ATV

Tag: Ballina

  • Ambasadori amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier vizitoi Kolegjin AAB për t’u takuar me studentët

    Ambasadori amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier vizitoi Kolegjin AAB për t’u takuar me studentët

    Sot në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB u zhvillua vizita e ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier, i cili bashkëbisedoi me studentët dhe u përgjig në pyetjet e shumta që patën.

    z.Hovenier së pari foli për qëllimet dhe objektivat më kryesore që ka Ambasada Amerikane në Kosovë për të cilat tha se aktualisht janë tri.

    Integrimi i Kosovës në strukturat e sigurisë si NATO, zhvillimi i ekonomisë dhe qeverisja e mirë ishin tri pikat që përmendi ambasadori amerikan, duke shtuar se angazhimi për të përmbushur secilën nga to është evident çdo ditë.

    Tutje z.Hovenier përmendi edhe progresin që ka shënuar Kosova që nga shpallja e pavarësisë derisa shtoi se rinia luan rolin kyç në zhvillim e prosperitet të vendit.

    “Unë kam ardhur shumë herë këtu para pavarësisë dhe pas saj, kur e mendoj se si ka qenë Prishtina dikur dhe shoh rininë them se po të isha investitor do vija menjëherë në Kosovë dhe potencialin do e lija këtu, pasi të gjithë të impresionojnë me nivelin e tyre të edukatës dhe njohuritë për gjuhën angleze”, tha ndër të tjera Hovenier.

    Ambasadori Hovenier u pyet nga studentët për rolin e diplomacisë në problemet globale; marrëdhëniet tregtare ekonomike mes Kosovës dhe SHBA; ndikimin e të rinjve në zgjidhjet e problemeve në fushën diplomatike; liberalizimin e vizave etj.

    Në fund të vizitës rektori i Kolegjit AAB Lulzim Tafa falënderoi z.Hovenier për prezencën duke i dhuruar një nga librat e tij me titullin “On sundays do not call me”.

  • ​Macron: Vuçiq t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit

    ​Macron: Vuçiq t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka thënë sot (e martë) se është përgjegjësi e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq që t’i dënojë sulmet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku e u plagosën dy të tjerë.

    Në një konferencë për media të mbajtur me rastin e vziitës në Tiranë, Macron tha po ashtu se ka ndjekur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe se është përgjegjësi e të dyja palëve që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës.

    “Siç e dini, ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet mes Prishtinës dhe Beogadit. Franca e Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes, që mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim të respektohet nga të dyja palët. Mendoj se është përgjegjësi e Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi. Dhe, në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët [pala kosovare dhe serbe] është e thjeshtë: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare, kësaj radhe plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, tha ai.

  • Zyra e Macron sqaron qëndrimin e Francës për çështjen e vizave të Kosovës

    Zyra e Macron sqaron qëndrimin e Francës për çështjen e vizave të Kosovës

    Zyra e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ‘mbetet e hapur’, në një deklaratë për shtyp të martën pas deklarimit publik të presidentit Macron lidhur me pezullimin e procesit të vizave.

    Presidenti Macron tha të martën në Tiranë se Franca mund ta pezullojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovës, për shkak “të mos respektimit të fjalës së dhënë”, duke e akuzuar Kosovën se nuk e mbajti fjalën e dhënë për formimin e Asociacionit.

    Nga Zyra e Presidentit të Francës, janë sqaruar lidhur me këtë çështje përmes një deklarate për mediat shqiptare.

    “Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur”, tha Zyra e Presidentit të Francës në një përgjigje për mediumin ABC News.

    “Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të Macron.

    Nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri është raportuar se Macroni ka deklaruar në Tiranë se Franca ka suspenduar vendimin për liberalizimin e vizave.

    Ndërkaq, agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

    Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

    Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

    Gjatë konferencës për media në Shqipëri, ai tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën.

  • Çfarë tha Macron për vizat?

    Çfarë tha Macron për vizat?

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.

    “Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.

    Nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri është raportuar se Macroni ka deklaruar në Tiranë se Franca ka suspenduar vendimin për liberalizimin e vizave.

    Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

    Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

    Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

    Gjatë konferencës për media në Shqipëri, ai tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën.

    “Është përgjegjësi e [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi. Dhe, në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, tha Macron.

