ATV

Tag: Ballina

  • Dy rrugët e KPK-së për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

    Dy rrugët e KPK-së për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka vendosur ende se cilët do të jenë hapat që do t’i ndjekë pas njoftimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Blerim Isufajt në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Njohësit e çështjeve ligjore vlerësojnë se të vetmit hapa që KPK-ja mund t’i ndjekë janë: rinisja e procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit ose zvarritja për kohë të pacaktuar e rinisjes së këtij procesi.

    Presidentja Osmani, gjatë një konference për media në Prishtinë, më 17 tetor, ka thënë se janë gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, emrin e të cilit KPK-ja ia ka propozuar qysh më 8 prill 2022.

    Ajo ka kërkuar nga KPK-ja që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.

    E para e shtetit ka thënë, po ashtu, se pret që të ketë një proces të ligjshëm, të drejtë dhe transparent, i cili do t’i marrë në konsideratë rekomandimet e organizatave joqeveritare dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

    KPK-ja ende nuk ka vendosur për hapat e ardhshëm

    Këshillit Prokurorial i Kosovës është pyetur se cilët mund të jenë hapat ligjorë që mund t’i ndjekë, pas mosdekretimit të kryeprokurorit nga ana e presidentes Osmani.

    Në një përgjigje me shkrim, KPK-ja i është referuar komunikatës së saj për media, të së martës, ku është thënë se ky këshill do të mbajë një takim për të vendosur lidhur me hapat që do t’i ndjekë.

    Por, sipas KPK-së, ai nuk është mbajtur ende dhe opinioni do të njoftohet me kohë se kur do të mbahet.

    KPK-ja, të martën, i ka cilësuar si “tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze” arsyetimet e Osmanit për mosdekretimin e Isufajt, duke e akuzuar atë për “ndërhyrje në sistemin prokurorial”.

    Hapat e mëtejshëm

    Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron institucionet e drejtësisë në vend, thotë se pas vendimit të presidentes Osmani, hapi që do të duhej ta ndiqte Këshilli Prokurorial i Kosovës, është nisja e procesit të ri për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Por fillimisht, sipas tij, duhet të bëhet plotësimi i kornizës ligjore.

    Kjo, thotë Miftaraj, nënkupton rregullimin e udhëzuesit me pyetjet për kandidatët për kryeprokuror. Udhëzuesi është pjesë e rregullores për përzgjedhjen dhe emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorëve të tjerë.

    “Ka gabime, të cilat nuk mund të sigurojnë një proces të drejtë”, thotë Miftaraj, duke iu referuar udhëzuesit aktual, mbi bazën e të cilit KPK-ja ka përzgjedhur dhe propozuar Isufajn për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Sipas tij, udhëzuesi ka pyetje lidhur me ligje, të cilat sot nuk janë të aplikueshme në Kosovë.

    “Për shembull, ky udhëzues ende ka fusha që lidhen me kohën kur Kryeprokurori i Shtetit ka qenë edhe kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Në këtë rast, tash, Kryeprokurori i Shtetit është vetëm anëtar i Këshillit, por jo edhe kryesues i KPK-së”, thotë Miftaraj.

    Mangësitë e ngjashme, sipas tij, do të mund të adresoheshin brenda një muaji, në rast se ka vullnet brenda KPK-së.

    Hap i radhës, shton ai, do të ishte hapja e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, i cili duhet të qëndrojë i hapur 15 ditë. Ndërkaq, procedurat e intervistimit, do të zgjasnin një muaj.

    “Nëse KPK-ja do të kishte vullnet politik që t’i bënte këto në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të ligjit, muaji janar i vitit të ardhshëm do të mund të rezultonte me kryeprokuror të dekretuar nga Zyra e Presidentes”, thotë Miftaraj.

    BE-ja kërkon proces transparent dhe të drejtë

    Lidhur me mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit nga presidentja Osmani, të mërkurën ka reaguar edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

    Duke i kushtuar vëmendje deklaratës së saj, ai ka theksuar në platformën X “nevojën e rëndësishme që procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të jetë transparent, i bazuar në merita dhe i drejtë, brenda sistemit juridik”.

    “U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që t’iu përmbahen parimeve dhe standardeve më të larta të sundimit të ligjit në përzgjedhjen e vonuar të Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë Szunyog.

    Çka nëse KPK-ja vendos ta zvarrisë procesin?

    Thirrjen e BE-së ndaj autoriteteve të Kosovës lidhur me përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, Miftaraj e sheh si thirrje ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës që ta nisë menjëherë procesin e ri.

    Por, Miftaraj thekson se, në rast se KPK-së i mungon vullneti për një gjë të tillë, procesi mund të zvarritet.

    Siç thotë ai, ky institucion është krejtësisht i pavarur dhe nuk ekzistojnë instrumente dhe mekanizma ligjorë e kushtetues që mund ta detyrojnë të shpejtojë në rinisjen procesit.

    “Mund të jetë kjo edhe tre muaj, edhe një vit. S’ke çfarë i bën. Nuk ke mekanizma. Do të thotë (KPK-ja) është shtet brenda shtetit”, thotë Miftaraj.

    Vitin e kaluar, kur KPK-ja ka përzgjedhur emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, zhgënjim me procesin e përzgjedhjes kanë shprehur BE-ja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe disa organizata joqeveritare që mbikëqyrin institucionet e drejtësisë në Kosovë. Sipas tyre, procesi nuk ka qenë as i drejtë, as objektiv apo transparent.

    Kryeprokurorit paraprak të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill 2022.

    Besim Kelmendi është ushtrues i kësaj detyre dhe ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit. /rel

  • A do të inkuadrohet në politikë Endrit Thaçi dhe si, flet Hoxhaj

    A do të inkuadrohet në politikë Endrit Thaçi dhe si, flet Hoxhaj

    Nënkryetari i Kuvendit dhe ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, i ftuar në emisionin “Context”, në ATV foli për ecurinë e procesit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

    Derisa foli për Gjykatën në Hagë, Hoxhaj përmendi edhe vizitën e tyre si parti (PDK), pas kthimit të Hysni Gucatit në Kosovë, në të cilën i pranishëm ishte edhe Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

    “Sot ishim te Gucati si parti, ishte ngjarje e bukur dhe veçantë për secilin prej nesh, por e pa plotë, pa të tjerët, ata të cilët janë në Hagë. Unë jam i sigurt se kjo do të jetë fitore e pashmangshme, sepse po ata mbahen në mënyrë të padrejtë, atje. Procesi do të mbyllet shpejt dhe mirë. Unë besoj se ata do të triumfojnë përsëri. Sot vizita te Gucati ishte një ngjarje gëzimi, e cila ishte e plotë që Endriti ishte me neve, por që nuk ishte fare e plotë që babai i Endritit, Hashimi nuk ishte aty, dhe po ashtu pa Veselin, Baci Jakup, Rexhën, Nasimin, Calin e të gjithë të tjerët”, tha Hoxhaj.

    I pyetur nëse Endriti do të angazhohet në politikë, Hoxhaj tha se ai do të jetë i mirëseardhur kurdo, derisa shtoi se pjesëmarrja e tij te Gucati, ishte më shumë gjest individual se sa qëndrim politik.

    “Sot vizita atje, ka qenë më shumë kapacitet individual, si djali i Hashimit, që ne e shohim si me qenë vëllai ynë i vogël por është i mirëseardhur kurdo dhe është vendimi i tij, ai është që e bënë hapin e duhur. Mendoj që kur dikush vendosë që të angazhohet politikisht, dhe është vendim e merr në një moment të duhur, kurdo që ia merr mendja”, shtoi tutje ai./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​Murati fton opozitën të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    ​Murati fton opozitën të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka ftuar deputetët e opozitës që nuk po marrin pjesë në votime, të ndryshojnë qëndrim dhe të votojnë për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Ministri Murati ka thënë se njëra ndër arsyet se pse një pjesë e opozitës nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare është edhe pretendimi se “për shkak të masave të vendosura, edhe fondet e këtyre marrëveshjeve janë të bllokuara prandaj është e kotë të ratifikohen sepse mjetet nuk mund të shfrytëzohen”.

