ATV

Tag: Ballina

  • Bombardimi i spitalit në Gaza, reagon Osmani: Jetët e pafajshme duhet të mbrohen

    Bombardimi i spitalit në Gaza, reagon Osmani: Jetët e pafajshme duhet të mbrohen

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas situatës në Gaza, ku u bombardua një spital.

    Osmani në platformën “X” ka shkruar se jetët e pafajshme duhet të mbrohen.

    “Është shkatërruese të shohësh pasojat në jetë njerëzore me qindra viktima civile pas bombardimit të një spitali në Gaza, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Jetët e pafajshme duhet të mbrohen. Fatkeqësisht, janë civilët ata që vuajnë më shumë në çdo konflikt”, ka shkruar Osmani.

  • ​Presidenti kroat sot dhe nesër në Shqipëri

    ​Presidenti kroat sot dhe nesër në Shqipëri

    Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, homologu kroat Zoran Milanoviq do të zhvillojë një vizitë shtetërore dyditore në Shqipëri më 18 dhe 19 tetor.

    Gjatë vizitës, Milanoviq do të shoqërohet nga Zonja e Parë e Kroacisë, Sanja Musiç Milanoviq dhe një delegacion zyrtar.

    Takimi zyrtar bilateral do të mbahet të mërkurën e 18 tetorit, pas të cilit do të zhvillohet konferenca për gazetarët. Të enjten e 19 tetorit Presidenti kroat Milanoviq së bashku me presidentin Begaj, do të vizitojnë qytetin e Beratit.

    Agjenda e plotë:

    10:30-10:45 – Ceremonia e mirëseardhjes së Presidentit të Kroacisë. Zoran Milanoviq i shoqëruar nga delagacioni zyrtar dhe Zonja e Parë e Kroacisë, Sanja Musiç Milanoviq.

    10:50-11:10 -Takimi tete-à-tête mes presidentit të Republikës së Shqipërisë. Bajram Begaj dhe presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq.

    11:15-12:00 – Takimi dypalësh i delegacioneve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, i kryesuar nga presidentët Begaj-Milanoviq.

    12:10- 12-40- Deklarata dhe konferenca për shtyp nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj dhe presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq.

  • ​Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite arrin në 3,000 në Gaza

    ​Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite arrin në 3,000 në Gaza

    Të paktën 3,061 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës, tha të martën Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

    Rreth 13,750 persona të tjerë janë plagosur në bombardimet izraelite, tha një deklaratë e ministrisë.

    Njëmbëdhjetë ditë pas konfliktit me grupin palestinez Hamas, bombardimet dhe bllokada e Izraelit në Rripin e Gazës kanë vazhduar, me mbi një milion njerëz të zhvendosur – pothuajse gjysma e popullsisë së përgjithshme të Gazës, sipas Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt. (UNRWA).

    Më shumë se 1,400 izraelitë janë vrarë në konfliktin e armatosur. (AA)

  • Kurti priti në takim ambasadorin e ri jorezident të Irlandës, Ragnar Almqvist

    Kurti priti në takim ambasadorin e ri jorezident të Irlandës, Ragnar Almqvist

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri jorezident të Irlandës për Kosovë, Ragnar Almqvist.

    Duke shprehur mirënjohje për përkrahjen e palëkundur të Irlandës ndaj vendit tonë, Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin në veçanti për mbështetjen ndaj aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në takim u theksua se gjatë dy viteve të fundit, vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në implementimin e reformave kyçe, promovimin e demokracisë dhe forcimin e sundimit të ligjit. Kryeministri Kurti po ashtu foli dhe mbi situatën aktuale dhe sulmin terrorist nga ana e Serbisë me datën 24 shtator.

    U bisedua për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit, rritjen e mundësive të shkëmbimit tregtar, investimeve ekonomike dhe projekteve kulturore midis dy vendeve tona. Kryeministri Kurti theksoi se mirëpret bashkëpunimin e ngushtë me Irlandën për të thelluar më tej lidhjet në mes të dy vendeve.​

  • Hamasi lëshon raketa drejt avionit të Scholz

    Hamasi lëshon raketa drejt avionit të Scholz

    Kancelari gjerman Olaf Scholz u detyrua të largohej nga avioni pak para nisjes nga Tel Avivi, për shkak të një sulmi raketor. Pasagjerëve iu kërkua të shtriheshin në tokë.

