ATV

Tag: Ballina

  • Begaj pret Macronin: Të dënohen aktet e dhunës së Serbisë në veri të Kosovës

    Begaj pret Macronin: Të dënohen aktet e dhunës së Serbisë në veri të Kosovës

    Në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë, presidenti francez, Emmanuel Macron u prit nga homologu i tij shqiptar, Bajram Begaj.

    Përgjatë takimit, Presidenti Begaj bisedoi me Macron për integrimin evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon.

    Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen, për mbështetjen e vyer që Franca dhe Presidenti Macron i kanë dhënë e i japin procesit të zgjerimit dhe të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Procesit të Berlinit.

    Ai gjithashtu vlerësoi iniciativën e ndërmarrë një vit më parë nga Presidenti Macron, për lançimin e Komunitetit Politik Evropian, si një iniciativë që i jep më shumë mundësi Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate në Bashkimin Evropian, të kenë më shumë akses në projektet e BE-së, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve universitare dhe studentore.

    Presidenti Begaj falenderoi Macron, për kontributin në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes planit të quajtur franko-gjerman, duke nënvizuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtij dialogu, por edhe të nevojës së dënimit dhe të çkurajimit të akteve të dhunës dhe të provokimeve në komunat e Veriut të Kosovës.

    “Kosova është vend sovran dhe i pavarur, dhe akte terroriste si ajo e Banjskës në Zveçan (24 shtator 2023), janë të papranueshme e të dënueshme për sigurinë e saj, por edhe të rajonit e të mbarë kontinentit evropian”.

    Presidenti Begaj vlerësoi se pesë vjet pas nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik midis dy vendeve, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës kanë hyrë në një fazë të re e shumë dinamike.

  • Hetimet për përleshjen e 13 korrikut në Kuvendin e Kosovës drejt fundit

    Hetimet për përleshjen e 13 korrikut në Kuvendin e Kosovës drejt fundit

    Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Nebahate Salihi tha se hetimet lidhur me përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës gati kanë përfunduar dhe se shumë shpejt pritet të përpilohet aktakuza.

    “Janë ndërmarrë shumë veprime, së shpejti do të bëhet edhe aktakuza, gati ka përfundu hetimi”, tha prokurorja Salihu për “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas prokurores Salihu, aktakuza pritet të ngritet për veprat penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Sulm”.

    E pyetur lidhur me atë se në çfarë cilësie do jenë: Mërgim Lushtaku, Hekuran Murati, Besnik Bislimi dhe Bekim Haxhiu në aktakuzë, tha se për të gjitha këto do të njoftohemi me rastin e ngritjes së aktakuzës.

    Nga Prokuroria ishin intervistuar zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe ministri Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati.

    Kurse, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku kishte shkruar në “Facebook” se ka marrë ftesë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, si i dyshuar për ‘Sulm’.

    Ndryshe, po më 13 korrik, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar se lidhur me rastin e ndodhur në Kuvend, ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast. Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

  • Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Yasar Guler pritet me ceremoni nga homologu kosovar, Ejup Maqedonci

    Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Yasar Guler pritet me ceremoni nga homologu kosovar, Ejup Maqedonci

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e ka pritur me ceremoni ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Yasar Guler, raporton Ekonomia Online.

    Të dy ministrat do të mbajnë takimin tete-a-tete, ku mediet mund të marrin pamje.

    Më pas, ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Guler, do të pritet në takim nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ndërsa pas përfundimit të takimeve të planifikuara, duke filluar nga ora 10:45 do të mbahet konferencë për medie.

    Ministri turk do të pritet në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

  • Gjykimi në rastin e Thaçit dhe të tjerëve vazhdon edhe sot

    Gjykimi në rastin e Thaçit dhe të tjerëve vazhdon edhe sot

    Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çliritmare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të vazhdojë edhe sot.

    Në faqen zyrtare të DHSK-së bëhet e ditur se gjykimi do të nisë nga ora 09:00.

    Gjatë ditës së djeshme e vazhdoi dëshminë dëmitari i 30-të, ai është ish-pjesëtar i UÇK-së. Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.

  • Presidentja Osmani e pret sot në takim ministrin turk të Mbrojtjes

    Presidentja Osmani e pret sot në takim ministrin turk të Mbrojtjes

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do ta pres sot në takim ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Yaşar Güler.

    Kështu ka njoftuar Zyra e Presidentes, derisa është bërë e ditur se takimi do të fillojë në orën 13:35.

    “Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit”, thuhet në njoftim.

  • Dy persona qëllohen për vdekje në qendër të Brukselit, video që qarkulloi: “Sulmi u krye në emër të Zotit”

    Dy persona qëllohen për vdekje në qendër të Brukselit, video që qarkulloi: “Sulmi u krye në emër të Zotit”

    Dy persona janë qëlluar për vdekje në kryeqytetin belg, Bruksel, mbrëmjen e së hënës, ka thënë policia.

    Personi i armatosur u largua nga vendi i ngjarjes dhe është ende i lirë, i është thënë BBC-së.

    Mediat lokale thanë se viktimat ishin suedezë. Suedia po luan kundër Belgjikës në një ndeshje kualifikuese për Euro 2024, megjithëse është e paqartë nëse viktimat ishin në qytet për ndeshjen.

    Një video e postuar në rrjetet sociale tregon një burrë që flet arabisht, i cili thotë se e kreu sulmin në emër të Zotit.

    Burri në klip shton se ka vrarë tre persona.

    Zyra e Prokurorit Federal ka konfirmuar se e ka parë videon, por nuk mund të konfirmojë se ai është personi i armatosur.

    Videoja dhe pamjet e tjera të sulmit janë duke u verifikuar nga policia, raporton BBC.

    Një zëdhënëse e zyrës së prokurorit tha se një hetim ishte hapur, por nuk spekuloi mbi motivin e autorit të armatosur.

    Mediat belge raportuan se personi i armatosur, i cili përdori një pushkë automatike, u largua nga vendi i ngjarjes.

    Sulmi thuhet se ka ndodhur në orën 19:00 me kohën lokale në qendër të Brukselit.

  • Bodrumi ku u gjet armatimi në veri, në pronësi të Veljko Djordjeviçit

    Bodrumi ku u gjet armatimi në veri, në pronësi të Veljko Djordjeviçit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Bodrumi i kësaj ndërtese u shfrytëzua si depo e armëve, deri të shtunën.

    Por jo më, pasi Policia në vazhdën e aksioneve, sekuestroi krejt çka gjeti, e që ishte një sasi goxha e madhe e armatimit.

    Bodrumi ku fshiheshin armët, siç merr vesh televizioni, është në pronësi të njërit prej anëtarëve të grupit terrorist që sulmuan policinë, më 24 shtator në Banjskë.

    Aty policia gjeti granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe në Zveçan.

    Fare pranë banesës së Djordjevicit, në një rrugë më poshtë, ndodhen edhe zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor, që u sulmua me bombë në dhjetor të vitit të kaluar, pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet në veri.

    Shenjat nga sulmi i 6 dhjetorit vërehen ende jashtë e brenda zyrave të KKZ-së.

    Edhe materiali zgjedhor ka mbetur brenda, por aty më nuk punon askush. Përveç zyrave, sulme më të vogla atë natë pati edhe ndaj Policisë e Gazetarëve që po raportonin nga atje.

    E hëna në lagjen e Velkjo Djordjevicit, që besohet se ka ikur në Serbi, ishte e qetë teksa askush nga fqinjët nuk pranoi të fliste për të.

    Megjithatë, televizioni kuptoi se ai më herët kishte punuar në Burgun e Mitrovicës. Ndërsa, kohëve të fundit shihej të vinte më rrallë në Mitrovicë dhe kryesisht natën.

    Për armatimin e konfiskuar së fundmi ka shkruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në llogarinë e tij në platformën X, teksa ka thënë se ato tregojnë nivelin e përgatitjeve për sulme dhe përshkallëzim nga Serbia.

  • Të enjten dy seanca plenare, hidhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare

    Të enjten dy seanca plenare, hidhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare

    Përgatiti: Armand Hoti‘

    Të enjten do të mbahen dy seanca plenare, ku deputetët do të votojnë edhe për disa marrëveshje ndërkombëtare.

    “Marrëveshja ndërkombëtare që do të hidhet në votim është mirë që të kuptohet nga publiku. Janë dy marrëveshje të financuara nga qeveria gjermane, një marrëveshje për bujqësi për zonën malore me qeverinë gjermane, tjetra është për KOST-in, sa i përket riparimit të linjave të fuqisë 110 dhe 220. Një marrëveshje tjetër që hidhet në votim është me Qeverinë e Danimarkës sa i përket përdorimit të burgjeve të Kosovës, një marrëveshje tjetër është linja hekurudhore Prishtinë-Mitrovicë, një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.

    Mirëpo, që sot PDK-ja ka treguar se si do të veprojë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    “Qëndrimi ynë është debati rreth marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk është një debat doktrinar, por problemi me marrëveshje ndërkombëtare, është që nuk ka të bëjë as a e votojnë apo nuk e votojnë, problemi është që Kosova është nën sanksione. Dhe meqë Kosova është nën sanksione, ato të holla nuk vijnë fare në Kuvend të Kosovës. Dhe kjo është e vërteta që Qeveria do të duhej që t’ua thotë qytetarëve të Kosovës. Ky vend vazhdon të mbetet nën sanksione edhe pas 24 shtatorit, andaj ne kemi pritur që Qeveria të kryejë punën e saj dhe është gjendje që të bindë partnerët tanë që t’i vendosin sanksione Serbisë, pas një akti të agresionit dhe sulmit terrorist”, tha deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.

    Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, duke kritikuar Qeverinë, përmendi se 2024-ta do të jetë vit i eksodit.

