ATV

Tag: Ballina

  • Instituti GAP: Rritet transparenca buxhetore në komuna

    Instituti GAP: Rritet transparenca buxhetore në komuna

    Instituti GAP ka publikuar dje raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2022”. Ky raport paraqet vlerësimin e shtatë të Institutit GAP mbi transparencën buxhetore të komunave në Kosovë.

    Vlerësimi bëhet duke u bazuar në numrin e dokumenteve buxhetore të publikuara, organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë, si dhe përgjigjeve të komunave në kërkesat e Institutit GAP për qasje në dokumente publike.

    Në vitin 2022, transparenca buxhetore e komunave ishte në nivelin më të lartë që nga publikimi i parë i indeksit, me një mesatare prej 62.8 pikësh. Nga gjithsej 100 pikë të vlerësimit, 28 komuna (73.7%) kanë arritur të kenë më shumë se 50 pikë. Maksimumin e pikëve të indeksit prej 100 pikë për vitin 2022 e kanë arritur shtatë komuna: Drenasi, Klina, Lipjani, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Rahoveci dhe Skenderaj.

    Si rezultat i rritjes së numrit të dokumenteve buxhetore të publikuara, dëgjimeve buxhetore të mbajtura dhe përmirësimit të formatit të publikimit të dokumenteve, 25 komuna kanë shënuar progres në vlerësimin me pikë, katër komuna kanë shënuar regres, ndërsa komunat e tjera kanë pikë të njëjta sikur vitin e kaluar. Progresin më të madh me pikë në indeksin e vitit 2022 e kanë shënuar Komuna e Skënderajit (+42.5 pikë), Prizrenit (+32.5 pikë), Vushtrrisë (+31.5 pikë), Podujevës (+30 pikë) dhe e Klinës (+30 pikë). Ndërsa, regresin më të madh në renditje për vitin 2022 e ka shënuar Kaçaniku (-14 pozita), Obiliqi (-10 pozita), Graçanica (-10 pozita), Gjilani (-9 pozita) dhe Malisheva (-8 pozita).

    “Gjatë vitit 2022, së bashku komunat kanë publikuar 258 dokumente buxhetore. Nga 38 komuna, vetëm 15 prej tyre i kanë publikuar të gjitha dokumentet buxhetore që obligohen t’i publikojnë sipas Udhëzimit administrativ të MAPL-së për transparencë buxhetore në komuna. Në anën tjetër, komunat kanë shënuar progres të madh në publikimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, ku gjithsej 22 komuna (dhjetë më shumë sesa vitin e kaluar) e kanë publikuar në ueb-faqet e tyre apo e kanë dërguar përmes kërkesës këtë dokument të rëndësishëm buxhetor”, thuhet në njoftimin e GAP-it.

  • Katër kosovarë plagosen nga shpërthimi në një motoskaf në Dhërmi

    Katër kosovarë plagosen nga shpërthimi në një motoskaf në Dhërmi

    Katër shtetas të Kosovës janë plagosur të martën në plazhin e Dhërmisë në Shqipëri, për shkak të shpërthimit të një motoskafi në det.

    Policia e Shtetit ka thënë se dyshon se për shkak të vakumit dhe nxehtësisë ka shpërthyer bidoni me 28 litra benzinë në mjet.

    Sipas autoriteteve, djegie kanë pësuar katër kosovarët dhe drejtuesi i motoskafit.

    Të plagosurit nga Kosova janë tre djem të moshës 24 vjeç, dhe një vajzë 21 vjeçe, ndërsa drejtuesi i motoskafit është 32 vjeç, banor i Vlorës, qytet tjetër në Shqipëri.

    Ata tashmë e kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe është thënë të jenë lëshuar nga spitali.

    Për këtë incident është krijuar një grup hetimor, me qëllim të zbulimit të shkakut të zjarrit.

  • Presidentja për reagimet rreth vizitës së Kurtit në Maqedoni të Veriut, keqkuptim që tejkalohet

    Presidentja për reagimet rreth vizitës së Kurtit në Maqedoni të Veriut, keqkuptim që tejkalohet

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Vizita e kryeministrit Albin Kurti, në Maqedoni të Veriut, ngjalli reagime të shumta.

    Madje, presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, bëri thirrje që organizatorët e dy ngjarjeve në Çair dhe Tetovë, të sanksionohen. Mirëpo, presidentja Vjosa Osmani, mendon që vizita e kryeministrit kosovar është keqkuptuar.

    “Kjo besoj që është një keqkuptim i vogël, që kur kemi vullnet të dyja palët, siç e kemi dëshmuar gjithnjë, tejkalohet, duke e ditur që të gjitha institucionet e Kosovës janë të interesuara vetëm për relacione pozitive gjithnjë në rritje me Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.

    Presidentja foli edhe për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, që vazhdojnë të mbesin në fuqi, pavarësisht që sipas Osmanit, pala kosovare e ka respektuar marrëveshjen e Bratislavës plotësisht.

    “Nuk është përgjigje që nxitë bashkëpunimin dhe koordinimin , përkundrazi është përgjigje e cila më së shumti i bën dëm procesit të dialogut që e qet komplet jashtë binarëve ku të dyja palët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë. Serbia ka pasur njerëz të saj që kanë sulmuar ushtarët e NATOS-. Për këta njerëz ka dëshmi të sakta. Ata njerëz janë në video, dihet kush janë, disa prej tyre janë policë të Serbisë dhe nuk ka asnjë masë të vetme në raport me Serbinë”, tha Osmani.

    Teksa përmendi faktin se institucionet përkatëse po punojnë për të krijuar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, presidentja beson se serbët e veriut dëshirojnë të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.

    “Unë jam e bindur që qytetarët dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, dhe për këtë jam e bindur nga komunikimet që kemi çdo ditë. Ata dëshirojnë të shfrytëzojnë këtë të drejtë, në mënyrë që të kenë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të zgjedhin kryetarët e komunave që e marrin votën e qytetarëve në zgjedhje të lira e demokratike. Mirëpo, deri më tani, unë nuk shoh ndonjë vullnet nga presidenti Vuçiq, që të ndërpresë agresionin institucional që vazhdimisht e kryen në raport me fqinjët”, tha Osmani.

    Këto qëndrime, presidentja Vjosa Osmani i shpalosi gjatë një konference të përbashkët me kryetarin e komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në parkun e Ulpianës zbulohet një dedikim nga perandori Justinian

    Në parkun e Ulpianës zbulohet një dedikim nga perandori Justinian

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Me mistri e fshesa të vogla, arritën të zbulojnë një mbishkrim të rëndësishëm historik. Arkeologët që punuan në parkun arkeologjik të Ulpianës, zbuluan një mbishkrim romak që daton nga shekulli i 6-të.

    Mbishkrim monumental i është dedikuar Theodores, bashkëshortes së Perandorit romak, Justinian i qytetit Justiniana Secunda, ndryshe dëshmi e rrallë e lidhjes së tij me Dardaninë, vendin e tij të origjinës.

    “Kemi identifikua një kishe një bazilikë të përmasave të mëdha që është e përmasave te katedrales Nënë Tereza, kemi zbulua mbishkrim që ka rëndësi të madhe historike, është mbishkrim që tregon që ishte perandori Justinian ai që kishte marr vendimin për me u ndërtua qyteti. Me këtë rast pra kanë ndërtua edhe kisha, në këtë mbishkrim qyteti përmendet si Dardani, që tregon që dardanët në mesjetë kanë dalë si një etnitet i konsilidum dhe është agrumet që tregon se dardanët nuk janë romanizuar dhe kanë ruajtur identitetin e tyre ky mbishkrim, është agrumet më rëndësishëm që e vërteton atë”, tha arkeologu, Arben Hajdari.

    Christoph Goddard, udhëheqës i gërmimeve, tha se në asnjërën prej gërmimeve që ka bërë deri më sot nuk ka hasur në gjetje kaq të veçantë.

    “Për mua dhe për kolegët e mi ky zbulim, ka një kuptim të veçantë dhe një jetëgjatësi. Ne kemi gërmuar edhe në Pompei dhe në Romë, por kurrë nuk e kemi bërë një zbulim të tillë. Çfarë është më e çuditshmja është fakti që mbishkrimin e të madhit Justinian dhe gruas së tijë Theodores, e gjetëm në një ndërtim kaq të madh. Plani jonë nuk është që të mbajmë të fshehtë ndonjë gjë, por të bëjmë publike çdo gjë, derisa ne ende do të vazhdojmë me gërmime”, tha Christoph Goddard, udhëheqës i gërmimeve.

    Edhe për arkeologen, Tringa Berbatovci, zbulimi i një mozaiku të tillë është fakt që dëshmon antikitetin e vonë në Kosovë.

    “Kisha fatin me qenë pjesë e këtyre gërmimeve, ky mozaik tregon shumë, kjo tregon edhe një fakt tjetër sjellë një dritë ku dëshmon antikitetin e vonë në Kosovë, që qyteti i Dardanisë vazhdon të përmendet edhe në kohën e Justiniatit në shekullin e pestë”, tha Tringa Berbatovci, arkeologe.

    Pas zbulimit të madh arkeologët janë pritur të martën nga kryeministri, Albin Kurti, i cili i falënderoi për punën.

    Për zbulimin e këtij mozaiku në Ulpianë reagime ka pasur edhe nga personalitetet të tjera. Presidentja, Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjete sociale tha se “Ulpiana është udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë”.

    Ndërkaq, ministri i Kulturës, Hajrullah Ceku i cili tha se mbishkrimi dëshmon afërsinë e perandorit ndaj provincës së origjinës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dorëzohet i dyshuari për vrasjen në Klinë

    Dorëzohet i dyshuari për vrasjen në Klinë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Pavarësisht përpjekjeve, Policia nuk kishte mundur ta arrestonte Tush Frrokun, të dyshuarin për vrasjen e Anton Prelës në Klinë.

    Për gjetjen e tij, punë nuk kreu as droni i Prokurorisë, derisa Frroku, gjatë ditës është dorëzuar në stacionin e Policisë në Pejë.

    “Tush Frroku gjendet ne Stacion Policor, ku me urdhër te prokurorit te shtetit do ndalohet fillimisht për 48 orë dhe brenda afati ligjor ndaj tij do parashtrohet kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit”, ka njoftuar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.

    Ndërkohë, përpjekjet e policisë nuk kanë rezultuar të suksesshme në gjetjen e autorit të vrasjes së 39 vjecarit në një kafene të Prishtinës para 11 ditësh, e as për atë të vrasjes në Runik të Skenderajt.

    Pavarësisht se dy vrasjet u kryen në hapësira publike e në sy të shumë dëshmitarëve, autorët janë ende në arrati.

    Sipas njohësve të drejtësisë, duhet të bëhet më shumë për arrestimin e tyre.

    “Organet e drejtësisë, në rastin konkret Policia, duhet që me intensitetin më të madh t’i kryejnë hetimet, në mënyrë që autorët të sillen para drejtëisë. Cdo moment që kalon, ofron pasiguri për qytetarët tjerë”, tha Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Në rast se autorët kanë arritur të largohen nga Kosova, tentimi për arrestimin e tyre vështirësohet edhe më shumë.

    “Ndodh që vendet që nuk kanë bashkë punim me Kosovën, edhe nëse e arrestojnë, refuzojnë ta esktratojnë meqë kosova nuk është pjesë e Interpolit…”, tha Makshana.

    I dyshuari për vrasjen në Klinë, Tush Frroku ishte dënuar me 11 muaj burgim për tri vepra penale “vjedhje e rëndë”, ndërsa në vitin 2012, ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Gërmimet në parkun arkeologjik “Ulpiana”, Kurti takon ekipin udhëheqës

    Gërmimet në parkun arkeologjik “Ulpiana”, Kurti takon ekipin udhëheqës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe këshilltarja e ministrit, Nora Arapi Krasniqi, ka pritur në takim ekipin udhëheqës të gërmimeve në lokalitetin arkeologjik “Ulpiana”, në përbërje të Christophe Goddard nga Universitetit “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe arkeolog, dhe Milot Berisha, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës.

    Kryeministri Kurti falënderoi për punën dhe përkushtimin në projektin “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” që po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Universitetit të Prishtinës dhe atij francez, “Ecole Normale Supérieure”, ndërsa u informua për punën e deritanishme dhe zbulimin e fundit me rëndësi historike në këtë lokalitet.

    “Në takim u theksua se mbishkrimi monumental paraqet një dëshmi shumë të rrallë, një dedikim perandorak nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s) dhe kishës së tij. Zbulimi dëshmon afërsinë e perandorit me provincën e origjinës, ndërkaq Kisha paraqet një strukturë arkitektonike të klasit botëror sikurse ndërtimet e S. Sophia në Konstandinopojë dhe S.Vitale në Ravenë. Kjo kishë po ashtu paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm”, citohet në komunikatë Kurti.

    Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, projekti “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” po realizohet në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional në mes të Ministrisë dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës – Fakultetit Filozofik, Departamenti i Antropologjisë, dhe Universitetit në Paris, “Ecole Normale Supérieure”.

    “Në korrik të vitit të kaluar ishte nënshkruar vazhdimi i marrëveshjes fillestare të bashkëpunimit nga viti 2017. Projekti ka një shtrirje kohore tre vjeçare dhe buron nga ligji për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare për IPA 2020 në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, dhe financohet nga fondet IPA II të Bashkimit Evropian në vlerë prej 1 milion euro”, thuhet në njoftim.

    Përmes tij është siguruar mbështetje teknike, shkencore dhe financiare për zhvillim të lokaliteti Arkeologjik Ulpiana si aset me vlera të rëndësishme historike, artistike, shkencore dhe ekonomike.

    Në fund të komunikatës thuhet se përpos mbështetjes teknike dhe shkencore, ky bashkëpunim ndikon në ngritje të kapaciteteve profesionale shkencore, përmes programit të shkëmbimit të studiuesve, profesorëve, arkeologëve dhe studentëve, dhe trajnimeve të përbashkëta.

  • CNN: Perëndimi nuk sheh qasje ‘të keqe’ ndaj Vuçiqit që rrezikon të destabilizojë Ballkanin

    CNN: Perëndimi nuk sheh qasje ‘të keqe’ ndaj Vuçiqit që rrezikon të destabilizojë Ballkanin

    Kur Rusia pushtoi Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian përshpejtuan orientimin e tyre drejt Serbisë. Në vend që të manipulonin kërkesat kontradiktore të shteteve pluraliste dhe të ndara ballkanike, kryeqytetet perëndimore përqendruan pjesën më të madhe të përpjekjeve të tyre në një objektiv të veçantë, shkruan CNN.

    Në artikullin e publikuar nga CNN, thuhet po ashtu se politikat e tyre kishin dy synime: së pari, për ta futur Serbinë në rrethin perëndimor, larg Rusisë, dhe së dyti, të lejojnë administratat e tyre përkatëse të fokusohen plotësisht në mbështetjen e Ukrainës, transmeton KosovaPress.

    “Tradicionalisht një nga aleatët më të afërt të Moskës në Evropë, Beogradi është përpjekur prej kohësh të shkelë kufirin midis lidhjeve të tij historike me Rusinë dhe një të ardhmeje të mundshme të integrimit më të ngushtë evropian. Diplomatët perëndimorë kanë kërkuar të tërheqin presidentin serb Aleksandar Vuqiç nga orbita e homologut të tij rus, presidentit Vladimir Putin, duke u zotuar për një rrugë më të shpejtë drejt anëtarësimit në BE, duke paralajmëruar njëkohësisht për izolim nëse thyejnë rendin.”

    Por, 18 muaj më vonë, disa vëzhgues thonë se qasja aktuale ka qenë e gjitha me shpërblime dhe pa ndëshkime, dhe si rezultat nuk po mund të arrijë të dy synimet e saj, thuhet më tej.

    Serbia ka refuzuar të marrë pjesë në të gjitha raundet e sanksioneve të BE-së kundër Putinit. Dhe Serbia ka vazhduar të ndjekë interesat e veta në rajon me përgjegjshmëri të zvogëluar, duke nxitur konflikte jashtë vendit për të larguar vëmendjen nga pakënaqësia në vend, e sigurt se nuk do të qortohen nga Perëndimi.

    Efektet e kësaj janë ndjerë më së shumti në Kosovë, e cila arriti pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas luftërave të përgjakshme ballkanike të viteve 1990. Por Beogradi – dhe shumë serbë etnikë në veri të Kosovës – ende refuzojnë të njohin sovranitetin e saj, duke tensionuar marrëdhëniet mes fqinjëve.

    CNN foli me disa ekspertë, si dhe me vendas në Serbi dhe në veri të Kosovës, të cilët janë të pakënaqur nga përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së për ta tërhequr Serbinë në komunitetin euro-atlantik dhe pretendojnë se ndjekja e vazhdueshme e tyre e politikës rrezikon të largojë aleatët demokratikë dhe të rrisë shqetësimet e sigurisë në rajon.

    “Një kalë trojan rus”

    Qeveritë perëndimore e kanë trajtuar prej kohësh Serbinë si zërin e domosdoshëm ballkanik, ndonjëherë në kurriz të lojtarëve më periferikë, thonë disa vëzhgues.

    “Besimi i tyre është se Serbia është shtet ballkanik, siç e shohin ata. Serbia është ajo që, nëse mund t’i mbështesni – çfarëdo që mund të nënkuptojë – gjithçka do të jetë më e lehtë”, tha për CNN Jasmin Mujanoviq, një shkencëtar politik i specializuar në Ballkanin Perëndimor.

    Ndërsa administratat e njëpasnjëshme amerikane janë përpjekur të sjellin Vuqiçin dhe partinë e tij Progresive Serbe (SNS) “nga të ftohtit”, këto përpjekje “janë bërë veçanërisht të pafytyra” që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tha Mujanoviq dhe nuk i kanë arritur objektivat e SHBA-së.

    “Ata duket se besojnë se po e afrojnë Serbinë drejt BE-së dhe NATO-s dhe drejt mendimit perëndimor dhe larg Rusisë… Por kjo nuk është diçka që do të thosha se po reflektohet në terren”, Alicia Kearns, një ligjvënës britanike dhe kryetarja e Komisionit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme parlamentare, tha për CNN.

    Vuçiq ka mbajtur prej kohësh një marrëdhënie komode me homologun e tij rus, Putin. Duke folur pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në muajin shkurt, Vuçiq arsyetoi vendimin e tij për të mossanksionuar Rusinë sepse ishte “i vetmi vend që nuk kishte vendosur sanksione kundër nesh në vitet 1990”.

    “Ata mbështetën integritetin tonë territorial në Kombet e Bashkuara”, shtoi ai, duke iu referuar refuzimit të Rusisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Serbia humbi kontrollin e Kosovës pas një fushate bombardimi të NATO-s në vitin 1999, e cila i dha fund masakrimit të shqiptarëve etnikë – të cilët përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë së Kosovës – nga forcat serbe.

    Pavarësisht përpjekjeve të mbështetura nga BE drejt tranzicionit energjetik, Serbia mbetet shumë e varur nga Rusia, pasi i ka shitur shumicën e aksioneve të kompanisë së saj të naftës gjigantit shtetëror rus Gazprom.

    Rezultati është se, pavarësisht nga shpresat e deklaruara të Serbisë për t’u bashkuar me BE-në, Vuçiç ka vazhduar të ecë në një litar të ngushtë midis Moskës dhe fuqive perëndimore. Ndonëse ai i është bashkuar rezolutës së OKB-së që dënon pushtimin e Rusisë në Ukrainë, udhëheqësi i Serbisë ka treguar pak vullnet për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore.

    Në muajin prill, qeveria serbe mohoi raportet se i shiste armë dhe municione Ukrainës, pasi doli një dokument i Pentagonit që pretendonte të kundërtën. Serbia tha në atë kohë se ruante politikën e saj të neutralitetit, megjithëse disa zyrtarë perëndimorë i morën raportet si provë se politika e tyre po funksiononte.

    Disa analistë i thanë CNN se Serbisë i është dashur të bëjë shumë pak për të fituar lëvdata nga zyrtarët amerikanë dhe evropianë dhe se në realitet Vuçiq ka lënë një gjurmë premtimesh të thyera.

    “Kur patëm rizgjedhjen e tij [Vuçiqit në vitin 2020], të gjithëve na thanë, vetëm prisni deri pas zgjedhjeve, do të shihni papritmas se ai bëhet shumë i orientuar nga perëndimi dhe Evropa”, tha Kearns. “Kjo nuk ndodhi”.

    “Na u tha se ai do t’i bashkohej sanksioneve dhe do të tregonte se ai është vërtet në anën tonë. Nuk ndodhi. Na thanë se ai nuk do të afrohej më shumë me Rusinë. Ai nënshkroi një marrëveshje sigurie me Putinin në muajin shtator. Herë pas here, ai i qesh në fytyrë Perëndimit. Dhe kur i pyes zyrtarët perëndimorë, ‘pse jeni kaq të vendosur të lejoni Vuçiqin të luajë?’ ata thonë se ‘kjo është alternativa më e mirë’”, tha Kearns.

    Kearns ka qenë një nga figurat e pakta perëndimore që kritikoi Serbinë publikisht. Por kjo ka ardhur me një kosto. Pasi ajo foli për CNN, Vuçiq lëshoi një kërcënim të dukshëm ndaj saj gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror, duke pretenduar se “nëse qeveria e Britanisë së Madhe nuk është e gatshme të reagojë” ndaj kritikave të saj ndaj Serbisë, “ne do të detyrohemi të reagojmë”.

    Duke pasur parasysh një sjellje të tillë, disa pyesin nëse i gjithë projekti i integrimit serb është i zbatueshëm, nën qeverinë e saj aktuale.

    “Duke supozuar se ne e sjellim disi mrekullisht Serbinë në BE, me këtë lloj regjimi, ju praktikisht po sillni një kalë tjetër trojan rus në BE, siç keni në formën e [kryeministrit hungarez Viktor] Orban”, Majda Ruge, një eksperte e Ballkanit në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, tha për CNN.

    “Po, ju mund të ndikoni në zgjerim, por sigurisht që nuk do të neutralizoni ndikimin rus në rajon – thjesht do ta importoni atë në BE”.

    Kosova dhe sundimi i ligjit

    Efektet e qasjes falëse të Perëndimit ndaj Beogradit ndihen më fort në Kosovë, e cila është varur nga mbështetja perëndimore që nga shpallja e pavarësisë. Ndërsa më shumë se 100 vende e njohin sovranitetin e saj, Serbia nuk e njeh, duke e parë atë si një shtet të shkëputur. Përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve – të mbikëqyrura nga SHBA dhe BE – kanë qenë të ngarkuara dhe herë pas here të dhunshme.

    Pika e ndezjes më e ashpër erdhi pas zgjedhjeve për kryetar komunash në katër komunat veriore të Kosovës në muajin maj. Këto zgjedhje shpesh kalojnë pa bujë: Rreth 90% e popullsisë në këtë rajon janë serbë etnikë, dhe kështu, në rrethana të zakonshme, ata zgjedhin serbët etnikë për kryetarë komunash.

    Por këto nuk ishin rrethana të zakonshme. Në nëntor, kryetarët e komunave nga partia Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, e cila dominon katër komunat, dhanë dorëheqjen njëkohësisht. Të njëjtën gjë e bën edhe oficerë policie, personel administrativ dhe gjyqtarë serbë etnikë në rajon.

    Dorëheqjet e tyre shkaktuan zgjedhje të reja, që do të mbaheshin në muajin dhjetor. Lista Serbe tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, pasi serbët në rajon i bojkotuan ato, me mbështetjen e plotë të Vuçiqit. Por, duke pasur parasysh tensionet, Kosova pranoi të shtyjë zgjedhjet deri në muajin prill – një vendim që u vlerësua nga QUINT-i, një grup joformal që përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë.

    Me mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, kandidatët shqiptarë etnikë garuan të pakundërshtueshëm. Zyrtarët zgjedhorë thanë se vetëm rreth 1,500 njerëz votuan në të katër komunat – një pjesëmarrje prej vetëm 3.5%. Disa kryetarë komunash u zgjodhën me rreth 100 vota.

    Por ndërsa zgjedhjet nuk ishin aspak përfaqësuese, për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, çështja kishte ishte që të kishte përfaqësim asgjë më pak se vetë shteti i së drejtës.

    “Kemi katër kryetarë komunash, legjitimiteti i të cilëve është i ulët. Por, megjithatë, nuk ka njeri që është më legjitim se ata. Duhet të kemi shtet ligjor. Ne jemi një republikë demokratike”, tha Kurti për CNN në muajin maj.

    Megjithatë, qëndrimi i kryeministrit është kritikuar si i ashpër dhe pa kompromis. Aleatët e tij e akuzuan atë për hyrjen me forcë në zyrat e kryetarëve të komunave më 26 maj, kur u rrethuan nga protestuesit

    “Shtetet e Bashkuara i thanë Kurtit – dhe këtu ai e ka fajin – ata i thanë të mos i vendoste në ndërtesat komunale (kryetarët). Dhe këtu Kurti e injoroi drejtimin specifik,” tha Edëard Joseph, një pedagog i politikës së jashtme në Universitetin Johns Hopkins, i cili shërbeu për dhjetëra vjet në Ballkan, duke përfshirë NATO-n.

    Një zyrtar i qeverisë së Prishtinës i tha CNN se ata nuk donin t’ua “dorëzonin” ndërtesat zyrtare qeveritare protestuesve. “Kryetarët e komunave hynë në zyrat e tyre… Serbia u kishte kërkuar serbëve që të bojkotojnë zgjedhjet. Tani donin që askush të mos hynte në ato ndërtesa. Por atëherë, pyetja është: Nëse kryetarët e komunave nuk duhet të hyjnë në ndërtesë, kush duhet të hyjë?”

    Por ndërsa Kurti mund të ketë ndërmarrë një veprim të pakoordinuar, përgjigja ndaj kësaj nuk ishte e pashmangshme. Më e keqja e dhunës nuk erdhi në ditën kur kryetarët e komunave hynë në zyrat e tyre, por tri ditë më vonë, në qytetin e Zveçanit – kur kryetari as nuk ishte në ndërtesë.

    Dhuna ishte ekstreme. Dhjetëra paqeruajtës të NATO-s u plagosën pasi u sulmuan nga serbët etnikë. Disa lëndime ishin të rënda: Tre ushtarë hungarezë u qëlluan; njërit prej tyre i është prerë këmba.

    Kurti tha për CNN se këta nuk ishin “protestues paqësorë”, por një “milici fashiste” e njohur për të vepruar në veri të Kosovës, “të cilët paguhen dhe urdhërohen nga Beogradi”.

    Qeveria serbe nuk iu përgjigj kërkesave të shumta për koment.

    Të tjerët pajtohen me Kurtin. Kearns tha për CNN se trupat britanike të stacionuara në Kosovë kishin gjetur “depo armësh të fshehura në kisha dhe ambulanca nga milicia serbe në veri të Kosovës. Kemi dëgjuar për granata jashtë pragut të njerëzve nëse ata refuzojnë të mbështesin milicinë serbe.”

    Pavarësisht kësaj, pjesa më e madhe e përgjigjeve diplomatike është fokusuar në veprimet e Kurtit, për të cilat Kosova ka paguar një çmim të rëndë. Që nga pasojat e zgjedhjeve, Kosova është përjashtuar nga stërvitjet e përbashkëta ushtarake me SHBA-në, është përjashtuar nga projektet evropiane të infrastrukturës dhe është goditur me sanksione që Aleanca Kosovare e Biznesit thotë se mund t’i kushtojnë ekonomisë së saj 500 milionë euro (550 milionë dollarë) deri në fund të këtij viti.

    Kearns kritikoi përgjigjen “e pabalancuar” nga Perëndimi, duke thënë se ajo injoronte shkakun e vërtetë të telasheve. “Fillimi i krizës ishte ndërhyrja e jashtme e qeverisë serbe në punët e brendshme të Kosovës, ku u tha serbëve të Kosovës që të mos votojnë në zgjedhjet lokale. Kjo është ndërhyrje e jashtme”, tha ajo.

    Kurti është përpjekur të shpallë sovranitetin e Kosovës kundër forcave binjake të ndërhyrjes së jashtme dhe dhunës së organizuar, të cilave sipas Mujanoviqit, SHBA-ja dhe BE-ja janë përgjigjur: “Jo. Kjo nuk është e përshtatshme në këto rrethana.”

  • Abdixhiku godet VV-në pasi asamblisti i saj u kap me drogë: Insistuan ta vendosin në Stacion, të hetohet rrjeti dhe mbështetja politike

    Abdixhiku godet VV-në pasi asamblisti i saj u kap me drogë: Insistuan ta vendosin në Stacion, të hetohet rrjeti dhe mbështetja politike

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas arresimit të Besnik Mujecint, asambilstit të VV-së nga Prishtina.

    Ai këtë ngjarje e ka lidhur me tentimin e asamblistëve të VV-së për ta marrë Stacionin e Autobusësve të Kryeqytetit.

    “Sot, teksa një asambleist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asambleist – pikërisht këtë pra – si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në Kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë”, ka shkruar Abdixhiku.

    Reagimi i plotë:

    Të dashur qytetarë,

    Muaj më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte provuar me pazaret më të pabesueshme të mundshme, të përmbyste vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, duke kapur ndërmarrjet publike të Kryeqytetit.

    Kjo tentativë e trishtë e tyre, kishte dështuar pa nisur mirë; ndonëse përballë na shpërfaqeshin grupet kriminale më të çuditshme. Se si ishin bërë bashkë të gjithë kundër shumicës sonë; ishte sa dëshpërim për nivelin politik në vend, aq dhe befasi. Kishte një interes që nuk e kuptonim dot atëherë.

    Synim asokohe – ndër të tjerash – ishte dhe marrja e Stacionit të Autobusësve të Kryeqytetit.

    Sot, teksa një asambleist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asambleist – pikërisht këtë pra – si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në Kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë.

    Pazaret e tilla duket se kanë patur një qëllim më të thellë. Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë.

    Ftoj Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet; në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces.

    Qytetarët e Prishtinës i sigurojmë se bandat e tilla narkotike, s’do të kenë asnjëherë hapësirë në Kryeqytet. Prishtina e para ka provuar mashtruesit, e para është liruar nga ta. Po punojmë, nëpërmjet ‘Rrugës së Re’ për përfundim të njëjtë në gjithë Kosovën.

  • ​Qeveria tregon numrin e këshilltarëve të angazhuar në kabinetin e Kurtit

    ​Qeveria tregon numrin e këshilltarëve të angazhuar në kabinetin e Kurtit

    Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve në media për numrin e këshilltareve të kryeministrit Albin Kurti.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se kryeministri Kurti nuk i ka të angazhuar 38 këshilltarë ashtu siç është raportuar.

    Kryeziu ka shkruar në Facebook se numri total i këshilltarëve, përfshirë ata të jashtëm, është 25. Prej tyre 8, duke qenë të jashtëm, nuk paguhen nga buxheti i shtetit.

    Ai tha se numri 38 i raportuar mbrëmë (e hënë) përfaqëson numrin total të stafit të emëruar të Kryeministrit: 25 këshilltarë, 10 nëpunës, ku bëjnë pjesë zyrtaret ekzekutive dhe administrative, fotografi, zyrtarët e protokollit, asistentët

    “Ky raportim i mbrëmshëm nuk është i saktë dhe atë në mënyrë të dyfishtë. Së pari, kryeministri Kurti nuk i ka të angazhuar 38 këshilltarë. Numri total i këshilltarëve, përfshirë ata të jashtëm, është 25. Prej tyre 8, duke qenë të jashtëm, nuk paguhen nga buxheti i Shtetit. Së dyti, kryeministri Kurti nuk ka numër më të lartë të këshilltarëve se ç’kishte ish-kryeministri Haradinaj. Numri total i këshilltarëve të emëruar, përfshirë ata të jashtëm, të ish-kryeministrit Haradinaj sipas të dhënave të muajit janar 2020 ishte 33”, ka shkruar Kryeziu.

    Ai më tej ka thënë se kabineti i Kryeministrit përbëhet nga këshilltarët politikë, nëpunësit e kabinetit dhe këshilltarët e jashtëm.

    “Ata së bashku përbëjnë stafin e Kryeministrit. Numri 38 i raportuar mbrëmë përfaqëson numrin total të stafit të emëruar të Kryeministrit: 25 këshilltarë, 10 nëpunës, ku bëjnë pjesë zyrtaret ekzekutive dhe administrative, fotografi, zyrtarët e protokollit, asistentët—pra që nuk janë këshilltarë—, dhe të 3 të tjerë të emëruar të kryeministrit, ku përfshihen Kryesuesi i Komisionit Qeveritare për Personat e Zhdukur/Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e Personave të Zhdukur, koordinatori i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar Kosovë -Shqipëri, dhe koordinatorja për funksionalizimin e Fondit Sovran, të cilët kanë mandate të veçanta”, ka shkruar në Facebook Kryeziu.

  • Nagavci: Viti i ri shkollor fillon më 1 shtator, risi pushim vjeshtor – detajet për shpërndarjen e teksteve në fund të javës

    Nagavci: Viti i ri shkollor fillon më 1 shtator, risi pushim vjeshtor – detajet për shpërndarjen e teksteve në fund të javës

    Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka mbajtur konferencë për medie në të cilin ka folur për punën që ka bërë kjo ministri përgjatë muajit korrik, raporton Ekonomia Online.

    Ajo ka konfirmuar se viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator, teksa përmendi se risi do të jetë pushimi vjeshtor. Sa i përket reagimit të Asociacionit të Komunave për vonesat në shpërndarjen e teksteve shkollore, ministria tha se në fund të kësaj jave do të bëhen të ditura të gjitha detajet për këtë proces.

    “Kemi finalizuar kalendarin vitit ri shkollor 2023/24. Sipas udhëzimit administrative, viti ri shkollor fillon më 1 shtator. Risi është se do të kemi edhe pushimi vjeshtor, në mënyrë që të kemi balancim mes ngarkesës së fëmijëve gjatë gjithë vitit të ri shkollor”.

    “Sa i përket teksteve shkollore unë e kam parë reagimin e Asociacionet të komunave është një proces që përballemi me shumë sfida. Ne fund të kësaj jave do të njoftoj më hollësisht për gjithë procesin edhe ndryshimit që po planifikojmë për tekstet mësimore. Që nga marrja e mandatit jemi angazhuar që të kemi cilësi në tekste mësimore”.

    “Janë një varg veprimesh në mënyrë që të sigurohemi se tekste që mësojnë fëmijët tanë të jenë sa më shumë cilësore. Në këtë linjë shpresoj që të arrijmë që më kohë të furnizojmë me tekste mësimore. Me sa jam njoftuar nga ekipi që negocion për kontratat për blerjen e teksteve,  ka tekste shkollore që janë përcaktuar me shuma të mëdha, me 13,14, 15 euro”, tha ajo.

    Nagavci po ashtu tha se tashmë kanë ndarë mjetet për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit në Luginë, duke përmendur ndërtimin e disa çerdheve.

    “Këtë konferencë po e nisi me njoftimin për arsimin dual, të cilin e filluam në vitin shkollor 2021-2022 me katër profile këtë vit po e zgjerojmë edhe më tetë profile të reja. Përveç profileve që kanë qenë vitin e kaluar po shtohen edhe profilet, rrobaqepësi, automekanik, metal përpunues, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizim, instalues elektrik, tregti me shumicë dhe pakicë dhe estetistë. E konsideroj të rëndësishme nisjen e sintezës vokale në gjuhën shqipe e cila është duke u bërë për herë të parë për fëmijët dhe nxënësit  e verbër me qenë se u mundëson konvertimin e shkrimit në gjuhen e folur. Për te dytin vit me radhe qeveria ka ofruar tekste shkollore për fëmijët e komunave Medvegj, Preshevë e Bujanoc, ku janë ndarë 254 mije euro për blerjen e teksteve për nxënësit e këtyre komunave”, raporton EO.

    “Në lidhje për përkrahjen e shkencës në Kosovës Qeveria ka miratuar programin për këtë çështje. Sa i përket përmirësimit të infrastrukturës, javën e kaluar kemi nënshkruar kontratën për ndërtimin e një çerdhe në Fushë-Kosovë,  po ashtu edhe në Batllavë të Podujevës dhe në Shtime, inkurajoj komunat që të aplikojnë për çerdhe sepse ka buxhet të mjaftuar. Për përmasimin e infrastrukturës ligjore kemi miratuar tre udhëzime administrative. Në lidhje me përgatitjen e vitin të ri shkollor, tashmë e kemi të finalizuar kalendarin  e viti të ri shkollor 2023-2024. Sipas udhëzimit administrativ viti i ri shkollor do të filloj me 1 shtator, gjatë këtij viti do të kemi edhe pushim vjeshtorë”, tha ajo.