    Sipas Welt, në momentin e sulmit ka pasur edhe gazetarë të cilët janë detyruar të shtrihen në pistë. Dy raketa të Hamasit u neutralizuan mbi aeroport nga sistemi mbrojtës Iron Dome i Izraelit. Kancelari nuk u shtri në pistën e avionit, por përkundrazi shkoi në një kontejner për t’u strehuar. Pas disa minutash, pasagjerët arritën të hipnin sërish në aeroplan.

    Kancelari gjerman Olaf Scholz tha sot se ai kishte diskutuar mënyrat për të marrë ndihma humanitare për civilët në Rripin e rrethuar të Gazës.

    “Gjermania dhe Izraeli janë të bashkuar si shtete demokratike, duke vepruar në bazë të drejtësisë dhe ligjit edhe në situata ekstreme… Kam diskutuar me kryeministrin Netanyahu mënyrat për t’i lejuar njerëzit në Gaza të marrin ndihmë humanitare sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Scholz në konferencën për shtyp që dha me kryeministrin izraelit.

    “Ne duam të mbrojmë civilët dhe të parandalojmë vdekjet e civilëve”, tha kancelari gjerman./abcnews.al

  • Abdixhiku: Opozita në Kosovë është e ndarë, kemi bindje krejtësisht të ndryshme

    Abdixhiku: Opozita në Kosovë është e ndarë, kemi bindje krejtësisht të ndryshme

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se opozita në Kosovë është e ndarë dhe kanë bindje krejtësisht të ndryshjme.

    “Termin opozitë, unë kategorikisht e kundërshtoj si terminologji politike, përveç që është funksion në parlament, por si trup i përbashkët nuk është. Është e qartë në diskursin politik në Kosovë ku opozita portretizohet si një, e nuk jemi një për besë. Kjo është shumë me rëndësi ta kuptojmë të gjithë. Ne jemi parti të ndara dhe në shumë hapa, kemi bindje krejtësisht të ndryshme”, tha Abdixhiku.

    Ai tha se pushteti i konvenon që opozitën ta portretizojë si një, por sipas tij, e vërteta qëndron ndryshe.

    “Unë sinqerisht nuk dua të flas për partitë tjera opozitare, sepse Kosova ka shumë probleme në vend për të bërë temë për partitë opozitare, as nuk dua t’i gjykoj se si i marrin vendimet, por dallojmë substancialisht në mënyrën e veprimit opozitar edhe sot siç është në parlament. LDK mban qëndrim bukur befasues mbi partitë tjera opozitare për mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Është gabim”, tha Abdixhiku. /atvlive.tv

  • Gashi: Sistemi juridik ka dështuar në identifikimin e grupit terrorist që vrau aktivistin Astrit Dehari

    Gashi: Sistemi juridik ka dështuar në identifikimin e grupit terrorist që vrau aktivistin Astrit Dehari

    Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka kritikuar institucionet ligj-zbatuese, me theks Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila sipas tij ka dështuar në identifikimin e grupit terrorist që ka vrarë aktivistin Astrit Dehari.

    Edhe në këtë rast, Gashi ka ripërsëritur se aktivisti Dehari është vrarë në një institucion shtetëror dhe shteti është përgjegjës për vrasjen e tij.

    “Sistemi juridik dështon në identifikimin grupit terrorist vendor! Grupi terrorist, i organizuar mirë, i cili vrau Astrit Deharin me 05.11.2016, ende nuk është identifikuar nga Policia e Kosovës e as nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Organet ligj-zbatuese te Kosovës fare lehtë po i identifikojnë grupet terroriste të cilat kanë vepruar dhe ende veprojnë në veriun e Kosovës, e grupet terroriste të ardhura nga Serbia – siç ishte grupi terrorist i 24 shtatorit të këtij viti, madje edhe po i vrasin këta terroristë – mirë po ua bëjnë. Por, të njëjtat organe (kaq) efikase në raport me identifikimin e grupeve terroriste të Serbisë, kanë dështuar 100% në identifikimin e grupit terrorist që vrau aktivistin e Lëvizjes VETEVËNDOSJE! Astrit Dehari, me 05.11.2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”, ka shkruar Gashi në reagimin e tij.

    Në shtrimin e shumë kritikave, avokati Gashi ka kërkuar nga organet ligj-zbatuese që të gjejnë vrasësit ose le të deklarohen publikisht të paaftë për të kryer punët që i kanë të përcaktuara me ligj.