    Presidenti francez iu referua sulmeve të 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, por kjo e fundit ka mohuar se ka gisht në të. Prishtina po ashtu po kërkon nga Bashkimi Evropian që të vendosë masa ndëshkuese ndaj Kosovës. /rel

  • Rama: Kosova ia bëri kurthin vetës, dramatike nëse e humbasin liberalizimin

    Rama: Kosova ia bëri kurthin vetës, dramatike nëse e humbasin liberalizimin

    Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në konferencën me presidentin francez Emmanuel Macron, tha se Shqipëria do të mbështesë një proces europianizimi me vepra dhe jo me fjalë.

    Gjatë këtij komunikimi, kryeministri Rama teksa u ndal tek konflikti Kosovë-Serbi, tha se Kosova ka në tavolinë planin franko-gjerman, të cilin sipas tij nuk duhet ta refuzojë.

    “Ne mund të flasim për kapituj, por BE është shumë i ndjeshëm. Në vlerësimin e kësaj maturie Europiane të të gjitha vendeve tona dhe këtu hyn krahasimi me të gjitha gjeneratat e ndryshme. Unë dua të sjell këtu u pautorizuar, një fjalë të thënë nga kryeministri i Holandëz. ‘Mos harroni që një kompromos më shumë se çfarë do fitosh është se çfarë nuk duhet të humbasësh. Dhe nëse bëjmë një llogari të gjërave për t’u humbur nga shqiptarët në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut apo Kosovë është me një kosto shumë më të lartë se sa llogaria e atyre që duan të fitojnë duke i marrë këto që i kemi si të mirëqena. Unë mund të them që shqiptarët janë në ditën e tyre më të mirë. Sot flamuri shqiptar është krah për krah, sot gjuha shqipe është gjuhë zyrtare e Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha vendimet merren me dy gjuhë”, deklaroi Rama.

    “Sot Kosova është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes, por nuk ka qenë kurrë më mirë. Por do të ishte dramatike të humbiste një të drejtë për të lëvizur lirisht në BE. Ndërkohë të dyja palët kanë në tavolinë planin franko-gjerman që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. Unë dua të përsëris që presidenti Klinton kur ishte këtu në verë, më thuaji miqve në Prishtinë se si i ndodhi Palestinës, që kjo sot nuk kishte ndodhur. Tha në verë, ‘shiko ku është Palestina”. Por kjo marrëveshje që është sot në tavolinë , nëse nuk e firmos nuk kthehet më. Por unë them sot që është një vend që nuk është shkatërruar nga Izraeli, por nga një grup pengmarrësish. Unë jam i bindur që e mira e madhe e Kosovës është jo që të ulet në tavolinë, por të firmosë të gjithë marrëveshjen edhe sikur Serbia të mos e dojë kurrë, dhe më pas t’ja lërë në dorë BE. Sepse e bën për veten e vet, paqja bëhet për vete, ajo bëhet me armikun nuk bëhet me mikun. Nuk mund të flasësh në telefon me mikun që t’i thotë armikut”.

    “Kosova ka në krah të gjithë çlirimtarët dhe njohësit e saj dhe që të mbytet me një lugë ujë, se çfarë thotë apo apo presidenti i Serbisë, por duhet të sillet drejt rrugës Europiane. Këto janë mundësi themeltare për ta çuar përpara procesin e paqes, për mua as që nuk diskutohet që Shqipëria do të mbajë flamurin e paqes, dialogut pa u kapur se çfarë bëri ai tjetri. Më rrënqethet mishi kur mendoj që mund të ketë një ndalim të procesit të liberalimizit të vizave. Të gjitha ato që ndodhën në veri të Kosovës janë të papranueshme, zija kombëtare në Beograd ishte një skandal europian, por kjo nuk mund të jetë një arsye për të frenuar procesin”, tha ai.

  • Osmani nuk e dekreton Isufajn: Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit pati shumë parregullsi

    Osmani nuk e dekreton Isufajn: Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit pati shumë parregullsi

    Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media ka deklaruar se nuk do ta dekretojë për kryeprokuror, Blerim Isufajn.

    Osmani tha se ka gjetur shkelje procedurale të cilat janë cilësuar edhe nga raporti i BE-së si mungesë transparence për zgjedhjen e kryeprokurorit.

    “Bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga aktgjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”, tha Osmani.

    Presidentja theksoi se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtar.

  • ​BE e konfirmon vizitën e pesëshes në Kosovë dhe Serbi – kërkon përparim konkret

    ​BE e konfirmon vizitën e pesëshes në Kosovë dhe Serbi – kërkon përparim konkret

    Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka konfirmuar të martën se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Krahas Lajçakut në këtë vizitë do të jenë edhe Emanuel Bonne, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme i presidentit të Francës , ai i kancelarit gjerman, Jens Plotner, dhe i kryeministres së Italisë, Francesco Talo. Me ta do të jetë në delegacion edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    “Qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, ka thënë zëdhënësi Peter Stano.

    “BE-ja dhe vendet anëtare, sikurse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbesin mbështetëse të mëdha të procesit të normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe së ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Kemi pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të kryejnë pa vonesa dhe pa kushte obligimet e tyre”, ka thënë Stano.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishin takuar për herë të fundit në një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, më 14 shtator. Në atë takim ata kishin dështuar që të pajtoheshin për një plan për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjeve. Për këtë, BE-ja ia kishte lënë përgjegjësinë palës kosovare, ndonëse kishte thënë se të dyja palët kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e arritur në dialog./REL/

  • Ministri turk i Mbrojtjes thotë se dialogu është rruga e vetme për paqe e stabilitet në rajon

    Ministri turk i Mbrojtjes thotë se dialogu është rruga e vetme për paqe e stabilitet në rajon

    Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yasar Guler, tha se dialogu është rruga e vetme për paqe dhe stabilitet në rajon. Sipas tij, raportet e Turqisë me Kosovën si partner në Ballkan do të vazhdojnë në të gjitha fushat, raporton EO.

    “Ne e përkrahim sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në qarqet ndërkombëtare. E theksuam faktin që duke nisur nga Kosova, paqja lumturia dhe siguria në Ballkan për ne ishte çështje që kanë rëndësi të madhe”.

    “Ne themi se dialogu është rruga e vetme e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon dhe theksuam se detyrën që kemi marrë, të komandantit të KFOR-it, do ta respektojmë me neutralitet të plotë”.

    Këto komente ai i ka bërë në një konferencë të përbashkët për medie të mbajtur pas takimit që e ka zhvilluar me ministri i Mbrojtjes të Kosovë Ejup Maqedonci.

  • Kurti: I tmerruar nga vrasja e dy shtetasve suedezë në Bruksel, duhet të qëndrojmë bashkë kundër terrorizmit

    Kurti: I tmerruar nga vrasja e dy shtetasve suedezë në Bruksel, duhet të qëndrojmë bashkë kundër terrorizmit

    Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas sulmit terrorist në mbrëmjen e së hënës në Bruksel ku u vranë dy shtetas suedezë.

    “I tmerruar nga vrasja e dy shtetasve suedezë në Bruksel. Ngushëllimet e mia të përzemërta familjeve që i humbën më të dashurit e tyre, kryeministrit suedez Ulf Kristersson dhe kryeministrit belg, Alexander Croo, në vazhdën e kësaj tragjedie”, ka shkruar Kurti.

    “Ne duhet të qëndrojmë së bashku në luftën kundër dhunës dhe terrorizmit”, ka shkruar Kurti.

    Dy persona janë qëlluar për vdekje në kryeqytetin belg, Bruksel, mbrëmjen e së hënës.

    Sipas policisë, personi i armatosur është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është ende në arrati. Prokurorët thonë se rasti po trajtohet si terrorizëm.

    Dy viktimat thuhet të jenë suedezë.

  • Aksion i Njësisë Speciale në veri

    Aksion i Njësisë Speciale në veri

    Vazhdojnë veprimet e policisë, përkatësisht bastisjet lidhur me rastin Banjska. Policia e Kosovës është duke zhvilluar mëngjesin e sotëm një operacion në disa lokacione në veri, ka bërë të ditur policia.

    Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, nuk ka saktësuar se ku po zhvillohen bastisjet.

    Por, siç raporton portali serb nga veriu, Kossev, një prej bastisjeve aktualisht po kryhet në një objekt në rrugën Kolashinska, në afërsi të tre soliterëve, në pjesën veriore të Mitrovicës.

    Dy pjesëtarë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës janë duke qëndruar para këtij objekti, gjegjësisht hyrjes së tij.

    Në anën tjetër të kësaj ndërtese ndodhen xhipa të policisë.

    Në të njëjtën kohë, bastisja është duke u bërë në njërën prej objekteve të Kombeve të Bashkuara, po ashtu në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe në vendbanimin Bërrdani.

    Elshani tha se për momentin nuk ka të arrestuar.