e mëtejshme për të trajtuar financimin e terrorizmit dhe pastrimin e parave dhe materialet me përmbajtje terroriste në internet.

    “Shqipëria duhet të rrisë kapacitetin e saj administrativ për të përmbushur kërkesat e BE-së për bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale, civile dhe tregtare

    Bashkëpunimi me Shtetet Anëtare dhe Frontex për operacionet e ripranimit dhe kthimit është shumë i mirë. Shqipëria duhet të sigurojë kapacitete të përshtatshme pritjeje dhe emergjence. Shqipëria duhet të zbatojë procedurat e kthimit në përputhje me ligjin për të huajt dhe në përputhje me legjislacionin e BE-së.

    Vazhdon bashkëpunimi me EUAA për forcimin e sistemit kombëtar të azilit dhe pritjes. Mbetet për t’u arritur një zbatim efektiv dhe cilësor i ligjit për azilin që kërkon kapacitete administrative shtesë. Referimet në procedurën e azilit duhet të zbatohen në mënyrë sistematike”, thuhet në raport.

    “Politika e vizave e Shqipërisë duhet të përafrohet plotësisht me atë të BE-së. Numri i shtetasve shqiptarë që paraqesin kërkesa për azil në shtetet anëtare të BE-së kërkon ende përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Bashkëpunimi operacional me Frontex është i mirë dhe duhet të vazhdojë të zhvillohet. Duhet të trajtohet qarkullimi i lartë i oficerëve në kufi”, vijon raporti.

    Raporti i KE vëren se Shqipëria është mes një niveli të moderuar dhe të mirë përgatitjeje për t’u bërë një ekonomi tregu funksionale.

    “Vazhdon të ketë një konsensus të gjerë të brendshëm mbi bazat e politikës ekonomike, duke përfshirë një rol të kufizuar të shtetit në ekonomi dhe një angazhim politik për liberalizimin e tregut. Hapësira fiskale dhe qëndrueshmëria e borxhit u përmirësuan mesatarisht, por raporti i të ardhurave tatimore mbeti nën potencial dhe kufizon krijimin e hapësirës së mjaftueshme fiskale për përballimin e goditjeve të brendshme dhe të jashtme dhe për financimin e investimeve që rrisin produktivitetin. Siguria e dobët ligjore, niveli i lartë i aktivitetit ekonomik informal (pavarësisht disa përparimeve në këtë drejtim gjatë dy viteve të fundit), niveli i ulët i zhvillimit të sektorit financiar dhe vështirësitë me regjistrimin e titujve të tokës vazhdojnë të kufizojnë funksionimin efektiv të ekonomisë së tregut, e cila reflektohet në konvergjencë të ngadaltë dhe rritje nën potencial. Shqipëria dorëzon Programin e saj të Reformës Ekonomike (ERP) rregullisht dhe në kohë Komisionit Evropian dhe autoritetet kanë mbetur të përkushtuara ndaj politikave të orientuara nga stabiliteti bazuar në një përzierje të gjerë politikash të përshtatshme gjatë dekadës së fundit. Pati vetëm një ndjekje të pjesshme të rekomandimeve të politikave të BE-së të përcaktuara në paketat e njëpasnjëshme të zgjerimit dhe të udhëzimeve të politikave të miratuara bashkërisht në kontekstin e ushtrimit të ERP-së. Shqipëria duhet të përshpejtojë zbatimin e udhëzimeve të politikave të miratuara bashkërisht në Dialogun Ekonomik dhe Financiar vjetor midis BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, bazuar në vlerësimin e Komisionit për Programet e Reformës Ekonomike”, thuhet në raport./ATSH/

  • Arrestohet një zyrtar policor në Podujevë, dyshohet për “dhunë në familje”

    Arrestohet një zyrtar policor në Podujevë, dyshohet për “dhunë në familje”

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar dje (e diele) një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.

    IPK-ja kishte pranuar informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Podujevë ka kryer veprën penale dhunë në familje.

    “Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, njoftoi IPK.

    Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

    Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.