    “Ose gjeni vrasësit e Astrit Deharit, ose deklarohuni publikisht te paaftë për ta bërë këtë – sepse, për pak ditë do të bëhen 7 vite nga vrasja e Astritit, në duar të shtetit, e për arsye 100% politike”, ka thënë ai.

  • ​Kurti: Kosova me rritje prej 114% në eksportin e shërbimeve të TIK-ut

    ​Kurti: Kosova me rritje prej 114% në eksportin e shërbimeve të TIK-ut

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka dekoruar se sektori i TIK-ut është shtyllë e rëndësishme për ekonominë tonë, me bilanc tregtar të jashtëzakonshëm, me rritje prej 114% në eksportin e shërbimeve të TIK-ut në vitin 2022.

    Kurti i bëri këto komente gjatë hapjes së përfaqësisë në Kosovë të kompanisë prestigjioze zvicerane SELISE në Parkun e Inovacioneve dhe Trajnimeve në Prizren.

    Sipas një komunikate, kryeministri ritheksoi angazhimin e palëkundur të Qeverisë për të ofruar mjedis të favorshëm për të bërit biznes.

    Në takimin me kryetarin e bordit të SELISE, Kurt Ëeber, dhe drejtorin kryesor operativ në SELISE, Bobby Leu, Kurti tha se sektori i TIK-ut është shtyllë e rëndësishme për ekonominë tonë, me bilanc tregtar të jashtëzakonshëm, me rritje prej 114% në eksportin e shërbimeve të TIK-ut në vitin 2022.

    Kryeministrit tha se Qeveria synon që avantazhet e digjitalizimit të arrijnë në çdo cep të Kosovës, e të mos lënë askënd mbrapa, duke veçuar lidhjen e fshatit të fundit me internetin brezgjerë gjatë këtij viti.

    “Qeveria jonë është e përkushtuar për zhbllokimin e rritjes së mëtejshme brenda këtij sektori, duke u përafruar ngushtë me agjendën ambicioze për transformimin digjital në administratë publike, arsim”, shëndetësi dhe ekonomi, tha Kurti.

    Duke theksuar angazhimin e Qeverisë, kryeministri veçoi trajnimin e më shumë se 3,500 të rinjve në fushën e TIK, ofrimin e kuponave të trajnimit për më shumë se 900 të rinj, ndarjen e 1 milion euro për bursa për vajzat që ndjekin studimet në fushat STEM në vitin 2021, si dhe dyfishimin e këtij buxheti në 2 milionë.

    Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, me mbi 50 objekte, i shtrirë në një hapësirë prej mbi 40 hektarësh, u vlerësua si gurthemel i ekosistemit të inovacionit në vend. U theksua bashkëpunimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që po investon 8 milionë euro në ITP, me qeverinë gjermane, e cila ka investuar 5 milionë euro, në zhvillimin e infrastrukturës së këtij parku.

    Duke biseduar për investimet tjera në ekosistemin e inovacionit, u veçua inaugurimi i Parkut për Teknologji Digjitale “Tech Park Prishtina” në Bërnicë, investim ky prej 1.2 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë.

  • KPK i reagon Vjosa Osmanit për mos-dekretimin të Isufajt

    KPK i reagon Vjosa Osmanit për mos-dekretimin të Isufajt

    Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka quajtur deklarata tendencioze dhe tentim për ta shtrirë politikën në sistemin prokurorial ato të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, për mos-dekretimin për Kryeprokuror të Shtetit Blerim Isufajn.

    KPK me anë të një njoftimi për media po ashtu i ka bërë thirrje presidentes se nëse ka pasur presione dhe kërcënime, t’i dërgojë dëshmitë në organet kompetente, shkruan Gazeta Insajdeir.

    “Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur një takim të mbyllur, në të cilin ka diskutuar për situatën e krijuar pas njoftimit të Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, z.Blerim Isufaj, duke shprehur mospajtim të thellë ndaj deklaratave të saj, të ndërtuara mbi një rrafsh më tepër politik sesa kushtetues dhe ligjor, me arsyetime tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze, të cilat i prezantoi sot në një konferencë për media”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur një takim të mbyllur, në të cilin ka diskutuar për situatën e krijuar pas njoftimit të Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, z.Blerim Isufaj, duke shprehur mospajtim të thellë ndaj deklaratave të saj, të ndërtuara mbi një rrafsh më tepër politik sesa kushtetues dhe ligjor, me arsyetime tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze, të cilat i prezantoi sot në një konferencë për media.

    KPK-ja ka mbajtur publikun të informuar vazhdimisht lidhur me komunikimet zyrtare dhe shkresat e adresuara në Zyrën e Presidentes, si dhe më herët edhe lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, prandaj konstatoi se, Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese.

    Këshilli Prokurorial vlerësoi se, deklaratat e tilla publike përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e sistemit prokurorial, përkatësisht në institucionin e Prokurorit të Shtetit.

    Lidhur me deklaratat e sotme se ka pasur presione dhe kërcënime, ftojmë Presidenten e vendit që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohen plotësisht, sepse sistemi prokurorial është institucion i veçantë kushtetues, i pavarur dhe i paanshëm, i cili kryen detyrën e vet në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.

    Me këtë rast, sa i përket vlerësimit të procedurës, Këshilli Prokurorial, theksoi se qëndron prapa procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe se deklaratat e tilla, për kinse, evidentimin e të gjitha shkeljeve nga ana e KPK-së, janë në kundërshtim të hapur dhe në këtë kuptim, Presidentja e Republikës as nuk mund të emërojë ndonjë prokuror pa propozimin e Këshillit Prokurorial, por as nuk mund të refuzojë propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e prokurorëve. Siç u tha më tej në këtë takim, e vetmja hapësirë ku Presidentja e Republikës, në kuptim të kompetencës në paragrafët 5, 6 dhe 7 të Nenit 109 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ku mund të veprojë është që mund të refuzojë një propozim të Këshillit Prokurorial nëse ai/ajo nuk i përmbush kushtet formale, por kurrsesi ta refuzojë atë për arsye substanciale.

    Për më tepër, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetenca e Presidentes së vendit për dekretim është e lidhur vetëm me propozimin e KPK-së, i cili në mënyrë unanime ka propozuar z. Blerim Isufaj, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Në përfundim të këtij takimi, u tha se KPK-ja do të mbajë së shpejti një takim për të vendosur lidhur me hapat që do të ndjekë pas njoftimit të Presidentes për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

  • Pezullimi i vizave për Kosovën s’mund të bëhet pa procedurë në Këshillin e BE-së

    Pezullimi i vizave për Kosovën s’mund të bëhet pa procedurë në Këshillin e BE-së

    Disa burime diplomatike brenda Bashkimit Evropian (BE) kanë sqaruar se nuk ka mundësi që një shtet në mënyrë të njëanshme ta pezullojë liberalizim e vizave për një shtet tjetër dhe se kjo mund të bëhet vetëm përmes një rregulloreje nga Këshilli i BE-së, pas një deklarate të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që shkaktoi huti në Kosovë të martën.

    Përderisa për shumë media në Kosovë Macroni “kërcënoi” me pezullimin e vizave për Kosovën kur tha të martën në Tiranë se “ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet”, por burime brenda bllokut evropian thanë se Franca s’e ka bërë një kërkesë të tillë.Burime nga Brukseli thanë për Radion Evropa e Lirë të martën se pezullimi është i mundshëm vetëm përmes procedurave në Këshillin e BE-së “duke e përdorur rregulloren për mekanizmin e suspendimit të vizave“ nga viti 2018.

    “Franca, e as ndonjë shtet tjetër anëtarë i BE-së, për momentin nuk ka propozuar suspendimin e vizave për Kosovën, apo për Serbinë. Por, nëse do të ketë interes politikë, ajo mund edhe ta bëjë këtë“, ka thënë një burim i Bashkimit Evropian.

    Në prill të këtij viti, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u miratua edhe formalisht nga BE-ja dhe u botua në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian po të njëjtin muaj.

    Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.

    Për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së. Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtarë. Pastaj, vendet anëtare të Këshillit mund të votojnë për pezullimin e mundshëm.

    Deri më tash vetëm një herë kishte ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit.

    Më 2019, Holanda kishte kërkuar që të pezullohej liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Si arsyetim e kishte përmendur rrezikun që shtetasit e Shqipërisë të përfshirë në krim të organizuar në Holandë paraqesin për sigurinë kombëtare të këtij vendi.

    Por, Komisioni Evropian e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë.