ATV

Tag: Ballina

  • Deri në tri orë e gjysmë pritjet për të hyrë në Kosovë, kjo është gjendja në pikat kufitare

    Deri në tri orë e gjysmë pritjet për të hyrë në Kosovë, kjo është gjendja në pikat kufitare

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata për të hyrë në Kosovë janë në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, ku për të hyrë në Kosovë nga kjo pikë duhet pritur deri në tri orë e gjysmë, kurse rreth 20 minuta për të dalë.

    Kolona e veturave në hyrje të kësaj pike kufitare është 120 metra, kurse në dalje 20-30 metra.

    Ndërsa, në Merdar bashkatdhetarët po presin 10 deri në 20 minuta për të hyrë në vendin tonë.

  • Mot me diell e vranësira sot në Kosovë

    Mot me diell e vranësira sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me vranësira të pjesëshme dhe intervale me diell.

    “Të dielen do të mbajë mot me vranësira të pjesëshme dhe intervale me diell, Në fushat termike nuk parashihet të ketë ndryshime të mëdha . Minimalet do të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-32 gradë Celsius. Era do ta mbajë drejtimin e njejtë nga verilindja , shpejtësia e së cilës mund të arrijë deri 4 m/s.”

  • ​Policia jep detaje për personin që u gjet pa shenja jete në Prishtinë

    ​Policia jep detaje për personin që u gjet pa shenja jete në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin se në rrugën “Bajram Kelmendi”, në Prishtinë, një person është gjetur pa shenja jete.

    Zëdhëndësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti i ka thënë KosovaPress-it se sot rreth orës 19:00, nga një ekip mjekësor kanë pranuar informatën për një person pa shenja jete në rrugën “Bajram Kelmendi”, në Prishtinë.

    “Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me prokurorin ka nisur hetimin e rastit si vdekje e dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha ajo.

    Përndryshe, KosovaPress mëson se viktima është i moshës së re.

  • ​Rast i rëndë në Prishtinë, dyshohet për një person pa shenja jete

    ​Rast i rëndë në Prishtinë, dyshohet për një person pa shenja jete

    Një person i moshës së re dyshohet se është gjetur pa shenja jete në Prishtinë.

    Sipas banorëve në rrugën “Abdurraman Shala”, afër 4 llullave.

    KosovaPress ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe do t’i mbaj të informuar.

  • Kurti për rastin e Klan Kosovës: Ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore

    Kurti për rastin e Klan Kosovës: Ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ndjekja e rregullave të regjistrimit nga ana e bizneseve është detyrë ligjore e jo “teknalitet”.

    Këtë deklarim Kurti e ka bërë teksa ka komentuar vendimin e Ministrisë së Industrusë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), e cila ka refuzuar ankesën e Klan Kosovës duke ia pezulluar veprimtarinë.

    Kryeministri i ka dhënë mbështetje të plotë MINT-it “për kryerjen e detyrave përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur”.

    “Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore, jo një “teknikalitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”, ka shkruar ai në Twitter.

    Kreu i ekzekutivit tutje ka thënë se demokracia sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe sipas tij, zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias.

    “Në demokraci, organet e autorizuara për të vendosur për raste të tilla nuk qëndrojnë në Zyrën e Kryeministrit. Megjithatë, këto organe kanë mbështetjen e plotë të Zyrës sonë në kryerjen e detyrave të tyre, përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur të rreshtuar kundër tyre. Liritë e medias janë jetike: sulmi ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë. Por, demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias”, ka përfunduar Kurti.

  • ​Rasti tragjik në familjen Bekteshi në Lipjan, qytetarët i shkojnë për ngushëllime

    ​Rasti tragjik në familjen Bekteshi në Lipjan, qytetarët i shkojnë për ngushëllime

    Qytetarë të shumtë i kanë shkuar për ngushëllime familjes Bekteshi në fshatin Rufc të Lipjanit, ku dje janë gjetur të vdekur tre anëtarët e kësaj familje. Babai, nëna dhe djali i tyre janë gjetur dje pasdite të vdekur, e që sipas policisë ka ndodhur si problem i brendshëm familjarë.

    Varrimi i viktimave do të bëhet sot në orën 19:00.

    Policia sot ka dhënë detaje tjera, ku mësohet se në vendin ku ishin gjetur viktimat, janë gjetur edhe dy armë.

    Kurse, Komuna e Lipjanit ka pezulluar të gjitha aktivitetet kulturore pas këtij rasti tragjik të ndodhur në familjen Bekteshi.

  • ​Afër 7 mijë pacientë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit për 6 muaj

    ​Afër 7 mijë pacientë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit për 6 muaj

    Në Spitalin e Përgjithshëm te Gjilanit për gjashtë muajt e parë të vitit 2023, kanë qenë të shtrirë 6 mijë e 615 pacientë, me gjithsej 25 mijë e 580 ditë shërimi.

    Këto shifra i bëri të ditura, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, gjatë paraqitjes se raportit të punës, në mbledhjen e bordit drejtues, të mbajtur në Spitalin e Gjilanit.

    Sipas njoftimit të ShSKUK-së, në mbledhje të bordit drejtues, kryesuesi, Naim Bardiqi, tha se indikacion kryesor i performancës së institucioneve shëndetësore është shfrytëzimi dhe performanca e stafit, përkatësisht burimeve njerëzore, përfshirë stafin mjekësor dhe atë jo mjekësorë.

    ” Indikatorët kyç është mbulueshmeria e shtretërve në përqindje, shfrytëzueshmerisë së kapaciteteve dhe shfrytëzueshmëria e pajisjeve mjekësore” theksoi ai.

    Në takim u diskutua performanca e secilit repart të Spitalit, me arsyeshmërinë e shfrytëzimit të kapaciteteve, me qëllim të ngritjes se performancës.

    Nga drejtori i Spitalit, u kërkua të ndërmarrë masat e nevojshme për përmirësim të performancës se reparteve dhe të Spitalit ne përgjithësi.

    Në takim të bordit drejtues, raportin e punës e paraqiti edhe Afrim Cana, zëvendësues i drejtorit të Qendrës se Shëndetit Mendor dhe Shtëpive për Integrim, i cili tregoi për trajtimin dhe shërbimet që ofrojnë për klientët.

    Anëtarët e bordit drejtues vizituan disa nga repartet e Spitalit.

  • ​Aktakuzë për personin që kërcënoi deputeten Musliu-Shoshi

    ​Aktakuzë për personin që kërcënoi deputeten Musliu-Shoshi

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kanë ngritur aktakuzë me kërkesë për caktim të masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente, ndaj të pandehurit A.B., për shkak të veprës penale “Kanosja”.

    Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit dhe i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri i lartcekur, më 02.05.2023, rreth orës 19:00, përmes rrjetit social “facebook”, me dashje dhe me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht të dëmtuarën Ariana Musliu-Shoshi, deputete e Kuvendit të Kosovës, për shkak të detyrës së saj, ashtu që i pandehuri nga një profil në rrjetin social “facebook” i drejtohet: “…sa te vije ne pushim… edhe dy muj i ke jete midis Prishtinës ka met masakrue…”, ku me këtë rast tek e dëmtuara është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe e pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të kanosjes”, thuhet në njofitm.

  • ​Haxhiu synon ndryshime, Qendrat për Punë Sociale punojnë në formate të para 20 vitesh

    ​Haxhiu synon ndryshime, Qendrat për Punë Sociale punojnë në formate të para 20 vitesh

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se Qendrat për Punë Sociale po vazhdojnë të punojnë me formate të stërvjetëruara të para dy dekadave. Sipas saj, shërbimet sociale po ofrohen pa u përshtatur me legjislacionin e miratuar ndër vite, e as rrethanat. Ajo zotohet që do të ketë reformë në këto qendra, ani pse ka rezerva nga QPS-të. Qendra për Punë Sociale në Gjakovë deklaron se zyrtarët e shërbimeve sociale janë në një situatë jo të mirë. Megjithatë, nuk shprehin kundërshtimin për reforma nga ana e institucioneve.

    Që nga janari i këtij viti, Ministria e Drejtësisë ka marrë përsipër shërbimet sociale, ku është bërë një analizë e gjendjes së Qendrave për Punë Sociale. Ministrja Albulena Haxhiu deklaron se të njëjtat po vazhdojnë të punojnë me formate të para 20 vitesh.

    “Ne kemi pasur diskutime në raport me mënyrën se si bëhen këto planet individuale dhe të planet e përgjithshme për trajtimin e një personi, i cili merr shërbime qoftë nga Qendra për Punë Sociale, apo është i strehuar në strehimore. Sidomos në një rast të fundit, të cilin e kemi pasur dhe e kemi ndjekur me shqetësim është rasti i 11-vjeçares, ne kemi diskutuar për të gjithë dosjen, në kuptim të marrjes se cilat janë shërbimet që i ka marrë në këtë rast fëmija, viktima. Dhe kur kemi parë këtë dosje, ne kemi hasur në formate të stërvjetëruara, me anë të së cilave punohet ende. Keni parasysh që para 20 viteve, janë disa forma, me të cilat ende punojnë Qendrat për Punë Sociale. Pa ja përshtatur fare as legjislacionit që është miratuar ndër vite, as rrethanave. Dhe unë e kam ngritur me shqetësim këtë çështje. Dhe tani kemi marrë përsipër që kjo të ndryshohet në kuptimin që edhe përshtatet me rrethanat por edhe pse jo me legjislacionin i cili është në fuqi”, deklaron Haxhiu.

    Haxhiu thekson se do të jetë sfiduese reforma në këto qendra, meqë ka rezerva nga disa Komuna.

    “Unë e di që reforma në Qendrat për Punë Sociale mund të jetë shumë sfiduese. Sepse për sa kohë ne e kemi vullnetin për të adresuar, në anën tjetër ka rezerva nga disa prej Komunave, sepse nuk konsiderojnë rëndësinë që kanë Qendrat për Punë Sociale. Por, meqë tani ne kemi marrë përsipër, në do të vazhdojmë reformat dhe do t’i adresojmë të gjitha problemet në të cilat jemi ballafaquar”, shton ajo.

    KosovaPress tentoi të marrë përgjigje nga Qendra për Punë Sociale në Prishtinë e Drenas, por nuk kanë dhënë përgjigje në lidhje me këtë.

    Ndërkaq, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjakovë, Dervish Tahiri thotë se janë të hapur për çfarëdo avancimi, pavarësisht se nuk janë të kënaqur me trajtimin nga institucionet.

    “Çfarëdo avancimi që eventualisht mund të parashohin nga ekipet profesionale, të cilat do të kishin ndikuar në ngritjen e kapacitetit edhe produktivitetit e zyrtarëve të shërbimeve për të përfituar njohuri sa më të shumta edhe më të mira për interes për të vënë në shërbim të qytetarëve, do të ishte e mirëseardhur. Megjithatë, nuk po e di se çfarë misioni kanë, çfarë forme duan t’i qasen kësaj pune, por një gjë e di që zyrtarët e shërbimeve sociale janë në një situatë tepër jo të mirë, nuk vlerësohen si zyrtarë profesionalë edhe pse në çdo legjislacionet figurojnë që janë zyrtarë profesionalë të fushës dhe te kategorizimi i Ligjit të Pagave, po ashtu janë dëmtuar nuk kanë ndonjë vlerësim”, shprehet ai.

    Ndërkaq, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se procedurat standarde të veprimit nuk mund të ndryshohen pa u miratuar Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.

    “Procedurat standarde të veprimit nuk mund të ndryshohen pa u miratuar Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, në momentin që ky ligj miratohet, padyshim që edhe procedurat duhet të ndryshojnë konform këtij ligji dhe konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera që Kosova ka në fuqi. Përderisa kanë kaluar afër 10 vite që kur as Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje nuk është ndryshuar e as procedurat standarde të veprimit, padyshim që dokumentet tjera përcjellëse që institucionet tona përpilojnë për viktimat do të jenë shabllone dhe nuk do t’i afrohen standardeve për trajtimin e mirë dhe të menjëhershëm të dhunës në familje dhe në baza gjinore”, deklaron ajo.

    Breznica shton se dështimi më i madh në trajtimin e rasteve të dhunës në bazë gjinore është koordinimi në mes të institucioneve.

    “Rrjeti i Grave të Kosovës në praktikë çfarë sheh si dështim për trajtim të rasteve të dhunës në bazë gjinore, është koordinimi në mes institucioneve. Kjo është një prej dështimeve që më së shumti që ne kemi mundur të shohim në terren. Institucionet tona dështojnë qysh të informojnë viktimën për të drejtën e saj, dështojnë të bëjnë vlerësimin të rrezikut, dështojnë të bëjnë planin afatgjatë rehabilitues dhe riintegrues për viktimat e dhunës në familje dhe viktimave të tjera të rasteve të dhunës në baza gjinore. Zinxhiri institucional është dashur të funksionojë më mirë mes vete, në mënyrë që krejt institucionet të japin një përgjigje të menjëhershme dhe të duhur për të gjitha viktimat e dhunës në baza gjinore”, thotë Breznica.

    Në mbledhjen e grupit ndërministror kundër dhunës në familje, pas dhunimit të 11-vjeçares brenda strehimores, është ngritur shqetësimi për trajtimin dhe plotësimin shabllon të të gjitha dokumenteve në rastet që trajtohen. Aty është thënë se ky format i dokumenteve nuk është përditësuar asnjëherë që nga viti 2003.

  • Murati: Ekonomia e Kosovës tejkaloi shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës

    Murati: Ekonomia e Kosovës tejkaloi shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se për herë të parë ekonomia e Kosovës ka tejkaluar shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës.

    Sipas shifrave zyrtare të deklaruara në ATK, Murati ka potencuar se në fund të tremujorit të dytë sivjet, ka pasur të regjistruara 404,965 vende pune aktive.

    “Kjo është dëshmia më e mirë që politikat tona të punësimit po funksionojnë. Punësimi ka qenë prioritet që nga dita e parë, si njëra nga shtyllat kryesore të programit tonë qeverisës – Punësim e Drejtësi.”, ka shkruar ndër të tjera Murati në Facebook.

    Ministri ka thënë se disa nga masat e punësimi që kanë ndërmarrë janë:  Mbështetja e punësimit të grave; Mbështetja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara; Mbështetja e zanateve; Mbështetja e start-ups.

    Tutje, ai ka thënë se kanë shtuar subvencionet në bujqësi, kanë mbështetur kreditë investive për prodhuesit, kanë filluar shkollimin dual, kanë dhënë bursa për studime në STEM si dhe kanë shpërndarë voucher për kurse në IT.