    “24 shtatori ka qenë një sulm terrorist ndaj Kosovës, sovranitetit tonë, i sponsorizuar nga Serbia. Këtë as nuk duhet ta përdorë Qeveria, as nuk duhet ta përdorim ne. Sepse është detyrë e jona, është detyrë e një deputeti që ta mbrojë sovranitetin. Ajo që ne si Aleancë na dhemb, është totalisht neglizhenca e Qeverisë, në raport me temat që janë kruciale për vendin tonë. Ekonomia e Kosovës është para një bllokade, nuk është vështirë për ta kuptuar. Humbja e shpresës në sektorin publik kurrë s’ka qenë më e madhe, duke u nisur prej policëve dhe gjithë të tjerëve. Jemi të brengosur për janarin e vitit 2024 që do të jetë vit i eksodit”, tha Tahiri.

    Në seancën e fundit, marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë arritur të votohen në mungesë të kuorumit.

  • Vdekja e ‘’arkitektit’’ të Pavarësisë së Kosovës, Sejdiu: Ahtisaari dhe ne mbështesnim vetëm një formulë

    Vdekja e ‘’arkitektit’’ të Pavarësisë së Kosovës, Sejdiu: Ahtisaari dhe ne mbështesnim vetëm një formulë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Martti Ahtisaari politikani shumë vjeçar dhe Presidenti i Finlandës në periudhën 1994 – 2000, i cili qe edhe ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës, vdiq në moshën 86 vjeçare.

    Presidenti aktual i Finlandës, Sauli Niinistö, e cilësoi Ahtisaarin si President i kohëve të ndryshimit dhe njeriu që shpiu Finlandën në epokën globale dhe atë të BE-së.

    “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Marti Ahtisaari besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë, dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Ai ishte presidenti i kohëve të ndryshimit, i cili e çoi Finlandën në epokën globale të BE-së”, tha Niinistö.

    Dokumenti i njohur si Pakoja e Ahtisarit, ishte bazë për zgjedhjen e statusit të Kosovës, pasi Kosova, duke qenë protektorat ndërkombëtar që nga viti 1999, paraprakisht kishe plotësuar disa standarde të funksionimit demokratik dhe të drejtave të komuniteteve.

    Dokumenti në fjalë është po thuajse në tërësi i adoptuar në Kushtetutën e Kosovës përfshi pjesën e garancive dhe privilegjeve për komunitetin serb në Kosovë.
    Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu shpreh dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të Martti Ahtisaarit dhe e kujton një moment vendimtar.

    “Kur ai ka qenë afër përfundimit të projektit të tij, pra afër propozimiz gjithëpërfshirës më ka pyetur se ‘’a do të pranonit që Kosova të jetë e pavarur por e mbikëqyrur ndërkombëtarisht për një periudhë të caktuar?’’. Nuk kam hezituar të shkojë në të gjitha shkronjat për të dhënë përgjigjen. Menjëherë kam thënë po”, tha Sejdiu.

    Përkundër modaliteteve për statusin e Kosovës që pala serbe pat ofruar në kuadër të procesit të Vjenës, sipas presidentit Sejdiu, ato nuk ishin opsion për ish-diplomatin Ahtisaari.

    “Në përplasjet që kem pas me ta është thënë që Kosova nuk mundë të pavarësohet Kosova është pjesë e Serbisë…pastaj kanë qenë shumë formula që kanë dhënë edhe të tjerë çështja Honkongut e të tjera, modele të llojllojta por ne kemi pasur një formulë, Ahtisari ka pasur një formulë”, tha Sejdiu.

    Disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës Martti Ahtisaari u nderua me çmimin Nobel për paqe.

    Për këto 15 vjet, disa herë janë dhënë ide që Pakoja e Ahtisaarit të hapet, ose që të negociohet zgjidhje e tipit Ahtisaari+, mirëpo, sipas ish Presidentit Sejdiu, Kushtetuta e Kosovës mund të ndryshohet për shkak të dinamikave të brendshme politike, po assesi jo si pasojë e dialogut ose negociatave me akterë të jashtëm!

    Gjatë angazhimit të tij diplomatik, Marti Ahtisari kontribuoi në zgjidhjen e konflikteve në Evropë, Afrik dhe Azi. Ai qe personalitet i rëndësishëm edhe në bisedimet për paqe në Bosnje dhe Hercegovinë.

  • Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit: Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia

    Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit: Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia

    Kryeministri Albin Kurti të hënën në Samitin e Procesit të Berlinit ka thënë se Kosova ende vazhdon të kërcënohet me invazion nga Serbia.

    Kurti në fjalën e tij, ka thënë se aktet e tilla nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar.

    “Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, ka thënë ai.

    Siç është bërë e ditur në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka thënë se qytetarët në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti.

    “Ne si udhëheqës të tyre kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim. Kërkohet një angazhim me mirëbesim për të garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve tona dhe respektimin e të gjitha palëve të investuara në proces”, thuhet të është shprehur më tej Kurti.