ATV

Tag: Ballina

  • Sot paraqitet dëshmitari i ri i prokurorisë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Sot paraqitet dëshmitari i ri i prokurorisë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve. Sot pritet të paraqitet dëshmitari i ri i prokurorisë në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve. Sot është dita e fundit e gjykimit për këtë javë.

    Dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dje e ka përfunduar dëshminë e tij para trupit gjykues në Hagë.

    Dëshmia e tij për tri ditë me radhë është dëgjuar në seancë private derisa ai është intervistuar nga prokuroria, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe ajo e Rexhep Selimit.

    Dëshmitari me kodin 3879 ka dëshmuar nën masa mbrojtëse ndërsa në një pjesë të dëshmisë së tij, kur seanca ishte publike, ai ka thënë se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ai ka dëshmuar rreth periudhës së vitit 1998 dhe zonës së Llapushnikut.

    Ndërsa të enjten në gjykatore do të paraqitet dëshmitari i radhës i prokurorisë.

    Dëshmitari i shtatëmbëdhjetë do të ketë masa mbrojtëse por pritet që pjesë të dëshmisë së tij të dëgjohen edhe në seancë publike.

    Deri tani në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 16 dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur dhe në seanca private, përveç ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit dhe një oficeri britanik, të cilët kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse.

    Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ka nisur me 3 prill ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • Hovenier: Kërkesat e SHBA së ndaj Kosovës nuk janë presion

    Hovenier: Kërkesat e SHBA së ndaj Kosovës nuk janë presion

    Përgatiti: Nexhmie Hyseni

    Kërkesat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë për Qeverinë e Kosovës nuk kanë të bëjnë aspak me presion, tha Ambasadori amerikan në Kosovë, Jefrey Hovenier.

    Ai në një takim me gazetarët theksoi se Kosova nuk mund të vazhdojë me procese integruese pa bërë përparim në dialogun me Serbinë, raporton Evropa e Lirë.

    “pa bërë përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së; Kosova nuk do të jetë në gjendje të tejkalojë Partneritetin për Paqe për t’u bërë anëtare e NATO-s – dy synimet themelore që SHBA-ja pret që ajo t’i realizojë ”, tha Hovenier.

    Sipas tij, kërkesat nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë janë legjitime, marrë parasysh mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë shtetit të Kosovës .

    “Prandaj, kërkojmë nga Kosova që tash për tash të zbatojë marrëveshjen e Ohrit. Të lëvizë shpejt, për të çuar përpara negociatat për të krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe”, tha Hovenier.

    Në mesin e kërkesave të Bashkimi Evropian por edhe SHBA-së, është që Kosova të mbajë zgjedhje të reja në komunat veriore.

    Hovenier tha se mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe është pikë që mund të shtensionojë situatën në këtë pjesë të vendit, dhe se SHBA-ja pajtohet me këtë kërkesë derisa pret që edhe serbët të marrin pjesë në zgjedhje. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Ka tentuar të largohet nga vendi”, avokati zbulon detaje se si u dorëzua Tush Frroku

    “Ka tentuar të largohet nga vendi”, avokati zbulon detaje se si u dorëzua Tush Frroku

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Të paktën dy ditët e fundit të arratisjes, Tush Frroku, i dyshuari për vrasjen e Prenajt, qëndroi në këtë mulli të braktisur në fshatin Burojë të Skenderajt. Në bodrumin e mullirit, tani ndodhet një batanije, e cila nuk dihet me siguri nëse u përdor nga i dyshuari për vrasjen e rëndë. 48 vjeçi, qëndroi në këtë vend, deri të martën pasdite, ku u mor nga avokati Gani Krasniqi, për t’u dorëzuar pastaj në polici.

    Mulliri me objektet shoqëruese, ndodhet skaj rrugës, vetëm 12 kilometra larg Klinës, vend në të cilin edhe u krye vrasja. Megjithatë, si erdhi aty, pas largimit nga vendi i ngjarjes ende nuk dihet.

    “Kohëve të fundit nuk kam pasur kontakt me Frrokun. I njëjti më ka kontaktua të martën në mëngjes. Ka kërkua me m’pa. E pash disponimin që është i interesum me u dorëzu. Unë e kam mbështet. Më ka thënë se është duke u strehu te mullini i Burojës. Kam shku e kam marrë. I kam njoftu eprorët e policisë. Edhe është dorëzu dhe mbrojtë në heshtje”, tha avokati i Tush Frrokut, Gani Kelmendi.

    Para dorëzimit, Frroku kishte konsideruar opsione tjera.

    “Simas tij, ka tentu njëherë me dalë jasht kufinit, por kish qenë e pamundur. Kështu ka vendos për dorëzim”, tha Kelmendi.

    Për ta gjetur armën me të cilën u krye vrasja, hetuesve u duhet ende punë.

    “Armën e ka hudhë diku në bjeshkë, se i ka pa patrollat e policisë. Armën e ka pasë të veten prej zvicrës”, tha Kelmendi.

    Arsyeja për vrasjen për të cilën sipas avokatit autori është penduar dhe e ka pranuar fajësinë, ishte një fjalë goje.

    “E ka ofendu me një fjalë, për të cilën nuk më ka tregu se cila ka qenë. Këtë nuk ia ka dalë”, tha Kelmendi.

    Mulliri i cili kishte shërbyer edhe në luftë për ushtarët, ishte djegur para 10 vjetësh. Banorët e shtëpive pranë, deklaruan se nuk e kishin parë ndonjë person të dyshuar ditëve të fundit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Murati fton pensionistët pa 15 vjet stazh të regjistrohen në formular për pension parcial

    ​Murati fton pensionistët pa 15 vjet stazh të regjistrohen në formular për pension parcial

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se të gjithë pensionistët të cilët për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë arritur t’i plotësojnë 15 vjet stazh, do të mund të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributiv, nëse i plotësojnë kriteret ligjore sipas ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi.

    “Të gjithë pensionistët që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë arritur ti plotësojnë 15 vite stazh, e që tash marrin vetëm pensionin bazik, do të kenë mundësinë që të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributiv, nëse i plotësojnë kriteret sipas ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi”, ka shkruar Murati në Facebook.

    Ministri ka thënë po ashtu se pensionistët duhet që brenda këtij muaji të regjistrohen në një formular online, e pastaj ata do të ftohen më radhë nga zyrat e pensionistëve për paraqitje të aplikacionit për kalim në skemën parciale kontributive.

    “Para se të fillojë zbatimi i skemës së re, ftohen të gjithë pensionistët që kanë kontribute të regjistrohen në formularin më poshtë deri në fund të muajit gusht, ashtu që zyrat e pensioneve pastaj t’i ftojnë sipas radhës për paraqitjen e aplikacionit për kalim në skemën parciale kontributive në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata para sporteleve”, shkruan ai.

  • Hovenier: Kërkesat e SHBA-së ndaj Kosovës nuk janë presion

    Hovenier: Kërkesat e SHBA-së ndaj Kosovës nuk janë presion

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një takim me gazetarët të mërkurën në Prishtinë tha se kërkesat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë për Qeverinë e Kosovës nuk kanë të bëjnë aspak me presion.

    Ai tha se vendi, megjithatë, nuk do të mund t’i vazhdojë proceset integruese pa bërë përparim në dialogun me Serbinë.

    “Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së; Kosova nuk do të jetë në gjendje të tejkalojë Partneritetin për Paqe për t’u bërë anëtare e NATO-s – dy synimet themelore që SHBA-ja pret që ajo t’i realizojë – pa bërë përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, deklaroi Hovenier, shkruan REL.

    Sipas tij, kërkesat nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë janë legjitime, duke marrë parasysh mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë shtetit të Kosovës dhe se një nga synimet më të mëdha strategjike është “ta shohim Kosovën që ka zënë vendin e saj, duke mbështetur Kosovën të zërë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike”.

    “Si ambasador i Amerikës në Kosovë, jam shumë rehat me atë që po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të bëjë, atë që po kërkojmë nga populli i Kosovës. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim dhe shpresoj se është shumë e qartë: SHBA-ja ka një përkushtim të fortë afatgjatë ndaj popullit të Kosovës”, tha ambasadori Hovenier.

    “Prandaj, kërkojmë nga Kosova që tash për tash të zbatojë marrëveshjen e Ohrit. Të lëvizë shpejt, qëllimisht, për të çuar përpara negociatat për të krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe”, shtoi ai.

    Hovenier iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën në shkurt në Bruksel dhe në mars në Ohër u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

    Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

    Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

    Në mesin e kërkesave të BE-së, por edhe SHBA-së, është që Kosova të mbajë zgjedhje të reja në komunat veriore.

  • Kosova pranoi veç dy njohje të reja për pesë vjet

    Kosova pranoi veç dy njohje të reja për pesë vjet

    ë nga 4 shtatori i vitit 2020, kur Izraeli pranoi pavarësinë e Kosovës, numri i njohjeve vazhdon të mbetet 117. Lëvizje në drejtim të sigurimit të njohjeve të reja, ka paralajmëruar Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe rrethanave politike thonë se për njohje të reja duhet më shumë punë e bashkëpunim me ndërkombëtarët.

    Më 4 shtator bëhen tri vite që kur Izraeli u bë shteti i fundit që pranoi pavarësinë e Kosovës. Kjo njohje ishte siguruar nga ish kryeministri Avdullah Hoti dhe ish presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, në Shtëpinë e Bardhe, në prani të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në pesë vitet e fundit, Kosovën shtet e pranoi vetëm edhe Barbadosi.

    Pa specifikuar emra shtetesh, lëvizje pozitive në drejtim të njohjeve të reja ka paralajmëruar në një prononcim për RTK-së ministrja e ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

    “Ne e dimë se sa agresive është kampanja e Serbisë dhe Rusisë, për të penguar njohjet e reja dhe për të krijuar çnjohje të Kosovës nga shtete të ndryshme. Prandaj ne asnjë prej shteteve më të cilat bisedojmë nuk e vëmë publikisht para sfidave të tilla. Por, ka lëvizje të shumta me shumë shtete”, tha Gërvalla.

    Duke folur për Radio Kosovën, në lidhje me procesin e njohjeve, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, shprehet skeptik për sa i përket sigurimit të shpejtë të ndonjë njohjeje.

    “Nuk kemi njohje dhe unë besoj se nuk do të kemi njohje të reja deri në fund të kësaj qeverie, sepse këta vetëm kanë abstenuar nga politika e jashtme. Njohjet e Kosovës nuk vijnë pa aleatët tanë, si SHBA, vendet e BE-së, Mbretëria e Bashkuar apo edhe Turqia. Vetëm me koordinim me këto shtet mund të sigurojmë njohje, e për fat të keq, ne jo që nuk kemi koordinim, por kemi edhe sanksione, pikërisht nga partnerët tanë strategjikë”, tha ai.

    Stagnimi i njohjeve ndërlidhet edhe me dialogun Kosovës-Serbi, pohon politologia Arta Tahiri-Beqa, sipas së cilës, vendi duhet të fokusohet në sigurimin e njohjeve nga 5 vendet e Bashkimit Evropian.

    “Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i cili është duke u zhvilluar, mendoj se në fazën finale do të ndikojë në njohjen e menjëhershme të Kosovës nga pesë vendet e BE-së, me çka do t’i hapej rruga Kosovë për t’u integruar në institucionet e BE-së”, tha Tahiri-Beqa për Radio Kosovën.

    Referuar ueb faqes së Ministrisë së Punëve të Jashtme, vetëm 21 shtete të botës e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës në 10 vitet e fundit.

  • Interesim i madh për izolimin e kushtueshëm të shtëpive

    Interesim i madh për izolimin e kushtueshëm të shtëpive

    Naim Pacolli, nga fshati Marec në Prishtinë, është duke shqyrtuar mundësinë që të aplikojë për subvencion nga Qeveria për izolimin e shtëpisë së tij, pasi me mjete vetjake nuk ka mundur ta bëjë këtë investim.

    Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se 11 vjet më parë e kishte ndërtuar shtëpinë, por izolimi termik i mureve të jashtme të shtëpisë atëbotë për të ishte i papërballueshëm.

    “Në atë kohë izolimi i jashtëm i mureve të shtëpisë më kushtonte diku 8.000 euro dhe nuk e kam bërë se ishte shtrenjtë për mua”, thotë ai.

    Më 8 gusht, Qeveria e Kosovës ka hapur thirrjen publike për aplikim për masa të efiçencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit.

    Qeveria do të subvencionojë rreth 2.000 familje deri në 50 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5.500 eurosh.

    Ky subvencion përfshin koston e izolimit të jashtëm të shtëpisë, ndërrimin e dritareve dhe të derës së hyrjes, si dhe izolimin e kulmit.

    Për këtë projekt janë ndarë gjithsej 10 milionë euro.

    Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit IPA [Instrumenti i Para-anëtarësimit] – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).

    Për Pacollin, i cili punon në një kompani private, subvencioni i Qeverisë është i pamjaftueshëm, pasi me të ardhurat mujore të tij prej 400 eurosh në muaj, e ka të vështirë të sigurojë pjesën tjetër të mjeteve.

    “Është dashur që subvencioni të jetë 70 ose 80 për qind dhe të ketë kategorizime, për shembull për qytetarë me të ardhura më të ulëta subvencioni të jetë më i lartë. Për ata qytetarë që qëndrojnë mirë në aspektin financiar, kjo shumë është e mirëseardhur dhe e mjaftueshme, për neve me të ardhura të ulëta, është pak”, thotë ai.

    Sa kushton izolimi i shtëpisë?

    Kusht i detyrueshëm për të përfituar nga subvencioni i Qeverisë është izolimi termik i mureve të jashtme të shtëpisë.

    Çmimet në treg për shërbime të tilla janë të ndryshme.

    Mirsim Selmani nga një kompani private e cila merret me izolim të mureve të jashtme të shtëpisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet i dikton kualiteti i materialit izolues.

    Sipas tij, një metër katror për izolim termik të mureve të jashtme të shtëpisë kushton nga 20 euro deri në 24 euro, varësisht nga materiali që përdoret.

    Krahasuar me dy-tre vjetët e kaluar, ai thotë se tani çmimet janë më të larta.

    “Ka pasur rritje të çmimeve për 20 për qind, materialet janë shtrenjtuar, kostoja e fuqisë punëtore është rritur”, thotë ai.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se indeksi i tërësishëm i kostos së ndërtimit ka pësuar rritje për 3.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022.

    Selmani thotë që nga hapja e aplikimit për subvencion është rritur interesimi për izolim të jashtëm të mureve të shtëpive.

    “Para tre-katër ditëve kemi pasur 10 kërkesa për izolim të shtëpive”, thotë ai.

    Mbi 1.000 aplikime të qytetarëve për izolim të shtëpive

    Fillojetë Konjuhi, specialiste për marrëdhënie me publikun në Fondin e Kosovës për Efiçencë të Energjisë, thotë për REL-in se vetëm brenda një jave kanë pranuar mbi 1.000 aplikime.

    Aplikimet, thotë Konjuhi, po trajtohen mbi bazën kush vjen i pari, shërbehet i pari.

    “Ka interesim të madh të qytetarëve për subvencion. Ne kemi filluar të shqyrtojmë aplikimet. Komisioni do t’i verifikojë të gjitha. Në momentin që aplikuesi i përmbush kushtet, përfituesi pranon një letër aprovuese me të cilën ai mund të fillojë t’i kryejë punimet”, thotë Konjuhi.

    Të drejtë aplikimi për të përfituar nga ky subvencion kanë të gjithë qytetarët, të cilët i përmbushin kriteret e përcaktuara nga FKEE-ja.

    Aplikimi do të jetë i hapur deri më 25 shtator 2023.

    Por, aplikimi mund të mbyllet edhe para kësaj date në rast se arrihet kuota e buxhetit në dispozicion.

    Sa i rëndësishëm është izolimi i shtëpive?

    Në një hulumtim të realizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore në Prishtinë (INDEP), vlerësohet se izolimi ndërtimor mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm në rritjen e efiçiencës së energjisë dhe performancës energjetike të objekteve.

    Me kosto relativisht të ulët, efiçienca elementare e energjisë, sipas INDEP-it, arrihet përmes izolimit të jashtëm, vendosjes së dritareve dy dhe tre-shtresore, si dhe izolimit të kulmit.

    Në Kosovë, sipas hulumtimit të INDEP-it, një numër i madh i objekteve mbetet pa izolim, gjë që çon në shpenzime të mëdha të energjisë, duke detyruar familjet kosovare të konsumojnë katërfishin e energjisë që konsumon një mesatare evropiane në një vit.

    “Me marrjen e disa masave minore izoluese, ky paraqet edhe potencialin më të lartë për masat dhe dobi të efiçiencës së energjisë, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në atë mjedisor”, thuhet në hulumtimin e INDEP-it.

    Rëndësia e kursimit të energjisë

    Statistikat tregojnë se më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë – rreth 40 për qind të konsumit të përgjithshëm.

    Kosova nuk arrin ta plotësojë të gjithë kërkesën për furnizim me rrymë nga gjenerimi i brendshëm i energjisë elektrike.

    Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavatë rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavatë në orë. Kjo diferencë importohet nga jashtë.

    Vitin e kaluar, Kosova u përfshi në një krizë energjetike. Qeveria vendosi masa emergjente për energji, të cilat përfshijnë masa të kursimit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

    Nga 1 prilli i këtij viti, në Kosovë kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike, me rritje prej 15.4 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. /REL

  • Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë edhe sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve me dëshminë e dëshmitarit të ZPS-së.

    Dje, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar seanca duke qenë gjatë tërë kohës në sesion të mbyllur për mediat dhe publikun.

    Gjatës kësaj seance, dëshmitari i 16-të, me kodin 03879, ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Selimit, konkretisht avokatit Geeoffrey Roberts.

    Ky dëshmitar ka filluar dëshminë e tij në seancën e së hënës, ku pjesën më të madhe të kohës seanca është zhvilluar në sesion privat.

    Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

  • Osmani: Masat e BE-së ndaj Kosovës, plotësisht joproporcionale

    Osmani: Masat e BE-së ndaj Kosovës, plotësisht joproporcionale

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të marra muaj më parë ndaj Kosovës, kanë qenë plotësisht joproporcionale me veprimet e institucioneve të Kosovës.

    Përgjatë një vizite në Komunën e Dragashit, Osmani ka vlerësuar se masat e kanë dëmtuar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

    “Nuk është përgjigje e cila e nxit bashkëpunimin dhe koordinimin, përkundrazi është përgjigje e cila më së shumti i bën dëm procesit të dialogut dhe e vendos atë komplet jashtë binarëve në të cilët do të duhej të ishte, ku të dyja palët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë”.

    Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të faktorit ndërkombëtar për ulje të tensioneve në veri të Kosovës në muajt maj e qershor.

    Atje protestat e serbëve lokalë dhe qytetarëve tjerë – që kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale – janë përshkallëzuar në dhunë ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Osmani e fajësuar Serbinë për këto sulme.

    “Serbia ka pasur njerëz të saj që kanë sulmuar ushtarë të NATO-s. Për këta njerëz ka dëshmi të sakta. Ata njerëz janë në video, dihet kush janë, disa prej tyre janë policë të Serbisë, dhe nuk ka asnjë masë të vetme në raport me Serbinë për këtë agresion që e ka kryer në raport me Kosovën”, ka thënë ajo, duke përsëritur se masat i janë vënë padrejtësisht Kosovës.

    Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, koloneli Andrea Gallieni, pati thënë më 9 qershor se disa grupe kriminale kanë qenë mbrapa protestave të dhunshme, që janë zhvilluar në Zveçan, më 29 maj.

    Me qëllim të shtensionimit të situatës, Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë arritur marrëveshje më 10 korrik në Bratislavë për marrjen e disa hapave.

    Osmani ka thënë se Kosova po e respekton marrëveshjen me besnikëri.

    “Tashmë ka reduktim të forcave policore në përputhje me marrëveshjen. Në anën tjetër është duke u krijuar baza ligjore për mbajtje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna veriore”.

    Deri më tani, Policia e Kosovës e ka përgjysmuar prezencën e saj në dhe rreth ndërtesave komunale.

    Osmani ka thënë se pret tani nga BE-ja që të marrë vendime për heqje të masave ndaj Kosovës.

    “Përshtypja ime nganjëherë është që shumë shtete e kanë trajtuar Kosovën ato ditë sikurse Kosova ta ketë pushtuar dikë. Kosova nuk e ka pushtuar asnjë territor të shtetit fqinj. Kosova ka vepruar në territorin e republikës së saj”.

    Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Deri më tani datë për mbajtje të zgjedhjeve në komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nuk ka, por Osmani ka thënë se beson që banorët e komunave në veri dëshirojnë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

    “Nuk shoh ndonjë vullnet nga presidenti [serb, Aleksandar] Vuçiq që ai të ndërpresë agresionin institucional që vazhdimisht e kryen në raport me fqinjët. Nuk shoh vullnet nga ai që ta ndërpresë dhunën që nëpërmjet strukturave kriminale vazhdimisht e ushtrojnë ndaj qytetarëve tanë në veri. Prandaj presioni duhet të jetë në Beograd”.

    Më 7 gusht, dhjetëra deputetë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ua kanë nisur një letër kryediplomatëve të vendeve të tyre, me kërkesë që të ndryshohet qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tyre, politikat aktuale nuk po funksionojnë.

    Në letër, deputetët e kanë përmendur edhe zbatimin e një diplomacie parandaluese./REL

  • Kallëzime penale për kryetarët e Tetovës dhe Çairit për pritjen e Albin Kurtit

    Kallëzime penale për kryetarët e Tetovës dhe Çairit për pritjen e Albin Kurtit

    Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka ngritur të martën kallëzime penale kundër kryetarëve të Tetovës dhe Çairit, për, siç ka thënë, “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht.

    Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami dhe ai i Çairit, Visar Ganiu, janë marrë në pyetje të martën nga Policia maqedonase, e cila e ka bërë të ditur vendimin për kallëzimet penale.

    “Gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar më 11.08.2023, në rrugën ‘Ferid Murati’ në Shkup dhe në sheshin e qytetit në Tetovë, nuk është vepruar në përputhje me Ligjin për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë manifestimeve të organizuara me atë rast nuk është kënduar himni shtetëror dhe nuk është vendosur flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka është bërë shkelje nga neni 30 i të njëjtit ligj”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.

    Në komunikatën me shkrim është thënë se “Policia do t’i vazhdojë kërkimet për personin që në një nga manifestimet valëviti flamurin e të ashtuquajturës ‘Shqipëria e Madhe’”.

    Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore, neni 30, parasheh dënime prej 1.000 deri në 5.000 euro në rast se personi publik bën shkeljen e dispozitave, respektivisht nëse nuk përdor këto simbole në manifestimet e përcaktuara me dispozitat tjera ligjore.

    Marrja në pyetje është konfirmuar edhe nga kryetarët e dy komunave, të cilët veprimin e autoriteteve e kanë quajtur “komunist” me qëllim “frikësimi”.

    “Komunizmi këtu nuk ka vdekur, ai është gjallë dhe po e mbajnë gjallë qeveritarët tanë bashkë me Ali Ahmetin e [Arben] Taravarin. Tentimet e këtilla për frikësim dhe heshtje si në kohën e komunizmit, nuk na trembin aspak, bile kokën lartë po vazhdojmë. Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta. Koha e frikësimit të shqiptarëve, arrestimeve të tyre dhe marrjes së tyre nëpër stacione famëkeqe policore ka vdekur”, ka thënë kryetari i Tetovës, Bilall Kasami përmes një postimi në Facebook.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në këto dy komuna të banuara me popullatë shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami.

    Kurti ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit, Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë ka marrë pjesë në përurimin e një rruge në Malësinë e Tetovës.

    Gjatë kësaj vizite Kurti dhe kreu i Tetovës kanë folur për nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometrash, që do ta lidhte Tetovën me Prizrenin.

    Qëndrimi i kryeministrit Kurti në Tetovë dhe Çair, respektivisht përdorimi i ikonografisë shqiptare gjatë manifestimeve të organizuara, ka shkaktuar reagime të shumta, përfshirë edhe nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite.