ATV

Tag: Ballina

  • Arrestohet Ridvan Muharremi

    Arrestohet Ridvan Muharremi

    Policia e Kosovës e ka arrestuar Ridvan Muharremi, në lokalin e tij.

    Policia e për orë të tëra ka qëndruar duke bastisur këtë lokacion dhe banesën e Muharremit.

    Në mëngjes e së premtes Policia e Kosovës ka zbarkuar në lokalin “Bukë e Zemër”, pronë e Ridvan Muharremit.

    Mahmut Halimi, avokati i Muharremit, tha se për klientin e tij ende nuk ka flet-arrest, duke shtuar se ia kanë dorëzuar Policisë të gjitha provat.

    Aksioni vjen pas publikimit të inicizimeve për skandalin e grurit dhe vajit./atvlive.tv

  • Përfundon bastisja në banesën e Ridvan Muharremit – avokati thotë se ende s’ka flet-arrest për të

    Përfundon bastisja në banesën e Ridvan Muharremit – avokati thotë se ende s’ka flet-arrest për të

    Pas më shumë se dy orësh Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjen e banesë së Ridvan Muharremit, në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

    Mahmut Halimi, avokati i Muharremit, tha se për klientin e tij ende nuk ka fletarrest, duke shtuar se ia kanë dorëzuar Policisë të gjitha provat.

    “Kemi ende punë edhe pak. Ende nuk kemi flet arrest. Normal është pronar i banese pa të nuk kryhet bastisja. Normal i ka dorëzuar të gjitha materialet që i kemi përgatitur me kohe, jemi përgatitur për të vërteten. Po keni mujt me i lexuar me përcjell para tri dite ka qenë një reagim të cilën i ka drejtuar opinionit publik përmes televizionit zotëri Ridvan, është njoftuar opinioni dhe organet e vendit”.

    “Jo s’ka kurgja, ka materiale prova të cilat në një mënyrë portali i cili tash po thonë Berat Buzhala, letë të jetë Berat Buzhala, lë të jetë kush do ky është shtet i Kosovës. Ku çdo qytetar ka të drejt ti shpreh shqetësimet e reagimet e veta. Absolut nuk dyshoj, absolut nuk dyshoj, të gjitha në mënyrë perfektë janë përgatitur me kohë”.

    “… pse bash zotëri Ridvan kur s’ka lidhje me gjitha ato punë të cilat i janë publikuar përmes portalit të Berat Buzhalës. As një pozitë nuk e ka, as një pozitë nuk e ka. Nuk është përzier ka me u njoftuar opinioni për të gjitha. Po i lirë është, jemi ende duke i kryer procedurat e bastisjes, janë do rregulla për të cilat më vonë do të jeni të njoftuar. Po ka me u ftuar me siguri ne kemi kërkuar. S’ka flet arrest”, tha avokati.

    Pas banesës dhe restaurantit të Ridvan Muharremit, Policia e ka bastisur edhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

  • William Walker: Vuçiqi do duhej të ishte në Hagë, jo Thaçi

    William Walker: Vuçiqi do duhej të ishte në Hagë, jo Thaçi

    Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori  William Walker, masat ndëshkuese ndaj Kosovës po i cilëson si të padrejta.

    Madje, diplomatin amerikan është e pazakonshme që një vendi demokratik t’i vihen sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Konsideroj që masat ndëshkuese apo sanksionet, sido që t’i quani ato, janë të padrejta ndaj Kosovës. Masa ndëshkuese u vihen atyre shteteve që i shkelin ligjet ndërkombëtare, siç është rasti me Rusinë. Nuk është normale që BE-ja dhe SHBA-të ta sanksionojnë një vend demokratik siç është Kosova. Kjo është me të vërtetë diçka e pazakonshme”, tha Walker.

    Walker shprehet pesimist për të ardhmen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas tij, kjo e fundit nuk është akoma e gatshme të ndryshoj dhe ta njoh pavarësinë e Kosovës.

    “Për çfarë dialogu jemi duke folur? Krerët shtetërorë serbë e kanë bërë të qartë se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Si mund të jesh optimist për të ardhmen e dialogut kur Serbia nuk është e gatshme të ndryshoj. Tani shikoni se çfarë qasje destruktive ka Serbia, ndërsa Perëndimi i bënë presionin vendit më demokratik në rajon”, u shpreh Walker.

    Diplomati amerikan në pension thotë se disa prej vendimmarrësve aktual në Uashington janë shumë të painformuar për historinë e Kosovës, dhe për këtë, ai shprehet shumë i shqetësuar.

    “Ka ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe SHBA-të tani e shohin më ndryshe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mos harroni se kanë kaluar 23 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Duhet ta dini që në vendimmarrjen amerikane nuk janë më personat e njëjtë dhe tani jam shumë i shqetësuar se sa të painformuar janë disa prej tyre për të kaluarën e Kosovës. Prandaj do t’u sugjeroja që të lexonin më shumë histori”, shtoi ai.

    Walker i ka disa fjalë edhe për presidentin aktual serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Po ta kishim një situatë normale, sot në bankën e të akuzuarve në Hagë do duhej të ishte ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq, e jo Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli. Të gjithë e dimë se çfarë roli ka pasur gjatë viteve të 90-ta Aleksandër Vuçiqi, dhe sot imagjinoni ai është President i Serbisë dhe për më tepër respektohet nga partnerët ndërkombëtar. Këtu e keni vetëm një shembull se sa shumë ka ndryshuar komuniteti ndërkombëtar në raport me Kosovën”, tha Walker.

    Ndryshe, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka mohuar të ketë qenë i ashpër me Kosovën dhe i butë me Serbinë.

  • Presidentja Osmani sot viziton Klinën

    Presidentja Osmani sot viziton Klinën

    Presidentja Vjosa Osmani do të vizitojë sot Komunën e Klinës.

    Sipas njoftimit, atje, e para e vendit do të takohet me institucionet komunale, me qytetarë, si dhe do të vizitojë biznese e organizata joqeveritare.

    Në ora 12:00, ajo do të pritet në takim nga kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj. Ndërkaq në ora 12:40, Osmani dhe Elezaj do të deklarohen për media.

    Kjo është vizita e dytë e Osmanit në kuadër të vizitave në komunat e vendit për këtë javë, pasi të martën ajo qëndroi në Dragash.

  • Informimi, si zëvendësim për shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Informimi, si zëvendësim për shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Qeveria ka finalizuar draftin e një udhëzimi administrativ për edukimin, vetëdijesimin dhe ngritjen e potencialit të qytetarëve për shërbim në fushën e mbrojtjes. Ajo ka paraparë ngritjen e ekipeve mobile nëpër komuna, në të cilat zyrtarë civilë dhe ushtarakë do të ligjërojnë dhe demonstrojnë edhe në praktikë aftësitë për mbrojtje. Por, njohës të çështjeve të sigurisë thonë se, në vend të kësaj, Qeveria duhej ta bënte të detyrueshëm shërbimin ushtarak.

    Njohës të Sigurisë janë shprehur skeptikë me nismën e Qeverisë, sipas së cilës në komunat e Kosovës do të ngrihen qendra, në të cilat të rinjtë do të aftësohen teorikisht dhe në praktikë për ta mbrojtur territorin e shtetit. Ata thonë se, në vend të kësaj, Qeveria duhej ta bënte të detyrueshëm shërbimin ushtarak.

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Suad Bikliqi, thotë se informimi i qytetarëve për fushën e mbrojtjes është i nevojshëm, por kërkon diçka tjetër.

    “Në aspektin e draftudhëzimit, i hartuar nga MM-ja, nuk mendoj që mund të ketë shumë efektivitet kjo pjesë e vetëdijesimit duke ndërtuar zyra mobile nëpër qytete të ndryshme ose në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Kjo, sepse koha që iu ofrohet qytetarëve të Republikës së Kosovës është e shkurtër dhe nuk mund të ndikojë shumë në pjesën e vetëdijesimit”, ka thënë Bikliqi.

    Është Ministria e Mbrojtjes ajo që ka finalizuar draftin e një udhëzimi administrativ, i cili ka për qëllim përcaktimin e autoriteteve, përgjegjësitë, mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të edukimit, vetëdijesimit dhe ngritjes së potencialit të qytetarëve për shërbim në fushën e mbrojtjes.

    “Zyrat mobile do të jenë të kompletuara me pajisje dhe me personel të trajnuar, i cili do të angazhohet për prezantimin e politikave të edukimit, vetëdijesimit dhe angazhimit të qytetarëve në fushën e mbrojtjes”, thuhet në dokument.

    Udhëzimi administrativ është paraparë të zbatohet nga personeli civil dhe ushtarak që shërbejnë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë.

    Në nenin e shtatë të draftit janë listuar aspektet që duhet t’i përmbajë Programi për realizimin e aktiviteteve të kësaj politike. Ne mesin e tyre është edhe ofrimi i informacioneve për fushën e mbrojtjes, si dhe motivimi dhe nxitja për përfshirje në FSK. Po ashtu janë paraparë edhe orë teorike e edhe ofrimi i trajnimeve praktike për të rinjtë vullnetarë.

    Njohësi Suad Bikliqi konsideron se nxitja e të rinjve për të shërbyer në FSK do të ishte më e suksesshme nëse do të realizohej përmes shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

    “Në aspektin e sigurisë pa dyshim se kjo nismë e ka një pjesë të efektit të saj se qytetarët vetëdijesohen, por sa i përket nxitjes, unë mendoj që mënyra më e mirë për nxitjen ose angazhimin e të rinjve në Ushtrinë e Kosovës është vetë shërbimi obligues ushtarak në Republikën tonë”, ka thënë ai.

    Vetëvendosja që qeveris me vendin është zotuar sa ka qenë në opozitë se, kur ta marrë pushtetin, do ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak. Por, pas marrjes së pushtetit, veprime për këtë nuk ka ndërmarrë, ndërkaq zyrtarë të saj kanë thënë se një politikë e tillë do të ishte e kushtueshme.

  • Osmani: Dorëheqja e tre zyrtarëve policorë serbë, rezultat i kërcënimeve të Beogradit

    Osmani: Dorëheqja e tre zyrtarëve policorë serbë, rezultat i kërcënimeve të Beogradit

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se dorëheqja e tre zyrtarëve policorë serbë vjen nga kërcënimet direkte të Serbisë.

    Me anë të një postimi në Twitter, ajo ka deklaruar se Kosova do të vazhdojë të ofrojë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.

    “Dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia, një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e Millosheviqit”.

    “Ne do të vazhdojmë të sigurojmë gjithëpërfshirje në të gjitha institucionet dhe një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, ka thënë Osmani.

    Paparaci të enjten ka marrë vesh se policët e dorëhequr kanë arritur marrëveshje për të marrë pagë dhe garanci për punë të mëtejshme nga kryekrimineli i veriut, Milan Radojiçiq.

  • ​Rohde reagon pas dorëheqjes së tre policëve serbë: Duhet të kryejnë detyrat pa frikë

    ​Rohde reagon pas dorëheqjes së tre policëve serbë: Duhet të kryejnë detyrat pa frikë

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se pajtohet me shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, se një vend multietnik, kërkon një polici multietnike.

    Ky reagim i ambasadorit Rohdes vjen pas dorëheqjes së fundit të tre serbëve të saporekrutuar në Policinë e Kosovës.

    “Jam plotësisht dakord: një vend multietnik kërkon një polici multietnike. Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës – pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin – duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

    Ndërsa, shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Barbano, tha se EULEX-i po i ndjekin nga afër zhvillimet, të cilat i quajti shqetësuese.

  • Ish-zëdhënësi i KFOR-it: Lista Serbe sabotoi iniciativat për serbët e Kosovës, nuk e kundërshtuam shumë këtë

    Ish-zëdhënësi i KFOR-it: Lista Serbe sabotoi iniciativat për serbët e Kosovës, nuk e kundërshtuam shumë këtë

    Ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vicenzo Grasso, ka thënë se nuk është ndonjë befasi dorëheqja e tre serbëve nga pozita që kishin si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    Sipas tij, Serbia nuk i mbështet iniciativat që kanë për qëllim integrimin e serbëve në Kosovë.

    “Nuk vjen si befasi! Beogradi, përmes Listës Serbe, gjithmonë e ka sabotuar çdo iniciativë që çon në integrimin e serbëve për zhvillimin e shoqërisë paqësore shumëkombëshe në Kosovë. Ata e kanë bërë këtë gjithmonë dhe ne e kemi toleruar gjithmonë pa e kundërshtuar fort këtë sjellje”, ka thënë Grasso.

    Grasso, ka reaguar në një postim në X të shefit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Barbano, ku tha se EULEX-i po i ndjek nga afër zhvillimet e fundit, të cilat i quajti shqetësuese.

  • Kurti takohet me kryesuesin e KGjK-së, flasin për reformat në drejtësi e gjykatën në Mitrovicë të veriut

    Kurti takohet me kryesuesin e KGjK-së, flasin për reformat në drejtësi e gjykatën në Mitrovicë të veriut

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

    Temë e takimit ishin planifikimet e Këshillit Gjyqësor për efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor, rezultatet e deritanishme të Gjykatës Komerciale pas funksionalizmit të saj, reformat në drejtësi dhe gjithashtu funksionimi i Gjykatës në Mitrovicën e Veriut.

    U dakorduan për intensifikimin e bashkëpunimit rreth reformës në drejtësi, si dhe çështjeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit.

    Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministri, Blerim Sallahu, ndërkaq nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përveç kryesuesit, e pranishme ishte edhe anëtarja e KGjK-së, Drita Rexhaj.

  • ​Dëshmitarja në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, thotë se që nga koha e luftës nuk e pa më bashkëshortin dhe djalin

    ​Dëshmitarja në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, thotë se që nga koha e luftës nuk e pa më bashkëshortin dhe djalin

    Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon intervistimi i dëshmitarit të shtatëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ajo është Dragica Bozhaniq dhe po dëshmon pa masa mbrojtëse në seancë publike.

    Trupi gjykues ka bërë të ditur se synojnë që dëshmia e saj të përfundojë sot.

    Dragica Bozhariq është dëshmitarja e radhës në rastin e krerëve të UÇK-së. Prokurori e ka paraqitur një përmbledhje të dëshmisë së dëshmitares, ku pjesëtarë të UÇK-së, sipas dëshmitares, i kishin marrë burrat duke i ndaluar.

    Dëshmitarja kushëririn dhe djalin i kishte pasur pjesë të Ushtrisë së Serbisë.

    Ajo pretendon se që nga koha e luftës nuk i kishte parë më bashkëshortin dhe djalin.

    Përmbledhja e prokurorit:

    Në korrik 1998 Dragica Bozhariq jetonte në komunën e Rahovecit me familje. Gjatë natës duke u gdhirë 18 korriku i 1998, dëshmitarja anëtarët e familjes dhe anëtarë të tjerë serbë u sulmuan nga UÇK-ja në banesat e tyre. Në mëngjesin e 18 korrikut 1998, serbët u dorëzuan. Dhe i dërguan me veturë në një fshat afër. Aty UÇK-ja i ndau burrat nga gratë, te burrat ishin djali dhe bashkëshorti i dëshmitares. Gratë qëndruan në të njëjtën banesë. Ajo dëgjonte që burrat serbë i rrihnin. Dëshmitarët e morën në pyetje për kushëririn dhe djalin që kishin shërbyer në ushtrinë serbe.

    Me atë rast, kur e pa bashkëshortin e pa se edhe ai kishte mavijosje në fytyrë. Të gjitha gratë serbe në të njëjtën ditë, u dërguan për në Zoqishtë ku dëshmitarja ua dha letrën që ia kishte dhënë bashkëshorti. Ata i mbajtën të ndaluar burrat serbë. Gratë i dërguan në Manastir ku qëndruan për dy ditë. Më pas UÇK-ja i zhvendosi civilët në Semetishtë dhe i mbajti të ndaluar për një natë në shkollën e fshatit. Disa prej serbëve u morën në pyetje. Dëshmitarja dhe të ndaluarit e tjerë më pas u liruan nga Kryqi i Kuq.Dëshmitarja nuk e pa më kurrë bashkëshortin dhe djalin.

    Këtë dëshmi, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi po e përcjellin përmes video lidhjes nga qendra e paraburgimit, ndërsa Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

    Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar gjashtëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, vetëm dy prej tyre pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.