    Mirëpo, sipas Muratit, kjo nuk qëndron.

    “Gjatë dy javëve të fundit kam pasur takime me pothuajse të gjithë partnerët e donatorët zhvillimorë, dhe njëra ndër çështjet e ngritura në këto takime ishte pikërisht edhe ky pretendim i opozitës. Ajo çfarë mund të them është se në të gjitha këto takime më është konfirmuar nga partnerët ndërkombëtarë se marrëveshjet që tashmë janë të nënshkruara dhe presin për ratifikim, nuk kanë asnjë pengesë apo bllokim fondesh”, ka shkruar Murati.

    Prandaj edhe njëherë ftoj deputetët e opozitës që nuk po marrin pjesë në votime, të ndryshojnë qëndrim dhe të votojnë për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.

  • Von Cramon: Nëse Serbia nuk bashkëpunon për hetimin e sulmit në Banjskë, i vendosen sanksione

    Von Cramon: Nëse Serbia nuk bashkëpunon për hetimin e sulmit në Banjskë, i vendosen sanksione

    Viola Von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian ka folur për rezolutën në Parlamentin Evropian, mocioni i së cilës do të votohet në seancën e sotme ku kërkohet sanksionimi i Serbisë, si dhe ekstradimi i Radoiçiqit.

    “Ne kemi pasur një disponim të gjatë konstruktiv, ku pesë grupe kanë dalë me rezoluta dhe negociuam së bashku sa i përket tekstit të përbashkët për rezolutë, ku kemi dalë me një tekst të fortë e të japim jehonë ndaj Serbisë”, derisa sqaroi se mocioni për rezolutë do të votohet nesër, rreth orës 13:30.

    “Së pari kemi një dënim të qartë e të fuqishëm për atë që ka ndodhur në veri të Kosovës, më 24 shtator”, theksoi ajo, derisa për kërkesën e ekstradimit të Radojçiqiut, sqaroi se ekzistojnë nivele të ndryshme:

    “Së pari, kemi një kërkesë një dënim të qartë për atë që ka ndodhur në veri të Kosovës. Kemi qenë të qartë në kërkesën tonë për hetime të thukëta dhe kemi kërkuar përkrahjen e plotë nga ana e Serbisë, në atë që ka ndodhur më 24 shtator në veri të Kosovës;

    Së dyti, kemi një indikacion të qartë se shefi këtij grupi paramilitar në veri të Kosovës ka lidhje me individët dhe me vet presidentin e Serbisë, e nëse qeveria dhe institucionet tjera shtetërore serbe qëndrojnë prapa saj ende nuk është e qartë. Pikërisht për këtë është kërkuar hetim të thukët e të pavarur por të mbështetura nga bashkësia ndërkombëtare, por që, është kërkuar nga përfaqësuesit evropianë, konstatime preliminare të rezultateve deri në fund të vitit;

    Së treti, nuk kemi folur për sanksione kundrejt Serbisë. Ne kemi futur në tekst sanksione ndaj pjesëtarëve, individ, sikundër është fjala për Radojçiqin dhe ne duhet ta bëjmë të njëjtën gjë;

    Së katërti, nëse nuk ka bashkëpunim të plotë, sa i përket këtyre hetimeve, sa i përket vazhdimësisë në ndjekje penale e kështu me radhë, do të duhej të kishte masa edhe ndaj Serbisë. E këto masa do të duhej të dukeshin si masa që rëndojnë mbi Kosovën, që nënkupton masa politike, masa financiare, etj”, deklaroi Von Cramon në RTK.

    Ajo tha se kjo është vetëm një parapërgatitje dhe që nuk ka ndonjë indikacion konkret që këto masa do të vendosen menjëherë, megjithatë ajo tha se këto masa do të vendosen kur vërehet se nuk ka vullnet politik për të mbështetur hetimet nga ana e Serbisë.

  • PE-ja prezanton sot Projekt-Rezolutën për marrëdhëniet Kosovë – Serbi

    PE-ja prezanton sot Projekt-Rezolutën për marrëdhëniet Kosovë – Serbi

    Parlamenti Evropian ka hartuar një Projekt-Rezolutë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për sulmin terrorist në fshatin Banjskë, që pritet të prezantohet në seancën e sotme, më 19 tetor. Aty kërkohet sanksionimi i Serbisë, si dhe ekstradimi i Radojiçiqit.

    Kjo Rezolutë është iniciuar nga grupi politik i socialdemokratëve në PE, pasi situatën në Kosovë e vlerësojnë si “jashtëzakonisht shqetësuese”.

    Projekt-Rezoluta, e cila ka 29 pika, dënon ashpër “sulmin terrorist” ndaj Policisë së Kosovës nga “banda e armatosur serbe në mes të operacionit më të madh të kontrabandës së armëve” në Banjskë në veri të Kosovës, i cili ndodhi më 24 shtator e që rezultoi me vrasjen e rreshterit të policisë Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve tjerë.

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një intervistë për RTK, ka folur për rezolutën në Parlamentin Evropian, mocioni i së cilës do të votohet në seancën e sotme ku kërkohet sanksionimi i Serbisë, si dhe ekstradimi i Radojçiqit.

    “Ne kemi pasur një diskutim të gjatë konstruktiv, në Parlamentin Evropian, ku pesë grupe kanë dalë me rezoluta dhe negociuam së bashku sa i përket tekstit të përbashkët për rezolutë, ku kemi dalë me një tekst të fortë e të japim jehonë ndaj Serbisë”, derisa sqaroi se mocioni për rezolutë do të votohet nesër, rreth orës 13:30”, ka thënë Von Cramon.

    Ajo tha se kjo është vetëm një parapërgatitje dhe që nuk ka ndonjë indikacion konkret që këto masa do të vendosen menjëherë, megjithatë ajo tha se këto masa do të vendosen kur vërehet se nuk ka vullnet politik për të mbështetur hetimet nga ana e Serbisë.

    Nëpërmjet kësaj rezolute, të cilën e ka publikuar mediat serbe “Nova”, ftohen të gjitha anëtarët e BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, që ta dënojnë këtë sulm. Gjithashtu shprehet keqardhje e thellë për viktimat dhe shpërehen ngushëllime për familjen dhe kolegët e Afrim Bunjakut. Aty vlerësohet bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë EULEX dhe KFOR në kundërpërgjigje të sulmit.

    “Të gjitha palët ftohen për qetësim të situatës në veri të Kosovës dhe të shmangin çdo retorikë apo veprim që do të çonte në rritje të mëtejshme të tensioneve. Gjithashtu kërkohet që të vërtetohen të gjitha faktet për sulmin dhe një monitorim i kujdesshëm i hetimeve nga autoritetet kosovare. BE-së i kërkohet të mbështesë hetimin nga autoritetet e Kosovës, duke përfshirë mbështetjen nga EULEX-i. Autorët përgjegjës për këto sulme duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë. Autoriteteve të Kosovës u kërkohet të zbulojnë të gjitha provat në lidhje me incidentin dhe që institucionet ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë EULEX-in, t’i vlerësojnë këto dëshmi. Pritet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me këtë hetim dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin dhe që aktualisht ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë ekstradimin e tyre në Kosovë”, thuhet në Rezolutë.

    Autoriteteve të Kosovës u kërkohet gjithashtu që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të parandaluar kontrabandën e armëve në vend, e cila bëhet përmes ambulancave dhe objekteve kishtare të Kishës Ortodokse Serbe në veri të Kosovës.

    Tutje në Projekt-Rezolutë theksohet rëndësia e vendosjes së përgjegjësisë së Serbisë në sulmin e 24 shtatorit dhe nevoja për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë, në përputhje me masat ndaj Kosovës. Ftohen BE-ja dhe anëtarët e saj të përgatisin sanksione kundër organizatorëve, financuesve dhe autorëve të sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, bazuar në gjetjet e hetimit.

    Gjithashtu, BE-së i kërkohet të vendosë masa kufizuese ndaj lidershipit serb, nëse konfirmohet pjesëmarrja e tyre në sulmin në Banjska ose cilido nga veprimet apo qëndrimet e lartpërmendura të dënuara, përfshirë mosgatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht në hetimin e këtij rasti. Këshillit të Evropës i kërkohet të miratojë masa kufizuese të synuara, duke përfshirë, por pa u kufizuar në ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit, kundër aktorëve destabilizues në veri të Kosovës dhe udhëheqësve të rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, Këshilli ftohet të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe të vendosë sanksione kundër Milan Radojiçiqit.

    “Rezoluta dënon ashpër praninë e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, por mirëpret tërheqjen e disa trupave serbe nga kufiri i Kosovës dhe i bën thirrje Serbisë që të përmbahet nga përsëritja e situatave të tilla në të ardhmen. Serbisë i kërkohet të bëjë më shumë për të de-përshkallëzuar tensionet e shkaktuara nga prania e saj ushtarake. Në këtë drejtim, Serbisë i kërkohet të tërheqë të gjitha bazat ushtarake të vendosura afër kufirit me Kosovën dhe pajisjet, duke përfshirë sistemet kundërajrore dhe njësitë e artilerisë së rëndë, të përmbahet nga çdo vendosje joproporcionale ushtarake në rajon në të ardhmen dhe të ndërpresë çdo mbështetje për formacionet ilegale terroriste në veri të Kosovës”, thuhet tutje në Projekt-Rezolutë.

    Më tej theksohet se një sjellje e tillë agresive ushtarake, së bashku me mesazhet politike të radikalizuara në Serbi dhe indikacionet e forta të përfshirjes së shtetit serb në dhunën e fundit në sferën politike në veri të Kosovës, tregojnë për një politikë shumë të rrezikshme por koherente të Qeverisë së Serbisë ndaj Kosovës dhe partnerëve të saj perëndimorë.

    Po ashtu dënohen ashpër sulmet e dhunshme në maj 2023 kundër ushtarëve të KFOR-it, policëve të Kosovës dhe gazetarëve. Ftohen autoritetet kompetente që të nxjerrin para drejtësisë të gjithë autorët përgjegjës të këtyre sulmeve.

    Rezoluta i bën thirrje KFOR-it të krijojë një plan për veriun e Kosovës në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm. Mirëpritet vendosja e 200 trupave britanike në Kosovë për të përforcuar KFOR-in dhe ftohen të gjitha shtetet anëtare të BE-së të dërgojnë trupa shtesë pa vonesa të mëtejshme. Rezuluta mirëpret vendimin e NATO-s për të pajisur KFOR-in me armë më të rënda në mënyrë që të ketë një aftësi më të madhe luftarake. NATO-s i kërkohet të sigurojë që KFOR-i të ketë kapacitet adekuat për monitorim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme të gjithë veriut të Kosovës për të siguruar që çdo inkursion paraushtarak ose sulm, veprim ose tentativë për rrëmbim të policëve të Kosovës mund të zbulohet menjëherë. BE dhe shteteve të saj anëtare nxiten që të rrisin më tej njësitë e EULEX-it në terren, veçanërisht në veri të Kosovës dhe, nëse është e nevojshme, të forcojnë përkohësisht rolin e saj në përgjigje të sfidave të sigurisë në veri të Kosovës.

    Në këtë dokument shprehet keqardhje e thellë që Serbia dhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë shpallën ditë zie kombëtare për tre terroristë serbë të vrarë në sulmin në Banjskë, e që për synim ka t’i vendosë këta terroristë si heronj që luftuan për çështje serbe, gjë e cila shkakton tensione të forta politike në rajon

    Rezoluta i bën thirrje Serbisë dhe Kosovës që të dënojnë të gjitha format e dhunës dhe provokimeve dhe të bëjnë thirrje për përmbajtje dhe ndërprerje të menjëhershme të çdo veprimi që mund të rrisë më tej tensionet. Serbisë dhe Kosovës i kërkohet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe në vend të kësaj, të punojnë në mënyrë aktive drejt zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Rezoluta dënon dhe shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e autoriteteve serbe në sulmin e 24 shtatorit 2023, duke përfshirë hezitimin e tyre për të bashkëpunuar në hetim, propagandën, glorifikimin, mbështetjen politike, qëndrimin e tyre të butë ndaj organizatorëve dhe autorëve të sulmit dhe përpjekjen për të destabilizuar Kosovën.

    Përmes rezolutës përkrahet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. I bëhet rithirrje Serbisë dhe Kosovës të angazhohen në dialogu me vullnet të mirë dhe me frymë kompromisi për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, bazuar në parimin e njohjes reciproke, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme. Ftohen palët përkatëse që dialogu të fokusohet më shumë te qytetarët. EEAS i kërkohet të ndajë më shumë fonde për dialogun e udhëhequr nga BE.

    BE-së i kërkohet të forcojë rolin e saj si ndërmjetës në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe të propozojë një qasje të re, novatore dhe të balancuar për ndërmjetësimin ndërmjet palëve, në mënyrë që të kapërcehet ngërçi aktual, duke qenë se mënyra e vjetër e veprimit nuk është më e mundur pas sulmit të 24 shtatorit 2023 dhe se besimi në proces duhet të rikthehet.

    Kjo është Projekt-Rezoluta e plotë për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe sulmin terrorist në fshatin Banjskë.

  • Hoxhaj thotë Qeveria nuk diti ta shfrytëzojë hapësirën kohën prej sulmit në veri që t’i vendosen sanksione Serbisë

    Hoxhaj thotë Qeveria nuk diti ta shfrytëzojë hapësirën kohën prej sulmit në veri që t’i vendosen sanksione Serbisë

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Qeveria e Kosovës nuk ka ditur ta shfrytëzojë këtë hapësirë kohore prej katër javësh që nga sulmi i 24 shtatorit, pasi që sipas tij, kjo kohë ka qenë mundësi e artë që t’i vendosen sanksione Serbisë.

    “Duket që 21 tetori do të jetë një pikë kthese për një proces të ri politik, por unë çka kam parë gjatë këtyre katër javëve pas 24 shtatorit është që Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës, liderët e Kosovës nuk kanë ditë që ta shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore prej katër javësh që të përdorin këtë mundësi të artë për të vendosë sanksione mbi Serbinë, me që ajo që ndodhi me 24 shtator ishte akt i agresionit i një grupi terrorist, i cili kishte plan politik, kishte platformë politike për ta aneksuar veriun e Kosovës, dhe natyrisht që lidhja direkte ishte me presidentin serb, sepse Aleksandar Vuçiq para se të jetë politikan ka qenë paramilitar”, tha Hoxhaj. /atvlive.tv

  • Hovenier: Ka zotime nga Kosova për të shtyrë përpara asociacionin

    Hovenier: Ka zotime nga Kosova për të shtyrë përpara asociacionin

    Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ka zotime nga ana e Kosovës për të shtyrë përpara asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Sipas tij, 24 shtatori e bëri të qartë se sa urgjente është të arrihet implementimi i plotë i marrëveshjes së mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në shkurt dhe të aneksit të implementimit, që u arrit në mars.

    “Unë mendoj se 24 shtatori nënvizoi dhe e bëri shumë të qartë se sa urgjente është që të lëvizet para me këtë punë të rëndësishme që të arrihet implementimi i plotë nga të dyja palët, për të gjitha zotimet në marrëveshjen bazë dhe aneksin e implementimit. Ka shumë angazhime të mira në këtë marrëveshje themelore. Ato përfshijnë gjëra si shmangja e përdorimit të forcës, zgjidhja e probleme përmes mënyra paqësore, respekt për kufijtë e njëri-tjetrit. Ka zotime edhe në anën e Kosovës, lidhur me shtyrjen përpara të asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një mjet për të adresuar shqetësimet e komunitetit etnik serb këtu. Ne po ashtu mendojmë se kjo është shumë e rëndësishme dhe urgjente”, tha Hovenier.

    Për ditët e ardhshme, ai paralajmëroi një vizitë të rëndësishme në Kosovë, për të cilën thotë se është reflektim i seriozitetit me të cilin SHBA-të dhe partnerët tanë evropianë në BE e shohin situatën aktuale.

    “Një vizitë shumë e rëndësishme do të bëhet, ashtu siç kemi diskutuar, dhe mendoj se është reflektim i seriozitetit me të cilin Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë në BE e shohin situatën aktuale. Ne duam të shohim progres të vërtetë. Jo në negocimin e zotimeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por të shohim që marrëveshja e arritur në shkurt dhe implementimi i aneksit në mars, të zbatohen plotësisht nga të dyja palët. Mendoj se kjo vizitë e radhës do të jetë manifestim i rëndësisë që kjo të realizohet”, tha Hovenier. /atvlive.tv

  • Mosdekretimi i Kryeprokurorit të shtetit, KPK i ka vetëm dy rrugë ligjore

    Mosdekretimi i Kryeprokurorit të shtetit, KPK i ka vetëm dy rrugë ligjore

    Përgatiti: Nora Luta

    Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka ligjërisht dy mundësi se si mund të veprojë tutje, pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani, për mosdrekretimin e kryeprokurorit të shtetit.

    Kjo pozitë është me ushtrues detyre për më shumë së një vit.

    Por, për hapat tutje Këshilli Prokurorial do të vendosë gjatë një takimi që pritet ta mbajë brenda javës.

    “Këshilli Prokurorial i Kosovës, në takimin e mbajtur dje, në të cilin është diskutuar për situatën e krijuar pas njoftimit të Presidentes së Kosovës, znj.Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, z.Blerim Isufaj, me ç’rast është lëshuar një komunikatë për media, ka konfirmuar se KPK-ja së afërmi do të mbajë edhe një takim tjetër për të vendosur lidhur me hapat që do t’i ndjekë pas njoftimit të Presidentes për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Lidhur me kohën dhe agjendën e saktë të takimit që do të mbahet, do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në reagimin nga Zyra për Komunikim Publik e Sekretariatit të KPK-së.

    Në bazë të Ligjit për KPK-në, Këshilli i ka dy mundësi, të shpallë konkurs të ri, apo ta dërgojë edhe një herë emrin e kandidatit të përzgjedhur për kryeprokuror, në këtë rast, Blerim Isufaj.

    Blerim Isufaj, aktualisht është në fund të mandatit si kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, dhe për këtë pozitë tashmë KPK-ja e ka shpallur konkursin.

    Ai është përzgjedhur para një viti e gjysmë në pozitën e kryeprokurorit të shtetit, por presidentja Vjosa Osmani të martën njoftoi se nuk do ta dekretojë, pasi sipas saj, ka pasur shkelje në procedurë, ndërsa ka shtuar se ka pasur kërcënime nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.

    Deklaratat e presidentes, KPK-ja i ka quajtur tendencioze dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin prokurorial.

  • Hovenier: Kemi pritje që Serbia të mos ndërmarrë veprime të cilat kërcënojnë Kosovën

    Hovenier: Kemi pritje që Serbia të mos ndërmarrë veprime të cilat kërcënojnë Kosovën

    Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se SHPBA pret që Serbia që të mos ndërmarr veprime të cialt kërcënojnë fqinjët e saj, përfshirë edhe Kosovën.

    Ai përmendi se angazhimi i SHBA-së për Kosovën është i padiskutueshëm dhe i qartë, por që kërkon nga qeveritë qeveritë kosovare janë për të themeluar një shoqëri multietnike, demokratike në të cilën jetojnë të gjithë qytetarët.

    “Nuk e di nëse duhet të ndryshojmë mënyrat, por do të donim të shihnim rezultate më të mira nga mënyra e angazhimit tonë. Bashkimi Evropian dhe ndërmjetësuesit e BE-së po punojnë shumë dhe kanë mbështetjen amerikane. Mendoj se kjo është gjëja e duhur, dhe angazhimi i SHBA-së për Kosovën është i padiskutueshëm dhe i qartë, por gjithashtu pritjet tona për këtë qeveri dhe të gjitha qeveritë kosovare për të themeluar një shoqëri multietnike demokratike në të cilën jetojnë të gjithë qytetarët, jetët e tyre dhe kushtet për dinjitet dhe siguri vazhdojnë. Ne kemi gjithashtu pritje nga Serbia, të cilat janë që Serbia të mos ndërmarrë veprime të cilat kërcënojnë fqinjët e saj, përfshirë Kosovën, që të mos ndërmarrë veprime që destabilizojnë rajonin dhe kjo gjithashtu ishte pjesë e bisedës tonë”, tha Hovenier.

    Pas takimit që pati me studentët e Kolegjit AAB, Hovenier bëri thirrje që Kosva dhe Serbia të punojnë drejt të plotë të marrëveshjes bazë që u arrit në shkurt dhe të aneksit të implementimit, që u arrit në mars.

    “Mendoj se të gjithë jemi të shqetësuar për zhvillimet tani. Por mendoj se ata (studentët) mund të kenë besim, ashtu si ne, se komuniteti ndërkombëtar është shumë i fokusuar që të ndihmojë të avancojë këtu dhe në rajon, stabilitet më të madh, prosperitet më të madh, siguri më të madhe. Ky vazhdon të jetë synimi ynë. Kjo kërkon vullnet politik, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, që të punohet drejt zbatimit të plotë të marrëveshjes bazë që u arrit në shkurt dhe të aneksit të implementimit, që u arrit në mars. Por kemi një rrugë para e cila funksionon. Vetëm duhet të ndodhë”, tha Hovenier. /atvlive.tv

  • Parlamenti Evropian hedh në votim Rezolutën për Kosovën, kërkohet sanksionimi i Serbisë

    Parlamenti Evropian hedh në votim Rezolutën për Kosovën, kërkohet sanksionimi i Serbisë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Të enjten, Parlamenti Evropian pritet ta hedhë në votim rezolutën, lidhur me zhvillimet e fundit në veri, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, që la të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku.

    Votimi pritet të fillojë në orën 12:00, ndërkaq, paraprakisht, për ngjarjet e 24 shtatorit, në Parlamentin Evropian janë dërguar pesë draft-rezoluta nga parti evropiane.

    Mbajtja e Serbisë përgjegjëse për sulmin terrorist, si dhe vendosja e sanksioneve ndaj shtetit serb, janë kërkesat e përbashkëta të pesë rezolutave.

    “Të theksohet rëndësia e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse, për rolin e saj në sulmin e 24 shtatorit 2023 dhe nevojën për të vendosur masa kundër Serbisë. Të shprehet keqardhje për faktin që gjykata e Beogradit refuzoi thirrjen e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Beogradit për ndalimin e Milan Radojicicit, për shkak të rrezikut të arratisjes së tij, duke pasur parasysh se Radojicici mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit 2023”, thuhet në draft-rezolutën e S&D Group.

    Në rast se vërtetohet përfshirja e shtetit serb, grupi i “Të Gjelbërve/Aleanca e Lirë Evropiane” ka kërkuar që Serbisë t’i ngrihen të gjitha fondet e dhëna sipas programit IPA.

    Kurse, grupi më i madh dhe më i vjetër në Parlamentin Evropian, “PPE”, që është grup i qendrës së djathtë, përmes draft-rezolutës ka dënuar fuqishëm kontrabandën e armëve në veri, e cila po bëhet duke përdorur autoambulancat dhe objektet e Kishës Ortodokse Serbe.

    “Dënojmë strehimin e autorëve të inkursionit të armatosur në veri të Kosovës, si dhe çdo propagandë për ta, glorifikimin e veprimeve të tyre, apo mbështetjen politike për ta. Dënojmë përpjekjet e vazhdueshme ruse për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor dhe, veçanërisht, në Serbi dhe në Kosovë, duke shfrytëzuar ndarjet kulturore, etnike dhe fetare dhe duke destabilizuar forcat pro-demokratike; dënojmë, në këtë drejtim, përfshirjen e mundshme ruse në sulmet e Banjskës”, thuhet në draft-rezolutën e PPE-së.

    Mes tjerash, është kërkuar që masat ndaj Kosovës të hiqen dhe Bashkimi Evropian të veprojë si ndërmjetësues i paanshëm në procesin e normalizimit.

    Në anën tjetër, Kosovës i është kërkuar themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit, Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.